SHTATË DITË SAKRESTAN TË NJË ATEISTI
Qerim Skenderaj
1)NJË TAKIM I VËSHTIRË
Armen Kodra kishte katër vjet që jetonte në Itali. Punonte në të zezë, në një dyqan ambulant, i cili ishte pjesë e merkatos së qytetit prej një shekulli. Banonte në një apartament me qera pranë njërës nga kishat e qytetit. Një mëngjes, sapo doli nga shtëpia, u përball me Don Dinon, priftë kryesorë në kishën fqinje.
“Mirdita!”
“Mirëdita.”
“Si jeni?”
“Jo dhe aq keq; Ju?”
“Mjaft mirë!”
“Më bëhet qejfi.”
“Në se keni kohë, mund të pim një kafe së bashku?”
“Me shumë kënaqësi.”
“Bukur. Shkojmë në bar ‘kafe’ këtu afër.”
U sistemuan në tavolinë dhe secili bëri porosinë e tij. Armen Kodra porositi një kafe të dytë normale, sepse të parën e pinte në shtëpi që herët, sa ngrihej nga gjumi. Don Dino edhe ai, si çdo mëngjes, bëri porosinë e tij të zakonshme: një briosh dhe një capuçino.
Duke shijuar “porosinë”, secili në mënyrën e vetë, filluan një dialog të zakonshëm, që dalnagalë, po bëhej më tërheqës dhe më i dëshiruar për të dy.
“Kam lexuar te Ju një person serioz, një njeri të sjellshëm, me një lloj indiferenze që më pëlqen. Si komshij që jemi desha të di më shumë. Cilës feje i përkisni?”
“Nuk e di!”
“Nuk e dini? Një deklarim vërtetë i çuditshëm! Si mund të mos dini diçka që ju përket?”
“Po shpjegohem. Unë jam rritur në një vend ku çdo besim fetar ishte i ndaluar me ligj, domethënë me kushtetutë. Vendi im, me urdhër të Diktatorit, i shkatërroi të gjitha kultet fetare. Në vitet gjashtëdhjetë, të gjitha kishat, xhamitë dhe teqet u rrafshuan. Librat fetarë si Bibla, Kurani ,e të tjera, u dogjën. Priftrinjtë dhe udhëheqësit shpirtërorë të fesë myslimane, u pushkatuan, u masakruan, ose u izoluan në kampe përqëndrimi. Nuk mbeti asnjë shenjë apo gjurmë referimi për ish religjionet. Kujt i gjëndej një libër, një kryq, apo diçka tjetër që kishte lidhje me fenë, dënohej pa gjyq. Kjo nuk kishte ndodhur në asnjë vend diktatorial të Lindjes. Nuk e kishte bërë as Stalini i Bashkimit Sovjetik, as Mao Ce Duni i Kinës, as Tito i Jugosllavisë. Mund të thuhet pa asnjë dyshim, se Shqipëria, ishte i vetmi shtet në Evropë e më gjerë, që fenë e ndaloi me ligj dhe objektet e kultit i shkatërroi. Nga pindërit nuk trashëgova asnjë kulturë fetare. Babai, bektashi, vdiq kur unë isha vetëm një vjeç. Nëna, ortodokse, nuk më foli kurrë për ritet fetare. Madje kur raketat dhe satelitët mbushën qiellin, filloi të dyshonte seriozisht për ekzistencën e Zotit. ‘Do të ishte dukur në ndonjë cep’, thoshte, jo pa humor.” Në librat shkollorë i gjithë ‘mësimi’ për fenë mbështetej ne dy slogane: ‘feja, opium për popullin’ dhe ‘feja e shqipëtarit është shqiptaria’.” Pra i gjithë edukimi që kam marrë në familje shkollë dhe shoqëri, më shtynte drejtë ateizmit, njësoj si t ë gjithë moshatarët e brezit tim. Kur erdha këtu…”
“Ju, nuk besoni?”
“Si të them. Pozicioni im ndaj besimit fetar, është disi ndryshe nga ai që është “zyrtarizuar” prej të trija feve kryesore. Nuk kam lexuar as Biblën, as Kuranin, por nëpërmjet formave të tjera, si filmat, leksionet televizive, artikujt e shkruar në shtyp, etj, kam marrë informacion të mjaftueshëm për të kuptuar thelbin e tyre. Profetët që shkruan dy librat e famshëm, ishin njerëz të kësaj toke, si Ju dhe si unë. Bazuar në ato që shihnin dhe jetonin çdo ditë, u shtynë prapa në kohë, deri te krijimi i gjithësisë dhe “zbuluan” Zotin si krijuesin e vetëm të saj. Pra nuk parashikuan, por prapashikuan për një kohë që matet me mijëvjeçarë. Kjo, natyrisht, ishte një gjë shumë e mirë. Grigja (njerëzimi) si një turmë e madhe injorante, kishte nevojë që barinjtë ta drejtonin në rrugën më të mirë. Ata e bënë këte dhe meritojnë respekt e mirënjohje të përjetëshme nga i gjithë njerëzimi. Por tani, pas dymijë e ca vjetësh, kur mendja e njeriut është ngritur në një nivel të ri mendimi dhe perceptimi, edhe unë kam të drejtë të kem përfytyrimin tim për krijuesin.”
“Ju keni një përfytyrim tjetër nga ai i Biblës?”
“Nuk e di. Sipas meje, Zoti është një figurë hyjnore e arrirë edhe për arsyet që thash më lartë, por mua më mundon diçka tjetër, e cila në gjykimin dhe pëfytyrimin tim, ka të tjera karakteristika nga ato që përshkruhen në librin e shenjtë. Së pari, dua të pohoj, se edhe në bindjen time, Zoti është. Po të mos ishte do të ‘sundonte’ hiçi, asgjëja. Por nëse Ai krijoi mrekullinë dhe harmoninë ndërplanetare, krijoi jetën në planetin tonë, krijoi njrëzit dhe kafshët, sendet dhe fenomenet, këtë e arriti duke vënë përballë njëra – tjetrës ‘të kundërta’ që rrinë bashkë dhe njëkohësisht ndeshen pamëshirshëm me njëra – tjetrën. Kjo luftë kundërshtishë mban në rregull universin dhe gjithëçka përfshihet brenda tij. Po të ulemi në Tokë, ku jemi dhe banorë të ndëgjegjshëm prej mijëravjeçarësh ky ligj qiellor bëhet edhe më i qartë. Ne dallojmë dhe perceptojmë se të gjitha krijesat e Zotit, na shfaqen në forma e gjendje të ndryshme: Të mëdha, të vogla, grimca; në gjëndje të lëngët, të gaztë, vizualisht të dukshme dhe të padukshme, shoqërisht të nevojshme dhe të panevojshme, të mira dhe të këqia, estetikisht të bukura dhe të shëmtuara. Po të futemi brenda njeriut, pak a shumë, do t’i dallojmë të gjitha këto veçori. Edhe njeriu mbart të mirën dhe të keqen, të nevojshmen dhe të panevojshmen, të dukshmen dhe të padukshmen, që ilustrohet lehtësisht me disa shembuj: Trupi i njeriut shihet, preket, fotografohet; kur fle, kur rri zgjuar, kur punon, kur ecën. Shpirti i tij nuk duket, nuk ka formë, vetëm pasqyrohet me anë të veprimeve dhe shqisave. Ky pasqyrim na bënë të konkludojmë për dikë nëse është shpirtmirë, apo shpirtkeq. Nga ana tjetër edhe zëri dëgjohet, regjistrohet, por nuk duket. Ka plotë shembuj të tjerë, por edhe kaq mjaftojnë që unë të shtrojë një pyetje, e cila më ka lindur, së paku pesë vjet më parë, kur vizitova Vatikanin. Mbeta i mahnitur nga mrekullia e tij arkitektonike dhe artistike, nga angazhimi i jashtëzakonshëm i njerëzve që e kishin projektuar e ndërtuar dhe që atë ditë, fillova të ndjej një ndryshim mbenda meje, diçka fluturuese, përfytyruese, imagjinuese që më çonte drejt krijuesit. Që atë ditë i dhashë udhë fantazisë sime dhe fillova të mendoj shumë seriozisht për Zotin. A do të mundej vallë, Zoti, të krijonte një univers, por edhe një planet si i joni, me të gjitha këto kundërshti, nëse nuk do t’i zotëronte plotësishtë brënda asaj që është? Unë them jo. Sipas meje Zoti është pasqyra origjinale e të gjithë asaj që ka krijuar. Është hyjnor, aq sa ka bërë vepra hyjnore, eshte i mire, aq sa ka bërë vepra të mira, është i keq, aq sa ka bërë vepra të këqia, është misterioz, aq sa ka bërë vepra deri tani misterioze, është i padukshëm, aq sa ka bërë vepra deri tani të padukshme, etj., etj., pa fund. Sipas meje, Zoti nuk do të jetë më mister, kur të jenë zbuluar misteret e tij. Nuk do të jetë më i padukshëm, kur të arrijmë të shohim të gjitha krijesat e tij të padukshme, sepse deri tani, ato që duken, nuk përbëjnë akoma as një mikrogrimcë të atyre që nuk duken.”
Don Dino e kishte ndjekur me vëmendje të veçantë fjalën e bashkëbiseduesit që vinte nga një ish vend ateist. Asnjëherë më parë nuk kishte bërë një bisedë të tillë me bashkëqytetarët e tij besimtarë. Po afronte ora e meshës dhe u ngrit të paguante. Kur u ndanë, duke i shtrënguar dorën i tha:
“Je një besimtar interesant. Bisedën do ta vazhdojmë njëherë tjetër. Unë po shkoj në meshë.”
2)RRËFIMI
Oferta e Don Dinos për të punuar në kishë, ishte krejtësisht e papritur për Armen Kodrën. Veçanrisht pas bisedës kur ky shpalosi një qëndrim “ndryshe” lidhur ne fenë, një mundësi e tillë, sipas tij, përjashtohej plotësisht. Për këto e shumë arsye të tjera të pabiseduara, propozimi i erdhi si befasi e plotë.
“Më falni,...por... është... krejt e papritur për mua. Është diçka që nuk do ta mendoja kurr gjatë gjithë jetës time. Unë...nuk jam praktikant...nuk...”
“Nuk e dua tani përgjigjen. Mendohu, bisedo edhe me të tutë, pastaj flasim.”, e ndërpreu Don Dino duke vënë re një skuqje dhe një shpërqëndrim ne fytyrën e tjetrit. “Çfarë dëshironi të pini?”
“Një kafe. Një kafe normale.”
“Ok. Po jap porosinë.”
Armen Kodra u ul në tavolinë dhe po mendonte se si mund të vazhdonte biseda e lënë përgjysmë një javë më parë. Don Dino, i paparshikueshëm, i dha asaj një drejtim tjetër.
“Shkrimi i juaj në Gazetën Katolike të Qytetit, ishte shumë i bukur.”
“E keni lexuar?!”
“Është gazeta e kishës dhe unë nuk lë asnjë rresht pa lexuar aty. Artikulli juaj më pëlqeu shumë. Ngjarja ishte interesante. Unë lindur dhe plakur në këtë qytet e nuk e njihja. Vjen ti nga Shqipëria dhe jo vetëm e zbardh si ngjarje, por e jep mjaftë bukur, me një stil letrarë që të tërheq.”
“Faleminderit.”
Në këtë falenderim të Armenit, dallohej qartë një lloj krenarie, të cilën e kishte shfaqur më thekshëm në ditën e botimit të artikullit. Kishte qënë sprova e parë e tij në gjuhën italiane, e cila jo vetëm që e bëri të njohur në treg, por i hoqi edhe nofkën “i huaj”.
“Nga i sigurove të dhënat?”, pyeti Don Dino për t’i dhënë gjallëri bisedës.
“Ju kam thënë se punoj në një banak ambulant, i cili tregëton artikuj të ndryshëm lëkure, si rrypa, portofola, dorashka, borseta, kapele, etj. Një ditë, ndërsa po i shërbeja një klienti, dëgjoj dikë që i thotë pronarit të banakut: ‘Banaku yt ishte i pari, pas tij ishte regjistruar banaku im!’ I kuriozuar nga përmbajtja e frazës, kërkova shpjegim nga vetë pronari, i cili është një burr rreth të shtatedhjetë e pesave, i sjellshëm, i qetë dhe i papërtuar. Me shpjegoi se kjo e dhënë ishte regjistruar në Dhomën e Tregëtisë, domethënë ishte një fakt zyrtarë. Banaku i tij, pra ky ku po punoja dhe unë, ishte më i vjetri i qytetit dhe pas disa muajsh do të festonte vitin e njëqindt të jetës së tij. U ndjeva krenar që isha edhe unë pjestar i ekuipazhit shekullor. Kishte nisur me tre artikuj të hershëm (gërshërë, krehëra dhe pipa), që trasportoheshin me një karrocë dore nga shtëpia për në piacën e Casalguidi – t. Pastaj malli u shtua dhe hipi mbi një karrocë që tërhiqej nga dy kuaj, të cilët duke trokuar si bateri e muzikës ritmike mbi pllakat e gurta të Pistoia – s, e reklamonin në qendër të saj. Kështu, vit pas viti, mallrat shtoheshin dhe banaku rritej. Ne fillim të viteve dyzetë të shekullit të shkuar, nga karroca me kuaj hypi mbi makinë, duke e zgjeruar rrezen e trgëtimit të mallit edhe në qytete të tjerë. U bë pjesë e merkatos së Pistoia – s Firenze – s, Prato – s, Montecatini – t dhe Lamporechio – s. Rritjen e banakut e përfytyrova si një udhëtim romantik dhe e shkrova me dëshirë.”
“E keni shkruar me shumë frymëzim. Po Churchill – i, si është gjendur aty?”
“Nuk jam i sigurt në se ka qënë vetë udhëheqsi i Anglisë, apo ndonjë përfaqsues tjetër i lartë i atij shteti. Edhe vetë pronari, nuk ishte shumë i qartë në dëshminë e tij. Atëhere, adoleshent i pamësuar, nuk kishte njohuritë e duhura për personalitet e kohës. Mua më dha karakteristikat e një burri të qeshur e të shëndosh, i cili iu drejtua banakut për të blerë një pipë. Disa pëshpërima të klientëve të tjerë kishin përmendur emrin e tij dhe e kishin orientuar djaloshin, që pipën t’ia bënte dhuratë. Ndoshta të shtyrë nga fakti i “pipës”, si shënjë lidhëse me personazhin, dhe të gjuhës angleze që fliste. Kjo kishte ndodhur në Montecatini, gjatë vitit të parë pas Luftës së Dytë Botërore, kur mjaft personalitete e zgjidhnin si një qytezë “zonjushë”, si vendin e duhur për të pushuar”
“Profesioni i juaj në Shqipëri ka qenë shkrimtar, gazetar?...”
“As njëri, as tjetri. E vërteta është se kam shkruar diçka në shtypin e kohës, kam botuar edhe tre – katër libra në poezi e prozë, por kja ndodhi pas rënies së diktaturës. Profesioni im i vërtetë ka qenë oficer. Oficer i Ushtrisë Popullore. E vesha uniformën e blertë që në moshën katërmbëdhjetë vjeç. Në Tiranë mbarova shkollën e mesme ushtarake, të lartën dhe Akademinë. Edhe pse nuk ishte dëshira ime të zgjidhja këtë profesion, kushtet e vështira ekonomike të familjes nuk më jepnin alternativë tjetër. Aty, të gjitha shpenzimet e shkollës, përfshi veshjen dhe ushqimin, ishin në ngarkim të shtetit. Me kalimin e viteve u bëra një oficer i përkushtuar, filloi t’më pëlqente ushtria dhe dalëngadatë po e dashuroja detyrën. Isha rritur, veshur, ushqyer, edukuar, për të bërë këtë detyrë dhe po e bëja me pasion. U ndesha me vështirësi, pengesa të panumërta, por i pranoja dhe i kapërceja si njeri i devotshëm që i shërbente vendit të tij. Punoja, lodhesha, djersitja, pa u tërhequr dhe papritur që dikush të më ‘mbronte’ shpatullat. Miqtë, shokët dhe mbështetësit e mi të vërtetë, ishin ushtarët. Neverisja çdo sjellje servile dhe miqësi të shtirur për ta pasur mirë me eprorët. Falë punës dhe përkushtimit tim, bëra karrierë duke arritur gradën kolonel...”
Ligjëratën pasionante të Armen Kodrës, Don Dino, e ndërpreu me një pyetje plotë habi:
“Kolonel?!...Duhet te jeni paguar e jetuar mjaftë mirë!...”
“Nuk mund të them se kam jetuar ‘keq’, përderisa të tjerë kanë jetuar shumë më keq se unë, por dua të theksoj se paga, ashtu si edhe jeta në vendin tonë, ishin të kufizuara. Varfëria shfaqej eksteme, sidomos në fshat, ku jetonte shtatëdhjetë e pesë përqind e popullsisë. Megjithatë, mua më pëlqen të flas për jetën e ushtarakut, sepse u rrita me atë uniformë, e mbajta veshur plotë tridhjetë vjet, jetova dhe u dashurova pas sajë. Nuk u mora kurrë me politikën ‘e madhe’ të kuptoja botën e lirë të perëndimit, sepse nuk kisha asnjë mundësi ta bëja këtë. Në repartet e largëta ku shërbeva, nuk mbrrinte asnjë sinjal i vetëm nga ajo botë. Unë kam nevojë t’i rrëfehem dikujt për atë që eshtë ngjizur brenda meje e që vazhdon të jetoj bashkë me mua. Deri tani askush nuk më ka dëgjuar, madje as ka denjuar të më pyes. Ju më pyetët dhe unë kam nevojë ‘të zbrazem’, të rrëfehem për t’u lehtësuar nga një barrë që më peshon në trup prej pesëmbëdhjetë vjetësh, që kur në Shqipëri u ndërrua sistemi.”
“Sipas jush, sistemi i ri,... është më i keq se i vjetri?!...”
“Jo. Nuk dua të them këtë. Sistemi, në vetëvete, është shumë i përparuar. Tani që jam edhe i integruar në të, i kuptoj më qartë të mirat e tij. Ky sistem ka ndryshuar më shumë se gjysmën e globit, i ka dhënë dritë dhe prosperitet, por nuk ishte faji im që Shqipëria kishte mbetur një vend i mbyllur nën sundimin e një diktature të egër e njëherësh të verbër.”
“Nga pakë faj e kanë të gjithë, sidomos intelektualët...”
Don Dino i bënte pyetje të shkurtëra, që dialoguesi të mos e humbte fillin e mendimeve. Kishte folur me klerikë të lartë shqiptarë, të cilët i kishin treguar për masakrën komuniste ndaj feve, por rrëfimet e tyre, me të drejtë, ishin plotë mllef e urrejtje, sepse ende u dhëmbte kurrizi nga goditjet çnjerëzore. Ndërsa ky ishte ndryshe, përfaqësonte një shtresë që konsiderohej “pjesë” e diktaturës së rrëzuar, megjithatë po shpaloste një faqe të panjohur, të padiskutuar, interesante. Don Dino – s i interesonte shumë të zbulonte idetë e tij, si njeri që kishte jetuar jashte fesë, pa ndjekur asnjë rit të vetëm në kishë, apo në xhami. I bëri shenjë me kokë të vazhdonte diskutimin e ndërprerë.
“Mund të jetë edhe ashtu. Ndoshta edhe ushtarakët kanë pak faj, por jo të gjithë fajin. Ndërsa ne, të gjithë papërjashtim, përfshi edhe të rinjtë e sapodiplomuar, me ndërrimin e sistemit, u gjendëm në ‘rrugë të madhe’, të braktisur, të pambrojtur, të përçmuar. ‘Ushtria e oficerëvë’ e përbërë nga tetëmbëdhjetë mijë vetë, u shndërrua në ushtri në e të papunëve që duhej të mbijetonin dhe të mbanin familjen në kushtet e reja që ofronte sistemi, pa as përkrahjen më të vogël të Shtetit të ri, përveç një ‘asistence sociale’ dyvjeçare, e cila nuk mbante dot me frymë, as edhe një njeri i vetëm.”
“Në mesin e frazës suaj, ju nënvizuat se u hodhën në rrugë tetëmbëdhjetë mijë oficerë. Nuk mendoni se ka qenë një shifër shumë e madhe për një vend të vogël e të varfër si Shqipëria?”
“Tani po, e mendoj, por atëhere edhe ushtria shqipëtare ishte shumë e madhe. Mbyllja hermetike e kufijëve, dhe e çdo dritareje nga mund të hynte drita perëndimore, (pak më vonë edhe ajo lindore, pas prishjes së madhe me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën), krijoi idenë se ne duhej të mbroheshim nga e gjithë bota kapitaliste dhe revizioniste. Shumica e njerëzve, përfshi mua dhe mjaftë të tjerë si unë, i besuan këtij slogani. Kjo bëri që Partia Komuniste dhe Diktatori si udhëheqës i saj, të vinin në zbatim idenë e çmendur ‘i gjithë populli ushtar’. Pra duhej komanduar një armatë e tërë nga oficerë të përgatitur që të arrihej mbrojtja e vendit, sidomos nga dy superfuqitë e mëdha të asaj kohe; SHBA dhe BS. Tani, kur shikoj me sytë e mi që gjithçka në perëndim ështe ndryshe nga ajo që na propagandohej, nuk e kam të vështirë ta quaj edhe më keq se ‘ide të çmendur’, madje edhe si një vendim idiot. Por atëhere, në kushtet e një verbërie të plotë, edhe ata që sot hiqen si ‘ideologët’ e ndërrimit të sistemit, mendonin si unë. Veçanrisht ata që ishin larg qendrës dhe nuk u mbrrinte asnjë lajm kontradiktorë që mund të kishte brenda Klanit Udhëheqës. Unë bëja pjesë në këtë kategori. Më pas, e gjithë katastrofa ekonomike që shkaktuan shpenzimet për ‘një mbrojtje të çelikte’ me sistemin e bunkerëve, na servirej si rezultat i bllokadës imperialisto – revizioniste, e cila duhej çarë me çdo kusht e me çdo sakrificë ‘duke u mbështetur plotësishtë në forcat e resurset tona’. Një slogan i Partisë në pushtet që çoi në varfërimin e skajshëm të të gjithë popullit. Nejse, nuk mund të ezauroj në një bisedë me ju, gjithë atë që ndodhi me ushtrinë e vendit tim, për afro pesëdhjetë vjet. Dua të kthehem përsëri te sistemi i ri. Pra, të gjithë ne, ish oficerët e Ushtrisë, u gjendëm në udhëkryq. Dy reforma, njëra pas tjetës, na nxorën në lirim dha na lanë në mëshirë të fatit. Të dyja forcat e mëdha politike, e djathta dhe e majta, na kthyen shpinën. E para na konsideronte pjesë të ish diktaturës, e dyta i trembej akuzës së të parës, për mos – shkëputje nga e shkuara. Në këtë mënyrë mbetëm jetimi më i madh i një tranzicioni të egër, të pamëshirshëm. I gjithë arsimi dhe kultura ushtarake që kishim, u shumzua me zero. Një kontigjent i madh njerëzish të shkolluar u zhvlerësua deri në përçmim. Asnjë ish ushtarak i lartë apo i mesëm nuk u pranua në politikë, fusha të tjera përveç dy – tri figurave servile që u zhdukën ende pa u shfaqur mirë. Një masë kaq e madhe kuadrosh të përgatitur e me përvojë, mund të shfrytëzohej në të mirë të ngritjes e forcimit të shtetit të ri edhe në fusha të tjera. Nevitej një polici e përgatiur, doganat kishin nevojë për njerëz të ndërgjegjshëm e korekt me ligjin. Kush më mirë se ish ushtarakët e rritur e formuar me një disiplinë të ‘hekurt’, mund t’i kryenin këto detyra? Në faktë,këto vende pune, u mbushën me ‘besnik’ servilë të partisë në pushtet, të cilët nuk mendonin për arkën e shtetit, por për xhepin e shefit që i kishte emëruar. Ndërsa ne, ish ushtarakët nuk na besonin as për roje objekti. U ngritën kurse e shkolla të përshpejtuara ku përgatiteshin kuadro me tesërën e Partisë së djathtë në pushtet. Po ndëshkoheshim në masë, vetëm pse kishim bërë detyrën, vetëm pse e kishim dashuruar uniformën, vetëm pse kishim dashur ushtrinë e atdheut tonë të përbashkët, vetëm pse kishim zbatuar kushtetutën e shtetit.”
“Si ia dolët të përballoni këtë situatë?”
“Si të gjithë ish ushtarakët. ‘Ushtria’ jonë e çoroditur iu vërsul tregut ‘të lirë’, i cili ishte bërë pronë e kontrabantistëve të mallit me shumicë. Ata i lakmonin ish ushtarakët si njerëz korekt, të disiplinuar, që nuk dinin të bënin pazare të pista. Nga oficerë, u shndërruam në ushtarë të bindur të disa matrapazëve, që na shfrytëzonin deri në palcë. Trotuaret e të gjitha rrugëve u mbushën me shitësa ambulantë të shkolluar, por që nuk merrnin vesh fare nga tregëtia. Dikush me një tavolinë të vogël përpara, të tjerë me mallin reklamuar në tokë, luftonin të nxirrnin bukën e gojës. Ishte vërtetë një gjendje e mjeruar. Edhe gjendja ekonomike e familjes time, ishte si mos më keq. Ime shoqe u pushua nga puna, thjeshtë e vetëm se ishte gruaja e një ish ushtaraku. Një asistence simbolike e saj dhe asistenca ime modeste, nuk mund të mjaftonin për të ushqyer gjashtë frymë; tre djemte, më madhi pesëmbëdhjetë dhe më i vogli shtatë vjeç, perfshi edhe nënën time pa pension. Pa menduar dy herë, shfrytëzova rasin e parë që m’u krijua. Nga një ish kolegu im, m’u ofrua të shisja banane. Një tavolinë të vogël portative nën sqetull, çantën me fruta në krahë, drejt e në trotuar. Sistemova tavolinën në një vend të përshtatshëm, i vura mbulesën dhe mbi të vendosa bananet, si skuadra ushtarësh në rresht. Aroma e frutit afrikan me famë botërore, që u shpërnda në ajër, ngacmoi edhe flegrat e hundës time. Ishte një aromë provokuese që e kisha ndjerë për here të parë mbrëmjen e shkuar, kur m’u dorëzuan me numër dhe me një dokument dore, nga ish kolegu im. I fsheha diku, pa ia treguar as gruas as fëmijëve. Unë isha dora e tretë. Duhet të fitoja për ish kolegun, për pronarin e mallit me shumicë dhe të mbetej diçka për familjen. Tani kisha përballë dhjetë tufa bananesh që me ngjyrën, aromën dhe famën, më provokonin të provoja shijen e frutit të magjishëm. E kisha lexuar në sa e sa libra emrin e tyre, e kisha pare në faqe revistash të vjetra formën dhe ngjyrën e frutit, por asnjëherë më pare nuk e kisha pasur kaq pranë. Dilema ‘ta provoj, mos ta provojë’, po më torturonte. Së fundi e vendosa. Nuk do ta provoja. Përgjegjësia për fëmijët dhe familjen, ishte shumë më e fortë se nepsi im për të shijuar bananen. Pas shtatë ditësh, kur u sigurova se kisha rezervuar mjaftueshëm lekë për bukën e javës, (vetëm për bukën), mora vendimin e shumëpritur. Kjo ndodhi në mbrëmje. Kur të gjithë ishin shtruar për të darkuar rreth tavolinës, nxora nga çanta e mbështjelle me kujdes për të izoluar aromën, një tufë me gjashtë banane... Sytë e fëmijëvë shkelqyen...”
Armeni nuk mundi të flasë më tej. Pas kësaj ligjërate të gjatë e të pandërprerë, të dy dialoguesit u panë sy më sy. Lotë të pastër si kristali që u kishin mjegulluar shikimin, nisën t’u rreshqisnin mbi faqe, pa u drojtur dhe pa ia fshehur njëri – tjetrit. Armen Kodra, ndërsa mundohej të “gëlltiste” lotët, mendonte se në historinë e bananes, Don Dino i përlotur, kishte lexuar qartë dramën dhe satirën. Sigurisht, drama kishte qënë më e fortë dhe u kishte dhënë rrugë të lirë lotëve, që i vizuan faqet dhe i zbritën deri poshtë. Ndërsa po i fshinte me një kartpecetë, pa i hapur sytë, formuloi frazën e tij të zakonshme:
“Po shkoj në meshë. Mirupafshim.”
***
3)PËRKËDHELJA E SEDRËS
“Po më vë në vështirësi!” – tha Franco, pasi dëgjoi deri në fund kërkesën e Armenit për të ndërprerë marrëdhënit me punën në banakun e tij.
“Me vjen shumë keq! Jam ndjerë shumë mirë këtu, nuk e mohoj, por vjen një ditë, që njeriu do të provojë diçka tjetër, ndoshta më të leverdisëshme.”
“Në se e ke fjalën për pagën, mund ta shtojë edhe dhjetë euro!”
“Jo, jo. Ka shumë arsye të tjera që më shtyjnë të marrë këtë vendim.”
“Mundem t’i di?”
“Po ja, e para është mosha. Tani nuk jam aq i fortë sa katër vjet më parë kur fillova punë këtu. Orari i zgjatur dhe vështirësitë fizike për të ngarkuar e shkarkuar një furgon me mall të ngjeshur ,ku nuk mbetet vend të vendosësh as një mollë, në një farë mënyre, m’i kanë zvogëluar ca fuqitë...”
Fytyra e shqetësuar e Franco – s, ndërroi pamje. Ngjyrën e kuqe shkaktuar nga efekti i lajmit të papritur, e zëvendësoi e bardha, shoqëruar nga buzëqeshja e tij karakteristike kur i përkëdhelej sedra. Gjetja e Arbenit “nuk mbetet vend të vedosësh një kokërr mollë”, e kënaqi. Arbeni tashmë e njihte mirë dhe një elozh, sado i vogël në favor të tij, e zbuste, e bënte qengj. Aq sa e kënaqi “malli i ngjeshur”, po aq e kënaqi edhe fakti që Armeni lodhej. Kur i shihte puntorët e tij të veshur me djersë, lumturohej dhe nuk e mbulonte dot një buzëqeshje të gëzuar që i ndriçonte edhe sytë. Njëra nga arsyet që e donte Armenin, ishte edhe kjo. Tentoi përsëri t’i mbushte mendjen.
“Është e vërtetë që malli është shtuar, por unë të thash, do të shtoj edhe rrogën. Ndërsa, sa për orarin, atje ku do të shkosh, është edhe më i zgjatur. Këtu, të paktën, pasditen e ke të lirë.”
“Atje do të zgjohem nga gjumi në orën shtatë. Do të dalë nga shtëpia dhe menjëherë do të hyj në Kishë. Jemi komshijë. Këtu kam katër vjet që zgjohem në katër të mëngjesit dhe kthehen ne katër te pasditës. Nuk është njësoj, apo jo?”
“Këtu, vërtetë, lodhesh ca kur hapet dhe mbyllet banaku, por gjatë ditës, nuk është se bënë ndonjë gjë të madhe. Për orarin e gjatë unë do të shtoj pagën.”
Arbeni e kuptonte isistimin e Franco – s. Ai ngulte këmbë sepse me të ndihej mirë edhe si karakter. Korektësia, disiplina, ndershmëria dhe inteligjenca e Armenit e kishin bërë për vete. Bashkë mund të flisnin e të argëtoheshin pa fund. E tërhiqte në temat e tij të preferuara dhe qeshte me lotë nga batutat që këmbenin. Kjo nuk ndodhte me dy puntorët e tjerë italianë, të cilët në katër vjet, i kishte ndërruar dy herë. Edhe vetë Armeni, ndjente se kishte marrë e dhënë shumë në këtë banak. Aty mësoi dhe ushtroi gjuhën italiane, njohu njerëz dhe tipa interesant, të cilët e frymëzuan të shkruante e botonte një libër të pëlqyer me tregime. Mbi të gjitha ishte ai banak që e ndihmoi të integrohej si qytetar italian. Ndërsa po ktheheshin me furgon nga Firenze, të gjitha këto ia shprehu me mirënjohje punëdhënësit të tij, por për ta bindur në atë që kishte vendosur të bënte, e ‘gërvishti’ në pikën më të dobët:
“Në kishë do të jem i siguruar, ndërsa ti nuk e bënë këtë edhe pa më shtuar pagën. E vërtetë?...”
“E vërtetë. Nuk më leverdis fare të siguroj, por edhe ti nuk do të largohesh menjëherë besoj..., apo jo?”
“Pas një jave.”
4)DITA E PARË – PËRGJEGJËSIA QË TË JEP PUNA E PAGUAR
Administratori i kishës e njohu me ambientet e brendshme, me veprat e artit dhe i dha porositë e nevojshme per kujdesin ndaj tyre. Përveçse duheshin ruajtur të pastra nga agjentët atmosferik, si pluhuri, lagështia, etj., duheshin ruajtur edhe më shumë nga keqbërësit dhe hajdutët që i lakmonin për vlerat e çmuara. Radhën e punës për përgatitjen dhe zhvillimin e meshës do ta mësonte nga një sakrestan me përvojë, i cili do të largohej pas dy ditësh. Në porositë e tij, administratori, nuk harroi të jepte këshillat e nevojshme për orarin e hapjes dhe të mbylljes së kishës, ku duhej të tregohej i vëmendshëm, sidomos në mbrëmje. Kjo për arsyen e vetme, sepse njerëz pa strehë, të ashtuquajturit “barbon”, për të kaluar netët e ftohta të dimrit, mund të “fshiheshin” nëpër cepa e skuta të pakontrolluara. I komunikoi pagën muajore dhe disa detyra specifike lidhur me veshjen e priftërinjve para meshës.
Armeni hynte për herë të parë në këtë kishë. Në përgjithësi objektet e kultit, nuk kishin qënë asnjëherë tërheqse për të. Në vëndin e tij, nuk kishte shkuar kurrë, as në kishë, as në xhami, pavarësisht se ato, pas shkatërrimit të madh, numëroheshin me gishtat e dorës dhe nuk e kryenin funksionin e tyre fetarë. Ruheshin thjeshtë si objekte ndërtimore që perfaqësonin një kohë të caktuar.
Kjo kishë, ishte vërtetë madhështore. Një arkitekturë e pasur me thyerje, harqe, borde e kolona të ndërtuara me art. Dritëhija, e zgjidhur në mënyrë mjeshtërore, ofronte një pamje të qetë që të mbushte shpirtin me paqe. Kur u ul në njërën nga dhomat e “prapaskenës”, aty ku gjendeshin meterialet e përgatitjes së meshës, i ra në sy një broshurë ku ishte shkruar historia e saj. E shfletoi kalimthi duke u ndalur ne disa paragraf interesant që i rrëmbyen sytë dhe mendjen. Kjo ndërtesë e bukur, me një hapsirë të bollshme në të tre dimensionet, me kupola simetrike e me anekse të shumtë që kryenin funksione të ndryshmë, e kuruar me një kujdes të jashtëzakonshëm, ishte e moshës mbi një mijë vjeçare. Ishte djegur dy herë dhe njëherë rrafshuar nga termeti. Për vlerat e saj të veçanta kishte firmosur një Papë i Vatikanit duke i rritur prestigjin dhe përfshirë në katedralet minore. Sigurisht “minore”, sepse bukuria dhe madhështia e saj edhe pse evidente, nuk mund të krahasohej me ato të Vatikanit, Firences, Pizës, etj., të cilat ishin bërë të njohura për të gjithë globin.
Gjatë meshës mori pjesë si sakrestan i dytë. Ndoqi me kujdes veprimet e tjetrit për të fiksuar mirë atë që pas dy ditësh do ta kryente vetë me të njejtën përpikmëri. Nuk iu duk ndonjë gjë e rendë, përveç gjuhës së meshtarit kur predikonte dhe kur lexonte. U mundua të kapte sa më shumë fjalë për të kuptuar përmbajtjen e asaj që thuhej. Ju duk krejt ndryshe nga gjuha e përditshme që kishte folur në merkaton e qytetit. Si fjalët, ashtu edhe shprehjet ishin më të vështira për t’u kuptuar e mbajtur mend. Nuk pati asnjë ndjenjë të veçantë për sa dëgjoi, përveç përgjegjësisë që të jep puna e paguar. Përrshtypje të vërtetë i bëri vetëm fakti, që në sallë, ishte një minimum i dallueshëm besimtarësh vendosur në radhët e mesit, si një andër i vogël në hapsirën e madhe të dyshemesë zbukuruar me lloje të ndryshme lulesh e pemësh zbukuruese.
5)DITA E DYTË – TASI I “MËSHIRËS”
Sakrestani i ndërpreu menjëherë marrdhëniet me punën, dhe Armen Kodrës, iu desh të kryente këtë detyrë që të nesërmen, pra në ditën e dytë. Përveç priftit që drejtonte meshën, në skenë do të asistonte edhe administratori, nje burr plotë energji dhe i buzëqeshur në çdo çast. Do të ishte aty si “siguri” për të korigjuar ndonjë gabim të të sapopunësuarit.
“Më injoro! Vepro i pavarur sikur të mos ekzistoj.” – i tha Armenit, kur të tre ishin mbi skenë dhe mesha sapo kishte filluar.
Gjithëçka po shkonte për bukuri deri në momentin e futjes në veprim të tasit të bamirësisë. Kur sakrestani i ri po hezitonte të nisej për të kryer detyrën, administratori i bëri shënjë me sy, të shkonte pranë njerëzve me tas në dorë për të “lypur” bamirësi. U ndje i bllokuar si sonambul që ecën e nuk di ku shkon. Kur u kthjellua pak dhe u gjend në mes të njerëzve, e pa veten si një lyps të mjerë që zgjat dorën të kërkoj lëmosh. Në fakt, ai nuk ishte i tillë, sepse nuk po lypte për vete. Po lypte në emër të kishës. Madje po kërkonte “bamirësi”. Ajo që e mundonte vërtetë ishte pyetja tjetër. Nga kush e kërkonte këtë bamirësi? Në atë grusht njerëzish në qendër të sallës, nuk të zinte syri asnjë zotëri. Shumica përbëhej nga njerëz të moshuar që shtynin vitet e fundit të jetës me pensionin si shpërblim i kontributit ndaj shtetit e shoqërisë për vite e vite të tërë. Thesin me para që kishin derdhur në arkën e shtetit, tani e merrnin lekë – lekë për të mbajtur frymën deri sa t’u ndalej fryma. Të tjerët ishin hallexhinj që e shihnin kishën si ngushëllim për të qarë hallet së bashku, me shpresën se një ditë, me ndihmën e Zotit, do të dilnin nga mjerimi. Të kërkoje të holla prej tyre për të “rregulluar” ekonominë e kishës, ishte njësoj si të “lypje” nga lypsat për të mbushur arkën bosh. Sipas Armen Kodrës në ditën e parë të punës si sakrestan, Kisha, duhej të kërkonte nga donatorët e fuqishëm, nga besimtarët zotërinj që u “mykeshin” paratë të fshehura, apo të deklaruara e të padeklaruara nëpër banka. Por ky ishte një mendim që lindi dhe vdiq brenda ndërgjegjes së tij, sepse nuk guxonte ta ndante me askënd. Kisha këtu, kishte krijuar traditën e saj në shekuj dhe nuk mund të “mësonte” nga dikush që e kalonte pragun e saj për herë të dytë.
Kur mbaroi mesha, u ndje më i lehtësuar, por sytë e administratorit e kishin humbur dritën gazmore. Vendin e saj e kishte zënë një hije gri, që tregonte hapur se diçka nuk kishte shkuar mirë në prezantimin e të sapoemëruarit. Ja shprehu pakënaqësinë duke i bërë vrejtje që nuk kishte shkuar në fund të sallës me tasin e “mëshirës” për të “lypur” nga dy “besimtarë” të shkëputur, të cilët sodisnin prej së largu. Megjithatë, përveç syve të vrejtur të administratorit, Armen Kodra, dalloi edhe dy sy të tjerë që shlëlqenin. Ishin sytë e një nënë të moshuar që ja kishte dalluar “brengën”. E kishte kuptuar veshtirësinë e tij shpirtërore ndërsa kërkonte të holla me tas në dorë. Në fund të meshës i shprehu dëshirën që aktin e “tasit të bamirësisë”, ta kryente ajo, sa herë që të ishte prezent.
“Faleminderit, o nënë e mirë” – i tha dhe u ndje i çliruar nga një barrë, e cila e krrusi pak që në ditën e dytë të punës së re.
6)DITA E TRETË – RIKTHIM TE DIALOGU ME DON DINO
Dita nisi dhe rrodhi e qetë, si një ditë normale e punës në çdo kishë. Meshën e radhës e drejtoi Don Dino. Asgjë e re nga dy ditët e para, përveç pjesmarrjes që ishte dyfish më e madhe. Kjo bëri që drejtuesi i meshës të përgjysmonte eukaristi – të në dy pjesë, ndonjherë edhe në tri. Kur mesha mbaroi dhe në kishë u vendos qetësia e plotë, Don Dino i buzëqeshi dhe e ftoi të uleshin mbi një bango në podiumin e madh ku shvillohej ceremonia.
“E arrite një sukses, komplimente!” – i tha me ton të çiltër e të sinqertë.
Armen Kodra që nuk e kuptoi shkakun e komplimentit. Ngriti supet në shenjë moskuptimi ndaj asaj që dëgjoi.
“Pjesmarrja ishte dyfishuar, nuk të ra në sy?”
“Këtë e vura re, po unë ç’hyj këtu?”
“Fjala kalon nga një njeri tek tjetri dhe besimtarët kuriozohen për sakrestanin e ri që do t’iu shërbejë.”
“Ndoshta...”
“Nejse. Të thirra për tjetër gjë. Të vazhdojmë bisedën e ndërprerë në ditën e parë kur më fole për opinionet e tua fetare. Nuk i mohoj pikpamjet interesante që shpalose, por më duhet të them se aty, gjej mangësi të theksuara të njohjes së teorisë. Mbase ke nevojë të lexosh Biblën, madje ta studiosh atë. Aty do të kuptosh se të këqiat e kësaj bote vijnë nga Djalli. Është ai që pështynë në punët e mira të Zotit. Zoti vetë është Ati ynë, Hyu, është vetë përsosmëria, s’ka asnjë të metë.”
Armeni e gjeti veten në një vështirësi tjetër të papritur. Ishte e para herë që duhej ta kundërshtonte njeriun, i cili i kishte hapur derën e kishës për të bërë një punë të respektuar e të paguar mirë. Djallin nuk e pranonte fare as si teori, as si praktikë. Ndërkohë Don Dino e dalloi hezitimin e tij dhe e nxiti të flasë me një pyetje të drejtpërdrejtë:
“Nuk jeni dakord me atë që thashë?”
“Nuk mund të them këtë. Unë jam dakord që ta lexojë e ta studjojë Biblën. Është një libër me vlera të jashtëzakonshme njohëse dhe kulturore. Në ato pakë pjesë që kam lexuar, gjej gjëra që më pëlqejnë shumë, sidomos parimet që i orientojnë njerëzit drejtë së mirës. Në to e gjej veten edhe unë. Gjithë jetën time dhe të familjes time e kam bazuar te puna e ndershme, tek djersa e pastër siç themi ne Shqiptarët. Për të gjitha këto do të thellohem edhe më shumë në studimin e Biblës. Dua të krijoj një ide më të qartë për raportin e asaj që shkruhet në Bibël dhe asaj që bëhet në praktikë. Këtë e gjej me shumë vlera, por jo për të mësuar mbi Djallin.”
“Pse jo mbi Djallin?”
“Sepse, sipas meje, e gjithë historia e Djallit është një përrallë e krijuar nga adhuruesit e Zotit, për të lartësuar edhe më shumë të adhuruarin e tyre. Zoti, që krijoi gjithësinë, nuk do ta kishte aspak të vështirë të bënte “zap” një grimcë mikroskopike të krijuar nga Ai vetë. Djalli nuk erdhi njësoj me Zotin, por pas tij, kur Ky ishte në komandë dhe i plotëfuqishëm. Sado rrebel e i pabindur të ketë qënë Djalli , sado me aftësi çudibërëse për të këqiat e botës, vetë krijuesi i saj, do të gjënte një mënyrë, në mos për ta eleminuar, së paku për ta shmangur nga prapësitë, për ta izoluar apo burgosur. Por siç theksova edhe në bisedën tonë të pare, Zoti, duke krijuar gjithëçka që ekziston si një balance e të kundërtave, është i tillë edhe vetë. Pra aq sa është engjëll, është edhe djallë.”
“Kjo gjuhë është e papranueshme për Kishën Katolike.”
“Kjo është gjuha e ‘burgosur’ e njeriut që pas pothuaj një gjysmë shekulli gojëkyçur, kërkon hapsirë për të shprehur ‘të ndaluarën’. Atë që diktatura mizore ia kishte ‘shtetëzuar’ e mbyllur në kasafortën e saj. Të gjithë ne, brenda murit të lartë të izolimit, ishim të detyruar të flisnim me gojën e shtetit, të vetë diktatorit. Ju nuk keni provuar çdo të thotë të ‘burgosin’ gjuhën. Nuk e dini se sa vuan një gjuhë e pafolur. Por Zoti ama, e di. E di dhe duhet t’i ndëshkojë të gjithë ata që të ndalojnë fjalën. Flala është personale, është pronë e atij që e thotë. Ajo mund të lëvdohet ose kritikohet, mund të mbeshtetet ose kundërshtohet, por asnjëherë nuk mund të ndalohet. Në gjithë dekadën e fundit, nga rrëzimi i murit të diktaturës në vendin tim, e vetmja gjë që kam fituar, është liria e fjalës. Prandaj flas shumë. Dua të them ato që nuk i thash dot kurr!...”
“Unë e kam fjalën për gjuhën e Zotit. Të gjithë ne duhet të flasim gjuhën e tij. Ai është krijuesi ynë, i takon përulja jonë dhe lavdia e përjetëshme.”
“Sigurisht. Zoti është krijuesi i gjithçkaje, i vetë universit, siç jam unë e ime shoqe krijues i fëmijëve tanë. Edhe unë meritoj përuljen e lavderimet e tyre të përjetëshme, por kur gaboj, di të kërkojë ndjes, pranoj edhe vrejtje për gabimet. Nuk mendoj se Zoti kënaqet duke i thënë vetëm të veprat e mira, të cilat sigurisht nuk numërohen. Në se ai do të kishte bërë vetëm gjëra të mira, të gjitha institucionet sociale që merren me edukimin e njeriut, do të ishin të panevojshme. Nuk do të nevoitej as kisha.”
“Ok. Për sot po e mbyllim këtu bisedën. Unë po ngrihem. Kur të përgatitësh meshën e pasditës, mos harro të dyfishosh numrin e eukaristì – ve. Mirupafshim.”
“Mirupafshim.”
7)DITA E KATËRT – OSTIA
Në të gdhirë të ditës, Armen Kodra, u përfshi në një endërr të çuditëshme. Iu bë sikur i zuri rrugën një njeri. I gjatë, me shpatulla pak të harkuara, veshur me kostum gri, ecte përpara tij. Kur ky nxitoi hapat të parakalonte në anën e majtë edhe ai, hapoi me të njëjtin ritm, në të njëjtin drejtim, duke ruajtur të njëjtën distancë. Kur Armeni tentoi të parakalonte në të djathtë të tij, trupi pakë i harkuar me kostum gri, përsëriti të njëjtën gjë, pa e humbur distancën e vogël që i ndante të dy. Duke ecur pas tij, iu kujtua historia e vajzës që deshi të kapërcente ylberin. Sado që ajo vrapnte ta arrinte e ta kalonte, Ylberi mbetej gjithnjë larg. Edhe “zotëria” përpara tij, bënte të njëjtën gjë. Ruante largësinë e vendosur nga vetë ai. Megjithatë distanca ishte fare e vogël dhe si dy njerëz, mund të merreshin vesh me fjalë. Armeni, i pari, deshi t’i japi fund “lojës”, e cila nuk ishte aspak zbavitëse. Përkundrazi, figura që kishte përpara po i zinte frymën, nuk i linte hapsirë për të parë më tej.
“Hei! Ti që më zë udhën, mirmëngjes!”
“Mirmëngjes!”
“Ndalo pakë të njihemi. Kush jeni?
“Jam Trishtimi!”
“Leri shakatë, njerzit kur prezantohen shihen sy më sy.”
“Nuk bëj shaka, kështu më quajnë.Trishtim është emri im i vërtetë!”
Armeni nuk foli më tej. Mendoi se nuk ishte ndonjë çudi e madhe që dikush të kishte emrin Trishtim. Kjo botë prandaj është interesante, sepse edhe shijet i ka të ndryshme, ndonjëherë alogjike. “S’është çudi që ndonjë ditë të has dikë me emrin Dështim”, mendoi. Kureshtja e tij tashmë ishte të shikonte fytyrën e “Trishtimit”. Nga prapa kishte krejt përmbajtjen e një trishtimi të thelle, sepse edhe ngjyra e kostumit ishte një gri e thellë. Po ngjyrën e fytyrës si mund ta kishte? Sipas mendimit të tij, trishtimi ishte një bukuri e zbehtë që shkonte gjithnjë e më shumë drejt venitjes derisa arrinte pikën kritike. Pastaj, pasi kishte prekur këtë pikë, fillonte të merrte veten pak nga pake duke u kthyer te ngjyra normale. I ngacmuar nga kjo ide, e ftoi pararendësin në se ishte e mundur të ecnin krahë për krahë meqënse po bënin të njejtën rrugë.
“Jo!” – u përgjigj tjetri, pa e ndalur hapin që vazhdonte të “ndiqte” ritmin e pasardhësit.
“Pse?”
“Sepse unë jam trishtimi yt.”
“Trishtimi im?... Unë…, unë…nuk jam I trishtuar!”
“Gënjen veten. Ti gjithë jetën ke qënë i trishtuar, sepse gjithë jetën ke bërë atë që nuk të ka pëlqyer. Edhe tani po bënë diçka që nuk të pëlqen, sepse nuk ke asnjë mundësi tjetër për të jetuar. Më vonë nuk i dihet, por tani për tani je thjeshtë ai që ecën para teje, një qënie gri që të mban mbështjellë në mantelin e trishtimit. Kështu që në një fare mënyre, unë jam prijësi yt. Ti ke ardhur gjithmonë pas meje.”
Armen Kodra nisi të hetojë mbi figurën që kishte përpara. Shikonte një trup të plotë në përmasat e trupit të tijë, që pa e kthyer kokën pas, bënte të gjitha lëvizjet që kryente ky. Nisur nga kjo, filloi ta provokojë me disa veprime të menduara me kujdes. Në fillim ndaloi pa folur. Edhe tjetri ndaloi e nuk foli. Pastaj u kthye pas. Edhe tjetri u kthye pas. Më tej ktheu kokën t’i shihte fytyrën. Edhe tjetri ktheu kokën prapa dhe nuk e shfaqi fytyrën që kishte. Pas gjithë këtyre veprimeve, Armeni, mendoi diçka më të hollë. U kthye anash. Edhe tjetri u kthye anash. Armeni bëri kujdes që te mos kryente asnjë lëvizje përveç rrotullimit të syve, aq sa ishte e mundur, duke i fokusuar mbi fytyrën e tjetrit. Konstatimi ishte befasia më e madhe e ëndrrës. “Trishtimi” nuk kishte fytyrë. Profili i tij nuk kishte as ball, as vetulla, as sy, as hundë, as gojë. Ai pa thjeshtë një mbulesë gri të thellë, në ngjyrën e kostumit që mbante veshur. U zgjua dhe fërkoi sytë fortë për t’u ndarë sa më shpejtë me endrrën trishtuese.
Kur doli nga shtëpia për në punë, vuri re se edhe moti ishte gri. Gri në qiell, gri edhe në tokë. Hapi derën dhe u fut në kishë. Gri – ja, këtu, ishte edhe më e zënë. U hodhi një sy objekteve të artit, harqeve, kupolave, statujave, pikturave dhe të gjitha ju shfaqën si një bukuri trishtuese. Në dyer nuk po dukej asnjeri. Edhe të ashyuquajturit barbon si personazhe të përditshëm që uleshin në gjunjë përballe statujës së një figure të njohur fetare për t’u lutur, por edhe për të ngrohur gjunjët me avullin e kaldajës që ngrihej nga poshtë, atë mëngjes, nuk po dukeshin. Vetëm një grup turistësh u futën si me frikë nga dera e dytë, pa këmbyer asnjë fjalë mes tyre. Madhështia e Kishës i bëri edhe më të heshtur. Mërmërinin me zë shumë të ulët si të ishin në rolin e një pantomime. Kjo ishte një veçori e të gjithë atyre që hynin në kish. Në tri ditët e shkuara, Armeni, nuk kishte dëgjuar askënd të bisedonte normalisht. Të gjithë flisnin me zë të ulët, aq sa mezi dëgjohej edhe nga bashkëbiseduesi. Nuk qeshte askush me zë, madje as buzëqeshte. Lëvizjet i bënin me kujdes si të shkelnin mbi “mina”. E gjithë kjo, i krijonte një gjendje ankthi të paspjegueshëm dhe një rrëmujë mendimesh të pa ndarë nga njëri – tjetri. Pasi bëri dy – tri punë të rutinës së përditëshme, iu afrua një dritareje të vogël dhe e hodhi vështrimin jashtë kishës. Një dëborë e qëtë, binte lehtë – lehtë, duke e çelur ditën – gri të thellë, tamam si kostumi i “trishtimit” shfaqur në ëndërr.
Bukuria e bardhë e rrëmbeu të tërin duke i fshirë çdo mendim tjetër stresues. U ndje në paqe të plotë. Sodiste fjallëzat e borës si të ishin flutura që uleshin mbi tokë për të pushuar. Për një moment u ndje “i kryqëzuar” brenda mureve të kishës. I hipi dëshira të hidhej nga dritarja e të luante me “fluturat” si dikur fëmijë, kur i ndiqte nga lulja në lule, për të parë se si ua shtonin më shumë bukurinë, duke shtuar petale mbi petale. Sot petalet e “tyre” pa zbukuronin të gjithë qytetin. U kujtua se këto ishin petale dëbore dhe dëbora është bijë e qiellit. Mund të dilte jashtë e të lutej për këtë bukuri përrallore, por e kishte të pamundur. Edhe këtë herë nuk e bënte dot atë që i pëlqente. Paguhej për një tjetër lutje dhe pas pak do të fillonte mesha. U ngrit dhe përgatiti gjithçka duhej për të. Kur ceremonia po zhvillohej sipas riteve të njohura që përmban një mesh, u duk qartë se bukuria e bardhë e dëborës e kishte bërë efektin e saj “verbues”. Armeni kishte harruar të merrte ostia – n. Drejtuesi i meshës, një prift i qetë e me shumë kulturë, e kapërceu krejt natyrshëm ketë moment që Armenin e bëri të djersinte:
“Sakrestani im është i ri dhe si çdo i ri në një punë të re, mund të lerë diçka mangët në ditët e para të punës” – u tha besimtarëve. “Të lutem, shko e merre atë që ke harruar në raft” – iu drejtua pastaj Armenit...
8)DITA E PESTË – GRUAJA ME ÇANTË TË HAPUR
Ajo ishte një zonjë rrethë të dyzetave, simpatike, veshur me elegancë dhe binte në sy për sjelljen e kujdesëshme ndaj punonjësve të kishës. Përshëndeste, buzëqeshte, dhe çantën e hapur, e mbante gjithmonë në supin e majtë. Njihej si frekuentuese e hershme e kishës, por jo aq e meshave që zhvilloheshin dy herë në ditë. Shfaqej në mëngjes , sa hapej dera kryesore, me lukun e trukuar këndshëm dhe flokët krehur bukur e lëshuar përpara, deri mbi harqet e dy kodrave që lartësoheshin ndjeshëm.
Armeni hapi derën qëndrore dhe ajo ishte aty, me buzëqeshjen gati mbi buzë dhe çanten hapur mbi supin e majtë. Me një lëvizje elegante të kokës, derdhi buzëqeshjen stampë, duke trasmentuar diçka artificiale që nuk kishte të bënte as me shpirtin, as me zemrën. Hyri në kishë me hapin e lehtë si pupël, si të trembej nga zhurma e gjurmëve te saj kur shkelnin mbi dysheme. Atë ditë ishin kthyer dhe barbonët, të cilët shkuan fill në sallën ku dillte avulli i kaldajës. Pas një nate të akullt nën strehët e jashtëme të qytetit, duhej në “shkrinin” e të vinin në qarkullim gjakun e trupit të ngrirë. Zonja, edhe ajo humbi në labirinthet e kishës, ndoshta për t’u lutur për mëkatet e natës.
Sakrestani ynë po merrej me punët e rutinës së përditëshme, kur iu kujtua një porosi e prerë e administratorit të kishës: “Kujdes gratë me çanta të hapura. Mbaji nën vëzhgim!” Ai e kishte humbur nga sytë zonjën me çantë të hapur . Ambientet e kishës zinin mjaftë hapsirë dhe ishin të ndarë nga njëri – tjetri, përveç sallës së madhe ku mbaheshin meshat. Nuk mund t’i mbaje nën kontroll vetëm me një vështrim. Nxitoi hapat për në sallën e veçuar nën tokë, duke shkelur lehtë mbi dysheme, njësoj si zonja këtë mëngjes. Kur u gjend atje, vuri re, se ajo ishte vendosur përballë portretit të shenjtorit të njohur për mrekullitë humane. Nuk dukej shumë e përqëndruar. Herë vështronte shenjtorin, herë një objekt argjendi në krahë të tij dhe herë çantën që i varej mbi supin e majtë. Ishe akoma e dyzuar për veprimin e mëtejshëm. Ndoshta i lutej shenjtorit për ndonjë mëkat të paramenduar. Armeni, ndërsa po ndërronte disa qirinj të përgjysmuar, “u koll” lehtë dhe zonja lëshoi pa dashje një tingull frike që e mbushi sallën bosh. U kthye nga ai, krejtë e verdhe në fytyrë, mezi formoi një fjali të shkurtër:
“Thash se isha vetëm!”
“Vetëm jeni. Unë nuk jam fare këtu!”
“Pse, ku jeni ju?”
“Në hijen tuaj. Ishte ajo që ju trembi!”
Zonja me çantë të hapur nuk e vazhdoi më tej dialogun. U kthye drejtë portës dhe u largua pa bërë kujdes për zhurmën që bënin hapat mbi dysheme.
9)DITA E GJASHTË – GABINA E RRËFIMIT
Gabina e rrëfimit ishte vendosur në anën e majtë të sallës kryesore të kishës. E gjitha në dru, ngjante me vendrojet në pikat e vrojtimit të ushtrisë shqiptare. Brenda kishte një stol ku ulej prifti dhe përballë një sportel ku rrëfehej mëkatari.
Për dy ditë radhazi, Armen Kodrës, i kishte rënë në sy një trup i bukur femre me kokën dhe shpatullat thelluar brenda sportelit. Ishte një trup perfekt ku dallonte beli i hollë dhe dy kofshë të plota vendosur mbi këmbët e drejta e të lëmuara, nën një palë çorape ngjyrë mishi. Fundi i ngushtë dhe pakë i shkurtër, prezantonte një moshë të re me ndjeshmëri të hollë. Kur e pa për herë të dytë, Armeni, e ndali pakë vështrimin dhe fiksoi një dridhje të lehtë vibruese, e cila herë shkarkohej mbi njërin gju dhe herë mbi tjetrin. Dukej se mëkataria nuk ishte e qetë. Edhe shpatullat që ngriheshin e uleshin ndjeshëm, tregonin për një frymëmarrje të nxituar e të thellë. “Do të ketë bërë mëkat të rëndë”, mendoi dhe vazhdoi punën sipas programit të përditshëm. Fytyrën e femrës nuk e pa asnjëherë, ndërsa priftin ku rrëfehej e kishte njohur nëpermjet një bashkëpatrioti të tij verior në një nga klubet e qytetit. Kishin pirë kafe së bashku dhe kishin folur gjatë për masakrimin e përfaqsuesve të fesë në Shqipëri. Dukej burr i ditur me capacitetet e një intelektuali poliedrik. Njihte mirë historinë e vjetër dhe të re të Kosovës. Armeni e kishte ndjekur me kureshtje e vëmendje të madhe gjithë fjalën e tij. Atë ditë kishte mësuar mjaftë gjëra të reja që nuk i kishte ditur më parë. Në këtë mënyrë,prifti kishte fituar respektin e tij maksimal, të cilin e reflektonte sa herë përshëndeteshin ose flisnin për gjëra të zakonshme.
Në fund të ditës, Armen Kodra, u ndje shumë i lodhur. Bëri kontrollin rutinë të ambienteve të kishës, pastaj mbylli dhe vulosi dyert e saj. Pa asnjë mendim tjetër në kokë shkoi drejtë e në shtëpi. Njëri nga djemtë, i mesmi, kërkoi të dinte se si shkonte puna e re. Ishte pikërisht ai që kishte më shumë lidhje shpirtërore me fenë. Ai që ishte pagëzuar në kishë dhe frekuetonte rregullisht ritet fetare. Armeni, nuk iu përgjigj menjëherë duke i dhënë të kuptoj se ishte i lodhur. Pak më vonë tërhoqi vëmendjen e të birit me një frazë të vetme që nuk linte shteg për bisedë të gjatë: “Aty çdo gjë është preçize dhe kërkon një punë preçize. Këtë po mundohem të bëjë edhe unë!”...
Pasi hëngri darkën, mori një libër dhe u mbyll në dhomën e gjumit. Lexoi faqen e parë. Në fund të saj, një paragraf i tërë me disa rreshta, fliste për ndezjen e qirinjve në një kishë franceze. Qirinjtë e kthyen në kishën ku punonte. Filloi të dyshojë, se në njërën nga sallat e katit përdhesë, kishte harruar disa qirinj ndezur. Ky mendim e terrorizoi. Iu kujtua historia e Kishës. Në udhën e gjatë mijëvjeçare ishte djegur dy herë. Në se nuk do të kujtohej kjo do të ishte e treta. U ngrit fluturimthi nga shtrati, u vesh dhe doli. Iu drejtua portës së prapme të kishës, andej nga hynte personeli. Bëri kodin, hapi derën e brendeshme dhe pa humbur kohë shkoi drejtë e në vendin ku dyshonte. Kur po përshkonte koridorin e gjatë, ndjeu një rënkim të thellë femre dhe ktheu kokën nga i erdhi zëri. Në një aneks të krahut të majtë të koridorit, pikërishtë në vendin ku një ditë më pare ishte improvizuar si dhoma e lindjes së Krishtit, dalloi trupin e një femre që bënte seks me një mashkull. Nuk guxoi të vështronte gjatë e të zbulonte detaje të tjera, por ai fragment sekondi që drejtoi sytë, i mjaftoi të njihte trupin e femrës që ishte rrëfyer dy ditë me radhë në kabinën e rrefimit. Edhe këtë herë, ajo ishte me shpinë nga ai. Fytyra tjetër, ajo e mashkullit, u dallua qartë dhe i krijoi një blackaut që e shtyu më tej me mendjen bosh. Vendi i qirinjve e risolli ne vete dhe u gëzua pa masë, që mendimi se i kishte harruar të ndezur, kishte qënë thjeshtë një iluzion.
10)DITA E SHTATË – LARGIMI
Armen Kodra u shtri në shtrat, por jo për të fjetur. Ajo që pa në kishë atë mbremje, e tronditi thellë. Në fund të ditës së gjashtë që punonte aty, kishte plotë gjëra që nuk vinin në një linjë me bindjet e tij, por kjo kishte qënë e paimagjinueshme. I jepte vetes të drejtën të mendonte gjithëçka, por megjithatë, fantazia asnjëherë nuk i kishte mbrritur deri këtu. Njeriu që i përcillte mëkatet Zotit, mëkatonte vetë. Mëkatonte në vendin e shenjtë që simbolikisht jepte lindjen e Krishtit. Me fjalë të tjera, mund të thuhet qartë, se cikli i mëkatit mbyllej në kishë, nuk shkonte në qiell, që atje të vlerësohej nga Zoti, ne se mund të falej apo ndëshkohej. Dhe për më keq akoma, mëkati “shpërblehej” me mëkat nga njeriu që kishte marrë përsipër të informonte Zotin. Ky ishte kulmi i zhgënjimit, kulmi i hipokrizisë! Nuk arrinte të imagjinonte ç’mënyrë kishte përdorur prifti i Gabinës së Rrëfimit për të kaluar nga një mëkat në tjetrin? Ç’fjalë kishte përdorur, ç’gjuhë? Si e kishte bindur një besimtare të kalonte nga mëkati në mëkat? Ç’emër i kishte vënë vetes për të përligjur atë që do të kryente? Të gjitha përgjigjet e pyetjeve të shumta që pasonin njëra – tjetrën në një radhë të gjatë e të pafund, i përmblodhi vetëm me një fjali: “Një njeri normal si unë, nuk mund të zbuloj dot kurthet që ngre një mashtrues profesionist”.
Që njerëzit e Fesë mëkatonin, kjo nuk ishte një gjë e re për Armenin. Sipas idesë së tij, ata ishin njerëz si të gjithë të tjerët dhe ishte e pamundur t’i largonin nga mishi, gjaku dhe shpirti i tyre, nevojat fiziologjike, nevojat natyrore të njeriut. Që fëmijë, në vendlindjen e tij, kur feja ende nuk ishte e ndaluar me ligj, kishte dëgjuar për lloj – lloj ngjarjesh lidhur me abuzimin seksual të klerikëve. NJë Baba, shumë i njohur,në Teqen qëndrore të një krahine të madhe jugore, kishte lënë shtatzënë një vajzë katërmbëdhjetë vjeçe, që prindërit ia besuan ta shëronte nga sëmundja e epilepsisë. Babait rrufian, i kishte rënë në sy menjëherë zhvillimii i parkohshëm seksual të vajzës, që përveçse ishte shumë e bukur, kishte edhe një trup të plotë e të ngjeshur si të ishte tetëmbëdhjetë vjeçare. Në vështrimin e etur të babait që gëzonte shëndet të plotë dhe forcën e një mashkulli dyzetvjeçar, “epilepsia” u përkëthye në “histerizëm”. Me fjalë të tjera, vajza ishte pjekur dhe digjej për seks. I propozoi familjes së saj, se mundësia për ta shëruar nga sëmundja e ligë ishte premtuese, por vajza duhej të rrinte në Teqe, për një kohë të pacaktuar. Kështu u bë. “Fjala e Babait në vesh të Allahut”. Pas një viti, katërmbëdhjetë vjeçarja u bë pesëmbëdhjetë dhe babai, jo vetëm që e rriti si moshë e si trup, por shumë shpejt i rriti edhe “barkun”. Këtë të fundit, nuk e mbajti dot fshehur. Ai që u “fsheh” përgjithmonë nga shërbimi fetar ishte vetë Babai i Teqes së njohur në krahinën e madhe të jugut të Shqipërisë.
Armeni solli në mendje edhe mjaftë ngjarje të tjera të dëgjuara në vendin e tij dhe këtu ku jetonte si i ardhur. Kaloi në memorje edhe përmbajtjen e “Kodit të Da Vinçit” nga Dan Brawn, por ndryshe ishte t’i dëgjoje, e t’i lexoje faktet, dhe krejt ndryshe t’i shikoje me sytë e tu. E vërteta është se romanin e bujshëm nuk e kishte besuar si të vërtetë. Ai kategorizohej në gjininë letrare të trillerit, që do të thotë të trillosh sa të mundësh, për ta bërë veprën interesante dhe të tërheqësh sa më shumë lexues. Ajo që Armen Kodra nuk e gëlltiste dot në të gjitha ngjarjet e mbrapshta që lidheshin me disa klerikë, ishte mashtrimi i dyfisht prej tyre. Mashtronin Qiellin, mashtronin dhe Tokën. Askush nuk i detyronte këta njerëz, të bënin atë që dëshironin në mënyrë legale. Në se donin seks, të martoheshin, të krijonin familje dhe të jetonin si të gjithë familjarët e rregullt. Nëse donin të jetonin në shoqërinë e një femre edhe kjo ishte shumë e mundur të bëhej legale. Por nga momenti që kishin veshur petkun e shërbetorit të qiellit të pastër e të kristaltë, si oborr i të madhit Zot, do të thotë se kishin pranuar kodin qiellor, Biblën, dhe nuk mund të lëvizin nga mësimet e saj. Nuk është aspak e moralshme që Qiellit t’i marrësh të hollat, e Tokës qejfet. Kjo do të thotë të hash me dy lugë dhe me të dyja duart, atë që nuk të përketë. Vërtetonë katërcipërisht, një thënie të vjetër popullore, filozofia e të cilës jepet me një fjali të vetme: “Bëj si them unë, por mos bëj si bëj unë!” Mashtrim më monstruoz se ky, nuk mund të ketë as për Qiellin, as për Tokën.
Nga ana tjetër, si njerëz të zgjedhur në shërbim të Zotit, nuk mund të jenë në të njëjtën kohë, edhe me Zotin edhe me Djallin, sepse parimi kryesor i asaj që bëjnë, eshtë të pastrojnë njerëzimin nga ligësitë djallëzore. Në momentin që kapërcejnë pragun e kishës, janë aty për të mbrojtur veprën e kthjellët të të Plotëfuqishmit nga këto djallëzi. Nëqoftëse nuk e bëjnë dot këtë, do të thotë se janë ndërtuar keq nga vetë i Plotëfuqishmi. Janë pjesë e anës së tij të keqe dhe nuk janë të denjë për të punuar në Kishë. Aty duhet të shkojnë të gjithë ata që vetë Zoti i ka ndërtuar pa njolla. Duke menduar këto, Armen Kodra, vazhdonte t’i përmbahej idesë që kishte shfaqur në dialogun me Don Dino. Zoti vetë, në përmbajtjen e tij, i ka të dyja anët e medaljes; të mirën dhe të keqen. Se në çfarë raporti rrinë këto me njera – tjetrën, kjo, është diçka që duhet parë e studiuar më mirë.
Nga dritarja depërtuan rrezet e para të agimit dhe Armeni ktheu kokën nga ora. Që kur filloi punën në kishë nuk e vinte zilen e zgjimit. Jeta i kishte dhënë refleksin të zgjohej shumë shpejtë në mëngjes. Edhe në një natë të tillë si kjo, që nuk i mbylli sytë fare, nuk rrinte dot në shtrat pas orës gjashtë. Kishte ende edhe dhjetë minuta kohë.
Netët pa gjumë kishin qënë të shpeshta për jetën e Armenit, por mendimet e reja për Zotin dhe shërbetorët e tij, që mbushën natën e kaluar, përbënin një dimension të ri në hapsirën e të menduarit. I kaloi të gjitha nëpër mend ato që i kishin ndodhur në gjashtë ditë. Puna e re, edhe pse më prestigjioze dhe më pakë e lodhshme fizikisht, i kishte dhënë më shumë stres. Ndihej i izoluar në një vend ku sundonte heshtja. Një heshtje që ndonjëherë i dukej e frikshme dhe ndonjëherë e rreme, mashtruese. Kjo mund të mos ishte e vërtetë për dikë tjetër në rolin e tij, por vetë Armeni, kështu e ndjente. Ky lloj ambient jo vetëm që e stresonte, e trishtonte, por e bënte edhe të gabonte. Në gjashtë ditë kishte bërë tre gabime. Me tasin e mëshirës, ostia –n dhe qirinjtë. Këto dhe ajo që përjetonte në ndërgjegje, ishin më se të mjaftueshme, për të kuptuar se Zoti nuk e kishte ndërtuar për atë vend pune. Nuk donte t’ia zinte një tjetri që do ta kryente me pasion. U ngrit nga shtrati, u vesh,kryeu veprimet e mëngjezit, shkoi në zyrën e administratës dhe kërkoi largimin e tij të pakontestueshëm.
FUND
No comments:
Post a Comment