‘Bota Internetike’ dhe Shqipëria narrative
Shqiptarët njihen më shumë me njëri-tjetrin kur ikin prej
Shqipërisë së vogël
Dr Fatmir Terziu
Abstrakt
Dikur një shkrim të tillë e pata cilësuar “Përtej çmimit
për shkrimtarin Faruk Myrtaj”. Për shkrimtarin dikur rinor dhe të dashuruar pas
poezisë. Por vetëm për pak kohë. Vetëm për pak ‘dashuri’ në nivelin poetik. “Nivelin
poetik?!” Të tillë, nëse do të rezervonim një titull nga e shkuara, që në
fillim për njeriun e letrave shqipe, Faruk Myrtaj. Mjafton të kujtojmë një
poezi të tij të hershme “Vlora në çdo stinë” (1984) të
kuptojmë tingëllimën semantike, që bashkon sensin aestetik të krijuesit nga njëra
anë dhe njeriut, që krijon estetikisht nga ana tjetër. Kjo ishte dhe mbetet
Vlora e autorit në çdo stinë, po aq sa ai gjen vendin filozofik mes ujit të ‘tërhequr’
nga deti dhe hapësirës së lënë për njerëzit e tij të dashur e të komunikueshëm.
Gjen racionimin mes racionales. Gjen natyralen mes natyralizmit.
Kështu fundja është gatuar poeti,
tregimtari, shkrimtari dhe publicisti, që gjen kohën, hapësirën dhe vendin, mes
një metafizike të ndjeshme racionale dhe natyrale. Kjo metafizikë, natyrshëm
sjell në varg dhe në jetë ata dy të ‘dashuruar në vendtakimin breg’, aty ku e
urta e popullit çmohet më shumë: ‘mali me mal’ që ndodh edhe takohen...
Ndërsa unë shpreha dëshirën të shkruaj
diçka për prozën e tij, mjaft vite më parë, ai me kënaqësi më afroi një ‘filozofi’
sinqeriteti: “Nuk di nëse njihemi, nëse jemi takuar, por kjo nuk ka pikën e
rëndësisë! Shqiptarët njihen më shumë me njëri-tjetrin kur ikin prej Shqipërisë
së vogël, teksa duhej të ndodhte e kundërta! Por kjo mundësi duket se ka ardhur
edhe prej faktit që ‘Bota Internetike’ nuk është më e madhe se Shqipëria
Reale!” Dhe unë gërmoj në bagazhin e tij tashmë të shtuar edhe në disa gjuhë të
tjera, mes paraleles ‘Bota Internetike’ dhe Shqipëria narrative, ku vepra e tij
është përkthyer dhe lexohet këndshëm, njëlloj si në shqip.
Autori kompleks
i letrave shqipe
‘Bota Internetike’ dhe Shqipëria narrative, po aq sa dhe
pjesa dihatëse e krijimtarisë së Myrtajt, tingëllon tamam moderne. E tillë është
në prozën e shkruar nga një shkrimtar shqiptar si Myrtaj. E tillë është dhe
veçohet tek “Nudo Zyrtare”, po aq edhe tek “Dritat e Italisë”. Apo,
edhe mjeshtërisht tek “Atdheu tjetër”. Tek të gjitha
krijimet e Myrtaj, në fakt e shprehura dhe fjala ngjajnë si një plotësim i
njëra tjetrës, aspak tekanjoze më njëra-tjetrën dhe tepër tipike, tepër Farukiane.
Këtë e pranon vetë autori: “Po, është
e vërtetë, “Nudo Zyrtare” ka qenë dukja ime e parë serioze. Jo se ndjehem i
pakënaqur me tregimet e mia të periudhës së minierës, jo”. Dhe këtu ndoshta
fjala ‘pakënaqësi’ lidhet edhe me pikëlidhjet e vjetra, ajo natyrshëm ruan
lidhjen model shkrimtar-lexues dhe ndjehet krenare edhe pse sinqeritetiti i
Myrtajt shpjegon: “Ka lexues dhe shkrimtarë që më mbajnë prej atyre mbresave.
Për mua ka qenë përcaktuese periudha 5 vjeçare e punës nëntokë, në Selenicë të Vlorës. Në një kuptim, u jam
falenderues njollave në biografi, që m'i përdorën për të mos më lejuar të
ndiqja shkollën e lartë. Thuajse u mbylla në shtëpi-punë, dhe nisa të mendoja
për botën pa mua. Edhe pse dija pak për
të, më pak akoma për letrat e mëdha dhe shkrimtarët, por them se mos-dija është shkak parësor që na bën të
kërkojmë”.
Autori kompleks i letrave shqipe ndjehet
modest, por edhe pse i tillë, ai zbulon vlerat e rrëmbimeve dhe frymëzimeve
poetike: “Vjershat që shkruaja asokohe natyrisht më dukeshin të bukura, librin
e parë e botova me to, por shpejt duhet të pranoja se poeti ishte provizor tek unë: ishte shfaqur vetëm sa për të më
joshur. Tek tjetërkush do përfundoja! Në të vërtetë proza nuk e përjashton
poezinë tek kurmi i saj: njëlloj si gratë
e mira që nuk na i marrin për të keq kur, me to në krah, syri na rrëmbehet tek
ndonjë femër e bukur që është fati i dikujt tjetër!”
Dhe pikërisht aty ku ndërton themelet
jeta nis dhe kastracioni njërëzor, nis avazi i mallkimit. Një dritare… Një
shtëpi… Një vatër që i mungon kryeburrit, të zotit të shtëpisë. Dhe këtu
sintaksa godet dyfish. Godet me figurën letrare të huazuar nga fqinja e saj
‘letërsi’ dhe rigodet me fshesën ironike tejet të goditur popullore. Natyrshëm
ajo mirëpritet teksa pena dhe ideja e Farukut sjedh me domëthënie një bagazh të
lehtë për t’u kuptuar: “Koha
e shkurtër e qëndrimit në një nga vendbanimet e përkohshme, ndërpritej bashkë
me njohjet e reja që kurrë nuk arrinin të bëheshin të vjetra. Më së fundi,
ngaqë ishte verë, ishim vendosur në një qëndër zjarri të madhe, një nga ata
bunkerët e artilerisë së rëndë, që pushteti i kaluar besonte se do ta përdorte
në rast sulmi të njëkohshëm të dy superfuqive.
Më kujtohet mirë dita kur e braktisëm bunkerin.
Ikëm prej andej si prej një lufte, për të mos u kthyer më kurrë atje, nëse nuk
quhen kthim kujtimet për të. Nëna kishte ardhur për të na marrë, mua, vëllanë
tjetër dhe motrën, më e madhja mes nesh, që ishim në shkollë. Atje jashtë, në
rrugë, priste babai. Na përqafoi të dyve, përqafoi edhe mamanë dhe pastaj
përsëri ne të dyve. Motra e madhe nuk ia ndante sytë. Mos kishte kthyer ndonjë
gotë babai?! I pashë me lotë sytë e babait. Vështrova nga mamaja. Kuptova se
kishte ndodhur diçka e mirë, gjersa ajo nuk i fshehu lotët prej nesh.
“I kanë dhuruar një shtëpi...”, na tha mamaja me
zë të ulët…”
Dhe ndërsa “Dritarja e Fundit” hapet ashtu metaforike, ashtu fuqishëm
artistikisht ajo zbret dhe plotëson dëshirat e lexuesit që përhumbet në këtë
mrekulli letrare. Thuajse me një gjuhë të ngjashme dhe tepër tërheqëse
pikëtakohet edhe tregimi:“Autobuzi i datës 1”. Autori seleksionon mënyrën komunikuese letrare dhe
paraqet një pesazh që gati të mbërthen që në hyrje: “Ditën e parë të çdo
muaji, Sherafi i gjatë, me supet paksa të rëna, gjithnjë i veshur me sqimë dhe
buzëgaz, duket tek sheshi në qendër. Është e vetmja ditë e muajit me autobuz të
ardhur nga kryeqyteti. Kësaj dite ‘S’ është qytet-thi më i çuditshëm në botë. E
vetmja ditë ndryshe e tij. Ditëve të tjera ai harrohet pas halleve të veta të
vogla dhe llafeve për botën e madhe.
Klubi ku dehen minatorët, skuadra e futbollit të kategorisë së tretë,
hoteli ku thuajse s’bujt askush, kinemaja ku filmat lajmërohen gjithnjë si të
rinj për shkak të ndryshimit të titujve, muzeu ku drejtori që është edhe
ciceron përsërit tërë entusiazmë se e
ardhmja nis tek e shkuara, gjithçka shoqërohet nga mbiemërori “Minatori”.
Njerëzit ushqehen nga miniera, aty punojnë tërë burrat, deri sa dalin në
pension ose deri ditën kur pësojnë ndonjë aksident nën tokë. Në hyrje dhe në
qendër të qytetthit është vendosur i njëjti bust, Busti i Minatorit, dhe ...
edhe VC-ja publike quhet “VC Minatori”…”
Por gjuha seleksionuese e Myrtajt i
përshtatet edhe kohës, pikërisht tamam ashtu si edhe karakteret e tij të
gjinisë femërore përshtaten. Pikërisht si “Bermuda” manaxhon bukurinë e saj.
Këtu ajo që natyrshëm të bën të përhumbesh, nuk është thjesht bota femërore e
karaktereve, por figura e përsosur që i paraqet ato nën modelin Farukian të
prozërimit shqip. Aty natyrshëm rrjedha e lojës prozatorike kalon në rregulla
të detajuara: “Secila prej
femrave të tjera në këtë qytet do ta dëshironte këtë gjë, por asnjera nuk
guxoi.
Mbase pikërisht kjo pafuqi, kujdesi ynë për të mos
rrezikuar, bindja e shfaqur si urtësi dhe mirësjellje nga ana jonë, e pati
shtyrë Gridën drejt atij veprimi të guximshëm, që fillimisht mund të dukej si gjest
kryeneç. Në të vërtetë, shkurtimi me dy tri gishtrinj i fustanit, po të
krahasohet me minifundet e sotme, me fundet deri në ije të çarë, me zbulimin e
kërthizës së barkut, për të mos kujtuar pastaj pothuaj-nudot, ishte një ndryshim fare i vogël, një gjest aq
i papërfillshëm sa, tani, pas disa vitesh nga ajo mbrëmje, tingëllon si diçka
për të qeshur. Tashmë, jo vetëm bukuria natyrore që nuk ka pse fshihet më por,
me njëqind mënyra, me njëmijë mjete, ç’nuk bëhet që të ajo të shfaqet edhe atje
ku s’është.” Ndoshta kjo është ‘Bota Internetike’ dhe
Shqipëria narrative, ajo që na bën ta ndjejmë afër dhe larg njëri-tjetrin mes
letrave. Aty ku fjala rikthehet e pasur.
Fjala
‘rikthehet’ e pasur
Dhe kur kalon përsëri aty ku ti ke pikasur ‘pikën e
dobët’ edhe autori e ndjen arritjen e tij padyshim “Nudo Zyrtare” është
tjetra për t’u shprehur. Autori shprehet: “Nudo Zyrtare” është libri i shkruar
shumë shpejt. Ishin bërë disa vite duke
rënduar pas jetës, gazetave ku kam punuar, një jetë të tjetërt në
Tiranën e lehtësuar nga hija direkte e izolimit, dhe shënimet që mbaja po
ma merrnin frymën. Punoja në Ministrinë
e Kulturës, që pjesë e shtetit ishte, por jeta që kisha bërë nuk më linte ta
doja as edhe këtë variant shteti. Miku yt dhe
imi, Lazër Stani, deri edhe së fundi ka përsëritur se “FM është armiku
i Shtetit”! Në një kuptim po, gjersa
shteti ende nuk është bërë Shtet,
guvernator, qeverisës. Realisht unë nuk ndjehem dot mirë me qeveritë,
jo vetëm në Tiranë, por me ato në Tiranë
ca më shumë!” Kështu natyrshëm është proza e Myrtajt që ndjehet mirë, është “Nudo
Zyrtare”, se tek e fundit ç’është jotja mbetet jotja në ekonominë e
“Lekut”, e pse jo edhe të ekonomisë së “Letrës” për shkrimtarin…, poetin,
artistin.
Pra natyrshëm fjala rikthehet e pasur
te “Nudo
Zyrtare”, aty ku autori thotë hapur: “Nudo nuk doli keq, fitoi edhe
çmimin si libri më i mirë i vitit (atëherë
nuk kishin dalë në qarkullim pendat e arta!). Vitin e kaluar, teksa
gugloja emrin tim për të rejat e fundit në
internet, vura se ribotimin e tij në Shkup! Për të mirë ishte nisur, i
dërgova falenderimet,ishte shenjë pozitive për autorin, por a nuk duhej të më njoftonte botuesi Halil Zendeli? Bëra
sikur u zemërova me të, por realisht urova që të më ndodhte kjo edhe me librat e tjerë!”
Gjithësesi njeriu i letrave e thotë
hapur ndjesinë e tij, e shpreh qartë dhe kuptueshëm. Planet kanë ikur dhe
veprat kanë mbërritur: “vjet, me një parathënie të të pandreqshmit Stani,
botova “Hijet e Virgjëreshave”, tek
Arbëria e Abaz Veizit. Një botues, një shkrimtar i veçantë por ende i panjohur, për mua një mik
e dashamirës që, në një shkrim esse të
gjatë, është shprehur aq superlativ për mua sa nuk do të më mjaftoj jeta për ta justifikuar!” Dhe ne
bashkohemi me esenë e Veizit, të palexuar deri më tash, për të thënë ndoshta
atë që ne ndiem për veprën e Faruk Myrtajt, tregimin e tij tingëllues bukur
shqip edhe në gjuhë të tjera… ‘Bota Internetike’ dhe Shqipëria narrative qasen
këtu dhe në emër të korsives, italikes së determinuar të fjalëqaset mes filozofisë
e mesazhit.
Në emër të ‘korsives’
Në një botë njërëzore ku privatja duket tashmë një
diskutim, edhe më shumë hamendësi mbesin tek gruppyetësori “në është apo
ekziston ndonjë gjë private?” (Nitzche). Thjesht pronë e jotja! Ajo pronë të
cilën publiku s’ka të drejtë të ta ‘dhunojë’, askush të ta njohë. Vërtet a ka
ndonjë ‘personale’ qoftë kjo, dhe jo ‘shumë private’ të konsiderohet si e
tillë? Në teorinë filozofike të Niçes, po aq edhe në mendimin e tij një gjë e
tillë shmanget nën gërma korsive, të cilën vetëm një letërsi me këmbë të
shëndosha e figuron maturisht. Dhe një letërsi e tillë me ‘këmbët e Niçes’ ka
edhe stacionin e dëshiruar. Rrugës drejt këtij stacioni ku korsivja gjen
simbolikën, të gjitha përipecitë njërëzore, janë njërëzore, por jo historikisht
‘personale’ dhe jo mundësisht private. Nuk janë të tilla edhe në lidhje me
ëndërrshuarjen njërëzore; ‘vdekjen’, kur ajo ndodh realisht dhe jo ashtu ku
Reso Pajtimi, ‘banori i Pallatit të Beqarëve’ vdes nën gërmat korsive të Faruk
Myrtajt e “Nudo Zyrtare”. Në këtë tregim dy rrugë prezantojnë simbolikën e
fjalës korsive. Njëra konsiston në marrjen në konsideratë të problematikës së
emërtimeve me tipiken e kohës në mes, “Pallati i Beqarëve”, [edhe pse shumica
ishin baballarë me disa fëmijë: shënimi im], dhe tjetra me riskimin e shikimit
të emrit ‘shok’, ‘vëlla’ apo thjesht ‘banori ynë’ nën metafizikën e një keopsi
dukurikërkues në një lëmsh të trazuar e tepër ‘korsiv’ që ngjet vetëm në
teorinë e mendimtarit Nitzche (Niçe). Ne e dimë se çfarë Niçja riskon në këtë
respekt. Emrat dhe emërtimet mund të konstituohen në anën e largët të ‘jetës’
së karakterit, marrë nga një pikë avantazhi për të ardhmen e botës së tij,
nëpërmjet një afirmimi të ‘vazhdimësisë’. Dhe prapë aty ku ky derivat kritik
anëson tërësoren ‘personalja’ rikthehet si pjesë e komentueshme, madje humor-lexuese
në shtjellën problematike të njeriut që e përcjell atë me përditësinë e tij. A
nuk tingëllon e ngjashme kthesa letrare e Myrtajt në ecurinë e tregimit në
fjalë, kur thotë në vetën e parë dhe në gjuhën e të ardhurit të parë të
qytetarëve, për nga rradha dhe jo nga numri: “Ku e gjeti që më vdiq mua ky
mavri!” Dhe këtu mungon retorika, se retorika me të vdekurin, po aq me të
pranishmit e gjallë, ‘por të vdekur’ se s’ka si të jenë ndryshe në kohën e
“Pallatit të Beqarëve”, ku Reso ka kusuret dhe llogaritë e veta, nuk shkon as
edhe për arsye gjuhësore dhe as për norma të tjera të përafërta, që i sjell
‘vështrimi i [gjysëm] të vdekurve të pranishëm.
Në këtë mes retorika e Myrtajt ka vetëm një arsye,
një arsye që shënon aksidentin e pikëpyetur, aksidentin që në fakt kurrë nuk ka
ndodhur, por që u hamendësua si i ndodhur. I hamendësuar i tillë se edhe vdekja
e tjetrit kushton, se edhe ajo hyn në llogarinë e ‘të ardhurit të parë’. Vdekja
e tjetrit shton fjalitë korsive të Myrtajt, teksa 250 lekëshi i Resos ‘nuk
mundi ta shtynte vdekjen së paku deri në mesditën tjetër”. Dhe sikur të mos
mjaftonte llogaria e 250 lekëshit të Resos, që edhe për hir të trukeve ‘te
xhami i dollapit në dhomën 303 të Pallatit të Beqarëve” del figuracioni i
goditur aritmetik që Myrtaj e sjell për llogari të kohës që jeton i gjithë ai
nocion i grumbullit rreth të vdekurit, duke mos harruar edhe Akim Rolin dhe
borxhin e tij që id ha shansin të jetë ‘një privilegj për shkak të borxhit të
papaguar dhe të ulet në vendin e njeriut të familjes pranë të vdekurit, në një
‘varrim pa lot’. Madje në një varrim ku Myrtaj ligjëron metaforikisht
‘buzëqeshje të shkrirë te gjithë përcjellësit”.
Në fund korsivja e fjalës mbyllëse të tregimit të Myrtajt flet më shumë:
“Sikur Reso Pajtimi të ishte gjallë. Mbase pikërisht për këtë Akim Roli
shpresonte se një ditë borxhi do t’i shlyhej. Qoftë edhe duke e harruar atë.”
Këndi ku ngrihet
Myrtaj
Nuk e di pse më erdhën ndër mend disa emra kur nisa të
shkruaj për shkrimtarin shqiptar Faruk Myrtaj. Janë dhjetra që më qarkulluan
ndër mendje: Nasi Lera, Betim Muço, Zija Çela, Teodor Laço, Kiço Blushi, Lazër
Stani, Agron Tufa, Ramiz Gjini, Halil Jaçellari, Roland Gjozaj, Teodor Keko,
Ilirian Zhupa, Rudolf Marku, Ardian Kyçyku, Thani Naqo, e mjaft të tjerë. Nuk e
di vërtet pse më pas u ndala tek “Sytë e
Dashurisë” të Nasi Lerës, “Në Bregenc
Nuk Shkohet për të Vdekur” të Lazër Stanit dhe “Nesër është e Diel” të Halil Jaçellarit. Diku ndoshta nuhata mes
larmisë leksikore një nuancë disi pikëlidhjeje që më transportoi mendimin
gjetkë, pikërisht aty ku një bisedë me një kolegen time të Universitetit të
Roehamptonit në Londër më bëri të thelloj kërkimet dhe të nis të shkruaj për
këtë temë që prej kohësh në fakt më pati intriguar. Kështu duke kërkuar dhe
vazhduar kërkimet e mia gjeta tregimet e përkthyera në gjuhën angleze të Faruk
Myrtajt nga Përparim Kapllani dhe Arben Kallamata, që menjëherë më tingëlluan
ndryshe dhe gati-gati më bënë t’i rilexoj e pse t’a fsheh t’i rilexoj gati
dy-tre herë. Dhe të them natyrshëm ky rilexim nuk ka të bëjë aspak me ‘sfidat e
dygjuhësisë që Ardian Vehbiu e shpreh në intervistën e Endrit Trebickës, edhe
pse ato si të tilla të pamohueshme vetë Vehbiu i quan ‘të përballueshme’. Ajo
që më pas unë kuptova ishte në fakt një problem tjetër: Tregimet e Faruk
Myrtajt flisnin shumë bukur ‘shqip’ edhe në Gjuhën Angleze. Dhe pikërisht këtu
unë u ndala dhe i afrova koleges simë një tufë nga vëllimi me tregime i Faruk
Myrtajt “Hijet e Virgjëreshave’. Një prej tregimeve përkthyer nga
Kallamata “Dritarja e Fundit” (The Last Window) kishte mbërthyer më së shumti
kolegen time Maxine Neëlands, që është edhe Lektore në School of Social
Sciences, Media and Cultural Studies në University of East London. Ajo që në
fakt biseda miqësore me të më ngacmoi ishte pikërisht kjo punë e mirë e
përkthimit, për të sjellur në anglisht ato vlera ende të fshehura të tregimit
shqip. Ato natyrshëm janë shumë dhe kanë vlera të papërsëritshme. Për rastin
konkret tregimi i piketuar i Myrtajt shërbeu si një model vlerësimi dhe
rimburësimi për këtë mungesë të madhe në tregun e tregimit. Natyrshëm ky ishte
problemi, më tha Neëlands, por ajo që më bëri të pëlqej tregimet e Myrtajt
ishte diçka ndryshe, mënyra e renditjes së frymëzimit, një frymëzim tipik
tregues dhe tërheqës. Duke pikasur këtë vlerësim dhe duke u mbushur me krenari
për tregimtarin shqiptar, vendosa të shoh më tej krijimtarinë e tij që tashmë
kishte filluar të tërhiqte sadopak edhe lexuesit në gjuhën angleze, siç e
tregonte edhe fakti i tregimeve të përkthyera nga autorë të ndryshëm e të
sjella për lexuesin e gjuhës së huaj në mënyrë të përsosur.
Të përkthesh tregimet e tjetrit
natyrshëm do të thotë se ato kanë ngjallur interes. Interesi për to ka qenë që
në botimin e parë të tij në poezi “Dielli i nëntokës” (The sun of the underground)
(1985) të cilin e botoi në Tiranë dhe ishte thuajse një frymëzim që krehu
imagjinatën e tij të trazuar të punës në nëntokën e Selenicës. Pastaj botimi
tjetër në poezi “Rroba e fjalëve gjithnjë ngushtë më rri” (The cloth of ëords
always is tight on me) (1991), që e bëri të linte gati përgjithmonë këtë zhanër
dhe të niste rrugën e tij ku spikat më tepër. Ai nisi me “Njërëz që unë kam
njohur” (1987), “Marrëveshje për të jetuar” (Deal for life) (1989), Nudo
Zyrtare (1996), “Njerëzit janë tepër” (The People are unnecessary) (2000),
“Njerëzit janë tepër” (The People are unnecessary) 2000, Shkup, Macedonia,
“Luftëtarët vriten në paqe” (Warriors get killed in peace) 2003, Pristina,
Kosove, “Nudo Zyrtare", (ripublished-ribotuar), 2006, Shkup, Macedonia,
“Hijet e Virgjereshave", (The Virgins Shadows), 2006, Tirana, Albania.
Novela “Qyteti i Ministrave” (The City of Ministers) (1998) e shkruara nga
Faruk myrtaj padyshim më pas krijoi edhe brumin e tij të veçantë që kishte
nisur të vlonte me vëllimin “Nudo Zyrtare”.
E gjetëm
“Atdhe-un tjetër”
(Një roman me të gjitha ‘gjërat’ filozofike me vete, për
veten, Tjetrin, për të gjithë)
Në kuptimin më të saktë filozofik “Atdheu” është kombi i
“baballarëve” të dikujt, “etërve” ose “patriarkëve”. Kjo fjalë mund të shihet
si një koncept nacionalist, aq sa lidhet mes kombeve. (Krahaso me atdheun dhe
dhelindjen [natyrshëm edhe mëmëdheu]) Ndërsa ‘mëmëdheu’ ka diçka më të thellë,
më të dallueshme edhe pse në gjuhën shqipe citohet si ‘dheu i nënës’.
Sidoqoftë, ende sot në gjuhën shqipe nuk ka një rregull të përkushtuar të
përdorimit të fjalëve ‘mëmëdhe’ dhe ‘atdhe’. Nuk ka dhe nuk përcaktohet pse.
Ndërsa vendet perëndimore kanë një tendencë më të madhe për të përdorur fjalën
‘atdhe’ edhe në gjuhën shqipe të paktën këto vitet e fundit, fjala ‘atdhe’ ka
marë peshë më të madhe se ajo që Çajupi i letrave e quante ‘Mëmëdhe quhet toka,
ku më ka rënë koka...”.
Duke kërkuar në Fjalorin “Enciklopedia
Britanike” për termin e “atdheut” lista shkon në rreth 50 vende, që mundësojnë
përdorimin gati ekuivalent të kësaj fjale. Dhe ndërsa listës me 50 shtetet në
afrimitet i renditet fjala kuptimëse, ajo që shihet disi më afër është mes dy
gjuhëve. Nuk e di pse fjala “Atdheu” në shqip është thuajse një përshtatje disi
afrime me konceptin e saj sinonim në gjuhën irlandeze që citohet “Athartha”,
por di se të dy gjuhët e kanë këtë fjalë të pa huazuar, ose të formëzuar në
afëri. Kështu gjeografia e ‘atdheut’ nuk përcakton as edhe pozitën, jug,
perëndim apo edhe lindje, veri. Ajo mbetet një fjalë që zgjon mjaft enigma në
brendësi dhe në funksion të saj. Edhe pse në historinë tonë, ndikimi ka qenë
edhe më herët me historitë romake dhe bizante, fjala latinisht për ‘atdheun’,
‘patria’ nuk ka lënë shenjë të madhe. As edhe nga grekët e nga sllavët nuk ka
ndonjë shenjë. E vetmja qëndron me kuptimin e saj sinonim, ‘mëmëdhe’. Atdheu në
gjuhën shqipe funksion më herët, jo vetëm në ardhjet poetike të kohërave, as
edhe vetëm në citimet dhe shkrimet me rilindasit, por më herët në historinë
ilire dhe arbëreshe. ‘Mëmëdheu’ i përdorur vonë, jo ai mëmëdhe poetik, por ai
që erdhi dhe ndikoi pas 1917-ës, me “Ruskaja Matushka” të cilin natyrshëm e
shoh edhe sot si një koncept të ‘nënë nënëdheu’ ka krijuar dyzime tek vetë
‘mëmëdheu’ origjinal shqiptar. Sot edhe më fanatikët rusë, pra vetë rusët nuk e
konceptojnë më njësoj atë. Pra vetë ata kanë syrgjynosur ngjyresat e shumta,
ato që fundosnin njeriun për hir të moralit apokratik. Dheu i jetës, sido që të
ngjyrohet është nocioni tjetër me njeriun e dashuruar pas tij, është vetë lidhja
dhe filozofia e jetës. Në kohërat që pasojmë zgjedhja varet dhe do të varet nga
konotacioni i kërkuar nga vetë ‘autori-njeri’ në një kontekst të veçantë.
Atdheu sugjeron qeverinë dhe rendin. Atdheu ndërlidh lindjen dhe vetë atë
rilindje ku je edukuar. Fatos Arapi në një nga poezitë e tij citon se “Atdheu
s’është sa sedilja e makinës tënde/sa karrigia e zyrës/sa dhoma komode/a më
dëgjon/ti që flamur të ri u gdhive në mëngjes/ për ta ndryshuar, ndoshta, prapë
në mbrëmje?” Pra ai është vetë koncepti dhe konceptimi.
‘Mëmëdheu’ intrigon. Intrigon mes fjalës. Dhe, fjala
‘atdheu’ mban ngjyresa të shumta. Këto ngjyresa i sqaron më së miri pena dhe
filozofia e një gjuhe të veçantë, tek “Atdhe tjetër”, autori i këtij libri të
shkruar dhe konceptuar thellë, shkrimtari Faruk Myrtaj. Po ç’është në fakt
‘Atdhé tjetër?
Nga, dhe tek
romani me ‘Atdhé tjetër’
Romani ‘Atdhé tjetër nuk është thjesht një premtim të
cilin Myrtaj e pati shtruar (jo premtuar) kur shkruajti ‘në vend të një
autobiografie’: “Tek unë, gjithnjë, kanë plotësuar njeri tjetrin krijuesi me
gazetarin. ... Të shkruarat janë natyra e sinqertë e krijuesit: Kurrë nuk jam
shquar për inisiativë, pragmatizmi im është pothuaj Zero...Sikur të mos
mjaftonin këto, më 3 nëntor 2003 u nisa për mërgim të largët. Ngaqë u binda se
nuk i ndihmoja dot në Atdheun tim, u ofrova fëmijëve një Atdhe tjetër. Së paku,
këtu ku jemi, në Kanada, shpresoj të mos i pengojnë, siç u ndodhi prindërve të
tyre...”. Romani është pikërisht rruga që hapi Myrtaj fill pas viteve 90-të në
mesin e letrave shqipe. Jo më kot poeti Andi Meçaj, një djalë tejet i
talentuar, në truallin e ‘atdheut’ të shkrimtari Hyqmet Meçaj, një emër tjetër
i shquar i letrave shqipe, shprehet hapur “Faruk Myrtaj është njeri prej
shkrimtarëve të sotëm shqiptarë që veçohet për frymën e re që solli, sidomos në
prozën e viteve pas nëntëddhjetës.” Dhe në këtë rrugë romani “Atdhe tjetër” ka
shumë për të folur. Flet me stilin, gjuhën e veçantë, kthinën e saj
semantiko-filozofike, fine dhe tejet toske e ‘rafinuar’ do të shprehej botuesi
i romanit të tij, poeti dhe botuesi i ‘Milosao’-s Agim Mato.
Në këtë ‘nga dhe tek romani’ duket se
zë vend edhe logjika e një rruge të paralajmëruar. Asaj rruge në të cilën lindi
libri i parë me vjersha, “Dielli i Nëntokës” (1985). Dhe për autorin e tij,
‘nuk është tjetër veçse një llagëm ku ndjehem ngushtë, por edhe i
paralajmëruar, bashkë me ta. Qytetërimi kurrë s’ka për ta respektuar Njeriun,
përderisa e shtynë atë të rrezikohet në dhè. E çfarë pastaj se këtë, më duket,
e ka shkruar ideatori i komunizmit antinjerëzor, V.I.Lenini?!”
Lidhja me ‘dheun’ e ka kërrusur që në
vitin 1978 ku imazhi i ‘Një fotografije të fillimvitit 1978-të, mes njerëzve të
nëntokës, i është bërë kambanë që bje papushim’. Dhe ai ‘dhe’ i pjesëtuar në
vdekje, pa parashtesën ‘at’; ose të hequr nga ata që të bënin ‘zap’ rishtroi
fate njerëzish që autori i kujton: “disa prej tyre u aksidentuan me vdekje qysh
sa isha unë atje, të tjerët sëmureshin të djelave të pushimit ose kur gjatën
lejeve të zakonshme; ata që dilnin në pension vdisnin shpejt. Nuk e donin
nëntokën, por u ishin shndërruar jetët funksion i saj...” Edhe ajo tokë ishte
pjesë e At-dheut..., sidoqoftë edhe ‘mëmëdheut’, edhe ajo ishte bartësja që do
të hapte plagë të tjera semantike për ‘Atdhé tjetër...
Ecje apo ‘fluturim’?
Koha, hapësira dhe vendi janë filozofia e dallueshme
lehtë në roman. Gjuha me të cilën ndërtohet kjo trio filozofike është ana
dalluese. Romani nis me një tren. Nis me një kuotim. Një paragraf ku citohet
“Më kish ndodhur të udhëtoja dendur me
atë tren lokal, isha mësuar me të,
s’kish pse të më dukej i çuditshëm.
I çuditshëm më ngjante vetëm pasi dikush, që vizitoi vendlindjen time,
vërejti se ky tren ecte aq ngadalë sa mund të zbrisje prej vagonit të fundit,
të ndizje cigarin te një këmbësor dhe të hipje sërish në të...” Dhe ti e kupton
se ku je. Je pikërisht aty ku ngadalë hapet dhe funksionon ‘magjia’ e gjërave.
Gjërave për të cilat Heidegger do të shprehej gati me një ton tipik të
bashkëngjitur me ‘atdheun’ e këtyre gjërave. Gjërave që kanë filozofinë e tyre.
Të veçantën që e hasim sa tek kapja mes emrave të cilët gatuajnë vlerat dhe
ngjarjet, aq edhe tek filozofia që sjell homonimet dhe paralelet, pikërisht aty
ku del Danteja, Koperfildi, Herta Muller, Orhan Pamuku apo edhe projekti për
një atdhe tjetër.
Si i tillë romani është një udhëtim i
pandalshëm. Ndërsa treni i autorit në fillesën e tij është aq i ngadaltë,
udhëtimi i prozës dhe filozofisë së shkrimtarit është rrufe që shfaqet e
zhduket enkas. Nxjerr ‘flakën’ e saj vetëtimë dhe gjëmon diku larg për të
gjetur ‘ambasadat’ apo edhe ‘Njeriu që humbiste republikat’. Dhe në këtë
shpejtësi ‘maramendëse’ por të shtruar mirë në orbitën e saj lëvizëse,
shkrimtari që e di mirë se ‘nga vetja nuk iket’ lë pas ‘orët e së shkuarës’ dhe
diku rrëmon tek ‘Jetët imitojnë të shkruarat’. Në këto ndalesa të thekëta
filozofike, ‘Atdhé tjetër bëhet një model që të jep shpirt nga jeta e tij, të
bën për vete, të garanton atë që ti e kërkon, pa ditur se nga të vjen. Ky është
nocioni me të cilin fjalia mund fjalën dhe fjala merr në dorë artin e së
bukurës. E bukura e fjalës është ngado, por mjafton të citohet “Ndryshimi
qëndronte se prej avionit nuk mund të dilja, të ndizja një cigar me ndokënd dhe
të kthehesha sërish në të. Por ky ndryshim s’ishte i vetëm. Në trenin dikur,
ndonëse i qetë si në vendlindje, s’e dija kordinatën e ndodhjes në botë, kurse
në avion mund të kqyrja edhe rrugën që po bëja përqark saj...” Është rastësi
kjo filozofi e pastër dhe kjo gjuhë kaq e thjeshtë, por tipike? Jo ndiqni edhe
këtë shkëputje tjetër: “Kur vonohemi gjer në ardhjen tjetër, ndodh që ronitet
dheu i bardhë. Babai mbase është ngritur
për të parë për ne, të mërguarit. Sa herë kemi hall, vjen e na shfaqet në
ëndërr. Si për të na kujtuar se kudo duhet duruar, se ikja kthim i papushimtë
është. Siç edhe kthimi vdekur, pamundësi ikje përgjithnjë...Se, a thua është e
rastit që pikërisht të nesërmeve të ëndrrave tona, na bën telefon vëllai që
është ende atje, në vendlindje: Jam këtu..., thotë, dhe ne e dimë ku është. Ka
shkuar te vendi me dhè të bardhë, pastron ndonjë bar, duke i rrëfyer babait për
fëmijët tanë dhe për ne...”
Sinkron dhe
(a)sinkron
Në sinkron nuk janë pak personazhe. Ata shpesh s’kanë
emra të përveçëm, por janë të gjithë të përveçëm. Edhe atëherë kur Myrtaj i
quan ‘Në listën e ekzilistëve të famshëm’ apo edhe kur e citon produktin e të
ushqyerit ‘made-in-Albany Pizza’. Udhëtimi i tyre është fenomen tjetër. Humbin
dhe shfaqen nën ombrellën e strukjes, por truku magjik dhe prirja e veçantë për
të spiraluar në kohë, hapësirë dhe vend e bën jolinearitetin e zhdërvjelltë të
romanit një arsye më shumë për të prezantuar bukur fatin shqiptar në botën e
ngjeshur të letrave. Romani që mungon në këtë artkënd tipologjik flet më shumë
se sa mjaft ‘fiktivitete’ apo ‘fiksione’ barrierash të mbjella me kolona e
bedena thatanike shekujsh, më shumë se ‘drumet’ dhe ‘cyrlat’ apo ‘baritoret’ e
mbjella me saksi ferash në dhomat letrare atje, ku është ‘atdheu’ apo edhe ku
shfaqet ‘atdhe tjetër.
Në këtë roman ka njëmijë e një halle.
Aty është gjithkush, aty jemi ne, janë ata, janë të tjerët. Është vetja,
vetvetja, ai tjetri dhe Tjetri i madh, i papërkulshëm. I vdekshmi i pavdekshëm.
Është jeta, shkolla, gjuha, është edhe i humburi që s’e gjeti dhe nuk e gjen
veten. Është frymori dhe njeriu. Është vetë jeta. Si i tillë, i veçantë në
llojin e tij, romani ka ardhur në kohën e duhur, në kohën kur vetë ‘Atdhé
tjetër’ i bën nder çdo gjuhe, çdo atdheu real. Madje edhe atij në letër...
E veçanta,
tipikja dhe tipologjia
‘Atdhé tjetër’ tregon se Myrtaj është një shkrimtar me
gjuhë tipike. Dakordësia me këtë pikasje nuk vetëm pjesë e analizës sime, por
një realitet që sillet lehtë në vëmendje. Mjafton të shohësh disa fraza të
autorit në këtë roman. Shembujt janë shumë dhe prurja është racionale.
Shembulli i parë: “Si mund të bëhej fjalë për ikje, kur s’dihej për ku? Dhe si
mund të perceptohej ikja, kur endè s’dija ku isha? Ftesa s’kish të bënte me
ikjen në trenin e avashëm të provincës, as me avionin që prekte Grinuiçin dhe
rrotullohej në të kundërtën e planetit. Nuk kish asnjë grimcë energjie lidhëse
me ndonjë lloj ikje, ajo ndjehej mirë dhe mobiljet e dhomës ishin po ato.”
Autori është konstruktiv. Bindës dhe realist. Fjalori i
tij dhe fjala ‘ikje’ nuk është vetëm veprim. Folja në vetvete është filozofi.
Atëherë si duhet kuptuar shpejtësia në dy kohë, në variacion me ikjen e
njeriut? Në rastin konkret nga përshkrimet e përzgjedhjes, panoramikja është
brenda skutës së foljes. Ajo nuk i intereson lexuesit, as në aspektin e vendit
ku treni ecën me ngadalë, as edhe kur kap vijën meridiane të Grinuiçit. Folja
është edhe individuale. Kjo mund të provohet më lehtë akoma. Nga përshkrimet
panoramike të peisazhit të zgjedhjes së tij folja është bartëse në fjali
individuale.
Myrtaj kurrë nuk futet në detaje të
tregojë një kontakt master, por jep këndin nga ku kjo mjeshtëri mund të lexohet
e rilexohet gjatë. Kjo mund të provohet lehtë. Për shembull, në argumentim të
librit, aty nga ku merr edhe jetëlidhja me fabulën, syzhet (lexo F. Terziu:
Kritika Ndryshe: V. 1dhe 2) rëmon të shpjegojë në mënyrë të sqimtë: “Mund t’ua
kisha kërkuar edhe vetë shkresën zyrtare, me justifikimin se do duhej t’ua
tregoja familiarëve apo patriotëve të mi kur të interesoheshin, por jo vetëm
për pasaktësi në përdorjen e gjuhës, nuk e bëra këtë. Por, as atë ditë, as më
vonë, as sot e kësaj dite, s’do guxoj të rrëfej se pafjalëbindja ime kish vetëm
një shkak: imazhin tim për heronjtë e Kafkës.” (233) Është një stinë tjetër.
Njerëz të tjerë në frontin e ndjesisë dhe emocioneve tuaja. Botë tjetër? Skena
në vetvete është bindshëm dramatike - një nga momentet më dramatike, në fakt,
në letërsinë e këtij lloji, ku socialja dhe personalja janë arsye të
joperceptimit. Njeriu nuk percepton dot njeriun, dhe për njeriun, (këtu s’dihet
se kush) ajo përballje mbetet thjesht një frymor.
Shumica e lexuesve në këtë pikë janë
kapur kështu mes vetes dhe rilexojnë vetveten. Proza në vetvete është
transparente. Dhe perceptimi varion. Në ndihmë të mjaft frazave Myrtaj përdor
një lupë argjendari për të parë jo thjesht lustracionin, por për të detajuar
plagët e materies. Çdo frazë e këtij romani përmban një ‘koleksion’ të plotë
perceptimesh të latuara në fraza të
paharrueshme, metafora origjinale, apo skena të përshkruara gjallërisht,
që mbesin gjatë në mendje. Romani i botuar nga “Milosao”, Sarandë, ka një
rrugëtim të hapur. Mes merakut të fjalës së përzgjedhur të shkrimtarit, merr
kryeneçësi edhe kjo udhë që kërkon vendin e saj, aty ku letrat shqipe s’e
pranojnë pluhurin. Ndërsa Myrtaj vazhdon të ndjekë me vëmendje udhën e tij
kafkaeske në stil dhe në vecori, duke vënë gurin meritor në letërsinë shqipe.
Edhe pse ‘ndasia’ torbëkrahi, ia kalon armatës ‘majëkrahi’ të ‘revolucionarëve’
jurikrijues dhe jurindërtues të shtetin shqiptar, ana cmim duket vetëm një
aneks i zgjerimit të kuzhinës ‘soc-plus-pas-realistike’ të ndërtuar me
kafeklane dhe me poza politeske. Ajo që kthen vëmendjen tek Myrtaj është stili,
gjuha dhe ana tjetër e duhur e shkrimit shqip. Vendi i ka takuar që në fillim.
No comments:
Post a Comment