PËRSËRI
GRIMCA IMPRESIONESH PËR RIBOTIMIN
E LIBRIT “KANUNI I
PËRKITUR” DHE PËR SHKRIMIN DREJT E PASTËR TË GJUHËS SHQIPE...
Vëzhgim letrar
Pjetër Cara
Në
mirëkuptim me autorin e librit dhe me cilindo shkrues tjetër, e drejta dhe detyra e krijuesit më japin mundësinë të
shprehë përsëri disa grimca impresionesh për ribotimin e këtij libri të
mirëpritur dhe për dy artikuj të shkruar e botuar nga një krijues amator në
gazetën “Bulevard”, e cila vazhdimisht është paraqitur mjaft serioze e
militante revolucionare dhe e paanshme për pasqyrimin e zhvillimit të qarkut e për
shtetin ligjor dhe me përvojë profesionale në fushën e gazetarisë pluraliste,
për të cilën do të flasë paksa më gjatë në vijim të radhëve të këtij vëzhgimi
letrar. Përsa i takon ribotimit të librit në fjalë, puna profesionale dhe
përgjegjësia intelektuale për ribotimin e këtij libri janë mjaft të dukshme e
jo pak të lavdërueshme, duke e pasuruar dhe korigjuar me ato që ia kanë rritur
vlerat e gjithanshme historiko-letrare. Erudicioni i gjërë historik dhe
etnokulturor, dendësia dhe thellësia e mendimit shkencor, pasioni e këmbëngulja
për të zbuluar sa më shumë të reja shkencore, stili konciz e pesha e fakteve të
mbledhura dhe dashuria e sinqeriteti për të mos reshtur së shkruari me shumë
zell për këdo e për çdo trevë pa asnjë paragjykim, si dhe hapja e dritareve të
përparësive të mundshme hulumtuese, janë disa nga karakteristikat e vlerave të
këtij libri dhe të krejt punës krijuese të autorit Fatmir Minguli, për të cilat
kam shkruar një vëzhgim shkencor letrar jo pak të gjatë që kur u botua së pari
herë kjo vepër me dinjitet krijues.
Me
gjithë këto anë të mira, duke marrë marrë shkas nga një artikull i shkruesit
V.M., ende ndjehet nevoja e një kujdesi të vazhdueshëm për rritjen e nivelit profesional
gjuhësor në disa drejtime që po i theksoj në vijim të këtij ligjërimi. Së pari,
ky kujdes lidhet me zbatimin e normave të njësimit dhe të drejtshkrimit gjatë
paraqitjes shkrimore të lëndës letrare në mënyrë grafike, duke përdorur me vend
shenjat e pikësimit sipas kuptimit logjik të shprehjes së ligjërimit historik
ose letrar dhe në mënyrë të veçantë sipas rregullave që përcakton shkenca e
fonetikës dhe e morfologjisë së gjuhës shqipe. Bie fjala, presja përdoret për
dallimin e pjesëve të ligjëratës që janë të një fare ose të fjalive jo të gjata
bashkërenditëse e nënrenditëse. Por jo kur mund e duhet të përdorim fare mirë
lidhëzat bashkë e nënrenditëse “e, dhe, edhe” ose “që”, e cila ka edhe raste që
zëvendësohet me përemrat “i cili, e cila, të cilët, të cilat”. Presja përdoret
vetëm para këtyre përemrave, por nuk mund të përdoret para nyjeve të përparme,
as para lidhëzës “që”, veç kur ajo është në krye të një fjalie dhe shërben për
ta lidhur atë me fjalitë para ose pas renditëse. Gjithashtu ajo nuk mund të
përdoret para parafjalëve “me” e “mbi”, vetëm para lidhëzës “por” e ndonjë
tjere dhe as para disa ndajfoljeve që shërbejnë për lidhjen e kuptimit të
fjalëve në fjali dhe të fjalive të shkurtëra në një periudhë tekstore sipas
shprehjes së ligjërimit letrar, vetëm kur ato shkruhen si pjesë ligjerate ose
fjali të një fare. Presja përdoret para nyjeve vetëm kur bien rasti të shprehim
pjesë të një fare që e kërkojnë nyjen patjetër, por me vënien e presjes nuk do
të thotë që mos ta shkruajmë nyjen para çdo pjese që vjen pas. Njëkohesisht ka
raste që gjatë shkrimit një fjalë mbaron me mbaresën “së”. Atëherë nyja “të” që
vjen pas saj duhet zëvendësuar me pjeszën “së” (për shembull: qeverisë së
Shqipërisë). Ndërsa shprehja ndajfoljore “tek” përdoret në formën grafike “te”
kur fjala që vjen pas saj fillon me bashkëtingëllore (për shembull: hyri te
shtëpia, u ngjit lart te mali). Por kur fjala pas saj fillon me zanore, fjala
“tek” përdoret në këtë formë të zakonshme grafike gjatë shkrimit (për shembull:
tek ura u ndez flakë një makinë, ai u ngjit tek oxhaku me shpejtësi). Po kështu
ka mangësi në shkrimin e apostrofit, i cili përdoret për të zëvendësuar një
zanore të pazëshme kur puqen dy të tilla ose te trajtat e shkurtëra të përemrit
(të përbërat) që duam t’i zëvendësojmë gjatë shkrimit (për shembull: dielli ra
mbi ‘to, dua t’u flas, nisa t’i them, luftonte pa pushim t’ua merrte krahët
forcave armike, shkoi t’ia thoshte sa më shpejt, m’i dha të gjitha sa ishin,
m’u desh të shkoja m’e parë që atë ditë e të tjera raste, por nuk përdoret te
trajtat e thjeshta (ma, ta, na). Kemi folur edhe herë të tjera se kur duhet të
shkruajmë me shkronjë të madhe. Theksoj se pas pikës, pikëpyetjes e
pikëçuditëses fillojmë të shkruajmë me shkronjë të madhe. Të gjithë emrat e
përveçëm ose ata (ato) që përdoren me atributin e emrit të përveçëm shkruhen me
shkronjë të madhe. Po ashtu çdo pjesë e ligjëratës që shërben si kryefjalë pas
pikës, pikëpyetjes e pikëçuditëses. Titujt e librave, të gazetave e revistave
dhe emrat e rrugëve apo të institucioneve shtetërore e të kultit shkruhen me
shkronjë të madhe. Për shembull: Për është parafjalë, I-ja është
nyje e përparme, libri “Kanuni i përkitur”, gazeta “Bulevard”, revista “Poezia
plus”, rruga “Aleksandër Goga, ministria e Kulturës, ministria e Brendshme, e
Mbrojtjes, gjykata Kushtetuese, Vatikani, Papati, Kisha Katolike (Ortodokse),
Ipeshkëvi, Kryegjyshi, Hafizi, Peshkopi e tjera. Por jo fjalët “veriu, jugu, kanuni, fakulteti,
dekanati, mesjeta,” e tjera që përdoren në brendësi të fjalisë ose të periudhës
prozaike.
Së dyti,
kujdesi duhet rritur lidhur për ndërtimin e strukturës sintaktike të fjalisë ose
të periudhës prozaike, duke mosfutur midis presjeve fjali ndërmjetëse të
tepërta që nuk lidhen me kuptimin e fjalive kryesore para e pas renditëse në
një ligjëratë të gjatë, sa të merret fryma gjatë leximit. Vetëm atëherë
shkruesi kujtohet të vërë një pikë. Mungesa e aftësive profesionale krijon
lodhje të panevojshme, zbeh kuptimin e ligjëratës dhe krijon një monotoni
bezdisëse me një lexim jo ekspresiv e të kuptueshëm, as të domosdoshëm dhe as
të këndshëm nga ana artistike. Kjo ndodh se nuk kuptohen e as nuk zbatohen
rregullat sintaktike të ndërtimit strukturor të fjalive dhe të periudhave në
një shkrim letrar. Këto të meta serioze vihen re në shkrimin e të përmendurit
më lart, i cili përsërit në mënyrë mekanike ato që thotë autori me fjali
ndërmjetëse pa lidhje e me kuptim të tjetërsuar që ia ulin vlerat artistike
shkrimit në prozë. Një mangësi jo më pak serioze është mosnjohja dhe
keqpërdorimi gjatë shkrimit të trajtës e mënyrës, të kohës e numrit të foljeve
dhe të numrit e gjinisë, të trajtës e rasës së emrit dhe të mbiemrit që nuk
përshtaten e harmonizohen nga ana fonetike e morfologjike prej të cilave
shkrimi nuk del me kuptimin e domosdoshëm, duke mospasqyruar vlerat gjuhësore
dhe artistike të prozës letrare.
Së
treti, kujdesi duhet të rrisë vigjilencën e shkruesit për mospërdorimin e
fjalëve të huaja në përmbajtjen e tekstit letrar, ku shpesh herë pakujdesia,
mungesa e vëmendjes profesionale dhe mania mburravece për t’u paraqitur sa nuk
je në të vërtetë, kanë lejuar të hyjnë në kontekste të veçanta me ose padashje
jo pak barbarizma të panevojshme, të cilat ende nuk e kanë marrë “pasaportën”
gjuhësore shqiptare. Edhe ky ribotim nuk ka shpëtuar nga një mangësi e tillë,
por jo nga Fatmir Minguli që është për t’u përshëndetur e lavdëruar, se është
mjaft korrekt dhe i vëmendshëm për zbatimin e normave shkencore gjuhësore dhe
ato të drejtshkrimit në krijimtarinë e tij letrare, ndonëse vjen nga fusha e
shkencave mekanike. Veçanrisht bie në sy shkrimi në fjalë që synonte të
shprehte vlerësimet e tij për këtë libër, por përdor me kuptim të kundërt disa
fjalë të huaja pa ua ditur kuptimin, si “emulsionin, unison, fondamentale, debitin,
voluntarist, kadencat” e ndonjë tjetër. Ndoshta ky shkrues nuk ka dashur të
luajë fare pakontroll me fjalën. Pasi qëllimi i tij i mirë duhet të ketë qenë
vlerësimi sa më i lartë i punës krijuese të autorit F.M. Le të njihemi me
kuptimin relativisht të vërtetë që u ka dhënë fjalori i gjuhës shqipe ose ai i
gjuhës italiane disa prej këtyre fjalëve me prejardhje nga e folura e
përditëshme dhe zyrtare e fqinjit tonë të përtej detit.
Konkretisht fjala
italiane “emulsion-i,e,et” përdoret për të shpjeguar dy procese kimike: njëri
proces që përzien dy solucione, ku njëra masë rrin e ndarë dhe më e dallueshme
nga tjetra. Për shembull hedhja e vajit në ujë, ku i pari qëndron në sipërfaqe
nga se elementët përbërës të tij e kanë më të vogël peshën specifike. Dhe
tjetëri proces për larjen (zhvillimin) e filmave, ku përzierja e një mase
xhelatinoze nën efektin e dritës jep imazhin e pamjes së fotografisë. Shkruesi
e ka përdorur këtë fjalë në kontekstin e shkrimit të tij në faqen 81, si më
poshtë: “...Unë si një vëzhgues pasionant i kësaj treve, nën emulsionin
e kësaj vetëdije, do të shprehë...” Do me thënë nga efekti i kësaj përzierje
kimike të masës së lëngët apo xhelatinoze, studiuesit i ka lindur iniciativa të
shprehë refleksionet e tij të ndara nga mendimet e autorit që t’ia ndriçojë
këto si imazhe fotografike. Po qe se ka mendime të kundërta me ato të autorit,
cilat janë dhe çfarë efekti rrezatojnë ato? Që autori të mësojë konkretësinë
dhe dobishmërinë e tyre, për të korigjuar mendimet ose pikëpamjet e tij të
shprehura në libër. Pastaj fjala italiane “debit-i, e, et”, sipas
fjalorit shqip përdoret për të treguar se “dikush i ka borxh dikujt, i
detyrohet diçka një personi a institucioni të caktuar”. Mirëpo ky shkrues në
faqen 82 e përdor këtë fjalë në kontekstin e radhës “...Këto esè, ushqyer me
referenca nga studiues të mirënjohur shqiptarë dhe europianë, rrisin debitin
e besueshmërisë në materialin studimorë.” E kundërta është e qartë. Esètë e
librit të F.M. e kanë zvogëluar në mënyrën më të mundshme borxhin e
besueshmërisë në materialin studimorë të këtij libri me vërtetësinë e shprehjes
së tyre që të kuptohet sa më mirë kanuni i Lekë Dukagjinit dhe normat zakonore
të malësive tona. Këtu qëndron kontributi i çmuar etnokulturor dhe
juridiko-letrar i vlerave të librit “Kanuni i përkitur”. Pasi libri ka hapur dritare
të reja për çdo krijues apo specialist të kësaj fushe, duke shpërblyer më së
miri studiuesit që fjala e tyre shkencore të ndriçojë më shumë këtë periudhë
mesjetare. Kurse fjala italiane “voluntare, voluntarist” në shqip do të
thotë “vullnetar, person që ka dëshirë të bëjë diçka vullnetarisht”. Mirëpo
shkruesi nuk përton ta shprehë ekzaltimin euforik me epitetin shabllonist në
kontekstin “...Ky libër, sa i thjeshtë dhe voluntarist në përmbajtje dhe në
ide, sot mban një lëvizje pa kufi demografike, ka një peshë...” Kuptimi shqip i
kësaj fjale të huaj nuk është e vështirë të deshifrohet që “...Ky libër, sa i
thjeshtë dhe vullnetar në përmbajtje dhe në ide, sot mban një lëvizje pa kufi
demografike, ka një peshë...” Me sa kuptohet shkruesi ka dashur të shprehë
vlerësimin e tij se ”Ky libër, sa i thjeshtë dhe aq shkencor në përmbajtje e në
ide trajton një lëvizje demografike pa kufi dhe ka një peshë...” Them se ky do
të ishte kuptimi i vlerësimit real që i afrohet relativitetit virtual të së
vërtetës. Pasi libri në fjalë nuk është një fletushkë që e shpërndajnë vullnetarisht
derë më derë. Vërtetë këtu spikatin vullneti këmbëngulës, vetëdija intelektuale
e organizuar në shkallën e duhur, përgjegjësia e veçantë profesionale dhe
niveli shkencor etnokulturor e historik i autorit, si krijues i zellshëm në
fushën e kritikës letrare, produkt i të cilit është ky libër i mbruajtur e
shkruar me shumë pasion, djersë e talent krijues. Po ashtu shkruesi ka përdorur
edhe fjalën italiane “kadencat” për ilustrimin e mendimeve që shpreh.
Sipas fjalorit tonë kjo fjalë është përkthyer me kohë në gjuhën shqipe me
kuptimin si një “kthesë në mbyllje të një fraze a periudhe muzikore, si pjesa e
koncertit që instrumentisti e luan pa orkestër (kadenca e tingujve), si ritëm
që përcaktohet nga mënyra e theksimit në vargjet e një poezie (kadenca e vargjeve)
dhe si përsëritja e zhurmave, e lëvizjeve ose e goditjeve që vijnë rregullisht
njëra pas tjetrës (kadenca e hapave). Pra fjala “kadencë” është kthesa
përmbyllëse fundore e një pune a veprimi, është ritmi i theksimit dhe
përsëritja e zhurmave të ndryshme. Ndërsa shkruesi e përdor në kontekstin
vijues “...Minguli monografon mbi prejardhjen e familjes Gjonmarkaj,...fakt i
cili i pahulumtuar gjer tani në kadencat e historiografisë princërore
shqiptare.” Besimi është i bindur që nuk bëhet fjalë për kadencë tingujsh e as
vargjesh dhe as për zhurma goditjesh. Por mundet që studiuesi ka dashur t’i
vërë në dukje historiografisë shqiptare e jo “princërore”, se ka mangësi në
studimin e kësaj dukurie historike për organizimin politik e shoqëror të jetës
në këto familje princërore dhe për kontributin atdhetar e vlerat e tyre ose për
kosuret që kanë ndaj shoqërisë shqiptare, detyrë të cilën përpiqet ta kryejë
mirë autori në menyrë indirekte dhe mjaft të kulturuar. Prandaj do të ishte
mirë të mos “fluturojmë nga Kina” me llafe boshe që nuk qëllojnë fare në temën
dhe në problematikën që trajton ky libër, pasi F.M. nuk “monografon”, do me
thënë nuk shkruan monografi për familjen Gjonmarkaj, veçse qëndis impresionet e
tij për “Kanunin e përkitur”. Kështu nuk mund t’ua dërgojmë lexuesve një
informacion apo mesazh të tillë të domosdoshëm, se si këto dyer dhe oxhaqe
shekullore humbën në ferrin e luftës së klasave të diktaturës moniste.
Së fundi, shkruesi
V.M. hedh në letër me lehtësi disa “shashka panegjeriste” për cilësime
hiperbolike dhe për gjëra që nuk i njeh fare, si bie fjala “bajraku i
Gjonmarkajve”, “prelatë” të këtij fisi na qenkan edhe i shquari dom
Nikoll Kaçorri me dy mësues të zakonshëm mirditor” ose në “laboratorin e trurit
të tij po konsolidohen përbashkësitë e kësaj treve” kur në fakt ato janë
ngulitur e forcuar në kujtesën e historisë vite e shekuj më parë, apo ndonjë
rast tjetër. E vërteta flet qartë se tre të përmendurit e më sipërm nuk lidhen
dhe s’kanë të bëjnë fare me pemën gjenealogjike të kësaj dere princërore.
Sqarojmë për të gjithë ata që nuk e dijnë, se fisi Gjonmarkaj quhet “oxhak” ose
“derë e parë” në bajrakun e Oroshit dhe se prelati i vërtetë katolik i
pavarësisë imzot Kaçorri nuk është mirditor, por nga Krejë-Lura e Dibrës.
Pastaj kur do të heqin dorë këta lloj shkruesish nga përdorja e manipulimi
klandestin monist dhe nga komercialiteti i fitimit primitiv kapitalist, duke
marrë privilegje, lëvdata dhe parà për të shkarravitur artikuj të porositur e
të paragjykuar që stimulojnë e glorifikojnë persona që nuk e meritojnë?! Sipas
fakteve historike familja e Dukagjinit u zhduk nga kronikat e kohës pas humbjes
së luftës me Anzhuinët dhe në skenën e organizimit shoqëror të Mirditës pas
pushtimit turk më 1495 doli familja e Gjonmarkajve. Do me thënë kjo dukuri
është e vjetër këtu e 521 vjeçare, sa koha historike e ka bërë punën e saj që
nuk është vërtetuar saktësisht se Gjonmarkajt rrjedhin nga Dukagjinët dhe as
freskia e “gjakut të kulluar”, sipas vlerësimit që jep ky shkrues, pavarësisht
se origjina nuk humbet kurrë. Meriton vëmendjen e studiuesve edhe ngulimi i
banorëve mirditas në fshatin Bizë të Ishmit të Durrësit, të cilët pretendojnë
se janë aty prej dyqind vjetësh. E dhëna tjetër dëshmon, se në Bizë kisha ka
qenë e hapur që në vitin 1510. Sepse dihet që famullitë Katolike ngriheshin ku
kishte besimtarë Katolik. Atëherë hulumtimet shkencore është mirë t’i afrohen
sa më shumë të vërtetës historike nëse janë banorë të ardhur nga Mirdita apo
nga ndonjë rrethinë tjetër. Po të vërtetohet përafërsisht sipas metodës
relative historike të kombinimit të metodologjisë me faktologjinë se ata janë
mirditas, patjetër duhet të kenë ardhur aty pas vdekjes së Skënderbeut e pas pushtimit
turk kur filloi hemoragjia e madhe e migrimit të shqiptarëve brenda e jashtë
vendit tonë, për të siguruar kokën dhe jetën e familjeve të tyre. Mbetet në
dorën e autorëve të kësaj fushe që të konkludojnë shkencërisht si duhen
trajtuar këto fakte shumë të rëndësishme historike. Kjo vepër shquhet për nivelin
e mirë të materialit informativ të zgjedhur me kujdes, ku shpalosen vlera të
mirëfillta etnokulturore dhe historiko-letrare jo vetëm të trevës së Mirditës,
por edhe më gjërë në shkallë kombëtare.
Në artikullin e dytë
të gazetës “Bulevard”“, “Ditarët poetikë në analizën e një shoqërie”, datë
17.05.2016, shkruesi V.M. i ka fryrë kacekët e panegjirizmit, duke e
anashkaluar limitin shkencor, normën letrare të njësuar dhe masën e filozofisë
estetike e gjuhësore. Para disa vjetësh kam shkruar gjatë për punën e këtij
krijuesi amator, për disa krijime në fushën e poezisë. Ani pse kishte mjaft
mangësi për mbrujtjen e tharmit të materies poetike sipas kërkesave shkencore
të letërsisë bashkëkohore dhe për derdhjen e këtij frymëzimi në një formë të
plotësuar me tërë elementët semantik që vlerat artistike të mos dilnin anemike
dhe të lara me hijen e imazheve natyraliste. Megjithatë shpresoja të
kuptoheshim, që ky t’i shtonte përpjekjet në maksimum me një punë këmbëngulëse
për rritjen e nivelit të tij profesional, duke djersirë si punëtor i letrave
për të na dhënë vlera të mirëqena artistike. Pasi nuk i mungon guximi, pasioni
e vullneti që vrojtimi i vëmendjes të kapë tema mjaft interesante me fabula të
qëlluara, të cilat duhet t’i mbrujnë e shtjellojnë me një nivel të lartë
estetik problematikat shqetësuese që u interesojnë objektivave, qëllimeve dhe nevojave
të shoqërisë sonë. Mirëpo niveli i ulët profesional, dyzimi i personalitetit
krijues dhe deliri i madhështisë se e ka tejkaluar cakun e cilësisë së më të
mirëve, ia shpërndanë dhe ia konsumuan energjitë krijuese me sprova krijimesh fillestare
në të gjitha zhanret e krijimtarisë letrare: edhe me tankat, edhe me hajkun, edhe
me poezinë natyraliste, edhe me fabulat rurale të tregimit, edhe me novelën
anemike, edhe me romanin me një tematikë të goditur, por me problematikë të
varfër. Apo vitet e fundit edhe me vëzhgimin letrar ose me reçensionet për
pikturën e skulpturën, pa i njohur kërkesat dhe kriteret që kërkojnë këto
zhanre jo pak të vështira për t’u lëvruar. Të sfilitesh me një hallakatje të
tillë të stërmunduar me lorja e trajta fjalësh të huazuara nga marifetet e
plagjiaturës delirante që mund të lexohen te literatura e bibliotekave dhe e
internetit në jo pak raste me peshën e flurimit euforik që noton në vorbullat e
erës, do të thotë të mos japësh një frut të shëndoshë me një nivel të lartë
artistik. Atëherë është e ditur, se do të paraqitesh para opinionit të
mirëfilltë letrar si ai që matet me hijen e mëngjesit, si ai që vuan nga
simptomat e euforisë së mediokritetit, pa e kthyer kokën pas nga ka ardhur dhe për
ku e për çfarë përsiatet të arrijë. Pse ndodhin mangësi e mospërputhje të tilla
kontradiktore në punën krijuese midis kërkesave të kritereve teorike
estetiko-artistike dhe aftësive e mundësive apo përpjekjeve të pamjaftueshme,
që ato të vihen në jetë sa më mirë profesionalisht në tipologjinë krijuese
letrare? Kjo ndodh, se nga çdo krijues kërkohet të edukohet me disa cilësi
themelore që të debutojë me sukses në gjini të ndryshme të artit të fjalës
artistike. Konkretisht cilido duhet të ketë talent për atë zhanër letrar, të
cilin e dëshiron më shumë me ndjenja pasionante. Duhet të ketë një nivel të
lartë profesional për asimilimin dhe shtjellimin e lëndës në zhanrin që
dashuron. Të ketë aftësi praktike që ndijimet, perceptimet dhe frymëzimet t’i
mbrujë me tharm dhe sharm estetik që krijime të tilla të reflektojnë vlera sa
më të pranueshme e sa më të pëlqyeshme artistike. Për t’i realizuar këto,
krijuesi duhet të zotërojë dhe aplikojë një stil të pasur semantik, për ta
zgjedhur fjalën e shprehjen artistike dhe për ta përdorur me vend e shkruar në
bazë të normave të njësimit e të drejtshkrimit të gjuhës letrare shqipe. Së
fundi ai duhet të luftojë pandërprerje për pastërtinë e figurës së tij morale
nga intrigat dhe deliret e mendjemadhësisë, nga xhelozia e sëmurë profesionale,
nga paragjykimet klienteliste nepotike, nga komercialiteti i pandershëm
kapitalist dhe nga dëshirat e shfrenuara për vlerësime, publikime dhe çmime të
pamerituara. Mbështetur në këto e cilësi të tjera morale e profesionale, po
përpiqem të jap ndonjë mendim sa më modest për analizën që dëshironte të
zhvillonte shkruesi i zellshëm me atë titull tepër pompoz, për veprën e një
poeti të talentuar, i cili e din më mirë se kushdo tjetër se ç’vend zë në
vlerësimin e opinionit letrar të qytetit tonë e më gjërë. Prandaj krijimtaria e
tij nuk ka fare nevojë për “tollumbace” panegjiriste, as për “lëvdata”
denigruese, as për “furçe” euforike dhe as për lajka klandestine kompromentuese
për poezinë e tij lirike me nivel të pëlqyeshëm ideoestetik. Nuk është aspak i
domosdoshëm dhe i lejueshëm injorimi e mosvlerësimi që shkruesi ynë u bën dy
vëllimeve poetike të lartpërmendura me këtë tymtajë panegjiriste, duke i
militarizuar me “furkëza goditjesh, me bomba e mortaja artilerie” të fantazisë
së tij të prekur nga ethet e një hiperbolizmi të skajshëm, besoj pa ndonjë
qëllim të keq, veçse për t’i thurë një aureolë miqësie kolegut poet. A thua veprat
e tij, kanë mundësi ta mbajnë kaq lart titullin “krijues i shquar” i këtij
vendi, siç thotë shkruesi në fjalë? Në vazhdim po përpiqemi t’i japim përgjigje
kuriozitetit të lexuesve.
Së pari, po filloj me tematikën e
problematikën që ngërthen përmbajtja poetike e vëllimit “Ditarët e mjegullës”
të krijuesit të talentuar A.B, pasi përmbajtjen e vëllimit “Kohë që s’dashuron”
shkruesi e ka etikuar me fjalorin e paditurisë “handikap artistik”, kuptimin e
të cilit do të përpiqem ta shpjegoj në vijim të këtij vëzhgimi letrar mjaft
miqësor. Fokusi i imagjinatës krijuese të poetit e ka nisur frymëzimin te
objektivat më thelbësore të jetës e të perspektivave të zhvillimit për rritjen
e mirëqenies së shoqërisë shqiptare. Konkretisht muza e tij e ngul frymëzimin
te patologjia e egërsisë dhe e mediokritetit të klasës politike me disa liderë
që vazhdojnë t’i bien çumanes së zamanit. Pastaj keqardhja e tij rend me
përulësi te gjendja jo e mirë ekonomike e një pjese jo të vogël të vegjëlisë
shqiptare, duke fshikulluar shfaqjet e skajshme të varfërisë që në disa raste i
kanë tejkaluar tablotë e mjerimit që përshkruante dikur Migjeni ynë i madh.
Pasi pasojat e një tranzicioni të tejzgjatur ende vegjetojnë në jetën tonë të
përditshme, duke penguar e ngadalësuar ritmet e zhvillimit. Rritja e dashurisë
për punën dhe përveshja e mëngëve për të përballuar sakrificat aktuale që të rritet
mirëqenia e të gjithëve, është shqetësim serioz për poetin. Muza nuk e
shpërndanë përgjegjësinë e saj, por e përqëndron edhe më shumë te shtimi i
vëmendjes për rritjen e kujdesit ndaj kushteve jetësore të shtresave në nevojë
apo që janë të pamundura nga ana shëndetësore për të përballuar vështirësitë e
përditshmërisë. Meqenëse ndjesitë poetike të ekuilibrit të autorit në fjalë
janë gjithnjë në lëvizje të pa parashikueshme, siç e pohon edhe vetë në strofat
e dy poezive, frymëzimi i tij fluturon te mangësitë e mbeturinat që vërehen në
ndërtimin e marrëdhënieve të ngrohta bashkëshortore, shoqërore e miqësore, si
çelësi i unitetit të një shoqërie sa më të shëndetshme. Ruajtja dhe zhvillimi i
traditave më të mira është meraku i muzës poetike. Sinqeriteti poetik nuk e
fsheh se ka patur edhe ndonjë rast të dyzimit të personalitetit të krijuesit me
një anësi rastësore pesimiste ose me shaka të tepruara liberale për jetën
sensuale. Përjetësimi, evokimi dhe vlerësimi i figurave të shquara të historisë
sonë, mbetet qëllimi më i dëshiruar i aktivitetit krijues. Pavarësisht se ndodh
që ndjenjat poetike në momente të veçanta i zeheros ndonjë rast i urrejtjes
nacionale ose moszbatimi i lirive e i të drejtave të vegjëlisë, të cilat e shqetësojnë
shpirtin e autorit. Analizën e pasurisë semantike të stilit e leksikut gjuhësor
në krijimet e këtij vëllimi, inisiativa e vëzhguesit sipas mënyrës së tij nuk
ka mundur ta thellojë kënaqshëm sipas normave letrare dhe ligjësive gjuhësore, për
ato që na dhuron frymëzimi i pasionuar pas poezisë, i cili është e domosdoshme
të lodhet ende më shumë që të djersitet në punën për rritjen e nivelit
profesional, sidomos atë gjuhësor. Dhe së fundi, vizioni i ri i mendimit poetik
nuk harron ta orientojë muzën e tij të shkathët edhe te ngazëllimi i ndjesive
njerëzore që përhapet si valë gëzimi te shpirti i shqiptarit për ardhjen,
dobitë dhe përparësitë e integrimit të emigrantëve tanë nëpër botë.
Puna e palodhur e
autorit këtë tematikë e ka mbledhur me kujdes në mënyrë të pandërprerë dhe
pastaj e ka situr mirë në laboratorin e tij krijues, duke e mbrujtur e ngjizur
lëndën letrare me një semantikë mjaft të pasur dhe stil të shkathët dinamik, si
një dhuratë estetike për t’ua falur lexuesve. Aty mbizotërojnë funksionalisht
në përgjithësi mendimi metaforik, ai krahasues i cilësive virtuale, simbolizimi
i ndonjë çasti apo përparësie koherente ose rrallë herë edhe ndonjë figurë
tjetër estetike. Por jo pak e tepron me përdorimin alergjik të hiperbolës me një
skajshmëri infinitive jo me vend e larg besueshmërisë së parametrave të masës së
logjikës virtuale, sidomos te poezitë sensuale erotike:”/Nuk ishte vetëm krisja
e gotës/ kur ra pa frymë mbi sofrabez,/ Por psherëtima e gjithë botës/ që
rrotullimin preu në mes./”(Vajzë e fyer).../M’u
bënë dhjetë kafe që kam pirë,/ Deri në darkë do pi dhe dhjetë./ Të rri me ty
është e vështirë,/ Të ik nga ty është vdekja vetë.!/ (Vdekja e dashurisë).../Të
nesërmen ende pa u gdhirë/ unë kisha vdekur pa e kuptuar./ Më erdhën pranë veç
miqt’ e mirë/ bashkë me pak natë që kish tepruar./ Dhe asnjëri s’u habit:/ Më
kish vrarë malli yt!”/ (Ditën që u ndava
nga ty). Siç duket nga ky stil është ndikuar edhe metoda hipnotizuese e
shkruesit të pa përtuar. Sa ia ka ngritur “grykën artilerisë” së rëndë të
deklamacionit që shpesh herë të shungullon me një të qeshur jo realiste dhe jo të
nevojshme, lëndë e përshtashme për humorin brilant të artistëve e regjizorve
tanë të talentuar, të cilët i gjuajnë me kënaqësi përhumbje të tilla.
Konkretisht si i zbërthen dhe si i
materializon poetikisht autori këto tema të qëmtuara me shumë zell në hapësirën
kohore të realitetit tonë të përditshëm? Me vargun e thekur poetik
stigmatizohet gjendja e rëndë e krijuar ndoshta pavetëdije nga rrethana objektive
apo të shpikura ose nga mediokriteti i liderëve dhe i partive politike me
debate të tensionuara tepër hakmarrëse, me konfrontime tipike të luftës së
klasave të monizmit, me akuza e shpifje të pazakonta, me keqqeverisje e
korrupsion të paparë prej krahëve të pluralizmit, me mungesë kulture komunikimi
të rënduar nga keqsjellja dhe nga banalitete të paprecedent. Dhe frushullimi i
vargut e zvetnon ashpër ekzistencën e qëndrimit të tyre në zverk të popullit:”/Në
udhëkryq dhe zgrip përgjithmon’,/ Pak diell kërkojmë me sy të trishtë./
Rrëzojmë një djall, ngemë një demon,/ Partishmërisht, partishmërisht!/.../Sa
herë ju shoh më kaplon zemërimi/ dhe vetes me zor i bëj ballë./ Çdo kohë e ka
pasur një Jago mashtrimi,/ Por Jago të tillë rrallë, shumë rrallë!.../Tani
lajmet e mbrëmjes s’i ndjek aspak,/ se nuk dua me veten të vuaj./ Diejt’ e
shuar po shkoj t’i ndez flakë,/ ta bëj shkrumb e hi farën tuaj!/ (Rebelimi).../Edhe sot një padi, thash,
ta çoj në gjykatë,/ Po rojet më ndalën në derë.../ Do ta vras një ditë këtë
mëngjes të bastardë/ që nuk di të ndryshojë asnjë herë!”/ (Edhe sot).../Çdo ditë ata diçka na zhvatin,/ Ne prapë gojëkyçur pa
guxim./ Një jetë të tërë kërrusur shtatin/ dhe s’e pranojmë që është
mallkim.../” (Mallkimi).
Lirikat e tija
politike fshikullojnë shfaqjet e varfërisë së skajshme të një shtrese jo të
vogël të popullsisë në nevojë. Vargjet militante ngrejnë një aktakuzë therëse
kundër mjerimit, mashtrimit e korrupsionit që mjaullijnë në vatrat e tyre, si
plagë të pabarazisë e të makutërisë së pangopur. Por edhe kundër rasteve të
paligjshmërisë së disa zyrtarëve gjatë zbatimit të politikave sociale pa
efektivitetin e domosdoshëm. Dhe muza nis e këndon me dhimbje:“/Pranë çdo
tryeze pastaj ndal,/ Mundohet ta flakë drojën./ Çdo fjal’ e tij s’është vetëm
fjalë,/ Por kocka që thërmohen.”/ (Një lypës
në kafene).../Sa herë më dilte përballë,/ Një gjë s’e harroj dot./ Poshtë
kapës nën qepallë/ Gjithmonë i rridhte një lot.”/ (Pashakua e Cërrikut).../Kam parë dje një burrë të dehur,/ Diçka si
hije dhe njeri./ Qyteti ngjante nëpër mjegull/ më keq i dehur nga ai./ (I
dehuri).../Pak fat në terr kërkojnë me duar,/ Ata me jetën veç flirtojnë.../
S’ua shihni syt’ e zgurdulluar?/ Dhe varret që nga pas u shkojnë...?”/ (Baladë për rrëmuesit e kazanëve). Për
frymëzimin poetik është e qartë, se tranzicioni i ngadalshëm i ka penguar
ritmet e zhvillimit, si rezultat i mungesës së kujdesit të vazhdueshëm dhe i
përgjegjësisë së çdo administrate apo qeverisje pluraliste për parësinë dhe
kryerjen e investimeve me një vigjilencë e kontroll të rrebtë financiar. Ja se
si mediton muza e autorit me nervin e saj poetik:”/Gjer këtu e kisha emrin
mall,/ Tani e kam emrin trishtim.../ Ky vend më ngjanë si një gërdall’,/ I sapo
dalë nga një lëngim.”/ (Rikthim në
qytetin “S”).../ Një lypës hyn në kafene,/ si arkivol me hapa./ Akrepi i
orës bjen përdhe/ dhe shkon një orë mbrapa...!”/ (Një lypës në kafene).../Çdo
javë ne ndërrojmë dyzet’ kollare,/ Azil kërkojmë familjarisht./ Atdheun e shajmë
dhe s’pyesim fare/ Triumfalisht, triumfalisht!/ (Na duhet një Krisht).../Hepuar kolltuqet, ku ata vënë mollaqet./
Një djall veç e di si nuk rrëzohen!/ Rënduar nga vera, hiletë dhe gjaqet/ dhe
kaq ligësi që nuk tregohen...”/ (Në
lokalin e mafiozëve).
Rritja e
dashurisë për punën dhe përveshja e mëngëve për të ndërtuar të ardhmen është
një shqetësim i vazhdueshëm për këtë krijues që lëviz gjithnjë në kërkim të
fabulës më problematike. Prandaj nuk harron t’i kujtojë cilitdo se “/E hëna
vjen si pa kuptuar,/ Mbrapa të dielës domosdo./ Unë asnjë ditë s’kam
dashuruar,/ Po kësaj nuk mundem t’i them jo./../ Një pentagram që del prej
valësh/ zgjon këngët notë pas note./ Prej ere janë gjashtë ditët e javës,/ e
Hëna fillim bote.../ (E dashura ime është
e Hëna). Kjo ndodh te ne, se ende vazhdon të rishfaqet fenomeni i hemoragjisë
së kombit, i cili në vitet ’90-ë dhe 97-ë e molisi jo vetëm zemrën e populliit,
por e boshatisi mbarë vendin me shterrimin e vlagës së rilindjes e të
përtëritjes së kombit. E zemra e poetit nuk mund të rrijë gojëkyçur që t’u
kthehemi punës dhe aktiviteteve dobiprurëse, se mund t’i ndodhë cilitdo që ta
kapëlojë për një çast hija e dëshpërimit, ashtu si poetin:”/ I gjendur keq në
udhëkryqe,/ Pa orientim dhe semaforë./ Unë veten time hedh në gjyqe,/ Ndonëse e
di që s’jam fajtorë./ (Fobi). Ndonëse
aktualisht sot gëzimi i refugjatëve përqafohet me mallin e të afërmëve dhe me
dashurinë e vendlindjes, si rezultat i integrimit të tyre të vazhdueshëm.
Prandaj muza entuziazmohet dhe këndon me ëmbëlsi:”/ Po vijnë emigrantët nga
toka e deti/ me thirrje dhe tinguj borish.../ Tani pak më herët po zgjohet
qyteti,/ Të flejë shumë më vonë sigurisht./.../ Po vijnë emigrantët me traget,
autobusë./ Kufirin e huaj e lanë tutje.../ Qyteti drejt tyre n’heshtje zgjat
buzët/ t’u japë gjithsecilit një puthje/ (Kthimi
i emigrantëve në Durrës).../Po të njëjtat rreze/ mbi shtrat dhe qilim./ A
nuk kemi thënë,/ është koha për ndryshim?/ (Mesazhi
i vonuar i hënës).
Shtimi i prioriteteve
e rritja e përgjegjësisë për zbatimin e lirive e të drejtave njerëzore dhe për përmirësimin
e kushteve shëndetësore e materiale të të gjithë shoqërisë shqiptare, por
veçanërisht të fëmijëve e të rinjve, të personave të moshuar ose të pamundur të
përballojnë vështirësitë e jetës nga varfëria ose nga mungesa e përkujdesjeve
me politika sociale, nga sëmundjet dhe paftësia, nga gjymtimi e të tjera
mangësi jetësore ose fiziologjike, janë disa probleme që shqetësojnë
vazhdimisht këtë poet të “pjekur” nga hallet e përditshmërisë. Prandaj pena
poetike skicon tablo interesante për jetën e këtyre kategorive:“/ Ngjasojn’ kaq
shum’ me njëri-tjetrin,/ Aq shumë sa nuk dallohen./ Siç ngjajn’ mbi deg’ dy
gjethe vjeshte/ që nuk duan të rrëzohen./ /Dy trupa në një stinë bashkuar,/
Hutuar disi mes haresë./ Ata me verën s’janë trishtuar,/ Ndaj vjeshta le të
presë./ (Një çift i moshuar në rrugë)/.../Se
dhe për ‘të s’ bëhen merak/ t’i thonë një fjalë të urtë./ Megjithëse ne të
gjithë nga pak/ ngjajmë ca “eksiq” nga trutë./.../ Rreth vetes ecën dhe
vërtitet,/ Cigarja e tij përzhit dhe retë./ Për ‘të ne ngjajmë më keq se
xhindet,/ Ndaj unë mendoj se ka të drejtë./ (I
çmenduri i lagjes sime).../ Si shi që vjen papritur/ mes vapës së
Korrikut,/ Në puse pengjesh mbytur/ Pashakua e Cërrikut./ (Pashakua e
Cërrikut).../Veç qajmë me lloqe kafenetë,/ Për oratorë ne jemi mjeshtra.../
Rreth nesh e keqja shpallet mbret/ me spektër krimi dhe gënjeshtra.”/ (Mallkimi)
Ndryshimi e
përmirësimii i kushteve të jetës së vegjëlisë bëhet edhe me luftën kundër
kriminalitetit, pasqyrimi i së cilës ka qenë e mbetet mision i vazhdueshëm i
krijimtarisë së këtij autori. Pikërisht për këtë ndjeshmëria e “sentimentit”
poetik nuk resht së përballuri me çdo lloj shfaqje që cënon rendin e qetësinë,
jetën dhe mirëqenien e shoqërisë, duke stigmatizuar veset, mafiozllëqet dhe
shfaqjet e korrupsionit apo ato kundër lirive të individit që duken në
realitetin e përditshme. Prandaj talenti i fshikullon pa droje kudo ato shfaqen
me mesazhe që tërheqin vëmendjen e njerëzve, për t’u bërë barrikadë në
parandalinin e tyre. Metaforizimi i mendimit flet me zë të fortë:”/ Një qiell
gri mbi ‘të vërtitet,/ Po gjurmë mbi buzë s’i lë./ Nëse ndonjë burrë këto ditë
vetëvritet,/ Fajtor bëni vetëm atë.”/ (Kuptohet, prostitucionin). (Kamarierja e lokalit).../ Dje desh më
shtypëm me makinë/ në semafor tek kisha ndaluar./ Askush s’denjoi të më japë
pak ndihmë,/ Asnjë s’pranoi të më lypë të falur./.../Ke qenë me fat që ke
shpëtuar,/ T’ na e dish për nder që ende rron./ Ne jemi burra të “nderuar”,/ se
shesim drogë çdo ditë me ton./... /Në vendin tim me tru të nxehtë,/ Pa vija
ligjesh, pa semaforë.../ Kjo që ka ngjarë duket e vërtetë/ Dhe ngjet sërish çdo
çast e orë./ (Bastardët).../ Unë qesh
atje kur u rrëzua/ nga plumbi yt zehërhekur./ Atëherë ai më vrau dhe mua,/ sa
sot ngjaj me një të vdekur!/ (Një vrasës
në tryezën ngjitur).../ Atje s’ka mjeshtra ligësie,/ Bastardë me post e sy
të mpirë./ Dhe pse mbaj shpesh kostum lirie,/ Pranë tyre kurrë s’ndjehem i lirë.
(Vizitori i natës).
Ndërtimi i marrëdhënieve të ngrohta e të drejta njerëzore
e institucionale është një problem i mprehtë për çdo individ e për çdo vend,
sido që të jenë ata. Kjo arrihet me një sistem edukativ dhe ligjor efikas që
luftojnë pandërprerje mbeturinat e karaktereve njerëzore, si intrigën e
fjalomaninë injorante, xhelozinë cinike e vlerësimet e pamotivuara, interesat
kapriçioze e moskomunikimin dhe konfliktet e hakmarrjen apo liberalizmin e
tepruar e ringjalljen e veseve të këqija. Dhe frymëzimi nuk harron t’i çukisë
me satirën e fjalës poetike:”/ Dy palë shtëpi pranë e pranë,/ Ku dielli shpesh
harron të zbresë./ Pa trëndafilë dhe jargavanë,/ Po mure turpi mes për mes./ (Dy palë shtëpi pranë e pranë).../ Dikujt,
diku, dikur,/ I vizatova një diell,/ Por më ngriti një mur./ (Dikujt diku dikur).../Të vetmit miq këtu
kam lypsarët,/ O Zot, sa shumë qenkan shtuar!/ Të shtrirë pa frymë mbi
trotuarët/ me vdekjen flasin pa pushuar!/ (Fobi).../Në
gishtërinj i zverdh cigarja,/ Mbi buzë një kapuçin me shllak./ Çdo burrë e
masin nga kollarja/ dhe nga paratë që ka në bankë./ (Gra të vogla).../ Ne bëjmë çdo çast faje gjithfarë/ Dhe mend s’vëmë
kurrë sigurisht./ pa sens, pa busull, pa kandar.../ Për të na bashkuar duhet
një Krisht!”/ (Na duhet një Krisht). Frymëzimi
çapkën nuk e harron as dashurinë që duhet të investojmë për rritjen e pemëve
dhe të kafshëve të ndryshme që na rrethojnë, për ta shtuar florën e faunën e
mjedisit për rreth, duke na kujtuar të gjithëve se “/Kjo pemë e çuditshme që
kotet në park,/ Dikur ka qenë një vajzë çapkëne./ Unë për këtë mund të sjellë
një fakt,/ Ajo çel vetëm në mbrëmje!/.../Nuk ndahen më prej saj një metër/ me
hir a me pahir./ Mes tyre jam dhe unë patjetër,/ se nuk jam burrë më i mirë./ (Kjo pemë).../ Dikush i hedh një halë të
ndotur,/ Dikush një qeskë mërzi.../ Rrallë në jet’ është ndjerë i ngopur,/
Përveçse me uri./.../ Por asnjeriu s’i lyp mëshirë, / Qoftë ky burrë apo grua./
Veç diellin fton si mik të mirë/ t’i japë ca rreze hua...”/ (Maçoku i vogël i spitalit). Ndërsa për
dashurinë njerëzore ka krijuar disa balada të bukura me ndjeshmëri të lartë
poetike, si për njerëzit e shquar, të ditur ose të afërm të tij. Kurse për
dashurinë intime dhe sensuale krijimet janë të larmishme me ngrohtësi e zjarrmi
të skajshme, përfshi edhe ato teprime që përmenda më sipër në fillim të këtij
vëzhgimi letrar. Dhe nuk e shoh të nevojshme të ndalem më tej, pasi këtë
problematikë e kam trajtuar gjatë në librin që botova kohët e fundit me studime
letrare, ku përfshihen edhe mendimet e vlerësimet për poezitë erotike të këtij
autori.
Ruajtja dhe kultivimi me kujdesin e duhur të
traditave më të mira të mikpritjes dhe rritja e respektit e mirënjohjes për
njëri-tjetrin, kanë qenë gjithnjë preokupim serioz për talentin e autorit.
Megjithëse në momente të ndryshme gjendja patologjike e shpirtërore ndikohet
nga faktorë të ndryshëm rrethanorë: politiko-ekonomik dhe psikiko-shkencorë apo
familjar, duke shkaktuar dyzimin e personalitetit të çdo krijuesi me shfaqjen
rastësore të ndjenjës së pesimizmit e të dëshpërimit në mënyrë spontane. Muza
kurajoze e këtij poeti ndjehet e shpenguar për t’i shprehur ndjenjat e mendimet
e tija me natyrshmërinë e plotë që i jep liria e krijimit, duke pohuar qartazi
para opinionit jo vetëm mendimet, por edhe qëndrimet dhe qortimet e ndjeshme të
vetë poetit:”/ Qyteti im është gji dashnorësh,/ Një pjesë të tij ma fal dhe
mua,/ Ku s’ndien grindje orë pas orësh,/ Por vetëm dinë të thonë: të dua!/ (Qyteti im).../ Mbas çdo dritareje rri
një zemër/ Dhe pranë çdo dere pret një mik./ Askush s’të flet këtu me emër,/
Por veç “të lutem, rri mos ik!”/ (Në
Sarandë).../Qyteti del nga shtrati i mbrëmjes/ me ngazëllim fëmije./ Më deh
me flladin e Nemerçkës/ dhe me gliko qershije./ (Në Përmet në mbrëmje).../ Megjithatë nga sot vendosa:/ Në djall të
shkojnë xhirot e mija!/ Kur bredhin rrugëve bishat bosa,/ Êshtë mirë mos dalësh
nga shtëpia!”/ (Bastardët).../ Të
gjitha rrugët më largohen,/ sikur i ndjekin pas ca qen./ Mes tyre fëmijëria
ime/ kërkon veten, por s’e gjen!/ (Rikthim
në qytetin “S”).../ S’pranoi të na ndih kur na pa te stacioni,/ Na i fshehu
taksi dhe hotele./ Kërkoi t’i flisnim me gjuhën që s’kuptonim,/ T’i lëpinim
gishtërinjtë si kotele.”/ (Dëborë në
Kumanovë).../ Ju lutem mos më doni shumë,/ Mos thurni ndjenja kot më kot!/
Gjithë qenia ime është një lumë/ që mund t’iu mbysë në s’dini not./.../Ju lutem
mos më doni shumë!/ Largoni veten nga një tmerr!/ Gjithë qenia ime është një
lumë/ dhe unë nuk di as not t’iu nxjerr’./ (“Këshilla për lumin dhe veten time”.
Por këshillë edhe për shkruesin tonë që të shikojë punën e tij e mos t’i
harbojë mendimet me ditirambe pas atyre që nuk kanë nevojë për ‘to.).../
Këmbanë e ndryshkur ngjan qyteti/ që s’nxjerr më tinguj, por rënkime!/ Bastardë
me pamje prej profeti/ N’ankand kan’ nxjerr’ ditlindjen time!”/ (Fobi). Megjithëse poeti shfaq ndonjë
notë pesimiste e dëshpëruese, përsëri këto nuanca të këndshme estetike i kanë
dhënë kuptimit të materies poetike kolorin e çiltërsisë e të sinqeritetit, se
edhe krijuesit janë si gjithë njerëzit e tjerë me ndjesitë më të larmishme
shpirtërore, ku e mira dhe e papëlqyeshmja relativizojnë njëra-tjetrën gjatë
kapërthimit të ndjenjave kur ngjizet mendimi estetik.
Kujtesa e poetit rifreskohet
e ripasurohet vazhdimisht edhe me ndjenjat e bëmat patriotike për t’i
përjetësuar, evokuar dhe vlerësuar figurat e shquara historike, shoqërore dhe
shkencore nëpërmjet krijimeve poetike, të cilat na sjellin kolorin e
kënaqësisë, të dinjitetit dhe të krenarisë kombëtare. Spikatin baladat për
heroin e kombit Gjergj Kastriotin dhe për
shenjtoren e varfërisë botërore Nënë Terezën me vargje të mbrujtura plot
ndjenja adhurimi e krenarie. Prandaj pena këndon me patos mjaft të ndezur, si
kolor estetik me vlera të pëlqyeshme artistike:”/ Kishëz e brishtë me trup
Profeti/ dhe kryq të vogël sa një gisht./ Me një dritare sheh nga deti,/ Me
tjetrën sheh nga zoti Krisht./.../Vetëm një herë ajo hap derën,/ Kjo ndodh sa
herë ndërrohet moti./ Kur bashkë me flladin dhe pranverën,/ rishfaqet vetë Kryezoti./.../Kishëz e brishtë
me sy si ikona,/ me rrënjët përmbi valë./ Çdo ditë të brejnë mëkatet tona,/ Po ti sërish na fal.”/
(Kisha e Skënderbeut në kep të Rodonit).../
Ajo zbriti malet iliriane/ kur në Ozon po shfaqej vrima e zezë./ Kishte n’gjoks
gjith’ dhimbjet e kësaj ane,/ Një planet me emrin Nënë Terezë./.../ Ishte nënë
më tepër se grua,/ Brenda saj frymonte një Profet,/ -Më jep, i tha botës,
plagët e tua,/ Brenda trupit tim t’i ndjej vetë.”/ (Nënë Tereza). Megjithatë jo vetëm kaq, se muza e tij nuk mund të
qëndrojë sehirxhi as para vuajtjeve, masakrave dhe veprimtarisë patriotike të
popullit të Çamërisë, malli dhe dashuria e së cilës shpesh herë e molisin
zemrën e zhuritur të djalit të tyre, i cili është rritur e bërë burrë i djegur
nga malli i skajshëm, për ta parë një herë vendlindjen e tij kaq luftëtare,
dijetare e piktoreske. Elegjitë për vendlindjen, nënat çame dhe poetin e saj të
talentuar Bilal Xhaferrin, janë shumë drithëruese dhe kuptimplota, ku shpaloset
në pak vargje historia e vuajtjeve shekullore të kësaj treve heroike:”/ Shtëpi
e braktisur/ nën një lot ulliri./ Me mure të grisur/ dhe hije prej hiri!/.../
Vijnë edhe ca hije/ pa kokë e pa duar./ Dhe një djep fëmije/ me zë të
shuar/.../ Të rrinë këtu grumbull/ me vështrim të mekur,/ Siç rrinë para nënës/
të gjithë bijt’ e vdekur./ (Shtëpia e
braktisur në Çamëri).../ Gjithçka të ngjan si atëherë/ kur Çamërin’ e lam
nën tym/ me përshëndetje pa ylberë,/ Poeti im, vëllai im!/ Shqipërin’ ti
zgjodhe këngën tënde,/ Çamërinë një himn me psherëtimë,/ Me dy atdhe në shpirt
e mendje,/ Poeti im, vëllai im!”/ (Elegji
pa lamtumirë) Tërë pasuria ndjesore e frymëzon muzën të përsiatet për ta
mbrujtur e ngjizur atë në vargje shumë të ndjera, ku vlera e tyre rrezaton kolor
figurativ gjthë kënaqësi estetike. Elegjia për artisten e popullit Vaçe Zelën e
baladat dedikuese për artistët e penelit dhe për shokun e ndjerë poet e vëllain
e tij të dashur, janë shumë prekëse dhe shprehin dhimbjen e mirënjohjes për
këto personazhe kaq të dashur e të pa harruar:”/ Kjo s’ishte ditë nekrologjie,/
Nekrologjitë sjellin veç zi./ Artistëve vdekja s’u ka hije,/ Jo më një engjëll
si ti./.../ Rënkon kjo ditë prej elegjie/ dhe shirat qajnë vend e pa vend./ Në
Galaktikë ka kaq shumë yje,/ Po kush s’e mbush boshllëkun tënd./ (Elegji për Vaçe Zelën).../ Ndofta të
thërriti Jargavani/ që dikush ta preu pa asnjë shkak./ Një poeti për lulet i
digjet xhani,/ Një si ti për ‘to s’kursehet aspak./ (Këputja e Jargavanit).../ Ti m’the, s’do të shkoje kaq herët,/ pa e
pirë me mua një gotë.../Do t’i ngjisnim bashk’ gjithë ylberët,/ për ta par’ më
ndryshe këtë botë./ (Flamurit, vëllait
tim!).../ S’të erdha dot mik atë ditë,/ se s’kisha zemër fare/ të të shihja
ty si meit/ ballë kohës gënjeshtare./ (Mihal Mihos).../Filiz i tharë prej
acari/ që ike si një vesë./ S’të mori jeta përsëmbari,/ Të preu fati në besë!”/
(Lamtumirë, Arbëri ynë!).
Poeti jo vetëm tërheq
vëmendjen, por shpalos edhe brengosjen e shpirtit të identitetit autokton me
fakte se ende në shekullin njëzetenjë nuk janë zhdukur gjurmët e masakrave dhe
të urrejtjes nacionaliste në marrëdhëniet njerëzore me fqinjët, duke mbetur si
plagë historike të pashëruara plotësisht. Prandaj dufi shpirtëror dhe
korrektësia miqësore shpërthen me vargje të peshuara, por me një ton keqardhës
që mbartësit e këtyre konflikteve të reflektojnë seriozisht dhe t’i japin fund
një gjendjeje të tillë ankthi e mosmirënjohjeje për zbatimin e lirive e të
drejtave civile të komuniteteve shqiptare në vendet fqinjë. I prekur nga kjo
dhimbje shekullore frymëzimi shprehet hapur me kurajë, se këto koncepte e
pikëpamje e cënojnë rëndë miqësinë dhe marrëdhëniet njerëzore dypalëshe, duke
penguar kështu integrimin paqësor e human në qytetarinë evropiane. Poezi të
tilla e pohojnë një problem të tillë mjaft aktual, duke respektuar edhe të
vdekurit e botës:”/ Asnjë s’të nxjerr një çaj të lirë/ të mbrohesh pak nga ftohma./
Kjo borë mitet i ka ngrirë,/ Urrejtjet jo akoma.../.../ Mesdita s’ecën, por zvarritet/
sikur e mbajnë nën frer’./ Në Manastir Krishti vetëvritet/ i prekur keq në
nder...!/ (Graçanicë-Kosovë).../
Qyteti i vogël ngjyrë shkëmb/ që gjoksit tonë koha të shkuli.../ Çdo mbrëmje
mallin lan me këng’/ dhe pret të zgjohet Dedë Gjon Luli./ (Në Tuz).../ Të vdekurit e botës mbajn’ lule në gojë/ Prej stinësh
që blerimin than papritur,/ Prej lutjesh te Zoti që s’deshi t’i ndihmojë,/ Por
veç i pa nga larg pak i mërzitur./.../ Të vdekurit e botës jan’ fëmij’ prej
kujtesash,/ Balona enigmash dhe ëndrrash pa trajtë./ Ata s’bëjnë plane mbas kulisash,/
S’ tè hedhin kurrë mbas shpine baltë./ (Rekuiem
për të vdekurit e botës).../ Gjithë lulet qenkan tharë te pragu,/ Ngado veç
hije e kafka bosh./ Mbi bar lëviz një kalë prej gjaku/ që është më mirë mos ta
shikosh.../ Po kthehem mbrapsht n’gji të mallit/ dhe sot nuk munda për t’i
parë!/ Një gur të zi vërtis mes zallit/ dhe ballit fshij një lum të tharë!/ (Në Vërvë te fshati i tim Eti, Çamëri).../
Sa her’ më shihte n’fytyrë,/ I flakte tej syt’ e mërzisë./ -A s’më thua, o
djalë i mirë,/ kur do të vemë atje sërish?!/.../ Një nënë çame vdiq sot!/ Çudi,
tabuti s’është rënduar,/ se shpirti i saj kthyer në lot/ po shkon drejt tokës
së mohuar!/ (Vdekja e një nëne çame).../
Ku vallë ju ra gërsheti i zi?/ Kush ju qëlloi i pari?/ Atë çast kur globi u bë
gri,/ Filloi të qajë edhe bari!”/ (Nata e
masakrës në Çamëri!).
Ndërsa për
pasurinë semantike të stilit dhe të leksikut gjuhësor që përmban ky vëllim, ka për
çfarë të flasësh e shkruajsh se ky poet është i kujdesshëm për ta shtuar dhe
ruajtur “vlagën” e pasurisë estetike në krijimet e tija me një kënaqësi e
pëlqim mjaft të dukshëm. Megjithatë shkrimi në fjalë nuk na e jep këtë
kënaqësi, pasi shkruesi ka thënë fare pak mendime e përfundime shkencore me
vlerë nga semantika e letërsisë shqipe të konkretizuara me lëndën e vëllimit,
ndonëse ka mbushur dy faqe gazete me firot e lëmit të dijeve profesionale për
“shashka, flurudha e parabola dhe bomba e artileri” poetike. Përveç këtyre
firove që nuk duhet ta prekin nivelin shkencor të një studimi ose vëzhgimi
letrar, një nga mangësitë më të theksuara të formimit profesional është
përdorimi pa kuptim, pa vend dhe pa aspak nevojë i fjalëve të huaja me një
shqipe të deformuar. Kjo praktikë tendencioze karrieriste, për mbulimin e
mangësive shkencore e profesionale me fjalë të huaja të deformuara në shqiptim
e në shkrim (në përkthim), sot përbën një nga “sëmundjet” më të rrezikshme për
çdo zhanër letrar, domethënë për çdo punëtor të letrave apo për cilindo qytetar
pavarësisht se ç’pozicion zën në fushën politiko-juridike, arsimore e kulturore
dhe ekonomiko-ushtarake të vendit tonë.
Po e ndjekim hap
pas hapi ecurinë e analizës së këtij shkruesi që lodhet shumë pa e ditur mirë se
çfarë po shkruan, meqë ende nuk i ka fituar aftësitë e mundësitë e duhura me
atë përvojë të pakët profesionale në fushën e letërsisë shqipe, e cila është
një shkencë serioze dhe me kontribute të lashta sasiore e cilësore. Mbasi
vlerat e saja estetiko-artistike janë të njohura me kohë kombëtarisht e
botërisht. Le t’ua lëmë fjalën pjesëve problematike e thelbësore të këtij
shkrimi. Shkruesi që në fillim arsyeton, me një analizë jo të thelluar dhe mjaft
sipërfaqësore e hera-herës me një kuptim të kundërt me çfarë kumton përmbajtja
e poezive të këtij autori, duke e krahasuar përmbajtjen e tyre me disa fjalë të
huaja. Konkretisht ai shprehet:”Ditarët
e mjegullës”, një metaforë që në profecinë e saj paralajmëron...ngulmimet e
poetit...në imazherinë e shoqërisë e të hapë rrugëkalimet drejt një prosperiteti
të dëshirueshëm nën një dramacitet sa lirik aq social”. Ky pohim nuk të
bind, se metaforat nuk janë profeci që përcjellin thëniet e profetit (e njeriut
të perëndisë), të cilat mund ose jo të ndodhin në të ardhmen. Pasi poezitë e
këtyre vëllimeve nuk janë me frymë religjioze (hyjnore, as Zer-Budiste) si
shfaqje të “panteizmit dhe as të asketizmit” që shprehin dy lloje interpretimesh
të botëkuptimit fetar, të cilat e shohin natyrën si mishërim të Zotit për të predikuar përsosmërinë morale dhe për heqjen
dorë nga gëzimet e jetës, duke i larguar njerëzit nga realiteti konkret, nga jeta shoqërore. E
kundërta është e vërtetë: ato shprehin virtualitetin e shfaqjeve konkrete të
realitetit tonë të përditshëm me tema e probleme mjaft shqetësuese. Pastaj frymëzimi
i poetit nuk ngulmon vetëm në imazhet e shoqërisë shqiptare (dhe jo në imazherinë),
por kryesisht në tematikën e në problematikën e realitetit të përditshëm që ka
shoqëria jonë me të mirat, vështirësitë, dobësitë dhe të këqijat e tij. Poezia
e tij është mjaft realiste, e cila ka krijuar vetë imazhe virtuale të besueshme
që relativizojnë realitetin e shoqërisë, sepse shoqëria krijon imazhet e saja,
të cilat i nevojiten për konsum mendor e shpirtëror gjatë jetës së përditshme.
Tjetër, poezia e tij nuk ka mision të
hapë rrugëkalimet e ecurisë së mirëqenies (dhe jo të prosperitetit),
pasi atë e kanë si mision shkencat e ndryshme, politikat sociale e ligjet
juridike dhe strukturatat e tjera të shtetit. Ajo ka për detyrë të pasqyrojë
realitetin virtual (pozitiv ose negativ) të atij realiteti objektiv që kanë
mundur me kapur e përpunuar ndijimet, përceptimet dhe përfytyrimet në mendjen e
në shpirtin e autorit. Pastaj shprehja “nën
një dramacitet sa lirik dhe aq social” është përdorur pa vend, sepse
vetë fjala “dramacitet” në bazë të fjalorit tonë ka kuptimmin e një prove a gjendje
të vështirë e të rëndë që shkakton vuajtje të madhe e dhimbje të fortë
shpirtërore, e cila është tronditëse e prekëse, por jo lirike, nuk ka të bëjë me
lirizmin. Durimi vazhdon me shprehjet e tjera të këtij shkrimi: “Mbas librit përmbledhës “Kohë që
s’dashuron” në të cilin më së shumti ndjehet zëri protestues poetik i zënë në
leqet e absurdit shoqëror me një psiko-analizë nëpërmjet ditarëve poetikë,
autori na jep anamnezën e shoqërisë me dhimbjet e saj, por hap dhe shtigjet e
psiko-terapeutikës së saj.” Ja përmbajtja e analizës logjike të kësaj
fraze kaq të gjatë e të pakuptueshme. Pohimi i shkruesit na bën me dije se zëri
poetik i vëllimit “Kohë që s’dashuron” është zënë në leqet e absurdit shoqëror.
Sipas fjalorit, “absurdi” është një gjë që bie në kundërshtim me arsyen e
shëndoshë dhe me logjikën, është pa kuptim, jashtë mendjes njerëzore. Atëherë,
sipas shkruesit, përmbajtja e këtyre poezive është diçka pa kuptim, është
jashtë mendjes, pra është marrëzi. Do me thënë poezitë janë zënë në leqet e
marrëzisë. Kush mund ta besojë se ky poet i njohur na paska botuar një vëllim
me marrëzi? Unë që e njoh nga afër poezinë e tij nuk e besoj. Këtë ndjeshmëri
shpresoj të kenë edhe gjithë ata krijues që i njohin veprat e tij. Atëherë kujt
i mbeten “marrëzitë” e shpikura(?!) Pasi dihet që zakonisht me “psiko-analizën”
merren mjekët e psikologët, sociologët dhe analistët e punonjësit shkencor dhe
aq më pak poetët, përjashto ndonjë krijues të talentuar të prozës së gjatë se
qëllon ta përdorin këtë metodë shkencore në raste të veçanta për krijimin e
personazheve problematikë në veprat e tyre, veçanërisht ata që vijnë nga fusha
e mjeksisë. Pra, autori nuk është marrë me historikun e sëmundjes, as me
historikun e shoqërisë (anamnezën), por ka shprehur frymëzimin për tema
e probleme të veçanta që shqisat dhe vëmendja e tij kanë mundur me i grumbulluar
(akumuluar) nga ky realitet shoqëror me të cilat nuk merret shkruesi në
fjalë. Kështu, poetit nuk i është dashur dhe as e ka vrarë mendjen me hapur kartelat
e psiko-terapisë (dhe jo të psiko-terapeutikës), do me thënë për ilaçet
(terapinë) kuruese të psikikës, se atë e bëjnë shkenca e mjekësisë dhe punonjës
e organizma të tjera të administratës shëndetësore e shtetërore, për trajtimin
e të sëmurëve mendor. “Në këto lirika
të një karakteri më inovativ, muzikaliteti rrjedh nga pentagramet e strofave me
një rebelim permanent...se poezia është e frymës, ngopur me mesazhe, ndjenjë
dhe ide eruptive,...duke përmbajtur një seri ekstraktesh burimore
polivalente,...të cilat përfaqësojnë shumicë konveksionesh moderne.”,
është një pjesë tjetër e këtij shkrimi. Mësohet se nga lirikat e një karakteri
më të ri (inovativ) pa frymë të përcaktuar, rrjedhka muzikaliteti prej
pentagrameve të strofave me një rebelim të përhershëm (permanent)...se
poezia është e frymës, ngopur me mesazhe, ndjenjë dhe ide shpërthyese (eruptive)...duke
përmbajtur një seri lëndësh kimike ose pjesësh të një vepre (ekstraktesh)
burimore shumë-vetish (jo poli=shumë+valencë=vetia e atomit të një elementi
kimik për t’u bashkuar me një numër të caktuar elementësh të tjerë kimik), të
cilat përfaqësojnë shumicë marrëveshjesh (konveksionesh) moderne (!).
Mirë, logjika e pranon, se nga lirikat me karakter të ri që përmbajnë lëndë ose
pjesë të atij vëllimi, rrjedh muzikaliteti prej vargjeve e strofave të tyre,
por jo nga pentagramet se nuk është pjesë muzikore,veçse poezi me shije
estetike dhe ritëm e theks melodioz. Prandaj vargjet apo strofat nuk mund të
quhen “ekstrakte”, se janë ajka e frymëzimit poetik, janë një brumë
poetik i ngjizur me tematikë e problematikë të ndryshme dhe jo një fragment i
një proze letrare, pasi ka secila identitetin e saj dhe nuk përfaqësojnë asnjë
marrëveshje kulturore midis elementëve estetikë, veçse kanë pritur me ndrojtje dëshirën,
pëlqimin e gjykimin e poetit për t’i përfshirë në këtë vëllim si krijimet më të
dashura të autorit. Zelli nuk përton të shkruajë edhe më tej. “Dy libra...me kundërshti, mohim të
mohimeve të njëri-tjetrit...në esencën analitike janë plotësime nëbleme
vazhdimësie...shpërfillës të zhgunit të soc-dogmatizmit...titulli i vjershës së
parë “Rebelimi”..., një paradigmë që do të sjellë...shumë rebelime të
tjera...Këto tema sociale e kanë në vetvete rrezikun e deklamacionit mbasi të
mbysin emocionet e çastit krijues...ku pa e kuptuar përsërit vetveten në
reminishenca që vihen re te disa poezi.” Kërkesat e sintaksës na mësojnë
variantin më të kuptueshëm e më të sakët të shprehjes së mendimeve në këtë
periudhë gazetareske. “Kemi dy libra me kundërshti që mohojnë njëri-tjetrin dhe
në esencën analitike janë plotësime të simbolikës së vazhdimësisë (jo nëbleme,
por emblemë-a=simbol-i),...shpërfillëse të të menduarit verbërisht sipas
një pikëpamje të pandryshueshme (dogmatizmit social), ku titulli i
vjershës së parë është një shembull (paradigmë) që sjellë rebelime të
tjera...Këto tema sociale kanë në vetvete rrezikun e recitimit me zë të lartë
ose të diskutimeve boshe (deklamacionit) se të mbysin emocionet e
krijimit,...ku përsërit veten në memorie ose në kujtimet e së shkuarës (reminishenca)
te disa poezi. Nuk e di sa mund ta pranojë autori mendimin e këtij shkruesi që
librat e tij mohojnë e kundërshtojnë njëri-tjetrin, që vjershat e tjera të
vëllimit janë rebelime e jo lirika të bukura poetike dhe që ato përsëritkan
vetveten me “recitime në erë ose me diskutime boshe”(?!) Pasi edhe vetë
shkruesi është i paqartë, i pasigurtë dhe i pa sakët për atë që ka shkruar, se
në vazhdim të shprehjes pohon që librat janë plotësime simbolike të
njerë-tjetrit, të cilat luftojnë të menduarit verbërisht sipas dogmave. Me sa
shihet nuk njihen mirë parimet e filozofisë e të estetikës letrare dhe niveli i
të menduarit e të shkruarit për koncepte të tilla estetike len për të dëshiruar.
Pasi këtë pështjellim e paqartësi konceptuale me kuptim edhe të kundërt në
rastin konkret, e kanë sjellur marrja tekstuale e disa fjalëve të huaja nga një
literaturë e caktuar dhe përshtatja pavend, panevojë e pakuptim me përmbajtjen
e këtij vëllimi poetik.
Ekuilibri
midis ndjenjës, mendimit dhe mesazhit, veç të tjerave, varet nga përmbajtja e
lëndës letrare që ka akumuluar autori, nga niveli i tij profesional për ta
situr, mbrujtur e ngjizur atë me patos të lartë dhe nga “derdhja” e formës
letrare me një kolorit sa më tërheqës estetik të lëndës që na jep frymëzimi i
talentit poetik. Metafora, krahasimi, alegoria, simboli, similituda e të tjera
figura letrare janë të ndryshme e të pavarura nga njëra-tjetra. Ato lidhen e
ndërvaren në vargje nga niveli profesional e patosi i zjarrtë i poetit dhe kanë
e shprehin kuptimin e tyre të veçantë si kolor estetik, ato nuk janë “bija” të
metaforës. Megjithatë lidhur me kuptimin e këtyre parimeve estetike shkruesi
vazhdon të shprehë koncepte të paformuara e të pasakta:
“...Këtë handikap
artistik autori e ka kapërcyer në “Ditarët e mjegullës” me sukses...Ngulimi
poetik...protonizohet në poezinë për vendlindjen...Gjithçka që produktohet...vjen
si perlat e guackave në fundin e shpirtrave njerëzor...Ndjehet...përshtatja
e formës me përmbajtjen që e dikton superstanca...kohore që supertohet
nga njohjet estetike,...duke krijuar identiktin e një poezie e cila
manifeston...gjallëri imazhiniste, duke shtruar me brazdën e vargut...të
magjishmen e magjive,...Metafora si deduktor shumfunksional...vjen...gjer
në rifinitura...si kori i Nabukosë së Xhuzepe Verdit, ajo është
dukuria më fondamente...Furkëza e goditjeve me artileri poetike
shtrihet në hapësirë e në kohë...Kjo goditje me mortaja e metafora e
shtrinë flurudhën e parabolave ...në thirmën poetike...Kjo alterego
për vendin me paranomikë jetësore të një qyteti mimfatik, ka
përdorur aliteracionin si vlerë artistike protonike në vargëzim, ka
rritur vlerat mesazhiere... aliteracioni...vjen...me gradentë në
rritje, amalgama e dhimbjeve...vjen si aliazhe të produktit...Nga bota boheme
e poetit marrin frymë materie inerte efemere, introduktë
e...
aliteracionit, si një devizë
poetike, si një produkt poetik bio-shqiptar. Brusha
natyrore vjen si pastel i domosdoshëm...në klorofilin e këtij habitati
natyror..., ku gjallon shuminë e poezive...me sharmanën natyrore. Elementët
e natyrës vijnë si distributor të ndjenjave, ndaj...poezia vjen
si kadëne...si një rezore... Më entuziazmon fakti se poezia
lirike po e gjenë vetveten kohore...”
Kuptohet
që shkruesi ka shmangur e shpërfillur disa nga ligjësitë dhe rregullat e shqiptimit,
të përdorimit apo të drejtshkrimit të gjuhës shqipe në këtë shkrim, duke
përdorur mbi pesëdhjetë e sa fjalë të huaja të panevojshme, të cilave u përgjigjet
më së miri kuptimi i fjalëve të gjuhës shqipe. Mbështetur në fjalorët italisht
e anglisht dhe në përvojën e gjatë shkrimore po përpiqem nëpërmjet përkthimit t’i
japë kuptimin sa më korrekt shkrimit shqip të këtyre koncepteve me prejardhje
nga gjuhët e huaja: ”Këtë përhumbje mendore, mangësi apo paaftësi profesionale
artistike (jo handikap) në vëllimin poetik ”Kohë që s’dashuron”, autori e ka
kapërcyer me sukses në vëllimin tjetër “Ditarët e mjegullës”. Ngulmimi (jo
ngulimi) poetik ngarkohet pozitivisht (jo protonizohet) në poezinë për
vendlindjen...Gjithçka që krijohet vjen nga fundi i shpirtrave njerëzorë si
perla e guackave të detit...Ndjehet...përshtatja e formës me përmbajtjen që e
dikton niveli i lartë artistik (jo superstanca), i cili
mbështetet (jo supertohet) nga njohjet estetike,...duke krijuar një
skicë a shëmbëllim të përafërt me fytyrën ose përmbajtjen e poezisë (jo
indiktin), e cila proteston (jo manifeston, as marrshon) për imazhe
të gjalla (jo imazhiniste), duke shtruar në brazdën e vargut më të
magjishmen e magjive. (Do me thënë, sipas shkruesit, krijimet e dy vëllimeve
janë shëmbëllim i përafërt i poezive të vërteta)...Metafora, si veprim (jo
deduktor) që nxjerr konkluzione nga shumë të dhëna funksionale...
vjen...gjer në përsosmëri si ritëm melodioz (jo si rifinitura dhe as si kori
i operas “Nabuko” të kompozitorit italian Xhuzepe Verdi)...(Pasi nuk e ka
patur e as nuk e ka këtë mision metafora). Metafora është dukuria më thelbësore
(jo fondamente) e këtij vëllimi... Forca e efektshmërisë estetike të fjalës
poetike shtrihet në hapësirë e në kohë deri në thirmën e poetit... (jo
furkëza me të cilën nuk mund të bëhen goditje, sepse ajo përdoret për të
tjerrur lesh dhe as me flurudha e as parabola që janë vija e lakuar e udhës që
ndjek plumbi kur del nga tyta e armës.)...Ky “unë” ose “rol” i dytë i
personalitetit të poetit (jo alterego) në të njëjtën kohë midis reales e
imagjinares për vendin me panoramë (jo paranomikë) jetësore të një qyteti që të
ushqen me bukuri magjepëse (jo limfatik), ka krijuar përsëritjen (jo
aliteracionin) e një grupi fjalësh melodike në fillim të vargjeve si vlerë
artistike të vjershërimit (jo si protone), duke rritur vlerat e
mesazheve (jo mesazhiere)...sa përsëritja (jo aliteracioni) vjen
me nivel në rritje (jo si gradientë). Pesha e dhimbjes (jo
amalgama-mbushja e dhëmbëve) vjen si efektshmëri e fuqishme e vlerave
artistike. Nga ky shkrues marrim vesh që poeti në fjalë e ka prejardhjen “nga
bota boheme”, kuptimi i së cilës,
sipas fjalorit shqip, na bën me dije që autori vjen nga turma e njerëzve
endacakë, të cilët bëjnë një jetë të çrregullt e të dhënë pas qejfeve. Këtë nuk
e dija dhe pres me dëshirë që poeti të na tregojë komunitetin, të cilit i
përket. Po të jetë kështu, qenia e tij poet është një vlerë e shtuar për këtë
shtresë të varfër, të vuajtur e të diskriminuar. Furça natyrore (jo brusha)
vjen si laps ngjyrosës (jo pastel) i domosdoshëm...në klorofilin e këtij
mjedisi (jo habitati) natyror..., ku gjallon shumësinë (jo shuminë)
e poezive me sharmin naryror (jo sharmanën). Elementët e natyrës vijnë si
shpërndarës të ndjenjave (jo si distributor)...ndaj...poezia vjen si
zinxhir (jo si kadëne)...e si reze (jo si rezore). Më entuziazmon fakti
se poezia lirike po e gjenë vetveten kohore.” (Të habit fakti që një vëzhgues
amator i krahason poezitë me korin e një opere të famshme ose me zinxhirin dhe
rezen e dritares apo të derës së shtëpisë. Gjithashtu habia vazhdon me
përdorimin pa aspak nevojë të fjalëve nga fjalorët teknik të ndërtimit, të
hidrokarbureve apo të teknikës ushtarake, duke i dhënë shkrimit shijen e një
vulgarizimi që e ka dëmtuar përmbajtjen e tij. Pastaj si nuk e paska marrë vesh
ky që poezia lirike moderne shqiptare e ka marrë veten shumë vite më parë e në
vazhdimësi me lirikët e saj të mëdhenjë Naim Frashëri, Ndre Mjeda, Gjergj
Fishta, Migjeni, Lasgush Poradeci, Dritero Agolli, Martin Camaj, Agim Vinca,
Ali Podrimja, Dhori Qiriazi, Koçi Petriti, Vehbi Skënderi, Jorgo Bllaci, Moikom
Zeqo, Bardhyl Londo, Gaspër Pali, Pano Çuka, Viktor Qurku, Xhevahir Spahiu, Gjokë
Beci, Frederik Rreshpja, Petrit Ruka, Ndoc Gjetja, Leka Ndoja e të tjerë poetë
shumë më të talentuar. Mbështetur në këtë prodhimtari artistike të zhvillimit
koherent të poezisë shqipe, urtësia e gjykimit profesional na mëson se lirika
moderne shqiptare nuk mori frymë tani me krijimet e të nderuarit poet, për të
cilin po flasim.) Prandaj për askënd nuk
është e udhës t’i lejojë vetes të përdorë fjalë të huaja pa vend e pa nevojë në
asnjë lloji shkrimi, veçanërisht në letërsi, të cilat nuk i kupton as nuk i
përdor lexuesi ynë, si bie fjala: handikap
(përhumbje mendore, paaftësi e përgjithshme), proton (pjesë e atomit),
protonizohet (bëhet si atomi), produktohet (prodhohet), superstanca (mbi dhoma,
dhoma e dytë e nivelit të lartë të një kuvendi popullor), suportohet
(mbështetet), indikti (skica ose shëmbëllimi i pamjes së dikujt), manifeston
(marshon, proteston), imazhiniste (imazhi-e), rifinitura (imtësia e vijës ose e
sipërfaqes së murit, të llaçit ose të betonit), kaprijata (pesë binarë të fortë
të kulmit të çatisë, që lidhen në formë trekëndëshi me trarët horizontal të
shtëpisë), karraxhata (vende të ngritura si kurriz që vështirësojnë qarkullimin
në rrugët automobilistike), kori i operas “Nabuko” të Xhuzepe Verdit e vitit
1841, fondamente (thelbi i një ideje a vepre), furkëza e goditjes (e leshit), flurudha
e parabola (vija e lakuar e rrugës që përshkon plumbi), alterego (dyzimi i “unit”
ose i “rolit” të personalitetit), aliteracioni (përsëritja), mesazhiere
(mesazhi-e), gradentë (gradë, nivel), amalgamë (përzierje për mbushjen e
dhëmbëve), aliazhe të produktit (përzierja e disa metaleve në shkrirje), materie
inerte efemere (materie e ngurtë si miza e majit), reminishenca (kujtimi,
memoria), brusha (furça e dhëmbëve, e rrobave, e këpucëve, e lyerjes), anamneza
(historiku i një problemi, i një fenomeni a një sëmundje), introduktion-introduktë
(hyrje, parafjalë, parathënie), kadenë (zinxhir), produkt bio (prodhim
origjinal), psiko-terapeutike (terapia-sasia e ilaçeve për shërimin e psikikës),
pasteli (lapsi ngjyrosës), deduktori (veprim që heq e zbret llogarinë ose
nxjerr konkluzione nga disa të dhëna), permanent-e (i,e përhershëm-e),
inovativ-e (të ri, të reja), deklamacion (diskutim i lartë me recitim ose
diskutim bosh), paradigma (shembull, model), konveksion-i,e (marrëveshje-a),
limfatik (organet që prodhojnë plazmën e rruzave të kuqe e të bardha të gjakut
për qelizat e trupit të njeriut, të kafshëve e të bimëve), habitati (mjedisi),
distributori (shpërndarësi i karburanteve), sharmanën (sharmi-hijeshi, bukuri),
devizë (uniformë, formulë e shkurtër, thelbi i diçkajei). Të gjitha këto e
të tjera fjalë, janë shqiptuar keq e përdorur grafikisht të deformuara në
artikullin “Ditarët poetikë në analizën e një shoqërie”, pa përgjegjësi
qytetare, as profesionale dhe as ligjore e shoqërore, duke ndikuar negativisht
në shkrimin jo drejt e pastër të gjuhës shqipe dhe në shtrembërimin e
përmbajtjes së atyre pjesëve ku janë përdorur për vëllimet në fjalë. Pa lere sa
të tjera vazhdon të përdorë në artikullin pasues në të njëjtën gazetë, për veprën
e një intelektuali të mirënjohur të qytetit tonë, talenti i spikatur i të cilit
në zhanrin e prozës letrare, të dramës e të filmit është shumë mirë në gjendje
ta sitë përmbajtjen e tij dhe të marrë ato që i duhen për krijimtarinë letrare,
duke lënë jashtë teprinën e servirur nga firot e dijeve profesionale, të cilat
i kam skeduar e përkthyer se çfarë kuptimi kanë dhe sa lidhet interpretimi
shkencor e gjuhësor i tyre me problemin që ka marrë përsipër të trajtojë
vëzhguesi ynë i palodhur.
Nga si duhej të
kryhej ky proces shkencor, lind llojshmëria e figuracionit semantik me kolorin
e tij si “veshje” virtuale e thelbit të materies poetike, e cila nuk mund të
zhvishet nga mendimi poetik i çdo krijuesi. Pasi “veshja” estetike dhe mendimi
janë të mbrujtur e të ngjizur si një copë monoliti, sa nuk mund t’i shkëpusë
asgjë nga njëri-tjetri. Deri më sot nga njerëzit e ditur me nivel profesional
letrar dhe as nga shkrimtarët e shquar të huaj e shqiptar, nuk kam dëgjuar as
lexuar në shkrimet e tyre, se materia poetike është “materie inerte efemere”,
do me thënë është “materie e ngurtë si miza e majit” me të cilën na qenkan mbrujtur
e ngjizur poezitë e këtij autori, siç pohohet në këtë shkrim. Megjithatë këto
lirika janë me vlera estetike të mirëqena që pëlqehen nga lexuesit. Çudia nuk
pyet më për formulën poetike (devizën), për hyrjen ose parathënien e
përsëritjes së tingujve (introduktën e aliteracionit), për prodhimin origjinal
shqiptar (produktin bio shqiptar), për mjedisin natyror (habitatin), as për
furçën natyrore (brushën), as për lapsin ngjyrosës (pastelin), as për sharmin
natyral (sharmanën) dhe as për shpërndarësin e ndjenjave (distributorin) që e
sjellin poezinë si zinxhir (jo si kadenë), apo si reze (jo si rezore) që herë qesh e herë
përlotet. Do me thënë si zinxhiri dhe si rezja që herë qeshin e herë përloten
(!?) Për këtë arsye figurat letrare nuk mund të ndahen më vete për t’u
rreshtuar si “armatim i mënyrës militare” të të menduarit në metodën krijuese
të tipologjisë letrare poetike. Me këto argumente shkencore letrare provohet
qartazi padobishmëria e përpjekjeve fare pavend, për t’i reshtuar figurat
semantike letrare pa iu nështruar një zbërthimi kuptimor filozofiko-estetik,
duke mosbërë një analizë të thellë e të hollësishme të të gjithë elementëve që
kërkon një proces i tillë letrar. Pasi të gjithë këta elementë janë të “tretur”
e të “ngjizur” në tematikën dhe në problematikën e vëllimit poetik, ku i ka mbrujtur
përkushtimi profesional i talentit të spikatur. Megjithatë shkrimi i shmanget
një analize të tillë nga pamundësia për arsye të ndryshme, ose nga preferencat e
familjaritetit euforik, ose nga pa aftësia profesionale për të fshehur mangësitë
e nivelit të shkrimit, i cili mjaftohet me një lojë fjalësh panegjiriste si me
qenë në një miting militant të megalomanisë politike. Atëherë, nuk mund të bëhet
fjalë, për një analizë konkrete profesionale me përmbajtje të thellë shkencore
artistike. Pasi për “ditarët poetikë” nuk thuhet se çfarë analize i kanë bërë
shoqërisë shqiptare, meqë aty nuk flitet për përmbajtjen e këtij vëllimi
dinjitoz me vlera estetiko-letrare të pëlqyeshme e të mirëpritura.
Meraku nuk mund
të rrijë pa e tërhequr vëmendjen e ndonjë krijuesi për veprimtarinë botuese. Stafi
i gazetës “Bulevard” që nga data e botimit e deri më sot është treguar i paanshëm
e me koncepte parimore pluraliste në të gjitha fushat e veprimtarisë jetësore
të qarkut tonë, për të shpalosur arritjet e zhvillimit dhe mangësitë e
qeverisjes lokale apo të veprimtarisë së sektorit privat. Veçanrisht kjo gazetë
është treguar militante në trajtimin e problemeve, shumë dashamirëse e korrekte
për të ndihmuar sektorët e kulturës dhe të veprimtarive artistike me debutimin
nëpërmjet krijimeve të të gjitha zhanreve letrare e artistike. Hamendësimi i
ndonjë krijuesi se mund të botojë e publikojë artikuj apo krijime të
çfarëdoshme me tëmeta të theksuara në këtë gazetë, është një tendencë dhe
marifet krejtësisht i gabuar dhe fare i panevojshëm e i padobishëm për
opinionin letrar. Pasi kjo mënyrë të menduari e të vepruari e ul nivelin e
shkrimeve që u duhen e që i presin lexuesit dhe vrugon sadopak dinjitetin e
këtij organi mjaft revolucionar e profesional të domosdoshëm për opinionin qytetar.
Krijuesit nuk duhet të spekulojnë me ndihmesën dhe parimësinë e drejtuesve të
këtij organi realist, të cilët e kanë deklaruar publikisht në faqen e parë të
çdo numri se çdo krijues, korrespondent ose artikullshkrues e mban vetë përgjegjësinë
për mangësitë profesionale ose dobësitë gjuhësore dhe për vërtetësinë e
problematikave të ngritura. Atëherë zotimi i secilit kërkohet të jetë serioz e
i menduar mirë, i përgatitur me shumë kujdes nga ana profesionale, shkencore e
juridike që t’i japë opinionit qytetar një ushqim kulturologjik me vlera të
mirëqena e të mirëpritura. Prandaj spekulimi me këtë liri botimi dhe shpërdorimi
i besimit të stafit të gazetës, është i palejueshëm e shumë pavend për cilindo.
Me këtë rast, i lutem stafit drejtues të gazatës “Bulevard”, që brenda mundësive
organike e financiare, të vendosë një specialsit të zotin në profilin e
Gjuhë-letërsisë shqipe për redaktimin e gjithë artikujve apo të krijimeve, të
cilët u vijnë për botim. Patjetër besimi është i plotë që rezultatet do të jenë
shumë pozitive në të gjitha drejtimet, veçanërisht për cilësinë e botimit të
shkrimeve me përmbajtje letrare.
Duke i mbyllur
këto radhë, si i moshuar e me përvojë jo të pakët në krijimtarinë letrare, kam
bindjen e besimin se nuk është e tepërt dhe as vonë, për të theksuar me forcë
disa përparësi të rëndësishme aktuale për gjithë punëtorët e letrave dhe për
çdo specialist të gjuhë-letërsisë që të përmirësohet sa më shpejt gjendja në
këtë fushë. Êshtë detyrë e ditës që cilido ta shkruajë drejt e pastër gjuhën
shqipe në të gjitha zhanret letrare dhe në gjithë veprimtarinë e mediave vizive
e auditive apo nga institucionet shtetërore. Megjithatë kjo ka mbetur si klishe
e vjetruar dhe e bastarduar që nuk përfillet e as nuk zbatohet nga disa “biçim”
shkruesish, redaktorësh, mësuesish, gazetarësh, apo folësish (spikerash),
politikanësh dhe pushtetarësh, deliret e të cilëve e rrahin gjoksin me mburrje para
rajasë ose para klaneve të paditura nëpër kafenè, nëpër takime ose aktivitete stimuluese
sikur janë “poetë, shkrimtarë, studiues, gazetarë, gojëtarë apo intelektualë e
zyrtarë të shquar” të këtij vendi. Dhe masa më e madhe dinjitoze e këtyre
specialiteteve intelektuale dhe e disa krijuesve të qarkut tonë i shohin, i
lexojnë dhe i dëgjojnë çdo ditë këto gabime, këto shkelje apo faje në
ligjërimin dhe në shkrimin e gjuhës së bukur shqipe. Por preferojnë më mirë të heshtin
e të tulaten nën “sqetullat” e indiferentizmit duke marrë pozën e sehirxhiut pa
u merakosur se gjuha shqipe po prishet, po bastardohet, po harrohet, po mbytet
nga yryshi i migracionit të fjalëve të huaja, të cilat ia kanë zënë frymën dhe
nuk e lënë të shiptohet e shkruhet sipas ligjësive të saja dhe sipas rregullave
që ka përcaktuar Kongresi i Drejtshkrimit dhe sektori i Gjuhësisë të Akademisë
së Shkencave shqiptare. U mekën të nderuarit gjuhëtarë dhe të shquarit
profesorë apo mësues e pedagogë revolucionarë duke shpjeguar e mësuar dhe
kritikuar rastet e shkeljeve flagrante në fushën e gjuhësisë nga “këta biçimë”
apo edhe nga institucione të ndryshme shtetërore. Vini rè, si zhvillohet e
legjitimohet ky mentalitet i papërgjegjshëm, i pandershëm dhe i palejueshëm në
jetën tonë kulturore e artistike. Për një kundravajtje penale, për një vjedhje
a veprim korruptiv, për një goditje për shkak të detyrës, për një ofendim në
rrugë ose në Kuvendin Popullor, për një keqtrajtim njerëzor ose për një cënim
sado të vogël të sigurisë e moszgjidhjes së kërkesave e ankesave të personave
në nevojë, vihen në lëvizje me kuje e britma histerike shumë persona, madje
shumë deputetë e zyrtarë dhe politikanë e pushtetarë me të gjitha mjetet e
kompetencat që kanë në dorë, për t’i dhënë rrugë zgjidhjes ose korigjimit dhe
ndëshkimit të tyre. Përveç kësaj bëjnë edhe thirrje “portokalli” për
militarizimin e shqiptarëve që të “mbrojnë njëri-tjetrin nga krimi” (!?) Ndërsa
për shkeljet e vazhdueshme në fushën e gjuhësisë kjo oligarki politike apo
intelektuale nuk ndjehet se është gjallë. Dhe jo vetëm kaq, por edhe i lejon vetes
të flasë e shkruajë një duzinë fjalësh të huaja në kundërshtim me ligjet,
rregullat dhe me fjalorët e gjuhës sonë shqipe, e cila ia jep mundësinë çdo
shqiptari në çdo pozizicion shoqëror, politik ose intelektual që mund të jetë,
që t’i shprehë ndjesitë e pikëpamjet, mendimet e ligjërimet, gëzimet e
hidhërimet dhe kërkesë-ankesat apo urdhërat e detyrimet e tyre ligjore vetëm në
gjuhën e bukur shqipe. Disa barbarizmave, që i kanë rënë më qafë gjuhës sonë me
vite e shekuj, profesorati i shquar i gjuhësisë sonë ua ka dhënë pasaportën e
shqiptarizmit, duke i përfshirë në fjalorët e gjuhës shqipe. Atëherë, pse u
dashka që të gjitha këto kategori personash të pa edukuar e arsimuar me
ligjësitë, normat e rregullat e gjuhës letrare shqipe të shkruajnë e flasin me
fjalë të hueja gjatë veprimtarisë së tyre personale, shoqërore, krijuese e
shtetërore, në vend që të mësojnë e shkruajnë drejt e bukur gjuhën e nënës së
tyre? I bëj thirrje gjithë klasës politike shqiptare, të gjitha institucioneve
shtetërore e ligjore, arsimore dhe kulturore nga qendra e në bazë dhe tërë
intelektualëve, mësuesve e pedagogëve të gjuhë-letërsisë shqipe, krijuesve e
gazetarve dhe shkollave të çdo niveli që nën drejtimin dhe udhëheqjen e
sektorit të Gjuhësisë të Akademisë së Shkencave dhe të katedrave të
gjuhë-letërsisë shqipe të universiteteve tona, të reflektojnë seriozisht duke u
përfshirë në një lëvizje revolucionare mbarëkombëtare për ta folur, shkruar e korigjuar
drejt e pastër vazhdimisht gjuhën e bukur shqipe. Êshtë tepër e ngutshme, për
organet kompetente që të përpunojnë, miratojnë e zbatojnë një ligj me
penalizime të rrebta për shkeljet e diktuara kudo e nga kushdo, për ta forcuar
kontrollin shtetëror e shkencor në institucionet shtetërore, arsimore e
kulturore, në redaksitë e gazetave e të televizioneve dhe në shtëpitë botuese e
në klubet e shkrimtarëve me anën e mekanizmave e të strukturave ligjore
ekzistuese ose të atyre që mund të ngrihen për nevojat e të ardhmes. Meqë është
bërë rregull të lejohen prodhime letrare artistike, shkrime gazetareske, lajme
ose ligjërata gojore me gabime të rënda të pafalshme në përdorimin e fjalëve të
huaja. Të paisen katedrat, institucionet shtetërore, bibliotekat dhe shtëpitë
botuese me redaktorë specialistë të gjuhë-letërsisë shqipe, me fjalorët shqip e
drejtshkrimorë dhe me leksikun e fjalëve të huaja që kanë hyrë padrejtësisht e
që duhen pastruar patjetër nga gjuha jonë. Po ashtu të pajisen me tekstet e
përdorimit të shenjave të pikësimit e të shkrimit drejt të shkronjave “e dhe ë”,
“ç e q”, “l e ll”, “gj e xh” dhe me materiale të tjera që mësojnë paraqitjen
grafike të shkrimit shqip, të cilat janë botuar deri më sot për pastrimin,
pasurimin e drejtshqiptimin e gjuhës shqipe. Kjo do të ishte reforma më
frutdhënëse për ta folur, shkruar e zhvilluar sa më drejt e sa më pastër gjuhën
e bukur të të parëve tanë. Kam besim dhe shpresoj shumë në mirëkuptimin e
reflektimin e politikës e të institucioneve, të intelektualëve e krijuesve dhe
të specialistëve të gjuhë-letërsisë e të stafit drejtues të gazetës suaj, për
botimin e plotë të këtij vëzhgimi letrar të sinqertë e mjaft konstruktiv.
Durrës,
Qershor 2016