Friday, 4 July 2014

POETI QË S’U PAJTUA ME SISTEMIN TOTALITAR



POETI QË S’U PAJTUA ME SISTEMIN TOTALITAR
MA. Ilir Sefaj
Rruga poetike e Visar Zhitit është ndër më komplekset në letërsinë e sotme shqipe, megjithëse, nuk janë të paktë krijuesit që patën fat të njëjtë a të ngjashëm. Shkrimtarët shqiptarë në Shqipërinë totalitare për gati gjysmë shekulli dhe ata që krijuan në Kosovën e okupuar, por edhe në viset e tjera shqiptare nën okupim, sikur ishin fat-njëjtë. Muza e tyre poetike nuk guxoi të jetë më dorëlirë në frymëzimet e saja.
                Vite të tëra burg për poezinë! Ky ishte “krimi” i poetit, haraçin e të cilit duhej ta paguante medoemos në kohën e diktaturës komuniste. Absurd i llojit të vet! Pikërisht me akuzën për poezi “antiparti” do të ballafaqohej edhe poeti atëbotë i ri, Visar Zhiti, i cili ende pa shijuar frytet e para të frymëzimeve të tij, u arrestua dhe u dënua me burg, duke qëndruar në burgun famëkeq të Spaçit, plot shtatë vjet.
                Edhe pse u ballafaqua për afro një dekadë me vuajtjet që sjell të qëndruarit në burg, për studiuesin A. Vinca,: “Visar Zhiti, (është) një poet viktimë e surrealizmit politik të sistemit totalitar! E megjithatë, poezia e tij nuk është poezi e urrejtjes, por e dashurisë...Sepse,
             ...jeta (...) s’mjafton për dashurinë...
               e tmerrshme të gjesh kohë
     për urrejtjen.” [1]  
Njeriu që nuk i duronte dot “njerëzit te këmbët e tija” detyrohet që afro një dekadë të vuajë në burgje e qeli. Kjo masë ndëshkimi, iu shqiptua poetit 27-vjeçar vetëm e vetëm se në poezinë Lustraxhinjtë, Sfinksi, Dielli i dytë etj, llupa e sistemit komunist, apo sita politike partiake, kishte vërejtur tendencën e Zhitit që rrënjët dhe “idealet e larta të Partisë” t’i lëkundte, dhe kjo mënyrë e të shprehurit, sipas ”ekspertizës” binte direkt ndesh me parimet e socializmit dhe të realizmit socialist.
“Ekspertiza” që iu bë poezisë Sfinksi të Visar Zhitit, nga “miqtë” e tij poetë, u konsiderua si alegori për Partinë dhe udhëheqjen e saj:
 I tmerrshmi sfinks me krifa muzgu
 qëndron i zymtë mbi shkretëtirë.
 Madhështia  e tij e rëndë prej guri
 e bëri, ah, të palëvizshëm! [2]
Ky sfinks i cili nuk i kishte të qarta mendimet, ndjenjat e qëllimet, sipas “ekspertizës” së asaj kohe aludonte në diktatorin komunist, dhe sigurisht se për këtë “guxim” të tij, poeti Visar Zhiti do të duhej ta merrte dënimin e merituar!
Se cili ishte qëndrimi i poetit të ri ndaj sistemit monist, që degradonte njerëzit, pa as edhe një arsye, dëshmojnë vargjet e më poshtme:
 Jo, jo,
 nuk i lyej kurrë këpucët
 te lustraxhinjtë!

 S’i dua njerëzit te këmbët e mia. [3]
Është kjo “liri” e të shprehurit (me të cilën nuk mund të pajtohej sistemi monist), që poetit tonë jo vetëm që ia ndaloi të drejtën e botimit, por e detyroi të ballafaqohej me “gjyqin e popullit”, si quhej, ngase përmes një gjuhe të figurshme “metaforike” ironizonte lavdinë e pushtetit dhe sjelljen e servilëve dhe të Miçove të tij.
Ani pse më parë se gjithçka tjetër, kjo poezi e vë në pah humanitetin, dhe shpirtbardhësinë e poetit, dashurinë e tij të pambarimtë për njeriun, dikush guxoi që vargjeve të sipërcituara t’u jepte ngjyrime politike për t’ia ndërprerë kështu në gjysmë frymëzimet djaloshare poetit Visar Zhiti.
Thuhet se “vargjet i pjell revolta”. Pikërisht kjo ngjet edhe me poetin Zhiti ngase poezitë e tij të shkruara në burg, shumë prej të cilave janë perla të vërteta, shprehin revoltë ndaj regjimit absurd, që kufizonte në çdo hap liritë e njeriut.
Studiuesi kanadez, Robert Elsie, duke folur për jetën dhe krijimtarinë e Visar  Zhiti, shkruan: “Visar Zhiti është autori shqiptar, jeta dhe vepra e të cilit janë ndoshta pasqyrimi më i mirë i historisë së kombit. Ai ishte një prej njerëzve të shumtë që u përndoqën mizorisht pa ndonjë arsye të qenë. Por ai mbijetoi, fizikisht dhe nga ana intelektuale e emocionale dhe sot është një prej poetëve më të njohur në Shqipëri”.  
Poezi që sjell shkëndija drite nga errësira!
Poeti Visar Zhiti e kaloi një pjesë të jetës së tij, mbase vitet më të bukura të rinisë në burg. Megjithatë, sikurse me të drejtë është konstatuar, vepra e tij poetike më parë se gjithçka tjetër është një thirrje për jetën, dashurinë, humanitetin të njerëzishmen.
Bota e pasur shpirtërore e poetit nuk mund të burgoset, këtë e dëshmon fakti se edhe brenda qelive të burgut poeti arrin të “bisedojë” me botën e “lirë”, ai ngazëllehet qoftë edhe nga një trokëllimë kali. Kjo kafshë e bukur i është afruar frëngjisë së qelisë për t’ia dëgjuar hallin poetit:
Kam patur dhe unë dëshira të blerta
 të njoma si bari.
Ca m’i kanë shkelur,
ca i kam mbajtur.
Ty po t’i hedh –
                haji!
Dhe me buzët e thara
mërmërita ngadalë

siç mërmëritet nëpër dashuria:
Kalë, o kalë...[4]
Brenda qelisë së burgut atëherë kur të krijohet përshtypja se je i harruar nga bota, dhe jeton rininë në mënyrën më sfilitëse, e aq më tepër kur kjo mënyrë jetese të është imponuar pa ndonjë arsye të qenë, siç shprehet Robert Elsie, sigurisht se një “bashkëbisedim” qoftë edhe me një kalë, bën që poeti ta ndjejë një lehtësim shpirtëror, ngase ai mall që i është akumuluar në shpirt, duhet medoemos të zbrazët diku.
Pra, kjo liri e munguar sikur përballohet më lehtë kur jashtë qelisë së burgut, megjithatë dikush gëzon “luksin” e të jetuarit në liri, qoftë ky edhe një kalë i bukur sikurse është ai në oborr, aty diku pranë qelisë së poetit.
Subjekti lirik jo rrallë vihet në situata të tilla absurde e ekzistenciale, ku në mungesë të dikujt që është i gatshëm t’ia dëgjojë hallet e të bashkëbisedojë me të, i drejtohet vetës së tij:
Ti
flet
me vete
                 Unë
                s’besoj
                që je i
                marrë

               Askush
              s’gjendet
              t’i thuash
              një fjalë.[5]
“Kjo është një poezi që më shumë se ç’flet sugjeron. E ç’duhen fjalët e tepërta në një situatë absurde?! Ti-unë-askush janë tre përemra me të cilët fillojnë tri njësitë e kësaj vjershe fjalëpakë. Ti flet me vete; unë të kuptoj, por askush s’ta zgjat dorën. Në mënyrë të tërthortë poeti akuzon. Jo njeriun fatkeq, por institucionet dhe shoqërinë që e kanë sjellë atë në një gjendje të tillë, absurde e tragjike njëkohësisht”.[6]
Vepra poetike e Visar Zhitit, tematika e kësaj vepre e në veçanti ajo që identifikohet me burgun lidhet direkt me përjetimet e poetit, me ndeshtrashat që e kanë përcjellë atë në përditshmërinë e tij, mirëpo kjo nuk do të thotë se poeti i jep vetëm konotacione personale tragjikes së tij, përkundrazi ai duke trajtuar tragjiken e jetës së njeriut në përgjithësi në fakt predikon të njerëzishëm. 
Andaj: “Poezia e Zhitit trajton sidomos aspekte të ndryshme të jetës së njeriut tonë, në veçanti tragjikën e saj. Në rrafshin e mesazhit të saj poetik vërejmë se jeta në thelb është vuajtje, është pësim. Kjo gjë nuk del për shkak se në poezinë e këtij poeti s’ka dritë, se nuk përfillet e nuk përkrahet njerëzorja; se nuk mbëltohet e nuk gjakohet të mbillet mirësi e mirëqenie, po pse këto asnjëherë nuk janë të mjaftueshme për jetën e njeriut”. [7]
Vargu poetik i Visar Zhitit ironizon fenomene me të cilat ndeshet njeriu në një vend konservator e diktatorial, siç ishte Shqipëria moniste, pra ky poet me “pozicionim kundra-revolucionar”, artistikisht përqesh parullat demagogjike e utopiste të sistemit totalitar, i cili donte ta “ndërtonte një shoqëri moralisht të edukuar”: 
Në shtetin më konservator në botë
ku të burgosin
    për një pikturë nudo,
  në burgun e këtij shteti hermetik
 WC-të janë pa dyer,
              të hapura,
              radhë-radhë
             përballë njëra-tjetrës.

Gjithë turp mund të shohësh padashje
kufoma seksesh
            që lëkunden si të varur. [8]
Përmes një nënteksti të fortë ironik poeti zhvesh deri në lakuriqësi mitin që kishte krijuar sistemi totalitar, pra në një shtet ku të burgosin për një pikturë nudo, për një poezi, për një varg të vetëm, ose edhe për diçka tejet të imtë që  “tenton ta prishë moralin”, njerëzit trajtohen si kafshët, madje atyre u ndalohet intimiteti edhe në burg, ngase WC-të e burgjeve janë të hapura.
A nuk është ky paradoks i sojit të vet?! Sigurisht se me masa të tilla të ashpra u ballafaqua secili i burgosur në burgjet e sistemit diktatorial.
Poezia e Visar Zhitit, veçanërisht ajo që identifikohet me burgun, krijohet sipas një procedeu modern dhe është e mbrujtur me një ironi të hollë:
                          Natën do punojmë, turni i tretë i vdekjes,
                          po ku flihet dot mes zhurmës apokaliptike
        të ditës së burgosur?

Altoparlanti leh si një qen i tërbuar.
që s’di të zbresë nga taraca.

Transmetohet një ndeshje,
 lajmërohet i gjithë globi
në një ekzaltësi torturuese
se ku ndodhet topi,
në ç’shqelma.

 Dhe asgje s’thuhet
 për shpirtrat tanë:

 bien si zhele mjegulle
mbi telat me gjemba
poshtë nëpër gurët
e një përroi të tharë (kohe).[9]
Në vargjet e mësipërme ironizohet qëndrimi krejtësisht indiferent i botës, karshi fatit të të burgosurit. Subjekti lirik nuk mund të pajtohet me “ligjet” e botës, të cilat bëjnë që individi me shumë lehtësi të ekzaltohet nga transmetimet e ndeshjeve sportive, por jo edhe nga gjendja e rëndë dhe sfilitëse në të cilën ndodhen të burgosurit!
Vargu poetik i Visar Zhitit i cili i  vë në pah situatat dramatike me të cilat ndeshet njeriu në burg, mbetet kurdoherë nën shenjën e poezisë personale, mbase edhe atëherë kur sipas një perceptimi fillestar të krijohet përshtypja se i referohet një vete të dytë dhe duket referenciale. Gjithsesi, tek ky lloj i poezisë, emocioni gjithherë ndodhet në gjenezën e ligjërimit dhe si e tillë, kjo poezi ndonjëherë edhe mbëlton një dozë smire karshi atyre që degradojnë njeriun, mirëpo pa tentuar asnjëherë që urrejtja të ndalet përmes urrejtjes!
Vargu si identifikim i rezistencës shpirtërore!
Në pasthënien e botimit të librit të parë poetik të Visar Zhitit, Kujtesa e ajrit (1993), poeti Bujar Xhaferi, e cilëson poezinë e Zhitit si: “poezi që vëzhgon me imtësi jetën, jetën e gjërave e të gjallesave; si poezi që kapërcen pesimizmin mbi gjërat, duke qenë gjithnjë një epilog me dritë, ku poezia behët identifikim i rezistencës shpirtërore”.[10]
Poeti Visar Zhitit është përpjekur që nëpërmjet vargut të tij t’i bëjë ballë pushteteve të ndryshme, e në veçanti “pushtetit të përgjuesit” i cili në optikën e poetit merr konotacione tejet negative:
    Një vesh të zgjatur
    nga përgjimet.
         Syri tjetër
         është çapëlyer
         nga që dëshmon
         ato që s’ka parë.

        Gjysma e gojës
         është ënjtur
         nga rrahjet.

      (fshatarët në burg
       janë më të liqtë)

      Rrudhat e ballit të ngushtë
      vazhdojnë telat me gjemba.[11] 
Këto vargje të cilat gjenden poshtë poezisë më titull Asimetria e një turiri, më bukur se asnjëherë tjetër japin imazhin e përgjuesit.
Veshi i zgjatur, syri i çapëlyer, goja e ënjtur janë disa nga tiparet që poeti i atribuon përgjuesit, i cili është i gatshëm të dëshmojë qoftë edhe rrejshëm vetëm e vetëm që të përmbushë apetitet e tij.
Visar Zhiti identifikohet si poet i poezive për burgun, ani pse jo me më pak inercion i këndon dashurisë, fëmijëve, prindërve, jetës në përgjithësi.
Poezia e tij e cila identifikohet me burgun është një “ulërimë e heshtur”, një “rezistencë shpirtërore” e poetit karshi sistemit totalitar që ishte i gatshëm ta denigronte dhe ta degradonte njeriun në përmasa të tilla të papara, vetëm e vetëm se bota e tij shpirtërore kapërcente murin e myktë të ideologjisë komuniste!
                   Shpejt në rresht! Ne dhe të vdekurit tanë, që na
                   mbajnë për
                   krahu që të mos biem. (Policët na kontrollojnë. Fusin
                   duart tek xhepat, këpucët, tek kapelja. S’dinë të
                  hyjnë në kokat tona, tek shpirti).
                  Shpejt hani bukë! (në të vërtetë ato pjata të palara
                  na hanë neve si gojë të metalta ciklopësh).
                 Mblidhuni shpejt. Dhe ne lexojmë libra të diktatorit.[12]
Përmes këtyre vargjeve subjekti lirik ironizon “pushtetin popullor” të kohës dhe argatët e tij, të cilët dhunshëm tentonin që të burgosurve t’ua impononin “mësimet e shenjta të diktatorit”, për shoqërinë “moralisht të edukuar”.
Poeti Visar Zhiti në opinion lexues konsiderohet si krijues antikonfirmist, pra poezia e tij  merr trajtat e një ligjërimi ironik, ngase me vargun e tij ai denoncon dhe satirizon të keqen, poeti nuk mund të rrijë indiferent karshi dhunës që ushtronte “pushteti popullor” ndaj të pafajshmëve, dhe për ta vënë në pah mendimin e tij rreth këtij oguri të keq poeti ligjëron:
            Më duhet fjala natë
             dhe fjala lakuriq
             fjala i verbër më duhet
 për të shprehur fatin.[13]
Këto vargje flasin për fatin e poetit Visar Zhiti, që ishte edhe fat i shumë shkrimtarëve të tjerët që kaluan vitet më të bukura të rinisë së tyre në burg.
Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare në letrën që i dërgon më 1991, poetit Visar Zhiti, ndër të tjera i shkruan: “Lexova në gazetën ‘RD’ një artikull tëndin. U gëzova për mençurinë tënde fisnike, u gëzova edhe më shumë për faktin që njeriu shqiptar është i aftë për një mençuri të tillë! Kjo është një shenjë e mirë për të gjithë. Shumë zymti vjen nga Shqipëria, shumë dëshpërim e disa herë shumë egërsi. Ndaj për oguret e mirë kemi të drejtë të gëzohemi”.[14]
Sigurisht, se poeti e krijuesi Visar Zhiti, do të mbetët gjatë kohë në qendër të vetëdijes sonë letrare edhe në motet që do pasojnë, ngase pas çdo leximi apo rileximi të veprës së tij, do të kap diçka që nuk e ke takuar herëve të shkuara!


[1] Agim Vinca, Alernativa letrare shqiptare, “Shkupi”, Shkup 2005, f. 88.

[2] Visar Zhiti, Mbjellja e vetëtimave, “Flaka e vëlazërimit”, Shkup 1994, f. 24.
[3] Visar Zhiti, Kujtesa e ajrit,  Shtëpia botuese e Lidhjes së shkrimtarëve, Tiranë 1993, f. 24.
[4] Visar Zhiti, Kujtesa e ajrit,  f. 48.
[5] Visar Zhiti, Hedh një kafkë të këmbët tuaja, “Naim Frashëri”, Tiranë 1994, f. 38.
[6] Agim Vinca, Kënga e hapur, “Brezi ‘81”, Prishtinë 2005, f. 204.
[7] Anton Nikë Berisha, parathënia e librit Kohë e vrarë në sy,  “Rilindja”, Prishtinë 1997, f. 7.
[8] Visar Zhiti, Kujtesa e ajrit, f. 58.
[9] Visar Zhiti, Hedh një kafkë të këmbët tuaja, f. 141.
[10] Visar Zhiti, Kujtesa e ajrit, në pasthënie!
[11] Visar Zhiti, Hedh një kafkë të këmbët tuaja, f. 90.
[12] Visar Zhiti, Mbjellja e vetëtimave, f. 47.
[13] Visar Zhiti, Kohë e vrarë në sy,f. 106.
[14]  Po aty, f. 204.

No comments: