Tuesday, 13 May 2014

UTOPIA, SHPIRTI I POEZISË



UTOPIA, SHPIRTI I POEZISË 
                                                                                          ESE
                                                                                                PIRRO LOLI


    Nuk e besoj se ata që merren me letërsi e kulturë tek ne kanë dijeni për  tre talente të spikatura, në emigracionin tonë në Greqi, Stefan Martiko, Vasil Vasili dhe Alush Avduli. Të tre shkruajnë në poezi e  në prozë, por të tre janë zëra origjinalë në eseistikë. Stefani, autor i shumë librave poetikë, me një koncizitet të pa besueshëm, shkruan ese si poema. “Dhe nuk nxiton të kuptohet”. Vasil Vasili studiuesi dhe eseisti më i talentuar i K.Kavafit, dallohet për forcën e fjalës dhe interpretimet origjinale thellësive të këtij poeti  të madh botëror, që asnjë krijues grek nuk e ka arritur finesën  dhe përmasat e krijuesit tonë. I treti, vjen në eseistikë nga poezia.
I ndërgjegjshëm për vështirësitë që ndiej të shkruash ese për eseistë, këtë radhë unë zgjodha të merrem me Alush Avdulin.   

*  *  *   

    Utopia në festë “ e ka titulluar librin e tij të fundit Alush Avduli.  Edhe këtu si në vëllimin e parë, “Përkthimi i heshtjes” ai shfaqet si një estet krejt i veçantë. Utopia  është është kufomë e fantazisë , thotë vetë ai. (Në eseistikë A. Avduli erdhi nga poezia, “Lirikat e Konispolit” dhe “Në një stinë të thatë”) E me që opinioni ynë kulturor e letrar është kaq i çoroditur, e ndjeva si detyrë t’i qasem disi ndryshe këtij krijuesi origjinal. Kemi të bëjmë me një krijues të “pa logjikshëm” dhe, që në fillim, dua të bind vetveten se kemi të bëjmë me një krijues dinjitoz. Si i  tillë, në dukje dhe kontradiktor ai, ndërsa thërret utopinë në festë, e kundërshton atë “se nuk ekziston”, madje , njerëzimi është meritë e kotësisë utopike... Në fakt , kundërshtitë dhe dilemat e tij janë gjymtyrë të intelektit të tij. Po i them Alushit, se utopia si koncept (jo vetëm e tij), ekziston edhe si  qenie biologjike dhe leksikore. Gjithashtu është tepër ngacmuese për lexuesin edhe “Përkthimi i heshtjes”; e ka fjalën për heshtjen artistike, të pashprehurën që flet dhe më shumë nga fjala, ashtu plot zjarrmi që , pa u dukur, gërmon andej nga është fshehur metali i çmuar.
Ndaj  sadopak, më duhet të shpjegohem:

*  *  *
Baza e utopisë është fantazia.  Është ky aktivitet psikik që i ka dhënë njerëzimit (realitetit) zbulime të pabesueshme dhe që, pothuaj ekziston i ndarë, madje  i kundërt me realitetin. Fantazia i braktis instinktet e pavarura që rëndom quhen normale. Fantazinë e bashkojnë me realitetin vetëm ato fije që kanë të bëjnë me parimet e kënaqësisë.(Edhe seksuale). Kuptohet fantazia si proces i veçuar nuk ka beteja të fituara si arsyeja. Ajo piketon të tjera strategji e njëkohësisht mbetet trill, fallso, ëndërr me sy hapur, dëshirë iluzive etj. Fantazia synon që me gjuhën e dëshirës, të afrohet me realitetin, duke u larguar nga ëndrra. E kështu gradualisht, së bashku me Alushin, duam ta kapërcejmë realitetin kontradiktor njerëzor, t’i qasemi kënaqësisë, ta bashkojmë lumturinë me arsyen...Dhe kështu erdhëm te objekti i dëshiruar:

TROJET E ARTIT.

Të vërtetat e imagjinatës që guxojnë të konkretizohen në një formë na çojnë te arti dhe letërsia, tek ai univers subjektiv, ose tek e bukura. Ai jo vetëm e analizon veprën artistike, por , kur gjen vetveten e tejkalon atë. Në këtë rrugë shkel A. Avduli dhe, detyrimisht, analiza e funksionit të njohjes utopike, i kthehet në analizë estetike, ose në shkencën mbi të bukurën.
 *   *  *
   Por cili është ky Alush Avduli që, ashtu heshturazi, siç e kanë zakon krijuesit seriozë, shkruan e boton libra për problemet më të mprehta të krijimtarisë artistike e për vepra që të tjerët ndruhen t’u afrohen. Është një çam inteligjent nga Konispoli. Drama e ekzistencës  pse linda në djerrakohë të gabuar” u sinkronizua dhe me dramën shpirtërore të mosshprehjes. Ndoshta kjo do mjaftonte. Tërë jetën ka bërë punë të rëndomta. Njeri “me biografi” e aq.  Më 1990, sapo preku lirinë mërgoi në Greqi. Atje, krahas punëve të lodhshme të jetesës, u mor me libra, shkrime, kritika, poezi dhe përkthime. “Drita  e palarë lë gjurmë të argjendta në vitet e mia të numëruara”... Kaq.
Por ai po ndërton biografinë tjetër, atë të krijuesit. G. Flober ëndërronte një libër sikur nuk e kish shkruar askush. “ Gruaja ime , thotë Alushi,  mërmërit për mua se po të kisha punuar kaq sa kam lexuar, do të ishim të pasur, ...
Unë nuk dua t’i shpjegoj sukseset e tij vetëm me punën dhe vullnetin e tij. Pa dyshim ai është produkt i leximeve, por për njeriun me talent dua të dal në një shteg tjetër. Besoj se niveli aq origjinal i analizave të tij letrare, shpjegohet në atë që thotë Frojdi, “Kthimit të të shtypurës”, pra, haraçi i mosrealizimit në kohën e duhur, atëherë kur natyrshëm lulëzon talenti nëse e ke, në adoleshencë dhe në rini. Ky burrë 50 - 60 vjeçar, nuk i shoi xixat e talentit. Ai i grumbulloi pikë e nga një pikë, krijoi “depozitën” e tij dhe priste kohën e duhur. Vullneti i tij pas viteve 90`zbuloi unin e çlirimit - rrëzimin e pengesave të mosrealizimit. Më shumë se ne të tjerët, Alushi e ka vuajtur imazhin e subjektit të lirë për shkollën e lartë, letërsinë, dijen. Ai digjej për të thënë fjalën e tij për botën dhe njeriun. Ai dhe sot në liri vrapon atje kur dijet letrare edhe për kulturat e mëdha, qëndrojnë në zgrip të dilemave. Nuk është rast i panjohur që vullneti, kur bashkohet me talentin  i sfidon katedrat dhe fakultetet. Ky njeri nuk lexon, por i ha, i gllabëron librat. Ai preferon autorët e mëdhenj, poetë dhe estetë të tipit Brodskij apo Emerson. Të pathënat origjinale e tërheqin, mediokriteti e neverit. E tërheqin subjektet fikcion, fantazitë, të ndaluarat. Të pamundurat. Absurdi. Arti për të anulon vetveten duke shpëtuar substancën kur mohon formën tradicionale. Në analizat e veprave që zgjedh, fantazia e tij shpesh e kapërcen fantazinë e autorëve. Ai s’është kritik i mirëfilltë, ai është estet, nuk është analist,  por poet. Ai ka lindur surrealist. Sintaksa e tij, në dukje, tepër e ngarkuar e alogjike që na kujton një toskërishte brilante, nuk e braktis atë fijen që garanton lidhjen e artit me llojin e vet me një ndjeshmëri të çuditshme. Si seksualiteti. Shkrimet e tij synojnë një kënaqësi estetike të ngjashme me realitetin erotik.
Niveli i kritikut shfaqet kur ai e gjykon veprën duke e “e ribërë atë”. Kështu mund të shpjegohet, jermi,  ankthi i çuditshëm shkrimeve të Avdulit. Ai e ndien temperaturën e krijimit. Dhe ndez zjarre të tjerë. Ai i peshkon figurat. Është vetë gjuha e artit e tillë. E ankthshme. Absurde. Është fjala e zgjedhur polisemantike. Po, po. Në kundërshtim me arsyen, ku lidhjet shkak , pasojë, silogjizmat, moralet dhe përfundimet u takojnë fushave të tjera. Të tillët synojnë dis’harmoninë. Vetëm “ në trekëndëshat barabrinjës reklamohet dashuria” Të tillët janë gjithnjë në festë sepse utopikë. Përrallëtarët, poetët, filozofët ndëshkohen me utopi.  Ajo të zhgënjen, vuan papërmbushjen. Utopistët dhe poetët vriten në gjumë. E di: “Mosmbërritjet e lumtura shpjegohen lehtë”. Unë nuk them janë fatkeq - jemi në trojet e artit, utopia  ka formë  mosrealizuese ( jo utilitare). Si arti. Si thelbi i tij. “Qymyri që skuq në zjarr , të zezën e tij nuk e ndryshon dot.”
Alushit, nuk i përgjigjem dot në artisti është i ngopur apo i ndotur me utopi?! Ky njeri duket sikur shkruan palogjikën. Duke e pranuar këtë “Vërejtje” ai ndjehet mirë, ai është i kënaqur me fantazinë e tij, shpesh çakërditëse që e çon drejt thelbit të artit, të fjalës artistike, tek ajo fjalë që mban mbi vete peshën dhe përgjegjësinë e riemërimit të botës, “Ju mund të sillni nga fjala “tigër”, një tjetër tigër”. Kjo është esenca e artit. Nuk është paradoks, vetëm kështu artisti është i ndëshkuar për të zbuluar misterin, misterin njerëzor që gjendet brenda njeriut të parealizuar.
Fantazia e Alushit, si energji e shpenzuar, “qesh në mjergull.” Në shumë shkrime të tij më duket se barazohet me shpirtin; pse jo, të dy janë pa formë, të dy të paekplorueshëm, të pa përmasa, të   
patakueshëm në kufij të përcaktuar. Ai të bind që poezinë e vërtetë dhe poetin e sheh te forma. Kjo tezë e shekullit të fundit ka zotëruar krejt letërsinë e madhe e, megjithatë ai ironizon ndonjë maniak të modernizmit, që ngulet tek anët formaliste jo funksionale. Mund të shkruash një poezi, thotë Alushi, në formë zogu, apo trëndafili, por asnjëra nga këto forma nuk na e jep dot, as cicërimën e zogut, as aromën e trëndafilit. Mbase është më i drejtë qëndrimi i tij oportun: “Është mirë ta kërkosh formën, por më e mira ta harrosh atë kur shkruan”.

*  *  *
Nëse do merresha me autorët dhe veprat që ka trajtuar e botuar Alushi, do më duhej të bëja libër për të dhe volume  për  dhjetra autorë; Janw mbreswlwnwse analizat eseistike  si: (Refleksione rreth “MISCELLANEA 4” të M. Zeqos, Lexojeni sikur lexoni një ëndërr(“Dashnorja misterioze”, Tragjizmi midis dy popujve, “Qyteti me dy kate) të P.Lolit.“Varret e vendlindjes” të Romeo Çollakut, Një vepër mendimi , “ DRITA(ret) e Arsyes si Tiran(i )“ e Vasil Vasilit, Një poet që nuk nxiton të kuptohet për Stefan Martikon, “Shpirti poetik i Agim Matos”,  apo analizat pwr prozatorwt Myslim Maska,PajtimCaushit  etj
 Ky autor jep informacione për esencën e librave shpesh duke i tejkaluar autorët; ai është kundër shpjegimit social, admiron fantastiken dhe devijimet etiko morale,  mistikja që peshkon plot ankth fton utopinë e tij në festë. Nuk e teproj të them se, si të rrallët kritikë, A. Avduli është marrë jo aq me kritikën e veprave, por me eseistikën e tyre; ai ka shkruar për poetë, romane , estetë; nuk bën kritizierin, por synon të pozicionohet në krah të autorit; së pari të ngopet me leximin estetikisht dhe, ashtu utopik siç është, rreh të kapë dy të përpjeta, të  “bëhet bashkautor”  dhe të gjejë vetveten. Me këtë të dytën “nënkupton mangësitë e tij(!)...dhe vazhdon..., maturia i privon përmasat dhe të gjitha shoqërizimet janë të pashoqërueshme...Duke e zgjedhur gjahun si langua, ai ka një intuitë të lindur për të rënë në gjah të trashë; ai ndjek aromat dhe ngjyrat që i pëlqejnë dhe, kësisoj, e ka të pamundur të mos jetë eklektik. Nuk trembet nga kaosi që ndërton, nga dritëhijet që sheh, nga frekuenca e ndjenjave që përcjell, çmendet ndaj çmendurive.; lexon ëndrra nga ëndrrat, provokon kaos nga veprat kaotike; nuk i mjaftojnë të gjitha ngjyrat e ylberit, nuk i dalin fjalët e fjalorit, nuk trembet nga liqeni i kaltër që po mbytet si narcizist, aspak, dhe shpesh e mbyll yllin e vetvetes brenda kapakëve të një midhjeje të zezë që, nëse do t’i shikosh të brendshmet e bukura , duhet ta vrasësh...
Pothuajse në çdo analizë(ese) ky autor flet për absurdin. Siç dihet, kjo është tema e preferuar e autorëve të mëdhenj, Emerson, Elit, Kamy, Borges etj. Alushi, jo vetëm që e pranon këtë si element i letërsisë cilësore por, për këtë panatyrshmëri” shtron pyetjen “pse të mos jetë libri absurd kur vetë njeriu dhe realiteti janë të  tillë?” Absurditeti është rregullatori  i bibliotekave moderne. Libri është dhe patologji e njeriut; ankth , iluzion dhe dështim, me plot ide të viktimizuara, por dhe akt besimi e, së fundi, është manifestimi më i bukur i njeriut utopik siç janë të gjithë krijuesit e vërtetë.
*  *  *
Qëllon që, jo njëherë, është kontradiktor dhe me vetveten, e spërdredh fjalën aq, sa të duhet të kesh tri duar për të kapur veshin në rrugën më të shkurtër. Ndonjëherë shpërbën dhe me vetë boshtin që ka zgjedhur, utopinë.  “Qenia është një njollë iluzionesh e tharë në ankthin e dritës së pacipë”...ose “njeriu është meritë e kotësisë utopike...kështu, kostoja tejkalon vetveten...”; përgjithësisht shumë konçiz, vë rë se diagnozat e tij për autorë dhe libra, nuk të lënë hapësirë të shpjegohesh. Parimi i tij: Vetëm shkrimtarët e dobët shpjegohen...Dilema, pyetje, sentenca, fjala në zgrip. Jemi në trojet e fantazisë, të krijimtarisë artistike, ku kotësia utopike tjetërsohet në rendiment. Duke  qenë në akord me autorin, dua  t’i them lexuesit se kur utopia absurde fokusohet në simbole të fuqishëm, këta simbole bëhen më realë se realiteti. Dija njerëzore na ka treguar se fantazia me të pavërtetat e saj ka lindur heronjtë më të mëdhenj të njerëzimit. Heronjtë simbol. Përcaktues deri përtej kufijve të dijes. Hedhur në letër si simbole por që kanë rezultuar përcaktues të fatit të njerëzimit. Si Prometheu. I pavërteti, por më i vërteti dhe më realisti, ai rebeli mitik që e pagoi civilizimin njerëzor me ndëshkim të përjetshëm. E pastaj Odisea, dinaku më simpatik i letërsisë moderne, e pastaj, Orfeu me Narcisin, për të cilët çdo lexues ka interpretimet e veta. Këtu do perifrazoja Herbert Marcuze-n që , jo vetëm përgjigjet për simbolikën e tyre , por në një vështrim krejt origjinal, na merr prej krahu dhe na tregon se Prometheu është hero lindor e kozmik, dhunues dhe ndëshkues, i pabesë ndaj Zotit dhe trim; ndërsa Orfeu dhe Narcisi, nuk diktojnë, nuk komandojnë, nuk dhunojnë, por këndojnë, gëzojnë, ata kanë të bëjnë me të bukurën dhe talentin çudibërës. Ata mishërojnë psikologjinë e qytetërimit perëndimor. (Mos harro se dhe këta janë produkt lindor). Perëndimi na i rrëmbeu se këta  janë heronj “jep e merr”, që dëshirojnë të bashkohen me paqen, me Zotin, kundër dhunës, kundër psikologjisë lindore bizantine, fondamentaliste, marksiste e komuniste që, siç  dëshmon koha, përfundojnë si pavlerë njerëzore.
Unë shoh se Alushi i ka ngritur antenat nga heronjtë simbolikë të paqes; jo vetëm kundër çdo lloj dhune, e parimi imponues në fushën e krijimtarisë, por edhe asaj tradite socrealiste me parime imponuese jashtë letrare, kundër mediokritetit, uniformitetit në fushën e kritikës që dhe “ndryshimet i kanë të barabarta”. Ai nuk urren as shkaktarët e vonesës së lindjes së tij, të vetmin shkelm e përdor kundër mediokërve të shumtë që na kanë mbytur kulturën shqiptare, padijes dhe skematizmit; Alush Avduli, me shpërfillje intelektuale, ka hequr dorë përfundimisht nga kadollët, ishët dhe jamët, bejlerë  të letërsisë totalitare të RS; ai  përjashtohet nga armata e qindra shkruesve për qindra pseudoshkrimtarëve e pseudopoetëve, që pas “festës utopike të një zijafeti plot maska”, bëhen të gjithë poetë ose harrohen e thahen si gjethet që i hedh vjeshta në rrugë. Jo vetëm kaq, por, “Jeta mes llojit, thotë eseisti, është ferri im.”
Alushi është i ndërgjegjshëm se, përvojat krijuese, jo vetëm tek ne, na mësojnë se ky ferr brenda llojit është i vështirë të kalohet pa i përshkuar më këmbë të gjithë rrathët.
Tiranë, 27. 01. 2014 - (Refleksione rreth “MISCELLANEA 4” të Moikom Zeqos) - Librat e rrallë poetikë më tjetërsojnë. Këtë përjetova, duke lëçitur “Miscellanea 4” të demiurgut Moikom Zeqo. I tejngopur... Tanimë ndjehem e sëmura Pierre Janet. Thua, këndej e tutje s’kam për të lexuar asnjë libër. Librat që lexohen shumë në të sotmen, bëhen pis. Ata elitarë presin “ndotjet” e ardhshme. Kanë fatin e ngathët të “long-sellerëve”... “Le të m’i lexojnë dorëshkrimet sytë e pelikanëve...”. Vlerësimet janë engjëj të këqij, kur vendosen në kohë të caktuar. Hierarkive të llogaritura e nesërmja u nxjerr gjuhën. Pemë të munguara, a mund të radhiten? Ç’thonë antologët? Mos gabojnë në shtesat e elementëve? Lejajani tabelën e Mendelejevit, Të shkruarit është shpesh një banket mbretëror, ë kthehetnë një komplot republikanësh”.

Kur jemi të bashkuar, asnjë nuk ecën. Po të jemi të gjithë në një mendje, jemi të ndryshëm. Eh, kjo koha jonë, lesh arapi në tullën e qerosit..! Vdesin superlativat nga torturat e përdorimit. Numërohen edhe radikalizmat “vyrtitet” e tejkaluara të jezuitëve.
“Janë të virgjër me të sotmen dhe shkërdhejnë të shkuarën”.

Ose do të vijoja përmbys: janë të virgjër me të shkuarën, kurvërojnë me të sotmen. Edhe të drejtë ka Ferdinat Peso kur thotë se: pas tiranëve më shumë urrej martirët.

“E tashmja përtyp të ardhmen, bajga e së kaluarës plehëron imagjinatën”.

Kompanitë e bretkosave lëpijnë kuakjet e të tjerëve, që nuk do të jenë më. Emërtesa delirante të qorrollisura nga lakimet e epërme.

“Numizmati i thinjur kërruset mbi lupë.

Këto monedha, prej floriri janë apo prej kohe?”

Vështrime që kacaviren në suaza hapësirash. Sa shumë harbutëri origjinale. Toponime të çvoshkura. S’jemi gjë tjetër, veçse informacione konfuze. Shuma e vlerësuar nga të pavlerët dhe anasjelltas. Artin fisnik e qëmtojmë si në kashtë thërrmijat e arit. Është kjo mbetje e denjë që përballohet me të përbotshmen minoritare... po sa shumë “të lavdishëm” nëpërkëmbin!
E në qoftë se... Dafina do të pësojë fatin e maskuar të dinosaurve.

“Vdekja veç falas/ na ofron/ kostume pluhuri”.

Në kohën e tyre... Kush ka një kokërr guri në kurriz, sikur ndihet një Sizif në miniaturë, të ishin milingona, do të ishin të besueshëm.

Nuk jam unë, ata që duhet të flasin. por e nxita kurajën për të thënë se poezia e Moikom Zeqos, duke qenë tejet vlerë, e pamundur të vlerësohet. Poezi si një pyetje që nuk mund të shtrohet...

“Kështu ata që s’janë, shohin që larg spektaklin e roleve të vetvetes në të tjerë...”.

Ja, “Miskellanea 4” . Fjalët tradhtojnë mendimet dhe ndodh si një akt pabesie, poezia e shkruar... Tjetra nuk ekziston akoma. Është heshtja jashtë poetit. E shtrirë, mjegullnajë e rrëmujës së përpiktë... Vertikale, shtjellë spiritualiste. Si asgjë, absolutja e thyer.

“Poezi si dalje origjinale e utopisë nga bota, jo në një utopi tjetër, por brenda në thellësi, në papraninë e kulluar. E bukura nuk zhduket, por ngjet zhvendosja e saj, spostimi, përzierja...” (Zh. Derrida).

Moikom Zeqo është hapje e hershme e unit poetik.

“Dhe kur vdes

te një kohë,

s’vdes dot tek kohët e tjera”.

Që në zanafillë krijuesi dashuronte kukafshehjen e kuptimeve, mbase për të dëgjuar nesër hapjen e portave.

“E nëse s’më kuptoni, heshtni!”

Respektoj njerëzit tek poeti dhe të tjerët në shumësi pamjesh. Tek autori në fjalë janë: vetja jonë, vetët tona e ato që nuk lindën e do të jenë.

Thua, brenda një poeti përfshirë gjithë universi?! Deviza e M. Zeqos: O të gjithën, o asgjenë.” Edhe të pagjeturat...

Është pritja e përfytyrueshme në lirinë pa brigje të mistereve. Paraqitja e poetit Zeqo është si e detit, e pashpjegueshme.Lartësi thellësie e pashterueshme në qiej të përmbysura. E prekshme në gjerësi, gjatësi infinite. Kufijtë e dukshëm edhe kur shfaqen janë të ravijëzuara me shkumës shkume. Prustiane ngërthen çastet e pakapshme të së shkuarës. Nxiton të shkruhet për të ardhmen e paqëllimshme. Nuk shënon majat, është e mbërritshme. Ajo që ngjitet përkulet. Këtu kufizohet ndarja. Mungesë dhe këtu. Gjithçka krejt ndryshe në shimbanin poetik të M. Zeqos.

Uji djeg, drita përmbyt, zjarri lulëzon. Është mbytja e adhuruar në thellësi, që nuk ulërin ndihmën. Fantazia që çliron nga robëria e logjikës. ”Hordhi”erudicionesh që pushtojnë atlase poetike. Energji të pamatura krijuese. Përkthime vegullimesh. Telepati metaforash. Gnostike. Ikën në të gjitha drejtimet për të shkuar... Ku?!... Hipnotike. Tek e gjitha vajti-erdhi. Huliçinacione leksikore. Poezi tronditëse sa tërmete që nuk të vrasin.

Është Titaniku i kujtesës, që u shmanget realiteteve ajzberge.

I pakrahasueshëm me të tjerë.

Mund të jetë i shoqërueshëm por me distancë me Parid Teferiç, Stefan Martiko, Luljeta Leshanaku, Ervin Hatibi, Romeo Çollaku apo Majlinda Bashllari... Janë pëlqimet e mia të varura tek dyshimet e zodiakëve etnike.

“Tani atë që e sheh syri im i majtë, nuk e sheh syri im i djathtë”

“Hëna u fsheh, humbi si imami i 12 i shiitëve...”.

Tejet mjeshtër i teknikave poetike, Moikomi shkon më tej. Se “në fushën e poezisë nuk ka mundësi për me kombësi.”

“Miskellanea 4” . Postmoderne dhe as imituese e shkollave të ezauruara poetike. Metagjuhë e konstruksioneve. Fjala në jetën e saj mondane.

... “Ja Malarme, që e shpalli muzikën e Vagnerit”. Le crime menacante de l’absolu – krim kërcënues të absurdes...

... Ja dora ime e balsamosur, që është degë e ngjitur tek Rrapi i Libohovës...

... Ja Kashta e Kumtrit, që tani është interneti i Zotit...

... Ja rruga - kush niset? Kush flijohet? Kush emrin e braktis? Kush fantazmën e vet e quan libër?...

... Ja veshi im i majtë tek gjoksi i Mona Lizës, si një konceptim surealist a si një stetoskopi i një doktori...

... Ja Ajkuna me sisët e mëdha të hedhura pas shpine, ja Edmond Jabe që shkroi “kopetë e vrimave kullosin muret”...

Poeti Zeqo është kardinali i parë i një liturgjie të re ose kardinali i fundit i një liturgjie të harruar. Ka diçka të habitshme, Hajdegeriane, në poezinë e tij: mendimet nuk të lejojnë t’i prekësh, pa qenë të mbështjella me koracën e tyre verbale. Kjo nuk është një mbrojtje filozofike, është një mbrojtje poetike...

Cilësia sipërore e poezisë, që të jetë ashtu siç nuk është dhe të mos mund të jetë ndryshe. E pa provokueshme në shqyrtime... Sinqeritete të errëta, të kamufluara... Ka të drejtë Joan Coste kur thotë se deshifrimi i poezisë është dhe drama e saj. Edmund Husserl: Sot shkenca, filozofia, arti në një farë mënyre e hapin mundësinë e një jo bote, të një jo kuptimi.

Ajo që na mungonte, na përdorte. Moikom Zeqo është e mrekullueshme të gjendesh nën kërcënimin e një moskuptimi.

Po vargjet e tua si fëmijë të racionalizmit qetësojnë metafizikën e tyre.

Demiurgu shkon në drejtim tjetër. Është letërsia mediokre, që ekspozohet në supermarkete. Por le të shpresojmë duke ëndërruar.

Edhe “gjumi është një supermarket, ku njerëzit shkojnë dhe blejnë ëndrra”.

Vazhdimisht poetët e talentuar si M. Zeqo, rizbulojnë vetveten për efekte përplasje.

“Miskellanea 4”. “Uni më i ri, i përzgjedhur, i projektuar jashtë vetes, i përzierë me të tjerat që vijnë... Paraqitja mashtruese e kohës, gënjeshtër madhore Bergesiane. Poezia është pranë hyjnores.

Po gjuha e zotit akoma nuk flitet. Janë fjalët biblike, mosekzistenca të krijuara nga mosvetja. Nënvetet janë dhurata të trashedencës. Po në sajesat origjinale të krijuesit M. Zeqo, qenia dhe koha të stisura njëra mbi tjetrën, duke iu hapur njëra tjetrës.

Duke shkruar vazhdimisht, poeti merr përsipër asgjësimin e tij si qenie për vdekjen, do jetë i shpëtuari i saj. Kështu, i shkëputur nga pleksjet e mungëta të përfitimeve, nuk zotëron të përditshmet me vanitetet e saj të zbehta...

Është meritë në kohë të drejtuar të jesh emetoja e saj.

Përse ka diçka dhe nuk ka asgjë!?....

Është kjo çudia supreme në krijimet e Moikomit.

Po sa larg miniorëve provincialë emigrojnë poetët e vërtetë? Di vetëm se poezia dinjitoze është mbetje e begatë në mospëlqimet e bashkëkohësisë...

Hipertensionet e letërsisë sikur “i analizojnë” Vipat e saj. Janë dhe moralet që kufizojnë liritë e pamata shqisore. Kuptimet ndriçohen nga muzgjet...

Është terri gjelbër i xhunglës moikomiane, me llambat floreshente tek rrënjët.

No comments: