Wednesday, 25 January 2017

‘Breshnorakja’ që mposht stigmën mes kulturës poetike-emblematike

‘Breshnorakja’ që mposht stigmën mes kulturës poetike-emblematike
Dr  Fatmir Terziu
Udhëtimi imagjinar i fabulës së poezisë së poetit Andrea Zarballa është një kumt letrar që vjen në tre kohë. Në të parën është vetë objekti që lidhet natyrshëm me subjektin në hapësirën e tij, në të dytën është pikëlidhja e ndërhtortë e këtij objekti me subjektin jashtë hapësirës reale dhe në të tretën është vetë objekti që ndikohet nga e papritura duke lënë subjektin të flasë e nënkuptojë ndjeshëm. Kjo udhëtesë imagjinare mes kësaj trioje kumtore të fabulës dhe syzhet (ndjedhja ose pështjellimi i mesazhit në rafshin metafizik) është ‘proverbi’ i filozofisë në poezinë ‘1997’, jo thjesht si një metafizikë e ndërlidhur matematikore, por si një udhëtesë filozofike që përcakton kohën, hapësirën dhe vendin në të trija kohët. Ja ku është ndjeshmëria e kësaj fabule në një shtjellim model të syzhet: ‘U hodh përpjetë zogu shumëngjyrësh i Butrintit/hapi krahët, /shriqi këmbët e gjata e të holla;/ishte mpirë  /tre mijë vjet i ngurosur dyshemesë së mozaikut./Ish bezdisur pranë luleve të njejta,/pranë gjetheve të njejta vreshti,/pranë peshqëve me veshtrim të përhumbur,/gaforeve dhe akrepave gjymtyrësakatosur/dhe tha të shëtisi deri te liqeni...’ Pra është zogu i vjetër sa ‘tremijë vjet’ të mozaikut historik që dëshmon në heshtje dhe shkruan historinë e atij viti ‘1997’, mes një objekti të qartë dhe një subjekti ku shfaqet filozofia e ‘të panjohurit’. ‘armikut enigmë’, ‘mjeksroshit’: ‘Dhe mori për nga monopati i dafinave,/zgjati qafën dhe lëshoi një klithmë të ngjirur – /duke iu përgjigjur /thirrjes erotike të një zogu mali,/u përkul të pijë  ujë të freskët, /por guriçkat shumëngjyrëshe të trupit/befas, iu shkërmoqën edhe ranë në liqen./Një mjekrosh e kish qelluar lartë nga kalaja.’
Kalaja, mozaiku, liqeni, Butrinti, jetikja mes rrethnajës së ngurtësuar në metafizikë, ku gaforret dhe akrepat gjymtyrësakatosur flasin në emër të historisë, natyrshëm e bëjnë poezinë e poezit Zarballa një dëshmi më shumë në vlerat e tij. Është ndoshta një emetim përkitës me atë që studiuesi shqiptar, Andrea Shundi do ta shtjellonte si ‘stigmate’ tek studimi i tij ‘Vinçenc Prendushi (1885)’ duke cituar se kjo ‘stigmate ishte ‘shenjat e plagëve, të mundimeve dhe të kryqëzimit të Krishtit’ e që në këtë rast është një zog, një pafajësi qiellore që pëson stigmatën nga një mjekrosh’ (Shundi, 1941: 343-348).  Më tej me përkitjen e Shundit shohim ‘një jeh të këndshëm dhe një ushtimë zymnuese’ (Zymnues: ushtimë trishtuese, brengosëse, zymnim, të zymnuerit, trishtoj, brengos, trishtohem, brengosem) kur autori sjell për lexuesin poezinë e tij ‘Në Shkurt’: ‘Rri nën strehën e Dimrit,/duke pritur me ankth të dëgjoj përsëri/tik-takun e sahatit të dheut tim,/të shoh Shkurtin të nxjerrë thikën nga brezi/e të çajë venat e mia, /të derdhet gjaku e të jeshilojnë malet dhe fushat,/të rritën bimët e insektet,/të sundojë kudo përkryerja e luleve dhe e gjetheve,/të kthehen dallëndyshet dhe emigrantët/e ta gjejnë vendin paq të rregulluar...’ (ibid)  A nuk thotë populli ynë qartë se ‘Shkurti është me nëntë mendje’? A nuk është i tillë Shkurti ‘brengosës’ i autorit? Në këtë brengosje Shkurti është fabula e poetit që realizon në heshtje dhe determinon syzhet: ‘Pastaj, lë ta varin trupin tim të zbrazur/në sheshin e shkretë të erërave/e të klithi gjithë ditën si një gajdë Trakase.’ Por lexuesit i jep një kumt dhe një mesazh të qartë duke ndjerë thellësinë e shpirtit që sakrifikon deri në detaj.
Kjo qartësi në vargun filozofik të Zarballës, përbën një mesazh të qartë ‘breshnorak’ (të kristaltë) që e veçon në stilin e tij mes një vargu të lirë e të detajuar (Ashta, 1942: 274-277). Ndërsa Kolë Ashta e sheh ‘të kristaltën’ (breshnoraken) si një dëshmi të së dendurës në vargun e hollë, si një bashkëlidhje natyrore, poezia e Zarballës ‘Një djalë’ mes vargut tipi e shumë domethënës e fuqizon ndjeshëm ‘litari i horizontit do të thurrte shilarse të kaltërta’. Poeti na jep ‘shilarset e kaltërta’ në një sfond me ato që Ashta i pikas mes metafizikës dhe filozofisë tek ‘Vaji i Bylbylit’, por me një sens më të ndjeshëm, me një kapërcim kohor dhe mes një ritmi më të ngeshëm, jo emergjent. Katër çaset, ose katër pjesët që Ashta i determinon në filozofinë e Mjedës, janë amplituda të fuqishme letrare, por edhe referenca në analizat poetike që kërkojnë saktësim, qartësi dhe jo thjesht ‘kritikë për hir të kritikës’ (ibid). Fantazia e lexuesit kritik është ajo që na dikton Ashta, dhe jo ‘kritiku nuk do të ketë vetëm shtirim; do të jetë poet, do t’a ndjejë e t’a riprodhojë të bukurën e në qoftë se fantazija e tij mbetet e plogshtë asht një  mungesë e poetit’ (ibid).
Duke vazhduar në këtë pikë me poezinë ‘I thjeshti’ shohim edhe aspektin tjëtr të Ashtës, atë tek i cili mbetet sensi ‘ndjesor’ ai sens të cilin Tenyson, herët në krijimtarinë britanike do ta cilësonte si një ‘lëvizje të shpirtit me dyluftimin jetë-shpirt poetik’ (Ashta, 1942: 270 & Tenyson,1908: 127). Ndërsa në poezinë e Tenyson vjen mes përkushtimeve shpirtërore poetike, tek poeti shqiptar kjo ndjesi vjen me imediaten, të thjeshtën e më të paktën ‘një gjethe’: ‘I mjaftonte vetëm një gjethe/për të shtrirë mbi të gjithë jetën e tij/dhe të nxënte akoma edhe dy oqeane’.
Tek poezia ‘Vetvrasje’ poeti sjel më në detaj kuptimin poetik të lidhjes ndjesore mes fabulës dhe syzhet. Fabula në këtë poezi është rrëfenja poetike dhe syzhet është ploti. Lidhja mes këtyre dy nocioneve është analoge në lidhje me relacionin praktik të përditësisë dhe jetës. Por, kjo lidhje në këtë poezi shihet edhe si një gjuhë poetike. Syzhet krijon efekte jofamiljare mbi fabulën. Ja më qartë tek poezia në konsideratë: ‘ Pardje, brenda meje vrau veten me kallash /fjala «Κryengritje»,/e fundit, që më kish mbetur/nga ato që Kavafis i quan të «kumbushme»./Për çudi,/nuk më bënë pis trutë e hedhura në erë,/as u mbulova me njolla gjaku./U vertëtua kështu, që, megjithë pretendimet/se lind mendime të reja,/nuk kishte tru,/dhe megjithëse e mbulon botën me gjak,/venat i kishte të zbrazura.’  
Poezi të shumta të poetit, krijuar në vite, si ‘Spanja’; ‘Distanca’; ‘Fatalisht’, ‘Shkëmbinj’; ‘Dënimet’; ‘Demokracitë bashkëkohore’;  ‘I burgosuri’; ‘Epidavros’; ‘Udhëtimet’; Sëpata’; ‘Duarshtërngime’ etj. e rendisin poetin Zarballa në një linjë të shëndoshë të krijimtarisë shqiptare në vite. Ai me penën e tij ka lënë gjurmë në mjaft fusha të krijimtarisë dhe po aq edhe të publicistikës e përkthimit.
Andrea Zarballa, i lindur në vitin 1942, është një poet shqiptar dhe gazetar i etnisë greke.
Zarballa, ka lindur në fshatin Llazat pranë Sarandës, në jug të Shqipërisë. Ai fillimisht punoi si mësues në gjuhën greke në disa nga shkollat ​​lokale. Në 1968 ai filloi të shkruajë poezi në kolonën letrare të gazetës ‘Laiko Vima’, e cila ishte e vetmja gazetë që publikohej në kohën e komunizmit në gjuhën greke. Ai shkruan që nga fillimet e tij kryesisht poezi në vargun e lirë.
Në 1991 kur regjimi komunist në Shqipëri u rrëzua ai u bë një nga anëtarët themelues dhe presidenti i parë i ‘Omonia’ lokale, organiztaë politike dhe kulturore e minoritetit grek në Shqipëri. Në zgjedhjet e para ai u zgjodh si përfaqësues i Omonoia në Qeverinë Shqiptare.
Zarballa botoi përmbledhjen e tij të parë poetike “Ne këmbëngulin”, në vitin 1981. Zarballa u bë një figurë kyçe në mesin e grekëve në Shqipërinë e Jugut. Ai përdori vargun e lirë si një simbol të shpirtit të lirë. Zarballa në poezitë e tij ka përdorur shumë  elementë tradicionale me një qasje metaforike dhe alegorike.
Në strukturën elektronike online të katalogut të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, poetin shqiptar, Andrea Zarballa e gjejmë edhe me këto përkitje: Monologu i Momos / Kostas Varnalis; Spiro Çika; Andrea Zarballa; To garoikaki: monografi historike / Vangjel Babi; Andrea Zarballa
Zonja e vreshtave: poemë = I kyra ton ampelion : poiiemata/ Giannis Ritsos; Andrea Zarballa; Jani Malo.
Por poeti Zarballa është edhe një përkthyes i shkëlqyeshëm i poezisë më të njohur greke në kulturën shqiptare. Ai mbetet një varg-gatues energjik, një shqipërues i një niveli të lartë, ku mjafton të sjellim një fakt nga poezia ‘Kopshti’ e poetit grek Miltos Sahturis: ‘Binte erë epshi,/nuk qe kopësht ai,/ca çifte të çuditëshme/ecin nëpër të,/këpucët i kishin veshur në duart/këmbët e tyre të mëdha, të bardha të zbathura,/kokat si hëna të egersuara epileptike/dhe befas trëndafila te kuq/mbinin/për gojë/që fluturat-qene/u suleshin e i shqyenin.’ (Përktheu: Andrea Zarballa).
Duke përfunduar natyrshëm mund të themi me plot gojë se vepra e poetit Zarballa, që flet bukur në dy gjuhë mund të flasë këndshëm edhe në gjuhë të tjera që mirëpresin kulturën e bukur poetike. Është pikërisht ‘breshnorakja’ ‘e kristalta’ që dominon dhe i jep larmi poezisë së poetit me një emblematikë të radhë poetike.

Referenca:
Ashta, K. (1942) Vaji i Bylbylit tek gazeta ‘Shkëndija’, Tiranë, nr 7-8, fq. 274-277.
Biblioteka Kombëtare Shqiptare, Katalogu online. Krijimtaria e poetit Zarballa. Kërkuar Shtator-Tetor 2011.
Maliqi, B. (2011) Bisedë rreth krijimtarisë së krijuesve Sarandiotë. Gusht 2011, takim i hapur.
Mërkuri, T. (2011) Komunikim privat me email, jeta dhe vepra e Andrea Zarballa.
Shundi, A. (1941) ‘Vinçenc Prendushi (1885)’ Tiranë.
Tenyson (1904) Poezitë e Tenyson, botim i Oksfordit, Londër: Henry Frowde.
Zarballa, A. (2011) Krijime poetike. Londër: ACPE.

Faktorë ndihmës: Gazetat dhe mediat shqiptare. Arkiva bibliotekare Tiranë.

No comments: