Monday, 27 May 2013

DY BUZË



DRITA LUSHI
                       
                       -Cikël poetik-
PIKAT E SHIUT


Nën petalet e një trëndafili,
ca pika shiu
iu fshehën diellit nazemadh
 pritën zgjimin tim.

Pritën
që buzët të m’i freskonin  me shiun
 puthjeve,
që qielli
kish çuar mbrëme
për mua.


DY BUZË


Dy buzë.
Vetëm dy janë ato.
Puthitur si horizonti me qiellin,
fshehin pas rruazave të fildishta
kushdi sa sekrete,
fjalë të pathëna,
puthje të padhëna,
urrejtje të shkruara
në pergamene memece.

Dy buzë.
Vetëm dy janë ato.
Po kur horizontin e puthitur kalojnë
mijëra fjalë, freski u japin shpirtrave
e ngrohin me jetë zemra të ngrira.

Dy buzë.
Vetëm dy janë ato.
Po kur fjalët kafshojnë e s’mbahen,
dhimbshëm, a ndoshta me dëshirë,
ushtarë me heshta në duar shndërrohen,
dhe si leva e Arkimedit,
botën levizin,
dhe mbi të shtete,
dhe mbi shtete njerëz
në lëvizje kaotike
e luftra ndalen,
të tjera fillojnë,
traktatet përpijnë
firma  pompoze  politikanësh.

Dy buzë.
Vetëm dy janë ato.
Kur lëvizin, që puthje të dhurojnë,
dashuritë llastare kapin me fijëza jete
në trupin e Afërditës grua;
kur ato puthin,
paqja shtron qilimin
thurur me duar grash,
si gjethe të blerta,
punuar me fijëza uterine,
që jetë të ketë.

Dy buzë.
Vetëm dy buzë janë.
Dhe sa shumë …
Sa shumë …


SOT JAM NJË TJETËR

Sot ndjehem një tjetër.
Më shihni dhe ju?

Mos ndoshta dielli lindi më heret?!
A ndoshta dita më e bardhë erdh’?

Mos ndoshta yjet m’u puthën me shpirtin?
 hëna  mbolli ëndrrat në gjumin tim?

I shoh kaq qartë,
i ndjej, sepse mbrëmë ,
pushova në zemrën tënde.

Shoh si më afrohet bota,
si rrotullohem bashkë me Tokën, lehtë,
e me prekje zgjoj dhe planetë te tjerë.

Ej!
Qenka mirë brenda zemrës tënde.

Ej!
Të rri  dhe një natë tjetër?

Pranon?

Atëherë po rri më shumë,
derisa te mos më lësh më të iki.

Dua të  shkel çdo ditë
rrugëve të zemrës tënde,
të eci zbathur, të ndiej të ftohtin,
të nxehtin.
Dua të më prekin në inde
e t’i prek me jetë;
dua stinët t’i bëj vit brenda teje,
 ti të jesh vitet e mia të jetës.
Më muros, a më mbaj robinjë,
ose  më jep liri të fluturoj,
po qiell të kem zemrën tënde,
pa re,
pa shi,
me diell,
me dritë!

Brenda teje, jam një tjetër …


NJË LETËR

Sot,
mora një letër,
mbi krahë pëllumbi,
me pendët e tij ngjyer
në bojë shpirti,
ishin shkruar vargje
me gërma harrakate,
të kapura për dore,
formonin ca fjalë
të ëmbla,
të ëmbla nektar.

Si flutura dashurie,
mbi krahët e tyre
qielli bënte hije,
freski të m’i sillte
zjarrit të zemrës sime.

S’i besova shkrimit,
që harrakt ish’,
por besova puthjet
vënë nëpër fjalë,
gërmat ngjyra- ngjyra,
në kopshtin e tyre
rritej e rritej dashuria.

Shkrimin harrakat
pështolla në gji,
cicëruam tok ,
me “unë” e me “ti’;
sa herë e lexoja
therriste emrin tim.

Harrakatit shkrim,
një dhomëz i bëra
mu në shpirtin tim;
gërmëzat  si flutra
i ndiej pa pushim;
më thonë që ai
nuk është veç kujtim.


