Nga Nimfa Hakani
Dedikuar studentit tim A.
G.
Dhe zëri i LokeMadhes i vinte si një zë i lashtë, si një zë transmetues i
epokave, i këngëve të epikave të kreshnikëve, i këngëve elegjike për trimat e
mbuluar me gjak. Atë Zë nuk e njihte kush. Ai zë, nuk ishte dëgjuar nëpër valët magnjetike të
radiove, nuk ishte dëgjuar nëpër teatrot ku luheshin pjesët shekspiriane, as në
shtëpitë madhështore të operave të kryeqyteteve të botës, nuk kishte depërtuar
as nëpër muret e kështjellave luksoze të Europës; por ai Zë i kishte kënduar së
bukurës dhe të madhërishmes, dashurisë dhe jetës përmes zjarrit, tymit, dhe
barotit, midis të cilave gjithmonë kishte lulëzuar lulëkuqja. I përçoi ai Zë
këngët nëpërmjet gojës së rapsodëve e të lokeve, dhe erdhi ai Zë nëpërmjet
shekujve deri tek ai, pa autorësi, por me vulën e pashlyeshme të shpirtit të
popullit të tij. Dhe, Nënë Lokja e tij,
autore e heshtur e ndërmilliontë e rapsodive shqipëtare, i dukej
tashti po aq e madhërishme sa edhe Shekspiri i madh.
Kishte kaluar një vit qëkurse ishte larguar nga ky qytet, dhe për çudi
ndjeu një farë malli të lehtë për këto rrugë të ndriçuara nga dritat e forta të
reklamave, nga lëvizjet e shumta të njerëzve dhe makinave. Gjallëria e qytetit
e përfshiu në gjirin e saj dhe ai filloi
të ecë më shpejt.
Këtë rrugë ai e kishte përshkruar kaq herë dhe e njihte mirë. Nëpër të
kishte kaluar dy herë në javë këtu e një vit më parë, për t’iu dhënë pasionit
të kërcimit në akull. Dhe këtë mbrëmbje kishte dëshirë të fortë të ishte në
pistë. Më në fund arriti brënda kompleksit sportiv. U drejtua drejt pistës së
kërcimit. Tingujt muzikorë shpërndaheshin në hapësirën e kompleksit dhe jehonin
mjaft këndshëm falë akustikës perfekte të mureve të sallës gjigante të
kërcimit.
Sot nuk do të regjistrohej. Thjesht donte të shihte në se duke ndjekur të
tjerët do të ndjente të njëjtin pasion
që kishte pasur një vit më parë. Si gjithmonë kishte njerëz të dhënë pas këtij
sporti elegant që ndiqnin stërvitjen ulur shkallëve anësore. U ul diku, dhe la
çantën në të djathtë të tij. As ai nuk e kishte kuptuar përse e kishte veshur
kostumin e kërcimit nën tutat sportive. Ai nuk mund të hynte në pistë dhe të
stërvitej po të mos ishte i regjistruar. U përqëndrua në lëvizjet harmonike të
bukura dhe të sinkronizuara të një grupi vajzash që po kërcenin në pistë. Ishte
kënaqësi t’i vëzhgoje ato kur kërcenin bashkë. Dukeshin si një tufë fluturash
shumëngjyrëshe që fluturonin mbi akullin ngjyrë qumështi. Ky ishte grupi i të
rejave që nuk kishte kaluar ende në nivelin e stërvitjes individuale. Muzika
ndaloi dhe grupi i vajzave kërcimtare la pistën duke përshëndetur publikun që
po i duartrokiste.
Mbas pak do të fillonte stërvitja individuale, ku çdo kërcimtar kishte
gjithë pistën në përdorim vetiak për tridhjet minuta. Këtu kënaqësia ishte edhe
më e madhe. Pas një pushimi të shkurtër një vajzë u duk në pistë. Ajo bëri disa
lëvizje sa për të shmpirë trupin dhe pastaj nën tingujt e muzikës filloi të
rrëshqasë në mënyrë elegante në akull. Ai ndoqi kështu disa vallëzime
individuale përmes syve pothuaj gjysëm të mbyllur. Papritur në pistë u duk një
vajzë tjetër mjaft e bukur. Ajo i ra pistës rreth e qark dhe pastaj doli në
qëndër. Tingujt e muzikës u shpërndanë në të gjithë sallën dhe sikur e
elektrizuan atë. Vajza filloi të rrëshqasë mbi akull me disa lëvizje të
zhdërvjellta e të sinkronizuara mjaft të bukura me ritmin e muzikës. Dukej që ishte e ndërgjegjëshme si për
bukurinë e saj ashtu edhe për talentin që zotëronte. Ai u përpi krejtësisht nga
vizioni i saj. Një kënaqësi e pamatë ju përhap në të gjithë trupin. U
përqëndrua i tëri në figurën e saj. E veshur e tëra në të kaltërta, ajo
rrotullohej e rrëshqiste mbi akull si një copëz qielli. Gjithë qënia e tij
sikur u bë njësh me atë të vajzës, dhe papritur ai ndjeu dëshirë të ishte me
të. . .
Njerëzit panë se si në pistë kërceu një djalosh trupmadh dhe rrëshqiti
drejt vajzës së kaltër. Tashmë në pistë u dukën dy figura që ndiqnin njëra
tjetrën duke bërë lëvizje e rrotullime të mahnitëshme. Një duartrokitje e fortë
shpërtheu në sallë.
Dy figurat bënin kontrast me njëra tjetrën. Djaloshi vigan e shpatullgjërë
me një propocionalitet të mrekullueshëm trupor, i veshur me një kostum që i
fillonte me një të kuq që i vazhdonte deri në kraharor, ku pjerrtazi fillonte
një e zezë që bëhej më e thellë pasi vazhdonte më poshtë dhe përfundonte nën
krahët e tij të mbuluar në të kuq e zi, me disa thekë të gjata e të dëndura të
zeza, që të kujtonin krahët e një shqiponje kur djali i hapte krahët gjatë
vallzimit, dhe vajza që dukej e vogël para këtij vigani, por si një krijesë e
mrekulleshme kaltëroshe fluturonte nën krahët e tij dhe e ndjente veten të
lumtur. Një buzëqeshje e bukur ja mbulonte fytyrën ndërsa rrëshqiste në anë të
tij.
Të dy, krejtësisht të harruar dhe të përpirë nga qënësia e njëri tjetrit,
vështronin njëri tjetrin thellë në sy e ju dukej sikur fluturonin në hapësirat
kozmike të pamata, midis yjeve të shndritshëm, në rrugë të lara nga rrezet
kozmike, e ata rrëshqisnin e rrëshqisnin në pafundësi nën tingujt kozmikë të
yllësive. . .
Muzika deri në ato çaste e fuqishme, filloi të shuhej dalëngadalë, dhe ata
rrëshqitën lehtësisht mbi akullin e bardhë verbues derisa ndaluan në mes të
pistës duke parë njëri tjetrin si të mahnitur, pa kuptuar se nuk ishin vetëm në
ato moment.
Duartrokitjet oshëtinë me forcë dhe të dy të rinjtë sikur u zgjuan nga
ëndërrimet ku ishin zhytur. Djaloshi vështroi i hutuar rreth e qark, dhe kur
realizoi se ishte në qëndër të vëmëndjes, vështroi vajzën i lumtur, i shtrëngoi
lehtë dorën, dhe u largua me nxitim nga pista, duke kapërxyer bordurën anësore,
hodhi shkallët nga tre a katër, rrëmbeu çantën, dhe u zhduk kaq shpejt nga
pamja sa shkaktoi disa të qeshura të përzëmërta midis dashamirësve që vazhdonin
të duartrokisnin.
* * *
Gjatë gjithë javës atij iu desh t’i binte qytetit anembanë për të gjetur
punë dhe s’pati kohë të shkojë në pistën e kërcimit, por vajza me rroba të
kaltërta nuk i hiqej nga mëndja. Më në fund i buzëqeshi fati. Gjeti punë me
kontratë për një vit, pak e rëndë por paguhej mjaft mirë. Rëndësi kishte të
vinte mjaft të holla mënjanë për të ndihmuar prindërit, të vazhdonte studimet
universitare, dhe të mund gjithashtu të regjistohej tek klubi i rrëshqitjes në
akull tek kompleksi sportiv. Ai ishte i ri dhe i fuqishëm. Mund t’i bënte të
gjitha në të njëjtën kohë që një ditë të mund të kthehej në vëndlindje. Tani
mund të mendonte i qetë për pistën e akullit. I shkëlqyen sytë sa mendoi për
akullin e bardhë ku rrëshqiste vajza kaltëroshe. Ideja të vishte nën tuta
rrobat e kërcimit për t’u hedhur drejt e në pistë ashtu siç bëri herën e
fundit, iu duk mjaft e këndëshme. Natyrisht, mendoi, po të ishte atje edhe
vajza në të kaltërta.
U nis drejt komplesit sportiv dhe ndjeu që zemra po i rrihte fort në kraharor. Kur u fut brënda,
stërvitja mbi akull kishte filluar, por jo kërcimi individual. Kishte kohë të
shkonte të rregjistrohej.
Kur u kthye kërcimi individual sapo kishte filluar. Në pistë dolën shumë
vajza, por jo vajza në të kaltërta. “Më kot po pres!”- mendoi i mërzitur dhe u
çua më përtaci. Sot nuk ndjehej të bënte stërvitje. U drejtua drejt daljes i
pezmatuar sikur diçka kishte lënë mbrapa.
Duke zbritur shkallët e daljes së kompleksit, një muzikë e fuqishme ardhur
nga brëndësia e tij depërtoi në qënien e tij. Ai ndaloi i tëri në përgjim.
Melodia që po ekzekutohej e pushtoi të tërin. U kthye, bëri dy tre hapa
ngadalë. Në imagjinatën e tij u ravijëzua vizioni i kaltër. Menjëherë u sul
lart shkallëve dhe hyri në sallën e madhe të pistës së akullit. Ndaloi një hop, por sytë e mjegulluar nuk
dallonin në fillim asgjë. Dhe ja! Ajo ishte mbi akull. Vizioni i kaltër po
rrutullohej dhe po rrëshqiste në pistë. Ai si i hipnotizuar filloi të zbresë
shkallët ngadalë.
Duke zbritur, përpara syve i doli imazhi i Kreshnikut të maleve. LokeMadhja i tregonte shpesh për të kur ishte
i vogël. Njëherë, duke zbritur shtegut të malit drejt burimit për të shuar
etjen, Kreshniku kishte parë shtojzavallen e bjeshkëve, veshur si cucë malësore
duke mbushur bucelën me ujin e kristaltë të burimit. Ai zbriste e zbriste por
nuk arrinte dot tek burimi. E kur ju duk se u afrua tek burimi një ferrë e
dendur i doli përpara e ia zuri rrugën. Kreshniku kishte nxjerrë shpatën,
kishte prerë ferrën, por tashmë në krua s’kishte njeri. Shtojazavallja ishte
zhdukur. . . Gojëdhana thoshte se Kreshniku i maleve kishte pirë ujë me “et” të
madh për të shuar zjarrminë e trupit dhe lajthitjen e trurit.
Atij po i dukej vetja si Kreshniku i malit tek zbriste shtegut për të
arritur tek shtojzovallja e kaltër që rrëshqiste midis bardhësisë së akullit.
Me shpejtësi hoqi teshat, i la mbi një stol, vrapoi nëpër shkallë, kapërxeu
bordurën që kufizonte ringun nga stolat, dhe u hodh mbi akull. Hapi krahët nga
iu varën thekët e zeza, e rrëshqiti drejt “ Vashës së Kroit”.
Vajza në fillim nuk e vuri re, por kur e pa, u trondit dhe ndryshe nga një
javë më parë, ju shmang duke bërë një rrotullim të vështirë që ai të mos ishte
në gjëndje ta ndiqte. Djali në fillim u hutua, por as vetë nuk e kuptoi se si u
gjënd afër vajzës. Iu kujtuan fjalët e trajnerit me të cilin kishte punuar
vjet, që i thoshte shpesh, se ai, edhe në akull të kishte lindur, nuk do të dinte
të fluturonte aq mirë në të.
Salla duartrokiti fuqishëm. Loja në pistë duke qënë krejtësisht spontane, u
bë shumë tërheqëse, interesante, dhe ngacmuese. Ndonëse vajza mundohej të
humbte sinkronizimin me të duke bërë të gjitha llojet e kërcimeve më të
vështira, ajo gjëndej gjithmonë pranë tij, ose në duart e tij.
Salla e kuptoi lojën e vajzës dhe gjakrat u ndezën. Njerëzit po ndiqnin me emocion lojën që po
shpalosej para syve të tyre. Shumica ishin në anën e djalit. Herë pas here
shpërthenin pasthirrma kur dukej se djaloshi do të humbte ekuilibrin, por kur
ai ndodhej përsëri pranë saj, dhe trupat e tyre formonin një figurë të vetme,
shpërthenin duartrokitje dhe thirrma entuziaste.
Të tërhequr nga kurioziteti i duartrokitjeve dhe shpërthimeve forta, që
vinin nga salla e kërcimit në akull, shumë njerëz kishin lënë anekset e tjera
të kompleksit sportiv dhe ishin grumbulluar nëpër shkallët e sallës për të
ndjekur rrëshqitjen në akull të këtij çifti simpatik.
Ashtu e bukur dhe e kaltërt, nën krahët e fuqishëm të djalit, e lodhur nga
përpjekjet e saj për t’iu shmangur, me një ndjenjë të thellë e të fortë në
kraharor, me sy të mbushur tërë dritë, ajo filloi të vallëzojë lehtë, dhe në
mënyrë të pavetëdijëshme të prekë herë pas here djaloshin gjigand që ishte krah
saj, e nganjëherë edhe të mbështetej paksa instiktivisht tek ai. Djali dhe
ndjekësit e tij e kuptuan këtë kthesë, dhe ndjenja e lumturisë që rrezatonin dy
të rinjtë, u përhap dhe mbërtheu spektatorët, të cilët ishin shtuar.
Tashmë loja e tyre ishte e qetë dhe e shtruar, por edhe spektatorët sikur
këtë dëshëronin. Emocionet e fillimit krijuan tendosje tek të gjithë
spektatorët dhe njerëzit sikur donin
prehje dhe një lojë të këndëshme pas asaj tendosje që u krijua midis të rinjve,
dhe sikur ishin të kënaqur që djaloshi vigan me gjoksin e kuq dhe flatrat e
zeza fitoi mbi vogëlushen e kaltër që mundohej fillimisht t’i shpëtonte
flatrave të tij.
Befas dy të rinjtë u shkëputën, rrëshqitën qetësisht në dy drejtime të
kundërta drejt skajeve të ringut, dhe befas u kthyen, dhe rrëshqitën kundrejt
njëri tjetrit. Kur u gjëndën afër, djali e kapi vajzën e kaltër nga beli, e
ngriti lart, e rrotulloi në ajër mbi kokën e tij, dhe pastaj e uli lehtas mbi
kraharorin e tij, dhe bëri tre vërvitje
të shpejta bashkë me të, ku e kuqja e zeza, dhe e kaltërta u shkrinë së bashku në një rreth lëvizës
shumëngjyrësh.
Vajzës i dukej vetja si një pulëbardhë që fluturonte sipër një shkëmbi të thepisur për t’iu shmangur
valëve që përplaseshin me tallaz pas tij. Në një moment ajo ndjeu se po ulej
poshtë, preku akullin, u përkul përpara, koka iu mbështet, tek supi i djalit i
cili u gjunjëzua duke e përfshirë atë në krahët e tij, deri sa muzika u shua,
dhe asaj iu duk sikur dëgjoi, “Ich liebe dich!” dhe një afsh i ngrohtë i
përshkoi veshin si gudulisje e këndëshme. Sytë e mëdhenj iu hapën jasht mase,
dhe ju duk sikur duartrokitjet që kumbuan e morën dhe i shumëfishuan ato fjalë
dhe i përplasën pas pareteve të sallës, dhe sikur të gjithë i dëgjuan ato fjalë
që asaj i hynë thellë në shpirt dhe qënësia e saj i thithi ato me të gjitha
poret e trupit të saj të ri.
Ata ndejtën një copë herë ashtu të përhumbur, të përkulur kundrejt njëri
tjetri, të zhytur në botën e tyre rinore, dhe pastaj u ngritën ngadalë,
qëndruan anash njëri tjetrit, u përkulën ndaj admiruesve, dhe ajo shpërndau të
puthura në të dy anët duke i shtuar edhe më shumë duartrokitjet dhe thirrjet
ngazëlluese.
Dikush, i hodhi djalit çantën me rroba, dhe i thiri, “ Mos guxo të mendosh
se mund të largohesh nga kjo anë!”, gjë që
kjo shkaktoi të qeshura të forta në sallë.
Ata të dy, të kapur prej dore u drejtuan drejt daljes së pistës, ku ishin
grumbulluar trajnerët, vajzat dhe djemtë skiatorë, punonjësit e mirëmabjtjes së
ringut. Të gjithëve ju lexohej në sy admirimi.
Traineri i vajzës me dy ndihmësit e tij mënjanoi njerëzit e grumbulluar që
t’i hapte rrugë dy të rinjve. I uli të dy në një stol aty pranë dhe po i
vështronte me sy që i xixëllonin. Para tij ai kishte një çift kampionësh. Në
moment ai ëndërroi për një medalje ari në qafën e vogëlushes që kishte trajnuar
për vite të tëra.
A e dini!? - pyeti ai në mënyrë retorike, - Ju përbëni një çift të
mrekullueshëm! Do të ishte mirë të konkuronit bashkë në garat e sivjetëshme.
Fitoren e kemi të siguruar pëllumbat e mij!- tha i eksituar dhe heshti një copë
herë si të mbushej me frymë. Por menjëherë u kujtua:
A ke trajner djalosh?- pyeti.
Jo zotëri!- iu përgjigj djali
sjellshëm.
Trajneri fërkoi duart tepër i kënaqur.
Si të quajnë? - u kujtua të pyesi.
Arben Gjakova! - u përgjigj djali instiktivisht, i përqëndruar krejtësisht
tek vajza ulur pranë tij, pa i kushtuar vëmëndje detajeve rreth e qark.
Si!? - një pasthirrmë e pavetëdijëshme i doli trajnerit nga goja. Sytë ju
errësuan. Fytyra i shprehu panik, dhe pasi i hodhi sytë në kostumin kuq e zi të
djalit i erdhi inat me veten që nuk kishte realizuar se me kë kishte të bënte
thjesht nga ato ngjyra. Talenti i djaloshit dhe loja e përsosur e çiftit ia
kishin verbuar sytë dhe ai kishte mospërfillur një element kaq të dukshëm.
Arbeni nuk e dëgjoi pasthirrmën e trajnerit dhe nuk e vuri re reagimin e
tij. Ishte krejtësisht i humbur duke vështruar vajzën kaltëroshe që i rrinte
pranë. Ky i fundit e përmblodhi veten.
Pa nga ata të dy. Në atë çast ai nuk ekzistonte për ta.
“Aq më mirë!”- tha me vete i kënaqur që ata nuk e kishin mëndjen tek ai dhe
nuk e vunë re turbullimin e tij. – “Le të kënaqen me njëri tjetrin për aq sa u
ka mbetur!”- mendoi dhe u largua pa u ndjerë.
Të rinjtë as nuk e vunë re zhdukjen e tij. Rreth tyre u grumbulluan djemtë
dhe vajzat kërcimtare duke i përgëzuar përzëmërsisht. Pas pak vajzën dikush e
thiri.
Si të quajnë? - e pyeti djaloshi kur e pa të ngrihej.
Matilde Zharçiç! - u përgjigj ajo me një zë melodioz. Ai zë i shkoi drejt e
në damarët e trupit, dhe ai pëshpëriti, “Matilde! Matilde!”
Ajo buzëqeshi dhe e pyeti thjesht:
Po ty?
Arben Gjakova.
“Arben, Arben Xhakova!”- përsëriti ajo me vete, dhe emri iu duk disi i
çuditshëm. Se çfarë i kujtonte, por kjo nuk kishte asnjë farë rëndësie. Vajza u
ngrit në majë të gishtave, dhe u zgjat drejt tij. Ai u përkul, dhe ajo e puthi
lehtë në faqe. Duke qeshur, ajo u largua shpejt duke mos i lënë atij kohë të
kundërvepronte, dhe i thirri duke ikur:
Nesër në ora shtatë këtu Xhakova!
Ai zë iu fut djaloshit drejt në shpirt.
* * *
“Matilde! Matilde!”- përsëriste me
vete vazhdimisht duke ecur rrugës, dhe as e kuptoi se si arriti në hotel. Aty e priste axha, që donte të merrte vesh në
se kishte gjetur punë dhe t’i thoshte se duhej të bartej në shtëpinë të tij se
nuk kishte kuptim të paguante për hotel. Duke pritur ishte shqetësuar disi nga
vonesa e tij, por kur e pa të hynte me fytyrën që i rrazëllente u qetësua.
Po hë mor Arben se m’bane merak!- i tha
Arbeni e përfshiu prej beli, e ngriti lart e iu duk Axha pendë i lehtë.
Ej ti kockë e fortë gjakovare! Kujdes se po m’i thyn njato kocka t’plakuna
që më m’kanë mbetë pasi i kam dërrmu minierave e uzinave!- Si shumë i gzushëm
po m’dukesh!- i tha i Axha që kishte njëzet vjet në mërgim e që kishte punuar
nëpër të gjitha skutat e Gjermanisë.
Arbeni e lëshoi dhe bërtiti tërë hare.
Gjeta punë Axha Sefë! A e kupton, gjeta punë në ndërtim dhe që paguhet
shumë mirë!
Hajt me hajër! Sonte fli në hotel e nesër mbrama bartu tek unë. Po ti se
çka ke sonte! Dukesh tepër i gzuem.- e
pyeti.
Më ka ra në kokë or axha Sefë!
A paske pi a? – i tha i shqetësuar Sefa, por djali nuk vinte erë.
Jo Axh jo!- qeshi me të madhe Arbeni. – A e din? Kam njoftë nji vajzë.
Po, ha mor Arben! A këtu e le me u njoftë me nji vashë o bir? S’pate boll
varza në Kosovë me u njoft? - u shpreh Sefa disi i mërzitur se i nipi pa ardh
mirë ja kishte filluar kësi punësh e po i ngatërrohej me ndonji gjermane. Ai
për atë arësye e kish çuar nja një vit në Kosovë kur e kishte parë që i nipi
kishte gjithë atë shtat. Por i riu si veriu, mendoi.
Arbeni as nuk priti që Axha ta pyeste por filloi t’i tregojë se çfarë
kishte ndodhur atë mbasdite. Sefa e dinte se me sa pasion e kishte i nipi
kërcimin në akull dhe u gëzua. Por diçka në emrin e vajzës sikur i tingëlloi
disi i dyshimtë. Arbeni ishte kaq i eksituar nga ç‘ka kishte ndodhur e kishte
folur kaq shpejt sa dukej sikur i hante fjalët që thoshte.
Si e kishte emrin or corr? - pyeti
Sefa sa për t’u siguruar.
Matilde.
Dhe mbiemrin?
Axhë, se si e kishte!? - tha
Arbeni duke u munduar ta kujtonte mbiemrin e saj. Befas diçka ju kujtua dhe e
ndjeu veten menjëherë të lodhur. Trajneri! Ai e kishte pritur shumë entuziast,
dhe diçka i kishte thënë për garat e ardhëshme, por pastaj ishte larguar pa u
ndjerë. Por kur? Ah, po! Pasi i kishte dëgjuar emrin.. .do me thënë. . . Dhe
mbiemri Zharçiç i erdhi nëpër mënd. Menjëherë u ndje i këputur dhe u ul mbi
shtrat.
Axhë!- shqiptoi me zë të ulët, - Axhë!
Ndejti pak ashtu dhe pastaj u shtri, vuri duart posht kokës dhe ia nguli
sytë tavanit pa thënë asnjë fjalë. Sefa tundi kokën dhe nuk foli. Ndejtën ashtu
në heshtje një copë herë. Më në fund Sefa u ngrit dhe i tha
Hajde të flesh nga unë sonte.
Jo Axhë! Shko ti! Shko! Unë po rri këtu sonte. Nesër vij andej nga ju.-
foli Arbeni me një zë si të mekur.
Sefa e kuptoi se ai donte të ishte vetëm. Eh, kishte qënë edhe vet i ri nji
herë e nji kohë. U ngrit, u drejtua nga dera, ndaloi për një moment dhe u
kthye. Arbeni nuk kishte lëvizur fare. Sefa hapi derën dhe e mbylli ngadalë pas
vetes.
* * *
Dita iu duk shumë e gjatë dhe ndjenja e ankthit nuk ju nda për asnjë çast.
Mbasdite, kohë para shtatës u gjënd në kompleksin sportiv. Tek hyrja e pistës
së akullit u takua me disa të rinj.
Ndërsa bisedonte me ta iu afrua një nga trainerët.
Erik Hekel! - iu prezantua ai dhe i zgjati dorën.
Arben Gjakova!
A mund të bisedojmë?
Arbeni tundi kokën në miratim. Hekel i hodhi dorën në sup dhe e tërhoqi
mënjanë. Ai ishte më i shkurtër se Arbeni, me fytyrë të ashpër, dhe i ngjeshur në trup. Ia kishte dëgjuar emrin
shpesh vitin e kaluar por nuk kishte pasur rastin ta takonte.
Do të doja të punonim bashkë Gjakova! Të ndoqa dje në ring. Je një
patinator mjaft i talentuar. Çdo gjë vjen natyrshëm tek ti. Me pak stërvitje ti mund të bëhesh kampion.-
i foli duke i parë me admirim trupin shtatlartë e muskuloz.
Si t’ju them Zoti Hekel! - u përgjigj si me ngurrim Arbeni duke menduar
Matilden.
Hekeli buzëqeshi lehtë.
Mirë, mirë djalë! Këtu jemi! Veç brënda javës dua përgjigje. Sa për sot do
të doja të bënim një seancë stërvitore
bashkë. - Shko ndërrohu ! - i tha me një ton që nuk lejonte asnjë
kundërshtim.
Arbeni pa orën. Ishte gjashtë. Kishte kohë të shpihej pak. Dëshira për të
kërcyer e gjallëroi të tërin dhe ai u ndje mirë. Traineri urdhëroi që pista të boshatisej dhe
Arbeni i çuditur vuri re se urdhëri ju zbatua menjëherë. “Qenka i fuqishëm!”-
mendoi. I erdhi mirë që kishte rënë në duart të tilla dhe shkoi mënjëherë të
ndërrohej. Duke vrapuar për në dhomat e zhveshjes u kujtua dhe thirri:
Faleminderit Zoti Hekel!- trajneri tundi dorën në mirëkuptim.
Në pesë minuta u kthye dhe u fut në pistë. Hekel po e priste tek hyrja.
Hajde Gjakova! Na trego se çfarë mund të bësh në akull! – i foli Hekel me
një ton profesional por që kishte një nuancë admirimi.
Arbeni rrëshqiti në mes të ringut dha hapi krahët. U duk sikur një
shqiponjë gjigante që kishte zbritur në mes të ringut. Sytë e Hekelit tregonin
kënaqësi.
Një muzikë e veçantë që përdorej vetëm për ushtrime u përhap në sallë dhe
Arbeni filloi të lëvizë duke ju bindur zërit metalik të trajnerit. Ushtrimet
ishin të vështira por ai po i përballonte mjaft mirë. Në lëvizjet e tij kishte
elegancë dhe teknikë të lartë.
Vetëm trajneri i dallonte mangësitë që vinin nga të mos ushtruarit
sistematik. Por në tërësi ai dukej i kënaqur. Për një talent të tillë kishte
ëndërruar gjithmonë. Në fytyrën e tij nuk lëvizte asnjë muskul, ndërsa sytë i
ndriçonin sa herë Gjakova përballonte ushtrimet e ndërlikuara që i diktonte,
sidomos kur lëvizjet kërkonin kalim nga një gjëndje, në një tjetër krejtësisht
të kundërt. Reflekset e tij ishin të mrekullueshme.
Duke u ushtruar, i zhytur i tëri nën ndikimin e muzikës dhe zërit të
Hekelit, sytë i kapën shifrat në orën elektronike të sallës. Shtatë pa pesë
minuta. Automatikisht ndaloi. Hekeli e pa i çuditur. Gjakova po e shihte pak i
hutuar dhe një si lutje shprehej në sytë e tij. Me instinktin e një njeriu që
kishte trajnuar shumë të rinj, Hekeli diçka nuhati. Vështroi orën e dorës, dhe
tha:
Për sonte mjaft!
Ai ishte i kënaqur. Atë që donte të shihte e pa. Ky djalë kishte një
potencial të jashtëzakonshëm. I rrahu shpatullat dhe duke u larguar, i kujtoi:
Gjakova, jam në pritje të përgjigjes tuaj.
Arbeni buzëqeshi. Nuk kishte ku të gjente trajner më të mirë. Ai e kishte
vendosur. Thjesht donte të ishte i sigurtë që Matilde. . . As ai vetë nuk dinte
se çfarë shpresonte të ndodhte, por për çudi shpresonte. Kundër të gjitha
mundësive të realitetit të botës së tij.
U fut në dhomat e xhveshjes ku e rrethuan një grup djemsh.
Hej! – i tha njëri prej tyre.- Përgëzime! Kujt i rreh shpatullat plaku
Hekel e ka të sigurtë medaljen e artë.
Ai buzëqeshi ngrohtësisht. Por nuk mundej të merrej me ta tashti. Priste
Matilden. U ul në një stol jasht ringut
dhe ashtu duke pritur ju çfaq para syve figura e saj. Sytë e mëdhenj larushë,
profili grek, flokët bojëkafe të errët me ca kaçurrela të vogla sipër ballit të
mbledhura bisht që i tundeshin kur rrëshqiste në akull, flisnin për një qënie
njerëzore me shpirt të butë. . .Dhe emrin e kishte gjerman. Kjo kishte një
domethënie, mendoi, si për t’i mbushur mëndjen vetes.
Padurimi iu kthye në mërzitje. Ora po kalonte e ajo nuk po dukej. Akrepat e
orës e kishin kaluar tetën. “Po përse vallë po vonohet?” – i bëri pyetjen
vetvetes duke e ditur diku thellë brënda tij që ajo nuk do të vinte. Por një
dëshirë e marrë për ta parë e kishte bërë të humbiste toruan dhe të mendonte se
ajo do ta mbante premtimin.
Këtu je ende Gjakova? - dëgjoi zërin e Hekelit
Instiktivisht u ngrit në këmbë, por Hekeli i vuri dorën në sup dhe e uli në
stol. U ul edhe vetë pranë tij.
Po pres Matilden zoti Hekel, - i tha thjesht.
Dëgjo këtu Gjakova! Njeriu duhet t’i shohë gjërat në jetë ashtu siç janë.
Përse e keni fjalën zoti Hekel?
Ajo vajzë mor djalë u largua dhe i shkëputi lidhjet me klubin
Gjakova po e shikonte pa folur. Pastaj pyeti me zë të ngjirur sikur donte
të përforconte apo të shuante dyshimin e tij:
Po përse vallë?
Hekeli tundi kokën me një shprehje të papërcaktuar në fytyrë.
Gjakova! Mos e kërko më atë vajzë.
Ti duhet të vendosësh për të ardhmen tënde.
Cila është arësyeja? – pyeti sikur të mos kish dëgjuar asgjë nga ato që
Hekeli sapo kishte thënë, dhe më shumë për të hequr nga koka dyshimin që i
ishte çfaqur kur bisedoi me Sefën. Megjithëse në brëndësi e dinte përgjigjen,
po e kishte të vështirë ta pranonte, dhe dukej sikur donte ta dëgjonte me zë të
lartë nga nga dikush që ishte i paanshëm.
Hekeli e pa si me shpoti, por duke kuptuar gjëndjen shpirtërore të të
riut, fytyra iu zbut. Ai kapi kostumin
aty ku mbaronte e kuqja dhe fillonte e zeza dhe i tha:
Këto ngjyra flasin vetë Gjakova!
Djali uli sytë mbi trupin e tij dhe pa të kuqen dhe të zezën, dy ngjyrat më
të dashura të tij. Ato ishin ngjyra që nuk kishin përse të trëmbnin askënd,
mendoi. Ai i donte ato që nga fëmijëria e largët kur Nanë Lokja i tregonte se
si gjaku i kuq derdhej nga trupat e Kreshnikëve dhe trimave, thahej e bëhej i
zi, e përsëri derdhej gjak i kuq mbi të ziun e mpiksur, e kështu e kuqja dhe e
zeza ashtu, si dy ngjyrat e pandashme të flamurit, bëheshin ngjyra të trimave
që merrnin plagët, të nënave dhe nuseve që qanin shpesh mbi ato ngjyra sipër
trupave të tyre, apo lanin teshat e mbuluara me to, dhe fëmijëve që i shikonin
ato ngjyra të mpiksura e të ndërthurura mbi plagët e baballarëve dhe vëllezërve
tyre.
Ngriti sytë mbi Hekelin. Sytë e tij ishin të qartë, dhe të burrërruar.
Shikimi i tij ishte domethënës.
“Sot jemi në shekullin e njëzet trajner. Jemi në shekullin e kozmosit. Sytë
i kemi tek yjet, por ndjenjat fatkeqësisht janë si në vitet e errta të
mesjetës. E kuqja dhe e zeza nuk kanë përse të trëmbin njeri. Ato nuk kërkojnë
më tepër se i takon. Ato kërkojnë thjesht vëndin e tyre. Çudi! Përse trëmben
kaq shumë prej tyre? Secili ka ngjyrat e tij Trajner, dhe nuk ka përse të trëmbet apo të urrejë ngjyrat
e të tjerëve. Ngjyrat janë në harmoni në natyrë me njëra tjetrën, dhe ato duhet
të jenë në harmoni edhe midis njerëzve. Sa keq Zoti Hekel! Njerëzimi, një dorë
e shtrin drejt të shndritëshmes dhe të paarritëshmes, dhe me tjetrën zhyt veten
në errësirë, e kthehet shekuj mbrapa.”
Ai ndaloi pas këtij filozofimi të pjekur dhe të papritur që bloi në kokë
për moshën e tij, dhe pastaj shpërtheu:
Ndërsa unë e dua atë vajzë Hekel! Ich liebe Ihr!
Hekeli që dëgjoi vetëm dy fjalitë e fundit, duke parë se si shprehja e syve
të djaloshit ndryshonte ndërsa ai mendonte, me intuitë kapi thelbin e mendimeve
të tij dhe e ndjeu veten si ngushtë përpara këtij të riu që pa u rritur ende,
me shikimin e tij të qartë dhe të mendueshëm, i vinte një pikëpyetje të madhe
botës. Ai e ndjeu veten afër shpirtërisht me këtë djalë trup madh që sot kishte
pësuar goditjen e parë të jetës, në dy dimensione të ndryshme.
Me sa duket bir, Shekspiri mbijetoi ndër shekuj që të na tregojë se bota
nuk ka ndryshuar shumë. - i tha me simpati.
Pas pak u ngrit, i vuri dorën në sup, dhe i tha:
Hajde Gjakova! Duhet të shkojmë! U bë vonë! Nesër na pret një ditë e gjatë.
Duhet të pregatitemi për garat Olimpike.
Zoti Hekel! - Një punonjës i shërbimit ishte afruar pa u ndjerë. - Kërkojnë
këtë të riun në telefon.
Arbeni pa një çast nga Hekeli,
dhe pastaj vrapoi drejt kabinës telefonike. Hekeli buzëqeshi.
Me dorën që i dridhej, Arbeni rrëmbeu receptorin.
Alo! Alo!
Një dënesë u dëgjua nga ana tjetër.
Matilde! Matilde! - thiri Gjakova. - Ich liebe dich!
Një dënesë tjetër u dëgjua dhe në mes të ngashërimave ajo foli:
Edhe unë të dua Xhakova! Të dua! Ich liebe dich auch!* Por ti duhet të më
premtosh që nuk do më kërkosh. Të lutem më premto! Ti nuk duhet të më kërkosh!
Më premto Gjakova! Do të ishte fort e dhimbëshme për të dy. Lamtumirë Xhakova!
Lamtumirë!
U dëgjua një zhurmë, pastaj receptori u ul. Ai mbajti dorezën edhe pak, por
heshtja mbizotëroi në anën tjetër. Vuri
receptorin në vënd dhe pa nga Hekeli.
*Ich liebe dich auch!- Të dua gjithashtu!
* * *
Kokën e ndjente të turbullt e balli i digjte. Në vorbullën e mendimeve që i
vinin ashtu siç rrinte i shtrirë, përziheshin shtojzovallja, Nanë Lokja,
Kreshniku, ferrat, ferrat. . .
Dhe zëri i LokeMadhes i vinte si një zë i lashtë, si një zë transmetues i
epokave, i këngëve të epikave të kreshnikëve, i këngëve elegjike për trimat e
mbuluar me gjak. Atë Zë nuk e njihte kush. Ai zë, nuk ishte dëgjuar nëpër valët magnjetike të
radiove, nuk ishte dëgjuar nëpër teatrot ku luheshin pjesët shekspiriane, as në
shtëpitë madhështore të operave të botës, nuk kishte depërtuar as nëpër muret e
kështjellave luksoze të Europës; por ai Zë diti t’i këndojë së bukurës dhe të
madhërishmes, dashurisë dhe jetës përmes zjarrit, tymit dhe barotit, midis të
cilave gjithmonë lulëzoi lulëkuqja. I përçoi ai Zë këngët me gojën e rapsodëve
e të lokeve, dhe erdhi ai Zë deri tek ai, pa autorësi, por me vulën e
pashlyeshme të shpirtit të popullit të tij. Dhe, Nënë Lokja e tij, autore e heshtur e ndërmilliontë e rapsodive shqipëtare, i
dukej tashti po aq e madhërishme sa edhe Shekspiri i madh.
Ajo, LokeMadhja i dha
kreshnikut shpatën për të hequr ferrat
që i pengonin rrugën. Po ai si t’i luftonte ferrat e padukëshme të kohëve
moderne që vinin nga errësira e largët e shekujve. Shpata, një mjet anakronik,
as nuk mund t’i gjente dot këto lloj ferrash, se ishte sikur të luftoje me
ajrin, boshllëkun, me mosqënien, me të padukëshmen. Matilde nuk ishte më. Ajo
ishte zhdukur si shtojzovallja e kroit.
Atij nuk duhet t’i kishte ndodhur kjo. Ai do të donte që sot bota të ishte
ndryshe. Ai përfytyronte një botë pa ferra, një botë në paqe. . . mbase në një
të largët të afërt. . .ferrat do të zhdukeshin. . . dhe ngjyrat Kuq e Zi nuk do
të shqetësonin më njeri. . . dhe ai do të ecte drejt kroit të kaltërt për t’i
pirë ujin e kristaltë pa mundim. . .
Tiranë, Shkurt 1988