Rrethimi
i Shkodrës
(1912-1913)
Për
rrethana të caktuara historike, nga fundi i vitit 1912, kur Perandoria Otomane
po shkërmoqej, bashkëpunimi qindravjeçar
shqiptaro-sllav (i cili ishte më tepër jo zyrtar) kundra pushtimit turk, për shkak
të synimeve shoviniste të malazezëve, kishte përfunduar. Ndërkaq, shqiptarët (banorë
dhe rezervistët shqiptarë në ushtrinë turke) filluan të luftonin përkrahë
trupave turke për të mbrojtur Shkodrën nga pushtimi i ri. Ato kohë qyteti
ndodhej nën administrimin e perandorisë otomane, Vali i Shkodrës ishte
ushtaraku turk, Hasan Riza Pasha (1871-30 janar 1913), ai me vetmohim e mbrojti qytetin tone (Hamdi Bushati—Shkodra dhe Motet, I--Shkodër, 1998, f.447), që të mos lejonte
përfshirjen e tij në Mbretërinë e Malit të Zi, siç udhëzohej nga Stambolli, por
edhe organizonte të gjithë jetën në të. Ai…këtu
në Shkodër komandonte rreth 50 mijë luftëtarë (Xhino Berri—Rrethimi i Shkodrës—ShBU, Tiranë, 1998,
f.138). Qytetarët shkodranë dhe të fshatrave përreth, kaluan atëhere një ndërkohë
shumë të vështirë, me mungesa të shumta të mjeteve të jetesës, deri te ushqimet
parësore për mbijetesë. Si pasojë edhe e këtyre rrethanave, pas rreth 180 ditëve
tejet të rënda, administrata ushtarake qytetit e drejtuar tashmë nga Esat Pashë
Toptani (për rreth dy muaj e gjysëm), nënshkroi marrëveshjen e dorëzimit të
Shkodrës trupave malazeze.
Si pasojë e bombardimeve me artileri të rëndë
dhe të luftimeve të ashpra, pati mjaft të vrarë e të plagosur, ushtarë (disa
mijra turq) si dhe luftëtarë e banorë nga popullsia e qytetit dhe rrethinave, përpos
shkatërimeve të shumë shtëpive, dyqaneve e objekteve të tjerë. Një ndër
viktimat është edhe një shqiptar i quajtur Gjon
Pali, sëpari i lënduar, mandej i shuar (ndofta në shtëpinë e tij) nga plagët
e marra. Gjatë çasteve të tij të mbramë, atij i qëndron te koka e bija. Bash një
nga këto çaste ka përjetësuar në letër mjeshtri i fotografisë Kolë Maca. Në këtë
rast, mund të thuhet se kemi të bëjmë me një dëshmor a hero, që ka dhënë jetën e
tij duke luftuar për lirinë e vendit. Nga rrethimi dhe luftimet mbi gjashtëmujore
kanë mbërritur edhe foto të tjera, të Kel Marubit, Edith Durham dhe të fotografëve
të huaj, por kryesisht me pasojat, shkatërimet e qytetit nga bombardimet (disa
të tilla edhe të Macës).
Kolë
Maca
Kolë Maca
(herë-herë në disa vula për fotografitë edhe Niccolo Mazza-it.) është lindur në
Shkodër në një familje të vjetër qytetare në vitin 1882. Qysh i vogël, ai shërbeu
si ndihmës (çirak) në dyqanin e fotografit të njohur Kolëë Idromeno (1860-1939),
ku mësoi edhe mjeshtërinë e fotografit (Bisedë
me studiuesin Ndoc Gurashin, Shkodër, tetor 2012). Ishte rast fatlum puna
pranë një figure të tillë poliedrike si Idromeno, e natyrisht emnaku i tij ka përfituar
shumë nga Kolëa i madh jo vetëm nga ana teknike.
Nga
fillimi i shekullit XX, Kolë Maca kreu një kurs për fotografi në Vienë (Austri),
kështu ai është ndër të parët (në mos i pari) dhe të rrallët mjeshtra në
historinë e fotografisë shqiptare i pajisur me një arsimim profesional. Pas
kthimit në atdhe, Maca hapi në Shkodër, më 1910, “Studio Maca”, ku përveç
fotove rutinë për komunitetin, ai realizoi kartolina, peizazhe dhe portrete njerëzish
me kostume popullore. Më herët ai kishte botuar dy shkrime interesante mbi
Shqipërinë dhe shqiptarët me karakter historik, gjeografik dhe etnografik në
shtypin italian të kohës të shoqëruar me foto të tija (Shtojca e përjavëshme “La Domenica del Corriere” të gazetës
“Corriere dela Sera” (1907-08) të Milanos. Këto shkrime e paraqesin Macën
jo vetëm fotograf të talentuar, por edhe publicist të aftë e me kulturë. Në
vitin 1915, ai çeli një atelje fotografike në Vlorë, duke u bërë historikisht, fotografi
i parë shqiptar i qytetit, ku përveç punës së përditëshme për popullatën, ai fotografoi
edhe peizazhe, portrete, ngjarje historike si edhe gjendjen e banorëve të varfër
të qytetit dhe të krahinës, këto të fundit të paporositura, pra për qejf të vet. Për një kohë të shkurtër, gjatë
viteve ’30, Kolë Maca ka shërbyer edhe si fotograf zyrtar i Oborit Mbretëror të
Mbretit Zog (Qerim Vrioni-150 vjet
fotografi shqiptare—Milosao, Tiranë, 2009-f.36), po ashtu, ai mbahet si një
nga fotoreporterët e parë shqiptarë, ku dallohet veçanërisht për bashkëpunimin
me revistën e njohur të kohës “Minerva”. Në nëntor 1937, Kolë Maca, ishte pjesë
e grupit shtetëror të fotografëve të caktuar për të përjetësuar në Tiranë festimet
me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Më pas, ai punoi
në studion e tij fotografike “Foto Maca” në kryeqytet, atëhere një ndër më të
njohurat e të pëlqyerat. Veprimtaria fotografike e Macës ngërthen pasqyrimin e fushave
të ndryshme të jetës shoqërore, politike, historike, etnografike, artistike
etj., duke i dhënë atij edhe një vend të nderuar në Historinë e Fotografisë
Shqiptare. Kolë Maca është ndarë nga
jeta në Tiranë, në vitin 1945.
Rituali i vdekjes në fotografinë shqiptare
Fotografët shqiptarë, qysh në krye të herës,
nuk janë treguar mospërfillës edhe ndaj vdekjes, ngjarjes përmbyllëse të jetës
së njeriut. Fotografimi i vdekjes, ose
më ndryshe fotografitë mortore, rëndomë kërkoheshin nga të afërmë të të shuarit
për tu pasur edhe si kujtimi i fundit i tij mbi tokë. Shumica e tyre realizohen
gjatë hapsirës kohore midis çastit të mbylljes
së syve dhe vendosjes së tij në banesën
e fundit. Por ka pasur mjaft foto të bëra midis kohës së humbjes së
vetdijes edhe frymës së mbrame, siç është
edhe kjo foto e Macës, pra kur njeriu ndodhet midis jetës dhe mosjetës (duke
përdorur një neologjizëm të Kadares). Përreth
fatziut qëndronin zakonisht familjarët e afërmë të tij. Këto fotografi realizoheshin,
ndoshta si vazhdimësi e ritualeve pagane, më pas edhe myslimane dhe kristiane, mbase
për t’i mbajtur para syve portretet e
tyre edhe pas ikjes përfundimtare nga kjo botë. Gjithsesi, këto foto kanë forcë
të madhe goditëse ndjesore tek shikuesit me gjithë gjendjen e rënduar që
krijojnë tek ai. Sipas Koleksionistit Vaster Dhima, këto foto janë lëvruar më tepër në jug të vendit, (Entela Resuli-Koleksionisti i vdekjes—Gazeta “Dita”,
10 tetor 2014), por nga shqyrtimi i tyre shihet se ato u përkasin edhe të
gjitha besimeve fetare. Ndër fotografët që kanë realizuar foto të tilla mund të
përmendim, Pjetër, Kel dhe Gegë Marubi, Kristaq Sotiri, Dhimitër Vangjeli, Kristo
Shuli (Sulidhi), Fot Papajani, Misto Cici, Pero Kaçauni, Vani Burda, Thimi Raci
e, natyrisht edhe Kolë Maca. Maca ka në fondin e tij disa fotografi të tilla,
një pjesë të shtypura edhe si kartolina postare.
Kështu,
janë fotografuar para udhëtimit të tyre të
fundit njerëz nga të gjitha moshat, që nga fëmijët e vegjël deri tek shumë të moshuarit, vajza të veshura si nuse e
luftëtarë duke mbajtur dorën tek arma. Përgjithësisht, këto fotografime janë bërë
me kapakun e arkëmortit të hapur në mënyrë që në foto të mbetet pamja e fundit
e fytyrës së jetëshuarit. E veçantë dhe me karakter të dalluar dokumentar e
kombëtar është edhe fotoja e Kristo Shulit (Sulidhi) me trupat e masakruar nga
shovinistët grek të priftit atdhetar Papa Llambro Ballamaçit dhe të vëllait
Sotir, më 25 mars 1914.
Një foto tjetër gjithashtu me përcjellje shqiptarësh të vrarë për liri
është ajo e fotografit francez të agjensisë “Gamma”, George Merillon (1957) e
vitit 1990 në një fshat të Rahovecit (Kosovë). Në të paraqiten nëna, motrat dhe
të afërmet e të riut kosovar Nasim Elshani duke e vajtuar. Ai ishte vrarë nga
policia serbe në demonstratat e gjera kundra heqjes të atyre pak të drejtave të
fituara ato kohë nga popullsia kosovare. Një vit më vonë, fotografia fitoi
çmimin e madh të “World Press Photo”.
Kjo
temë është trajtuar gjerësisht edhe në fotografinë botërore, qysh prej
fillimeve të saj, veçanërisht mbresëlënëse dhe mjaft e njohur në botë, është
ajo me titull “Vdekja e ushtarit republikan” (1936) të Robert Capa-s, simbolit
të fotografisë së luftës. Ajo paraqet imazhin e një ushtari në Luftën e Spanjës,
disa të dhjeta të sekondës pas goditjes së tij nga plumbi vdekjeprurës. Të dy,
Gjon Pali dhe Federico Borel (ushtari republikan i R.Capa-s) janë fotografuar
në fazën, ta quajmë jetë-vdekje, sepse as e para ka mbaruar dhe as e dyta nuk e ka
zotëruar plotësisht prenë e saj.
. Historik
i shkurtër i fotos
Kolë Maca e ka realizuar foton kur ishte
rreth 30 vjeç, me një farë arsimi profesional, përvojë pune dhe me studion e tij
vetjake. Si të gjithë shkodranët, edhe ai i ka ndjerë mbi supe pasojat e luftës
për mbrojtjen e qytetit nga rrethimi armik. Ai ka përdorur mjetin e tij,
aparatin fotografik, për të përjetësuar rrethanat të cilat duhet të përballonin
bashkëqytetarët e tij gjatë atij rrethimi të egër disamujor sllav.
Kjo fotografi e realizuar në vitin 1913 e,
pasi është hedhur në letër, me gjasë është
publikuar brenda vitit, madje edhe jashtë vendit. Kështu, shënojmë se fotoja
ndodhet në ballinën e parë të librit “L’assedio di Scutari” (Rrethimi i
Shkodrës) të gazetarit italian Gino Berri, e botuar në Milano në qershor të
vitit 1913, rreth një muaj pas lirimit të qytetit (Gino Berri—L’assedio di Scutari--Fratelli Treves,
Milano, 1913). Libri është botuar edhe shqip në vitin 1998 në Tiranë nga ShBU
me titullin “Rrethimi i Shkodrës, tetor 1912-prill 1913”, por me një foto tjetër
në mbulesë.
Nuk dihet saktë se si ka rënë kjo foto në
duart e gazetarit italian, por njihet fakti se Maca, siç u përmend më sipër, ka
bashkëpunuar në vitet 1907-08 me shtypin italian të Milanos. Berri (emri i
vërtet i tij është Giovanni Bertini) ishte korrespondent i gazetës së njohur “Corriere
della Sera” të Milanos në Shkodër gjatë rrethimit të saj, pra kësodore, dëshmitar
pamor i ngjarjeve të rënda të dimrit (1912-1913)
dhe të pranverës së vitit 1913 në qytet. Ai, bashkë me botuesit, parapëlqeu
foton e Macës si simbol jo vetëm të atij rrethimi pushtues e të pasojave të rënda,
por edhe të përballimit të tyre. Kësisoj, fotografinë “E bija e Gjon Palit”, të Kolë Macës, të
huajtë (bota, do thoshim në zhargon) e
kanë vendosur në një piedestal
(paraqitja në ballinën e një libri botuar jashtë vendit) në të cilin deri më
sot, shumë pak fotografi shqiptare janë ngjitur.
Një
kopje tjetër e plotë e fotos paraqitet në një faqe të shtojcës italiane, “La Domenica
del Corriere” të Milanos (5 luglio1914), brenda një artikulli me titull “La
fine della guerra Balcanica” (Fundi i Luftës Ballkanike). Atje, fotoja shoqërohet
me diçiturën “Donna Albanese che assiste il padre morente per le ferite
riportate in guerra”(Grua shqiptare pranë të atit që po vdes nga plagët e marra
në luftë), por pa saktësuar emrin. Këtu Gjon Palit, me anën e këtij
dokumenti-imazh të pakundërshtueshëm, i njihet statusi moral i dëshmorit të
atdheut.
Më 1963, pesëdhjetë vjet pas rrethimit,
këtë foto e shohim të përfshirë në veprën (në dorëshkrim) të një dëshmitari
tjetër pamor, klerikut erudit katolik nga Shkodra, At Justin Rrota (1889-1064),
me titull “Ditët e mbrame të Turqisë ase Rrethimi i Shkodrës, 1912-1913”, e
cila për shkaqe dhe arsye të ndryshme nuk u botua atëhere. Ajo shoqërohej me
shpjegimin “Gjon Pali i varruem (plagosur-shën.im) në krye e në dorë. Te kryet
e bija”, afërsisht i njëjtë me atë të vitit 1914. Dorëshkrimi i sipërmë, që
bazohet në shënimet kronologjike të tij, u botua si libër 47 vite më pas, në
vitin 2010 nga Biblioteka Françeskane
“Gjergj Fishta” në Shkodër, e natyrisht pa i munguar fotoja simbol e Kolë Macës,
tashmë midis faqeve 32 e 33, por dhe me të njëjtin shënim shpjegues. Në të dy
rastet (revista dhe libri) shkruhet fare qartë se Gjon Pali është plagosur në luftë dhe jo gjatë shpagimit të gjakut,
aq i përhapur shumë atëhere në veri të vendit, fatëkeqësisht diçka edhe sot. Kështu,
fotografia jonë paraqet fundin tragjik të një luftëtari shqiptar të flijuar për
atdheun e tij. Fatëkeqësisht, deri tani, me gjithë hulumtimet, ende nuk janë
gjetur të dhëna më e sakta rreth Gjon Palit.
Dokumentim
dhe estetikë
Me shumë gjasa, fotoja është realizuar gjatë
muajve të fundit të rrethimit malazez të qytetit nga ndonjë rrethanë fare
rastësore. Macën, ndofta e kanë lajmëruar, ose ka mësuar se një i plagosur në
kokë dhe dorë dergjet diku aty pranë. Ka të ngjarë që ndonjë mjek u ka
shpjeguar familjarëve fundin e hidhur e të shpejtë të Gjon Palit. Fotografi nuk
e ka zgjatur, ka marrë aparatin e ka kërkuar ta fotografojë. Dihet se
fotografimi prej kohësh ishte familjar
në Shkodër. Mbase rreth të plagosurit ka pasur edhe të afërmë të tjerë të tij
si nëna, motra, e shoqja, por ai ka zgjedhur ta fotografoj me të bijën. Është
shumë e vjetër dhe e njohur dhëmbshuria e veçantë e vajzës për babanë. Maca ka
gjetur një kënd të përshtatshëm dhe ka kuadruar pamjen. Ndoshta, fotografi i ka
sugjeruar diçka vajzës, por me zë të ulët e ngadalë, për të ndryshuar pak
qëndrimin për ndriçimin e fytyrës, por pa arritur të tjetërsoj asesi gjendjen e
saj shpirtërore. Ajo ka lëvizur si me përtesë, veçse duke i marrë fytyra një
dritë të butë. Mbase Maca ka bërë disa shkrepje, me njerëz te tjerë e nga kënde
të ndryshme, por kjo pati publikim më të madh, e me të drejtë.
Duke përsiatur gjatë mbi foton, arrijmë tek
përfundimi se dhimbja njerëzore e vajzës (ose më mirë dokumentimi i saj)
kthehet nga Maca nëpërmjet një fotoje, në një objekt estetik. Maca, ka nxituar të kapi imazhet e çasteve
të fundit të Gjon Palit, pa e vrarë shumë mendjen për të krijuar një foto me
vlera artistike, ai duhet të shpejtonte, se pas disa orësh i dergjuri do shuhej
e përcillej në banesën e fundit. Veçse,
fotografi me përvojë, vetvetiu ngërthen edhe vektorin estetik gjatë mishërimit të fotografisë. Në këto raste
kjo vjen më tepër si pasojë e nënvetdijes, iracionales, sesa e vetdijes,
mendimit racional, parapërgatitjes për fotografimin.
Gjon
Pali mund të ketë qënë një nga 10.000 rezervistat (redifët) ose vullnetarët
shqiptarë të mobilizuar nga komanda turke për mbrojtjen e qytetit. Ai është
plagosur nga bombardimet ose në përpjekje me armikun, dhe i lënduar rëndë, ka
mbërritur në shtëpi ku ka dhënë edhe frymën e fundit. Fotografia paraqet vajzën e tij, e cila qëndron tek kryet e të
atit të plagosur. Pikëllimi i saj është i thellë dhe i heshtur, ajo sikur nuk
po u beson syve duke e parë në fillimin e heshtjes së tij të përjetshme, por e
pagojë dhe e tharë e vështron të atin me duart e mbështetura tek njera-tjetra,
në qëndrimin mortor. Vajza, njerën dorë e ka vendosur poshtë kokës së të atit,
ndërsa të majtën mbi gjoksin e tij. Shikimi saj është ngulitur tek fytyra e të
atit me një përdëllim të matur, ndoshta edhe të mpirë nga dhimbja. Hidhërimi ia ka ngrirë
fytyrën e saj tërë nur e, ajo është mbërthyer
nga fotografi në shikimin e pagojë e të thellë duke vështruar të atin që po
largohet përgjithmonë nga kjo botë.
Tri
vatrat kryesore të fotos janë fytyra
e vajzës, duart e Gjon Palit dhe koka e tij. Këto formojnë një trekëndësh, në këndet
e të cilit lëviz disa herë vështrimi i mendueshëm i shikuesit të fotografisë. Të
plagosurit ja kanë vendosur duart mbi njera-tjetrën,
ashtu siç e kërkon riti i zakonshëm në kësi rastesh. Ndonëse fotoja tregon Gjon
Palin duke u ndarë nga jeta, figura qëndrore, jo vetëm gjeometrike, por edhe
kuptimore e saj është e bija, që shpërfaq dhimbje por edhe qëndresë shpirtërore.
Ajo, vajzë shumë e hijshme, rreth të njëzetave, është e veshur me të zeza,
rroba tradicionale e zisë, të cilat do t’i heqi kur të ketë familja ose ajo vet
një rast të veçantë gëzimi. Ajo i rri sipër të atit, sikur do ta mbroj prej rrëmbimit
nga vdekja, por edhe vështrimi i saj flet shumë në foto.
I plagosuri i ka sytë të mbyllur, kokën e
ka të fashuar, po ashtu edhe dorën e djathtë, ku gjaku ka dalë mbi mëngën dhe
fashën e formon një njollë të errët. Një fashë e bardhë i qarkon edhe kokën për
të mbuluar plagën nga ndonjë armë e ftohtë apo zjarri.
Ndriçimi në fotografi është natyror dhe i butë,
ai vjen nga e një dritare (mendojmë se mjedisi është dhomë ose koridor shtëpie)
nga djathta e vajzës dhe nuk krijon hije të forta e kundërshti të theksuara
tonale. Hijet i dallojmë tek gusha dhe faqja e majtë e vajzës e i japin kësaj
nj[ hir të veçantë.
Po në
cilën prej gjinive të fotografisë e ndjen
veten më mirë kjo foto, sidomos sot, kur muret midis tyre janë holluar mjaft ?
Së pari ajo mund të futet në fotografinë
e luftës, ngase paraqet pasojat tragjike të një ndeshje me armë (edhe pse në
foto nuk duket asnjë e tillë) midis dy palëve ndërluftuese. Ndërkaq, fotoja hynë
edhe në atë dokumentare sepse dëshmon
me imazh pamor një ngjarje, ndonëse rutinë (pa datë e vend). Fotoja cek patjetër
edhe fotografinë historike, ngaqë
pasqyron një dukuri të zakonshme të asaj ndërkohe dramatike e të veçantë, veçse
me një personazh me emër modest e pa të shkuar gjurmëlënëse. Po ashtu, fotoja,
nga mënyra e ruajtjes së të
plagosurit, ka edhe elementë të fotografisë
etnografike. Kështu, fotoja jonë ka
pjesë në disa gjini, ku më shumë e ku më pak, por më e rëndësishmja qëndron se
ajo lind ndjesi të vecanta estetike tek shikuesi, e kjo gjithëherë kur ai do ta
mbajë atë para syve. Ajo, gjithashtu, duket si shembëlltyra (imazh pamor
fotografik ose piktorik) e një skene finale të një vepre dramatike, madje mjaft
mbresëlënëse. Megjithë zymtësinë e skajshme të imazhit, subjektin dhe anën
tonale, ku të godit sakaq ngjyra e zezë, fotografinë e heqim nga sytë dhe vejmë
para tyre sërish disa herë. Kështu ajo të trishton thellë, por njëkohësisht
edhe të pëlqen, shenjë kjo e pamohueshme e vlerave të larta estetike të saj. Kësisoj,
edhe nga qëndrimi (jo pozimi) tepër i veçantë dhe i fare natyrshëm i të bijës,
kuadrimi i subjektit dhe ndriçimi, fotoja ka më tepër tipare të fotografisë
së artit, duke e kthyer atë në një shprehëse të pasojave të luftës dhe dhëmbshurisë
njerëzore, e kjo i siguron asaj jetëgjatësi
të madhe. Kështu, ajo mund të shërbejë jo vetëm si ikonë dokumentare, por
edhe si një simbol artistik pamor i Rrethimit të Shkodrës dhe luftës për
mbrojtjen e saj nga shovinistët malazezë.
15 shkurt 2017
No comments:
Post a Comment