PA ARDHUR TI

Kur ti, butësisht, preke shpirtin tim,
zgjove petalet e ëndrrave,
fillin e ditëve të mia,
braktisur e harruar,
në një qoshe,
fillova ta  mbledh e të thurja ëndrra.

Pa  ardhur ti,
isha veç një lot i ngrirë
në faqen e lëmuar.

Pa ardhur ti,
isha një buzëqeshje bore.

Pa ardhur ti,
isha nje ëndërr e rrudhur.

Pa ardhur ti ,
isha vit pa stinë.

Pa ardhur ti,
Isha stine pa jetë.

Pa ardhur ti,
zemra veç një rrahje pa rrahje kish.

Pa ardhur ti,
qenia ime hije i bënte vetes.

Pa ardhur ti,
isha në mesrrugë ,
përhumbur muzgut.

Pa  ardhur ti …

Po ti erdhe …!


KUR S’JE TI

Kur s’je ti,
dita ime
luhatet
si një anije në det të trazuar.

Kur s’je ti
shpirti ngre dallgë,
që përplasën
brigjeve të tua,
kërkojnë
të të prekin ...
të të ndiejnë ...
të të marrin me vete ....

Kur s’je ti
buzët e mia
zhuriten nga puthjet e munguara;
shtrij krahët,
por prek veç imazhin tënd ...

Kur s’je ti
Toka
e ndal rrotullimin
e unë ndal bashkë me të.

Të presim Ty,
të presim, të na shuash mallin,
të më freskosh buzët,
deti të ndalë dallgët
e Toka, të vazhdojë rrotullimin.

Kur s’je ti ...


KUR U SHFAQ DASHURIA

Kur dashuria akoma s’kish shkelur
në shtigjet ku ecja,
isha një stinë e thatë,
një verë pa zogj,
një vjeshtë me plogështi të verdhë,
dimri me borë,
që  akullzonte  ditë e natë.

Isha viti me dymbëdhjetë muaj, që strukur
flinin pranë njëri- tjetrit,
isha statuja amorfe, rrethuar
nga gardhi i mendimeve
të mia të ngurta.

Kur jetën time e preku dashuria,
e shkelja shtigje të parrahura,
qeshë vera
ku zogjtë këndonin,
qeshë vjeshta,
ku e verdha puthej me jeshilen,
qeshë bora e dimrit
që mezi priste të shkrinte,
qeshë era,
që flladiste stinët e mia,
qeshë  stuhia,
që  rrëzoi gardhin
 dyzimeve të mia.


DIKUSH MË BESOI ZEMRËN

Dikush më besoi zemrën.
Brenda saj,
shtrova një shtrat me petale.
Muret i leva me ngjyra ylberi,
si dashuria.

Çati bëra
hojet e ëmbla të fjalëve.
Dhe aty hyra të jetoja.
Kështu, ajo
u bë shtëpia ime e re.

Dikush më besoi zemrën,
Unë i besova veten.


DIL NGA HARRIMI

U bënë orë që s’të shoh, i dashur,
shumë orë,
por ato thone jo ...

Atëherë janë ditë ... që s’të shoh;
Ato vrenjten kur u përmend emrin ..
Javët po ashtu më largohen ...
Atëherë janë muaj ...

Oh !  U bënë muaj që s’të shoh!
Orë … muaj ...
nuk di,
nuk e mas dot mungesën tënde ...

Dil nga harrimi
e … me fjalët tuaja
lodro mbi  trupin tim,
këngët të zgjohen,
këngët që presin të këndohen
nga zërat tanë …

Dil nga harrimi
të bëjmë duet zërash,
t’i bashkojmë në sintoni
e zemrat të këndojnë
tonën melodi.

Dil nga harrimi
e në mos dalsh,
n’harrim dhe unë do të vij.


PROVË DASHURIE

Më vuri në provë dashuria,
shkruajtur mbi portën gjysmehapur:

Më gërma mos më sill, - më tha -
fjalë nuk dua,
nuk dua të më duash ...
Unë ngriva.
Pa fjalë për një çast ngela,
pranova provën,
a do mundja vallë, do mundja?
Në provë ish dhe ajo ...
Një provë – lojë,
unë dhe dashuria,
e,
në mes ndjenjat …
Do më pëshpërinte e para në vesh fjalë të ëmbla,
a do t’i thoja unë e para,
që për mua ish Perëndia?

No comments: