Thursday, 3 November 2016

RRËFIM PËR NJË VDEKJE TË MBETUR GJALLË

RRËFIM PËR NJË VDEKJE TË MBETUR GJALLË                                      
Një bisedë e paharruar!
Ishte fillim pranvera e vitit 1944. Një ditë babai më mori me vehte, më hipi në kalë dhe zbritëm poshtë në fushë. Babai ndaloi, më zbriti nga kali dhe me shaka më tha të rrija të kullosja “Doriun”, kurse ai mori llastarët, u drejtua tek gorricat dhe filloi ti shartonte në dardha. Si mbaroi shartimin, u nisëm përsëri për të shkuar të shikonim arat e mbjella me misër, nëse kishte mbirë.
Duke ecur babi më spjegonte se ku ndodheshin arat tona. Kjo që shartuam gorricat në dardha, është ara jonë  e quajmë “Dardhëza”, zë 35 stremë; ajo atje lart, që duket si rryp, quhet “Rripeza”, zë 5 stremë; ajo ara që ndodhet në të majtë të atyre ullinjëve, quhet “Flamureza”, ajo është 25 stremë; në anë të lumit kemi “Potamenë” që është 20 stremë; kemi edhe ca ara të tjera që nuk duken. Këto tre kodrat që ndodhen mbi xhade, djathtas kur shkon për Mininë, quhen kodrat e “Hoxhenjëve”, ato i kemi ne, bashkë me xho Harunin, Qerimin, Shemon dhe Skëndon.
Mbasi qendroi pak, mu drejtua mua, unë sapo kisha mbushur 6 vjeç, më tha: “Ah mor djalë, të pastë babaj, je i vogël për këto që të them unë dhe nuk do i mbash dot mënd”. Do i mbaj mend, se do vijmë shumë herë, i thashë unë.  
Babai më shikoi në sy, me një përqëndrim të veçantë. Më fërkoi kokën dhe vazhduam rrugën…..!
Unë nuk i dija ato që dinte babai. Mbas tre muajsh ikëm fshatçe dhe u nisëm për rrugëtim të gjatë. Babai nuk u kthye më në fshatin e tij të lindjes, ai vdiq larg. Asnjëherë nuk e harroi, e gjithë koha që jetoi larg fshatit u shoqërua nga kujtimet e shumta me të cilat ngushëllonte veten dhe bashkëfshatarët, me të cilët kishte jetuar mbi 45 vjet jetë.
Bisedën që më kishte bërë babai, po thuaj e kisha harruar, në fakt nuk më kishte shkuar ndërmend, por më 3 qershor të vitit 2004, kur mu krijuan mundësitë, shkova në fshatin tim, në Çamëri, mbas plot 60 vjetësh që ishim larguar. Kur zbrita poshtë tek ara, që babai më kishte bërë atë bisedë, u kujtova dhe hodha shikimin në drejtimet që më kishte porositur ai. Mu kujtua e gjithë biseda, i mbaja mend të gjitha dhe fillova t’ua tregoja djemëve të mi, tashmë të rritur.
               Vendime antinjerëzore që duhen ndrequr urgjentisht
Shkaqet kryesore që shkatërruan hapësirën territoriale në mënyrë katastrofike dhe sollën shprishjen e gjakut etnik të “dardano-arbëror-epirot”, me deklasifikimin e dokumentave, u arrit të zbulohen se kanë ardhur nga dy vendime fatkeqe dhe tepër çnjerëzore, të marra dy herë radhazi nga Fuqitë e Mëdha, kryesisht nga Britania e Madhe, Franca dhe Rusia,
a.-Vendimi i parë fatkeq, ishte copëtimi i territorit etnik shqiptar, duke ja dhuruar padrejtësisht greko-jugosllavëve, bashkë me banorët përkatës etnikë shqiptarë. Kjo e vërtetë argumentohet duke sjellë në kujtesë, arësyen e copëtimit të Shqipërisë në vitin 1913 nga ana e Fuqive të Mëdha, e cila bëhet e njohur nga interpelanca e Z. Eduard Grej, ish ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe nga 1905 deri 1916, i cili ka deklaruar:
“.....Por, duhet të kemi parasysh se, në bisedimet rreth kufijve të Shqipërisë, qëllimi kryesor ishte që të mos hapej konflikt midis Fuqive të Mëdha. Prandaj, në qoftë se marrëveshja mbi Shqipërinë u arrit duke mbajtur harmoninë ndërmjet Fuqive të Mëdha, mund të themi se ka qenë një sukses i plotë për interesin jetësor të paqes në Evropë”.
b).-Vendimi i dytë fatkeq, ishte këmbimi i popullsive me kriterin e besimit fetar. Edhe arësyen e shkëmbimit të popullsive, e sqaron zyrtari i lartë anglez, Zoti George Nathaniel Curzon, Sekretari i Jashtëm britanik (1924-1925), i cili “ndjehej thellësisht keq, që shkëmbimi i detyrueshëm i popullsive duhet të ishte një zgjidhje, pasi ajo zgjidhje është tërësisht e keqe dhe vicioze (e mbrapshtë), për të cilat bota do të paguajë një dënim të rëndë për njëqind vitet që vijnë”.
            Për marrëveshjen turko-greke, të shkëmbimit të popullsive me besime fetare të ndryshme (banuesit ortodoksë në Turqi dhe banuesit myslimanë në Greqi, pavarësisht nga etnia), z. M. Norman Naimark ka pohuar se traktati ishte pjesa e fundit e fushatës së spastrimit etnik për të krijuar një atdhe etnikisht të pastër, mbi baza fetare për dy shtetet, Turqinë dhe Greqinë. Historiani Dina Shelton në mënyrë të ngjashme shkruan se “Traktati Lozanës kompletoi transferimin e detyruar të ortodoksve të vendit” (ortodoksët në Turqi - myslimanët në Greqi). Kjo ide ishte një zgjidhje e zbatuar nga veprimi i qeverive turke e greke në dëbimin e personave me besime fetare të ndryshme midis dy shteteve.
            Copëtimi i Shqipërisë në vitin 1913 dhe shkëmbimi i popullsive me besime të ndryshme, pavarësisht etnive, janë shkaqet kryesore që kanë trazuar Ballkanin ndër vite, sidomos popullsinë etnike shqiptare, duke filluar nga rajoni i Çamërisë, Janina e rrethinat, Meçova, Konica, Grebeneja, Kosturi, Manastiri, Kosova, e deri në Mal të Zi.
Rrjedhojë e këtyre vendimeve fatkeqe, shtetet përfituese, sidomos shteti Grek dhe ai Serb, që në fillimet e zgjerimit të territoreve mbas Luftës së Parë Botërore, ndërtuan strategjira diferencuese dhe diskriminuese ndaj banorëve të etnisë shqiptare, me vrasje, rrëmbime pronash të paluejtshme, denigrim të banorëve, shqiptarët etnikë i quanin myslimanë turq, të padëshirueshëm, tradhëtarë të kombit grek pasi kishin ndërruar besimnin fetar, i trajtonin popullsi jogreke, nuk u njihnin asnjë të drejtë dhe as të banonin në shtetin Grek.
Krijimi i këtyre rrethanave dhe situatave tejet të vështira, u dhanë mundësira të mëdha qeverive fqinje të kohës, të përfitonin nga shanset historike, duke u mbështetur fuqishëm si ushtarakisht dhe fetarisht nga ana e disa shteteve me prirje tolerancash të krishtere, fenomene që konstatohen edhe tek disa prej udhëheqësve të sotëm europianë, sidomos me refugjatët sirianë.
                                      Vdekje e mbetur gjallë
Qershor 1944. Nis tragjedia. Një skëterrë gjithpërfshirse pushtoi çdo familje çame, kudo në fshatra dhe qytete. Tmerr dhe frikë në çdo qelizë të banorëve të rajonit të Çamërisë. Çdo familje vendosi duart në kokë prej panikut, u “trash” truri, u shokuan ndjenjat, zemrat dhe gjithë trupi u dridhej, shfarosja dhe shpërngulja e dhunshme nisën të veprojnë me shpejtësinë e bishës. Sinjali i parë erdhi nga Paramëthia. Burra, gra, fëmijë, pleq e plaka, të moshuar e të sëmurë tejet të çoroditur, nisë udhën e gjatë të mërgimit, nën prezencën e raprezaljeve çnjerëzore të bandave krimninale të Napoleon Zervës, inspiruar nga Athina zyrtare e atyre viteve.
Lajmi u përhap me shpejtësi në çdo vatër familjare të Çamërisë. Ujqërit, hienat dhe çakenjtë grekë po vrasin dhe therin çdo njeri që u del përpara. Djegin shtëpi e vathë, rrëmbejnë bagëti e pasuri nga të banorëve çamë myslimanë. Të gjithë banorët ishin mbërthyer nga paniku, të çoroditur e të tmerruar, ashtu të pa organizuar, filluan të groposin zahiretë, të marrim kafshët samariare, të hypnin në kafshët e ngarkesave fëmijët e vegjël nëpër kosha, që i prëdornin për transportin e ullinjve. Në samar, të sëmurët dhe pleqtë e pafuqishëm. Pak shtresa e mbulesa, pak rroba për veshje dhe me nxitim nisën rrugën drejt veriut. Bagëtia e prodhimet bujqësore mbetën pa zot, jo të gjitha mund të merreshin me vehte. Pjesa më e madhe mbeti atje, i u nënështrua lukunive të ujqërve, hienave që kishte lëshuar nazifashisti, racisti, gjqakpirësi Napoleon Zerva. Dhentë, dhitë, kafshët, shpendët shtëpijake blegërinin, kakarisnin jo me tingujjt e zakonshëm. Qentë me krye përpjetë lehnin me zë të veçantë, ndjenin kobin që kish nisur.
Ishte 22 korriku i vitit 1944, ditë e premte, kur prindërit bashkë me ne fëmijët, dolëm nga shtëpia dhe nisëm rrugën e mërgimit, sëbashku me familjarët e tjerë. Karvanët me kuaj, mushka e gomerë, kope dhensh dhish, lopë e qé, ecnin avash se turma ishte e të gjitha moshave. Një pjesë e mirë të ngarkuar me dengje rrobash për veshje dhe fjetje, sigurisht jo të mjaftueshme, aq sa mundeshin dhe me atë paraqitje, arritëm në Sajadhë më 15 gusht të vitit 1944 (fshat çam në buzë të kufirit). Udhëtim që zgjati plot 25 ditë e netë. Me pushime të shkurtëra, nga lodhja, sëmundjet, të uriturit, të ftohtit dhe frika se prapa nesh ishte bisha e tërbuar. Edhe ata ecnin avash, por arësyeja e vonesave të tyre ishte se humbisnin kohë për plaçkitje, djeg’je shtëpish, rrëmbime dhe vrasje të atyre që ende nuk kishin nisur rrugën e mërgimit, sidomos fshatrat e rrethinave të Agisë, Margëllëçit, të Mazarrekut, të Volës.
Nuk  është fantazi, as ilustrim, është një e vërtetë që shkruhet nga dëshmitari okular, por edhe e vërteta, kur është fjala për tmerre, tragjedira, vrasje masive, therje, plaçkitje, vështirë se besohet. Për tu besuar, kujtojmë  tragjedinë, gjenocidin që u realizua me popullin e Kosovës, krahun tjetër të shqiponjës, në vitin 1999, nga “zerva i serbisë “, ku u ndoq i njëjti skenar, ajo e vrasjeve, therjeve, djegjeve, shpërngiuljeve masive.
A mundet të theret djali në sy të nënës?, a mund të përdhunohet vajza në sy të babait të lidhur?. Ja pra, unë pyes dhe ju përgjgijeni të sigurtë duke thënë: Kurrën e kurrës, kjo është mizori, antinjerëzore. Këto janë kryer nga andartët e Zervës ndaj popullit çam, ashtu dhe nga paramilitarët e Arkandit serb. Këta kriminelë, këta fëlliqsira, pushtetarë grekë e serbë, kriminelët i kanë ngritur në piedestalë me monumente për të mos harruar bëmat e tyre çnjerëzore, ndaj viktimave dhe për heroizmat e treguara si “kanibalë”.
Shpërngulja masive nisi. Karvanët filluan të lëvizin, të trembur, të dremitur. Njerëzit të brengosur, me llahtrari vazhdonin lëvizjet. Zëra fëmijësh që qanin për të ngrënë e për të pirë, të sëmurë që lëngonin, të moshuarit hera herës uleshin për të pushuar sadopak, me kokën prapa per dy arësye, për ç’ka linin pas krahëve, për shtëpitë dhe gjithë jetën e tyre, mundin, djersën, trashëgiminë dhe tjetra për frikën se mos afroheshin jetëmarrësit, andartët, kriminelët, hajdutët dhe imoralët e kuçedrës Zervë, që kishin marrë përsipër plotësimin e urdhërit të shtetit dhe kishës ortodokse greke.
Karvanët vazhdonin rrugën të trembur, të tronditur, të lodhur, pashpresë sepse nga çasti në çast afronte vdekja ose nga plumbat e “heronjëve” grekë, ose nga sëmundjet, uria dhe të ftohtit, pse jo dhe nga lodhja, jo të gjithë kishin kafshë ngarkese për të ecur kaluar. Thonë dhe bëjnë paralelizma me “karvanët biblikë”. Unë them Jo. Karvanëve biblikë u prinin profetët, të cilët e dinin pse lëviznin nga një vend në tjetrin, ishin të organizuar e të vetëdijshëm; ndërsa karvani i çamëve ishte i pa organizuar, pa profetë dhe pa e ditur se ku do të arrinin. Këto karvane ishin karvanet e mjerimit, të vuajtjeve, karvanet e vdekjes.
Në kokat e çamëve vinin e iknin mendime të shumta e të ndryshme. Në ecje e sipër, të sëmurët rëndë dhe fëmijët nga të paushqyerit vdisnin, vdisnin edhe njerëz të shëndetshëm dhe në moshë të re si pasojë e torturave që kishin kaluar, apo e shënjestrave të pushkëve që zbrazesishn herë pas here mbi turmat, që “shakaxhinjtë” grekë provonin shenjastrat dhe mbasi trupi i vendosur në shënjestër palosej përdhe, gajaseshin, qeshnin, sepse shenjestra vriste një njeri...
Grupe-grupe me bazë familje, fisi apo fshati njerëzit vazhdonin rrugën me brenga të thella dhe me merakun e pamasë për të shpëtuar fëmijët dhe prindërit e pamundut. Në ato momente mendja nuk shkonte shumë larg, në ato ç’farë lanë prapa, pasi imediate ishte të shpëronin jetët që ishin afër, shumë afër vdekjes. Në vazhdim të udhtimit, përveç sa u tha, filluan edhe shirat të cilat e vështirësuan edhe më shumë udhëtimin e pa fundditur.
Tek ura e fshatit Vërselë, e cila ishte dëmtuar, për ta kaluar lumin, turma u fut në ujë, u lagën dhe u thanë rrugës nga nxehtësia e trupit në lëvizje. Kalimi i lumit Kalama (Thyamis), i fryrë nga ardhjet e ujrave të shirave të rrëmbyeshëm, ishte tepër i vështirë. Motra ime, 11 vjeçe, e cila bashkë me kushurinjtë, shoqëronin kafshët, për kalimin e lumit ajo u kap mbas bishtit të lopës,“Thëllënxës”. Po atë ditë një grua me fëmijën e mbështjellë në kopan, shkoi deri në mes të lumit dhe nga vërshimi i ujit, i shpëtoi kopani me fëmijën, e mori rryma. Nëna u sul për të kapur kopanin me foshnjën e saj 9 muajshe, por... jo. Ishte e pamundur..... U mbytën të dyja, nëna dhe foshnja!
Karvani i vuajtjeve vazhdonte rrugëtimin i rraskapitur. Synimi:  për të kaluar në anë tjetër të “Qafë Botës”, ku ndan kufiri i Çamërisë me Çamërinë. Konispoli përfshihet në krahinën e Çamërisë, por në vitin 1913 shpëtoi nga vendosja e kufirit  me Greqinë, duke mbetur brenda kufirit etnik shqiptar, pra në shtetin Shqiptar.
Sasia e ushimeve të marra me vehte, në vrull e sipër gjatë largimit nga shtëpitë, po mbaronte. Uria, e pranishme në çdo familje çame, ndikonte në dobësimin e energjive dhe në trurin e njerëzve, filluan tu merreshine mënd, si efekt i mungesës së të ushqyerit. Ata që kishin mundësi të merrnin tufën e bagëtive, herë pas here thernin ndonjë dele ose dhi dhe mishin e ndanin mes tyre, por ishte e pamjaftueshme, turma e njerëzve ishte e madhe. Graria shpërndaheshin në pllajë dhe mblidhnin pushtanika, i piqnin, na i jepshin për të ngrënë, mblidhnin lëpjeta, lakra të egra dhe me pak oriz i gatuanin. Shtynin vaktet. Lëngimet e të sëmurëve sa vinin e shtoheshin, ofshama prej të moshuarve, qarjet fëmijësh për bukë e ujë shoqëronin lëvizjet e turmave të atyre njerëzve shpresëpak. Kjo ishte gjendja gjatë gjithë rrugës derisa grupe-grupe familjet çame zbrisnin tek fusha e Vasilikoit, poshtë në perëndim të Konispolit.
Shpërngulja me dhunë, dënimi i pashembullt i popullsisë myslimane të Çamërisë nga zervistët, u realizua në sy e faqe të përfaqësuesve të shteteve të Europës, pjesa e mbetur gjallë, e asaj popullsie, arriti të kapërcejë kufirin dhe nisi rrugëtimet nëpër fshatra dhe qytete të Shqipërisë. Lëvizja e karvanëve ishte e ngadaltë, shumë e ngadalt, sepse mbizotëronin lodhja, sëmundjet, uria, pafuqia e pleqve, pavetëdija e foshnjave dhe e fëmijëve të vegjël. Edhe kafshët samariare me ngarkesa, ishin me frymë, donin të pushonin, të kullosnin, megjithëse frika e vdekjes që na ndiqte, sepse edhe vrasësit lëviznin drejt nesh me shpejtësi nga jugu i Çamërisë drejt veriut; por, gjithçka bëhet brenda mundësive, edhe kur vdekjen e shikon me sy që po afrohet.
Ndërmjet shumë të torturuarve që kanë vdekur dhe të vrarëve në fshatrat çame, po sjellim në kujtesë disa prej tyre, për të kuptuar vërtetësinë e gjenocidit grek ndaj çamëve myslmanë. Dëshmitari Mehmet Nuhu tregon se “në gusht 1944 trupat e komanduara nga major Papa Nika nga fshati Agjia, kapiten Anastas Rafti dhe major Vasil Bullumi, kanë vrarë disa persona...” (të cilët Mehmeti i jep dhe emrat e të vrarëve, shif tek libri “Amaneti Çam”, fq .91, botim i vitit 2011). Riza Gjinika nga Margëllëçi, dëshmon: “major Vasil Bullumi dhe kapiten Miltiadh Pilo Loli, veç djegjeve dhe plaçkitjeve që i bënë qytetit, kanë vrarë djalin e tij, Abedinin 13 vjeç. Djalin ja djogji në furrë vetë kapiten Miltiadh Pilo më 29 nëntor 1944; ndërsa major Vasil Bullumi ka therur me thikë, në shtëpinë e tyre më 22 qershor 1944 Qamil Abazin 75 vjeç dhe të shoqen Merjeme Qamilin 65 vjeçe.
Deshmitari Sulo Emini nga fshati Sollopi, i nënprefekturës së Filatit, dëshmon: “Forcat e ushtrisë geke hynë në Sollopi me datë 25 allonar (korrik) 1944, duke vrarë me armë, pirovollo dhe murtaja. Nga frika, ne muarëm rrugën për në Filat. Rrugës duke ecur forcat greke vranë 24 shpirt” (jep emrat e tyre). Sulua vazhdon: “ U kam parë me sitë e mi, që kur ushtria zerviste hiri në fshatin tim, menjëherë i vunë zjarrin Sollopisë dhe gjithë fshatrave të Shkallës dhe ne, duke ikur rrugës për në Filat, kur kthenim kokën prapa shohim (shikonim) vetëm kamnua (tym) e zjarr që dilte ka ato fshatra”. Xhaferr Abazi, Xhevdet Rizai, Sulejman Zeneli, midis të tjerash dëshmojnë: “Thanas Rafti me pesë zervista, pasi çnderuan dhe rrahën Adilenë dhe motrën e saj, i varën me kokë poshtë dhe pasi u morën parat i therën të dyja në shtëpi. Ndërsa Bidekos i therën djalin në gjoks tek po i jepte për të pirë. Abedin Prronjon, djalë 17 vjeç, e therën në sy të së ëmës, e bënë copa-copa, një pjesë të kafkës së djalit e mori e ëma, Fatija, e cila e ruajti, e mbështolli në gji”. Një tjetër ngjarje, nga të shumtat si këto, na e sjell dëshmia e Fahro Zenel Qemalit nga fshati Karbunar, nahi e Paramëthisë, e cila kujton: “Kur na erdhën në sabah (mëngjes) gratë, të cilat i kishin mbajtur gjithë natën në huqumet dhe dëgjoheshin të bërrtiturat e grave dhe vajzave, pasi përdhunoheshin nga grekët, paçë (pashë) me sitë e mi një grua xathur (zbathur) që bërrtiste dhe që i tha N/kolonel Kranjajt: “Kështu bë qeveria, që lëshon asqerët të na çnderojnë e të na shkliejnë (shqyejnë)?”. Gruaja që i drejtohej N/kolonelit, quhej Mensure Bakiu!. (Marrë nga libri “Amaneti Çam, botim i vitit 2011).
Ngjarje të tilla të llahtarshme ishin të shumta, ato janë dëshmuar nga personat e pranishëm, në prani të të deleguarve të ndryshëm të institucioneve shtetërore shqiptare dhe organizatave ndërkombëtare. Për njohje të plotë me ‘to, informimi është pasqyruar në Librat: “Masakra në Çamëri”, bot. i vitit 2009; “Amaneti Çam”, bot. i vitit 2011, etj.
 Sa vrasje, vdekje u bënë gjatë rrugës së emigrimit, therje, përdhunime e rrëmbime gra e vajza. Nuk është nevoja e ritheksimit të numrave, pasi jo vetëm që dihen, por më mirë të mos egërsohen gjakrat e shpirtrat e njerëzve me ndjenja, njerzve të kulturuar, me moral, pasi në ato situata, veprime të tilla vërtet ishin të pranishme, por absolutisht të pa pranueshme. Shfarosjet dhe shpërnguljet masive vazhduan nga qershori i vitit 1944 deri në mars 1945 (Pa përmendur këtu shpërnguljen e çamëve gjatë viteve 1922-1925 me ndërrimin e popullsive greko-turke). Kjo është periudha skëterrë e Çamërisë, periudha e tragjedisë së madhe, kulmet e masakrave, siç është në të njëjtën kohë, kulmi i çmendurisë greke të asaj kohe, megjithatë, sot prap guxohet e thuhet: “Çështja Çame nuk ekziston”.
Sipër kokave tona, qielli gjëmonte nga zhurma e aeroplanëve të aleatëve; ndërsa forcat gjermane, të cilat kishin nisur tërheqjen, ecnin gjatë bregdetit për të kaluar në kufirin detar dhe tokësor shqiptar, por të pashqetësuar, pasi forcat e Zervës krahas marrëveshjeve për mos sulmim reciprok, si efekt edhe i dëmtimeve dhe humbjeve që patën nga forcat greke të ELLAS-it (partizanëve), ishin përqëndruar në Korfuz dhe po rimblidhnin forcat për tu bashkuar me ushtrinë qeveritare të kryeministrin Plastria.
Vështrimi drejt pllajës së Sajadhës ndeshej me pamjet që krijonin familjet e shumta me djepe në kurriz, me dengje, kafshët e ngarkesës ku kishin hipur fëmijët, pleq të sëmurë; ndërsa kopetë me bagëti dhe qentë besnikë, të gjithë sëbashku ishin bërë sikur ishte një kope e pandarë. Në atë situatë për karvanët e çamëve, shtroheheshin tre rrugëzgjidhje, pasi prapa nesh vinin ndjekësit kriminelë, hajdutët dhe rebelët e Greqisë; nga perëndimi afër, shumë pranë, kishim detin Jon; nga veriu ishte kufiri me Shqipërinë, problemi qendronte tek rrugëzgjidhja, nga do e merrnin drejtimin karvanët me njerëz, bagëti dhe kafshë?. Prindërit të gjëndur përpara asaj situate, duhej të merrnin vendimin përfundimtar, cilën nga tre rrugët duhej të zgjidhnin? Të qendronin në Sajadhë dhe të prisnin të na vriste bisha greke, andartët e shfrenuar të Zervës dhe të përlesheshim me ‘ta, ne me grushta dhe ata me armatime e mjete të tjera të forta? A po të hidheshim në det e të mbyteshim të gjithë sa ishim? Së treti, duhej të kërkohej leje kalim kufiri, duke shpresuar se do të lejoheshim të kalonim kufirin dhe të hynim në Shqipëri? U zgjodh rruga për të kërkuar leje kalim kufiri tek partizanët shqiptarë që ishin në kufirin e “Qaf Botës”.
Partizanë të armatosur, me fytyra të qeshura që shprehnin dashamirësi, sigurisht pasi morën pëlqimin nga instatncat më të larta të kohës, lejuan kalimin tonë për të gjithë sa ishim dhe ata që pritej të vinin, megjithë ngarkesat dhe tufat e bagëtive. Kur familjarët u njohën me pranimin e kalimit të kufirit, të gjithë të gëzuar nxituan drejt “Qatë Botës”. Kështu, më 15 gusht 1944, karvanët e drobitur u gjendën në fushën e Vasilikoit, poshtë Konispolit.
Kalimi i kufirit u lejua. Turmat e njerëzve të drobitur nga mundimet, ankthi, frika, nxituan drejt kalimit të “urës së shpëtimit”. Për një çast u harruan brengat dhe njëfarë gëzimi i pushtoi zemrat tona, ndërsa bagëtia blegërinte dhe tingujt e këmborave dhe zileve formonin një sinfoni orkestrale mikse, me ‘to përziheshin dhe të qarat e fëmijëve, rënkimet e të sëmurëve, lehjet e qenëve dhe zërat e dridhur të burrave që bënin thirjje të vazhdueshme për të nxituar turma drejt kalimit të kufirit. Edhe sot më tingëllojnë ata tinguj të përzier: “Gisni shpejt, dihmoni njëri-jatrin, mos lini asnjë gjë, shpejt, gisni moj motra, more vllezër, të shpëtojmë jetën tënë”. Më në fund u ndamë nga vatani, u ndamë nga malli e gjëja, u ndamë nga dhéu që kish ushqyer në shekuj e mijëvjeçarë, u ndamë me pikëllim të thellë nga varret e të parëve.
Konispol 15 gusht 1944, Grupe-grupe, mbi baza familjesh, fisesh qendruam në fushën e Vasilikoit. Një pjesë ngritën tenda me qylyma. Të tjerë nëpër trungjet e ullinjëve, shumica nën qiellin e hapur. Konispoli me shtëpitë e bardha i shtrirë në kodër dhe i rrethuar nga maja e Likojanit dhe mali i Saraqinit, i veshur me ullinj, na mbushte me krenari. Na dukej se lëshonte rreze të forta shprese. Na bëhej sikur thoshte: “Vllezër e motra çame, shpëtuat nga kuçedra vrastare, mblidhni veten, merrni forca të nisni jetën. Tani jeni jashtë rrezikut të vrasjeve, therjeve dhe grabitjeve”.
Konispoli në atë kohë ishte edhe si kryeqendra e Çamërisë së veriut, Konispoli i Muhamet Kuçukut, Osman Takes e sa e sa trimave me pushkë e penë, na priti me krahë hapur. Nuk kaloi shumë kohë dhe burra e gra konispolate filluan të zbrisnin nga qyteza, poshtë në Vasilikua me duar plot, disa me bukë, me djathë, qumësht, të tjerë me ullinj të konservuar dhe krahas dhënies së ushqimeve na uronin mirëse ardhjen, duke shprehur edhe kënaqësinë që shpëtuam nga vdekja. Këto ardhje-vajtje nga qyteza tek emigrantët çamë, u kryen disa ditë, deri sa grupet e njerëzve me kopetë e bagëtive që kishin shpëtuar, morën rrugëtimin për Delvinë, disa për në Sarandë, të tjerë për në Vlorë të cilët udhëtimin e kryenin me benzinata. Karvani filloi të lëvizte me degëzime në drejtime të ndryshme.
Në Konispol, nga sëmundjet, uria, marazi, lodhjet, vdiqën shumë nga ne, fëmijë të pa ushqyer, pleq e plaka të sëmura, pa asnjë lloj mjekimi. “Kllogjer”. Po ai, Kllogjeri hapi dhéun, ku u varrosën shumë banorë të Çamërisë martire. Prindërit, lanë nën atë dhé, foshnjat, fëmijët, atje u varrosën vajza, djem, gra, pleq dhe plaka. Të gjithë ata, që u ishin sosur fuqitë, kushtet e domosdoshme të jetës.
Gjatë rrugës për kalimin e kufirit dhe brenda kufirit të Shqipërisë, si efekt i torturave që kishin hequr (vuajtur) nga zervistët, nga të frohtit, të paushqyerit dhe sëmundjeve, vdiqën 2.775 frymë, sidomos në fshatrat rreth kufirit deri në Delvinë.
Kurrë nuk do ta harrojnë familjet çame ndihmën morale dhe materiale të pakursyer të familjeve konispolate, kurajon që na dhanë, ngrohtësinë duke na mbushur zemrat plot me shpresë, se, vërtet u larguam nga vatani, por erdhëm në gjirin e vëllezërve tanë të një gjaku, të një fisi. Gjej rastin për t’i nderuar me respekt dhe për t’i uruar konispolatët dhe të gjithë shqiptarët për atë ç’ka kanë bërë, për mikëpritjen dhe bujarinë e treguar ndaj nesh në ato vite të tmerrshme kur edhe vetë Shqipëria ishte në luftë, ende e paçliruar dhe që ishte në mjerim, si rrjedhojë e pushtimit të gjatë nga fashistët dhe nazistët. U jemi borxhllinj e mirënjohës. Prandaj urojmë nga thellësia e shpirtit për të patur e gëzuar vetëm ditë të bardha, të lumtura dhe të forcohet e të mbahet fort e më fort, në përjetësi respekti, dashuria ndaj njëri-tjetrit, të mos dëmtojmë të tjerët, kushdo qofshin, kur janë të pafaj.
E lamë Konispolin dhe u nisëm drejt Delvinës. Vështirësitë na ndiqnin hap pas hapi. Në Delvinë vdiq motra e vogël 11 muajshe, ajo vdiq pasi nëna nuk kishte qumësht për ta mëndur. Habibeja vdiq me brumin e gëshhtenjave të ziera në gojë. E papërballueshme, e tmershme, e trishtueshme, tepër e dhimshme ajo vdekje. Asnjëherë nga familja nuk është harruar motra jonë foshnjë e quajtur Habibe. Emri i saj është i shkruar në memorialin e Kllogjerit, lapidarin e pavdekësisë të të vdekurve nga sëmundjet, uria dhe marazi që shkaktoi egërsia ortodokse dhe etno-raciste greke. Më pas, po atje vdiq Haruni, xhaxhai i babait, i sëmurë në moshën 70 vjeçare, gjatë qarjeve mortore dëgjohej të thuhej se vdiq nga marazi: “të preu marazi aga, na gjoj junani që e vraftë Perëndia”. Por vdekjet nuk pushonin, kaluan tre ditë dhe mbas xho Harunit, vdekja rrëmbeu nipin e tij, kushuririn tim moshatar, Xheladinin 6 Vjeçar, i sëmur dhe i pangrënë. Vdekje të tilla shoqëruan lëvizjet e çamëve gjatë gjithë rrugëtimit të emigrimit, derisa arritën në vendet që mendonin se mund të ndërtonin jetën nga e para.
Disa familje, bile dhe fshatçe, qëndruan në afërsi të kufirit, me shpresë për rikthim. Gjatë kohës së qendrimit të tyre pranë kufirit me Greqinë, u përhap lajmi se qeveria greke kishte lejuar kthimin e çamëve në vatrat e tyre. Me marrjen e atij lajmi, u kthyen disa nga turmat drejt kufirit, arritën në Filat dhe fshatrat për rreth si në Lops, Spatar etj. Por sa arritën, u pritën nga andartët grekë, mbeturinat e ushtrisë zerviste, që ishin grumbulluar në Korfuz, u riaktivizuan dhe erdhën me sopata, hanxharë, me thika e me pushkë, dhe me tërbim u sulën ndaj familjeve çame, të cilët po riktheheshin të lodhur, të pangrënë dhe pa asnjë lloj mbrojtjeje. Kasaphanë e vërtetë, vendi i quajtur Vaner, u bë thertorja greke për çamët, pavarësisht nga mosha apo gjinia. Kjo tragjedi, ishte kurthi i fundit që kurdisën zervistët grekë, por më vonë. u muar vesh se me zervistët ishte dhe qeveria greke me kryeministrin Plastria në krye, të cilët bënë gjoja marrëveshjen e Varkizës, ku ELLAS-i, që zotëronte territoret e Thesprotisë, u a dorëzoi  atyre “pushtetin” me “mirëkuptim”.
Familja jonë bashkë me shumë familje të tjera u nisëm nga Delvina për në Gjirokastër, pasi qendruam disa ditë në Gjirokastër, u nisëm për në Këlcyrë dhe prej Këlcyre morëm rrugën për nga veriu duke kaluar fshatin Ballaban drejt Beratit. Me floritë që kishte Nuja (nëna) ime, që dikur ishin stoli që vareshin në qafë, u bë i mundur udhëtimi duke paguar karvanjarët (agojatët), të cilët, megjithëse kishte trokitur dimëri, shirat dhe të ftohtit arrinin deri në palcë, sakrifikuan dhe na transportuan me kafshët e tyre, në mes të dëborës dhe shiut që nuk pushoi asnjë ditë gjatë atij udhëtimi, me rrugë të vështira, gropa-gropa, herë kalldrëm dhe herë baltë që rrezikoheshim nga rrëshqitjet, deri sa duke gdhirë një mëngjes, nëpërmjet mjegullës së dëndur, arritëm të shikoninm shtëpitë beratase në atë shpat mali.
Kaluam male e kodra, kapërcyem vështirësitë e motit kapriçioz, por ja dolëm, para nesh u shfaq qyteti i Beratit, qyteti i një mbi një dritareve, Berati afro 2400 vjeçar, qyteti i Onufrit, i Babë Dud Karbunares dhe i shumë trimave të shquar në histori. Edhe këtu na priti bujaria e familjeve beratase, duke na ofruar strehim dhe ushqim, kurajo për të kapërcyer dëshpërimin e madh dhe të dukshëm në sytë dhe në gjithë qënien tonë, pavarësisht nga  moshat e ndryshme. Mbas disa ditësh, përsëri nisi udhëtimi, kësaj radhe kishim drejtimin drejt Durrësit. Ai ishte mendimi i kryefamiljarëve tanë. Ashtu u bë, filluam të ecnim, kaluam Kuçovën dhe arritëm në Lushnjë. Udhëtimi ishte i vështirë, raskapitës, por shpresa na fuqizonte. Durimi superior ndaj dëshpërimit. Kur arritëm në Lushnjë, për herë të parë u bë e pranishme dora e pushtetit, megjithëse ende nuk kishte dalë nga lufta plotësisht, u përpoq për të na ardhur në ndihmë. E ndjej të arësyeshme për të shkruar përmbajtjen e një dokumenti, ku tregohet preokupimi i qeverisë shqiptare që në fillimet e saj. Dokumenti u lëshua nga kryesia e këshillit N. Ç. Lushnjë me datë 19 janar 1945, ku  thuhej:
“Leje udhëtimi. Familja e përbërë prej tetë vetash emigrantë çamë Beho Nuho për instalim në Durrës, prandaj janë të lutura të gjitha këshillat N. Ç. dhe komandat e vendit që kësaj familjeje t’i sigurohet mjeti i udhëtimit, prej Lusnje deri në Durrës e gjithashtu të strehohen e me ushqime”. Dokumenti nënëshkruhet nga Kryetari i këshillit N. Ç. (Rakip Jaçellari) dhe i miratuar nga komanda e vendit në Lushnjë.
Me marrjen e lejes së udhëtimit, na dhanë edhe njjë makinë, e cila na çoi deri tek ura e lumit Shkumbin, në afërsi të Rrogozhinës. Më tej makina nuk shkonte dot, sepse ura ishte shkatërruar nga gjermanët. Lumin e kaluam me një trap dhe mbas disa orësh u gjet një karrocë, e cila kundrejt pagesës, na çoi deri në “Banjat” (sot plazhi) e Durrësit, më 24 janar 1945. Në Durrës përkohësisht u sistemuam në një shtëpi përdhese me dy dhoma, atje u strehuam 4 familje. Ajo shtëpi ndodhet edhe sot në plazhin e Durrësit. Mbas dy muajsh familja jonë u sistemua në një dhomë në godinën që sot është Bashkia e Durrësit. Që nga dita e parë e strehimit në dhomën e Bashkisë, babai mori një shkresë nga autoritetet e vendit, ku i jepej e drejta të merrte bukë dhe gjellë falas në një restaurant për tetë personat e familjes. Kaluan tre muaj në atë gjendje, derisa babai u sistemua me punë në fshatin Qerret të Durrësit. Kështu mori fund udhëtimi ynë, plot 6 muaj, nga 22 korriku i vitit 1944 deri me 24 janar 1945.
Të tilla ishin udhëtimet për të gjitha familjet çame, mes vështirësive të të gjitha llojeve. Duhet theksuar se çamët për vendbanime zgjodhën kryesisht ato qytete dhe fshatra ku kishte ullinj dhe që ndodheshin në afërsi të detit, kjo zgjedhje kushtëzohej me përshtatjen e klimës së vendbanimeve të tyre dhe të paraardhësve gjatë mijëvjeçarëve. Më në fund, karvanet e vuajtjeve, me grupet e familjeve çame i mbaruan udhëtimet e gjata, ku u ndeshën me vështirësitë e gjithëllojshme, të cilat nuk janë të pamundura për tu kuptuar nga kushdo.
Udhëtimet vërtet përfunduan dhe kjo ishte njëra anë e emigrimit, por ana tjetër ishte sigurimi i vazhdimësisë së jetës. Kërkoheshin mjetet e jetesës, të cilat dihet sigurohen me punë. Shqipëria sapo ishte çliruar tashmë, por asaj i mungonin fabrikat, uzinat, investimet, papunësia ishte e përgjithshme, si për vetë shqiptarët dhe për shqiptarët çamë të ardhur. Të sigurosh jetën, duhet të ushqehesh dhe të ushqehesh duhet të punosh. Ky fakt ishte real, ndërsa zgjidhja e errët, e largët, e pa shpresë!. Varfëria, mungesa e ushqimit dhe e veshjes, të shpien në derë të hasmit, thotë populli. Burrat çamë filluan të shkojnë derë më derë, shtëpi më shtëpi për të gjetur ndonjë punë, si për të bërë ndonjë mur, ndonjë meremetim, lyerje, transport, prerje drush, të zhvisnin dhe të shkoqnin misra, pra ç’fardo lloj pune, të cilat në vendin e tyre nuk i bënin çamët, pasi shërbenin të tjerët, jo çamët. Ishin pikërisht këto punë që e detyruan për një farë periudhe kohe të shkurtër të ulnin prestigjin e shqiptarit çam kryelartë, që para 1912 nuk dinte ç’ishte vuajtja, mjerimi, fukarallëku.
Çamët e deryruar nga rrethana tepër të veçanta dhe tejet të vështira, filluan të punonin nëpër skela, apo mole, ose siç thuhet sot nëpër porte, për të nxjerrë bukën e gojës, për të mbajtur frymët gjallë. Koha ecte e bashkë me ‘të ndryshonte edhe gjendja ekonomike e familjeve të ardhura çame. Ata i u përveshën punës, filluan të shkonin nëpër shkolla, filloi normalizimi i jetës. Vitet e para të ardhjes, çamët pasi informoheshin për vend qendrimet e njëri-tjetrit mundoheshin të afroheshin me banime, kështu u grumbulluan në ato qytete dhe fshatra ku kishin lidhjet e tyre fasmiljare dhe fisnore, apo dhe të fshatrave ku kishin bashkëjetuar. Filluan ndërtimin e kasolleve me kashtë, si strehimet që bënin blëgtorët nëpër stane, në vartësi të kushteve dhe mundësive ekonomike të seicilit. Kasollet me kashtë, apo me qerpiç, i ndërrtoni brenda një dite e nate bashkarisht duke ndihmuar njëri-tjetrin, pa pagesë.
Refugjatët çamë pas shpërnguljes me dhunë, për të kërkuar ndreqjen dhe të vihej në vend padrejtsia, u vunë nën drejtimin e Komitetit Antifashist Çam (KAÇ),  i cili bëri përpjekje të mëdha në drejtim të ndërkombëtarizimit të problemit çam, për riatdhesimin dhe kthimin e pronave dhe pasurive të grabitura. Për këtë qëllim, në shator të vitit 1944, u mblodh Kongresi i Parë Çam në Konispol dhe me datë 23 korrik 1945 u mblodh Kongresi i Dytë Çam në qytetin e Vlorës.
Nga shtatori i vitit 1945 deri në pranverën  e vitit 1947, Shqipëria mori rreth 26 milionë dollarë ndihma të ndryshme në mallra, nga ajo shumë është deklaruar në atë kohë se 1, 2 milionë dollarë mallra i janë shpërndarë refugjatëve çamë. Në dijeninë time nga ato ndihma nuk përfitoi asgjë familja ime dhe as ndodnjë familje nga fshati ynë, apo nga fshatrat për rreth si Dramësi, Dhërmica, Varfanji, por nga ndihmat përfituan familjet e disa qyteteve, sidomos të Filatit, Paramëthisë, dhe ndonjë familje pranë personave që kujdeseshin për ndihmat, të cilat dërgohshin nga UNRA (OKB-ja sot).
Për ndërkombëtarizimin e “çështjes çame” vazhduan përpjekjet deri në vitin 1947. Më pas, jo vetëm që nuk u trajtua ky problem, por ta themi ashtu siç është, ajo u mbyll dhe po të flitej më për ‘të, pasojat ishin tepër të ashpra, sidomos pas mos pranimit të djemve dhe burrave çamë për të shkuar në frontin e luftës në Vidohovë, gjoja në përkrahje të demokratëve grekë. Kjo situatë vazhdoi deri në vitin 1991, kur demokracia, megjithëse tepër e brishtë, hapi dyert e fortesës së heshtjes së “Çështjes Çame”.
Vitet kaluan dhe gjendja ndryshoi, çamët tashmë ishin përfshirë në të gjitha fushat e jetës, me aftësitë e tyre mendore dhe fizike po jepnin maksimumin për të shprehur mirënjohjen ndaj popullit vëlla shqiptar ose vendasve, siç thuhej në ato kohëra, si dhe për të rritur nivelin ekonomik dhe kulturor të familjeve të tyre. Burrat çamë në punë e sipër teguan se ishin punëtorë, të sjellshëm, besnikë, të zgjuar, nuk tërhiqeshin ndaj vështirësive, përkundrazi, punonin me përkushtim, të angazhuar plotësisht dhe krah për krah me vëllezërist e tyre, në kantiere, në uzina, miniera, në fabrika, në ndërrtimin e hekurudhave, të rrugëve, në kooperativat dhe ndërmarrjet bujqësore, në hidroçentrale, në tharjet e kënetave, në ndërrtimet e ujësjellsave, të hapjes së kanaleve e rezervuarëve ujitës, në ndërrtime banesash, në ndërmarrjet komunale, të artizanati, kudo, sikundër, për hir të vërtetës cilësojmë, një pakicë e vogël u përfshi në arësim, në administratat shtetërore, në ushtri etj.
Emergjenca e mëkëmbjes së ekonomisë së pas luftës, dalëngadalë po kapërcehej, një fazë e re zhvillimi ekonomik e kulturor po fillonte, stabiliteti po hidhte baza, një hop tjetër cilësor e sasior po zinte vend. Filluan të hartoheshin planet 1 e 2 vjeçarë dhe më pas ato 5 vjeçarë, zhvillimi po ecte me ritmet e parashikuara. Shteti u forcua dhe po merrte formë. Tashmë ishin krijuar të gjitha institucionet përbërse të shtetit.
Udhëheqja e Partisë dhe e shtetit po konsolidonin pozitat e tyre. Megjithë propagandën për luftë kundër kultit të individit, ai po hidhte shtat, baza tepër të forta, individi u kthye në gjithçka, prej tij vareshin e ardhmja e vendit, e partisë, e shoqërisë. Brohoritje, ovacione dhe duartrokitje frenetiket dëgjoheshin nëpër salla mbledhjesh, jubilesh, plenumesh, kongresesh, vizitash nëpër rrethe, kudo në përurime, në çdo skaj të atdheut u shkruan parrulla në male të larta me shkronja të mëdha që binin në sy nga larg, ato i thurrnin lavdi prijësit, të pazëvëndësuesit, legjendarit të partisë, të pushtetit popullor, demokracisë së proletariatit, lavde miqësive të vendeve mike të të njëjtit ideal e të tjera të kësaj natyre, që nuk kanë interes për trajtim të veçantë.
Arritja e këtyre rezultateve, krahas anës pozitive që sollën vitet e para të pas çlirimit në ekonominë e vendit, duke qenë se u përqëndruan në një dorë, patjetër do pësonin dhe fazën tjetër, atë të rënies, të degradimit ekonomiko-shoqëror.
Idealet për të cilat luftuan njerëzit për çlirimin e atdheut dhe puna plot vrull e guxim, dalëngadalë po humbisnin pa u ndjerë në gropat e zeza që pjell kulti i individit, diktatura dhe megallomania. Për të arritur në këto nivele drejtimi e nënështrimi të popullit, filluan të merreshin masa dhe të nderrtohehin strategji të fshehura në thelb, por të zbukuruara në paraqitje.
Krahas konsolidimit të shtetit, kupto-vendosjes së Unit, ndaj njerëzve të mençur, profesionistëve, intelektualëve me horizonte dhe kulturë, të cilët fitonin simpatinë e masave punonjëse (siç shpreheshim në ato kohë) duhej të ngriheshin grupet dhe grupazhet anti-parti, grupet armiqësore të partisë, popullit dhe atdheut. Filloi nga veprimi strategjia ogurzezë, si ndaj shqiptarëve me prejardhje familjesh me emër, ashtu edhe ndaj shqiptarëve çamë, të cilët po tregonin nivel dhe ishin ngritur në poste të larta shtetërore. Goditja e parë u dha me “hedhjen e bombës” në ambasadën Sovjetike në vitin 1951, ku u akuzuan ndër të tjerë edhe figura çamësh të shkolluar, me konsiderata në rrethet shoqërore. Ndaj tyre masat ishin tepër të rënda, pushkatime dhe internime. Ndërsa pak vite më parë, në vitin 1949 për të zbapsur ushtrinë greke në Vidohovë iu kërkua burrave dhe djemve çamë të shkonin të luftonin në Gramoz, e më pas të vazhdonte lufta për “çlirimin e Çamërisë”, kur dihej se burrat dhe djemtë çamë nuk ishin nënshtetas shqiptarë dhe nuk kishin detyrime për kryerjen e shërbimit ushtarak. Ishte e qartë, veprimi ishte një manovrim i papëlqyer dhe i padobishëm, pasi kur çamët në vitin 1944, kishin kërkuar ndihmë që ndonjë nga batalionet shqiptare ti vinte në ndihmë popullsisë çame, e cila po martirizohej nga zervistët, kërkesa nuk u muar në konsideratë dhe atyre banorëve u ndodhi gjëma. Burrat dhe djemtë çamë nuk shkuan në Gramoz dhe si rrjedhim mjaft prej tyre u dënuan, disa u dërguan në internime për të punuar në tharjen e kënetave në Maliq të Korçës, në Tërbuf të Lusnjës, etj.
Përsëri dalin në pah njerëz të tjerë të zgjuar, energjikë, me reputacion si nga shqiptarët vendas dhe nga shqiptarët çamë dhe përsëri mbi ‘ta, bie rëndshëm shpata e “Demokleut”. Konferenca e Tiranës në vitin 1956 dënoi, burgosi dhe internoi mjaft intelektualë me zë. Disa prej intelektualëve çamë, të nivelit të lartë, të aftë për drejtim, besnik ndaj Shqipërisë dhe vëllezërve shqiptarë, kryenin me përkushtim dhe devotshmëri detyrat e ngarkuara, por ata, pa u kuptuar ishin ngjitur në poste të larta, të rëndësishme të pushtetit, gjë kjo që nuk i pëlqente udhëheqjes “sy patrembur” e të “sprovuar” të partisë dhe të pushtetit, sepse po prekej “Uni”, i cili po gdhëndej dalëngadalë në të gjitha qelizat e strukturave shtetërore e partiake në Shqipëri.
Në ato kushte, duhej vepruar. U krijua grupi antiparti me armiq të popullit dhe të atdheut, me në krye  komandantin e flotës luftarake detare shqiptare. Siç e dimë, ai “grup amiqësor”, kishte anëtarë atdhetarë, luftëtarë dhe intelektualë çamë, me kontribute të veçanta e të merituara, si në Luftën Nacional Çlirimtare dhe pas saj.
Trima, patriotë të tillë, sillnin rrezik për Unin nesër, prandaj u gjykuan dhe mjaft prej tyre u pushkatuan. Propaganda e medias së shkruar dhe radiot gjatë viteve 1960, vollën vrer, jo vetëm ndaj anëtarëve të atij grupi të sajuar armiqësor, por me zell propagandohej se çamët ishin tradhëtarë, të pabesë. Fiilluan internimet, shkarkimet nga administratat. U krijua një situatë tejet e nderë, e tensionuar, pasiguria u rishfaq në vatrat e familjeve çame. Në ato vite u krijuan situata jo të këndshme, po mbaheshin qendrime jo dashamirëse, veç përçmime, nënvleftësime, përbuzje, herë të hapura dhe herë të heshtura, qendrime të cilat patën ndikime të forta në të gjtha familjet e shqiptarëve të Çamërisë. Rezerva për punësime në zyrat, në administrata, qoftë dhe të niveleve të ulëta, pasi për vende pune në administratat e larta nuk bëhej fjalë. Nuk zgjidheshin deputetë nga komuniteti çam, jo se kishte ligj për këtë, por vepronte në heshtje seleksionimi gjatë kandidaturave, në një kohë që kishte deputetë nga minoritetet, bile dhe shumë në raport me strukturën specifike që kishin në krahasim me numurin e popullsisë. Kështu pak e nga pak, popullsia e komunitetit çam, mbeti jashtë përfshirjes në grupe shoqërore, tashmë ajo po mbetej pakicë, megjithëse ishte pjesë e pandarë e shumicës, pra ajo nuk ishte as minoritet, por shumicë me trajtim më pas nga minoritetet, e thënë shqip, u trajtua popullsi e dorës së tretë.
Banorët e komunitetit çam, po bëheshin viktimë përsëri, në një formë tjetër dhe më e keqja nga përfaqësuesit e vëllezërve të saj, rrjedhojë e propagandës së shfrenuar që kryhej ndaj saj, e inspiruar nga udhëheqja e lartë e partisë dhe e shtetit shqiptra. Sigurisht, diktatura dhe ai që e polli atë diktaturë, ndjehej mjaft mirë, i kënaqur dhe i qetë se po ecte strategjia për ta bërë Shqipërinë e mbetur, çiflik të tijin, ai me grupazhet e sajuara dhe me forma të tjera asgjësoi me radhë miqtë dhe shokët e tij, derisa mbeti i vetëm nga bashkëluftëtarët e të njëjtit ideal.
Për shqiptarët çamë, filluan halle të tjera të mëdha, tashmë ata bisedonin vetëm brenda familjes dhe të afërmëve të tyre, duke këshilluar që të vazhdonin punën, t’i ruheshin provokimeve, të heshtnin dhe të ruanin qetësinë. Provokimet, nëpërkëmbjet, shpifjet, sharjet e qëllimshme për reagim, u bënë bashkëudhëtare me çamët e heshtur dhe punëtorë.
Gjithkujt i tërheq vemendjen fakti i heshtjes së “Çështjes Çame” nga shteti shqiptar për gati 45 vjet, si efekt i mbjelljes së farës së përçarjes mes shqiptarëve vendas dhe çamëve bujtës, duke hedhur baltë mbi çamët, me anë të përçmimit e nëpërkëmbjes, për tu parë me sy shtrëmbër; por kjo politikë e ndjekur kurrë nuk arriti synimin, vëllezërit shqiptarë e çamë, bashkëpunojnë dhe kanë rrespekt, miqësira dhe dashuri për njëri-tjetrin, sëbashku kanë kapërcyer vështirësitë e ndryshme ndër kohëra dhe kanë ndarë mes tyre si gëzimet edhe hidhërimet. Qëllimi i Unit, për qendrimet e mbajtura ndaj komunitetit çam, ishte të mos konfliktohej me shtetin fqinj (Greqinë), ai nuk kërkonte të mbrohej minoriteti çam në Greqi, sepse atij i mjaftonte Shqipëria e copëtuar, interesi i tij ishte arritur, me aq sa zotëronte, prandaj ai ndjehej i qetë, i sigurtë në drejtimin e përfitimeve të parashikuara.
Trajtimi i diferencuar dhe i rezervuar ndaj shiptarëve çamë ishte real. Veç sa sipër, ajo vërtetohet edhe me veprimet që kryheshin në rastet kur një qytetar çam bënte kërkesë për tu anëtarësuar në parti. Atij, veç kërkesave që duhej të plotësonte sipas statutit të partisë, i kërkoheshin edhe dokumenta të veçanta, specifike, të caktuara me udhëzime të veçanta të KQPPSH. Këto dokumente specifikë u kërkoheshin vetëm qytetarëve me origjinë çame dhe askujt tjetër, dmth as shqiptarëve vendas, askujt nga minoritetet me banim në Shqipëri!. Sigurisht ky veprim ndaj kësaj pjese popullsie ishte diskriminues dhe me gjykim logjik, tregonte se popullsia e komunitetit çam nuk përfshihej në shtresat shoqërore si shqiptar apo minoritet, as pakicë, pra mbetej jashtë këtyre klasifikimeve, megjithese ishte racë  e pastër shqiptare dhe me virtyde të larta. Jeta e ka vërtetuar se ai komunitet sikundër dhe shqiptarët vendas që janë të një gjaku, janë punëtorë, të zgjuar, të shkathët, kryelartë, të panënështruar, të papërulur para çdo vështirësie e pengese apo padrejtësie. Ata  asnjëherë nuk arrijnë të kërkojnë mëshirë, por kërkojnë vetëm drejtësi, barazi dhe liri.
Këto tipare dhe karaktere burojnë nga genet e fiseve ilire të thesprotëve dhe kaonëve, tipare dhe virtyde jo të kultivuara, por janë thjeshtë natyrale. Në saje të taktikave dhe strategjive të përdorura, udhëheqja e partisë dhe e shtetit, u qetësua nga  popullata çame, megjithatë nuk u ndal, vazhdonte të seleksiononte nëpërmjet sistemit të eleminimit, njerëzit apo krahinat, familjet që mund ti krijonin rreziqe. Duhej thelluar lufta e klasave. Ky ishte konkluzioni. Një e treta e popullsisë i u nënështrua luftës së klasave. Përsëri ekzekutime dhe internime.
Partia krijoi edhe leva të tjera. Dolën në plan të parë leva të tilla si: kontrolli punëtor e fshatar, përfshirja në administratat e të gjitha niveleve nëpunës nga radhët e e klasës punëtore, pavarësisht nga niveli i arësimimit dhe profesionalizmit, qarkullimi i i kuadrove, kryerja e punës fizike nga ana e kuadrove etj. Leva që ndikuan së tepërmi në ndrydhjen e nisiativës së nëpunësave të mirëfilltë të administratave dhe anës profesionale të fushave të ndryshme, si dhe drejtimi me kopetencë i ekonomisë dhe kudo, pasi gjithçka do të kalonte në sitën e partisë dhe të levave të lartpërmendura. Ishin këto leva, që ndikuan në keq qeverisjen dhe sollën uljen e ritmeve të rritjes ekonomike, lënien në statukuo dhe gjatë viteve 1970 e më pas, vendi u përfshi nga kriza ekonomike. Nuk do ndalemi për këto probleme, por ekonomia e vendit arriti kufirin e varfërisë së “masave punonjëse”, deri sa u vendosën racionet dhe listat për produktet ushqimore. Sidomos të theksuara në vitet 1980.
Trajtimi i fakteve të mësipërme, absolutisht nuk ka ndikuar apo cënuar respektin, dashurinë, vëllazërinë, konsideratat dhe mirënjohjen e thellë e të përjetshme tek popullata çame me banim në Shqipëri, ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë “Mëmë”. Trajtimi i këtyre fakteve bëhet me qëllimin e vetëm për të nxjerrë në pah se ato janë dobësi, paaftësi të qeverisjes së vendit dhe duhen mbajtur parasysh për të shërbyer si përvojë e hidhur dhe për të mos u përsëritur kurrë nga qeverisjet e sotme apo edhe ato në të ardhmen.
 Personalisht nuk mund ta imagjinoj kurrë që të mos respektoj dhe kujtoj me admirim të thellë shokët dhe shoqet e fëmijërisë, të shkollës fillore në Qerret të Durrësit, në Çermë Biçak, shokët dhe mësuesit e shkollës unike në Rrogozhinë, të shkollës së mesme dhe të lartë në Tirane!  Edhe sot ata  janë pranë meje, kujtohen me nderim, kur shoh fotografitë apo kur takohemi, përshëndetemi me shumë dashuri e mall. Si mundet të mos kujtoj me shumë mall e nderim shokët dhe shoqet e punës me të cilët kam kaluar shumë ditë të lumtura e të gëzuara, kemi kryer me përgjegjësi dhe ndërgjegje të lartë detyrat e përbashkëta që na ishin besuar, siç janë ata të Rrogozhinës, Peqinit, Dumresë në Elbasan dhe Tiranë. Apo shokët e shoqet e gjithë rretheve të vendit, me të cilët kam bashkëpunuar për një periudhë të gjatë kohe dhe sot të gjithë i kujtoj me shumë raspekt e mall, sikundër edhe ata ruajnë e gëzojnë të njëjtat ndjenja.
Këto ndjenja të përbashkëta mes popullit shqiptar dhe komunitetit çam janë të vetëdijshme, burojnë nga shpirti e nga zemra e secilit, ato u forcuan akoma më shumë në jetën e përbashkët e të përditshme, u bënë më të forta si kundërpeshë ndaj qeverisjeve të këqia, nuk mundet që qeveritë të arrijnë të realizojnë qëllimet e tyre përçarëse mes popullit. Populli shqiptar është një dhe i vetëm, si në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni, i çamëve në Greqi (Çamëri), dhe i çamëve në Shqipëri.    
Ardhja e çamëve nga Çamëria, pavarësisht se u shpërngul me dhunë, dhe kjo lëvizje ishte gjë shumë e keqe, solli edhe një të mirë të madhe. U takuan vëllezërit me vëllezërit, por duke qenë në krahina të ndryshme dhe nën influencat e pushtuesve, disa tradita, zakone, doke, në një apo tjerën pjesë të popullsisë kishin rënë në harresë, pikërisht ky bashkim bëri të mundur freskinë e tyre, ripërtëritjen për të mos u harruar kurrë.  
Historia i jep kuptim jetës. Ajo ruan nëpërmjet legjendave, gojëdhënave, proverbave, fjalëve të urta, përrallave, shkrimeve e vizatimeve përvojat e mira dhe të këqia që ka kaluar njerëzimi ndër brezni. Historia e pashkruar dhe e shkruar u tregon njerëzve se si ka qënë vepruar në këtë apo atë kohë, kur, ku dhe pse është vepruar keq, mirë dhe pasojat. Të gjitha këto, për të shërbyer në çdo kohë që të dimë të zgjedhim veç veprimet dhe veprat e mira, të korigjohen të këqijat, të dobëtat, padrejtësitë duke kërkuar falje për ç’ka është bërë keq në një kohë të caktuar dhe të bashkëpunohet për të konsoliduar veprime të reja në zhvillimin ekonomik, kulturor, në rritjen e sigurisë e të mirëqënies së popullit.
Kam bindje se Bashkimi Europian dhe Greqia, anëtare e së cilës është, do ta trajtoj me urtësi “Gjenocidin grek ndaj çamëve” dhe do të arrijë të korigjojë gabimet e bëra në dekadat e para të shekulli XX. Komuniteti çam, kërkon vetëm drejtësi, as më shumë dhe as më pak.
Nuk është dhe as ka për të qënë zgjedhje e zgjuar, qendrimi narcist i shtetit Grek se “Çështja Çame qenka inekzistente”. Ajo vërtet është vrarë, therur, dëbuar masivisht, është heshtur, në mënyrë simbolike ajo ka 72 vjet e vdekur, por është e vdekur e mbetur gjallë, është në jetë dhe e tillë do jetë.


Tetor 2016.-                                   Nga Fahri Dahri

No comments: