Saturday, 14 October 2017

ROBERT ELSIE - I SAKTI, I URTI, PUNETORI I MADH DHE MIKU I DASHUR I SHQIPTARËVE

Thanas L. Gjika
ROBERT ELSIE - I SAKTI, I URTI, PUNETORI I MADH
DHE MIKU I DASHUR I SHQIPTARËVE
(Kujtime)
Të hënë më 2 tetor 2017 vdiq Profesor Robert Elsie, albanologu më i shquar i ditëve tona në një spital të qytetit Bon të Gjermanisë, pasi ishte shtruar për t'u kuruar prej motor neuro disease. Kisha nja tre muaj që heshtja e tij dhe mospërmendja e emrit të tij në shtypin shqiptar, më ngjallte shqetësim. Më shkoi mendja të shkruaja disa kujtime për të dhe t'ia dërgoja si mirënjohje për gjithë atë punë që kishte bërë në disa fusha të albanologjisë. Mirëpo ditët shkonin njëra pas tjetrës duke u marrë sot me një gjë e nesër me diçka tjetër dhe, ja erdhi dita që më duhet t'i shkruaj, pa u konsultuar me të për disa saktësime datash dhe emrash.
Gjatë vizitës së tij të parë
Njohja ime me Robert Elsie-n ndodhi gjatë vitit 1977. Ai kishte ardhur pranë Akademisë së Shkencave për të bërë kërkime e studime lidhur me letërsinë tonë. Donte të mblidhte material për të hartuar një histori të letërsisë shqiptare anglisht, vepër e munguar. Nga ana e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë më ngarkuan mua ta shoqëroja për ta ndihmuar gjatë punës në Bibliotekën Kombëtare, Bibliotekën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe në Bibliotekën e Institutit tonë...
Më ra në sy kujtesa e tij e fortë, karakteri i tij i qetë, e folura pa nerv. Nuk qeshte me zë, por buzëqeshte heshturazi. Fliste shqip me një fjalor jo shumë të pasur, por i shqiptonte shumë saktë të gjitha zanoret dhe bashkëtingëlloret e gjuhës sonë dhe nuk mund ta dalloje se cila ishte gjuha e tij amëtare. Kisha vënë re se gjermanët, francezët, italianët edhe më shumë rusët e grekët e flisnin shqipen me thekse të ndryshme, që mund t'i dalloje shpejt se cila ishte gjuha e tyre amëtare. Roberti e fliste shqipen pa asnjë akcent gjuhësh të huaja. Kur e pyeta se si e shpjegonte këtë dukuri, më tha se ai ishte rritur në Vankuver të Kanadasë, ku flitej anglishtja, por kishte mësuar që herët gjermanishten dhe gjatë shkollimit frëngjishten, keltishten, italishten, sërbishten, etj. Më sqaroi se shqipen e kishte mësuar kryesisht në rrugë autodidakte dhe se ishte përqendruar në zotërimin e gjuhës letrare të njësuar dhe nuk i njihte ende dialektet.
Më shprehu dëshirën se po t'i jepej një bursë mund të bëhej nja dy vjet student në Fakultetin Histori Filologji. Mirëpo kjo mundësi nuk iu dha. Më tej ai erdhi shpesh në Shqipëri dhe Kosovë. Në Prishtinë mori pjesë në Seminaret e gjuhës shqipe që organizonte çdo vit Fakulteti Filozofik gjatë muajve të verës.
Nga pamja e jashtme, nga sjellja shumë e kujdesshme, njohuritë e gjera kulturore, gjuhësore dhe letrare, mosshprehja e opinionit për të tjerët, buzëqeshja e tij disi e ngrirë, më krijuan idenë se ai mund të kishte origjinë hebraike. Mirëpo as gjatë takimeve të atyre ditëve dhe as gjatë takimeve dhe shoqërimeve të mëvonëshme, nuk e pyeta për origjinën e tij familjare. Ai nuk fliste kurrë për familjen e familjarët e tij.
Mbante veshur pantallona dhe këmishë që nuk kishin nevojë t'i hekuroste, kurse sandalet i kishte prej një materiali plastik, që nuk kishte nevojë t'i bojatiste. 
Një ditë, për të mësuar diçka rreth rinisë së tij, e pyeta:
- A e ke vizituar kryeqytetin e Kanadasë?
Ai m'u përgjigj: “Në brigjet kanadeze të Paqësorit, ka shumë njerëz që lindin, jetojnë, plaken e vdesin pa e parë Otavën, kryeqytetin e shtetit. Unë me katër shokë pasi mbaruam maturën blemë një makinë të re dhe një çadër. Udhëtuam për gjashtë ditë duke fjetur natën në çadrën tonë. Gjashtë ditë kur shkua dhe gjashtë ditë kur u kthyem. Kanadaja është fushë e pamasë. Iknim me orë të tëra dhe në horizont nuk shihnim tjetër vetëm fusha me grurë. Kishim përpara fusha pa fund, horizont i njëjtë, platacione me grurë, herë pak të tatëpjeta e herë pak të përpjeta. Ishte një monotoni. Tani rrugët janë sistemuar më mirë dhe automjetet janë shumë më të shpejtë...
Ne kishim mbledhur jo shumë pare nga punët që kishim bërë gjatë kohës së shkollës, prandaj nuk mund të flinim nëpër hotele. Në hotel fjetëm vetëm në Otava. Shumicën e ushqimeve i blinim gjysëm të gatshme dhe i hanim pa i gatuar”.
Mua nuk m'u durua dhe e pyeta: - Po prindërit, nga ana e tyre nuk ju dhanë para?
- Mbas viteve 1950-1955, më sqaroi ai, mirëqenia e popullit kanadez ishte rritur dhe midis të rinjve u krijua një psikologji sipas së cilës, marrja e ndihmave prej prindërve ishte turp. Sejcili kishte mundësi, që me punën e vet të krijonte të ardhura të mjaftueshme për të jetuar e studiuar si të donte vetë, pra ishim të pavarur nga prindërit.
Jeta disi e ndarë nga bota atje në Vankuverin e largët më nxiti të synoj për të ardhur e jetuar në Europë. Që në fëmijëri më ishte ngulur ideja se Europa ishte pjesa më e mirë e botës.
Kur shkuam tek Biblioteka e Lidhjes së Shkrimtarëve, Flutura Greva shefja e bibliotekës, e sqaroi mikun se shkrimtarët, anëtarë të Lidhjes, sipas rregullit kishin depozituar sejcili nga një biografi të shkurtër mbi jetën dhe listën e botimeve të tyre. Roberti ia kërkoi dhe pasi pa disa, iu lut që t'i merrte me vete për të mbajtur shënime. Meqenëse Lidhja nuk kishte makinë kopjimi (kseroks), Flutura ia dha dhe ai i kopjoi mbrëmjeve në hotel dhe paraditeve kur punonte në Bibliotekën Kombëtare. 
Kishte një shkrim të vogël, si shkaravitje. Shkruante me dorën e majtë, gjë që më bëri përshtypje, sepse tek ne nuk lejohej të shkruaje me dorën e majtë. Mu kujtua fëmijëria ime, kur isha në klasën e parë. Zonjushja ime, kur më pa se shkruaja me dorën e majtë, më detyroi që të mësoja të shkruaj me dorën e djathtë. Më dha detyrë të mbushja me shkrimin e dorës së djathtë faqe të rëra me gërmat a, A, b, B dhe c, C që kishim bërë deri atëhere...  
Në vitet 1970-1980 tek ne nuk kishin hyrë kompjuterat, kurse Roberti punonte në shtëpinë e vet në Gjermani në një kompjuter të vogël. Kjo ia shtonte atij shpejtësinë dhe saktësinë e punës. Gjatë vizitave të para, ai nuk e përmendi faktin se punonte në kompjuter, ndoshta nuk donte të na lëndonte për varfërinë tonë.
Duke pirë kafe një ditë e pyeta:
- Si të lindi ideja të merresh me letërsinë shqipe, letërsi e një populli të vogël dhe që është zhvilluar në një gjuhë të vështirë? Me gjuhët që dije, ti mund të studjoje letërsi më të mëdha dhe mund të arrije suksese pa u lodhur të mësoje shqipen e vështirë.
Roberti, më sqaroi:
- “Në Europën Perëndimore është vështirë të gjesh tema studimi në fusha si historitë e letërsive dhe historitë kombëtare të popujve. Janë kryer aq shumë studime, sa që studjuesit e kanë vështirë të gjejnë tema studimi. Historia e letërsisë shqipe është një vepër e munguar në anglisht, prandaj mendova se ia vlente mundimi për të mësuar këtë gjuhë me anën e së cilës do të kapja një temë studimi që intereson shkencën dhe kulturën europiane.
Letërsia shqipe, është letërsi e pasur. Ka shumë popuj në Europë, që janë më të mëdhenj se populli shqiptar, si psh populli hollandez, por ky nuk ka letërsi të pasur si ka populli shqiptar. Populli shqiptar është popull që ka probleme dhe një popull që ka probleme e lëvron letërsinë shumë më tepër se popujt që nuk kanë probleme. Hollandezët janë marrë e merren me pikturë. Kosova zjen, prandaj atje lulëzon poezia”.
Gjatë vizitave të mëvonshme
Pas vizitës së parë, Roberti erdhi shumë herë të tjera në Shqipëri. Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë më vuri sërisht ta shoqëroja e ndihmoja deri në vitin 1996, kur unë fitova lotarinë amerikane dhe u largova nga Shqipëria.
Ndoshta ishte mars -prill i vitit 1978, mbaj mend se ishte si shoqërues edhe Fatos Beja, punonjës tjetër i Institutit. Pasi vizituam Pazarin dhe Kalanë e Krujës, Roberti hapi bisedën për Bektashizmin. Pyeti nëse kishim parë ndonjë baba teqeje i cili gjatë kërcimit ritual fuste një thikë ose një shtizë nëpër bullçijtë e tij. Unë i thashë se kisha dëgjuar, por nuk kisha parë gjë të tillë. Fatosi i tha se kishte parë një ritual të tillë në një teqe në Gjinokastër kur ishte 14 ose 15-vjeçar.
Kur zbritëm në Fushë Krujë, para se të vijonim rrugën për Tiranë, Roberti kërkoi të ndalonim tek ish Teqeja e bektashinjve. Pyetëm dhe na treguan ku ndodhej. Prej kohësh ajo ishte kthyer në ambjent të një ndërmarrjeje prodhimi. Nuk mbaj mend se si quhej dhe çfarë prodhonte ajo ndërmarrje. Tek hyrja, në të majtë të portës së madhe ishte një pllakë e gurtë e thyer. Gjysma e saj qëndronte në mur brenda një kornize të krijuar nga gurë të skalitur pjesë përbërëse e murit, kurse pjesa tjetër ishte e rrëzuar në tokë, e thyer në disa copa. Në këtë pllakë jepeshin të dhëna në arabisht për atë teqe.
Roberti u afrua dhe u gëzua kur pa se shkronjat ishin të lexueshme. E fotografoi. Pastaj mblodhi copat që ishin për tokë, i afroi, i sistemoi sipas shkrimit dhe e fotografoi dhe atë pjesë.
Pastaj tha se kishte ndjekur një kurs për të mësuar alfabetin e arabishtes dhe se dinte shumë fjalë të asaj gjuhe, gjë që nuk e kishte thënë më parë. Modestia nuk e linte të mburrej e të përmendëte gjuhët që dinte, studimet që kishte kryer, artikujt që kishte botuar, dhe as plane për të ardhmen.
Të nesërmen kërkoi të vizitonte Varrin e Naim Frashërit që ndodhej tek ish Teqeja e KryeGjyshit Botëror. Në vitin 1937, me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë, Mbreti Ahmet Zogu u interesua dhe i solli nga Stambolli eshtrat e Naim Frashërit, autorit të poemës Qerbelaja, një nga poemat më të shquara të Bektashizmit. Ky institucion, pas vitit 1967 ishte kthyer në azil për pleq, kurse KryeGjyshin Botëror, Baba Dedejn, nuk dihej ku e kishin degdisur. Kjo qendër dikur aq e rëndësishme për besimin Bektashi ndodhej në anën lindore të Tiranës mbi vargun e kodrave. Jo larg saj u ndërtuan Uzina Traktori dhe Kombinati Poligrafik.
Shkuam atje, takuam drejtoreshën e azilit e cila na shpuri tek vendi ku ishte Varri i Naimit. Ajo dhe pleqtë azilantë na thanë se aty preheshin eshtrat e poetit, por në shtypin e vitit 1950 ishte shkruar se eshtrat e Naim Frashërit u shpërngulën dhe ishin rivarrosur anës bulevardit kryesor, pranë godinës së Komitetit Qendror të PPSH.
Më 1940, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së poetit kombëtar, Varri i Naimit te Kryeqendra e Bektashizmit Botëror ishte rindërtuar si dhuratë e Fancesko Jakomonit. Ishte vërtet madhështor. Qeveria komuniste ia kishte dëmtuar madhështinë, por ende dukej që kishte qenë një objekt monumental i rëndësishëm. Roberti nxori aparatin dhe bëri disa fotografi. Duke u kthyer në Tiranë më tha:
- Ky varr nuk e ka vendin këtu, të paktën duhej të ishte tek oborri i Lidhjes së Shkrimtarëve.
Mirëpo të dy kryetarët e Lidhjes së Shkrimtarëve, as ish kryetari i parë, Dhimitër Shuteriqi njeri me kulturë; dhe as Dritëro Agolli, kryetari aktual i kësaj lidhjeje, ndoshta e dinin ku e kishte vendin Varri i Naimit, por nuk besoj se kishin bërë një vizitë atje për të bërë homazhe me një tufë lulesh.
Sot, indiferenca e tyre e asaj kohe, më kujton faktin se si po këta njerëz të letrave nuk shpunë një tufë me lule gjatë viteve të tranzicionit te memoriali i Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit, dy poetëve martirë të diktaturës komuniste në Librazhd...
Duhej të vinte albanologu Robert Elsie që të sugjeronte një vend më të përshtatshëm për varrin e poetit tonë kombëtar. Ndoshta mendimi i tij ndikoi, sepse pak kohë më vonë u krijua tek Kodra e Universitetit vendi memorial i Vëllezërve Frashëri. Aty u vendosën eshtrat e Naimit e të Abdylit, dhe bustet e tyre bashkë me bustin e Samiut, eshtrat e të cilit nuk i dha e as i jep, qeveria turke, me preteksin se Sami Frashëri i përket kulturës dhe shkencës osmane.
Ciganët, janë analfabetë në Shqipëri si në gjithë Europën.
Gjatë një vizite tjetër Roberti këroi të vizitonte Shkodrën, Bibliotekën e Shtetit dhe Institutin e Lartë, sot Universiteti “Luigj Gurakuqi”. Takoi dhe bisedoi me disa pedagogë, midis të cilëve pati interes për prof. Jup Kastratin, bibliografin e mirënjohur. Mbasdite, para se të niseshim për t'u kthyer, më kërkoi ta shpija tek ish Kisha e Madhe, e cila që nga viti 1967 ishte kthyer në pallat sporti. Brenda saj dëgjohej zhurmë e madhe, bërtitje tifozësh. Po luanin basketboll dy skuadra. Roberti, nxori aparatin fotografik, hyri dhe bëri disa foto.
Gjatë kthimit për Tiranë, aty afër Mamurrasit, pranë një përroi pamë një grup ciganesh pranë çadrave të tyre.
- Ata njerëz janë analfabetë edhe në Shqipëri si në gjithë Europën, tha Roberti.
Duke dashur t'i mburresha i thashë se në Shqipëri shkolla 8-vjeçare është e detyrueshme për gjithë fëmijët dhe ciganët nuk ka si të jenë analfabetë.
- Në Europë mund të ketë analfabetë, por tek ne, nuk ka, shtova unë.
 Roberti tha:
- Nuk beson? Po deshe shkojmë t'i pyesim.
 I thashë shoferit ta ndalte makinën dhe zbritëm. Mora një libër në dorë dhe iu afruam një grupi me vjaza ku midis tyre ishte një 15-vjeçare. Iu afruam dhe më dhe duke i treguar librin, iu luta të lexonte titullin e librit. Ajo qeshi dhe tha:
- Po ku di unë të lexoj.
- Si nuk di, ti a e ke mbaruar shkollën 8-vjeçare? Gati i bërtita.
- Shkollën e kam mbaruar, po nuk kam bërë kurrë detyra me shkrim, nuk kam zënë libër me dorë. Kam mësuar vetëm ato që kam dëgjuar nga shpjegimi dhe më kanë kaluar nga një klasë në tjetrën. As motrat, as shoqet dhe as vëllezërit e mij, as mamaja e as babi nuk dijnë të lexojnë e të shkruajnë.
 Më e pabesueshme ishte kur i thashë nënës së saj, një grua e re nja 35 vjeçe të afrohej e të lexonte fjalët PARTI - POPULL – ENVER, që ishin shkruar me shkronja të mëdha me gurë të lyer me gëlqere të bardhë te faqja e një kodre përballë. Edhe ajo tha se nuk i njihte shkronjat e nuk dinte ta lexonte.
 - Mos ngul këmbë, më tha Roberti, ky popull nga që nuk e shkruan gjuhën e vet, nuk përpiqet të mësojë si të shkruajë e lexojë gjuhën e vendit ku jeton. Kjo është dukuri e ciganëve në mbarë Europën.

Unë punoj vetëm disa ditë në muaj
Kisha vënë re se Roberti nuk ishte person i pasur, se bënte një jetë modeste, por që kuptpoet, dallonte shumë nga jeta tepër e varfër e ne studiuesve shqiptarë. Një ditë guxova dhe e pyeta se ku jetonte dhe ku punonte për të siguruar të ardhurat e nevojshme për jetën.
- Unë jetoj në një fshat të vogël pranë Bonn-it. Atje nuk kam shokë intelektualë, bëj jetë të shkëputur nga banorët. Jam studjues i lirë. Lexoj e shkruaj ç' të dua. Eshtë një komshie plakë e cila më afrohet e më bën nga njëherë muhabet.
Për të më shuar kuriozitetin se ku punonte dhe si i siguronte të ardhurat, shtoi:
- Unë nuk jam i punësuar në asnjë institucion shkencor, por për të sigurar të ardhurat e nevojshme për jetesën, punoj si përkthyes për qeverinë gjermane, ose ndonjë gjykatë, sa herë ato kanë nevojë. Një ditë pune në këto raste paguhet 1.000 (njëmijë) marka gjermane. Me katër ditë pune të tilla unë plotësoj nevojat e mia për gjithë muajin, madje kursej dhe disa marka për udhëtimet.
Pra ky studiues ishte krejt i pavarrur, i pavarrur në zgjedhjen e temave të studimit, i pavarrur dhe nga disiplina e një rrogëtari. Ndoshta kjo pavarësi i krijonte ndonjëherë vështirësi ekonomike, sepse po të mos e kërkonin si përkthyes, ai nuk kishte si jetonte. Një jetë e tillë ishte krejt e pakuptueshme për ne punonjësit e instututeve shkencore shtetërore, të cilëve temat e studimit dhe të ardhurat ekonomike na i caktonte drejtoria e institutit.

 Shqipëria e ka të tashmen të zezë, por të ardhmen të mbekullueshme
Gjatë vitit 1992 Roberti erdhi dy hetë. Herën e parë në verë e pastaj në nëntor. E pyeta për emigrantët tanë në Gjermani. Më tha se kishin ambicie, se përpiqeshin të mësonin gjermanishten dhe shumë prej tyre kishin filluar punë. Pastaj shtoi: - Ty nuk të shau e nuk të kritikoi asnjë prej tyre.
Kuptova se emigrantët tanë i kishin marrë në pyetje për të dhënë opionin e tyre për njerëzit që njihnin, ose për njerëz që interesohej shteti gjerman.
I thashë se jeta jonë në Shqipëri ishte vështirësuar shumë ekonomikisht dhe po të hapeshin edhe një herë ambasadat, do ikja edhe unë me familjen.
- Mos u ngut, më tha, rri, sepse në Gjermani mendohet që Shqipëria e ka të tashmen të zezë, por të ardhmen, pas 20 vjetësh, të mbrekullueshme.
Mirëpo një e ardhme e tillë pas 20 vjetësh, ishte menduar sepse në Gjermani kujtonin se shqiptarët do të ecnin sipas rrugës gjermane, pra do ta dënonin krimin komunist dhe do t'i futeshin punës me ndershmëri e seriozitet si gjernmanët.
Mirëpo pas dy vjetësh, pra më 1994, duke parë korrupsionin dhe mungesën e dëshirës te pushtetarët shqiptarë për krijimin e shtetit ligjor, po në Gjermani, më tha Roberti, u krijua opinioni i kundërt, sipas të cilit Shqipëria ishte kthyer në një kazan plehrash.
Në nëntor të vcitit 1992 u zhvillua një takim shkencor me rastin e 20-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit. U diskutua problemi nëse gjuha letrare me bazë toskërishten e kishte kryer deri atëhere detyrën e saj, apo duhej ndërruar baza e saj me gegërishten.
Gruaja ime, Julia, më tha që t'i ftonim për drekë disa studiues nga Kosova dhe Robert Elsie-n. Kështu gjatë drekës Roberti dhe profesorët Sadri Fetiu, Agim Vinca, Abdullah Zymberi u njohën me Julian, vajzën dhe djalin tonë dhe me nënën time. Studiuesit kosovarë flisnin lirshëm, kurse Roberti dëgjonte.
Kur ikën, Julia tha: “Roberti nusëroi si nuse e bukur, si nuk foli fare.”  
Robert Elsie ishte ateistNë vitin 1992 në Shqipëri u lejua rihapja e institucioneve fetare. Erdhën fetarë protestantë ku bënin pjesë dhe misionarët e kishës Advendiste të ditës së shtunë, besim që nëna jonë e kishte përqafuar që në vitet 1935-1936. Ajo filloi të shkonte rregullisht në takimet e së shtunave, që oranizoheshin në salla të ndryshme që merreshin me qira. Vëllai im i madh dhe unë që jetonim në Tiranë filluam ta shoqëronim nënën në këto takime. Predikimet mbaheshin anglisht prej misionarëve të huaj dhe përktheheshin shqip prej disa djemve e vajzave të reja. Ne na interesonte ushtrimi i veshit në anglisht, gjuha që mori përhapje të shpejtë tek ne pas shkërmoqjes së diktaturës komuniste. E shtuna ishte shpallur ditë pushimi bashkë me të djelën, kështu që kishim mundësi të kalonin disa orë në ato salla predikimi.  Një të shtunë gjatë vitit 1994, kur po kthehesha nga një ceremoni e tillë predikimi, takova Robertin pranë Hotel Tiranës. Pasi mori vesh se unë vija të shtunave dhe dëgjoja predikimet fetare, më tha:
- Mos i merr seriozisht predikimet fetare, se mund të të shpëlajnë trutë dhe nuk do çash më kokën për shkencë. Unë nga ana ime jam ateist, por po të më duhej të përqafoja një besim fetar, do të përqafoja Budizmin, e mbylli ai bisedën.
History of Albanian Literature / Histori e letërsisë shqiptare
Në vitin 1995 Robert Elsie e kurorëzoi punën e tij për hartimin e historisë së letërsisë shqiptare. Atë vit ai e solli veprën e tij anglisht në dy vëllime, botim i COLUMBIA UNIVERSITY PRESS, USA.
Mu bë shumë qejfi, kur autori më dhuroi një kopje të saj. Unë sa kisha mbaruar së studiuari një metodë të anglishtes me 52 mësime, sepse po përgatitesha për lotarinë amerikane.
Vepra më mahniti me informacionin e madh mbi shkrimtarët shqiptarë të të gjitha kohëve dhe të të gjitha teritorreve, me fotografitë e shumta, shumë prej të cilave ishin të panjohura për ne studjuesit e institutit. E ndjeva për detyrë që kësaj dhurate t'i përgjigjesha me një recension. Duke qenë se e njihja lëndën, m'u krijua ideja se kisha ecur mirë në anglisht. Recensioni u botua së pari te gazeta “Rilindja” e Prishtinës, e cila për shkak të përndjekjes në Kosovë, botohej në Tiranë. Një variant më të plotë e dorëzova në revistën shkencore të Institutit “Studime Filologjike” e cila delte tashmë vetëm dy herë në vit dhe me shumë vonesë. Numëri 2 i vitit 1995, ku u caktua të botohej recensioni, nuk ariti të delte nga shtypi as në fillim të korrikut 1996, kur unë me familjen u largova për SHBA.
Miqësinë e vijuam edhe pas vendosjes sime në Amerikë. Më 1998 më dërgoi veprën “Histori e Letërsisë Shqiptare” përkthyer shqip prej Abdurrahim Myftiut, botim i shtëpisë DUKAGJINI Tiranë - Pejë 1997.
Pasi e falenderova, i shkrova se fabrika ku punoja në turnin e tretë u mbyll dhe kisha filluar të punoja si pjatalarës në një restorant. Moszotërimi i anglishtes në nivel të lartë po më pengonte për t'u punësuar në ndonjë punë intelektuale. Roberti m'u përgjigj me të qeshur:
- Mos u mërzit, shumë emigrantë në Amerikë, që punojnë pjatalarës, bëhen shpejt a vonë pasanikë.
Herë pas here këmbenim e-maile, por fatkeqësisht ato që u shkruan në kompjuterin e vjetër, nuk i ruajta. Për herë të fundit e takova në Tiranë gjatë vizitës që bëra më 2008. Unë dhe historiani Iliaz Gogaj po ecnim në rrugë pranë shkollës Sami Frashëri. Roberti na doli para papritur. Pasi u përshëndetëm, Iliazi nxori nga çanta një kopje të librit që kishte botuar atë vit dhe filloi të shkruante dedikimin për t'ia dhuruar Robertit.
Të gjithë studiuesit shqiptarë të fushave humane e deshin dhe e respektonin shumë këtë albanolog dhe i dhuronin me qejf librat e tyre. Madje unë, më 1994 i pata dhuruar dhe një punim në bakër në formë disku, basorelev me temë Gjergj Elez Alia e Bajlozi, vepër e artistit Tirana.
Duke dashur të bëja shaka, i thashë Iliazit:
- Iliaz, ne e duam dhe i dhurojmë libra Robertit, por atij i japin aq shumë libra sa nuk ka mundësi t'i lexojë.Roberti nuk ma mori për keq dhe nuk reagoi me ndonjë thumb. Ndoshta e kuptoi që më kishte mbetur qejfi për dërgimin e librit tim “Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re” MEDAUR Tiranë 20107, të cilin ia kisha dërguar një vit më parë duke iu lutur që ta dorëzonte në Tybingen University, ku kishte specialistë që mund të më ndihmonin për ta bërë problem të shkencës europiane çështjen e vizitave të Shën Palit në territoret ilire, gjë që unë e kisha trajtuar me shumë argumente në atë studim.
- Me të vërtet kohën e kam shumë të pakët, e mori fjalën miku ynë. Nga librat që më dhurohen lexoj vetëm ndonjë që lidhet drejtpërdrejt me synimet e mia. Po më shtohen shumë punët. Më duket se nuk do t'i botoj dot gjithë ato studime që synoj të hartoj.
 Letrën e fundit ia dërgova me e-mail më 29 shkurt 2016, ora 10:17 AM . Iu luta që të shkruante kujtimet e tij për Profesor Eqrem Çabejn. E sqaroja se kisha idenë që të shkruheshin kujtime prej atyre që e kishin njohur nga afër, sidomos prej kolegëve shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës. Ia vlente të përgatitej një libër me kujtime për këtë personalitet të shquar të shkencës shqiptare.
Roberti m'u përgjigj që atë mbrëmje, ora 11:16 (këtu ora 5:16 AM e datës 1 mars). Më falenderonte për letrën, më uronte për idenë, por më sqaronte se ishte shumë i zënë me projete të ndryshme dhe konkretisht profesorin e kishte takuar vetëm një herë. Disa muaj para se profesori të largohej nga jeta, në një takim me shkencëtarë gjermanë në Universitetin e Bonn-it, por që nuk i kujtoheshin hollësira. Më uronte që kjo vepër të kryehej me sukses dhe sugjeronte që të përkthehej dhe në anglisht...
Po i mbyll këto kujtime duke shprehur pakënaqësinë time ndaj Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe instituteve shkencore të saj, sepse kam vënë re se këtë albanolog të shquar, që na solli aq shumë materiale të panjohur dhe studime të shumtë e të shumanshëm, e ka vlerësuar më shumë Akademia dhe institucionet shkencore të Kosovës se sa ato të Shqipërisë. Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, nuk është trajtuar jeta dhe ndihmesa e tij e shquar në albanologji. Kam frikë se kjo akademi nuk do të interesohet për të sjellë në Shqipëri krahas eshtrave të tij dhe gjithë bibliotekën e tij, fondin e letrave, fotografive dhe të materialeve e shkrimeve të tij të pabotuara...
Mezi pres të shkoj në Tiranë e të vendos një tufë lulesh te varri i këtij studiuesi, i cili me jetën dhe veprën tij u shqua për saktësi, urtësi, punë të madhe dhe dashuri ndaj popullit tonë.

I përjetshëm qoftë kujtimi i studiuesit Robert Elsie! 

No comments: