ÇAMËT- PËRBALLË ËGËRSIVE
NJERËZORE GJATË 100 VITEVE
Ecim në kohën e
sotme dhe vëzhgojmë; hulumtojmë në kohët e shkuara nëpërmjet shkencave të
ndryshme si histori, antropologji, gjeneallogji, filozofi, njihemi me zbulimet
shkencore, dhe konkludojmë ç’farë është
bërë mirë dhe jo mirë. Në këtë këndvështrim, trajtesa jonë do të ndalet, tek
diferencimet e bëra nga studiuesit, shkencëtarët, strategët dhe pushtetarët e
vendeve të ndryshme, lidhur me kulturën, gjuhën dhe traditat mes popujve të mëdhenj
dhe të vegjël. Të gjithë të “mënçurit” ndër kohëra, janë përqëndruar tek
kulturat “elite”, i kanë studiuar ato, kanë dhënë vlerësime pafund,
ngandonjëherë me mbivlerësime të panevojshme, apo të pamerituara, ndërkohë kanë
anashkaluar kulturat, gjuhën, traditat e popujve të vegjël.
Në pamje të parë
nuk jep përshtypje të gabuar, por nëse diferencimet e këtij lloi krahasohen me
fenomenet natyrore, gjithçka rezulton ndryshe. Të gjitha llojet e bimësive,
gjallesat e nënëdheshme, ujore dhe të mbidheshme, nisjet e tyre fillojnë nga
“të voglat”, më pas madhohen, shuhen, përsëi rinisin por të shumuara në sojin e
tyre.
Këto diferencime
të theksuara, mes të dy përmasave, sidomos të zhvilluara pandërprerje në popuj
e vegjël dhe të mëdhenj, kanë shkaktuar trazira, përplasje të vazhdueshme, duke
filluar nga skllavëria, mbivlerësime për të fortët dhe e kundërta për më të
pafuqishmit, deri në luftëra të përgjakshme mes popujve më të vegjel dhe atyre
më të mëdhenj. Kur dihet që edhe popujt e mëdhenj, janë rritur e shumuar nga
baza e të qënurit të vegjël. Nuk quhen rastësi apo mëshirë e popujve të mëdhenj
ndaj të vegjëlve, nxjerrja e ligjeve ndërkombëtare, si: Pakti ndërkombëtar i
Drejtave Civile dhe Politike (Mars 1976), ku thuhet: “Të gjithë popujt kanë të drejtën e
Vetëvendosjes. Në virtyt me këtë të drejtë, ato vendosin lirshëm për statutin e
tyre politik dhe ndjekin lirisht zhvillimin e tyre ekonomik, social dhe
kulturor. Për të arritur qëllimet e tyre, të gjithë popujt mund të disponojnë
pikërisht lirisht burimet pa paragjykim të detyrimeve që rrjedhin nga
bashkëpunim ekonomik ndërkombëtar, të bazuar mbi principin e interesit të
përbashkët, dhe nga e Drejta Ndërkombëtare në asnjë rast, asnjë popull nuk mund
të privohet nga mjetet e jetesës”.
Ose, “Parimi
i mbrojtjes së popujve të vegjël, është një nga parimet bazë që ka shpallur
presidenti (Woodrow Wilson).…Amerika e ka për detyrë të pranojë thirrjen e
shqiptarëve, të cilët kërkojnë ndihmë, njëlloj sikurse kapiteni i anijes e ka
për detyrë t`i përgjigjet sinjalit SOS dhe t`i ofrojë ndihmë anijes që po
mbytet.”
Personalisht falenderoj të gjithë
personalitetet shtetërore brenda dhe jashtë vendit, historianët, studiuesit dhe
autorët e ndryshëm, të cilët brenda hapësirave që u lejohen, qofshin ato
politike, studimore, gjeografike dhe historike, janë përpjekur dhe përpiqen
duke dhënë kontribute të çmuara në vazhdimësi, nëpërmjet analizave bazuar
në argumente shkencore, në mbrojtjen dhe
sensibilizimin e problemit të madh kombëtar. Njëkohësisht të konsolidimit të
shteteve, në mbrojtje të së drejtave ndërkombëtare, konkretisht në rivendosjen
e të drejtave ligjore të banorëve të komunitetit shqiptar të Çamërisë (çamëve
myslimanë të martirizuar dhe çamëve ortodoksë të vuvosur-të pagojë-etnikisht).
Kohët e fundit,
sidomos mbas zgjedhjeve të 25 qershorit, kanë qarkulluar dhe vazhdojnë të
qarkullojnë hamendësime të ndryshme, disa prej të cilave dashamirëse, por disa
dashakeqe, duke synuar në përçarjen e tyre me goditje të kamufluara se në këto
zgjedhje komunitetit çam i mungoi solidariteti dhe uniteti për të siguruar
rrugët e zgjidhjes së “Çështjes Çame”.
Mendime të tilla
janë nul, nuk kanë aspak vlerë, dhe mbi të gjitha ata, qoftë individa me apo pa
pushtet, qoftë institucione shtetërore, apo joshtetërore, studio televizive,
shtypi i shkruar apo elektronik, në arësyetimet e tyre si më sipër, tregojnë se
janë larg njohjes së intelektit të komunitetit çam në tërësi dhe problemit
madhor për të cilin shoqëria euroatlantike u a ka krijuar, në kundërshtim të
hapur me ligjet ndërkombëtare të të drejtave universale në fuqi, të cilat jo pa
qëllim u cituan më lart.
Dhunimi
masivisht i çamëve, me të gjitha metodat antinjerëzore nga ana e shtetit Grek,
grabitja e pasurive, masakrimet, mohimi i çdo të drejte edhe ato sociale, dëbimi
masiv nga e drejta e vendlindjes, duke përdorur me sukses mashtrimet dhe
manipulimet ndaj tyre tek aleatët gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, nuk
kanë dhe as që duhet menduar nga askush se kanë lidhje me fletushkat e kutive të
votimit. Mendim, absolutisht i papranueshëm!. Dy gjëra tejet të ndryshme si në
përmbajtje dhe në të drejtat ligjore. E para është çështje jetike, goditje
shpirti, rënkim i përhershëm zemrash, dhembje e thellë. E dyta është veprim i
zakonshëm, i përsëritshëm në dy dhe katër vjeçarë, dëshirë për të zgjedhur
alternativat më të dobishme, më të përshtatshme
për shoqërinë në tërësi, shkurt një e drejtë për të zgjedhur.
Të njësosh të
parën me të dytën, fjala vjen, duhet t’u kërkosh që familjet e komunitetit çam
të vrapojnë në çdo dy apo katër vjet, sa tek njëra parti tek tjetra, kur dihet
fare mirë se motivi i vrapimit nuk përkon me zgjidhjen e problemit të tyre,
prandaj ata, në këtë drejtim janë të qartë dhe nuk bien pré e cytjeve mediatike
dhe jo vetém. Ata nuk vrapojnë tek kutitë e votimit për zgjidhjen e dhembjes së
tyre të thellë, por vrapojnë si gjithë qytetarët për të votuar alternativat.
Nuk ka askush të drejtë tu kërkojë familjeve çame të votojnë për këtë apo atë
parti duke tundur parrullat se do zgjidhin “Çështjen Çame”, kjo spjegohet fare
thjeshtë, sepse asnjë parti nuk ka atribute për të zgjidhur çështje bilaterale
apo multiraterale dhe as ti zbatojë, vendimmarrjet dhe vënien në ekzekutin të
tyre janë “pronë” e institucioneve përkatëse shtetërore!..
Nëse ndokush ka
oreks për të ditur se ndër familjet e komunitetit çam, ka solidaritet, apo
unitet për të qenë të njëzëshëm në
zgjidhjen e “Çështjes Çame”, mos u lodhni kot ta kërkoni tek kutitë e
votimit elektoral. Për të kuptuar këtë unitet, rruga e vetme është një dhe vetëm
një, pikërsiht realizimi i referendumit nën drejtimin e Bashkimit Europian, me
pyetjen: “A dëshironi të riktheheni në
vendin e të parëve tuaj?”. Dhe me përfundimi e referendumit, të fillojë
seriozisht ekzekutimi i vullnetit të lirë të shfaqur nga ai komunitet, e
sigurtë se fiton fjala “PO”, të nisin veprimet për të rimarrë dhe fituar të
gjitha të drejtat e njohura me ligje ndërkombëtare. Besoj se zgjidhja e atij
problemi e ka rrugën të gjetur, por duhet shteti shqiptar sëbashku me
institucionet zyrtare ndërkombëtare, të marrin përsipër vetëm zbatimin e ligjeve
të karakterit ekzekutiv.
Megjithatë, nisur
nga trajtimet që bëhen, lidhur me nevojën e unitetit të atij komunitet, në
realizimin e zgjidhjes së kërkesave të tij, parashtroj disa probleme specifike
të cilat në “pamje të jashtme” lënë të kuptohet se gjoja ato kanë ndikuar dhe
ndikojnë për të arritur një veprim solidar të tyre dhe konkretisht:
1.-Tashmë, është
arritur bërja e njohur për varganin dhe
udhëkryqet e gjata të vuajtjeve të atyre banorëve ku, nga viti 1913 deri në
vitin 1944, Fuqitë e Mëdha përkëdhelën shtetin dhe kishën ortodokse greke, duke
sakrifikuar një komunitet të vogël për nga numuri, por të madh në vlerat e
trashëguara nga pellazgjia. Është një nga shembujt ku ka vepruar egërsisht parimi
i diferencimit mes popujve të vegjël dhe popujve të mëdhenj, të cilai u
trajtuan në fillim të shkrimit.
2- Me të drejtë,
sot më shumë se kurrë, kërkohet një unitet i këtij komuniteti (gjithëmonë në
dukjen e jashtme). Sigurisht, thirrja për solidaritet, dhe unifikimi i mendimit
dhe i veprimit është domosdoshmëri dhe duhet të ishte e realizuar, sepse është
e pranishme në çdo familje të atij komuniteti. Nuk dyshoj aspak se në zemrat,
mendjet dhe dëshirat e atij komuniteti mungon uniteti, por thellë në
ndërgjegjen, vetëdijen e tyre, bile për ata është objektivi kryesor, sa i
përket zgjidhjes së një çështje shumëpalëshe (për anëtarët e komunitetit çam;
shtetit shqiptar; grek dhe institucioneve ndërkombëtare), por bashkësia e këtij
komuniteti, për të qenë e suksesëshme në një mendje për thirjet partiake që i
bëhen, ka patur dhe ka vështirësira të shumta, për të besuar një apo më shumë
subjekte politike, apo dhe institucione shtetërore, brenda dhe jashtë vendit.
Le të njihemi në
mënyrë të përmbledhur me disa prej të shumtave vështirësi të diktuara, vetëm
ndaj një grupi specifik njerëzish:
●- Në fillimet e
ardhjes, për çamët ishin arësyet e vendosjes së refugjatëve jo në bazë
fshatrash, siç ishin në vendin e tyre, por sipas rastësisë dhe ndonjë të
afërmi, udhërrëfyes i ardhur më përpara se ata në Shqipëri, ose disa me
shpresën e kthimit qendruan në afërsi të qyteteve dhe fshatrave pranë kufirit
me Çamërinë. Vargani i familjeve çame në ato fillime lëvizte dhe mendonte për
mbijetesë!
●- Përballja me
vështirësitë ekonomike, strehimin, mungesat e punësimit, shkollimi, mostrajtimet
shendetësore etj. ishin pa fund. Kryefamiljarët e çamëve ligështoheshin nga
faktet e shumta që fëmijët u flinin pa bukë, dridheshin nga të ftohtit si ditën
dhe natën, mungesa e shtrojeve dhe veshjet e arnuara. Frontet e punëve mungonin
për të gjithë popullsinë, por më e theksuar ishte për çamët e dëbuar. Hija e
vdekjeve e pranishme në çdo familje. Kriza e madhe ekonomike e vitit 1953,
pllakosi gjithë Shqipërinë, por tek ai komunitet, ajo krizë rëndoi më me
ashpërsi dhe mbijetesa po lëkundej.
Krahas tyre,
shteti pritës, sado që e dinte se “bërthama” e pellazgëve gjendej tek ata, “refugjatët
e ardhur”, i druhej qendrimit njerëzor
ndaj tyre nga frika e përplasjeve ndërshtetërore. Si rrjedhojë filluan
strategjitë e nënëdheshme, deri, pse jo, dhe zhdukjen fizikisht, sidomos burrat
emigrantë, masë kjo e dukshme me vendosjen e mobilizimit të meshkujve
emigrantë-çamë, kundër ndërhyrjes ushtarake greke të vitit 1949. “Meshkujt
emigrantë çamë, të dërgohen të luftojnë kundër grekut në Gramos, ndërsa
familjeve të tyre tu jepet tokë, ku të punojnë gratë dhe të ushqehen!!”. Kjo ishte “ndihma” e shtetit komunist shqiptar
për familjet e ardhura, në periudhën kur rreth tyre vërtiteshin uria, strehimi,
sëmundjet, papunësia, përbuzja, përndjekja dhe pragvdekja e cila nuk mbeti pa
gjë, megjithatë nuk po largohej.
Qendrime jo
korrekte ndaj këtij grup-njerëzish lidhur me problemin e tyre, si nga politika
dhe shteti shqiptar, kanë qenë të pranishme sa herë që ky problem bëjet i
"gjallë". Pa i shtjelluar të gjitha rastet, le të veçojmë më të
afërmet. Prill 2004, pjesëtarë të komuniteti çam dhe jo vetëm, me
parrulla paqësore grumbullohen para selisë së Kuvendit duke pritur miratimin e
Rezolutës çame, e cila ishte premtuar paraprakisht se në atë seancë do të
miratohej. Por politika, për arësye që kuptohen, urdhëron policinë për
shpërndarjen e tyre dhe shkopinjtë vërviten në trupat e pjesëmarrësve,
duke i gjakosur fytyrat dhe goditur trupat. Turma largohet e pezmatuar, e
zhgënjyer; shpresat veniten, besimi në mbrojtjen e së drejtës nga shteti, drejt
shuarjes.
Mbas afro një
dekade, u dëgjuan zërat “mashtruese” se Rezoluta e vitit 2004 na paska qenë
miratuar!?. Familjet çame dhe jo vetëm, të habitur dhe të zhgënjyer, me të drejtë
rrinë e mendojnë, duke pyetur vetveten: “Rezoluta mori miratim, po pse policia
duhej urdhëruar të shpërndante paqësorët duke i gjakosur dhe pse u fsheh ai
miratim?!. Mos vallë me atë veprim parlamenti deklaroi: “Populli im, unë bëj
ç’farë të dua me ty, por frikën ja kam dikujt tjetër, prandaj po ruaj
mospërplasjet me fqinjët tanë të dashur”!
Vitet iknin të
shoqëruara nga heshtja dhe hera herës nga demagogjitë e "studiove të avokative
angleze", me takimet e ndonjë europarlamentari, apo senatori, me gjetjen e
"mekanizmit" çudibërës etj. se “Çështja Çame” është shtruar për
zgjidhje, kur dihet se çështje të tilla zgjidhen në rrugë institucionale.
Euforia adoleshente arrin deri atje sa deklarohet me pompozitet: “Sot jemi në
Kllogjer, miq të dashur, por vitin tjetër homazhet do ti bëjmë në
Gumenicë-Çamëri!” Përsëri vitet ikin dhe përsëri nga egërsia njerëzore 100
vjeçare, dëgjohen fjalët " inekzistente", "bashkëpunëtorë me okupatorin".
Erdhi fillimviti
i 2017 dhe i vitit të 73-të, i kryerjes së atij gjenocidi. Kërkesë në parlament
për një seancë dëgjimi të historisë së atij gjenocidi. Brofet në këmbë nga
disa ligjbërës. Si, seancë parlamentare? Për ç'farë? Nuk ka kohë për të
tilla probleme, na duhen pregaditjet për zgjedhje etj. etj. Kështu u
mbyll edhe kjo tentativë, si të tjerat dhe si për herë!
Ku ta kërkojë
komuniteti çam subjektin serioz dhe të besueshëm shtetëror apo partiak, për të
siguruar vërtetësinë e zgjidhjes së problemit, që ai të tregohet edhe në pamjen
e jashtme solidar dhe në unitet? Në të vërtetë, në brendësinë e trupit dhe të
shpirtit të tij, atij nuk i mungon njëmëndësia për domosdoshmërinë e zgjidhjes,
por nuk janë pjekur kushtet e krijimit të subjektit të besueshëm, të duhur dhe
kopetentët për ta marrë përsipër zgjidhjen e plotë të shumëdhimshurisë së
familjeve çame.
Pa kaluar dekada
e shpërnguljes, po shteti shqiptar, negocioi me shtetin grek, vrasësin e tyre,
duke i tradhëtuar me dhënie shtetësie
shqiptare në grup. Veprim, për të plotësuar kërkesën dhe qëllimin shfarosës të
shtetit fqinj ndaj tyre, i cili donte një shkak zyrtar për ti përjashtuar çamët
nga amnistia që po përgadiste për “demokratët” e saj, ku ligjërisht
përfshiheshin edhe çamët. Demokratët grekë, përfituan nga amnistia dhe u kthyen
në shtëpitë dhe pronat e tyre; ndërsa çamët u përballën me heshtje, trysni,
burgime dhe vrasje, duke sajuar akuza tepër të rënda “tradhëtarë të partisë dhe
atdheut”, për një grup intelektualësh çamë, të vlerësuar për merita, si gjatë
L.Na.Çl. ashtu dhe në postet e rëndësishme shtetërore.
Masat e dënimit:
varje, vrasje, burgime dhe internime. “Bombë” shfarosëse, përçarje, përbuzje
dhe çvleftësim masiv ndaj komunitetit çam!!?. Trysni, ndrydhje ndjenjash,
goditje në palcën e trupit çam. Heshtje e detyruar, deklasim, seleksionim masiv
në të drejtat e punësimit, shkollimit, kulturës. Çoroditje, vështirësi
mbijetese për gjatë gjithë viteve të pushtetit socialist.
Më pas, filloi
disi “zgjimi” për bashkësi, me organizimin e SHPAÇ. Ai organizim ndërrtoi baza
të mira dhe përgjithësisht pati lëvizje të admirueshme. Duhet theksuar, se në
SHPAÇ, ishin “rrjeshtuar” po thuaj të gjithë çamët e larguar dhunshëm nga vendi
i tyre dhe drejtuesit ishin shumica të
lindur në Çamëri, dëshmitarë dhe mbartës të gjenocidit grek.
●- Krijimi i
subjektit politik, fillisht pa shtesën e shkronjës “U”, eci po thuaj në trasenë
e shtruar nga SHPAÇ, pavarësisht se në anëtarësimin e saj, si në kryesinë
drejtuese dhe në ato vendore pati mungesa intelektualësh, përsëri ndjehej
ndjenja dhe përgjegjësia për mbrotjen e “aromës” së gjakut të fëmijëve të therur, grave të
djegura me benzinë, pleqëve të groposur gjallë. Kaluan pak vite dhe ai subjekt
politik u shtua duke mbartur dhe shkronjën “U”, që nënkupton “Unitetin”,
konsolidimin e njëmendëisë së komunitetit çam, të bashkëshoqëruar nga e gjithë
shoqëria shqiptare kudo ku gjendet.
●- Dalëngadalë
po ikën një shekull, trupat e po thuaj të të gjithë atyre të ardhurve nga
Çamëria, dergjen nën dhé, shpirtërat si yje shkëlqejnë në qiellin e Çamërisë.
Malli, dhëmshuria për bashkëqytetarët çamë që jetonin në vendin e tyre, për
shtëpitë, arat, pronat etj. pothuaj është venitur nga ndërrimi i jetës i
shumicës së atyre të dëbuarve dhunshëm,
por mbetet ende vetëm tek ata të pakmbeturit gjallë!. Plaga po thuaj ka zënë
dregëz (kore). Tek të rinjtë, brezi i parë i të lindurve në këtë anë kufiri, si
dhe brezat që do vijnë, kërkesat, përpjekjet dhe angazhimet për “zgjidhjen e
çështjes çame” nuk janë shuar dhe as nuk do të shuhen, sepse i shtyn malli ndaj
prindërve, instinkti natyror, ndjenja e tërheqjes së gravitetit drejt “vendit
autokton”, respekti për tokën e të parëve dhe përgjegjësia për të realizuar “Amanetin
Çam”.
“Fjalët e liga”,
përhapen nëpërmjet demagogjisë dhe argalisen (thurren-enden) në shkrimet
historike, romane, etj. duke nxjerrë nga syrtarët e ndryshkur të gënjeshtrave
se tek komuniteti çam rezident në Shqipëri, nuk është shuar kërkesa për
rikthim, mbasi ata u zhgënjyen me gjendjen e prapambetur ekonomike, politke dhe
sociale që gjetën në atë vendd, nëse ata do të ishin vendosur në ndonjë shtet
tjetër, nuk do ishte kjo situatë. Urtësia popullore na këshillon: “Gjuha kockë
nukë është, por kocka thyen”. Në demokraci mendimet si të mënçura dhe të
pavlerë, e kanë “sheshin” e hapur, por
pikërisht është po “sheshi” që i sheshon, i seleksionon dhe mbi kriterin e së vërtetës,
mendimet e çoroditura, siç është ky i mësipërmi, i hedh në koshin e mbeturinave
dhe me që qelbin, spërkaten me ilaçe asgjësuese.
Çamët, kudo që të
degdiseshin nga egërsitë njerëzore të kohës, shenjtërinë e tokës së tyre nuk do
ta çpërdhosnin, sepse ajo tokë është unike për ‘ta, e shtrenjtë, jo vetëm si pasuri, por edhe si
trashëgimi dhe me vlera historike, antropologjike, dhe gjenealitike, që Zoti u
a ka caktuar atyre. Ata, nuk u larguan prej saj me dëshirë, nuk e kanë shitur,
as e kanë dhuruar, apo dhënë me qera; po ata, tokën e tyre të shenjtë, u a kanë
lënë në trashëgimi pasardhësve të tyre, mbështetur në ligjet ndërkonmbëtare mbi
pronësinë e tokës, pasurive të patundshme dhe të tundshme. Por këto parime nuk
kuptohen nga të pafetë, nga vrasësit, vjedhësit apo rrëmbyesit, sepse tek qenia
dhe ndërgjegja e tyre, ka vend vetëm për egërsi.
●- Trysnitë e
pafundme, të shumëllojta, të tërthorta apo ballas, si nga brenda fisit dhe nga
jashtë, apo etnisë dhe të antikombëtarëve, i detyrojnë të rrëgjohen nga “vuajtjet
tashmë të plakura”.
●- Të merret
përsipër zgjidhja e çdo lloj problemi kombëtar, sidomos kur ato mpleksen me
interesa të specifikuara me fqinjët, krahas shumë strategjive dhe taktikave,
sipas përkatësisë, duhen dije të shumta, ide të qarta për “ç’farë dhe përse”
duhen ndërmarrë rrugët e zgjidhjes; kërkohet mbi të gjitha të sigurohet
drejtësia dhe saktësia e të vërtetës që
kërkonhet për zgjidhje; duhet të studiohet statukuoja gjeopolitike që përkon me
problemin për zgjidhje dhe, me njohjen e saj duhen përpjekje që statukuoja ti
afrohet seriozitetit dhe krijimit të bindjes tek aktorët që koha i ka caktuar
për të vendosur “goditjen e çekanit të drejtësisë”. Duhet siguruar seriozitet, vërtetësi në
deklarimet për përgjegjësitë që merren për të realizuar zgjidhjet, sado të pamundura
që mund të duken, ose diktohen.
Me qenë se jemi
tek problemi i zgjidhjes së “Çështjes Çame”, nga kushdo që deklarohet për
ndjekjen e zgjidhjes së saj, kërkohen hedhje hapash tepër të kujdesëshme, të
vërteta, të zgjuara, të arrihet të sigurohet bindja se ka ndershmëri,
seriozitet dhe aspak demagogji.
Si duhet quajtur
mungesa e organizimit të përvishëm i homazheve për martirët e nënëdheut të
Kllogjerit? Harresë, nënvlerësim, apo mbivlerësim dhe parësor vetëm procesi zgjedhor?
Kur të dyja ato ngjarje janë dhe duhet të jenë të pandashme, ti shërbejnë dhe
ti qendrojnë devotshëm, besnike dhe të sinqerta njëra-tjetrës!!? Ndryshe mendoj
se, dashje pa dashje, krijohen hije dyshimi për demagogji në trajtimin e
“Çështjes Çame”, sidomos nga subjektet politike! Kjo, godet në ndjeshmërinë e plagës të këtij
komuniteti dhe , siç u trajtua më sipër, ndikon negativisht në besueshmërinë
dhe seriozitetin e cilitdo subjekti politik që mendon të angazhohet në
zgjidhjen e “Çështjes Çame”.
●- Në fund të këtij shkrimi, me ndershmëri dhe
sinqeritet dashamirës, po i drejtohem subjektit politik PDIU me disa pyetje,
për të qartësuar opinionin mbarëshoqëror lidhur me cilësimet e asaj partie, si parti
e çamëve, kur dihet se nuk mund të ketë partira me kritere krahinore,
gjithashtu nëpërmjet këtyre pyetjeve shpreh dëshirat e mia për të shërbyer si
këshilla, nëse edhe ata i dëshirojnë, i quajnë të vlefshme dhe të pranueshme:
-Sa përqind e
anëtarësisë në atë parti janë çamë?
-Sa përqind e të
punësuarve nga ky subjekt, janë nga komuniteti çam?
-Sa përqind nga
këta çamë, janë intelektualë dhe me reputacion në shoqëri?
●- Së fundi, me
keqardhje çamëve, si ortodoksë dhe myslimanë, shansi natyror dhe historik i
fqinjësoi me shtetin fetar ortodoks, i cili vazhdimisht bëlbëzon vetëm fjalët:
“Inekzistente” dhe “mos ballafaqim” me të shkuarën, sepse e tmerron humbja e kështjellave prej rëre të
ndërtuara në këto 100 vite!.
●- Të marra në
tërësi dhe në kompleks situatat shoqëruese ndaj tyre, gjatë gjithë një shekulli,
personalisht qendrimet e banorëve të komunitetit çam, të cilët i njoh “nga koka
deri në majën e thoit”, si i thonë fjalës, i shikoj “duke buzëqeshur lehtë dhe
me tundje koke të avashtë (të ngadaltë)”, ndaj kujtdo që mendon se po merret me
“çështjen çame” duke përdorur demagogjinë!! Qendrim i tillë, i qytetarëve shqiptarë me
origjinë nga Çamëria nënkupton: “A e din ti zotëri me cilin po flet??!”
Përshëndetje të
sinqerta dhe të përzëmërta, ndaj të gjithë personaliteteve dhe institucioneve
shtetërore dhe jo shtetërore, brenda dhe jashtë Shqipërisë, që merren
seriozisht me trajtimin e “Çështes së
çamëve myslimanë dhe çamëve të krishterë banues në Çamëri, në vendin e tyre
autokton.”.
Zoti i bashkoftë vllezërit çamë (myslimanë dhe
të krishterë) në vendin e të parëve të tyre!?
Më 05 tetor 2017.- Fahri Dahri
No comments:
Post a Comment