KRONIKË:
KOSOVA E PËRGJAKUR
(Në
mbrëmjen e 24 Marsit 1999, ora 19.50, NATO ndërmerr inkursione sulmuese kundër
klikës militare të Sllobdan Millosheviçit)
“Ҫështja Kosova” ka qënë problemi më prezent dhe më imprehtë i vitit 1988 i
kancelarive në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi, në Shqipëri dhe në Ballkan, në
Evropë dhe më gjerë. U shpalos si rrallëherë në histori genocidi më i egër i
ushtruar ndaj popullsisë shqiptare, por njëherësh edhe qëndresa më stoike e saj
për të mbijetuar dhe për të siguruar vazhdimësinë e rrjedhës së saj. Kur dhuna
serbe mori përmasat e një genocidi të vërtetë duke ndërprerë jetë njerëzore të
pafajshme, por edhe të një spastrimi etnik duke shpërngulur me dhunë popullsinë
shqiptare nga trojet dhe vatrat e saj stërgjyshore, në mbrëmjen e 24 marsit
1999, ora 19.50, tetëdhjetë aeroplanë të sofistikuar të Aleancës së Atlantikut
Verior (NATO-s), ndërmuarën inkursione sulmuese kundër klanit politik të
Serbisë dhe jo kundër popullsisë civile. Ja se si rrodhën ngjarjet në të
pastajmen.
1.- ZHVILLIMI
I SITUATAVE 1-10 PRILL 1999.
Le të
provojmë të sjellim në vemendjen e lexuesit, sa më pranë realitetit disa
probleme, që kanë të bëjnë me zhvillimet luftarake, nismat dhe veprimtaria
diplomtatike, fluksi i të ardhurve dhe, dëshmi e pjesëshme e genocidit dhe
spastrimit etnik në Kosovë në fundmarsin dhe fillimprillin e vitit 1999.
Për
zhvillimet e situatave të luftimit mund të ofrojmë sa vijon. Kryekomandanti
Suprem i NATO-s në operacionin kundër klikës militare serbe, gjenerali amerikan
Uesli Klark, në vijimësi ka pohuar se, veprimet luftarake janë zhvilluar sipas
planizimit nga Shtabi Drejtues i këtij operacioni. Ato në periudhën informuese
ndodhen në fazën e katërt, çka do të thotë se objekt i goditjes janë forcat e
këmbsorisë, të artilerisë e tankeve, venddrejtimet dhe vendkomandat, sistemi i
komandimit dhe komunikimit, aerodromet ushtarake dhe ato civile, depot e
rezervave të naftës, etj.
Goditjet e
NATO-s, si ato të aviacionit dhe ato me raketa, kanë rezultuar precize, për
rrjedhojë janë goditur më shumë se 150 objektiva, duke nxjerrë jashtë luftimit
më shumë se 50% të aeroplanëve luftarakë serbë tip Mig-29 (prodhim rus), u
goditën sistemet e mbrojtjes kundërajrore, për rrjedhojë ka rënë fuqia dhe
aftësia luftarake e Serbisë.
Që nga 6
prilli do të vijojnë goditje masive nga më të fortat të përdorura në ditët e
para. U bombarduan disa qytete si dhe u shkatërruan duke u shkatuar dëme të
konsiderueshme. Pranohet se, me dëmtimet e deritashme Serbia është kthyer
njëqind vjet prapa. Mund të nënvizohet se, u nxorr jashtë funksionimit ura e
fundit mbi lumin Danub në qytetin Novi Sad; u shkatërrua antena televizive e
Beogradit, për pasojë disa qytete nuk mund të informohen prej televizionit
shtetëror; u shkatërrua aerodromi i Slatinës në Prishtinë si dhe një pjesë e
hekurudhës në Vojvodinë, e cila e lidh atë me Kroacinë; u nxorr jashtë
përdorimit depua e karburantit në Sombor, po ashtu u dëmtua rëndë edhe
hekurudha që bashkon Kraljevon me Kragujevacin, etj. Në ditët që do të vijnë
nuk do të rreshtë së aplikuari sulmi ushtarak. Kështu më 9 prill u godit një
aerodrom ushtarak vetëm 20 km. pranë Beogradit, ashtu si janë realizuar dhjetra
shpërthime në rrethinat e Beogradit. Po këtë datë, për më tepër se gjashtë orë
ka patur shkëmbim zjarri midis forcave të UÇK-së dhe atyre serbe në kufirin
midis Kosovës dhe Shqipërisë. Disa predha mortaje të artilerisë serbe ranë në
territorin shqiptar në Tropojë, Kamenicë, Padesh etj., çka edhe përbën incident
të armatosur kundër një vendi sovran. Ky rast është bërë objekt i medias
perëndimore, i diplomacisë dhe i politikës ndërrajonale.
Mendimi
dhe qëndrimi i përbashkët është se, sulmet mbi makinën ushtarake të Beogradit
do të vijojnë sipas planit të Aleancës së Atlantikut, përderisa edhe
Milosheviçi vijon të këmbëngulë në mendimet dhe qëndrimet e genocidit dhe
spastrimit etnik të Kosovës. Duhet të nënvizojmë se Këshilli i NATO-s ka
vendosur dërgimin në Shqipëri (pasi të jepet miratimi nga Qeveria Shqiptare) të
një force për një mision humanitar. Kështu do të vijnë njëzet e katër
helikopterë supoermodernë të emërtuar “APACHE”, çka do të thotë artileri dhe
sistem raketash taktike, me synim dhënien e goditjes në thellësi dhe rritjen e
aftësive vepruese të NATO-s. Këta helikopterë do të kryejnë operacione ajrore
efektive në Kosovë. Ja edhe disa të dhëna taktiko-luftarake për këtë teknikë
luftarake. Ai përfaqëson helikopterin kryesor të sulmit të Forcave Toksore
Amerikane. Ka aftësi të perceptojë e shkatërrojë mjetet e blinduara dhe objektiva të tjera të
kundërshtarit si natën ashtu edhe në kushte të këqija të motit. Drejtohet nga
një ekuipazh prej dy vetash - piloti e shënjuesi. Fluturon në lartësi deri
gjashtëmijë metra. Kohëzgjatja e misionit është 2,5 orë. Ka në armatim tetë
raketa kundërtanke “Hellfire” të drejtuara me rreze lazer, tridhjetë e tetë
raketa të tjera të kalibrit 2,75 inch dhe 1200 shtimje të topit 30 m/m.
Vendqëndrimi i ekuipazhit është i blinduar. Pesha e vetë helikopterit është 5,3
ton, kurse me armatim 7,9 ton. Fluturimi i parë është kryer më 30 shtator 1975.
Emrin e ka marrë nga një fis i herëshm indian në SHBA. Është në përbërje të
forcave toksore greke e britanike, ndërsa Hollanda e ka në pajisje të forcave
ajrore. Është planifikuar sofistikimi i tij i mëtejshëm.
Në këto
situata, natyrshëm do të marrin jetë edhe disa nisma e veprimtari diplomatike.
Edhe pse në përgjithësi është konsoliduar mendimi teorik dhe qëndrimi praktik
se, rruga diplomatike quhet “e tejkaluar” mbas Rambujesë, përsëri nuk kanë
munguar nismat e ndryshme diplomatike, të cilat ofrojnë teza për mundësimin e
zgjidhjes së konfliktit Serbi-NATO dhe Serbi-Kosovë me mjete diplomatike. Së pari ka qënë
Rusia, si inspiruese kryesore e Serbisë në kushtet aktuale, e cila hera-herës
ka hedhur idenë e kompromisit diplomatik, duke shpresuar se ka akoma mjete e
mundësi diplomatike për të zgjidhur problemin, i cili tashmë është bërë shumë i
ashpër. Por diplomacia evropiane dhe ajo botërore kanë dhënë përgjigjen,”...
mjetet diplomatike janë tejkaluar, Serbisë dhe Milosheviçit i mbetet të zbatojë
deri në një Marrëveshjen e Rambujesë...”. Së dyti, Sekretari i
Përgjithëshëm i OKB-së, Kofi Annan, ka hedhur idenë e konsumimit të rrugës
diplomatike. Ai i ka sugjeruar palës serbe : të tërheqë forcat ushtarake nga
Kosova; të realizojë kthimin e të dëbuarve me forcë në trojet e tyre; të
ndërpresë genocidin dhe spastrimin etnik; të pranojë një forcë shumëkombëshe në
Kosovë; të premtojë një autonomi të zgjeruar të popullsisë shqiptare, etj.
Këtyre kërkesave klika e Beogradit u është
përgjigjur nagativisht, prandaj edhe propozimi është konsideruar i konsumuar.
Më dt. 12 prill 1999 është mundësuar një
mbledhje e ministrave të jashtëm të Aleancës së Atlantikut. Mori pjesë edhe
ministri i jashtëm i vendit tonë z. Paskal Milo, i cili u prononcua direkt për
kanalin televizin CNN.
Më 14 prill 1999 u realizua një mbledhje e
jashtëzakonëshme e Këshillit të Evropës. Kancelari gjerman Gerhard Shreder, me
cilësinë e kryesuesit të rradhës, paraqiti një plan-ide të ngjajëshme me atë
“Marshall” pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, me synim evropianizimin
e Ballkanit. Ky plan gjithësesi u mirëprit duke patur në themel, pushimin e
goditjeve nga NATO-ja për 24 orë, kohë kjo e mjaftueshme për tërheqjen e
trupave serbe nha Kosova, dhe mandej Kosova, në formë protektorati të administrohet
nga Këshilli i Evropës. Por në takimin e jashtëzakonëshëm të ministrave të
Këshillit të NATO-s më 12 prill, pika 4 e Deklaratës së përbashkët shprehet
:”Goditjet ajrore do të vazhdojnë deri sa presidenti Millosheviç të pranojë
kërkesat e Komunitetit Ndërkombëtar. Presidenti serb e di fare mirë se çfarë
duhet të bëjë. Ai duhet: të sigurojë një ndalim të verifikueshëm të të gjithë
veprimeve ushtarake dhe ndalimin e menjëherëshëm të dhunës dhe represionit; të
sigurojë tërheqjen e trupave ushtarake, policore dhe atyre paraushtarake nga
Kosova; të pranojë vendosjen në Kosovë
të pranisë së një force ndërkombëtare; të pranojë rikthimin pa kushte dhe të
sigurtë të të gjithë refugjatëve dhe personave të shpërngulur me dhunë, si dhe
mospengimin e organizatave humanitare në ndihmimin e refugjatëve; të ofrojë
garanci të besueshme të vullnetit të tij për të bashkëpunuar mbi bazën e
Marrëveshjes së Rambujesë në arritjen e një marrëveshjeje për Kosovën në
kuadrin politik dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e
Kombeve të Bashkuara. Deklarata prej 15 pikash nënvizon se, përgjegjësia për
krizën aktuale bije drejtpësëdrejti mbi presidentin serb Millosheviç.
Së
treti, është vetë
Serbia, e cila ka propozuar një zgjidhje paqësore. Më 6 prill Beogradi dekretoi
një “Armëpushim të njëanëshëm” me UÇK-në, duke i kërkuar të njëjtin qëndrim
edhe NATO-s. Diplomacia serbe këtë e quajti “shprehje të vullnetit të mirë”.
Serbët propozuan që, me Rugovën (Ibrahim), të quajtur “Udhëheqës të moderuar”,
të hartohet një “marrëveshje e përkohëshme”, e cila mandej do të çojë në
“Autonomi thelbësore” të Kosovës. Po ashtu ata servirën edhe përgatitjen e një
programi “Për kthimin e refugjatëve”, i cili do të zbatohet “Me pjesëmarrjen e
duhur të Komisariatit të lartë të Refugjatëve të OKB-së” dhe të Komitetit
Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Gjithashtu premtonin që, me rastin e festimit të
Pashkëve më 11 prill, do të ndalohen “të gjitha operacionet e Ushtrisë e të
Policisë në Kosovë kundër UÇK-së. Së fundi, u bëjnë thirrje “Elementëve
ekstremistë” që të respektojnë këtë vullnet dhe të mos ndërmarrin “aksione të
reja terroriste kundër civilëve dhe përfaqësuesve të pushtetit”.
Ja pra ky ishte thelbi i propozimit të
“Armëpushimit të njëanëshëm” që serviri klani serb pasi kishte ushtruar dhunë
të pashembullt dhe pasi kishte shpërngulur nga vatrat stërgjyshore më se 1,4
milion banorë shqiptarë që prej fillimit të konfliktit.
Dhe, pas kësaj, cili është vlerësimi dhe qëndrimi i diplomacisë
shqiptare, ballkanike, evropiane dhe më gjerë, qoftë ai institucional por edhe
personal?
Gati e tërë diplomacia ndërkombëtare
ndodhet në një emërues të përbashkët për këtë problem: ”... Kemi të bëjmë me
një mashtrim të rradhës nga Beogradi zyrtar...”, kanë deklaruar shumica e
diplomatëve dhe politikanëve, si dhe e analistëve politikë e ushtarakë.
Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë e deklaroi si një “Përpjekje
mashtruese të Millosheviçit për të fituar kohë”, “...i vënë përballë presionit
në rritje të opinionit publik ndërkombëtar, i vënë përballë goditjeve gjithnjë
e më të fuqishme dhe të efektëshme të NATO-s, regjimi kriminal i Beogradit
përpiqet që përmes kësaj lëvizjeje mashtruese të vazhdojë i qetë fushatën e tij
të genocidit dhe të spastrimit etnik në Kosovë...”. Deklarata e Qeverisë Shqiptare vijon të
fuqishme ndërkombëtare të mishëruar në praninë e forcave të NATO-s në Kosovë”.
“Paqja e vërtetë në Kosovë do të realizohet vetëm kur regjimi kriminal i
Beogradit të ndalë fushatën e genocidit, të tërheqë forcat ushtarake,
paraushtarake dhe policore nga Kosova, të pranojë kushtet e paqes për një
Kosovë të lirë dhe demokratike dhe, të lejojë kthimin deri tek banori i fundit
i të dëbuarve me forcë nga Kosova, nën një garanci
Presidenti shqiptar, Rexhep Meidani, e vlerësoi vendimin serb, as më
shumë e as më pak, por “demagogji dhe provokacion cinik. Shqiptarët e
Kosovës mund të kthehen në vatrat e tyre së bashku me trupat toksore të
drejtuara nga NATO-ja... Duhen edhe sulmet nga toka për të ndaluar makinën
ushtarake vrastare të Jugosllavisë dhe për të penguar shpërnguljen e mëtejshëme
të shqiptarëve etnikë nga trojet e tyre... Millosheviçi ka qënë burimi kryesor
i të gjitha konflikteve në Ballkan në dhjetëvjeçarin e fundit... Nuk ka vend më
për akuza e lojra spekulative... Tani ka vetëm përgjegjësi politike e kombëtare
për përballimin e situatës”.
Presidenti
amerikan Bill Klinton, lidhur me vendimin e Serbisë ka shprehur këtë opinion :”SHBA-ja
nuk e pranon ofertën serbe; sulmet e NATO-s do të vazhdojnë”. Më tej vijon :”
që të ndërpresim bombardimet, duhet që presidenti jugosllav, Sllobodan
Millosheviç , të japë pëlqimin për një Kosovë ndëretnike; të heqë forcat e tij
nga Kosova; të lejojë kthimin e shqiptarëve dhe mbrojtjen e tyre nga forca
ndërkombëtare; të pranojë një forcë ndërkombëtare në Kosovë...”.
Por më 7 prill Klinton do të pohojë edhe sa vijon:” Sllobodan
Millosheviç ka dhjetë vjet që mban peng Kosovën, Jugosllavinë dhe Ballkanin. Ka
dhjetë vjet që ushtron dhunë e derdh gjak. Tani ne do ta ngopim me bombardime e
me gjak. Mbi popullin e Kosovës po ushtrohet dhunë. Dhjetra femra kosovare janë
përdhunuar në një qëndër stërvitore, prandaj jemi të vendosur në nismën që
tashmë kemi ndërmarrë...”. Pra,
qëndrimi i presidentit amerikan Bill Klinton është i qartë e i prerë: do të
vijojnë goditjet e klanit serb deri sa presidenti serb të pranojë marrëveshjen
e Rambujesë.
Zhak Shirak, presidenti francez, në vijimësi është prononcuar sa
vijon: “Armëpushimi duhet të ishte shoqëruar me masa e të tregojë e sigurojë
paqen në Kosovë, ndërsa masat e ofruara konsiderohen të pamjaftueshme”.
Lionel Zhospën, kryeministër i Francës, pohon:”Përpara
marrëzisë dhe masakrave serbe, NATO-ja do të intensifikojë më tej bombardimet
dhe do të godasë objektiva të rëndësisë strategjike”.
Gerhard Shreder, kancelari i Gjermanisë, shprehet :” Oferta
për armëpushim e paraqitur të martën (6 prril 1999) nga presidenti jugosllav
është e nevojëshme por e pamjaftueshme”.
Qëndrimi i Qeverisë Britanike
shprehet përmes zëdhënësit të kryeministrit Toni Bler. Ai pohon:”...ne
e kemi pritur një dredhi diplomatike nga Millosheviçi. Ne nuk do të bjemë
viktima e propozimit. Ju i dini kushtet tona për ndërprerjen e fushatës ajrore.
Deri sa të plotësohen ato, fushata ajrore do të vazhdojë”.
Qëndrimi i
Aleancës së Atlantikut Verior (NATO) artikulohet përmes Sekretarit të
Përgjithëshëm të saj, z. Havier Solana, i cili është prononcuar për një
zgjidhje politike, e cila nuk u pranua nga pala serbe. Në vijim vjen qëndrimi i
prerë i NATO-s përmes zëdhënësit të saj, Xhemi Shi, i cili pohon disa herë :”
Në Kosovë ka shumë të humbur. Numri varion nga dhjetë mijë deri në njëqind mijë
familjarë të shkëputur... Bombardimet e NATO-s po fillojnë të jenë të
dhimbëshme për regjimin e Sllobodan Millosheviçit... NATO dhe Këshilli i NATO-s
do të vazhdojë sulmet kundër objektivave strategjike...Propoganda e arkitektëve
serbë nuk do të goditet nga NATO,... nuk do të pranojmë rezultatet e spastrimit
etnik në Kosovë”.
Ueslli
Klark, komandant suprem i NATO-s, pohon:”...sulmet ajrore të
Aleancës nuk mund të ndalin krimet serbe në Kosovë, por bombardimet do të
vazhdojnë deri sa t’i jepet fund represionit...Ushtarët serbë në Kosovë janë të
lodhur e të rraskapitur, por ende të aftë për të kryer krime të tmerrëshme
kundër civilëve... Goditjet e NATO-s do të vazhdojnë përderisa Aleanca ka
nevojë të përmbushë objektivat e saj. Vetëm goditjet ajrore nuk janë të
mjaftueshme për të ndaluar krimet më të këqija. Kjo nuk do të ketë efekt. Nga
ana tjetër, ne jemi në gjëndje të sulmojmë instalimet dhe njësitë që përdoren
nga serbët për aktet e tyre shtypëse. Dhe pikërisht ne këtë po bëjmë. Ne
sulmojmë dhe shkatërrojmë sistematikisht komandat dhe qendrat e tyre të
kontrollit, mbrojtjet kundërajrore si dhe kapacitetin e tyre për të sulmuar
popullin e Kosovës... Beogradi nuk mund të injorojë kërkesat e Aleancës. Sulmet
e NATO-s janë të kontrolluara nga nivelet politike. Do hyjmë në shekullin e ri
duke eleminuar difektet, nacionalizmin e dhunëshëm, shqiptarët do të fitojnë
atë që do të fitojë Evropa...”.
William
Cohen, sekretari amerikan i mbrojtjes, gjatë një vizite pune në Evropë
pohon:”...Misioni im në Evropë do të përfundojë në NATO, pikërisht për
kundërshtimin e këtij propozimi, - të vendimit serb për armëpushim të
njëanëshëm. Në dhjetëvjeçarin e fundit Millosheviçi i ka larë duartë me gjak në
Kroaci, Slloveni, Maqedoni, Bosnjë-Hercegovinë, e veçanërisht në Kosovë... Me
këtë propozim Millosheviçi vesh lëkurën e qëngjit, por duartë e tij të
përgjakura nuk mund të mbajnë kurorën e paqes prej dafine...”.
Devid
Levi, zëdhënës i Këshillit të Sigurimit Kombëtar të Shtëpisë së Bardhë,
pohon edhe sa vijon:”... do të zhvillojmë një fushatë të pazvogëluar, të
pazbutur e të pandalëshme... E kemi bërë shumë të qartë se çdo masë boshe apo
gjysmake, nuk do të ndërpresë bombardimin... Në rast se Millosheviçi nuk bën
atë që është e nevojëshme, NATO do të vazhdojë fushatën e saj. Ajo do të jetë e
palëkundur”.
Bulent
Eçevit, kryeministër i Turqisë shprehet :” Një zgjidhje e drejtë do të
jetë ajo që të japë garanci konkrete për kosovarët. Pa këtë armëpushimi është
pa kuptim...”.
Masimmo
D’ Alema, kryeministër i Italisë, shprehet edhe sa vijon:”...Jam në
pritje të më shumë informacioneve lidhur me armëpushimin e njëanëshëm në Kosovë
i njoftuar nga Beogradi... Dua të mësoj përmbajtjen, kan tekstin dhe qëllimin e
iniciativës së njoftuar nga presidenti Millosheviç, që të mund të vlerësoj ato
me kujdes sidomos me vendet aleate”.
Kunt Vollebek, kryetar i rradhës i OSBE-së pohon: ”...Jugosllavia
synon destabilizimin e Ballkanit. Kosovarët e shpërngulur me forcë duhet të
qëndrojnë pranë vatrave të tyre. Millosheviçi e do Kosovën pa kosovarë.
Shtatëdhjetë vëzhgues të OSBE-së monitorojnë situatën në kufirin
shqiptaro-jugosllav”.
Balazino
, zëdhënës i Solanës në Tiranë pohon: ”...Zgjidhja do të vijë kur Millosheviçi
të tërheqë trupat ushtarake nga Kosova dhe të lejojë kthimin e gjithë
refugjatëve në shtëpitë e tyre...”.
Lidhur me problemin e vendimit të Serbisë për pushim zjarri të
njëanëshëm, qëndrimi i Rusisë është shfaqur i lëkundur në fillim, dhe më i
qartë më vonë. Kështu në mbrëmjen e 6 prillit Rusia shprehet se, mirëpret këtë
propozim. E quan atë me vlerë, si dhe e konsideron një hap përpara për arritjen
e paqes në Kosovë. Po këtë ditë Sergei Prikodko, këshilltar i
presidentit Jelcin, pohon:”Moska shpreson se ky demarrsh i Jugosllavisë do
të përbëjë një kthesë serioze në evoluimin e ngjarjeve në Jugosllavi...
Armëpushimi i kërkuar nga Beogradi regjistrohet në kuadrin e përpjekjeve tona
për t’u dhënë fund armiqësive në rajon dhe për fillimin e bisedimeve
politike... Tani NATO-ja duhet t’u japë menjëherë fund bormbardimeve kundër
Jugosllavisë dhe të përfitojë nga ky shans...”.
Boris
Jelcini, presidenti Rus, më datën 9 prill shprehet me një pohim që gati
tronditi botën:”...Ne nuk do t’i japim armë Serbisë. Kemi kërkuar
mbledhjen e jashtëzakonëshme të Grupit
të të Tetëve ( 7 vendet më të zhvilluara + Rusia). Unë personalisht dhe Rusia
nuk e duam luftën, por mos na tërhiqni ne në luftë. I kam kërkuar Aleancës së
Atlantikut, SHBA-së dhe Gjermanisë, që të studjojnë propozimin tonë...”.
Ky propozim tronditës do të zbutet disi më
datën 10 prill pas një deklarimi të Igor Ivanov, ministër i jashtëm i
Rusisë, i cili në një bisedë telefonike prej 45’ me Robin Kuk, ministër i
jashtëm i Britanisë së Madhe, deklarohet :”... Rusia nuk ka asnjë qëllim të
përfshihet në konflikt dhe, nuk dëshiron asnjë shkallëzim... Rusia nuk ka synim
të përfshihet në konflikt dhe nuk dëshiron që konflikti në Kosovë të
zgjerohet”.
Këto janë disa nga prononcimet e diplomacisë lidhur me propozimin e
Serbisë më dt. 6 prill për një armëpushim të njëanëshëm. Pas kësaj diplomacia
nuk hesht, por gjithësesi nismën e ka Perëndimi. Tashmë Komuniteti Botëror dhe
ai Evropian i ofrojnë palës serbe përmbushjen e pesë kërkesave. Më 12 prill
sekretarja e Shtetit e SHBA-së realizon një takim të ministrave të jashtëm të
vendeve anëtare të NATO-s. Mori pjesë edhe ministri i jashtëm i Shqipërisë z.
Paskal Milo, i cili dha intervistë drejtpërdrejt në CNN. Zonja Ollbrajt kërkoi
përmbushjen e pesë kërkesave si dhe këmbënguli që Beogradi të lirojë
udhëheqësin kosovar, Ibrahim Rugovën, dhe familjen e tij. Ollbrajt ndëshkoi
edhe cënimin e tërësisë territoriale të Shqipërisë nga pala serbe, sepse më dt.
11 prill mëse trembëdhjetë predha artilerie kanë rënë në territorin shqiptar në
Tropojë e Padesh, duke vrarë tre civilë dhe plagosur dymbëdhjetë të tjerë. Po
ashtu më dt. 12 prill janë zhvilluar luftime të ashpra në kufirin midis
Shqipërisë dhe Serbisë. Nuk ka patur të plagosur dhe as viktima.
Qeveria Shqiptare i ka denoncuar këto veprime dhunuese por ka shprehur
qëndrimin e saj kategorik për të mos rënë preh e provokimeve dhe synimeve serbe
për ta shtrirë konfliktin jashtë kufirit shtetëror serb.
Po cila është panorama e paraqitur me fluksin e të ardhurve për nevojë
nga Kosova?
Qeveria serbe, pas vendimit të njëanëshëm për të ndërprerë zjarrin me
rastin e festimit të Pashkëve, mbylli edhe kufirin me fqinjët si dhe ndaloi
ikjen e popullsisë kosovare jashtë kufijve shtetërorë të ish-Jugosllavisë. Pas
dy ditësh, më dt. 8 prill, në Qafën e Morinës, pas shumë peripecish të
lodhëshme e drobitëse, mundën të hyjnë në territorin shqiptar mëse 1500 vetë.
Ndërkohë diplomacia evropiane e më gjerë impenjohet me problemin e të
shpërngulurve të ardhur në Republikën e Maqedonisë, e cila i ka mbajtur ata në
kufij për tre ditë pa u dhënë asnjë ndihmë të larguarve me dhunë nga Kosova.
Gazeta “Republika” e dt. 11 prill pohon se nga fillimi i konfliktit janë shpërngulur nga
Kosova mëse 1,4 milion banorë shqiptarë (306 mijë janë vendosur në Shqipëri, 35
mijë në Mal të Zi, 75 mijë në Maqedoni, ashtu sikurse ka edhe në plan të
Evropës për sistemimin e mjaft të shpërngulurve në Gjermani më se 45 mijë, në
Turqi 20 mijë, e kështu edhe në vendet e tjera. Agjencia prestigjioze CNN në
mëngjesin e dt. 15 prill për këtë problem servir këto shifra: në Shqipëri janë
të ardhur 314 mijë; në Maqedoni janë të tillë 118 mijë, dhe në Mal të Zi 67
mijë.
Por
mbi këtë valë të ikurish, genocidi rëndon si asnjëherë tjetër. Ja disa dëshmi.
Jakup
Krasniqi, zëdhënës i UÇK-së, sipas gazetës “Shekulli” të dt. 2 prill, jep
këto të dhëna: Spastrimi etnik në Kosovë po vazhdon prej njëzet vjetësh duke
kaluar në disa faza. “Faza e parë ishte burgimi dhe përndjekja; e dyta,
vrasja në ushtri, largimi nga puna dhe
mbyllja e shkollave; e treta, çnderimet e popullit duke prekur nderin e kombit
shqiptar, më pas lufta e armatosur duke
djegur e shkatërruar dhe, së fundi shkatërrimi i ekonomisë dhe
pamundësia për të jetuar, e cila i ngjan një kataklizme, shkatërrimi i çdo lloj
dokumenti kulturor, arësimor që do të kishte një rëndësi të veçantë për
ardhmërinë e Kosovës”.
Sipas gazetës “Kushtrim Brezash” të dt. 2 prill jepen edhe këto
shifra. Në fshatin Krushë janë gjetur 50 të vrarë poshtë një ure.. Njëzet
arësimtarë kosovarë vriten para nxënësve të shkollës së tyre....Pesëqind
kosovarë të vrarë janë gjetur në Ballacerk dhe Celinë...Ndër 200 të vrarët në
Suharekë ka gra, fëmijë dhe pleq... Dhjetra vajza kosovare, (shtypi prononcohet
për 200 të tilla), veçohen nga familjet dhe përdhunohen deri në prani të
prindërve. (Një grua në TV Klan më 3 prill pohon se femrat kosovare janë
përdhunuar nga mëse njëzet partnerë pa dëshirën e tyre)... Njëzet e pesë mijë
shqiptarë kosovarë mbahen në Deçan të rrethuar si pengje para grykave të topave
të tankeve serbë... Më shumë se 500 mijë kosovarë, numur ky që rritet
vazhdimisht, janë shpërngulur me forcë për në Shqipëri, Maqedoni etj. ( 213
mijë në Shqipëri; 71 mijë në Maqedoni, 32 mijë në Mal të Zi etj)... Vriten
mizorisht intelektualë të njohur si Fehmi Agani, Bajram Kelmendi, Latif
Berisha, Agim Hyseni, Teki Dervishi etj.
Sipas
TV Teuta në mëngjezin e 5 prillit mësojmë këto shifra, në një minutë e
tridhjetë sekonda u vranë 100 njerëz, nga të cilët u identifikuan vetëm njëzet
e gjashtë; 300 mijë kosovarë akoma u drejtohen kufijve të fqinjëve...
Sipas Masimo D’ Alema, kryeministrit italian i ardhur me traget
gjatë natës së 3 prillit me tragetin ushtarak “San Xhorxhio”, shprehet :”...Kam
dëgjuar gjëra tragjike...”.
Sipas gazetës “Ushtria” dt. 7 prill mund të mësojmë edhe sa vijon:”...
rreshtuan të gjithë burrat nga 10-45 vjeçarë (gjithsej 52 vetë). I zhveshën
lakuriq; u muarën çfarë kishin...Pastaj u hapën nga një plagë në trup me
thikë... Në Krushë në 20 metra katror u vranë 112 burra, të stivosur u hodhën
benzinë dhe i dogjën... Një fëmijë 6-7 vjeçar, me kokën e lidhur nga plagë
plumbi, qan babanë e tij...-”....babin ma kan vra !!! O, ku-ku!!! Medet!!!
Babin ma kanë vra, o i mjeri unë...!”.
Dhe vaji i tij shkrinte drurë e gurë, por jo zemrën e arkandëve. ...E
ëma e këtij fëmije tregon:-”...kokën ja çanë me thikë kur po vraponte tek babai
i vet i vrarë... Tani jeton i tronditur deri në kllapi!!!”
Një
gruaje i ka shterrur qumështi, qumështi që ushqen e rrit fëmijën; dhe fëmijën ja ushqen një komshije shkodrane.
Në fshatin Tërrnie vetëm nga një familje u
vranë 30 vetë njëherësh. “...Është e vështirë me kenë burrë; madje duhet me
ditë me kenë i tillë...”, pohon njeri prej burrave.
-Tash, si kena pështue, jemi mirë!!!,- ngashërehet një grua rreth të 35-save kur flet me vëllanë në Zvicër në
telefon nga reparti i Gardës së Republikës në Mullet më dt. 10 prill.
Ka edhe mjaft pohime të tjera të
dhimbëshme për ushtrim genocidi.
Selami Elshani, 37-vjeçar nga Ratija i
komunës Rahovec pohon:”...na veçuan 200 burra, 13 na futën në një oborr...
Më vonë një grupi prej 15 vetash na komunikuan pushkatimin... na qëlluan me
armë dhe unë u plagosa... Na mbuluan me kashtë dhe na spërkatën me benzinë...
Unë shpëtova i gjallë... Rrugës pashë më shumë se 100 vetë të masakruar...
Burra dhe djem pa kokë, pa krahë, me këmbë të prera e sy të nxjerrë... Rrugët
ishin plot të vrarë...”.
Naile Dana, 28-vjeçare nga Krusha e
Madhe shprehet :”... shkuam në fshatin Nagavec dhe u futëm në një shtëpi...
Vjehrra ime dhe dymbëdhjetë të tjerë u vranë nga bombardimi ajror në një
shtëpi... rrugës kam parë tmerr... Qindra kufoma të shtrira pajetë...”.
Homiz Nuza, 77-vjeçar nga Smolica e Gjakovës, gjen forca
të rrëfejë :”... Por në Teqe të Shabanit serbi ka vrarë 40 burra njëherësh,
midis të cilëve edhe Sheh Zenelin... Në Gjakovë kanë vrarë shumë njerëz...., sa
nuk mund të numurohen...”.
Lazie Berisha,
45-vjeçare nga Brestonci i komunës së Rahovecit, pohon edhe sa më poshtë:”...Të
tetë mijë banorët e të katër fshatrave u vendosën në Brestan nga 100 banorë në
çdo shtëpi... Para se të vinim ne, ishim pushkatuar 47 burra;...nga një bombë u
vranë pesë vetë në një shtëpi;... në një shtëpi tjetër në bodrum u vranë njëzet
vetë nga një bombë... Kur dualëm kemi parë tmerr të vërtetë... Më shumë se
treqind të vrarë kishin mbushur rrugët... rreth njëqind burra, që nuk u larguan
nga fshati i kishin therur krejt
këmbsoria serbe, e cila kishte hyrë aty pas bombardimit...”.
Një tjetër pohon:”...
katërmbëdhjetë vajza janë përdhunuar nga më shumë se njëzet ushtarë në një kamp
stërvitor të ushtrisë serbe në Gjakovë....Pas këtij akti makabër ato janë vrarë
barbarisht.....”.
Në mëngjezin e 15 prillit, mjaft
televizione prestigjioze të Evropës si dhe disa agjenci shtypi, shprehen për
një akt genocidi të pashëmbullt deri në këto ditë. Dy helikopterë serbë
mitralojnë një kolonë refugjatësh kosovarë, që shpërngulen drejt Shqipërisë...
Kjo kolonë nuk ishte më larg se 2-3 km. nga kufiri shqiptar... U vranë 75 vetë,
u plagosën dhjetra të tjerë... Pamjet janë rrënqethëse... Pala serbe si
zakonisht për këtë masakër makabre akuzoi Aleancën e Atlantikut...
Pohimet e ushtrimit të genocidit dhe
spastrimit etnik janë të shumta, por për të mbetur sa më pranë të vërtetës, po
citoj diçka nga pohimi që bën akademiku i njohur kosovar Rexhep Qosja, i
cili për gazetën “Ushtria” të dt. 7 prill shprehet edhe sa vijon: ”Nga
Kosova nëpërmjet Bllacës kalova në Maqedoni... Nuk di ku e kam familjen... Këtu
vazhdon genocidi njëlloj si në Kosovë... Duket sikur nuk ka shqiptarë, s’ka më
njerëz, ka vetëm disa qënie që vdesin me krye në urinë dhe fekale... Në
Gjermaninë naziste kishte një tragjedi sistematike, këtu po ndodh një tragjedi
kaotike... Kolona e njerëzve lëviz me milimetra në kilometra rrugë...”.
Më shumë se sa
problemet që nënvizuam më sipër, duhet vlerësuar posaçërisht edhe një moment.
Serbia punon (në atë kohë) në mënyrë sistematike për të shtrirë konfliktin
sidomos në Shqipëri, por edhe më tej, me synim që të destabilizojë gjendjen në
rajon. Mund të jetë shprehje e kësaj politike edhe qëndrimi i dyshimtë i
qeverisë Maqedonase, e cila nuk pranoi futjen e të ardhurve nga lufta në
territorin e saj, duke i mbajtur për tre ditë në kufi refugjatët në gjendje
mjerane.
Po ashtu ka patur edhe demostrime anti- NATO
në mjaft vende të botës. Më e gjallëruar paraqitet kjo lëvizje në Rusi, por
edhe në vende të tjera. Parlamenti Serb më dt. 12 prill duartrokiti në kor
propozimin e ultranacionalistit serb Sheshel, i cili në bashkëpunim me
Sllobodan Millosheviçin, servirën kartën “e futjes në një aleancë të Serbisë me
Rusinë dhe Bjellorusinë”. Po ashtu në kufirin shqiptar disa herë kanë provokuar
me sulme tokësore, por edhe janë hedhur predha artilerie, sikurse ndodhi edhe
më dt. 12 prill në Tropojën e Vjetër, Padesh e Kamenicë, ku nga predhat e
artilerisë serbe u vranë tre vetë si dhe u plagosën dymbëdhjetë shqiptarë të
tjerë. Analistët e huaj këshillojnë që
Shqipëria të mos bjerë preh e provokimeve ndjellakeqe të Serbisë. Duhet theksuar
që NATO, SHBA, Turqi, e të tjerë, kanë dhënë garanci për sigurimin e
sovranitetit dhe paprekshmërisë së vendit tonë. Më datën 11 prill në vendin tonë bëri një vizitë
disaorëshe edhe presidenti i Turqisë, z. Sulejman Demirel. Ka patur edhe
lëvizje të tjera diplomatike nga Italia dhe vende të tjera.
Me përparësi duhet vlerësuar çështja e
veprimtarisë terroriste, e cila kohët e fundit është intensifikuar. Gazeta
“Republika” e datës 11 prill, prononcohet edhe sa vijon:”... deri tani janë
ndaluar 27 persona, që dyshohet se kanë lidhje me shërbimin sekret serb
(UDB-në), por në këtë drejtim ka shumë për t’u bërë, pasi sipas informacioneve,
ka shumë të infiltruar nga rradhët e Serbisë dhe agjenturës së saj...”
Këto janë disa nga zhvillimet e situatave në
fushën ushtarake; nismat dhe veprimtaria diplomatike për problemet në Kosovë;
fluksi i të ardhurve për nevojë, si dhe disa nga dëshmitë rrënqethëse për
genocidin e ushtruar në pranverën e hidhur të vitit 1999, pra plot pesë vjetë
më parë.
Fatkeqësisht më
dt. 17 mars 2004, pas pesë vitesh, në Kosovë u rishfaq një konfrontim midis dy
etnive, asaj serbe dhe shqiptare, i cili, vetëm pas më pak se njëzet e katër
orësh ka ndërprerë jetën e njëzet njerëzve, ashtu sikurse gati katërqind të
tjerë janë plagosur. Le të shpresojmë që të mbyllet me sa më pak humbje
njerëzore.
Safet N. Ramolli
Tel. 2/434 381
Cel. 068 29 80 067
10 Prill 1999
2.- ZHVILLIMET E SITUATAVE
(15
prill-3 maj 1999)
Periudha në fjalë ka si evenimente kryesore:
- Kremtimin e 50-vjetorit të krijimit të Aleancës
së Atlantikut Verior (NATO);
- Avancimin e linjës politiko-diplomatike në
çështjen e Kosovës;
- Ashpërsimin e veprimeve goditëse të NATO-s
kundër objektivave ushtarake në Serbi;
- Rritjen e fluksit të të ardhurve për nevojë nga
Kosova;
- Vënien më mirë nën kontroll të problemit të
manaxhimit të krizës humanitare në
Kosovë etj. etj
Përvjetori i 50-të i
Krijimit të NATO-s (23-25 prill 1999) nuk u kremtua me solemnitetin që e kishte
nevojë një eveniment i tillë, dhe kjo për shkak të kryerjes së fushatës
ushtarake me Serbinë. Në konkluzion të fundit presidenti i SHBA-së Bill Klinton
do të shprehej: ”NATO-ja në të ardhmen do të lëvizë në tre shina: në atë
politike, në atë ushtarake dhe, në atë ekonomike”. Këshili i Evropës i
mbledhur më dt. 25-27 prill do të shprehej për një shumë prej 30 miliardë
dollarë amerikanë si nevojë për ringritjen e Ballkanit.
Le të provojmë të shprehemi mbi zhvimin e fushatës ushtarake
Të ndjekura hap pas hapi, ecuria e veprimeve luftarake
rezulton gati si vijon. Më 17-19 prill janë goditur 305 objektiva ushtarake në
qytetin Kragujevac, në qytete të tjera si dhe një urë strategjike mbi lumin
Danub, e cila lidhte Kroacinë. Presidenti amerikan Bill Klinton i kërkoi
Kongresit Amerikan gjashtë miliardë dollarë amerikanë për të përballuar
veprimet në Kosovë, njëherësh ka kërkuar mobilizimin e tridhjetë e tre mijë
rezervistëve. Në harkun e ditëve 17-21 prill, erdhën në Shqipëri helikopterët
“Apache” sëbashku me ekuipazhin përkatës. Agjensitë e shtypit bëjnë të ditur
se, në një minutë veprimesh luftarake çmimi që përballon Pentagoni është 45
mijë dollarë amerikanë. Më 22 prill shtypi shqiptar shprehet se, një raketë
jugosllave me destinacion Kukësin, asgjësohet në ajër prej raketave amerikave
vetëm tetë sekonda pas lëshimit të saj.
Ishte 22 prill, kur disa orë
para mbërritjes në Beograd të të plotfuqishmit të Jelcinit, presidentit të
Rusisë për Ballkanin, ish kryeministri i Rusisë Çernomerdin, u godit me raketë
një nga rezidencat qeveritare të Jugosllavisë (ishte një vepër me vlera
historike e ndërtimore, pasi në të kanë banuar disa prej Krajlëve të Serbisë,
përfshi edhe ish kryetarin më jetëgjatë-Josif Broz Tito).
Më 28
prill zëdhënësit e NATO-s në konferencën e zakonëshme për shtyp shprehin se në
tridhjetë e pesë netët e goditjeve ushtarake janë realizuar 4500 goditje. Në to
kanë rezultuar gjashtë gabime (goditja mbi autokolonën ku kishte edhe shqiptarë
si mburojë e gjallë nga ku humbën jetën 60 vetë; goditja e një pjese transheje
hekurudhore në kohën që mbi atë u ndodh një tren; goditja e një objektivi civil
në distancën 200 m. nga objektivi i caktuar; goditja e Televizionit Shtetëror
të Serbisë ku edhe humbën jetën pesë vetë; goditja e një ure strategjike në
Kosovë kur mbi të u ndodh një autobuz, i cili u nda dycopësh etj). Në përfundim
zëdhënësit shprehen :”...nëse Millosheviçi nuk do të këmbëngulte, gabimet e
mësipërme nuk do të ndodhnin...”. Këto gabime janë shfrytëzuar prej makinës
propogandistike serbe. Kështu sulmi i NATO-s në natën e tridhjetë e pestë është
epitetuar më barbari, ku gjetën vdekjen njëzet civilë të pafajshëm. Njëherësh
Pentagoni konfirmon mobilizimin e tridhjetë e tre mijë rezervistëve.
29 prilli
përkon me natën e tridhjetë e shtatë të fushatës ushtarake. Objekt i goditjeve
ka qënë Beogradi ushtarak (aerodromi, uzinat etj) dhe kryeqëndra e Malit të Zi,
Podgorica. U goditën kryesisht depozita karburanti, rafineri, ura mbi lumin
Sava. Kjo është epitetuar “Nata e tmerrit”, sepse janë lëshuar mëse 600 raketa,
prandaj një gazetar shprehet :”... Një shi i tmerrëshëm raketash në
Beograd...”. Është goditur edhe një uzinë cigaresh, pronë e Millosheviçit.
Kanë qënë në shënjestër të goditjeve Shtabi i Përgjithëshëm i Ushtrisë; Qëndra
e Komandimit në Beograd, Ministria e Brendëshme, një zonë rezidenciale e
Millosheviçit etj. Në natën e 30 prillit bombardohen objekte ushtarake në
qytetet Pançevo, Sombar, Podgoricë ku u vranë pesë vetë, Novi Sad-i u godit me
dy raketa.
U deklarua
shkatërrimi i mëse 70% të depove të karburantit. Pala amerikane këmbëngul për
intensifikimin e goditjeve deri sa Millosheviçi të përmbushë kushtet
(presidenti amerikan ka dhënë pëlqimin për rritjen e numrit të aeroplanëve me
njëzet e pesë copë strategjikë B-52).
Media,
duke marrë shkas nga të dhënat e palëve në konflikt, më 1-2 maj shprehet se, në
dyzet ditë sulmesh janë kryer mëse 14 mijë fluturime. Është goditur ura
strategjike e Rozhanit në Kosovë, në të cilën u ndodh një autobuz, për
rrjedhojë pati edhe viktima. Në ditët e fundit të luftimeve NATO-ja ka pranuar
humbjen e dy avionëve amerikanë, njeri prej të cilëve i tipit herrier. Njeri
prej tyre është rrëxuar për defekt teknik në detin Adriatik sapo është ngritur
për fluturim, ndërkohë tjetri ka rënë rreth 20-30 km. në jugë të Beogradit, por
që shkaqet nuk janë zbardhur ende, veçse dihet që piloti është shpëtuar.
Kjo është
pak a shumë kronologjia e zhvillimit të veprimeve luftarake. Por gjatë gjithë
periudhës në fjalë ka patur provokime në kufirin verior të vendit tonë nga
forcat ushtarake serbe. Më 22 prill, në konferencën e zakonëshme për shtyp,
ministri i informacionit, Musa Ulqini, konfirmon se, në distancën 400 m. në
territorin shtetëror jugosllav është qëlluar me armë artilerije në drejtim të
postave kufitare shqiptare. Më 29 prill konfirmohet rasti i goditjes me predha
artilerije në dy-tre posta kufitare në veri të vendit tonë, Kukës e Has, ku
edhe është vrarë një i ri shqiptar njëzetepesëvjeçar.
Më datat
2-3 maj janë vënë në goditje sistemi i ushqimit me energji elektrike dhe i
televizionit shtetëror serb, për rrjedhojë ¾ e Serbisë më 4 prill, sipas
komenteve që bën rrjeti televiziv italian, nuk kanë energji elektrike dhe
sinjal televiziv. (rrjeti elektrik nuk është shkatërruar, por është nxjerrë
jashtë shërbimit duke goditur me predha, të cilat krijojnë re pluhuri prej
grafiti, e cila shkakton lidhje të shkurtër. Janë goditur edhe trupat këmbrore.
Si ka evoluar ecuria në fushën politiko-diplomatike?
Në
këtë hark kohor rezultojnë disa nisma politiko-diplomatike për zgjidhjen
paqësore të krizës në Kosovë. Më aktivët paraqiten aleatët e përhershëm të
Serbisë, psh Rusia. Presidenti rus, Boris Jelcin më 28 prill, dita e festës
kombëtare të Jugosllavisë, në telegramin përshëndetës, garanton udhëheqjen
jugosllave se, “Udhëheqja Ruse do të bëjë gjithëçka që është bërë e mundur
për zgjidhjen më të shpejtë të krizës në Kosovë duke mbështetur sovranitetin
dhe integritetin territorial të RFJ-së”. Më 19 prill, pasdite, Jelcini
përmes një bisede të gjatë telefonike, e informon homologun amerikan se,
presidenti i RFJ-së nuk është dakort të përmbushë kërkesat e NATO-s. Por presidenti
rus do të angazhojë fuqishëm me një mision të posaçëm ish-kryeministrin
Çernomedin (i plotfuqishëm i Jelcinit për Ballkanin), nga data 22 deri në fund
të prillit. Më 29 prill ai ndërmerr një udhëtim diplomatik në Gjermani, Itali
dhe Federatën Jugosllave, me objekt- mundësimin e një zgjidhjeje paqësore të
krizës në Kosovë. Në Itali pati takime pune me kryeministrin dhe minsitrin e
jashtëm, Massimmo D’Alema, Lamberto Dini, etj. Ai u takua në Bon me kancelarin
gjerman Gerhard Shreder dhe, mandej në Beograd me Millosheviçin. Në Beograd ai
çoi një mesazh, që mesa duket ishte i mirëpritur nga NATO-ja, por qëndrimi
kryeneç i Millosheviçit, bëri që të dështojë në këtë mision diplomatik.
Gjithësesi ai ra dakort me Millosheviçin në shtatë pika, të cilat nga diplomacia
perëndimore u konsideruan të pamjaftueshme. Ato ishin mjaft larg kërkesave që
ka NATO-ja nga regjimi serb. Gjithësesi “shtatëpikëshi” përmbante:
- çdo zgjidhje do të bazohet mbi integritetin
territorial të RFJ-së në të cilën Kosova është pjesë integrale;
- dialog i drejtpërdrejtë, pandërmjetësi
ndërkombëtare, mes Beogradit dhe liderëve shqiptarë të Kosovës;
- çdo zgjidhje politike do të realizohet mbi
barazinë e të gjitha komuniteteve etnike në Kosovë;
- do të garantohet hyrja e lirë për organizatat
humanitare nën flamurin e UNHCR-së dhe të Kryqit të Kuq;
- Beogradi do të diskutojë përshtatjen e nivelit
të forcave të tij në Kosovë në momentin që NATO-ja tërhiqet nga kufijtë
jugosllavë;
- Jugosllavia është e gatëshme të pranojë për
diskutim “praninë ndërkombëtare të OKB-së”;
- e gjithë krahina, përfshi Kosovën, do të
rikonstruktohet.
Por
sekretarja e shtetit e SHBA-së, Medllin Ollbrajt, për sa më sipër u deklarua: “...Deklaratat
e bëra nga Beogradi dhe planet që ata paraqesin nuk mund të konsiderohen as si
propozime serioze”, ndërsa kancelari gjerman do të konfirmonte :”Mund të
kemi zgjidhje politike e ushtarake të besueshme nëse Serbia përmbush tre kushte
:- ndërprerjen e dhunës kundër shqiptarëve;- rikthimin e kontrolluar të
shqiptarëve të shpërngulur me dhunë nga Kosova;- prania e një forca ushtarake
ndërkombëtare”.
Të njëjtin qëndrim shfaqi edhe kryeministri
francez, Lionel Zhospen në vizitën që bëri në Shqipëri më 30 prill kur u shpreh:”...
do të shkojmë deri në fund në fushatën ushtarake kundër Serbisë për t’i dhënë
fund luftës dhe spastrimit etnik në Kosovë..., futja e forcave këmbësore mund
të them se nuk është aktuale”, nënvizoi Ai.
Këto
përfundime mund të themi se janë në rrjedhën e pesë kushteve që ka vënë NATO-ja
për t’u përmbushur nga Beogradi. Këto në mënyrën më të thjeshtë i paraqet në
tre pika sekretari i përgjithshëm i NATO-s z. Havier Solana në një intevistë
dhënë më 1 maj kur shprehet :”Përpjekja e të gjithë neve, por edhe e
Sekretarit të Përgjithëshëm të OKB-së, Kofi Annan, dhe e vetë Rusisë është që
refugjatët të kthehen në shtëpitë e tyre... Dhe që kjo të ndodhi është e
nevojëshme në rradhë të parë të mos vriten nga forcat serbe. Së dyti, që forcat
serbe, të rregullta dhe paraushtarake, të tërhiqen. Së treti, që të ketë atje një
forcë ndërkombëtare e angazhuar në Kosovë, që të garantojë sigurinë e
refugjatëve”.
Por misioni i Çernomerdinit do të vijojë edhe më 3
maj, kur ai niset me mision të posaçëm në SHBA për të takuar edhe Bill
Klintonin.
Në planin
e Lëvizjes Diplomatike përfshihet edhe Sekretari i Përgjithëshëm i OKB-së, Kofi
Annan, i cili më 28 prill ndërmerr një udhëtim në Moskë ku takon edhe
presidentin rus. Atje shtron alternativën e një zgjidhjeje të krizës së Kosovës
nën ndikimin e fuqishëm të Rusisë. Me mision në Rusi më 28 prill shkon edhe
ministri i mbrojtjes i Gjermanisë, Rudolf Sharping dhe zëvendëssekreatari i
Shtetit i SHBA-së Tabllot, si një negociator për Rusinë lidhur me rolin e
rëndësishëm që ajo mund të luajë.
Nga Kampi
Francez vjen reagimi i saj përmes vizitës së kryeministrit Lionel Zhospen në
Tiranë, Fier dhe Elbasan më 30 prill, është i pari kryeministër francez që
zbret në Tiranë në gjysëmshekullin e fundit. Në thelb të takimit, që zhvilloi
me presidentin shqiptar Rexhep Meidani, me zëvendëskryeministrin Ilir Meta dhe
me drejtues të tjerë të Shtetit Shqiptar, pasi i kërkoi falje kryeministrit
shqiptar Majko me telefonatë në Gjermani, ku Ai ndodhej për vizitë, u shpreh :
- i qëndrojmë besnikë Rambujesë, kuadrit
gjeografik që u përcaktua atje dhe përjashtojmë ndarjen e Kosovës;
- mendoj të shikojmë mundësinë e një Kosove të
pavarur dhe më pas të një shteti të ri të Malit të Zi jashtë Jugosllavisë, si
dhe integrimin direkt të tyre në Evropë;
- e quaj të gabuar mendimin për një republikë të
pavarur të Kosovës, ajo duhet të kalojë një fazë të ndërmjeme sikurse është ajo
e “protektoratit ndërkombëtar”;
- të ndërtojmë një mentalitet të ri në raportin,
kufij shtetërorë dhe zhvillim ekonomik demokratik në rajon.
Në vendin
tonë në kuadrin e veprimeve diplomatike dhe politiko-ushtarake në datat 29-30
prill vijnë mjaft personalitete të tjera psh. zëvëndëskryeministri dhe ministri
i jashtëm austriak Volfang Schussel, i cili u takua me ministrin e jashtëm
shqiptar Paskal Milo, i cili premtoi një ndihmë të menjëherëshme. Gjenerali
Shelton, shef i shtabeve të bashkuara të ushtrisë amerikane, takohet në Rinas
me ministrin e mbrojtjes shqiptare Luan Hajdaraga. Në ministrinë e mbrojtjes
shqiptare kanë zhvilluar bisedime, De Gran- ministër i mbrojtjes i mbretërisë
së Hollandës, George Robertson, sekretar i shtetit për mbrojtjen e Anglisë,
gjenerali Majcen, shef i shtabit të përgjithëshëm të ushtrisë së Austrisë,
shefi i shtabit të përgjithëshëm të ushtrisë gjermane bëri jjë vizitë në
Divizionin e Korçës, etj. Miqtë e ardhur u shprehën si vijon: anglezi
Robertson, takoi presidentin dhe ministrin e mbrojtjes shqiptare, shprehu
gatishmërinë për t’i shkuar deri në fund zgjidhjes së krizës në Kosovë. “Ju
përgëzoj për qëndrimin dhe punën e madhe të bërë ngga qeveria dhe veçanërisht nga
forcat e armatosura”, tha Ai. Amerikani Shilton, në takimin me ministrin e
mbrojtjes premtoi vendosmërinë e qeverisë amerikane, por edhe inspektoi trupat
amerikane. “Në Amerikë popullin shqiptar e konsiderojnë mik të madh të
popullit amerikan”, tha midis të tjerash .
Edhe
drejtuesit e Shtetit Shqiptar kanë qënë të angazhuar totalisht me zhvillimet e
situatave në Kosovë dhe në verilindje të vendit. Presidenti , Rexhep Meidani,
më 21 prill ndërmerr një udhëtim për në SHBA e Francë (Strasburg), i ftuar të
marrë pjesë në kremtimet e 50-vjetorit të krijimit të NATO-s. Atje u shpreh për
vendosmërinë e Shtetit Shqiptar për të qëndruar përkrah NATO-s, për të pritur
të ardhurit për nevojë nga Kosova dhe, për mospranimin e alternativës “...
për një ndarje të Kosovës”. Më 26 prill ai takoi në Francë për mëse një orë
e gjysëm shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare, duke vënë në qëndër të bisedës
“Çështjen Kosova”.
Më 27
prill ai takoi presidentin dhe kryeministrin e Francës, Zhak Shirak dhe Lionel
Zhospin. Thelbin e bisedës e shpreh në intervistën dhënë gazetës “la Parisien”
më 27 prill kur shprehet :”... ndarja do të ishte zgjidhja më e keqe për
rajonin... Ajo do të ishte një bombë me sahat... Duhet të gjëndet një zgjidhje
tjetër, si psh një protektorat ndërkombëtar”. Më poshtë vazhdon se tani
çështja është :”... një konflikt midis diktaturës dhe demokracisë, midis
spastrimit etnik dhe respektimit të të drejtave të njeriut...”. Në takimin
me kryeministrin francez, sikurse shprehet ky i fundit, “... evokuan
perspektivën e avancimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian...Por mendojmë se,
një plan ekonomik është i nevojëshëm për të gjithë Ballkanin”.
Kryeministri shqiptar Pandeli Majko, përveç ngarkesës së përditëshme për
të përballuar situatën në vend edhe për shkak të të ardhurve për nevojë nga
flakët e luftës në Kosovë, me ftesë të kancelarit gjerman Gerhard Shreder,
ndërmorri një vizitë dyditore në Gjermani, 29-30 prill. Problemi qëndror ishte
ai i gjëndjes dhe i perspektivës në Kosovë. Shprehu vendosmërinë e qeverisë
shqiptare për të qënë përkrah NATO-s, si dhe për të manaxhuar krizën
humanitare. Në takimin me minsitrin e mbrojtjes, Rudolf Sharping, u shpreh edhe
:”... në Ballkan tashmë po flet gjuha ushtarake...”. Ai pati një bisedë
edhe me ministrin e jashtëm Joshka Fisher.
Veprimtari
intensive diplomatike ka patur edhe shefi i diplomacisë shqiptare, ministri i
jashtëm Paskal Milo. Pas kthimit nga Samiti i 50-vjetorit të Krijimit të
NATO-s, më 23-25 prill dhe të Këshillit të Evropës në Strasburg më 25-27 prill,
dha një konferencë shtypi. Në thelb nënvizoi :”Këshilli i Evropës theksoi,
të mendojmë e të punojmë për një Ballkan të evropianizuar dhe jo për një Evropë
të ballkanizuar”. Ai pohoi se në Amerikë dhe në Evropë janë bindur për
genocidin dhe spastrimin etnik në Kosovë. Njëherësh i bëri thirrje, - ftesë,-
Ibraim Rugovës, udhëheqësit të moderuar sikurse epitetohet nga diplomacia, që
me familjen e tij të vijë në Shqipëri, sepse Kosova tashmë është shpopulluar
gati nga një milion shqiptarë. Edhe në Tiranë mund të bisedohet për probleme të
rëndësishme si në vitin 1913 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.
Si paraqitet fluksi i të shpërngulurve me dhunë,
por edhe opinione dhe qëndrime.
Ka vijuar
ardhja e të shpërngulurve me dhunë. Më 18 prill numri i tyre në Shqipëri kap
shifrën 326 mijë. Po këtë ditë një mjet transporti i kosovarëve has në një minë
serbe prej shpërthimit të së cilës gjetën vdekjen pesë vetë, gra e fëmijë.
Më 19 prill Serbia rimbyll kufijtë për ardhjen e
kosovarëve, por më 27 prill të shpërngulurit me dhunë rezultojnë si vijon: në
Shqipëri- 364.720 vetë; në Maqedoni – 135.425 vetë; në Mal të Zi – 372-000 vetë
( gjithsej 527.734 vetë). Më datën 28 prill në Shqipëri rezultojnë 367.900 vetë
të ardhur; në Maqedoni – 168.000 vetë, dhe në Mal të Zi – 75.000 vetë. Më datën
30 prill në Shqipëri numri arrin në shifrën 373.400 vetë; në Maqedoni – 170.600
vetë. Më 1 maj në Shqipëri numri i të ardhurve arrin në 390.000 vetë, por
parashikohet të vijnë deri në 600.000. Më datat 2-3 maj janë shpërngulur rreth
20.000 kosovarë, prej të cilëve 15.000 në Maqedoni. Pra shuma e përgjithëshme
rezulton të jetë gati 650.000 vetë.
Ka edhe
zhvillime të tjera të cilat mund të evidentohen. Më 28 prill
zëvëndëskryeministri i RFJ-së, përfaqësuesi i opozitës Serbe të Partisë Socialiste
të Millosheviçit, Vuk Drashkoviç, shkarkohet nga detyra. Një ditë më parë ai
kishte dhënë një intervistë në një stacion televiziv britanik (intervistë e
cila u transmetua shtatëherë), në të cilën shprehte rezervat e tij lidhur me
tejkalimin e kompetencave nga Millosheviçi. Drashkoviçi tërhoqi nga kabineti
qeveritar edhe tre ministrat e tij. (Pas kësaj ai ndodhet jashtë territorit
jugosllav). Qëndrimin e tij ai e shpreh edhe përmes reagimit që vijoj: ”...
nuk është nevoja të luftosh deri në fund kundër një bote të tërë; të
raskapitësh deri edhe ushtarin e fundit; të shtysh popullin deri në limitin e
fundit të vuajtjes... Ekziston një alternativë tjetër që mbron të drejtat tona
themelore, interesat e shtetit sovran dhe integritetin tonë territorial: ta
shqyrtojmë”, shprehet Drashkoviç.
Nga diplomacia evropiane e më gjërë, ky
qëndrim është konsideruar si e çara e parë e madhe në klanin e Sllobodan
Millosheviçit. Priten edhe reagime të tjera.
Agjencia
Jugosllave “Tanjung” në orën 22.30 të datës 28 prill transmeton lajmin: “Presidenti
i Serbisë dhe udhëheqësi i moderuar Rugova, kanë rënë dakort të formojnë një
qeveri të përkohëshme të Kosovës”. Por ky mendim, që bije në kundërshtim me
atë që është vendosur në Rambuje dhe Paris, është shprehur edhe në Tiranë nga
zëvëndësi i Rugovës dhe zëdhënësi i tij në Tiranë më 2-3 maj, të cilët nuk e
njohin qeverinë e Thaçit. Natyrisht këto “të çara” nuk janë në interes të
zgjidhjes së çështjes kosovare.
Ka edhe
ndonjë reagim në SHBA, të cilët i tregojnë kufijtë ligjorë presidentit Klinton.
Në orët e vona të datës 27 prill, Kongresi Amerikan vendosi që Klintoni të
marrë vendime për të nxjerrë forca të këmbsorisë në rajone të tjera, pa marrë
vendimin e Kongresit Amerikan më parë.
Më 2 maj,
në orën 10.00, nga prifti amerikan Xheki Xhekson, një amerikan me ngjyrë ky,
anëtar i Komitetit të të Drejtave të Njeriut, u mundësua lirimi i tre ushtarëve
amerikanë të kapur më 30 mars në kufirin Serbi-Maqedoni. Të liruarit kaluan në
Kroaci, prej andej në një bazë ushtarake në Gjermani ku takuan familjet e tyre
për t’u transportuar në vendbanim në SHBA. Ishte diçka emocionuese momenti kur
i takonte, i përqafonte, i udhëzonte të faleshin, u fuste krahët apo i kapte
përdore si fëmijë, dhe ua dorëzoi familjeve me shumë dashamirësi dhe detyrim
moral...
Një gjest dhe sjellje etike ushtroi edhe
kryeministri francez Lionel Zhospen në vizitën në Tiranë më 30 prill kur takoi
forcat e NATO-s në Elbasan, të cilat janë nën komandën e kuadrove francezë.
Nuk
i kanë shpëtuar “ndëshkimit” për shkak të misionit (si pushtet i katërt) edhe
gazetarët. Në Angli vritet pranë vendbanimit një gazetare mjaft publike, e cila
është nderuar gati si princesha Diana. (Dyshohet hakmarrje serbe për shkak të
përkrahjes dhe mbështetjes së saj për çështjen kosovare). Po ashtu më 28 prill
në Serbi është gjetur i vrarë me plumb prapa kokës gazetari i Dayjli Telegraph,
ndërkohë është kërcënuar edhe gazetari i BBS-së angleze.
Ja edhe disa reagime:
Gerhard
Shreder, kancelar i Gjermanisë, shprehet :” Gjermania sëbashku me partnerë
të tjerë të NATO-s, dëshiron që t’i jepen fund krimeve dhe shpërnguljeve dhe të
gjejë një zgjidhje që do të lejojë rilindjen e një Kosove të re demokratike.
Por kushtet tona ndaj Beogradit mbesin të njëjta”.
Keizo
Obuki, kryeministër i Japonisë,
shprehet se Japonia nuk ka përse të paguajë çmimin e sulmeve të NATO-s,
por do të vazhdojë të kontribuojë për të asistuar refugjatët kosovarë me
financime direkte por edhe përmes organizatave të OKB-së.
Jorgos
Papandreu, ministër i jashtëm i Greqisë, pohon se Jugosllavia ka bërë hapa
përpara kur pranon forcat ndërkombëtare, kjo duhet të shoqërohet me një lëvizje
të ngjajëshme nga ana e NATO-s.
Këto
rezultojnë disa nga zhvillimet e situatave në Kosovë në periudhën 16 prill-3 maj të vitit 1999.
Ato i kemi përcaktuar në lëmin e fushatës ushtarake, ecurisë në fushën
politiko-diplomatike dhe, fluksin e të shpërngulurve me dhunë, por edhe me disa
qëndrime e reagime për këto çështje.
Safet N. Ramolli
Tel. 2/434 381
Cel. 068 29 80 067
3 Maj 1999
3.- MBI ZHVILLIMIN E SITUATAVE
( 5-25 maj 1999)
Le të sjellim në vëmendje të lexusesit :
-
zhvillimet e situatave luftarake;
- ecuria e veprimtarisë diplomatike;
- veprimet propogandistike dhe fillesat e rënies
morale të qytetarëve dhe ushtarëve serbë; dhe
- dhjetë
gabimet e NATO-s, si dhe pohime për këto zhvillime.
Si u zhvilluan situatat luftarake?
Mendimi i NATO-s ka qënë unik : të vijojnë bombardimet mbi Serbi deri në
plotësimin e pesë kushteve të vëna nga NATO-ja. Kështu që kanë vijuar goditjet
kryesisht mbi rrjetin elektrik, antenat televizive, depozitat apo rafineritë e
karburanteve, depo armatimi, grupime artilerie dhe tanke; kolona këmbsorie e
objekte të tjera.
Më 6 maj
mblidhet Këshilli i Grupit të të Shtatëve + Rusia, ose e shprehur ndryshe G8, për
të formuluar një zgjidhje paqësore të krizës në Kosovë. Por presidenti Klinton
deklaron se, do të vijojnë goditjet, Pentagoni ka siguruar mbështetje
financiare dyfishe si dhe njëqind e nëntëdhjetë e gjashtë avionë të tjerë.
Më 7 maj
janë goditur trupat serbe në vijën e kufirit me Shqipërinë, ndërsa pas një dite
një predhë e NATO-s ka goditur selinë e Ambasadës Kineze në Beograd, prej së
cilës mbetën tre të vrarë dhe disa të plagosur. Gjithësesi, zëdhënësi politik i
NATO-s ka pranuar se është një incident i padëshirueshëm dhe i paqëllimshëm.
Flitet se UÇK-ja disponon tridhjetë mijë vetë, por nuk dihet numri i saktë,
gjithësesi pohohet se, ata janë të disiplinuar, të stërvitur, të motivuar nën
moton :”Luftojmë për Liri ! Gjuhë! Flamur!”.
Në Nish u godit spitali civil.
Më 9 maj,
ora 22.30, zëdhënësi i Shtabit Madhor të Jugosllavisë deklaron se ka filluar
tërheqja e forcave ushtarake të Jugosllavisë nga Kosova (kjo nuk është aspak e
vërtetë, sepse pas pak ditësh do të intensifikohen goditjet e Serbisë). Në
sulmet e NATO-s ka qënë objektiv rrënimi i aerodromeve, por janë zhvilluar më
11 maj luftime të ashpra midis forcave serbe dhe UÇK-së, rrëzohet një aeroplan
Mig-69 në territorin shqiptar. Zëdhënësi i NATO-s, Xhimi Shir, më 8 maj
deklarohet :”Ja bilanci i dyzet e katër ditëve të angazhimit luftarak : në
Kosovë janë shkatërruar 20% e strukturave të armatimit; kanë dalë jashtë
përdorimit arteriet kryesore rrugore dhe hekurudhore si dhe të gjitha urat mbi
lumin Danub; mbi 60% e aeroplanëve serbë Mig-69 janë eleminuar ose janë
detyruar të qëndrojnë në tokë, etj”. Pentagoni ka urdhëruar dërgimin e 176
avionëve të tjerë duke arritur numri në 639. Dëshmitë flasin për 46 varre të
luftëtarëve të UÇK-së në Bajram Curri. Komandanti suprem i NATO-s, pesëdhjetë e
katërvjeç, i njohur personlaisht me presidentin Klinton nga mosha e
adoleshencës, shkolluar në Akademinë Ushtarake të Uest Pontit, diplomuar në
Oksfrod për filozofi, politikë dhe ekonomi, deklarohet :”Ja si do ta palos
unë Millosheviçin”. Janë 700 avionë që në njëzet e katër orë hedhin raketa
e bomba mbi Serbi në kuadrin e operacionit “Forca Aleate”. Faza e parë: qëndrat
e radarëve dhe raketave; faza e dytë: kazerma, fabrika, ura, bunkierë,
grumbullime ushtarake e paraushtarake, rezidenca presidenciale e Millosheviçit
etj. “...Misioni i NATO-s është të drejtojë fushatën ajrore, të sulmojë e
shkatërrojë ushtrinë e madhe serbe dhe infrastrukturat që e mbështesin atë...
Do të vazhdojmë të sulmojmë objektivat ushtarakë dhe disa “target” që kanë
ndonjë rëndësi të veçantë për Millosheviçin dhe për mbështetësit e tij më të
afërt”.
Më 12 maj
deklarohet se është nata e pesëdhjetë e sulmeve, u ndërmorrën 600 misione
(fluturime) duke asgjësuar pesë aeroplanë Mig-69 dhe 21 aeroplanë gjurmuesë;
janë goditur pesë aerodrome dhe shtatë ura duke shkatuar shumë viktima
ushtarakë dhe familjet e tyre; po këtë ditë rezultojnë dy të vrarë në fshatin
Kamenicë të Tropojës dhe 80 të plagosur.
Më 14 maj
janë ndërmarrë 767 inkursione, është goditur Nishi, Novi Sad, Prishtina etj; po
ashtu janë goditur ura, depozita karburanti, aerodrome etj. Gjatë 51 netëve
sulmi janë ndërmarrë 20 mijë fluturime me mbi 7 mijë sulme objektesh.
Gjithashtu thuhet se më 12 maj nga një gabim i NATO-s në Koshare pranë
Prizrenit janë vrarë 85 apo 100 kosovarë, të cilët mbahen peng për t’u përdorur
si mburojë e gjallë prej serbëve.
Nata e
55-të e fushatës ushtarake, pra më 18 maj 1999, shoqërohet edhe me spjegimet
se, 225 mijë burra e djem të paregjistruar në UÇK, rezultojnë të humbur kohët e
fundit; dëmet ekonomike për Beogradin rezultojnë të jenë 100 milion dollarë,
prej të cilëve 1/10 i përkasin kryeqytetit të ish-Jugosllavisë; në Gorrisha
pranë Prizrenit janë aksidentuar disa kosovarë. Më 23 maj, kur jemi në natën e 59-të të
fushatës ushtarake, u kryen 684 fluturime, u goditën termocentralet jo vetëm me
bomba me grafit (në këtë rast ndërpritet
linja elektrike por nuk dëmtohet fizikisht rrjeti elektrik) por edhe me
bomba shpërthyese. Po këtë ditë presidenti amerikan deklarohet se, duhet të
përgatiten 50 mijë ushtarë në kufi me Kosovën si forcë paqeruajtëse, por pasi
të jenë plotësuar pesë kërkesat e NATO-s. Duhen akoma tre javë për të
përgatitur një forcë të mjaftueshme për veprimet këmbësore në Kosovë. Uesli
Klark deklarohet se, goditjet e NATO-s kanë rezultuar të efektëshme dhe pas pak
ditësh Millosheviçi do të gjunjëzohet. Serbisë i janë shkaktuar dëme të mëdha
ekonomike, 500 mijë njerëz kanë mbetur pa punë, 2 milion të tjerë kanë mbetur
pa të ardhura; nga 648 aksionet – 245 prej atyre kanë qënë bombardime. Në natën
e 20 majit NATO ka kryer gati 500 fluturime (inkursione), duke realizuar 118
goditje. Një raketë e devijuar nga shenja e një kazerme, ka rënë në një spital
ku edhe janë vrarë tre vetë e plagosur disa të tjerë. Është dëmtuar edhe
rezidenca e ambasadës të Suedisë. Midis forcave të ushtrisë shqiptare dhe serbe
ka rezultuar shkëmbim zjarri.
Gazeta “Republika”
e dt. 23 maj 1999 prononcohet edhe sa vijon: më 20 maj nga goditjet e NATO-s
dëmtohet rezidenca e ambasadës së Indisë dhe Pakistanit.
Më 21 maj
1999 një raketë e destinuar mbi një depo armësh ka devijuar dhe ka goditur një
spital ku janë vrarë katër vetë dhe janë plagosur dhjetra të tjerë. Njëherësh
është dëmtuar edhe rezidenca e ambasadave të Suedisë dhe Spanjës.
Aeroplanët
e NATO-s goditën edhe një spital si dhe rezidencën e ambasadorit irakien, por
thuhet se në shenjë ishte një depo armësh.
Televizioni Shtetëror Shqiptar në lajmet e orës 16.00 të dt. 25 maj
1999, shprehet edhe sa vijon: nuk dihet fati i 100 mijë burrave e të rinjve;
një kamera jep dëshmi të zhvarrimeve, eksportimit në zonat ku ka bombarduar
NATO; në 62 ditët inkursione ushtarake
kundër Serbisë janë dëmtuar qëndra komandimi e drejtimi, institucionet e
ministrisë së mbrojtjes, të ministrisë së brendëshme, shtabi i përgjithëshëm;
venddislokimet e raketave, artilerisë dhe tankeve; 100 aeroplanë luftarakë ose
më shumë se gjysma e tyre; 75% e raketave tokë-ajër, 50% e depove të
municionit; janë nxjerrë jashtë funksionit uzina e fabrika armatimi e municioni
(200 të tilla, aerodrome, fabrika ndihmëse për ushtrinë etj.); janë shkatërruar
500 pajisje ushtarake, kazerma, 1/3 e gjithë pajisjeve të rënda serbe etj. Në
Kosovë qindra fshatra e mijëra shtëpi janë shkatërruar e djegur; gati një
milion shqiptarë janë deportuar me dhunë, me qindra të tjerë janë masakruar,
dhunuar, prerë në qafë; 500 mijë janë të papunë nga qëndrat ekonomike të
shkatërruara, 2 milion mbeten pa të ardhura; 100 milion dollarë rezulton vlera
e dëmtimeve, ose e thënë më ndryshe, Serbia është kthyer 50 vjet prapa.
Këto janë
pak a shumë zhvillimet e situatave në fushën e veprimeve ushtarake. Gjithësesi
janë më pranë së vërtetës, sepse janë mbledhur e sistemuar nga burimet e
besueshme amerikane etj.
Po si rezulton ecuria e veprimtarisë diplomatike?
Më
4 maj presidenti amerikan Bill Klinton mori dy letra, njëra nga ish
kryeministri rus Çernomerdin (pas kthimit nga misioni diplomatik në Itali,
Gjermani e Jugosllavi), dhe një tjetër personale nga Millosheviçi përmes Xheki
Xhekson (prifti amerikan me ngjyrë, që arriti lirimin e tre pengjeve
amerikanë). Përgjigja ka qënë: do të vijojnë goditjet deri sa të plotësohen
kushtet e NATO-s.
Më 5 maj,
75 km. Në verilindje të Rinasit është rrëxuar një helikopter “Apache”. Dy
pilotët kanë humbur jetën në ditën e Dëshmorëve të Shqipërisë. Njihen si dy
viktimat e para të NATO-s. Më 23 maj gazeta “Republika” u shpreh se ai është
goditur nga forcat e MKA-së serbe). Po
këtë ditë lirohet Ibrahim Rugova dhe shkon në Itali sëbashku me familjen e tij
(takoi kryeministrin Masimmo D’ Alema, ministrin e jashtëm Lamberto Dini.
Deklarohet se Millosheviçin e ka takuar me dëshirën e tij dhe, se është dakort
për futjen e NATO-s në Kosovë.
Më 6 maj
1999 në Bruksel mblidhet Grupi 7+Rusia. Hartohet një dokument për zgjidhjen
paqësore të krizës në Kosovë. Plani i këtij takimi përpos të tjerash,
parashikon në pikën 3 dhe 6 :”Dislokimi i një force civile sigurie”,
”Çmilitarizimi i UÇK-së”. Por Klintoni në takimin me kancelarin gjerman Gerhard
Shreder shprehet se, do të vijojnë goditjet me ashpërsi.
Më 8 maj
1999 disa agjensi prestigjioze të lajmeve japin dy lajme tronditëse: i pari
pohon se gjëndet i vrarë në periferi të Prishtinës zëvëndëskryetari i Lidhjes
Demokratike të Kosovës- akademiku Fehmi Agani, bashkëpunëtor i ngushtë i
Rugovës dhe firmëtar i marrëveshjes në Rambuje (për të ndjerin më dt. 29 mars
apo 2 prill 1999 u deklarua se ai ishte vrarë me disa të tjerë). Lajmi i dytë
hedh dritë për një predhë të NATO-s, e cila ka goditur Rezidencën e Republikës
së Kinës në Beograd, janë vrarë tre vetë dhe janë plagosur disa të tjerë. Të
nesërmen presidenti amerikan Bill Klinton i kërkoi falje publike presidentit të
Kinës, ashtu si zëdhënësi i NATO-s deklaron se kanë filluar hetimet e çështjes.
Në
Tiranë vjen për vizitë presidenti
italian Oskar Luigji Skalfaro, i cili viziton Kukësin, Durrësin dhe Kavajën.
Por gjithësesi pas një jave në Itali bëhen zgjedhjet e reja. Shoqërohej prej
Lamberto Dinit. Më 11 maj kancelari gjerman vizitoi Kinën, ish kryeministri rus
vijon negociatat.
Më 7 maj
ministri i jashtëm shqiptar Paskal Milot takohet në Itali me Rugovën. “...
Do të vij së shpejti në Tiranë... Çdo takim mes shqiptarëve është i
dobishëm...”.
Klinton deklarohet se trupat me aprovimin e OKB-së mund të vijnë nga
vendet e NATO-s, Rusia e Ukrahina, secila me struktura komandimi më vehte, të
dislokuara në sektorë të ndryshëm të Kosovës. (Trupat ushtarake të NATO-s të
marrin në mbrojtje krthimin e refugjatëve). Plani përfshin: tipet e armatimit
që duhet të kenë ushtarët dhe rregullat e reagimit nëse ndeshen me kërcënime;
sasia e trupës serbe; shkalla e autonomisë së ardhëshme për administratën e
Kosovës etj.).
Ministria
e Jashtme e Republikës së Kinës rekomandon që çdo masë e diplomacisë mos lerë
jashtë Beogradin; kemi qënë e jemi për një zgjidhje politike, të respektimit të
sovranitetit dhe të integritetit territorial të Jugosllavisë.
Më 12 maj
1999 ka zhvillime diplomatike mjaft të ashpra: presidenti rus-Boris Jelcini-
shkarkon nga detyra kryeministrin Primakov dhe në vend të tij caktoi Sergej
Stipaçev, ish ministër i brendëshëm. Por nga ana tjetër Duma e Rusisë ka
kërkuar dorëheqjen e vetë Jelcinit.
Kancelari
gjerman Shrëder viziton Kinën dhe kërkon falje publike për katër viktimat në
ambasadën e Kinës në Beograd, premton se do të intensifikohen hetimet.
Presidenti francez Zhak Shirak më 12 maj në mbrëmje viziton Rusinë, sikurse
sekretari i përgjithëshëm i NATO-s, Havier Solana, për gjysëm dite viziton
Tiranën, ku edhe deklarohet :”NATO-ja nuk do të lejojë intenvenimin e
Shqipërisë nga Serbia”. Në Itali ka qënë “...natë diplomatike”, Çiampi
pritet të zgjidhet president. Vërtetohet se në ambasadën e Kinës në Beograd
janë hedhur pesë predha, njëra prej atyre nuk ka shpërthyer. Më 18 maj vjen sekretari i përgjithëshëm i
OKB-së, Kofi Annan, pas vizitës në Kukës dhe takimit me personalitete shqiptare
nuk dha konferencë për shtyp.
Për herë të parë në historinë e
marrëdhënieve Shqipëri-Angli, në vendin tonë vjen për vizitë kryeministri
britanik Toni Bler. Ai u deklarua se: ”Jemi demokracia më e vjetër në Evropë
dhe s’ mund të pranojmë dhunën e serbëve,... çështja e jonë është e drejtë dhe
nuk ka sesi mos fitojmë; NATO nuk lufton për territore por për vlerat e
demokracisë,...ushtarakët britanikë në Shqipëri duhet të jenë krenarë për
kontributin që japin,... edhe pesëdhjetë vjet më parë ndërtuam Evropën,... “. Në
Elbasan ai vizitoi kosovarët veshur me
bluzë sportive të kuqe dhe pantallona të zeza- simbol i Flamurit Kombëtar
Shqiptar.
Po më dt.
8 maj kancelari gjerman Gerard Shrëder takon në Romë kryeministrin italian Masimmo D’ Alema, diskutojnë për
gjetjen e një zgjidhjeje paqësore. Më dt. 21 maj propoganda serbe pohon se
Millosheviçi ka pranuar planin e Grupit 7 + Rusia, por NATO-ja këmbëngul në
zbatimin e pesë pikave.
Ja tani edhe disa nga veprimet propogandistike dhe
fillesat e rënies morale të qytetarëve dhe ushtarakëve serbë.
Tre
kanë rezultuar mjetet e dobësimit të makinës ushtarake të Serbisë: goditjet me
predha e raketa; veprimet diplomatike, dhe ato propogandistike.
Historia e njerëzimit njeh e pranon efektin e
mjetit propogandistik gjatë zhvillimit të veprimeve luftarake, prandaj NATO-ja
si institucion politik e ushtarak, në fushatën ushtarake kundër Serbisë, e cila
më 25 maj ka hyrë në muajin e tretë, ka organizuar e përdorur edhe këtë
mundësi.
Disa ditë
pasi ka filluar fushata ushtarake, do të jetë vetë sekretarja e shtetit
amerikan, Medlin Ollbrajt, e cila ka formuluar një thirrje për ushtarët dhe
popullsinë serbe në gjuhën kroate, që ajo të braktiste politikën shkatërruese
të liderit serb Sllobodan Millosheviç. Në të pastajmen kjo “armë” është
intensifikuar dhe ka dhënë edhe efektet e para. Ja pak a shumë kronika. Më 5
maj 1999, presidenti amerikan Bill Klinton vizitoi qëndrën e NATO-s në Bruksel
si dhe dy bazat ushtarake amerikane në Gjermani. Ai takoi tre ushtarët e liruar
të mbajtur peng nga Serbia, duke u thënë: ”Jeni qytetarë trima amerikanë!”.
Ai pohoi se mund të ketë ndërprerje të përkohëshme të goditjeve, por me kusht
që të jenë tërhequr forcat serbe nga Kosova.
Ueslli
Klark, komandant suprem i NATO-s ka deklaruar: ”Millosheviçi mendoi se
bombardimi do të bëhej në një ditë. Tani ai e kuptoi se ka bërë gabim të madh
në vlerësim... Pilotët italianë ndërkohë janë ndër më të mirët e NATO-s dhe
janë të bindur çdo ditë e më shumë në fushatën ajrore”.
Më
8 maj 1999, “Gazeta Shqiptare” prononcohet se “...oficerët e Serbisë gradohen
për idetë politike, për gatishmërinë për të përdorur funksionet morale të një
ushtaraku të armatosur dhe për ta kthyer kundër vetë popullit të tyre në
Kosovë”. Po këtë ditë u konfirmua se është vrarë akademiku Fehmi Agani (i
gjetur pranë Lipjanit disa kilometra larg Prishtinës. E kishte marrë prej një
treni policia serbe më 6 maj. Ishte krahu i djathtë i Ibrahim Rugovës, i shquar
për tolerancë, prirës i rezistencës paqësore, nënëshkrues i marrëveshjes së
Rambujesë; më 29 mars u njoftua se ishte vrarë bashkë me Beton Haxhinë, e disa
të tjerë).
Zhelko
Raznjatoviç, (Arkan) pohon se më 8 maj në vendin e qëndrës së tij të
pushtetit, u godit nga raketat e NATO-s rezidenca e ambasadës së Kinës. Vetë
Zhelko ka një histori të tërë të vjedhjeve në Evropën e Veriut dhe në Milano;
krijoi milicinë e tij vullnetare në Erdut, pranë Vukovarit, “Tigrat”, të veshur
me të zeza e që udhëtonin me makina të tipit fuoristrada.
Zoran
Gjingjiç, ish kryetar i Bashkisë së Beogradit në vitet 1997-1998, ka qënë
në grupimin opozitar “Zajedno”(Sëbashku), tani ka kundërshtuar hapur
Millosheviçin, “... Millosheviçi duhet të përgjigjet për krime lufte në
Kosovë”.
Më
12 maj agjensitë e shtypit bëjnë të ditur se, në Serbi ka filluar largimi i
familjeve të ushtarakëve të lartë, por njëherësh sqarojmë se ka një vendim të
NATO-s për moslejimin e 140 titullarëve me në krye Millosheviçin. Ky hap tregon
se oficerët e lartë po e ndjejnë fundin e hidhur.
Më 14 maj
rrëxohet një avion pa pilot. Italianët shprehen se do të vijojnë hetimet. Më 18
maj NATO-ja ndërmerr inkursione dhe sulme ndaj mjeteve agjitative masive (u
goditën antenat televizive, ashtu si u hodhën fletushka me thirrje, përmes të
cilave u kërkohet ushtarakëve serbë të largohen sa më parë nga Kosova). Po këtë
ditë flitet se, mëse njëmijë ushtarakë serbë braktisën detyrën ushtarake. Po
ashtu shtohen protestat e grave serbe kundër vijimit të luftës nga
Millosheviçi, çka po vret njerëz të pafajëshëm nga të dy palët.
Më 19 maj
shtypi i huaj bën jehonë grumbullimeve dhe protestave të nënave serbe, të cilat
duke përcjellë djemtë e tyre në banesën e fundit, të humbur në beteja pakuptim
dhe paideal, shprehen në kor :”Mos na i ço më djemtë drejt vdekjes! Mjaft më
luftë!”. Më 20 maj janë mëse katër mijë gra serbe, të cilat protestojnë
nëpër rrugë kundër vrasjes së djemve të tyre në një luftë pakuptim. Kështu, më
25 maj agjensitë e lajmeve flasin për dezertime në masë të ushtarëve; ka edhe
ndeshje me armë midis atyre që duan të largohen dhe të tjerëve që janë besnikë
të Millosheviçit dhe të gjeneralëve.
Ka disa
ditë, pra prej datës 20 maj, që Beogradi dhe qytetet të tjera i nënështrohen
errësirës për shkak të dëmtimit të centraleve elektrike, po ashtu është racionuar
uji i pijëshëm. Qeveria e Millosheviçit ka marrë një vendim që punonjësit e
ndërmarrjeve të dëmtuara nga predhat e NATO-s të paguhen vetëm njëzet dollarë
nga dyqind që paguheshin më parë. Këto e të tjera fakte po sjellin rrënimin
moral të ushtrisë serbe dhe të familjeve të tyre, por edhe të krejt popullsisë
serbe.
Cilat janë vlerësuar si dhjetë gabimet e NATO-s gjatë
bombardimeve?
Më
5 prill, duke synuar kazermat në qytetin Aleksinac, 200 km. Në jugë të
Beogradit, u shkaktuan 17 viktima të pafajëshme civile.
Më 9 prill
janë goditur disa banesa pranë një centrali telegrafik në Prishtinë, nuk ka të
dhëna për viktimat.
Më 12
prill, një raketë e lëshuar mbi një urë ku kalonte treni në Gërdelicka Klisma,
u vravë 55 vetë.
Më 14
prill, pas një bombardimi të karvaneve në zonën e Gjakovës, u vranë 75 vetë,
shumica refugjatë kosovarë.
Më 28
prill, synohet një kazermë në Surdrelicë, 250 km. Në jugë të Beogradit, por u
godit një zonë e banuar, gjetën vdekjen 20 civilë.
Më 1 maj u
bombardua një urë në Luzanë të Kosovës, 20 km. Në veri të Prishtinës, ku u
ndodh një autobuz, vdiqën 45-60 vetë.
Më 7 maj,
sulmohet në mes të ditës aerodromi i Nishit, pati 50 të vdekur e 70 të
plagosur. Bomba thërrmuese devijuar nga trajektorja ra në zonë të preferuar ku
edhe ndodhet një treg i madh, një klinikë dhe një universitet, u vranë 20 vetë.
Nënvizojmë se qyteti i Nishit ka mëse 500 mijë banorë
Më 8 maj,
u njoftua se pas bombardimeve të selisë së ambasadës së Kinës në datën 7 maj, u
vranë dy vetë dhe u plagosën katër të tjerë.
Më 12 maj,
në Koshare pranë Prizrenit, goditet një kazermë ushtarake ku mbetën të vrarë 75
shqiptarë.( Kazerma prej disa javësh është çliruar nga serbët).
Më 21 maj,
thuhet se një raketë e devijuar nga objektivi i saj që ishte një kazermë
ushtarake, ka rënë në një spital ku janë vrarë tre vetë dhe plagosur disa të
tjerë. U dëmtua edhe rezidenca e ambasadës së Suedisë.
Ja edhe disa nga deklarimet më të fundit.
z.
Sabri Godo, kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Shqiptar:
“Rugova tashmë ka dalë jashtë përgjegjësisë së tij”.
z. Xhimi
Shir,
zëdhënës politik i NATO-s :”Millosheviçi
duhet ta dijë që NATO-ja do të vazhdojë operacionet ushtarake ditë mbas dite,
natë mbas nate, deri kur të sigurohet se janë respektuar kërkesat e vëna nga
Komuniteti Ndërkombëtar”. Më 25 maj ai artikulon: ”Nëse Beogradi nuk dorëzohet,
ne do të vazhdojmë sulmet deri në qershorin e vitit 2000”.
z. Milo
Gjukanoviç, president i Malit të Zi : ”Millosheviçi ka hyrë në luftë kundër
NATO-s me shpresë se konflikti do të jetë i shkurtër. Nuk është e mençur të
vihesh kundër një bote të tërë,...Millosheviçi mundohet të verë gurë në rrotat
e demokracisë në Ballkan”.
z.
Havier Solana, sekretar i përgjithëshëm i NATO-s : ”Millosheviçi duhet të
pranojë planin e G8 dhe nëse nuk do ta
bëjë, NATO do të jetë e detyruar t’ia imponojë me të njëjtat mjete që kemi
përdorur deri më sot, pra me çdo lloj presioni politik dhe ushtarak. Nëse i
mbetet një thërrmi arësyeje, duhet ta vështrojë si një plan të mençur për
të...”. Më tej nënvizon se Millosheviçi është i izoluar, në planin e brendëshëm
duhet të llogarisë shkatërrimet e mëdha në planin politik, atë ekonomik dhe
ushtarak.
z.
Lamberto Dini, ministër i jashtëm i Italisë, tërheq vëmëndjen se, ndërhyrja
e OKB-së dhe një rezolutë e Këshillit të Sigurimit, lehtëson Millosheviçin të
pranojë kushtet për armëpushim në Kosovë. Këto do të bëjnë që “Konflikti aktual
mes Jugosllavisë e NATO-s, të bëhet akoma më qartë si kontradiktë midis
Jugosllavisë dhe Bashkësisë Ndërkombëtare”.
z.
Butros Butros Gali, ish-sekretar i përgjithëshëm i OKB-së: ”Shpresoj shumë
që pjesëmarrja e Rusisë në ndërmjetësim të sjellë një zgjidhje paqësore në
Kosovë”.
z. Viktor
Çenomerdin,
ish-kryeministër i Rusisë : ”Parimet e aprovuara në mbledhjen e ministrave të
G8 përbëjnë një bazë të shëndoshë për zgjidhjen politike të krizës
jugosllave..., kryesorja është të ulesh në tryezën e bisedimeve...”.
z.
Ueslli Klark, komandant suprem i forcave të NATO-s : ”Sot konflikti i
armatosur ka karakteristikat e tij specifike... Në çdo operacion ushtarak
objektivat politikë dhe limitet politike duhet të kenë prioritetin. Është mëse
normale...”.
z.
Zoran Gjingjiç, ish-kryetar i bashkisë së Beogradit : ”... Millosheviçi
duhet të përgjigjet për krime lufte në Kosovë...”.
Disa
politikanë serbë shprehen : ”Millosheviçi e ka vendin në gjyqin
ndërkombëtar”.
Natyrisht
që ka edhe deklarime e qëndrime të ndryshme, por që gjithësesi bëjnë përgjegjës
Sllobodan Millosheviçin për të gjitha krimet në Kosovë dhe dëmtimet e ekonomisë
në Serbi.
Sipas
gazetës “Republika” të datës 28 maj 1999, “... Diktatori i Beogradit akuzohet
zyrtarisht për krime lufte kundër njerëzimit në Kosovë”. Këtë konfirmim për
shtyp e jep kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Luiz Arbur më dt. 27 maj. Me të
njëjtën akuzë përfshihen edhe katër titullarë të tjerë.
Gjykatës së Krimeve të Luftës së OKB-së, më dt. 27
maj i janë dorëzuar fakte “... për spastrimet etnike masive nga forcat serbe në
Kosovë edhe gjatë dymbëdhjetë muajve para se NATO të fillonte bombardimet”. Kjo
u dorëzua nga një Grup i të Drejtave të Njeriut. Hidhet dritë se, në vitin 1998
gjysëm milioni shqiptarë të Kosovës janë dëbuar forcërisht nga shtëpitë e tyre;
450 fshatra në Kosovë u shkatërruan; 41.538 shtëpi dhe apartamente u shkatërruan;
policia serbe vrau 1934 njerëz të identifikuar, nga të cilët 229 gra, 223
fëmijë dhe 395 pleq.
Pikat kryesore të padisë janë:
- duke filluar nga janari i vitit 1999 e
deri në ditën që formulohet kjo akuzë, pra më 27 maj 1999, të akuzuarit kanë planifikuar,
nxitur, urdhëruar, kryer ose ndihmuar e mbështetur një fushatë terrori dhe
dhune ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës që jetojnë në Kosovë në Republikën
Federative të Jugosllavisë;
- forcat e RFJ-së dhe Serbisë kanë dëbuar me forcë
në mënyrë sistematike dhe kanë zhvendosur brenda Kosovës qindramijëra shqiptarë
të Kosovës nga shtëpitë e tyre;
- nëpër Kosovë forcat e RFJ-së dhe Serbisë kanë
grabitur e plaçkitur pasurinë personale dhe tregëtare të shqiptarëve të
Kosovës, të nxjerrë me forcë nga shtëpitë e tyre;
- forcat e RFJ-së dhe Serbisë janë angazhuar në
një fushatë sistematike të shkatërrimit të pronës;
- duke filluar më 1 janar ose rreth 1 janarit
1999, e duke vijuar deri në ditën e kësaj padie, forcat e RFJ-së dhe të
Serbisë, duke vepruar në drejtim, me inkurajimin ose mbështetjen e të
akuzuarve, kanë kryer veprime që kanë rezultuar në dëbimin e detyruar të rreth
740 mijë civilëve shqiptarë të Kosovës;
- forcat e RFJ-së dhe Serbisë, me inkurajimin ose
me mbështetjen e të akuzuarve kanë vrarë qindra civilë shqiptarë të Kosovës.
Këto vrasje kanë ndodhur në mënyrë të gjërë dhe sistematike nëpër krahinën e
Kosovës dhe kanë rezultuar me vdekjen e shumë burrave, grave dhe fëmijëve;
- forcat e RFJ-së dhe Serbisë, duke vepruar në
drejtim, me inkurajimin ose me mbështetjen e të akuzuarve kanë përdorur mjetet
dhe metodat e parashikuara për kryerjen e një fushate persekutimi kundër
popullsisë civile shqiptare të Kosovës, bazuar në motive politike, raciale ose
fetare;
- nëpërmjet këtyre veprimeve të akuzuarit kanë
planifikuar, nxitur, urdhëruar, kryer ose ndihmuar e mbështetur planifikimin,
përgatitjen ose kryerjen e:
= pika 1-
dëbimit, krim kundër njerëzimit;
= pika 2-
vrasjes, krim kundër njerëzimit;
= pika 3-
vrasjes së robërve, shkelje e ligjeve të luftës;
= pika 4-
persekutimeve, krim kundër njerëzimit.
Bashkë me
Sllobodan Millosheviçin janë akuzuar edhe katër anëtarë të tjerë të lidershipit
të tij si : presidenti i Serbisë; ministri i brendshëm; shefi i përgjithëshëm i
ushtrisë; të artikuluar me emra janë: Milan Milutinoviç, Nikolla Sainoviç,
Dragoljub Ojdaniç dhe Vlajko Stojilikoviç.
Pra,
këto janë artikuluar nga diplomacia si dhjetë gabime të NATO-s gjatë përdorimit
të forcës ushtarake kundër makinës militare Serbe; disa deklarime të personaliteteve
të ndryshme për zhvillimet e periudhës në fjalë në territorin e Kosovës, si dhe
përmbajtja e padisë kundrejt drejtuesve të ish-Republikës Federative të
Jugosllavisë, përgjegjës për krimet e kryera ndaj popullsisë shqiptare në
Kosovë.
Safet N. Ramolli