Friday, 10 March 2017

Kush i vrau zogjtë e qiellit?!

Kush i vrau zogjtë e qiellit?!

Fragment nga romani me te njetin titull
Faslli Canaj

Hapuni! Hapuni! Qielli po rrëzon rrufetë. Është mëritur me të gjallë dhe të vdekur. Nuk hap rrugë. Bëjini ju rrugë atij. Pa një pa dy. Mos u merrni me qiellin! Lëreni të rrëzojë shi, breshër, borë, ngricë. Edhe vesë. Edhe vapë. Ka punën e tij. Le të bubullijë! Le të kërcëllijë! Gjarpërinjtë e vetëtimave le të godasin si me kamxhik. Ulni mesin! Kërrusuni para tij. Këëë-rruuu-suuu-niii!
 
Këto ishin klithmat mëngjesore të Durimit, që mbushnin anë e kënd Luginën teksa vraponte i bërë qull në djersë përgjatë rrugës me një palë atlete majëhapura dhe  pantallonat e varura rripa-rripa nga gjunjët e poshtë.
 
 
 
 
 
Morëm rrugën që të dy zënë dora-dorës. Si të ishim dy fëmijë të urtë, tek lodrojnë në një lëndinë.
Nisëm udhëtimin drejt Jugut. Ecnim përgjatë rrugës automobilistike. Makina të rënda, me karroceritë ngarkuar si kavaletë me thasë, saqë, kur merrni kthesën rrëmbyeshëm, dukej se do të përmbyseshin e zbrazeshin mbi asfalt, e thasët e zbrazur do të vishnin asfaltime një shtresë gruri si ujë lumi. Jo të paktë ishin të mbushur dhe  rifuxho me grurë. Në këto raste ai çurgonte nga cepat e karrocerisë të pa puthitura mirë.
Makinat fluturonin zhurmshëm, rrëmbyeshëm si stuhi para nesh duke na përplasur në vesh, sa na shurdhonin, në fytyrë, në gjoks, sa na cingërisnin nervat atë potere të lënë pas vërtikthi sa dhe ishin gati të na petonin po të mos e kishim mendjen e po të mos kërcenim gjithë vrull në anët e ngushta të rrugëve, ku shpesh na kapnin ferrat për pantallonash dhe na i grisnin deri edhe na çirrnin kërcinjtë, apo dhe mund të përplaseshim me ndonjë nga kafshët e ngarkuara rëndshëm edhe ato, tek ecnin mesulura, gati të këputeshin e binin nga mbipesha.
Garimi mes skotave, zisave e gazeve kinez, po dhe makinave të vogla, hequr ndenjëset e mbushur brenda dhe edhe bagazhet me grurë, ishte marramendës. Shpejtonin kush e kush më parë, si të babëzitur, si ato egërsirat tek sulen mbi  kërmën për ta copëtuar, shqyer, bërë çika-çika. Gomat uturinin, sidomos tek merrnin kthesat rrëmbimthi, si t’i kishte kapluar shoferët çmenduria. Një çmenduri që as e kisha parë e menduar, po as edhe lexuar diku në librat e shumtë që më kishin rënë në dorë.
Po kishte dhe një garim më të çuditshëm.
Ishte ai mes makinave të të gjitha llojeve nga njëra anë dhe ai brenda kafshëve ngarkuese si: kuaj, mushka dhe gomarë. Sidomos ky garim binte në sy në kthimin bosh mbasi u kishin flakur të zotët nga samarët peshat e rënda kafshëve duke ua zgjidhur litarët mbi kopsat me një të tërhequr të shpejtë e, pa i lënë as të mbushen mirë me frymë, u grahnin  dhe i thupronin  e thumbonin shpejt e shpejt, në mënyrë që fqinji të mos ua kalonte.
Garimi, mes  shoferëve që u binin pa pushim borive dhe fshatarëve, s’kishte të sosur. Fshatarët, hipur mbi kuaj, mushka, gomarë me të dy këmbët hapur anash samarit, apo çobankthi, pasi shkarkonin thasët nëpër oborret e shtëpive nuk prisnin t’i sistemonin, po merrnin kthesën mbrapsht vërtikthi e suleshin po me të njëjtin vrull, pa u mbushur mirë me frymë drejt grykës së thellë të Poçit.
Po, që të jem e sinqertë, kuajt dhe mushkat ishin të paktë në krahinën tonë.
Më shumë kishte gomerë dhe, edhe ata i kamxhikonin, po më së shumti i thumbonin, sa ua bëni vithet gjak, pa ndier pikë mëshire.
Ata që kishin kuaj kapardiseshin më rëndshëm majë samarit, si  gjela, duke i bërë të mos pushonin  së renduri revanthi, me të katra, apo zdrënkthi duke paralelizuar makinat për t’i mundur në garë dhe, që nuk ishin të pakta rastet, shpesh dilnin fitues, teksa nxirrni shkumë të bardha nga goja e kullonin qull në djersë nga nënbarku.
Kurse ata hipur mbi mushkat, shumë të rralla në ato rrugë, i ngucnin të trokonin në anët asfaltore me të katra, nën rrahjet e paprera të thembrave të këpucëve, poshtë barkut, përdorur në vend të  mamuzeve.
Pamjen më interesante dhe më gazmore ta ofronte garimi i atij vargu të gjatë gomerësh që mbanin mbi kurriz të zotët  që i thumbonin e thumbonin, ku gjithsecili stërmundohej të dilte fitimtar, po që nuk arrinte dot kurrë se, sa dilte pak më përpara, tjetri  merrte vrull dhe e kalonte, e kjo ndodhte thuajse në çdo pesë minuta.
Po, kur ishin të ngarkuar, thuajse të gjithë me mbi  një kuintal, ata çapiteshin ngadalë, hapmatur, pa e prishur qejfin edhe pse thumbimi nuk i linte rehat. Thumbimi ishte aq i fortë sa shponte dhe lëkurën e vitheve, edhe pse thoshin që është shumë e trashë, ndaj përdorej shprehja si lëkurë gomari, dhe, jo rrallë, mbi vithet e hirta, bulëzonte gjaku.
Në kthim sidomos, do të vije re burrat, shaluar  mbi samarin e tyre me këmbët varur deri sa të preknin tokën, që i mamuzonin bamp e bamp me këpucë poshtë barkut, pa u ndalur një çast po dhe njëkohësisht duke i thumbuar a rrahur kohë e pas kohe me shkop në vithe, po dhe gra, hipur çobankthi.
Ritmi i mamuzimit të grave dallonte nga ai i burrave. Këmbët e tyre lëviznin jo njëkohësisht, si tek burrat, që rrihnin të dy anët e barkut brramp, menjëherë. Ato i lëviznin një nga një. Me ritëm. Bamp-bamp. Si dy shkopinj mbi një daulle. Edhe gratë, nuk harronin, teksa  me një dorë kishin mbërthyer fort ballin e samarit për t’u mbajtur mos i rrëzonin për tokë, kur ata vickëlonin, e me tjetrën t’i thumbonin derisa dhe edhe ato i gjakosnin krijesat e pagoja e të bindura. Ato tregoheshin për veten e tyre tepër të kujdesshme se mos rrëzoheshin po thumbimin nuk e ndërprisnin për asnjë moment.
Thuhej se rrëzimi nga gomari ishte i keq, i rrezikshëm, se ai ka hije të rëndë e këtë e dinin mirë të gjithë ata që kishin, gomarë sikundër dinin dhe që kur kali rrëzonte të zotin ndalej para tij dhe nuk bënte hap më tej.
Shumë patën bërë thumba prej dru ulliri të thatë si ata që përdornin për zhvokshjen e kallirit të misrit nga lëpushka. Majëmprehtë dhe që nuk thyheshin. Të tjerët prej dru thane të thatë.
Vargu i kafshëve ishte i gjatë, dredhonte nëpër rrëpirat si një gjarpër e zbriste në Grykë nga të katër drejtimet.
E në atë vargan nuk është se s’kishte nga ata që i kishin vënë përpara gomarët dhe u grahnin fort, sidomos disa gra, të cilat, si duket, ose ende kishin turp t’u hipnin, ose donin të arrinin sa më parë në depo, nga frika se mos mbarohej drithi e ktheheshin thasëbosh.
Në atë vargan unë nuk e pata  të vështirë të dalloja dhe ndonjë gomar që vraponte gjithë vickëlima, duke trokitur këmbët prrau-prrau e duke rrahur tokën me thundra pa prerë, shpejtësisht. O mora menjëherë me mend që, të zotët e këtyre gomarëve të rrallë të cilëve ua shalonin më shumë ca të rinj e jo gra a vajza, kishin kapur ndonjë mizë kali dhe ua kishin vënë gomarëve tek shalët. E dinin që gomari nuk e duron mizën e kalit. E që  miza nga ana e saj nuk i shqitet. Ai ngre këmbët, hedh shkelma, qëllon me të dy këmbët e pasme: brram, brram, godet tokën pa pushim e vrapon pa u ndalur. Duhet të mbahesh fort se të rrëzon e bëhesh copa-copa.
E përdornin rrallë djemtë për shaka mizën e kalit mes tyre për t’u gajasur tek shihnin  kërrusur e duarfortmbërthyer pas ballit të samarit shokun e frikur se mos rrëzohej.
Kjo ndodhte jo rrallë mes djemsh, po këtë herë mes karvanit dallova tre katër të tillë që i kalonin si shigjetë të tjerët. Kuptohej lehtë që s’kishte të bënte me shakatë e dejmurinjve po me një garë për të rrëmbyer kush e kush më parë drithë nga depot.
Ai karvan ishte i pambarimtë, vërshonte e vërshonte nga të gjitha drejtimet. Ngjante me ca përrenj që zbresin nga shpatet malor, të cilët, sa i afroheshin Grykës zmadhoheshin e fryheshin, e në hyrje të saj ngjante me deltën e një lumi. Lumë njerëzish që ka grumbulluar  rrëkezat tek zbresin anë e mbanë  shpateve.
-Ysh, he ngordhsh!-dëgjohej zëri i çjerrë i dikujt.
Ai ngjante me shkumën e një vale tek pengohet në një gur në të tatëpjetën rrëkeore.
-Luaj këmbët, he të çaftë ujku, të çaftë!-uturinte dikush pas kamxhikimit.
Uturima ishte si përplasja e ujërave të turbullta të përroit malorë fryrë nga shirat e dimrit.
-Tundu, he të shqeftë murrua, të shqeftë!-dëgjohej zëri pak më tej.
Dhe as më pak dhe as më shumë, po ky zë nuk ishte se kishte ndonjë dallim të veçantë nga dallga e përplasur në brigjet shkëmborë që stërpik me stërkala të akullta peizazhin përqark.
-De, de, de!-ulërinte një zë djali që kamxhikonte tërbimthi kalin i cili kullonte ujë nga djersët.
E kjo pamje të sillte para syve pamjen e një lumi të papërmbajtur, të azdisur, që është gati të shkallmojë brigjet.
Goditjet, sharjet, mallkimet binin mbi kurrizin e atyre gjallesave të gjora më keq se fshikullimet, rrahjet me shkop, me thembrat e këpucëve apo thumbimet deri edhe me këpucët me majë gozhde që u shoshonin barkun. Nuk kishin gojë të flisnin të mjerat kafshë, se, po të dinin të hapnin gojë, kushedi se ç’do të kishin thënë.
-Çudi,-fola.- Janë sulur si të babëzitur. Si turmë e ndërkryer. Të gjorat kafshë i ngordhën.
-I ngordhën. Të pashpirt. Si lukuni ujqish të tërbuar më ngjajnë,- ma ktheu Fationi.
- Fajin e kanë ata të Komitetit. Thanë që  do të shpërndanin me rregull, me lista dhe ja ku përfunduan. Ku i kanë listat? Ku janë futur ata tani? Me se merren? Apo aq e patën sa rrëmbyen ç’deshën dhe u tretën si kripa në ujë?  Rruga prodhoi rrugën. Po nuk u soska, paska pasur goxha drithë atje.
-Kam dëgjuar diçka, po nuk e di se kur ka ndodhur. Shumë vite më parë,  më duket. Jam i sigurt. Në një vit krize na dhanë ndihma italianët në grurë dhe sa e shkarkonin ata nga vapori, fshatarët ngarkonin në port gomarët dhe  e përlanin  brenda ditës  gjithë ngarkesën. Nuk kishte makina. Vetëm gomarë. Dhe thuhet se kapitenët e vaporëve italianë mbetën të habitur e thanë:
“S’na kanë zënë sytë! Ne bam me vaporë e këta varda me gomarë dhe nuk ua dalkemi dot. Ne pa shkarkuar mirë ata ngarko e ço në shtëpi. Ne zbraz e ata mbush. Nuk ua dalkemi dot, jo. S’i përballuakemi, jo. ”
-E, edhe unë e kam dëgjuar.  I kanë zënë ethet e rrëmbimit, ethet e pabukësisë, ethet e frikësimit,-ia ktheva qetë-qetë.
-E i ngordhën të shkretat kafshë. Ua morën shpirtin. Po tregohen më kafshë se kafshët, a më gomarë se gomarët, më mirë po them,-foli jo pa nxehje Fationi.
-Ke të drejtë. Madje shumë të drejtë. S’kanë gojë të falsin të gjorat. Janë memece, se po të hapnin gojë mjerë të zotët se nuk do të gjenin vrimë ku të futeshin. Qindin po u punojnë. As me frymë nuk po i lënë të mbushen. Po a i biem shkurt për të dalë në atë majëkodër nga ku të mund të soditim e të bëjmë ca foto që lart?-iu drejtova duke i ngulur sytë mbi të tijtë, si të mos kërkoja përgjigje prej tyre, po si të doja t’u thosha se e kisha marrë aprovimin qysh sa çela buzët.
-Si të duash. Na pri rrugën. Ti je zonjë vendi.
Morëm të përpjetën mes një shpati të pjerrët guror, ku kaçubet e prralleve na fërkoheshin me ato gjethet plot gjemba të vegjël nëpër pantallonat dhe, ndonjëherë, unë ndjeja cimbisjen e lehtë të majëgjembit të gjethes së prrallit a të rrodhes në lëkurën e butë të kofshëve. Po nuk më bezdiste. Kisha veshur një palë pantallona bezhë, terital të hollë, prerë dhe qepur paksa të ngushta, gati ngjitur për kofshe, ndaj dhe edhe shpimin më të vogël e ndieja.
Duke u ngjitur, këmbët na rrëshqitnin dhe guriçkat merrnin të tatëpjetën. Herë-herë kapeshim pas degëve të dushqeve, po, sidomos, mbërtheheshim fort pas ndonjë bisku prralli dhe nuk na bënte përshtypja futja e majave të gjembave në shuplakat, veçse, kur hiqnin dorën, pasi kishim bërë hapin e më lartshëm, ndjenim cimbisjen të na therte paksa e vetëm atëherë shihnin ku duhet të kapeshim për një hap të mëpastajmë.
Edhe pse ndjeheshim, sidomos Fationi që nuk ishte mësuar me rrugëza të tilla ngushtace, malore dhe gurore; të lodhur, ngaqë shpesh këmbët të dukej se bënin mbas teksa rrëshqitnin, gjithsesi ishim të kënaqur se na ranë veshët në qetësi. Shpëtuam nga thirrjet zëçjerrëse dhe paduruese të kafsharëve dhe edhe nga gomëshqyerja e makinave në asfalt.
Menduam se ishte më mirë të dilnim në majën e lartë, nga ku të shihnim se ç’bëhej atje poshtë dhe, nëse do ta gjykonim më vonë do të zbrisnim të tatëpjetën. Morëm rrugën më të shkurtër edhe pse e dinim mirë se rruga më e shkurtër ndonjëherë të nxjerrë gjatë.
Sigurisht rrugëprirësja isha unë, ngaqë Fationi nuk njihte as rrugëzat e as shtigjet nga ku mund të kalonim.
Kishim mbërritur thuajse në mes të shpatit dhe ndalëm të mbusheshim me frymë për vazhdimin e mëtejshëm të ngjitjes.
Fationi me mjaft vshtirësi  po ngjitej, po prapë nuk po e jepte veten.
Dallohej që dy kilometra larg që ishte i pamësuar me ngjitjet e shpateve të thikta, e sidomos në pjerrësi të tilla plot guriçka, ku këmba rrëshqiste nga momenti në moment e më shumë të bëhej se kishe një ecje mbrapshtë se sa përpara. Mundohej të kapej pas ndonjë shkurreje në këmbërrëshqitjet e vazhdueshme duke u përkulur aq thellë sa të krijohej ideja se po ecte këmbadoras.
Duke e parë vështirësinë e ecjes në të përpjetën mbushur me guralecë, ku këmbët bënin më shpesh mbrapsht duke të lodhur deri dhe në rraskapitje, unë  ndala një hap në një sheshpushim të vogël dhe i u drejtova Fationit:
-Mbushemi pak me frymë këtu. Bëjmë një ndalesë të vogël, të shkurtër. Se e shoh që të këputi lodhja.
-Mirë,- ma ktheu ai mes gulçimave.-Sa po bëhesha gati të ta propozoja. Nuk është se nuk eci dot shumë po këta guralecër më ngjajnë se më zvarrisin mbrapsht e jo përpara. Unë hedh hapin po sholli i këpucëve rrëshqet mbrapa e më bëhet se jam po atje nga ku u nisa, në të njëjtin vend ku gjendesha pak më parë. Më duket se nuk po lëviz fare,-e mbylli ai duke më hedhur krahët rreth qafës si degë kulpre e  duke më shtrënguar fort në gjirin e tij valë të ngrohtë.
Ashtu, të përqafur, bërë njësh, u ulëm mbi një gur. Buzët e mjaltuara të tij mjaltuan dhe buzët e mia. Gjithçka ishte sheqerosur dhe mua m’u bë për një çast, po vetëm një çast, se po bënim marrëzi duke shkuar të shihnim se ç’kishte ndodhur, ç’po ndodhte apo ç’do të ndodhte më pas, si në qendër të komunës dhe edhe atje në grykën piratore, siç e pati thirrur Ylberi ditë më parë, teksa kujtonim histori të së shkuarës.
Ai na pati treguar se si në atë grykë, që në kohët  më të lashta, po dhe në periudhën e Ali Pashë Tepelenës, të kryengritjes antiosmane të vitit 1847, apo dhe më vonë, aty  ziheshin pusitë e karvanëve nga hajdutët që plaçkitnin, grabitnin, madje dhe vritnin dhe ia mbathnin në pyllin e paçarshëm, të dendur, pleksur dushqet si lesh koke, saqë nuk e shponte dot as plumbi dhe jo më njeriu.
E hajdutët pyllin kishin si strehë.
Aty, tashmë, ishin hedhur në tokë kanatat e mëdha, të drunjta, të çelikta, të llamarinta të portave të depove e ishin bërë copë-copë, e mizëria njerëzore ishte sulur kush e kush të rripte, të rrëmbente, të zhvaste sa më shumë, si ai hajduti që ka shpërthyer hekurat e burgut.
Po ne po shijonim puthjen tonë. Puthje në kohë krismash. Dashuria lulëzon, nuk do t’ia dijë për krismat, pata shënuar një ditë në ditar. Lulëzon. Dashuria nuk njeh krisma. Nuk frikësohet.
 
Dashuria çel lule mbi majat e shkëmbinjve,
shuan krismat, i kap për fyti, i gropos, i mbytë.
Shpërndanë qetësinë si era farën e luleve, gjithandej
e të fton të flesh si qengji dhe mes rrokopujës zhurmëtare,
si në një djep ninullash të përkundesh,
(e nota ninullash të të ngjajnë krrau-krrau-et)
si në një lëndinë ku vallëzojnë fluturat të rendësh,
si mbi një tufë lulesh ku ulen bletët e rrahin krahët të qëndrosh,
si poshtë kaltërsisë së qiellit që e gërshërëzojnë dallëndyshet të flatrosh.
 
Kështu po e shihja veten, atje mes pyllit, mbi çukëzën e rrumbullakët, pak poshtë majëkodrës. Kështu po e shihte dhe Fationi. Nuk qe vështirë për mua të lexoja ç’ishte fshehur dhe ç’kërkonin sytë e kthjellët liqenor të tij.
Po e ndjeja, e prekja, e dëgjoja, e shijoja, e jetoja, si dhe ai, gëzimin e dashurisë. Kur buzët tona thuajse ishin ngjitur si të njësuara, ai u shkëput papritmas dhe thirri si të ishte gjendur përpara një çudie:
-Hej, mrekulli! Mos më kanë vënë sytë perde? Mos nuk shoh mirë? Mos jam në ëndërr, vallë? E pabesueshme! Ktheu! Shih!-m’u drejtua duke më mbërthyer për krahu e duke mos më lënë kohë as ta dëgjoja deri në fund, më rrotulloi vërtikthi e më ktheu nga faqja e kodrës përballë.
-Ç’pe? Ç’të gjeti? Ç’të shoh?-ia ktheva duke mos kuptuar asgjë dhe duke u çuditur nga ajo shkëputje e beftë e duke mos marrë me mend se cili ishte ai shkak i fuqishëm që prishi sadopak magjinë tonë mjaltore.
-Hidh sytë përballë! Shih atje larg në atë lëndinë të vogël me bar, mes drurëve të lartë të prralleve! Magjepsëse! E dallove?-përfundoi ai teksa kishte drejtuar gishtin tregues në pyllin e dendur në mes të së cilit ishte një pjesë e zbuluar lëndinore e ngjashme me atë qerin me bishtin e shpuar që e varnin gratë dikur pas tëhollje së petëve në gozhdën e madhe në një cep të dhomës, nën dërrasën e blozës mbi të cilën ishin stivosur radhazi në këmbë: tavat, tepsitë, sinitë, taset, pjatat.
Ngrita vështrimin dhe një uaaauuu... e fuqishme, shpërthyer nga gjoksi me tërë forcën, ushtoi nëpër shpate duke tundur pemët e larta sa e duk se ato i shkundën krejt gjethet mbi shpinën e  tokës, e pastaj mori thellë grykave të luginave, të cilat nisën ta përcjellin duke e përplasur sa nga njëra anë në tjetrën deri sa e shuan jehonën tutje, shumë tutje, diku larg.
U duk se jehona u mbyt në det.
-Uaaauuu!-bërtita e ngritur në këmbë si e llahtarisur.-Qenkan gjallë?! Po na shohin ne?! Si është e mundur?! Të pandarë ende pas kaq ditësh?!
-Po, po na bëjnë karshillëk. Të dy së bashku. E, ja, kaq afër paskan qenë. Tani i nxorën kokat. Shkojmë për tek ata, shkojmë.
Mirëpo sa morëm të niseshim në drejtim të tyre një uuuuu... edhe më e zgjatur si të ishte marrja e një kënge shtruar, dhe një ë-ë-ë-ë... e shkëputur si kthyerja me grykë e këngës labe, vrapoi duke çarë rrugën mes prralleve dhe dushqeve, mbërriti tek ne dhe u rrokullis tatëpjetë shpateve e mbërriti në grykat e ngushta të përrenjve, duke vazhduar përplasjen gur më gur.
Unë, pa u menduar shumë, shpejt e shpejt, vura duart si hinkë mbi buzë e zura t’u përgjigjesha me të njëjtën mënyrë, po ata, si duket, përgjigjen time patën pritur dhe, sa tingujt e mi imitues nisën të oshtijnë grykave, të përplasen shpateve e  zunë të goditnin dherat e buta a faqet shkëmbore, vënë në garë për arritjen e  tingujve të pakmëparshëm, ato dy qenie, që çaste më parë ishin të ngulura në atë lëndinëz si dy statuja mermeri, lëvizën dhe humbën mes pyllit të dendur si për të na thënë:
“Na falni që u prishëm bukurinë e çastit tuaj magjik po ne kemi rrugën tonë. Kaq ishte. Këtu mbyllet për sot. Ju përshëndetëm dhe po ju lëmë të qetë. Ne po ikim për nga jemi nisur. Boll, sa u pamë dhe u përshëndetëm një grimë. Shijojeni të lumtur dhe puthjen tuaj dhe dukjen tonë.”
Neve na u prenë gjunjët. Nuk çapitnim dot më tej.  Mbetëm të dy si të ngrirë, si të ishim statuja, buzëmbërthyer, dhe askush nuk po merrte guximin të thyente heshtjen. Këmbët sikur na i zuri ngërçi. Gojën sikur na i dyllosën. Heshtmëria ishte mortore.
Nuk di sa ndenjëm të pafjalë, derisa Fationi, më së fundmi, guxoi e theu heshtjen i pari duke më tërhequr fort në gjirin e tij valë të ngrohtë.
-Mos u mërzit! Shenjë e mirë. Shumë e mirë. Së pari, u bënë të gjallë.  Pra janë shëndoshë e mirë. U shfaqën. Na dërguan sinjal. Na panë dhe i pamë. Kafshët janë të zgjuara. Kanë nuhatje, ndjenjë, parandjenjë. Shpesh dhe më shumë se njerëzit. Do të vijnë. Një ditë do të vijnë vetë. Ujkonja e ka ruajtur kërriçin.  Rojtare e tij. Është kthyer në një mikeshë të mirë. Janë bërë miq. Duket, shumë miq. Miq për kokë, siç themi për njerëzit.
Unë hoqa thellë në zemër.
Ahu im u përhap nëpër degët e pemëve dhe  fërfëlloi përmes gjetheve duke i lëkundur plot dhembje ato. Ishte një fërfëllima e ftohtë, drithëruese, mishngjethëse, disi akulluese, që të ngrinte dhe palcën, të cilën nuk e  kisha jetuar deri në ato momente.
-Shkojmë,-prishi zymtësinë e heshtjes Fationi.
Ajo rrëqethje, që shkaktoi jehona e ahut tim tmerrues, kishte vrapuar e ishte futur dhe në damarët e trupit të tij. E me atë shkojmë ai donte ta mënjanonte, ta largonte sadopak atë.
-Vazhdojmë ngjitjen. Ata u larguan tashmë, po kam besim se do të rikthehen një ditë. Ne ecim për ku jemi nisur. Largimi është i përkohshëm. Ende çoç nuhatin. Presin. S’dimë se çfarë. Kështu më thotë parandjenja,-e përmbylli bisedën teksa ishte çuar në këmbë.
Unë hoqa rrugën për nga majëkodra, si e këputur në mes, si ai që ka dalë nga një hon i thellë i errët, sa më s’ka, dhe nuk orientohet me dritën që i bie krejt papritur mbi qepalla, ndaj dhe s’bën gjë tjetër veç i përplas, i plapurit, prraf-prraf, pa pushim qerpikët.
Ishim ngjitur në majë.
Rreth nesh  hapej një shesh i qarkuar me drurë të lartë  që më shumë ngjante me një sofër buke të vogël, ku burrat-pemë janë sheshuar këmbëkryq dhe nga ku, para syve tanë, shfaqej një pamje e gjerë, e paanë, mrekullore në horizontin e gjerë aq sa të rrokte syri, por po të kridhje vështrimin poshtë pamja ngushtohej, mblidhej, përqendrohej saqë qepallat e syve duhej të rrudhoseshin e bebja të zvogëlohej aq sa të krijohej përshtypja sikur syri s’ishte veçse një bërthamëz  ulliri të egër.
Kodrat nusëronin, sikur të mos dinin se ç’lëviznin mbi shpinën  e tyre. Luginat tej e mbanë prerë, kryqëzuar, gërshetuar, kapërthyer si ata damarët e gjakut në trupin e njeriut.
Po sytë tanë mbetën të mbërthyer aty, nën këmbët tona, nga ku dhe një gur po të rrokullisje do të binte dhe do të shponte çatitë e depove të stërzgjatura, mbuluar me  tjegulla vendi disa dhe me pllaka eterniti disa të tjera.
Para syve pamje të pa imagjinueshme. Lumi i njerëzve vërshonte nga dy drejtimet hyrëse të Luginës: lindja dhe perëndimi. Nga veriu, ku gjendeshim ne, dhe jugu, Lugina ishte qarkuar nga shpate kodrash  të thikta sa dhe dhia e egër zor se zbriste.
Vend strategjik, i fshehtë, i mbrojtur mirë, i siguruar ishte zgjedhur. Ishte zgjedhur nga inxhinierët më të zotë, thuhej.  Ishin bërë punime nga xhenierët më me përvojë. Ishin thirrur strategë lufte. Ishin marrë firmat, kur qenë përfunduar depot, tunelet në shkëmbinj nga gjeneralët më të mirë të ushtrisë. Pastaj  në atë bark të Luginës, si në një poçe gjigante fasulesh a si në një varr madhështor, ishin groposur tonelata ushqimesh, gruri, veshmbathjesh, deri edhe karburant, po jo armë.
Ishin groposur për t’u zhvarrosur e nxjerrë në dritë, në një ditë të keqe, të zezë, në një ditë lufte shfarosëse, sipas gjeneralëve, apo sipas kryevarrhapësve, në një ditë të pritshme lufte.
E kjo ditë fantazmore, makthore, imagjinare, gjumëturbulluese,  kotëtronditëse kurrë nuk kishte mbërritur dhe, si duket, kurrë nuk kishte për të mbërritur e neve na ngjau se i erdhi fundi i mosmbërritjes, i copëtimit, i shkatërrimit, i shqyerjes i çapëlyerjes së saj po jo në këtë formë e këtë mënyrë. Ky ishte fundi i saj. Kishte vdekur, po një vdekje tmerruese. O, vërtet mishngjethëse!
Ajo që na  la pa mend më tepër aty ishte mizërimi i njerëzve tek lëvrinin: burra, gra, të moshuar që mezi çapiteshin, po që kishin flakur tutje bastunët dhe tërhiqni këmbët osh, gjithsesi duke u munduar të shfaqeshin më energjik se ç’ishin; të rinj, të cilët tregoheshin dhe më të shpejtë, më vrulltarë, më vrapues, më të papërmbajtur, më të papërtuar, më rrëmujëtarë, më  trazimtarë të kudogjendur nga njëri cep në tjetrin, më zhvatës, më rrëmbyes,  më lakmitarë, më të pangopur, po dhe më sherrtarë, më thasëmbushës deri edhe fëmijë që lëvrinin nëpër këmbët e njerëzve pa rënë në sy, si larvat në një ditë pas shiut.
Aty do të gjeje gjithë llojet e makinave vendosur shtrëngimthi si dhe gjithë llojet e   kafshëve ngarkuese tek nusëronin të lodhur në pritje të hedhjes mbi samar të thasëve pesëdhjetë kilësh.
Pangopësia, makutëria, i pëshpërita vetes, e ka një çmim, një çmim tepër të rëndë.
Mos e marrtë kurrkush atë çmim, urova.
Po akoma më shumë u habitëm duke vrojtuar nga lart zemrën e Luginës, si gëlonte pa pasur kohë të bënte qoftë dhe një frymëmarrje të lehtë, tashmë zhytur nën hije komplet, ngaqë dielli kishte nisur rrokullisjen drejt perëndimit për t’u kredhur në det.
Mizëria njerëzore po lëvrinte si ajo pafundësia e milingonave të sapo dalë nga larvat tek kërkojnë rrugën, pa dashur ta dinte, a vinte re, ikjen e diellit, sikur ai të mos ekzistonte dhe sikur të mos ishte ai që i kishte ngrohur pak më parë.
Atij grumbulli të madh njerëzish nuk i shkonte në mendje, si duket, shpejtimi i fshehjes së syrit të tij mbrapa kodrës, pas nesh, e zbritja e  tisit të  errët natësor, hedhja e mantelit të zi përsipër pas pak çastesh, e që, Gryka së shpejti do të ngjante si fundi i një pusi dymbëdhjetë pashë i thellë, tepër nxirrues e i frikshëm. Shumësia e asaj turme të pamasë, pa formë, njerëzore, ecte, vraponte, sulej, turrej, lëvizte, lëvrinte sipas rastit, gjendjes, kohës dhe vendit ku ndodhej.
-Një grumbull larvash, që sa kanë shpërthyer lëvozhgën, as më pak dhe as më shumë,- pëshpëriti Fationi.
Fëmijët i shihje një pjesë me thasë në duar, një pjesë me spango që ua çonin prindërve, vëllezërve a motrave për të lidhur grykat e thasëve, një pjesë me tufa fije xanash bërë tufë, ca të tjerë duke mbajtur grykat e thasëve  hapur që më të rriturit t’i mbushnin sa më lehtësisht duke e hedhur grurë me: tava, tepsi, grushte, shosha, lopata, legenë llamarine e kauçuku, govata rrobash, karroqet e drunjta, ruajtur qyshkur në binxat e errëta, buzëçara nga koha, që  kishin dalë befas në dritë këto ditë dhe edhe ndonjë gavetë e vjetër që nga kohët e luftës.
Kishin kërkuar dhe nxjerrë në dritë gjithë mjetet ndihmuese për të mbushur sa më shpejt dhe më shumë thasë.
Po kishte dhe nga ata fëmijë të marrë me vete nga prindërit po lënë të pa angazhuar me punë e mbetur kështu jashtë vëmendjes, përkujdesjes, që, si të papunë që ishin, u binin kryq e tërthor depove kureshtshëm.
Një pjesë e vogël kishte ardhur vjedhurazi prindërve, kot më së koti. Ishin nisur sa kishin dëgjuar për suljen e më të rriturve në atë Grykë. Vërdalloseshin e mundoheshin të mos u binin prindërve në sy. U rrini larg, po dhe kur ndonjëherë pa dashje u kalonin pranë, aq sa i preknin në sup e trembeshin mos hanin ndonjë të bërtitur, shihnin që ata, zhytur si tigrat mbi gjahun e vet, as që i vinin re.
Ky grup, gjithsesi ishte më i pakti se shumica shkumonin nga djersët e punës, duke marrë frymë me zor tek sa uleshin, ngriheshin, hapnin, mbyllnin, dridhnin e përdridhnin, lidhnin grykat e thasëve e më pastaj i tërhiqnin duke ngritur re pluhuri për tek grumbulli.
Pjesëtarët e grupit të paktë e ndjenin veten të privilegjuar kur vraponin sa nga një qoshe në tjetrën duke bërë sikur s’ dëgjonin të bërtiturat e dikujt, të cilit i rrëzonin ndonjë thes a i derdhnin ndonjë enë të mbushur në vrapim e sipër.
Pa fugimit ndalnin një hop, mbusheshin me frymë e dridhnin shikimin nga qoshja në qoshe.
E këtu ngjanin si të ishin inventarizuesit e atij rrëmujëzimi. Sikur të fiksonin çdo detaj në kujtesën-disk për ta ruajtur e hapur dikur, diku.
Pas një grime pushimi ata rifillonin e ngatërroheshin nëpër këmbët e të rriturve si milingonat. Kalonin herë-herë poshtë barkut të kuajve, gomarëve, mushkave kur nuk gjenin rrugë të lirë pa ua bërë syri tërrc, dhe jo rrallë kalonin dhe nën gomat e makinave e nën shalët e ngarkuesve burra apo gra që nuk donin t’ia dinin fare për ta.
Më dallueshëm në atë lumë të pafundmë njerëzish  shfaqeshin ai grup të rinjsh me automatikët në dorë, me tytat ngritur lart më së shumti, tek gjuan orë e çast, po dhe disa varur gjoksit me gishtin në këmbëz.
Ata kishin fytyra të vrenjtura, sikur u kishte ngrënë gomari bukën. Ecnin rëndë-rëndë, me kokën lart e gjoksin e dalë si tu kishe ngulur një shul  a t’i kishe gozhduar nga gishti këmbës tek fija e fundit e flokut të kokës e nuk dallonin fare nga një kalli pa kokrra. Të tillë kishin qenë dhe vazhdonin të tregoheshin. Asgjë tjetër nuk dinin të bënin veç vetëm të fryheshin vend e pavend dhe kohë e pa kohë. Asgjë tjetër.
Ishin të vetëshapllur anëtarë të Komiteteve që hiqeshin se kontrollonin rregullin po që drejtonin njerëzit e tyre, jo tashmë nga depot e grurit po nga tunelet mbushur me ushqime dhe fuçi me vaj makinash, benzinë, naftë, deri edhe fuçi me mjaltë. Lëvrinin dhe jepnin u shenja: majtas, djathtas, para, mbrapa: njerëzve, kafshëve, automjeteve; po sidomos kujdes të madh tregonin për botet që shkonin e mbusheshin me naftë tek rezervuarët, në vend të parë të të cilëve qëndronin, sipas llojit të makinës, dy deri tre djem me automatikët me tytat ngulur mbi xhamin e parë drejtuar turmës e cila menjëherë bënte mënjanë e kërcente në kanal e tromaksur.
Ishte vërtet e habitshme, e paparë dhe as e marrë me mend ajo pamje.
-Zbresim,- guxoi e foli Fationi pas disa shkrepjeve të aparatit.-Afrohemi më pranë, shkrepim aparatin më nga afër. S’kemi ç’bëjmë tjetër. S’kemi ç’flasim.
-Mirë. Zbresim. Po kujdes aparatin. Mbaje fshehur dhe fotografo me kujdes. Unë s’po e përdor timin. Janë tërbuar një pjesë dhe s’dihet ç’u pjellë rradakja,-fola teksa e hoqa aparatin nga krahu dhe e futa nën këmishë. Pastaj   u drodha në të majtë, nga ku niste zbritja për në rrugën automobilistike, si e vetmja mundësi hyrjeje në atë grykë. Iu afruam hyrjes atje ku Lugina ngushtohej kaq shumë sa ngjante thjesht me një portë dhe ku dy brigjet e lumit bashkoheshin me një urë sa një rrip i ngushtë për t’u hedhur nga e djathta në të majtë, e gjatë as njëzet metra, ku dalloheshin dy ele hekuri, kllaposur si U në krye, mbi të cilat vendosej trari i postbllokut më parë, por që tani nuk dihej se ku ishte flakur. Në të dy anët e portës ishin dy tabela të shtrembëruara llamarine, gati një me një, ngulur dhe ato mbi dy ele hekuri lyer me ngjyrë bizele dhe shkruar me të kuqe, ngrënë shkronjat nga koha, e rënë copa-copa. Dukej që kishte kohë që për to nuk ishte kujtuar më njeri, po që ne i lexuam shpejt: Kujdes! Zonë ushtarake!
-Zonë kake!-shfreu Fationi, teksa fotografoi ato tabela shtrembaluqe.-Shih këto e pastaj fol.
Ishte e para herë që unë e dëgjoja të lëshonte një fjalë të tillë. Ishte i inatosur, i mërzitur sa s’thuhej dhe kjo dallohej dhe në ecjen e tij nervoze, në vështrimin që u hidhte kalimtarëve që na bërrylosnin dhe gati të na flaknin në lumë edhe pse ne u hapnin rrugë plotësisht duke ecur sa më në buzë të rrugës. Po ata që na kalonin ishin si të çakërdisur.
-Në qoftë se Londoni përshkruan tërbimin e personazheve të tij nga ethet e  arit në shekullin e kaluar, këta janë tërbuar nga ethet e rrëmbimit të grurit, zhvatjes së gjithçkaje, shkatërrimit,-foli përsëri Fationi.-U është errur shikimi. E kujt i erret shikim i ka mbuluar errësira krejt trupin. Madje nuk është pak të them që dhe shpirti, strukur në të errët, është kthyer dhe ai në një copë katran.
Unë ecja kokulur dhe po mendoja: Po ne ç’deshëm aty? Ç’ishte kjo aventurë? Pse duhej të mbanin mbi vete ato vështrime inatçore, ato vetulla të ngrysura, ata sygjaks, ata zëra ulëritës sa tundnin dhe degët e mëdha të pemëve të prrallit dhe ilqeve në shpatin thikor në të majtë të lumit, aq thikor saqë vetëm aty kishin ngelur të paprerë dhe gati shekullor pemët ngaqë kurrkush nuk kishte guxuar të hidhte hap lart. Madje as në krizën e madhe të shfarosjes së pyjeve, s’qe mundur të çapitej aty. Mirëpo mua m’u bë se nga momenti në moment ata zëra po i shkulnin ata trungje vigan, ato kurora të gjelbra e ato më ngjanin se po  rrëzoheshin potershëm  e unë e trembur kërceva më në buzë se m’u bë sikur më zunë nën vete.
Dy duar të fuqishme më mbërthyen për supesh.
Nuk ishte Fationi.
Më shkundën e më mblodhën mendjen e çaprashitur.
Ishin duart si darë të Ylberit.
-Po vij nga qendra e komunës,-foli pa u mbushur mirë me frymë.-Desh shpërtheu. Marrëzi. Erdha për ju. Bëni mirë të ktheheni. Të kthehemi.
-Pse?-ia ktheva.-Ç’ka ngjarë? Pastaj ne nuk kemi punë. Nuk flasim, shikojmë, fotografojmë.
-Fotografimin harrojeni. Aparatet futini në gjoks. Nuk kam hallin që do ua copëtojnë po kushedi ç’ju ndodh. Ma vini veshin. Ju lutem, më dëgjoni!
-Pse ç’ka ndodhur? Si është puna? Fol shkoqur se po na habit?-iu drejtua Fationi teksa ndali ecjen ballas tij.
-E ç’të them? Nuk flas dot. Llahtar. Tmerr. Kërmë do ishte bërë vendi për pak. Shpëtuam për qime,-fliste ai pa marrë frymë dhe në ato fjalë nuk ishte e vështirë të dalloje që ai ende nuk kishte arritur ta merrte veten, po përjetonte akoma ato ç’ka kishin ngjarë atje lart.
-Po fol se na ngrive gjakun. Po na ankthon, tmerronte këto fjalë dhe pamje. Po na le pa frymë. Shpjegona!-foli Fationi.
 
***
 
-Desh shpërtheu për pak. Shpëtuan për qime që të gjithë, po ua përsëris për së dyti. Më duket se Zoti na ruajti, jo robi. Robi desh e ktheu qendrën në thertore. Kasaphanë e madh do ishte bërë. Unë diç ndjeva që atje tek lokali. I dëgjuat ju kur folën ata të marrët para lokalit tënd që do gjerdanoseshin me bomba për të kthyer mbrapsht makinat e rrethit tjetër. I dëgjuat? Katër djem, nga njëzet vjeç, karfosur gjerdani me bomba tej e tej mesit. Kryqëzuar gjerdanët dhe në gjoks, kaluar mbi supet dhe edhe në shpatulla e poshtë kurrizit. Një prej tyre më shumë se një fuçi baroti. Po ç’them një bombë atomike. Njerëzit kureshtar rreth e qark. Para zyrave. Atje ku mblidhen për mbledhje. Atje ku bëhet dhe pazari i gjësë së gjallë. Ata të katër gardhosur në rrugën e makinave. T’i shihnit. Katër shkëmbinj të minuar. Me fytyrë nga Jugu.  Prisnin. Dikush u foli njerëzve të largoheshin po ata edhe më kureshtar në vend që të largoheshin, afroheshin. Çudi me këta njerëz. Sikur u janë mpirë trutë. A sikur dikush u ka hedhur trutë e gomarit. E  pa, kur vijnë drejt tyre një vargan skotash. Si veri ecnin. Pa e ulur një grimë shpejtësinë edhe pse është qendër e banuar. Si të marrë ecnin. Ata, sa i panë që dhanë ballë në kthesë, ngritën duart dhe u bënë shenjë të stoponin. Shoferët, si të ishin qorruar, vazhdonin të afroheshin. Ata tund duart dhe edhe njerëzit në dy anët e rrugës po ashtu. Po shoferët s’po donin t’ia dinin. Po ngushtohej distanca. Po me të njëjtën shpejtësi ngisnin makinat. Nuk po  ua ulnin gazin as dhe një grimë.  Situata po përkeqësohej. Nuk e morëm vesh, po dikush nga njerëzit hoqi automatikun dhe goditi asfaltin para makinave, as dhe dy pëllëmbë larg gomave të para. E kjo rriti dhe më tepër ankthin, frikësimin. Asfalti u thërrmijëzua dhe disa cifla të tij ranë mbi xhamin e parë të makinës që kryesonte karvanin. Për fat, o nga frika, o me pavetëdije, shoferi frenoi. Fat që frenat zunë gozhdë. Para këmbëve të të katërve. Turma lëshoi një uuffff sa tmerruese aq edhe çliruese. Sikur gëlltiti tërë ankthin.
Ylberi kishte folur me një frymë, gati të mbytej.
Ndali të mbushte gjoksin me ajër që të mund të vazhdonte më tej.
-Po pastaj, ç’ndodhi? Si vazhdoi situata, o Zot,-ndërhyri Fationi më shumë për t’i dhënë kohë Ylberit, se sa për ta pyetur, se e dinte që tashmë ai do ta çonte deri në fund rrëfimin.
-Pastaj,-vazhdoi ai pas një gjoksmbushjeje me frymë.-Pastaj qe më e madhja. Shoferi pa dalë nga makina bërtiti: Të çmendur! Lëshoni rrugën. Ç’bëni? I kini të gjitha apo jeni mangët nga trutë? Kurrkush nuk na ndalon ne. Ç’kërkoni? Ku ju shpie mushka kështu?
-Kthehuni mbrapsht!-ia ktheu edhe më me ulërimë djaloshi i mesit, një trupgjatë rreth një e nëntëdhjetë.-Ju s’kini punë këtu. Kini dy ditë që rrëmbeni grurin e depove tona. Jeni rreth tjetër. Juve ku ju shpie mushka. I kin hipur së prapthi. Nuk kemi kohë për fjalë. Tërhiquni. Zbythuni sa nuk është vonë.
-Kush jeni ju? Kush ju njeh juve? Hapu po ju them se ju bëra spurth si spurdhjaku nën pllakën e grackës! Ne kemi një komandant. Atë njohim. Ai u hapi sytë dhe juve. E njihni Lekon ju? Njiheni, në s’e njihni. Do ta njihni mirë. Për të fundit herë ju themi: sprapsuni. Në s’sprapseni jeni në telashe të mëdha.
-Atëherë njihnani ju neve. Vetëm mbi trupat tanë mund të kaloni. Në erë të gjithë dhe në djall vafshi me gjithë atë komandantin tuaj  Leko a po deshe thuaja emrin dhe Leshko. Nuk ka burrë nëne të na tund, të na luaj qoftë dhe një centimetër nga këtu. Merrni  mbrapsht! Mbrapsht! Zbythuni! Ose: Prapa ktheu! Dhe pa mëdyshje,-foli me ton të nxehur  njëri nga djemtë.
Më duket se qe Sandri.
Shoferi mbeti në mëdyshje dhe pas një mëdyshjeje ndezi makinën dhe bëri ta niste drejt tyre. Gomat nisën një rrotullim të ngadaltë. Si duket shoferi mendoi t’i trembte gardhuesit. Po ata asnjë çap më mbrapa nuk bën. Përkundrazi.
Luftar Gjatuci, i ndodhur në të majtë të katërshes, pasi mati me sy largësinë mes vetes dhe makinës dhe pasi i nguli një grimë vështrimin shigjetar, vdekarak, shoferit, jo për ta hetuar e blerë mendjen po për t’i treguar patrembshmërinë dhe vendosmërinë e patundshme, hodhi hapin përpara, si të kishte marrë komandën ushtarake: para marsh, më statujor dhe se vetë  statujat lashtësore tek presin vizitorët në stendat muzeore. Pas tij, si t’u ishte dhënë e njëjta komanda  ushtarake, rrufetore, bënë hap përpara dhe tre të tjerët. Si të ishin të sustosur a të kishin qenë robotë, haphedhja a haprrahja, se hapat e tyre rrahën fort trotuaret, gjëmoi aq shumë sa që dhe turma e afruar bëri, veç jo një hap para, po mbas. Nuk jam në gjendje të them pse qe ajo tërheqje e turmës, po besoj, u kthjellova rrugës për këtu, se njerëzit menduan, jo për të ruajtur vetveten, po për të lënë një përballje, a për të parë se si do të ecnin punët e mëtejshme. Dhe haphedhja u përsërit për së dyti më vendosmërisht. Frenat kërcitën fort dhe gomat ndalën zhurmshëm. Gozhdë trari u ngulën. Edhe karvani i makinave ndali si me komandë se dhe ata mbrapa lëvizin pak më parë siç kishte bërë shoferi i parë. Nga mesi i karvanit makinor u pa të vinte hapshpejtuar një djalë rreth të njëzet e pesave, topolak, po trup ngjeshur, i parruar, me një palë syze të zeza të mëdha që ia mbulonin mollëzat e faqeve plotësisht, me një këmishë të zezë të pa mbërthyer përpara si për të lënë të binte më mirë në sy gjoksi i fryrë, ngritur si dy kaçube. Veshur me të zeza i gjithi.
Çudi, mendova, pse këta kërkojnë veç të zezën kudo. Të zeza veshjet, sjelljet, veprimet dhe edhe qëllimet. Edhe fytyrën mbuluar me çorape të zeza. Pse s’e lënë fytyrën ashtu siç e kanë: të bardhë, të verdhë, zeshkane, të zezë, hapur nën dritën e diellit, po e fshehin, e mbulojnë e sterronin.  Ashtu hapshpejtuar ai ia behu në mes të dy grupeve dhe duke qëndruar këmbëhapur u drejtua më së pari nga shoferi:
-Pse s’ecën? Ç’po ndodh këtu? S’kemi kohë për të humbur?
-Po ja,-foli si nën zë shoferi,- kemi përpara këta që nuk na lejojnë të kalojmë. Na kanë prerë rrugën. Shihi si janë ngarkuar. Deri në grykë me bomba. S’hapin udhë. U thamë për ju, shoku Leko, po nuk na dëgjojnë. Ju thamë që do t’i shtypnim,  petë ishim gati t’i bënim me gomat e makinave, po ata nuk lëshuan pe. T’i shtypim? Si na thua? Kollaj fare. Një fjalën tënde presim. Po janë ngarkuar deri në grykë me bomba, veç. Dhe hidhemi në erë të gjithë në qoftë se bëjmë çap përpara. Kokëshkëmbinj. Merruni ju me ta hë për hë. Ne gati na ke.
Lekua, po ashtu si pak më parë, hijerëndë, fytyrërrudhosur e vetullaxhufkë, u kthye nga katër djemtë, u hodhi një vështrim tigror, si t’i hante të gjallë po dhe si për t’i trembur a matur pulsin. Po dhe ata e shigjetuan me vështrime kryqëzuese pa u dridhur qerpiku si të kishe përpara katër palë sy luanësh që me zi presin të shqyejnë gjahun e tyre që po u vjen në shteg.
“Tani plasi,-mërmëriti një burrë krah meje.-Ai është i marrë. Marrëzisë është mirë t’i rrish larg. Sa më larg. I çmendur. Njihet për çmenduritë. E çmenduria lindi bashkë me mençurinë. Binjake. Ai nuk di, nuk ta bën dy. Dhe, të çmendurit, është mirë t’i hapin rrugë. Le ta marrin atë mut grurë, gjynah mos paça që thashë atë fjalë, se do ta hamë bukë, e të zhduken. Po s’kam ç’them. Do vritemi të gjithë. Kërmë do bëhemi në se dikush nuk bën hap prapa. Se dy të çmendur kurrë nuk merren vesh. Pastaj çmenduria është përhapur si tenja tek qentë e zgjebosur. Këto kohë. I ka mbërthyer të gjithë. Dhe atyre të katërve u është ngjitur tenja. Janë sëmurur të gjithë ç’na zënë sytë. Është sëmundje e rëndë ajo e trurit. Kur trurin e mbulon errësira prit vetëm katrahurë. Madje sëmundja e tenjës po na kalon dhe ne. Nuk kemi shpëtuar dhe nuk mund të shpëtojmë dot prej saj. Po na bren trupin. Le të ngordhim si qentë,-mbylla meditimin.”
U ktheva ta shihja pak. E mata me sy nga koka tek këmbët dhe,  si për të dhënë miratimin për çka dëgjova, nuk fola, po tunda kokën në shenjë miratimi. Të gjithë të armatosur veç meje. Fillova të pishmanosesha duke i thënë vetes se ç’kisha dashur që kisha vajtur atje. Po kërkoja dhe unë një gozhdë si breshka.  Po mall gozhda. Më filloi dhe kaplimi i frikës. Ndërkohë më shkundi zëri bubullimor i Lekos:
-Po ju ç’bëni aty? Ç’doni? Cilët jeni? Kush ju ka ngarkuar? Hiquni prej aty! Qërohuni!
-Ti, ç’do këtu? Ti s’na njeh dhe ne as që duam të na njohësh. Ne të njohim, po nuk na tremb, nuk ta kemi frikën. Ti, hiqu prej aty me gjithë autokolonën e makinave,-ia ktheu flakë për flakë Sandri.-E mos na u hakërro se nuk ta kemi frikën. Nxë të flasësh, herë tjetër. More vesh!
Lekua po bëhej gati të hidhte hapin drejt tyre po të katër llozet e automatikëve lëvizën shkrap-shkrup dhe katër tytat u mbërthyen mbi gjoksin e Lekos.
-Asnjë gjysmë hapi, në të dhimbset koka! Mos guxo! Çap mos bëj tu! Këtu kalohet vetëm mbi trupat tanë. Po atëherë do jeni bërë ju dhe ne çika e thërrime,-i bubulloi edhe më me tërsëllimë Luftar Gjatuci.-Mblidhe këmbën e hedhur! Hiqe mbrapsht! Mos guxo, të themi! Je në sinorin tonë. Kujdes! Nuk të lëmë të bësh ti petë këtu. Jo ti, po askush. Si duket nuk e ke marrë vesh se me kë ke të bësh. Nuk ke rënë ndonjëherë në ndonjë hundëlesh. Re sot. Provoje po ta mbajti!-ngriti zërin kërcënueshëm.-Një hap dhe bëhu zë qenve të vijnë të të përtypin kockat.
-E kini gabim djem,-foli me ton të zbutur sakaq Lekua, pa guxuar të hidhte hap përpara.-Ja, ju erdhët, morët armë në rrethin tonë e ne do marrim grurë. Merremi vesh. Pastaj unë jam Kryetar i Shtabit Qendror. Kemi një marrëveshje bashkëpunimi me shtabin tuaj këtu. Të kuptohemi drejt.
-Ti e prishe marrëveshjen. E shkele. E baltose. E menderose,-iu përgjigj një djalë që unë s’e njihja.-Ke tri ditë e tri net që ne me gomar e ti me skoda. Ku e shpie? Marrëveshja ishte gjoja do ndahej me rregull. Po kjo iku. Mbaroi. Kush e prishi? Ti. Ktheu menjëherë, në do veten dhe ata që ke pas. Ose, po s’deshe, shumë më mirë që je dhe ti këtu, groposu me ne. Po, po na vjen keq dhe për këta njerëzit tanë. Ju kemi thënë të largohen po ata bëjnë tu. Do merren më qafë së bashku me ne. Ti provoje po deshe. E kemi vendim të padiskutuar. Vetëm mbi trupat tanë të copëtuar kalohet. Hap sytë ku ke shkelur. Boll gjete shesh e bëre përshesh. Tani ka zot. Për herë të fundit të themi: Tërhiqu sa s’është vonë!
Situatë e rëndë. E keqe. Tepër e vështirë. Asnjëri nga njerëzit nuk bëri qoftë dhe një gjysmë hapi prapa. Edhe unë i mërmërita vetes: “Nuk ka ndarje. Së bashku me këta!”
-Djem, ju bëj thirrje dhe njëherë: Hapni rrugë dhe pastaj merremi vesh! Jo me tytat e armëve. Drithë ka plot. Dhe për ju. Merrni sa të doni. Po dhe ne do marrim se na takon. Me paqe.
Zëri i Lekos ishte më se i zakonshëm tashmë, pa atë mburrjen, çjerrjen, urdhërimin, kërcënimin e pak mëparshëm.
-Harroje!-ia priti zjarr për zjarr Sandri.-Harroje, po të themi! E mos na detyro ta përsërisim shumë herë. S’kemi kohë. Nuk kërkojmë për vete. Na ke kuptuar gabim. Drithin do ta marrin fshatarët tanë dhe gjithë ç’ka atje. Fshatarët e kësaj krahine. Kemi komandën tonë, kryetarin tonë, komitetin tonë. Njerëzit po marrin lirshëm. Ju nuk futeni më atje. Si thoni?-iu drejtua ai turmës.-Mirë e kam? Jemi në rregull?
Turma, si të kishte kohë që priste një sinjal të tillë, para se të thoshte fjalën, hoqi pushkët fap-fup nga krahëhedhja e i drejtoi tytat, gjysma mbi Lekon dhe gjysma mbi shoferët e makinave.
Shkrap tërhoqi llozet  mbrapsht me një lëvizje e i lëshoi me një shkrup mishngjethëse përpara. Ishte sekonda sa një jetë. Po ai, Lekua, kur e pa se nuk kishte nga t’ia mbante, llogariti rrezikun, bëri mbrapsht duke tërhequr këpucët mbi asfalt që lëshuan një gëzhzhzh... nervagrisëse dhe pa kthyer kokën urdhëroi:
-Kthehuni! Ikim. Po nuk do të ngelen pa ma paguar. Nuk kthehet Leko Lekua mbrapsht, kollaj. Ju e bëtë këtë. Shënojeni. Mbajeni mend. Mos harroni. Do të ma paguani shtrenjtë. Jo vetëm ju të katër po krejt krahina.
Turma mori frymë e lehtësuar. Lëshoi një ufff... të zgjatur, dalë nga gjokset e ankthuar, që ngjau me ofshamën që lëshojnë dallgët tërbuara të oqeanit pasi përplasen me shkëmbinjtë e brigjeve dhe marrin rrugën e kthimit.
Atë të katër nuk bënë hap, as para as mbrapa, as majtas as djathtas, derisa zhurma e makinave u shua matanë kthesave.
Pasi zhurma humbi në thellësi ata çkopsitën rripat ngarkuar me bomba, granata, fishekë,  i morën në dorë dhe u nisën drejt klubit shoqëruar nga shumë njerëz që thirrshin: Bravo! Ju lumtë! Trima! Heronj! Yje! Të pa mposhtur!Na shpëtuat! I treguat vendin atij maskarait, zagarit, lëngaraqit, pordhacit të dreqit.
Unë zbrita tatëpjetë dhe ja ku u gjeta juve. Them se situata është e keqe. E ngarkuar sa s’ka ku të shkojë më. Nuk bëjmë mirë të futemi më tej. Ja, shihini. Ngjajnë si të droguar. Kanë dallim nga të dehurit, të shkalluarit, të droguarit, të tërbuarit? Jo. Më mirë kthehemi.
 
Ne nuk e dëgjuam.
Ecëm.
Si të shkonim në fund të një pusi të thellë.
Mbështjellë me pelerinën e zezë të tymtë.
Bllokuar mushkëritë nga retë e erës së barotit.
Në ecje dëgjonim një zë aq shumë të njohur që s’kishte të ndaluar.
 
“Ecni. Dridhuni e përdridhuni. Vërtituni. Hidhuni. Kacafytuni. Ndeshuni. Përleshuni. Grykë më grykë. Mbytuni. Mbushni. Zbrazni. Lidhni. Zgjidhni. Shqyeni sytë. Hapni veshët. Çirreni tokën. Çirreni. Griseni. Rrëmujë-kaos. Kaos-rrëmujë. Ho-ho-ho! Zajrr i ferrit! Zjarr i ferrit. Ferr i zjarrit. Po djeg. Përfshin. Përpin. Afrohuni të ngrohni duart! Afrohuni! Po jo shumë. Se u djeg. U përvëlon. Shkrumbon.”
 
Durimi lëshonte fjalët duke i rënë kryq e tërthor sa nga një depo në tjetrën po askush nuk ia kishte ngenë të dëgjonte, veç nesh.
 
 

No comments: