Tuesday, 14 March 2017

NJË VARR – DASHURI PA MBARUAR

Kjo poemë i kushtohet babait tim. Me la fare të vogël, aq sa nuk më mbeti asnjë përfytyrim visual. E njoha nga bisedat e gjata që bënin bashkëmoshatarët e tij në raste festash familjare. La pas një emër të mirë, model i njeriut puntor, të dashur e të respektuar. Poema më poshtë shpreh një dialog me të birin, qe nuk u realizua sa qe gjallë. Njëherësh është edhe një dedikim për të gjithë njerzit e gjakut tim.

NJË VARR – DASHURI PA MBARUAR
 Qerim Skenderaj 
Gjysmën e shekullit në sup,
Kujtimet ngjeshur në thes,
Ngarkuar po shkoja atje
Ku shekullin preva në mes.

Arrita i vetëm dhe thesin,
E ula diku, nën një hije,
Të shlodhja pak gjunjët dhe mesin,
Të merrja fuqi djalërie.

Syri e etur kërkonte,
Shtëpizën e gurtë ku linda,
Malli një shteg po më zgjonte,
Të endej në pyje e rripa.

Befas një turtull krahëlehtë,
Dërguar nga Zoti a s'di,
Si pupël u ul mbi një fletë
Dhe nisi t'më flasë si njeri:

Nga raca jote e fisme,
S'ka mbetur njeri në kët’anë.
Për udhët që mori në vite,
Shko bisedo me babanë.

Atje, tek varri i vetëm,
Pa varre të tjerë përreth,
Ngrihet mbi gur e vajton,
Dëgjomë, se si të rrënqeth:

“Unë, një pinjoll qelibar
Me shpirt e shtat perëndish,
Si mbeta i vetëm, qyqar,
Ç'u bë ai fis, si u prish?!...

Ku shkuan Skënderajt, nga vanë?!
Kristal në virtyt e në fjalë!
Dikur e një kohë, në këto anë,
Derdhnin visare të rrallë”.

Kaq kam dëgjuar, tha shpendi,
Në mbrëmje, kur ulet mbi gur,
Dhe lehtë nëpër sqep diç përmendi,
Kur krahët po ngrinte flamur.

Një “oh”, më doli nga shpirti
Dhe zemra tiktakun e shtoi,
Për zogun bujar që më priti
E larg, shumë larg fluturoi.

E shtrydha thesin dhe pak,
Të shoh ç' xhevahir do të dalë.
Thesi u rrudh si një plak,
Nisi të zbraz disa fjalë:

I mitur, ishe, vërtetë,
As pesë pranvera s'i kishe,
Yt atë, ndjesë pastë, ndërroi jetë,
Kavak, u thye si një shishe.

Afrohu tek varri, e foli,
Përkëdhele gurin me duar.
Aspak mos u druaj, po doli
Fantazmë, ezmer i rrëgjuar!

Pastaj kujto fëmijërinë,
Harrlisjet çapkëne dhe zogjtë,
Këmborët dhe gjithë blegtorinë,
Shegët e kuqe dhe ftonjtë.

* * *
U nisa drejtë tij si i mpirë,
Me sytë mbërthyer te guri.
Kujtesa më shtyu me pahir,
Të turbullt, të mjegullt më shpuri.

Në mbrëmje, kur nata e shkroi
Hapsirën me shkumës të zi,
Veshi një krisje dëgjoi,
Sytë xixëlluan shkëndi...

Shtëllungë tymi u ngrit,
Me konture njeriu të sfilitur.
Shpejt e shtjellova me dritë
Dhe u mblodha një grusht si i mitur!

U afrua rëndë – rëndë e më tha:
“Ç'je ti që ke ardhur në varr?
Për katër dekada e ca
Syri njeri s'më ka parë!”

“Yt bir jam, i vogli, Qerimi,
Kërthiu që e le katër vjeç,
S' kujtohesh kur të mori verbimi
E i trishtë më the “mirë mbetsh”?!

“Qerimi po thua, ç' dëgjoj?
Ty thinjat të paskan mbuluar!
Afrohu dhe pak të vështroj,
Jo, jo, s'të prek dot me duar!

Era e vdekjes të tret,
Të ndot me shkrumb e me jargë.
E sheh ç' cigan ka gatuar
Errësira e dheut me vlagë?!

Eh mor bir, sa kam vuar,
Për një lule, një prekje të gurit.
Mos fisi i gjithë është shuar,
Larguar prej tokës e syrit?!

Ku është Qaniu, Velideja,
Jetimët me gruan e parë,
Kujtimi çapkën, Qerimeja,
Eh, ç' më ka djegur një mall!

Xhevairja, jot ëmë, si është?
Në rron, të m'i çosh të fala!
Ka qënë një grua me mend,
Si mjalt i ngjitëte fjala.

Vdekja më mori papritur,
E lash qyqare, të shkretë,
Me tre filizë për të rritur,
Mbytur në vrer, për në det!

Po vëllai, i urti Hysen,
Kushërinjtë, Veliu me Vezirin,
Mbahen akoma në këmbë,
Apo... e ndezën qiririn?!...

Si mundën të shkulen këtej,
Nga perla e blertë si magji.
Kur erdhëm tre shekuj më parë,
Urdhërin e dha një Hyjni.

Të lutem, më thuaj diçka,
Po shurt, kupton, fare shkurt!
Terri sinjalin m'a dha
Edhe atje kemi një Brut.

Pas pak shërbimin do marr,
Jam roje sonte, në terr.
Në s' vajtësha në kohë, më shtyn
Në serën e vluar, në Ferr!”

* * *
“Eh, sa pyetje më ke bërë
Për brengën dhe mallin që vret,
Veç duhet një libër i tërë
O plak i munduar dy jetë.

Si mund të flitet aq shkurt!
I ngjeshur me pezm ky thes!
Nuk është një vit apo dy,
Por shekulli i prerë në mes!

Nga larg e kam sjellë me mundim,
Shumë gjatë e ruajta të gjallë,
Kam ngjeshur aty shpirtin tim,
Përzier brenga, me mall.

Tani, dëgjomë me kujdes,
Një “shtëpi” të re do të ngre,
Do shkruaj gjithë ç'ka ky thes,
Mbi mure e mbi dysheme*.

Ngrehu sa herë që të ngehesh,
Lexoji, qesh ose qaj,
S'di në do lodhesh a prehesh
Nga pena ngjyer në vaj.

Largohu tani, sepse Gjoni*
E preu këngën në mes.
Ik, mos fshihet dhe nata,
Po bie era mëngjes.”

Papritur toka gjëmoi,
Një top u duk sikur shtiu.
Fantazma e plakut firoi,
Dheu nga poshtë e përpiu.

* * *
Mbeta vetëm dhe thesin
E hodha në ijë, nën sqetull.
Një yll i largët ndriçoi
Udhën e hollë sa një vetull.

Fija e dritës më çoi
Në lëmin e shtruar te lisi.
Ai me degë më mbuloi,
I lashtë, i moçëm sa fisi.

Errësirë, akoma nuk shihja
Në ishte i blertë si dikur.
Veç zhurmën e gjethit ia njihja,
Dhe flladin që ndjej mbi lëkurë.

Shumë herë vapoja këtu
Kur dielli tokën përpinte.
Me çerdhe e zogj përmbi sy
Një gjum i ëmbël më zinte.

Dremitjen e ndjej dhe tani,
Si duket më ka pritur aq shumë,
Sa lisi me fllad më tha fli
Dhe unë humba... në gjumë.

* * *
Shpirti s' pushoi asnjë grimë.
Priti sa gjumi më mundi,
Në gjoks më hapi një vrimë
Dhe doli në formë pëllumbi.

S' ishte pëllumb i zakonshëm
Si shumë pëllumba të tjerë.
Nga sytë e munduar dhe krahët
Dukej një shpend i përzier.

Këta pëllumba veç natën
Këmbejnë mesazhe e fjalë.
Lajmin e mirë a mandatën
E japin kur dielli s'ka dalë.

* * *
“Pak kohë ka mbetur”, i tha
Shpendi me emrin Qerim,
Shpendit të vjetër Musa**
Me mendje e vesh në përgjim:

“Shumë shpejt më duhet të flas,
Prandaj më ndiq me kujdes.
S'ka kohë të flasim ngadalë,
Vështro sa i ngjeshur ky thes!

Veç t'ia thuash të gjitha
Tët zoti të zemëruar.
Ka katër dekada e ca
Në banesën e tij pambaruar.

Skënderajt në këtë gjysmëshekull
Janë mbajtur akoma si fis,
Por jo me atë shkuarje e rregull
Kur ti ishe zot i shtëpisë.

I thuaj, se “mbreti i bukur”
Që dukej si bir perëndie,
Jashtë ishte engjëll i dukur,
Brenda ligaç e hafije.

Një ditë prej ditësh, i shkrepi
Dhe veten e shpalli Zeus.
Foshnjës, sa doli nga djepi
Me gishtin tregues i tha: sus!...

S'kaloi shumë kohë dhe vërtetë
U bind se qe Perëndi.
Me rrudhjen e syve të vetë
Rrafshoi çdo kishë a xhami!

“Sorkadhin e malit” e treti
Pas shpine, me thikë në errësirë!
Pastaj e përfoli, kur fjeti,
Pështyu çfarë kishte lëpirë.

Njerzit në pirgje i mblodhi,
Si delet i mbylli në vathë.
Dantes nga Ferri i vodhi
Si mjeshtër tre – katër rrathë.

Aty u zvarritën, jetuan,
Skënderajt e mirë që në mitër.
Bukën me djersë e gatuan,
Asnjë nuk u bë ministër.

Kanë ngjarë prej teje, i thuaj,
Palosjen servile s'e njohin,
Gënjeshtra për ta është e huaj,
Të vërtetën në sy e shohin.

Prandaj dhe mësues u bënë
Jo pak, por pesëmbëdhjetë.
Dritën e morën në hënë
Për sytë e brezit të tretë.

Nga brezi yt, të m'i thuash,
S'ka mbetur njeri përmi dhe.
Hyseni, Veliu dhe Tekiu,
Në gjumin e madh, që të tre.

Hatixhja e mirë dhe e heshtur,
Në heshtje u largua një natë.
Si hëna e plotë perëndoi,
Si engjëll i urtë, si uratë.

As Xhevua nuk rron. Ka një vit
Që iku e ngopur me jetë.
Kur vdekja e bëri meit
Dukej se shkonte pa dert.

Ta shihje ç'nur që i ra,
Rrethuar nga nipër e mbesa.
Plotë fjalë të urta u tha,
Pastaj u tret porsi vesa.

Të gjtha nderet ia bëmë
Këshillat ia çuam në vend.
E kishim babë edhe nënë,
Ishte një grua “e rëndë”.

Fjalën e keqe s'e njohu
Fjalori i zgjedhur i saj.
Buza e qeshur veç ngrohu,
Si dielli në Prill e në Maj.

E fundit nga fisi qe Metua*,
Që brezit i tha lamtumirë.
Vdekja e mori në këmbë
Dhe iku pa lënë “errësirë”.

Sa rrojtën, mes tyre as nata
S' bëri dot hije të zezë.
Shkuan si rrallë dy kunata,
Simbol i modelit në brez.

Më falni, për pak sa harrova,
Rron Lulja “e sertë” e Veliut,
Që krah i bëhej Musait
Mes erës, dëborës dhe shiut.

E hollë, e thatë si kërcell,
Gjithë peshën e fisit po mban.
Shumë po pret e përcjellë,
E fortë, e paepur si thanë.

Kontratë me vdekjen ka lidhur
Të shtyhet pas vitit dymijë.
Të rris dhe djalin e nipit
Të sapolindur, fëmijë!

Të gjithë sa ikën nga brezi,
Të tetëdhjetëepesat i lanë,
Se thithën ajër mëngjesi,
Këtu te ky lis, ky vatan.

Këto të mi thuash Musait
Ende pa zbardhur agimi.
Të tjerat në honet e zemrës,
Fshehur i ruan Qerimi.”

* * *
I shtriva gjymtyrët me forcë,
Eshtrat e mpira kërcitën.
Me natën bëra divorc,
Sytë i martova me dritën.

Shpejt i hodha nga thesi,
Ëndrra s' më kishte mashtruar.
Fortë e shtrydhi për mesi
Dhe krejt e kishte boshuar.

U ndjeva i çlirët disi,
Vështrimin e treta diku.
Pëllumbi gugonte në gji,
Diçka po më zgjonte aty.

Lehtë me sqep e kurdisi
Zemrën për ngjarjen e shkuar.
Ekrani vendimin qëndisi:
“Një varr – dashuri do mbaruar!”

Pastaj i malluar të vij,
Te ky vend i largët, ky skaj
Dhe lulet mbi varrin e tij,
T'më bëjnë të çmallem, të qaj...


*Gjoni, zogu i natës.

**Musa. Emri i babait, vdekur në 1953 dhe varrosur në një arë të vetmuar sipas amanetit të tij. Ishte një varr tradicional me dy gurë kufizues sipas traditës së krahinës. Disa vite më parë, siç premtohet në fund të kësaj poeme, varri u rindërtua duke mbetur e vetmja lidhje që kam me vendlindjen. (Shën. i autorit)

No comments: