VLERA TË VIZIONIT POETIK IDEALISTO-ALTRUIST TË MEHMET AKIF ERSOJ PËR AKTUALITETIN
E SHOQËRISË SHQIPTARE*[1]
Prof. Dr. Zyhdi Dervishi
Universiteti i Tiranës
Poeti Mehmet
Akif Ersoj u lind në Stamboll ndërmjet datave 22 nëntor dhe 20
dhjetor 1873. I ati i tij Tahir Efendiu ishte nga fshati Shushicë i Pejës
(Kosovë). Shumë vite ai ka punuar si myderris (mësues) në Medresenë “Fatih” dhe
ka ndikuar shumë në formimin intelektual, fetar dhe artistik të të birit.
Që
në vitet e shkollës së mesme (medrese) Mehmet Akifi filloi të shkruajë poezi,
të cilat u mirëpritën në rrethin e shokëve të shkollës dhe të mësuesve. Në
vitin 1893 përfundoi studimet e larta në fushë të veterinarisë. Për shumë vite
ka qenë nëpunës i niveleve të larta në strukturat drejtuese qendrore të
sektorit të veterinarisë të shtetit turk dhe ka punuar edhe si mësues. Ka
përkthyer mjaft artikuj e vepra të rëndësishme nga disa gjuhë të huaja në
turqishte. Duke qenë kundëreformist dhe idealist i kulluar, atdhetar i niveleve
më të epërme Mehmet Akif Ersoj ka qenë gjithnjë në ballë të lëvizjeve
avangardiste në fushën politike si deputet e drejtues shoqatash politike, në
fushën shoqërore si publicist e drejtues shoqërish kulturore, në fushën
artistike si poet etj. Ka botuar 7 vëllime me poezi, në të cilat trajtohen
problemet më të qenësishme të shoqërisë turke dhe të shoqërisë njerëzore në
tërësi. Universi poetik i Mehmet Akif Ersojt përcjell një fond mjaft të pasur mesazhesh
me vlera morale, psikokulturore e shoqërore të dobishme edhe për shoqërinë
shqiptare të ditëve tona, si dhe për mjaft shoqëri të tjera.
Në
fillim të vitit 1921 Mehmet Akif Ersoj shkroi poezinë “Marshi i pavarsisë”, të
projektuar si tekst i himnit të Republikës së Turqisë. Më 1 mars 1921 kjo poezi
u lexua në Kuvendi i Madh i Kombit Turk (parlamenti) dhe më 12 mars të atij
viti u miratua zyrtarisht si Himni Kombëtar i Republikës Turke, i
cili është “në fuqi” deri në ditët tona. Duke qenë idealist i formatit më
altruist nuk i mori honoraret prej 500 lirash, që në ato vite ishin një shumë
jo e vogël, dhe ai kishte shumë nevojë për to. Këto të holla ai ua dhuroi
“Shtëpisë së punës”, që u ofronte kualifikim dhe punësim grave dhe fëmijëve të
varfër muslimanë.
Mehmet Akif Ersaj u largua nga kjo jetë më 27
dhjetor 1936.
Në një poezi katërvargëshe format epitafi autoportret Mehmet Akif
Ersoj shkruan:
“Kur t’i hidhet dhé hijes sime prej
dheu që shëtit,
Herët a vonë ditët edhe nënborën do ta
fshijnë.
Të kujtohesh me mëshirë, është përjetësi,
megjithëkëtë,
Unë kam jetuar i heshtur, për mua kush do të
dijë?”
(Ersoj, M. A., 2009: 576)
Ky është modeli më modest edhe njëherazi më i fisëm, sa tokësor aq
edhe flu idealizmi i autoportretit. Përvoja historike shumëshekullore dëshmon
se kësisoj e portretizojnë veten poetët më të mëdhenj, më të virtytshëm dhe
besimtarë të vërtetë, ata që ikin nga kjo botë pa zhurmë, madje të
pavetëdijshëm për margaritarët poetikë e shpirtërorë që u lënë trashëgim
bashkëkohësve dhe pasardhësve në rrjedhën e disa brezave. Mehmet Akif Ersoj
shprehet se ka qenë i heshtur dhe të kuptuarit e tij është mëshirë, sepse ai ka
jetuar e krijuar si hije tokësore mbi dhe, nën borën bardhësi të virtyteve dhe
me fuqi të madhe rrezatimi edhe nën dhé. Nëse ne pasardhësit nga gjaku e
shpirti të Mehmet Akif Ersojt do t’i përkthenim në simbolikën e gjuhës sonë,
vetëperceptimet e tij do të thoshin: Ju përkujtojmë jo për mëshirë, por për një
buqetë vlerash artistike të rralla përherë avanguardiste (Crane, D., 1987:50)
që na dhuruat, për veprën tuaj poetiko-idealiste që na ndihmon të skanojmë
plagët sociopsikologjike të shoqërisë së ditëve tona dhe na ndriçon metodat dhe
“mekanizmat” për shërimin e tyre sa më shpejt dhe me sa më pak dhimbje.
Gati në përpjesëtim të drejtë me zhvillimin e industrisë në vendet më të
urbanizuara të Perëndimit është përhapur gjerësisht “epidemia sociale e
atomizimit” (Sciola, L., 1990:45), domethënë e rritjes së shkallës së
individualizimit të mënyrës së jetesës që shfaqet në jetë si pakësim i njerëzve
në ceremoni kolektive familjare ose fetare, gëzimesh ose hidhërimesh, si rritje
e numrit dhe e peshës specifike të njerëzve që jetojnë në vetmi etj.
Në fillim të viteve 1990, pas më se katër dhjetëvjeçarësh izolimi të
përshkallëzuar, edhe Republika e Shqipërisë u hap ndaj ndikimit të shoqërive të
tjera. Komunikimet e shumëllojshme të shoqërisë shqiptare, veçanërisht me ato
perëndimore më të industrializuara, u intensifikuan vrullshëm përmes arsimimit
e kualifikimit shkencor solid të disa mijëra studentëve, pedagogëve e
punonjësive shkencorë në programe universitare e mbiuniversitare në vendet
perëndimore më të përparuara në fusha të shkencave, përmes mediave të ndryshme,
veçanërisht nëpërmjet programeve televizive dhe të internetit etj. Kryesisht
përmes komunikimeve të tilla, nga shoqëritë e urbanizuara të Perëndimit
difuzuan në shoqërinë shqiptare jo vetëm vlera kulturore, dhe më së shumti
elemente të kulturës materialo-teknike, por edhe plagë sociale të ndryshme.
Ndër to edhe epidemia e atomizimit. Ky proces në shoqërinë shqiptare u përhap
me ritëm të përshpejtuar edhe si rrjedhojë e konflikteve të ashpra ndërmjet
prindërve dhe fëmijëve, ndërmjet vëllezërve, ndërmjet vëllezërve e motrave dhe
ndërmjet motrave, ndërmjet të afërmve dhe fqinjëve për shkak të gjallërimit të
mjaft mosmarrëveshjeve të mëparshme dhe sidomos nga konfliktet e krijuara pas
vitit 1990 nga padrejtësitë e shumëllojshme në privatizimin e objekteve të
ndryshme të pronave.
Ndryshe nga sa ndodhte në shoqërinë tradicionale shqiptare, përgjatë dy
dhjetëvjeçarëve të fundit ndër shqiptarët është rritur shkallë-shkallë numri i
ceremonive të hidhërimeve dhe sidomos të gëzimeve, në të cilat organizatori ka
të pranishëm miq, shokë e të njohur nga rrethe të ndryshme të hapësirës
shqiptare dhe nga shtete të tjerë, por në to mungojnë prindërit, vëllezërit e
motrat, përgjithësisht më të afërmit. Mungesa e njerëzve më të afërt në
ceremoni gëzimesh e hidhërimesh dhe në jetën e përditshme e shndërron shumicën
e njerëzve në vetmitarë të traumatizuar, qofshin këta besimtarë ose
jobesimtarë, i zhvesh ato nga emocionet e fisme dhe i shndërron në mumje
lëvizëse në llagëmet ose tunelet e errët të interesave vetjake, por pa botën e
fisme të emocioneve njerëzore. Duke stigmatizuar situata të tilla
sociopsikologjike në vitet e pjekurisë poetike, Mehmet Akif Ersoj shkroi një
poezi pesëvargëshe, e cila gjëmon si trombetë lufte kundër prirjes së njerëzve
për t’u vetëmbyllur në kështjellën e interesave të vogla meskine, në
kështjellën e egoizmit e, për rrjedhojë për t’u shndërruar në kufoma erërënda
të pakallura në dhé:
“Njeriun që adhuron vetëm statujën e
vetvetes
Nuk e dëgjoj edhe sikur gjithë ditën të rrijë
Zotin duke e lartësuar!
Unë vdes për hir të këtij idhulli të
mallkuar,
Kurse nga brenda kufomës së qelbur ende
lartësohet zëri:
Rroftë vetvetja ime e ëmbël, e dëshiruar!”
(Ersoj, M. A., 2009:599)
Në krijimtarinë poetike të Mehmet Akif Ersoj adhurimi i
besimtarëve për Allahun arsyetohet i lidhur ngushtë me përkushtimin altruist
ndaj të tjerëve, qofshin këta të afërm ose thjeshtë të njohur e deri të
panjohur. Vetëm duke ndihmuar të tjerët njeriu ngrihet në piedestalin e njeriut
në gjithë kuptimin e kësaj fjale. Dhe që të qëndrojnë në këto kuota të epërme
çdo njeri lipset të luftojë shumë vese në qenien e net. E ndër to veçanërisht
smirën. Tingëllon krejt aktual karakterizimi lakonik i Ersojt për smirën:
Sëmundja më e rëndë me
mjekimin më të vështirë
Është smira, smira, smira sëmundja smirë.
(Ersoj, M.A., 2009: 632)
Në universin poetik, teologjiko-filozofik ersojan smira
diagnostikohet si helm psikik shumë i rrezikshëm edhe sepse funksionon si
katalizator i përhapjes së plagëve të tjera sociopsikologjike, si mospranimi e
përçmimi i vlerave që krijojnë të tjerët, provokimi i konflikteve pa motive të
qenësishme, krijimi i një psikoze pesimizmi ose, siç thoshte një nga korifejtë
e letërsisë gjermane e botërore, Goethe, krijojnë një “psikozë të sëmurë
spitali” (1987:173). Dhe një situatë e tillë bëhet më problematike ngaqë mjaft
shqiptarë të profesioneve elitare, dhe sidomos politikanë, për të përballuar
trysninë e konflikteve me njëri-tjetrin, kërkojnë ndihmën e të huajve, të cilët
përfshihen në këtë rrjet konfliktimesh për të nxjerrë përftime maksimale për
veten e tyre. Vepra poetike e Ersojt përcjell një mesazh orientues edhe për të
tejkaluar situata socialpsikologjike kaq të tensionuara, një mesazh – klithmë
rënkimi: Shqiptarë jeni më pranë njëri-tjetrit se me të tjerët që nuk flasin
gjuhën e shpirtit tuaj në këtë “rrëmujë apokaliptike” (2009:236)
Duke qenë në shpirt fisnik i niveleve më të epërme, Ersoj e përfytyron
smirën si një natë që e kaplon së brendshmi njeriun, që ia tjetërson
rrënjësisht qenien, personalitetin, aq sa ai nuk njeh vetveten. Ai ishte jo
vetëm idealist i formatit më të kristaltë, por edhe një poet me shkallën më të
lartë të ndjeshmërisë dhe të përgjegjshmërisë për fatet e popullit të vet, për
fatet e njerëzimit. Një përgjegjshmëri e tillë shprehet artistikisht e
simbolikisht edhe nëpërmjet skanimit të plagëve sociopsikologjike të përthyera
në unin e tij poetik.
Ersoj shkruan:
Pamja ime e jashtme zbardhet në të
zbardhur, por ç’e do se si!
Mos pyesni fare për ç’kam brenda: Për faqe të
zezë!
Më bëri të kem turp nga vetja me të vërtetë
tani
Portreti im që mua s’më përngjet kurrsesi!
(Ersoj, M. A., 2009:581)
Një identikit i tillë, i tjetërsuar skajshëm nuk i përket Ersojt,
por shumicës dërrmuese të bashkëkohësve dhe të pasardhësve të tij. Dhe uni
poetik i Ersojt është një dëshmi autentike vetjake e asaj që nuk duhet të jetë
njeriu, është një protestë e gjithëfuqishme artistike kundër tjetërsimit të
personalitetit të çdo njeriu dhe në të gjithë rrethanat, sado sfiduese të jenë
ato.
Veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, në shumicën e vendeve më
të urbanizuara, është rritur me ritme të shpejta numri dhe koeficienti i
divorceve. Për të ilustruar këtë ide mjafton të pohojmë se në vitin 2015, ndër
10 vende që e kishin problem më shqetësues divorcin në botë si Belgjika,
Portugalia, Hungaria, Republika Çeke, Spanja, Luksemburgu, Estonia, Kuba,
Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, koeficienti i divorceve në raport
me martesat luhatej nga 53 për qind në 71 për qind (http://www.therichest.com/rich-list/world/worlds-10-most-divorced-nations/?view=all, 10.04.2015;
edhe përllogaritje të autorit). Në Belgjikë më shumë se 7 ndër 10 martesa
përfundojnë në divorc. Shtimi i numrit të divorceve është shoqëruar me rritjen
e numrit të familjeve me një prind. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara të
Amerikës në vitin 2015 rreth 25.9 për qind e fëmijëve nën 18 vjeç jetonin vetëm
me një prind. Rreth 66.4 për qind e familjeve me një prind ishin rrjedhojë e
divorcit (http://spacedoutscientist.com/2015/04/11/
single-parents-worldwide-statistics-and-trends/ 11.04.2015;
edhe përllogaritje të autorit). Afro 84 për qind e fëmijëve në familje me një
prind jetonin vetëm me nënën (Macionis, J., 2014:528). Përvoja e mjaft
shoqërive më të urbanizuara tregon se fëmijët që rriten, që shoqërizohen në
familje me një prind kanë më shumë probabilitet të bien në varfëri, të mos
arsimohen në nivele universitare e pasuniversitare dhe të përfshihen në sjellje
deviante e veprimtari kriminale të shumëllojshme deri te ato më të rëndat
kundër jetës së personit, si plagosje, vrasje etj.
Dukuri e prirje të tilla janë agravuar me ritme më të shpejta edhe në
shoqërinë shqiptare sidomos gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit. Në Republikën e
Shqipërisë numri i divorceve në vitin 2014 ishte 58.5 për qind më i lartë së në
vitin 1990. Gjatë këtyre viteve koeficienti i divorceve për 100 martesa u rrit
nga 9.2 më 17.8, pra afërsisht është dyfishuar (INSTAT, 2002:15; INSTAT,
2015:13, edhe përllogaritje të autorit). Ndonëse ende koeficientet e divorceve
në shoqërinë shqiptare janë më të ulët se në shoqëritë më të urbanizuara,
rrjedhojat e divorceve në realitetin shqiptar janë më problematike në shumë
aspekte. Në shumë raste divorcet janë shoqëruar me konflikte ndërmjet
familjarëve të bashkëshortëve të divorcuar, të cilat jo rrallë kanë degjeneruar
në dhunë, plagosje e deri vrasje; fëmijët e çifteve të divorcuar janë trafikuar
ose kanë qenë dhe janë më të rrezikuar të trafikohen për ushtrim prostitucioni,
për lypje deri edhe për t’u grabitur organe të caktuara për transplante; djemtë
e çifteve të divorcuar janë më të rrezikuar të përfshihen nga organizatat
mafioze në veprimtari kriminale, të shumëllojshme deri në vrasje etj. Media të
ndryshme emetojnë shumë dendur informacione për divorcet dhe sidomos për
rrjedhojat problematike të tyre. Po aq dendur na lipset të kujtojmë vargjet me
formatin e ilative shpirtërore, largpamëse të Mehmet Akif Ersoj: Ndër të tjera
ai ka shkruar:
Shih ç’thotë Pejgamberi për ata që
ndajnë gratë;
“Kur ndodh në botë një divorc, dridhen
qiejt”.
(Ersoj, M.A., 2009:223).
Dridhen qiejt dhe përjetojnë tërmet themelet e harmonisë në
familje, ndër anëtarët e fisit, madje edhe më gjerë. Këto dhe vargje të tjera
brilante të Mehmet Akif Ersoj për këtë problematikë mjaft të brishtë lipset të
frymëzojnë intensifikimin e përpjekjeve të shumanshme, të drejtpërdrejta e të
tërthorta, imediate e perspektive të strukturave sociale e politike, ekonomike
e fetare, arsimore e kulturore, për të kufizuar natyrshëm numrin e divorceve
dhe traumat e shqetësimet sociale që provokojnë ato.
Zhvillimet demokratike në shoqërinë shqiptare pastotalitare, që
nga fillimi i viteve 1990 deri në ditët tona, janë shoqëruar edhe me elemente
të anarkisë në mjaft fusha të veprimtarisë e të jetës shoqërore. Një profil më
pak i dukshëm, por thelbësisht më problematik, për të tanishmen, dhe sidomos
për të ardhmen është prirja e disa grupeve sociale dhe e strukturave politikë
dhe e organizatave jofitimprurëse për të eklipsuar punën e njerëzve të
ndershëm, idealistë, të aftë deri në përmasat e gjenialitetit dhe për të
mburrur si model modern të kohës identikitin e njeriut pragmatik, që dhunon çdo
normë morale e ligjore për t’u pasuruar sa më shumë dhe sa më shpejt. Një psikozë
e tillë po mënjanon shkallë-shkallë nga strukturat drejtuese më të aftët, më të
ndershmit e më vizionarët, për rrjedhojë dhe në mjaft sektorë zhvillimi është
penguar, madje ka pasur edhe regres. Duke qenë poet tribun, me përgjegjshmëri
maksimale ndaj fateve të njerëzimit Mehmet Akif Ersoj u kërkon të ndershmëve
dhe të aftëve të çajnë rrethimin e të paaftëve dhe të zullumqarëve të çfarë do
lloji dhe të vihen në ballë të parë të kësaj lufte pa armë dhe blindazhe, por
me sfida shumë të rënda, të dukshme, dhe më së shpeshti të padukshme. Ndër të
tjera ai shkruan dy vargje lapidare, të vlefshme për çdo kohë:
Edhe modestia e ka një kufi, njihe
veten se kush je!...
Kam frikë se modestia do t’i ngjasë
hipokrizisë!
Dili për zot, më në fund, gjenisë!...
(Ersoj, M. A., 2009: 607, 608)
Si zëdhënës i shpirtit të përparimit të popujve Ersoj urdhëron të
mençurit e të devotshmit (urdhrat e poetëve janë më fisnikët dhe më vizionarët
në këtë botë) t’u imponohen dallkaukëve e sharlatanëve të çdo kalibri, me
qëllim që të neutralizohet fuqia rrënimtare e tyre.
Përvoja historike dëshmon se çoroditjet anarkike kultivojnë
psikozën e pesimizmit ndër masa të mëdha njerëzish, çka atrofizon energjitë e
tyre krijuese, errëson perspektivën e përparimit. Në botëvështrimin poetik të
Ersojt psikozat pesimiste rilevohen me identikitin e krimit. Ndër të tjera ai
shkruan:
Si fytyra e kriminelit më të frikshëm,
pesimizmi s’qesh!
Meqë pesimizmi e idhujtaria janë njëlloj të
ulët,
Meqë për ty s’ka faj më të keq e të shëmtuar
se këto,
O njeri i besimit, mos e ndërro premtimin
hyjnor
Me disfatën, përpiqu, i vendosur puno;
Në u djegsh vetë, të paktën, të tbir mos e
përvëlo!
(Ersoj, M. A., 2009:205)
Ersoj ishte poet dhe personalitet i përkushtimit altruist ndaj të
tjerëve, ai vetësakrifikohej për të tjerët dhe përmes testamentit të tij poetik
u kërkonte bashkëkohësve që edhe ata të vetësakrifikoheshin për të mirën e
popullit, për përparimin dhe emancipimin e gjithanshëm të brezave të ardhshëm.
Tejkalimin e plagës psikosociale të pesimizmit dhe të idhujtarive të rreme të
çfarëdollojshme, përpjekjet e vendosura për të përballuar sfidat e disfatave në
rrugën e përparimit në koncesionin poetik të Ersojt rilevohen edhe si projektim
i vizionit hyjnor. Si poet besimplotë ai i alternon natyrshëm vizionet tokësore
me ato hyjnore.
Përvoja historike dëshmon se difuzimi i kulturave, përhapja e mjaft
elementeve nga njëri sistem kulturor te tjetri ka luajtur dhe vazhdon të luajë
rol gjithnjë më të rëndësishëm në zhvillimin e popujve, të qytetërimeve. Mirëpo
jo rrallë ka ndodhur që disa dukuri kulturore, mjaft të rëndësishme për mënyrën
e jetesës së një populli mund të trazojnë funksionimin e kulturës së jetesës të
një populli tjetër, nëse nuk harmonizohen natyrshëm me konstruksionin
shpirtëror të tij. Në disa krijime poetike të Mehmet Akif Ersoj shtjellohen
koncepsione teorike për të tejkaluar mospërputhjet, kontradiktat ndërmjet
kulturave të popujve të ndryshëm, sidomos të atyre që komunikojnë më
intensivisht me njëri-tjetrin. Ndër të tjera ai shkruan:
Merrni nga Perëndimi dijen, artin e tij
Dhe jepni përpjekjes suaj po atë shpejtësi....
Për të çarë me gjithçka në rrugën e
përparimit,
Udhëzues të keni “cilësinë e natyrës suaj
shpirtërore”,
Se pa të, shpresa për shpëtim është e kotë!
...
Prandaj, shpesh herë, ecja në gjurmët e një
populli tjetër
Pothuaj bëhet vetëvrasëse; pastaj pse? Çdo
popull
Ndjek në ecurinë e zhvillimit një tjetër
drejtim.
(Ersoj, M. A., 2009: 288, 286)
Këto vizione poetiko-filozofike të farkëtuara në vetëdijen me
kristale idealizmi të Ersojt janë të nevojshme për shoqërinë shqiptare të
ditëve tona, më shumë se kurrë më parë, me qëllim që të projektohen e të vihen
në funksionimin më efektivitet filtra ligjorë dhe sidomos etikë e
psikokulturorë që të pengojnë depërtimin ndër shqiptarë të mjaft plagëve
sociale të shoqërive të tjera, si rendja pas lojërave të fatit, përhapja e
prostitucionit dhe e bixhozit, rendja pas fitimeve marramendëse në kundërshtim
me çdo normë morale e ligjore, indiferentizmi ndaj njerëzve në nevojë etj.
Mehmet Akif Ersoj u përball gjithë jetën me sfida të rënda
ekonomike e politike, shoqërore dhe sidomos shpirtërore. Por ai asnjëherë nuk u
qorrolleps në mjegullën e hirtë të çoroditjeve të çdo lloji. Ai qe një luftëtar
stoik në frontin e dritës dhe për dritën e përparimit, të emancipimit të
shumanshëm të shoqërisë.
Kohët e shkuara, si re të zeza prapësie rreth
kësaj
Largohen e ikin një çast, madje, pa qëndruar.
E ardhmja, si një agim plot dritë të vërtetë,
Lind e derdh mbi të dritëra që s’kanë të
shuar.
...
Një shpërthim shendi është, agimin shumë e
dua;
Të dashur e shpirt e kam, është më e mira
kohë për mua.
(Ersoj, M. A., 2009: 107, 108)
Pra, optimizmi në optikën Mehmet Akif Ersojt është dritë që
ndriçon dritën për të ecur përpara, drita është dashuria e shpirtit të tij për
bashkëkohësit, për ne pasardhësit e tij, si dhe për brezat që do të vijnë.
Poeti Azem Shkreli ka shkruar:
Mësojeni kohën të mos i hajë të vetët
Ç’u shemb shëmtijet do ta ngrehin poetët.
(Shkreli, A., 1984:182)
Një karakterizim i tillë sintetik do të funksiononte më së miri si
skicëportret i dritshëm, pavdekësie për Mehmet Akif Ersoj, i cili i mësoi dhe i
mëson bashkëkohësit dhe pasardhësit, e mësoi kohën të sfidojë zvetënimet e veta
më të shëmtuara e më të sofistikuara, të ngrejë dinjitetin e vet në kuota
gjithnjë më të epërme.
LITERATURA KRYESORE
* Ersoj, Mehmet Akif: Fletët (Safahat/ vepra poetike e plotë) Botimet
“LOGOS-A”, Shkup, Prishtinë, Tiranë 2009.
* Crane, Diana: The
Transformation of the Avant-Garde, The University of Chicago Press,
Chicago and London, 1987.
* Cesares, I.; Sciola, L.; Besochi, E.; Giovannini, C.; Sani C.; Segoti,
P.; Pollini, G.; Mora, E.; Lombardini, M.; Vaccarini I.: “La Cultura dell’Italia Contemporanea”. (Transformazione
dei modeli di comportamento e identita sociale). Edizioni della Fondazione
Giovani Agnelli, Torino 1990.
* Instituti i Statistikës (INSTAT): Femra dhe meshkuj në Shqipëri 2006,
Tiranë 2006.
* Instituti i Statistikës (INSTAT): Vjetari Statistikor i Republikës së Shqipërisë 2010-2014,
Tiranë 2015.
* Macionis, John: Sociology, (Fifteen
Edition), Pearson, New
York 2014.
* Shkreli, Azem: Poezi,
Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1984.
* Wellek, René, Warren, Austin: Teoria e letërsisë, Botime “Onufri”, Tiranë 2007.
No comments:
Post a Comment