Thursday, 23 May 2013

Infinit




Nga Fatmir Terziu

Sot u përpoqa të njoh lëkurën time. Guackë
nomade që më vodhi muzikën e breshërit
për t’ia dhuruar fletëve teneqe të medaljeve
e tendosur nga ikja e reve në hapësirën zyrtare
me një satirë të ndukur nën dhëmbë shiu
që kafshojnë asfaltin si në mish njeriu.

E mësyj të futem në lëkurën time
gërvisht çka di dhe mësuar në libra
dhelpëritë i gjej të fytkapura me kollare
e neveritur krejt dita
i ndotur ajri në infinit
meket drita një shpurë servile
që ysht rrugën nën lëkurën time.

Edhe poezia u ngut të pickojë lëkurën time
vargu u zhulat mes kanaleve mondane
e trishtë edhe jeta intime
gjithçka është arbitrare
dëshirat egoiste zukasin si miza
kaq ishte sot dita, e mbi të gjitha
vargun thurra si çorap me shtiza.

Lëkura më njeh, unë s’e njoh
me një shikim kallem në sojin e saj
dëshpërim, durim gjej dhe shoh
shtatë cipa hamendësh mundohem ti ndaj
e vjell me sy lëkurën e Tjetrit
në ikjen e tij konfuze rrugës
dhe i trishtuar i dorëzohem hiçit.

U trash lëkura ime u bë kallo
mbyll sytë para ndjenjës ikanake
në kokë mendimet bëjnë ballo
në mishin tonë prej kafshe
lëkura nuk vlen më asnjë pare
se u bë bajate nga zyrtarët
që ma shitën për të tyret pazare.

No comments: