NJË LETËR*
MIRËNJOHJEJE PËR
At ANTONIO BELLUSCI
Frascineto (CS).
provincën e Kozencës
Itali
I nderuar At
Antonio!.
Me mallin e vatanit
dhe për dashurinë e vllezërve tanë kudo që gjënden, sot mejtova që të dërgoj
këtë letë dhe me shpresë tek Zoti që të bjerë në duart e zotërisë tuaj.
Kam lexuar për
jetën tuaj shumë shkrime, jam njohur veprat e zotrisë Tuaj shumë të ndritshme
që flasin për rrënjët e arbëreshëve, të arvanitasve, për dashurinë e madhe
karshi vëndit, për të parët, etërit tanë dhe për vllazërinë njerëzore pa i
ndarë sipas feve.
Shoh tek ju një
atdhetar të madh me shpirt dhe zemër të pastër arbërore. Andaj po ju dërgoj
këtë letë dhe dy libra që flasin për fisin e lashtë Ilir, atë të thesprotëve,
që Mesjeta e pagëzoi me ëmrin “Çamëri”, territor në jugun e Shqipërisë dhe që
shtrihet jaram nek tre (deri tek tre) “Gurët e Zezë” në prefekturën e Artës.
Jam lindur dhe
rritur deri në moshën 6 vjeç e ca në Thesproti/Çamëri, në katundin Risian të
Gumenicës, siç më ka thënë mëma ime: “Ti, Fahri ke lerë (lindur) të shtunën e
parë të shëndresë të vitit 1937”. (Në ato kohëra nuk kish rregulla si sot).
Në korrik të vitit
1944 ikëm nga shtëpia dhe katundi, sepse ashtu erdhën punët, ne nuk na
dëshironte shteti Grek, sepse ishim të besimit mysliman dhe etërit tanë
mendonin gjithnjë për vatanin “Amë”, donin që të mos shkëputeshin nga territori
i vatanit etnik që ishtë Shqipëria. Por, siç e di dhe Zotërote, Fuqitë e Mëdha
i shkëputën dy krahinat me territor dhe banorë të etnisë shqiptare dhe në vitin
1913 i a dhanë Jugosllavisë krahinën e Kosovës dhe Greqisë krahinën e Çamërisë,
si dhe banorët që ishin të etnisë shqiptare.
Nuk do ndalem për të shkruar se si kanë shkuar
punët dhe hallet e komunitetit çam të Çamërisë, sepse janë të shkruara edhe në
librat që po ju a përcjell me postë.
●●●
Në veprat e
zotërisë Tuaj, më kanë pëlqyer të gjitha arritjet pa përjashtim, por kam
dëshirë të theksoj disa prej tyre, të cilat i kam shkëputur nga bisedimet tuaja
në disa mendja. të folura dhe të shkuara
nga dora juaj. Sepse këto qendrime për mua janë baza e së vërtetave që kërkohet
nga shoqëria njerëzore, por që nga mos zbatimi i tyre kanë ndodhur dhe po
ndodhin luftëra, masakrime, nënështrime, përçmime si ndaj popujve të ndryshëm
mes njëri-tjetrit dhe brenda të të njëjtit popull. Ndasira që vijnë kryesisht
nga shumica e personaliteteve shtetërore dhe disa institucione fetare që
kërkojnë të vendosin diktaturën, autokratinë dhe dominimin mbi të tjerët që nuk
i përkasin etnisë dhe besimit të tyre fetar; po kështu ndasi ndodhin edhe
brenda të të njëjtit grup shoqëror, pasi disa prej njërëzve të tyre harrojnë
mirësjelljet dhe priren drejt veseve karrrieriste, egoiste, mburrjeve dhe gjoja
“madhështisë” së tyre. Largohen nga rruga e Perëndisë, nga rruga e Zotit dhe
marrin rrugën e “Të paudhit”, rrugën e shejtanit.
●.- Për Mëmëdheun
etnik shqiptar. Juve na transmetoni këshilla të urta të cilat ne duhet ti
mbajmë në mendje, shpirt, zemër dhe me këto porosi të ecim udhëve në jetë:
- “Shqipëria është
në zemrën tonë në shekuj të shekujve. Historia është me gjuhën e saj, me kulturën
e saj, me zakonet e saja bashkë me trashëgimin që vjen nga etërit tanë. Ai
(shqiptar-FD)... që thotë se është grek e jo shqiptar, më vjen të them se ai
njeri nuk ka dashuri në zemër, është një pjesë dashurie që nuk ekziston në
zemrën e tij. Prandaj duhet të kemi dashuri në jetë. Mrekullia e diasporës dhe
e katundeve këtu rreth vjen nga kjo dashuri që është e ndezur jo për diçka që
është larg, por për prindërit tanë, për nënën, babanë dhe gjyshërit tanë. Sot
jemi bërë si kafshët se nuk kemi më dashuri në zemër. Ne duhet të punojmë që të
mos shuhet kjo dashuri në zemër. Për këtë diaspora gjithmonë e ka të gjallë
Shqipërinë si komb, si atdhe, e dëshiron dhe i lutet Perëndisë që Shqipëria të
përparojë”
- Me një gjuhë të
pastër, me një mirënjohje të sinqertë ndaj vendit që Ju dhe arbëreshët keni
hedhur themelet e jetës që prej 500 viteve, vërtetoni se si shtetet duhet të
respektojnë racat, ngjyrat dhe besimet e ndryshme të njerëzve, dhe këtë e
shtjelloni me zemërën tuaj nëpërmjet shtetit Italian:
- “Ne me kulturën
italiane kemi fituar shumë, kemi marrë diploma dhe të gjithë gjërat e tjera për
rritjen fetare ortodokse, pavarësisht se nuk jemi ortodoksë nga pikëpamja
juridike; kemi ritin lindor të etërve tanë të ardhur këtu nga Shqipëria dhe
jemi nën juridiksionin e Papës së Romës prej 500 vjetësh, që na ndihmoi të jemi
edhe sot me ritin bizantin ashtu si në Himarë e në të gjithë Jugun e
Shqipërisë. Ne arbëreshët jemi si bijtë e Concilit të Florensisë ku u bë
Bashkimi i Kishave (1436-1439). Me gjithë këtë, ne kemi mbajtur të gjallë
kulturën për çështjet tona si shqiptarë, si dhe me ritin bizantin. Edhe kjo
bibliotekë (Biblioteka Belusci-FD) ka këtë fytyrë shumëkulturore dhe njerëzit
në Shqipëri duhet të mendojnë për këto institucione kulturore që kemi ne arbëreshët,
siç është kjo bibliotekë. Kur shqiptarët, kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë
vijnë këtu fillojnë të qajnë. Këto emocione e pika loti duket sikur tregojnë të
gjithë historinë e madhe të një populli që vjen nga shumë shekuj dhe këtu duket
sikur të plotësohet zemra. Dhe të gjitha këto vijnë nga flamuri, vijnë nga
librat, nga kultura që është këtu”. “Tre milionë vëllezërit që jetojnë në
krahinat e Greqisë si në Korinthi, në Argolidhë, në Peloponez, në Beoti, në
Evja. Listën e plotë të krahinave dhe katundeve arbërore-arvanite në Elladhë,
studiuesit mund t’i lexojnë në librin tim “Kërkime dhe studime”. Është një
mrekulli që të gjithë vëllezërit tanë janë në këtë vend ku kanë ruajtur
punimet, këngët, 3 milionë shqiptarë me 900 katunde. Ai është një popull i
padukshëm dhe i panjohur”.
“Disa njerëz, që
punojnë në institucionet shqiptare, e kanë shitur me shpirt kombin dhe janë
frikësuar nga ky libri im, që sjell vetëm të dhëna dhe dokumente etnografike
dhe nuk lidhen kurrë me politikën....Kur flasin njerëzit për çështjen e
Himarës, është një gjë qesharake që nuk ka kuptim me problemet që kemi sot. Pse
duhet? Gjaku nuk bëhet ujë! Një gjak, një shpirt, një histori. Çudia e madhe
është se Greqia krijon zhurmë për Himarën, e cila gjendet në Shqipëri, dhe
Shqipëria s’thotë dhe s’bën asgjë, por që me turp mbyll gojën për të drejtat
minimale të pakicës historike dhe gjuhësore arbërore-arvanite në Greqi, duke
shkelur qëndrimet e Parlamentit Evropian. Botimet e mia etnografike mbi
vëllezërit arbërorë-arvanitë në Greqi kanë qëllimin të lartësojnë Greqinë
homerike dhe të afrojnë dhe bashkëpunojnë me vëllezërit tanë arbërorë-arvanitë,
që jetojnë prej shekujsh në Elladhë dhe një pjesë e së cilës (siç dihet nga
Kosova e Metohia në vitet 1512-1520), kanë ardhur mërgimtarë në katundet tona”.
- I nderuar At
Antonio, në komentin që i bëni librit tuaj: “Arbërorët-Arvanitë-Një popull i
padukshëm”, jo vetëm që kërkoni që të mos shuhet shpresa arbëreshëve,
shqiptarëve dhe arvanitëve, por zgjeroheni edhe në rrënjët e kombit entik shqiptar
në Gadishullin Ballkanik. Ju na njihni me shqiptarët në mërgim, ashtu siç e
përcaktoni me të drejtë: “... i harruar dhe i shkelur, i cili këndon arbërisht
dhe tregon përralla, emrat e vendeve dhe mban zakonet etj. Këtu ke njerëz që,
për herë të parë, fillojnë e me shkruajnë arbërisht ashtu siç e ndjenë në
zemrën e tyre. Një thesar me mrekulli. Një histori e panjohur! Shumë më kanë
thënë se na zgjove nga gjumi, shumë njerëz nuk dinë bukuritë që kemi ne“.
- Qendrimet tuaja
shumë kuptimplote ndaj historianëve, studiuesave dhe shkrimtarëve që flasin për
dashurinë dhe të vërtetat ndaj rrënjëve kombëtare dhe ndaj atyre që i kanë
kundërshtuar dhe i kundërshtojnë ashpër ata njerëz si Aristidh Kolën, Jorgo
Margaritin dhe Juve, me shumë të drejtë i cilësoni: “njerëz pa sy, pa tru e pa
ndërgjegje, të cilët kanë menduar t’i bëjnë një shërbim Greqisë për çështjen
politike por kanë dëmtuar Greqinë nga pikëpamja kulturore, shpirtërore,
njerëzore dhe evropiane. Botimet tona mbi arbërorët janë si një himn dhe një lavdi
për Greqinë. Por fanatizmi i verbër frikësohet edhe nga hija e vet”.
- Sikur shteti dhe
kisha ortodokse Greke, të zbatonin Urtësinë e librave të shenjtë dhe konventat
ndërkombëtare, sikundër i zbaton shteti dhe kishat katolike e ortodokse
Italiane, popujt e Ballkanit do të ishin shumë miqësor, bashkëpunues dhe
besimet fetare do të ndikonin në zemrat e tyre për të kryer veç vepra të
dobishme për njerëzimin.
●.- Për gluhën
tënë:
- Në bisedat Tuaja që Ju keni kryer edhe në
mediat shqiptare, me gluhën tënë keni nxjerrë ka shpirti juaj këtë shprehje
qelibar:” Jo, jo, kombi është një, gjuha letrare është një, një dhuratë e fitim
i madh që ka ardhur me djersën e të gjithëve dhe kjo bibliotekë (Biblioteka
Belusci) i zbukuron të gjithë librat, gjuha letrare shqipe ashtu siç zbukuron
të gjithë të folurat arbëreshe si motra me motrën, por sot është gjuha letrare
ajo që na bën të ndihemi krenarë dhe na jep mundësi të bisedojmë mirë e me
shëndet. Është një gabim i madh të krijojmë akoma kopshte me gardhe për të kufizuar
lidhjet tona e të mos kuptohemi njëri me tjetrin”.
●.- Për besimet
fetare, gjithashtu jeni njeriu që i specifikoni qartë qendrimet dhe ndjenjat që
duhet të mbajnë njerëzit ndaj feve të ndryshme. Kur kjo thuhet nga një
personalitet me dijet dhe që shprehen në veprat tuaja, ka vlera shumë të
çmuara, të veçanta:
“Perëndia dashuron
njeriun që do me zemër, jo me buzë apo me etiketa të tjera. Kjo është kohë e
bjerrë, le të themi kështu, nuk ka asnjë rëndësi dhe asnjë kuptim të numërosh
popullsinë sipas fesë. Ç’më intereson mua se çfarë feje ke ti, apo ç’të
intereson ty se e cilës fe jam unë. Kjo është një gjë personale. Unë kam për
detyrë, me jetesën dhe veprimtarinë time, të bëj të bukur dhe të shkëlqyer fenë
që kam pranuar, por jo t’i imponoj fenë time tjetrit, për ligj. Perëndia do
njerëz të lirë dhe të gëzuar në shpirt. Nuk fitohet asgjë kështu, është një
kohë e bjerrë, një përçarje dhe një gabim”.“Ju e dini se Parlamenti Europian
pretendon nga të gjithë anëtarët që bëjnë pjesë në të, respektin për fenë dhe
për gjuhën”.
“Zoti i madh nuk i
do këto gjëra. Vetëm me dashuri rregullohen gjërat. Si thotë Perëndia: “Unë jam
drita, Unë jam paqja, Unë jam rruga”. Ashtu dhe njeriu, sa më shumë mbyllet në
veten e tij aq më i egër bëhet, aq më i keq bëhet, nuk shikon dritën. Kështu
është edhe një komb, kur mbyllet bëhet i egër. Mëkati është një nga dobësitë që
ka natyra njerëzore dhe këto dobësi, këto pengesa duhet të kapërcehen me fenë
personale dhe shoqërore, me kulturën, me filozofinë”.
- Shumë shprehje të
arrira që Ju transmetoni, janë thesare të vyera, të cilat jo vetëm e gjithë
shoqëria njerëzore duhet të veprojë, përgjatë jetës së saj, por shumë më të
detyrueshme janë për shtetet, institucionet e ndryshme shtetërore dhe edhe më
të nevojshme janë për predikimet e institucioneve fetare kudo ndodhen dhe
ç’fardo besimi përfaqësojnë.
Në takimet që patët
Ju dhe Anthony Athanas, dy gjigantët e dijes dhe kulturës ndërshqiptare, dhe që
kaq me ëmbëlsi na i sillni pranë nesh si biseda, na shtoni dashurinë dhe
dhemshurinë ndaj gjuhës dhe Mëmëdheut:
“.. ne shqiptarët
fluturojmë si një zog. Zogu ka dy krahë, njëri krah është gjuha ndërsa krahu
tjetër është feja. Nëse ti i pret një krah zogu bie. Kështu që feja, çdo fe, si
katolike, ashtu edhe ortodokse dhe myslimane, bektashiane ose asnjë fe e
kodifikuar, është një krah që ndihmon krahun tjetër për të fluturuar. Idetë e
Naim Frashërit janë këto, janë ide të bukura që sot në shkollën italiane dhe
Europë thuhet multikulturë, multilinguizëm”.
- I nderuar z. At
Antonio, në shkrimet dhe veprimtarinë time jam përpjekur ti trajtoj problemet,
ashtu sikundër edhe ju arrini në konkluzionin që e përkufizoni me zemër dhe
shpirt të pastër: “Gjithmonë është fanatizmi që u fut edhe te qeveritarët, pasi
problem është edhe Turqia për grekët. Marrëdhëniet jo të mira të grekëve me
turqit, futën edhe Shqipërinë, pra pikërisht për çështje feje dhe këto bëhen
për të përçarë. Nga kjo vjen pastaj lufta, sulmet dhe vrasjet”.
- Pikërish të
vepruarit kundër këtyre principeve themelore dhe të shenjta që kërkon
bashkëekzistenca e shoqërisë njerëzore, shteti dhe kisha ortodokse Greke, ka
kriujuar që nga krijimi i tij në vitin 1830 e në vazhdim, vrasje, masakra,
dëbime të dhunshme derisa kreu dhe gjenocidin në vitin 1944 ndaj çamëve
myslimanë, banorë autoktonë të Thesprotisë Pellago-Ilire. Banorët myslimanë të
Çamërisë, meqë në shekujt e XVI dhe XVII, ndërruan besimin fetar nga katolikë
në myslimanë (për arësyet që dihen), shteti Grek i trajtonte si turq, bile edhe
me pretendime bajate se gjoja ata ishin emigruar atje gjatë pushtimit otoman të
krahinës. Megjithëse dihet fare qartë edhe nga shteti Grek, se banorët e
Çamërisë janë pasardhës të fisit ilir të thesprotëve, që së bashku me fiset
ilire kaonët dhe mollosët, formuan shtetin federativ të Epirit, andej nga
shekulli i IV para Krishtit. Si fiset epirote dhe vetë Epiri, nuk kanë qenë
asnjëherë greke, deri në vitin 1913. Prandaj arritja juaj është filozofike dhe
duhet të ndikojë tek qendrimet e shteteve, institucioneve fetare dhe popujve,
sidomos në Gadishullin e Ballkanit.
- Në përfundim të
kësaj letre lutem Zotit, që ju të keni shëndet dhe lumturi, për të vazhduar
misionin e lartë të predikimit për Paqe, për harmoni dhe dashuri mes popujve me
raca, ngjyra dhe besime të ndryshme. Po kështu bashkohem me ndërgjegje të plotë
dhe me bindje të sigurtë, në lutjen Tuaj që i bëni Perëndisë, për vendin dhe
etërit tanë që të prehen në paqe dhe të mbuluar nga dashuria e Perëndisë.
Lutja e z. At
Antonio Bellusci:
”O Perëndi, Ti e
shpëtove gjithmonë nga humbjet dhe nga e keqija atdheun tonë e me lutjet tona,
me veprimtarinë tonë, o Perëndi, do të shpëtosh prapë, atdheun tonë dhe gjithë
popujt e botës nga çdo e keqe. Amin”!.
Me respekt dhe
sinqeritet: Fahri Dahri
●●●
Shtojcë(*): - Me
anën e kësaj letre, synoj që lexuesit të kuptojnë veç të tjerash, edhe këto të
vërteta, të cilat janë të shprehura nga At Antonio Bellusci, për të kuptuar
sesa të padrejta dhe arbitrare janë qendrimet që ndiqen nga shteti dhe Kisha
Greke ndaj pakicave etnike dhe fetare në përgjithësi, dhe në veçanti ndaj
komunitetit të shqiptarëve të rajonit të Çamërisë (çamëve ortodoksë dhe
myslimanë ):
1.- Respekt dhe
admirim për punën e palodhur të At Antoni Belluscit ndaj atdheut të të parëve
dhe dashurisë për njerëzit pa dallime etno-fetare.
2.-Rezulton një
diferencë shumë e madhe mes ortodoksisë të ritit lindor bizantin nën
juridiksionin e Papës së Romës dhe ortodoksisë së Kishës Greke. Kisha ortodokse
Greke, besimin e saj ortodoks e absolutizon dhe me pa të drejtë dikton si
nëpërmjet forcës edhe me predikimin se ortodoksia greke përcakton kombin Grek.
Përcaktimin e kombësisë, shteti dhe Kisha Greke e mbështet tek “Megalloidea”,
me këtë kriter arritën të krijojnë kombin Grek, të cilin nga viti 1830, dhe më
pas e ka trefishuar numurin e popullsisë dhe sipërfaqen territoriale. Të dyja
këto elemente i ka siguruar nëpërmjet luftrave, masakrave, mashtrimeve, shpifjeve
dhe dëbimeve të dhunshme ndaj pakicave me etni dhe besime fetare jo ortodokse
greke.
3.- Dallimin mes
kishës ortodokse italiane, nën juridiksionin e Papës së Romës, me kishen
ortodokse greke, e gjejmë të qartë, duke lexuar me kujdes shprehjet e dala nga
shpirti dhe zemra e një prifti arbëresh. Me devotshmëri hyjnore, ai na i sjell
me gjuhën e tij ku kërkon të respektohen të gjitha besimet dhe racat; ndryshe
nga priftërinjtë ortodoksë të kishës greke, qofshin me origjinë të ardhur nga
Azia, vllehë dhe më e habitdhmr edhe nga priftërinjtë arvanitas me
kryepeshkopin e Greqisë në Athinë Jeromenos arvanitas, i cili është
identifikuar me shprehjen në arbërisht:”ghiaku ul nen bëghet”( Gjaku ujë nuk
bëhet).
4.- Respektin e
veçantë që tregon At Antonio, prift arbëresh ndaj vendit të të parëve të tij,
misionin që ai ka marrë për ruajtjen e gjuhës shqipe, thirjen që bën për
drejtshkrimin e shqipes; ndryshe nga shashkat që hedhin disa personalitete tek
ne që kërkojnë të korigjojnë drejtshkrimin e vendosur para mbi 40 viteve.
5.- Të njihet puna
e madhe të këtij arbëreshi të nderuar dhe biblioteka “Bellusci”, ku ka
materiale të bollshme që rrëfejnë historinë e tyre 500 vjeçare, për ecurinë e
Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo ku janë.
6.- Me parimet e së
vërtetave që na mëson me gojën e tij At Antonio, të njihen lexuesit me egërsinë
e kishës dhe shtetit grek që nuk njeh pakicat, nuk lejon të folurit e tyre dhe
që nën trysninë greke, shumë arvanitas janë kthyer në grekë duke mohuar të
parët e tyre. Arvanitasit në shtetin Grek, siç na e thotë edhe At Antonio
Bellusci, megjithëse janë strukturë shtetformuese atje, mbi 40% të popullsisë,
nuk u njihen të drejta e pakicave, përkundrazi të folurit e gjuhës arvanite po
vjen duke u shuar!!
Diferenca serioze në botkuptimin etnik dhe fetar
mes dy shteteve, atij italian dhe grek.!!
7.-Tek At Antonio
Bellusci, gjejmë njeriun e mrekullueshëm, njeriun e Zotit, shembullin më të
duhur, më të përshtatshëm, më të përzgjedhur për të ndjekur rrugën e dashurise
ndaj Zotit, Atdheut, njerëzimit pa i paragjykuar dhe akoma më shumë pa i
ndëshkuar për ç’ka janë dhe ç’farë besojnë. Mjafton që të jemi njerëz që, siç
na kujtojnë dy etërit (At Antonio dhe Athanas), të jemi si zogjtë me dy krahë
të shëndetshëm (gjuha e mëmës “Atdheu”dhe besimi fetar “Feja”).
8.- Gjithashtu me
këtë letër dhe librat që dhurova për Bibliotekën Bellusci, dëshiroj t’ja bëj të
njohur At Belluscit dhe lexuesave të saj edhe çështjen e çamëve të Çamërisë, që
prej 100 vjetësh vuajnë pasojat e të qenurit me etni dhe besim fetar ndryshe
nga ajo greke.
●●●
Këto javët e
fundit, të gjithë po dëgjojmë dhe lexojmë thirrjet ç’njerëzore të pushtetarëve
të shtetit Grek. Tek fytyrat dhe mimikat e të cilëve vrehen egërsi, u
deformohen jo vetë paraqitjet e tyre fizike, por edhe ato shpirtërore.
Sot, që mbas 73
vitesh, problemi i shqiptarëve të Çamërisë është shtruar për tu trajtuar si
problem i domosdoshëm për zgjidhje, shikojmë tek disa ekstremo-nacionalistë dhe
neo-fashistë grekë, duke filluar nga presidenti i tyre, që janë mbërthyer për
gryke nga një “tmerr i tmerhëm” që nuk ka mjet fizik dhe mendor që t’ua masë.
Tek ata ka një shpërthim vullkan urrejtjesh ndaj çamëve, aq sa po kapërcejnë
çdo kufi konceptesh njerëzore për ndjenja, urtësi, vëllazëri, respekte dhe
marrëdhëniesh të mira fqinjësie. Ata arritën kulmin e tmerrit që i ka zaptuar
nga frika se e vërteta e komunitetit çam po afrohet çdo ditë e më shumë drejt
triumfit ndaj mashtrimeve, shpifjeve alla greke.
Sot, ata po
ringrejnë strategjitë e vjetra të perandorive romake e bizantine, të cilat
realizuan humbjen e të vërtetave të popiullsisë Ilire, me çdukjen e çdo
trashgimie. Atë po përpiqen të bëjnë edhe sot me ndërrimet e toponimeve
shqiptare në rajonin e Çamërisë, strategji e filluar që nga viti 1925 dhe
vazhdon me të sotmet, ku kërkojnë që shteti Shqiptar të heqë nga çdo e
shkrojtur emrin “ÇAMËRI”.
Çamëria dhe çamët,
si ata që banojnë ende në vendin e tyre autokton dhe ata që banojnë në
Republikën e Shqipërisë, shtetit dhe kishës ortodokse Greke, i ngjallin
“tmerr”. Dy fjalët: “Çamëri dhe çam”, kur u përmenden grekëve u ngjallin frikë,
tmerr dhe ankth, sepse, siç e kam shprehur dhe herë të tjera, u shkatërrojnë të
gjitha llojet e pretendimeve, argumentave dhe u shkrehin mundësitë për të vënë
në zbatim “urdhërin” e përhershëm për henelizimin e Epirit shqiptar, sipas
“Megalloidesë”.
Por ja që “Çamëria
dhe çamët”, qëlluan “kockë e fortë” dhe bashkë me shtetin e sotëm shqiptar,”
nuk u a plotësojnë dot këtë “oreks grykës”!
Çamëria, nuk do të
harrohet kurrë.
Dhjetor 2017-Janar
2018.- Fahri Dahri
No comments:
Post a Comment