Fjala e Kryeministrit Edi Rama në forumin për Ballkanin perëndimor të organizuar nga BERZH në Londër:
Në 1914, Ballkani ishte vendi ku nisi Lufta e Parë Botërore. Sot, në 2014, 100 vjet më vonë, Ballkani është vendi ku të gjitha konfliktet janë lënë pas. Ky vit ishte i pari në historinë tonë që nisi me paqe mes të gjithëve ne.
Kjo e sotmja është një mundësi ideale për qeveritë e vendeve respektive për të biseduar me liderët e biznesit, kompanitë ndërkombëtare dhe institucione të zhvillimit të rëndësisë së veçantë, si BERZH dhe BB. Një mundësi e madhe, për të dëgjuar, shpjeguar dhe kuptuar njëri-tjetrin për një partneritet më të madh në të ardhmen. Kjo mundësi bëhet edhe më e madhe për shkak të afërsisë së vendeve tona sot, jo vetëm në terma gjeografikë, por, çka është më e rëndësishme, edhe në terma ekonomikë.
Është fakt, që rajoni ynë dhe e gjithë Evropa, ende e ndjejnë atë që filloi si kriza e sektorit të pasurive të paluajtshme në SHBA, që u kthye më pas në një krizë financiare, dhe që në pjesën më të madhe të Evropës u shndërrua në një krizë të borxhit sovran. Kështu ne e gjejmë veten sot, si rajon, jo vetëm përballë të njëjtave efekte të krizës, por gjithashtu, nëse shohim nga e ardhmja, edhe përballë të njëjtave sfida. Kjo krizë u dërgoi një mesazh shumë të qartë pjesës më të madhe të vendeve tona, një mesazh që, sigurisht, u ndje thellësisht në Shqipëri dhe me të cilin na duhet të përballemi çdo ditë. Mesazhi për Shqipërinë ishte se ditët e modelit të vjetër ekonomik kanë ikur prej kohësh. Për vite të tëra Shqipëria shënoi rritje për shkak të dërgesave të emigrantëve dhe borxhit publik, duke fshehur problemet strukturore të ekonomisë sonë, të një sistemi ekonomik miks të tranzicionit, me liri ekonomike, por jo të lirë; me konkurrencë, por pa rregulla të drejta për të gjithë; me ligje evropiane, por ende shumë larg praktikës evropiane. Ne tanimë e dimë që ky sistem nuk mund të zgjasë më. Thonë që të pranosh që ke nevojë për një kurë, të çon deri në gjysmën e rrugës së shërimit. Në terma ekonomikë, si qeveri e Shqipërisë, ne nuk kemi ndërmend të presim që të shikojmë nëse kjo është e vërtetë. Ne synojmë t’i shkojmë deri në fund kurës. Për këtë arsye, pasi arritëm në këtë përfundim, ne kemi lëvizur në shumë drejtime të reja duke u munduar të zgjidhim problemet, sado të shumta qofshin ato, që në zanafillë. Anëtarësimi në BE është objektivi ynë kryesor afatmesëm, dhe keni ndërmend të bëjmë gjithçka kemi në dorë për ta arritur këtë.
Ne kemi deklaruar se do kërkojmë një model të ri ekonomik për Shqipërinë. Në praktikë, kjo do të thotë të zëvendësosh inputet e sektorëve që kanë dështuar së fundmi, siç janë dërgesat e emigrantëve dhe shpenzimet publike joracionale, me inpute nga sektorë të rinj ku ka hapësirë për rritje dhe që mund të prodhojnë një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe punësim. Këto janë sfidat me të cilat përballemi të gjithë ne në rajon dhe për këto arsye që në fillim ne kemi kërkuar mënyrat për t’i zgjidhur ato.
Ekonomitë në rritje e sipër nuk specializohen, por diversifikohen! Ato u shtojnë sektorëve ku duket se kanë një avantazh konkurrues, aktiviteteve të reja ekonomike. Ato i shtyjnë sipërmarrësit e tyre që të popullojnë një gamë më të gjerë industrish. Të frymëzuar nga ky vizion ne po rishikojmë gjerësisht mundësitë tona në bujqësi, manifakturë, fushën e minierave, naftës, turizmit, energjisë, etj. Duke parë rajonin, në veçanti fqinjët tanë, që janë të ngjashëm me ne, ne kemi kuptuar se mes ekonomive tona ekziston një boshllëk i madh dhe i pashpjegueshëm. Thjesht, për të marrë një shembull, edhe pse ne ndodhemi në një nga destinacionet turistike më tërheqëse dhe më të rëndësishme në Evropë, industria jonë e turizmit është shumë prapa. Ky ishte thjesht një shembull, por raste të tilla ka në çdo fushë që do të shikonim, nga manifaktura tek energjia ujore, nga bujqësia tek nafta. Ne jemi një vend që është bekuar me shumë burime të mrekullueshme natyrore, si bregdeti ynë mesdhetar, potenciali hidrik dhe burimet natyrore të tokës sonë si nafta dhe mineralet.
Ne jemi të vendosur t’i zhvillojmë këto dhurata në një mënyrë të përgjegjshme mjedisore, jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Këto aktivitete ekonomike zhvillohen në një ekosistem. Ne duhet të fokusohemi në përmirësimin dhe thellimin e këtij ekosistemi në mënyrë që ato të bëhen më produktive. Pengesat ndaj eksplorimit dhe prodhimit të naftës janë shumë të ndryshme nga ato që has turizmi apo bujqësia. Qeveria duhet të ketë aftësinë që të adresojë shumë probleme specifike. Por ekosistemet që mbështesin çdo aktivitet varen nga zgjidhja e disa çështjeve të ndërthurura që ndikojnë tek prodhimtaria e secilit prej tyre. Prandaj, qasja jonë do të bazohet në zgjidhjen e problemeve specifike, por edhe të çështjeve të ndërthurura ndërsektoriale. Në lidhje me çështjet e ndërthurua, reforma në sektorin energjitik është një prioritet kryesor për të siguruar një furnizim të sigurt me energji për rritjen ekonomike. Kjo është një pengesë për financat publike dhe prandaj ne do të përpiqemi që ta zgjidhim këtë çështje njëherë e përgjithmonë dhe ndihmën e paçmueshme të partnerëve tanë, në radhë të parë të BB.
Do të ketë një reformë të thellë fiskale në Shqipëri për t’u siguruar që fjala korrupsion nuk do të jetë më kurrë e lidhur me autoritetet e taksave; për t’u siguruar që ligji është i qartë dhe i drejtë për të gjithë dhe që nuk ka asnjë favorizim dhe padrejtësi në fushën e lojës. E njëjta gjë, do të bëhet edhe me financat publike për t’u siguruar që paratë e taksapaguesve të shkojnë për projektet që sjellin më shumë përmirësim ekonomik për vendin.
Ne do të adoptojmë një model afatgjatë të prioritizimit të investimeve publike në mënyrë që ndihma e qeverisë të shkojë atje ku duhet. Zhvillimi i infrastrukturës do të jetë po ashtu një prioritet tjetër i yni. Do të zhvillojmë sistemin aktual për ta sjellë afër standardeve evropiane. Do të ketë, gjithashtu, një reformë në arsim, pensione, ndihmën sociale dhe, natyrisht, në transport.
I përmenda të gjitha këto në detaje, por do të doja që ju të shikoni se çfarë do të thonë të gjitha këto në terma realë - me shumë mundësi! Sepse, në fakt asnjë model ekonomik nuk mund të funksionojë në mënyrën e duhur pa investimet e huaja të drejtpërdrejta. Dua të ftoj të gjithë ata mes jush që vijnë nga komuniteti i biznesit që të vijnë e të shohin me sytë e tyre që ne e kemi seriozisht. Qeveria shqiptare do të jetë partnere e të gjithë atyre që bëjnë biznes në Shqipëri. Prandaj, nuk e përmenda reformën në klimën e biznesit në listën e mësipërme të reformave strukturore, sepse kjo reformë ka nevojë për një nënvizim të veçantë. Sërish, ne e njohim problemin në këtë pikë. Shpesh në të shkuarën qeveritë e kanë financuar borxhin publik me financime të privatëve pa dëshirën e tyre duke krijuar borxhe në kurriz të kontraktorëve dhe furnizuesve privatë të komunitetit të biznesit. Kjo është thjesht një mënyrë e padëshiruar dhe joefikase për të përfituar financime nga komuniteti i biznesit duke i’u marrë atyre kapitalin që u duhet për të punuar. Kjo jo vetëm nuk do të ndodhë më, por përpara se të kemi paguar borxhet që na janë lënë ne, me ndihmën e FMN, do të ndërtojmë infrastrukturën e nevojshme ligjore që kjo të mos ndodhë më.
Reforma e klimës së biznesit është pjesë e një projekti të ri afatgjatë që do të fillojmë me BERZH-in, për të cilin ndërkaq kemi nënshkruar sot me Presidentin. Ne po krijojmë një ndërveprim më të fortë mes komunitetit të biznesit dhe Qeverisë në mënyrë që zëri i investitorëve të mund të dëgjohet gjatë ndërtimit dhe zbatimit të politikave publike. Ne kemi filluar, menjëherë sapo morëm pushtetin, duke krijuar Këshillin Ekonomik Kombëtar që menaxhohet nga Komuniteti i Biznesit dhe që punon ngushtësisht me zyrën e Kryeministrit, Ministrin e Zhvillimit Ekonomik dhe përfaqësitë e institucioneve financiare. Jo vetëm që bizneset të mund të denoncojnë korrupsionin në mënyrë të drejtpërdrejt, por edhe që të nënvizojnë problemet, të punojnë për zgjidhjet e tyre dhe të jenë pjesë e hartimit të legjislacionit që ka të bëjë me sektorët e tyre.
Një zgjatim i dytë i Këshillit Ekonomik Kombëtar do të jetë Këshilli i Investimit që kemi premtuar se do të krijohet me ndihmën e BERZH në mënyrë që investitorët të zënë vendin që meritojnë si aksionerë afatgjatë të mirëqenies ekonomike të vendit. Pra, kjo nuk është një përpjekje për të adresuar një shqetësim të madh të së tashmes, por një përpjekje e madhe për të ndryshuar të ardhmen e ekonomisë së Shqipërisë. Dhe nëse ne ngadalësojmë ritmin apo bëjmë ndonjë gabim ne gjithmonë do të jemi në gjendje të këshillohemi, ashtu si në një luftë ku suksesi nuk vjen nga një plan i mirë, por nga gatishmëria për të bërë korrigjime kur faktet ndryshojnë dhe dalin në dritë informacione të reja.
Ne presim me padurim të punojmë me të gjithë partnerët seriozë për të korrigjuar ekosistemin e biznesit në mënyrë që ata të punojnë në një mënyrë më produktive. Iniciativa jonë e re për të tërhequr investimet e huaja direkte quhet “Thirrja e Shqipërisë”. Një qeveri efiçente është ajo që kupton se ka nevojë për një aleancë strategjike me ata që mund të ndihmojnë në transformimin e strukturës së saj prodhuese. Profili ekonomik i Shqipërisë për 20 vitet e ardhshme ka nisur tashmë sot, dhe për këtë arsye një nga veprimet tona të para ka qenë që hapja ndaj biznesit, i cili të mund të na thotë se si do të donte që ta ndihmonim. Ne kemi në plan të zgjerohemi dhe të krijojmë mekanizma të përhershëm dialogu pasi nuk jemi të interesuar që vetëm të flasim me biznesin, por dhe të dëgjojmë atë që ata kanë për të thënë. Edhe politika për dhënien me qera të pronave publike për një vit për një euro, mund dhe do të funksionojë pasi nuk ishte qeveria ajo që e mendoi një gjë të tillë, por ishte vetë sektori. Ky partnership me komunitetin e biznesit nuk do të jetë përjashtues. Ne kemi ndërmend të bashkëpunojmë ngushtësisht me partnerët tanë rajonalë. Të vetëm jemi të dobët, dhe unë besoj se jo vetëm Shqipëria është e dobët, por edhe kushdo në rajon. Por mendoj se të gjithë bashkë mund të jemi shumë të fortë. Prandaj, si pjesë e CEFTA-s ne të gjithë duhet të shohim përtej kufijve tanë për burime të rritjes, jo vetëm për investime, por edhe për projekte që e bashkojnë Ballkanin Perëndimor, projekte rajonale që mund të na mundësojnë ne që t’i shërbejmë një tregu shumë më të madh dhe shumë më të diversifikuar se më parë. Në fakt, në projektet më të mëdha që ka qeveria jonë janë projektet rajonale, ashtu si çdo qeveri tjetër në rajon, që kanë për qëllim të maksimizojnë vlerat dhe interesat ekonomike që ne ndajmë. Ne në Shqipëri jemi vetëm 3 milionë konsumatorë, por të gjithë ne këtu bashkë bëhemi 60 milionë. Një treg, që mendoj se nuk mund të shpërfillet. Ftoj të gjithë skeptikët të vijnë të shohin vetë dhe pastaj të kthehen përsëri pas 1-2 vitesh. Shqipëria ka potencialin të tërheqë dhe ndihmojë bizneset e reja dhe investitorët. Edhe pse ne mund të jemi disi mirë tani, ne do të jemi shumë më mirë nesër dhe pasnesër. Prandaj, kjo është një kërkesë për ju që të mos harroni se Shqipëria po thërret, si edhe mundësitë dhe potencialin që ajo ofron ajo në afatgjatë. E, jo vetëm Shqipëria, por mbarë rajoni.
Faleminderit!
No comments:
Post a Comment