Saturday, 28 January 2017

HARADINAJ – MADHËSHTI E KOMBIT SHQIPTAR

AGIM SHEHU
         Për të tretën herë në Gjyq ndërkombëtar. Dy të parat i fitoi. Po ashtu, gjysmën e së tretës. Më tepër se histori, ngjarja do marrë me kohë ngjyrën e legjendës. Flitet për një nga krerët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që dha gjak e shpirt për lirinë e saj. Njeriu i zakonshëm i bën pyetjen vetes : „Ç’po ndodh kështu në Europën e qytetëruar e cila flet me gjuhën e drejtësisë, po herë herë njëlloj për kriminelë e viktima!? Si është e mundur e ku gjetkë ka ndodhur që kriminelët, pasi u mundën botërisht në fushën e luftës, në „paqe“, ende pa u tharë gjaku, kthehen e dënojnë viktimat. (një lloj sikur, pas çdukjes së Hitlerit, antarëve të tjerë të krimit, Kejtel, Jodl, Himler etj. ua lanë shtetin e tyre në dorë njëlloj, e ata më pas të bënin fletë arrest për Ajzenhauerin, Zhukovin…e me radhë., ngaqë prej bombardimeve të tyre qenë vrarë diku dhe ca fshatarë të humbur !)
   Me Haradinajn po luhet një lojë e fortë dhe e fshehtë për më tej. Ky fletë arrest është hallkë e një zinxhiri teper të rrezikshëm, si një fill gjarpëri rrotull Kosovës. Sidoqoftë, Ramush Haradinaj përballë kësaj stuhie të re politike me qëndresën e tij prej burrnie të veçantë po merr imazhin e Heroit. Të tillë figura të kujtojnë barin që kur kositet, rritet më mirë e hapet më shumë në gjirin e popullit të vet. Në të njejtën kohë, tek ai Kosova dhe gjithë kombi shqiptar lexon shumë pyetje që dalin nga gjykimi i ngjarjes. Dikur në Francë u shfaq bujshëm „Çeshtja Dejfrys“ thurur me intriga, e Emil Zola iu përgjigj „Unë akuzoj…“, gjersa fitoi e drejta. „Unë akuzoj!...“ për çështjen „Haradinaj“ mbetet detyrë e gjithë shqiptarëve, sidomos e intelektualëve atdhetarë. Tanimë nga një ngjarje, çështja „Haradinaj paraqitet si një fenomen me reze të gjerë gjykimesh. Marrim njerën.
     Beogradi, i ndihmuar dhe nga ledhatimet e jo pak përfaqësuesve të Europës, ka nisur njera pas tjetrës shpifje, akuza e pas tyre provokime si në shtëpinë e panjeri. Mbi të gjitha, Ramush Haradinajn dhe bashkëluftëtarët e tij i quan „kriminelë“ barbarë“ të paqytetëruar, të huaj dhe ngatërrestarë për Europën! Kur një prijës lufte është „kriminel“, e tillë është dhe lufta që udhëheq, dhe shokët nën vete. Se prijësit kriminelë i pjell një popull kriminel që nga rrënjët e historisë. Spjegimin e kësaj teze e kanë bërë shumë dijetarë të huaj asnjanës (jo akademikët tanë, se ata në tërësi marrin leje nga Athina e Beogradi, siç e dëshmon dhe heshtja gati tërësore për Haradinajn, me përjashtim të ndonjë llogaritari politik zyrtar a partiak).
    Të vjen pyetja : cila anë rjedh që nga thellësitë historike si krim e kriminel, shqiptarët rrënjës apo sllavët e ardhur. Njihet dhe është pohuar me dëshmi nga shumë studjues e vizitorë të jashtëm humanizmi i veçantë fisnik i shqiptarit, i cili mikpritjen e ka kategori shpirtërore e zakonore, në shkallën e shprehur dhe me Kanun „shtëpia është e mikut dhe e Zotit“. Mikut që vjen ai i thotë „Urdhëroni“, dmth hyre në shtëpi, tani kjo është jotja dhe ti merr të drejtën të „japësh urdhëra“ kurse unë, i zoti, rri pas teje. Nuk ka më qartë e më mrekullueshëm, e nuk di, në e ka këtë mirëseardhje ndonjë popull tjetër! Kurse Konica spjegon të kundërtën për fqinjin që na akuzon: „Po e pranove në shtëpi një serb a grek të nesërmen do thotë që shtëpinë e kemi bashkë, kurse të pasnesërmen ty, të zotin. do të të nxjerrë jashtë“. Sjellje çnjerëzore  ushqyer si ‚krenari‘ me uri kafshe. E thotë shkrimtari i tyre Gjojko Gjogo te një tregim për ujkun: “Ulërima e ujqëve të malit do jetë gjuha e përbashkët e botës“ (me sa duket jo më kot Vuçiç hallin për trenin e qau gjer te Kina e Rusia, për t’i futur në vathin e ujkut).
   Si thamë, shqiptarja te dera e fton mikun „Urdhëroni!...“. Po zonja e z.Daçiç?!  T’ia lëmë  gjykimit të studjuesit Zhak le Goff te vepra „Qytetërimi i Perëndimit“ ku tregon porosinë që nëna sllave i jep të birit: „Nëse do që të arrish një fitore, shkatërro gjithëçka kanë ndërtuar të tjerët, dhe tërë popullit që ke mundur merrua shpirtin!“. Është vazhdim i përvojës së tyre qysh  herët. Që në shek. 6 kur sllavët po derdheshin në Iliri, Peshkopi i Qezaresë, jetëshkruesi i  Perandorit ilir, Justinianit shkruan llahtarin e tyre: „Si një dallgezim i fryrë deti, njerëz me burra, gra e fëmijë u turrën kundër Perandorisë dhe e bënë gërmadhë duke zhytur në gjak Ilirinë. Epirin, Thrakën e gjer në brendësi të të Greqisë së vjetër. Ata therën e masakruan gjithë njerëzit pa dallim gjinie a moshe që u ranë në duar. Iliria e Thraka u mbuluan me kufoma të cilat nuk kish kush t’i varroste…Sipas llogarisë sime, mëse 200 mijë vetë humbën jetën ose u rrëmbyen si skllevër gjatë llavës sllave.“ Janë të parët tuaj, rrënjët tuaja z. Nikoliç dhe aq më keq, nuk jepni dëshmi para Europës së qytetëruar që jeni ndarë me mizorinë e tyre.
   Në gazetën serbe Radicke Novine është botuar një rrëfim tronditës e i çiltër i ushtarit serb mbi krimet e tyre ndaj shqiptarëve: „Më ngrin gjaku tek i shoh dhe pyes veten: si është e mundur që njerzit të jenë kaq barbarë sa të kryejnë të tilla krime! Po më neveritet jeta. Nuk shoh veç kufoma, pluhur e hi. Shqiptarët i mbledhin në grupe  prej 40 a 50 vetë dhe i shpojnë me bajonetë gjersa jep shpirt i fundit i tyre…“. Nisur nga skena të tilla, koloneli anglez Valter Guiness shprehet në Dhomën e Komuneve (si të fliste dhe për ngjarjen Haradinaj sot): „Qëndrimi mospërfillës i Fuqive europiane ka ndihmuar së tepërmi që në trojet shqiptare lufta të arrijë një shkallë barbarie e cila në Ballkan s’është parë. Është njollë e zezë për qytetërimin perëndimor që krime të tilla i janë fshehur botës. Po të qenë shpallur hapur,  do kish shpërthyer një stuhi kundërshtimesh kaq e fortë  sa Perëndimi s’do ta bënte dot veshin të shurdhër“.
   Një pasqyrë tjetër krahasuese (dhënë nga Konica). Në shek. 16 Seneshali i Madh, gjeneral i shquar nga Normandia shkruante: „Sllavët janë të pamëshirshëm në luftë, vrasin këdo që arrijnë dhe nuk mbajnë asnjë rob lufte, ndaj dhe ne ua bëjmë njësoj. Sa për shqiptarët, ata kanë tjetër sjellje, në të kundërt, dhe sillen njerëzisht ndaj robërve të zënë…Në ushtrinë e mbretit Luigji 16 qe formuar një gardë prej 1200 shqiptarësh që treguan trimëri aq të shkëlqyer  sa u bënë simbol i armatave franceze për afro një shekull…“ (a e kujtojnë këtë akt madhështie francezët e sotëm që mbajnë në arrest pasardhësin fisnik të atyre shqiptarëve të mëdhenj dikur që jepnin jetën për Francën humane? Miss Durhan habitej me shpirtin njerzor të shqiptarëve: qenë prerë e grirë prej vrasësve sllavë, dhe kur nën trysninë austriake ikën me mijra duke kaluar nëpër Shqipëri, shqiptarët me plagët e freskëta në trup prej tyre, nuk i prekën gjersa kaluan drejt jugut.
   Drita njerëzore e genit shqiptar vjen nga te gjitha anët. Më 1885 kur sa qe formuar Akademia, konsulli serb në Kosovë Simonoviç  njoftonte: „Manastiret serbe në Kosovë nga Graçanica te ai i Deçanit e Pejës shpëtuan falë kapedanëve shqiptarë që i kanë ruajtur me përkushtim të madh gjer gjatë qindra vjetëve“. Studjuesi i tyre Petkoviç spjegon më thellë: „Manastiri i Deçanit është ndërtuar së pari nga frati katolik Vita prej Kotori ilirik mes viteve 1327-‚35“ (sikur ngatërrohet shumë nga vetë të zotët puna e „Kosovës“ si „Djep i Serbisë“, kur lënda e djepit është prej lisi shqiptar që nga Homeri)! S’di në ka gabuar dhe Dante Aligeri që te Komedia Hyjnore Serbinë e përcakton te Rasha e më lart! Këtu pa cënuar Danten s’mund ta prekësh Haradinajn që paska prekur serbin në Serbi!
     Si Beogradi dhe te simotra Athina, zjarreve me gjak u prijnë lodrat me fjalë. Termi aq i përdorur « Kosova- Serbi e Vjetër »  u shpik kur Serbia e gjykoi kohën që të hidhej në sulm të gjatë e të piqeshin me Greqinë në Shkumbin. Mirëpo dëshmitë historike flasin kundër ëndrave në diell. Termi « Serbi e Vjetër » nxori sy së pari më 1845 te Harta e Principatës së Sërbisë të Zhan Bugorskit  Kurse në  Gjeografinë e Vuk Karaxhiçit shtypur po në Beograd më 1827  nuk figuron gjëkund një term i ngjashëm me të. Si formuan shtetin-komb të tyre, u lëshuan të dy mikeshat mbi fqinjin, njëra me Megaliidhenë, tjetra me Naçertanien. (dhe siç thotë saktë historiani i shquar amerikan E. Zhak., Shqipëria u ndodh si një sandviç i shtypur nga të dy anët, prej dy fqinjëve.
    Fillimi  i coptimit të shqiptarëve  ku gjakderdhjes më të madhe i hapën udhë firmat e zyrtarëve,  nisi me Kongresin e Berlinit. Sami Frashëri i nxjerr fytyrën kur publikon hartën e Kongresit : Sipër saj – topi KRUP. Nen të fjalët : « Forca e mund të drejtën»! Më tej « Sa i lumtur ai  popull që ka dalë fitimtar »….Në çdo cep të hartës, një kryq si të qe vazhdim i kryqëzatave fetare. («Europa është çmëndur ! Kush mbjell erën do korrë furtunën» thirri botërisht Dora D’Istria). Europa zyrtare bëri dhe reklamoi kozmetikën e rastit:  paragrafi 35 e 39 i Kongresit udhëzonte rregullimin e pronave të shqiptarëve në viset e pushtuara nga serbët.  Princi Milutin Obrenoviç  dekreton se «mbështet paragrafin 39  për të drejtën e shqiptarëve që t’i mbanin a t’i shisnin pronat“. Ku jemi tani kur dhe në ato troje që u lanë, luftëtarin e shquar të lirisë e arrestojnë, dhe bota vjen rrotull me fjalë të plakura se mos na zemërohet Serbia, e më tej, Rusia !. Ndërsa një djali kosovar, në Kurshumli më duket, para ca kohe iu turrën dhe e rrahën serbët vetëm pse e dëgjuan që foli shqip ( ! ).
    Gadishulli ynë quhej Ilirik, siç e gjejmë te dijetarë të huaj e vëndas. Por që Shqipëria të çvishej nga e drejta historike, t’i prisheshin rrënjët ilire të lashtësisë, pranuan që ai më mirë të thirrej turqisht me emrin „Ballkan“ që do të thotë ‘mal’ , dmth Gadishulli Ballkanik dhe jo Ilirik. E tillë, dega kapërdihet më lehtë se rrënja. Në Lubjanë të Sllovenisë më treguan një si kala majë kodrës që quhej ilire…
    E njëjta gjë për Shqipërinë në vazhdimësi ! Lufta e II B caktohet në shtator 1939, kurse ajo nisi më 7 prill kur u sulmua së pari Shqipëria nga Boshti fashist. Shqipëria mbahet si peng pazari në tregëtirat politike: «Në do viza, bën demarkacionin (fal ende troje)! Krijo bashkësinë serbe (ngul tumorin në gjirin tënd), (pre njerën këmbë të të ftoj në dasëm)!...» Edhe këtu për Beogradin e veglat e tij ka faj Haradinaj  me Opozitën që së pari ruajnë atdheun të pagjymtuar?
      Pas luftrave ballkanike, Konferenca e Londrës bëri gjëmën më të madhe, prerjen drastike të Shqipërisë. Një krim aq i padrejtë dhe aq i zbuluar, sa kryearkitekti Grej e pohoi vetë pas 14 vitesh te Kujtimet më 1927 : «Jam i bindur se kur të mësohet çdo gjë, ky vendim do kritikohet me të drejtë, nga çdo anë. Por për kufijtë e Shqipërisë  duhet pasur parasysh  shkaku kryesor pse u ndanë ashtu. U bë për ndalimin e përplasjeve mes Fuqive të Mëdha. ».
      Pas L I B, në Konferencën e Paqes vazhdon më tej tragjedia shqiptare. Qe prania e Presidentit amerikan Uilson që nuk lejoi çdukjen e kombit shqiptar. Megjithatë, edhe pse nuk u koregjuan krimet e kaluara, gjëndja rrinte në presë brisku. Është tepër tronditëse dëshmia nga brënda se si përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha thurnin pazaret cinike pas krahësh. Një tregëti prej zuzarësh zyrtarë me kravatë diplomati e gërsherë banditi në çanta. T’ia lëmë fjalën Harold Nikolson, anglez. Ai mbante shënime dhe Ditar në Konferencën e Paqes në Versajë. Në Letrën që i dërgon të atit, thotë mes të tjerash: « Po bëhet shumë punë e çrregullt e nuk di ç’do dalë prej saj !  Dëgjojmë se problemet do rjedhin me nxitim nga ‘Njerzit e Mëdhenj’ e se projektet e planet tona nuk do shihen fare… ». Vite më pas boton librin « Kur bënin paqe ». Shkrimtari i njohur francez Andre Maurois bëri Parathënien e fuqishme, ku thotë mes të tjerash : « Ideja e lodhjes përsëritet në tregimin e Nikolsonit, si temë qendrore në simfoninë e Konferencës… » dhe citon pjesë nga Nikolson : « Ishim të raskapitur e shumë të ngarkuar me punë.  Gjithmonë përsëritnim nepër gojë formulat tona te vjetra me shpresë se ato kishin të bënin ende me veprimet tona. Në ndonjë çast të vogël thonim me vete se, siç po veprohet, kjo nuk është e drejtë askund. . Herë herë, të lodhur thonim – më mirë të bëjmë një traktat të keq sot se një Traktat të mirë nesër. «
   Vazhdon Maurois : «Përshtypja që del nga leximi i këtij botimi është se Konferenca punoi në një klimë lodhjeje, pa i marrë punët me çiltërsi e përgjegjësi, pa u frymëzuar fare nga parimet e drejtësisë të cilat duhej të rregullonin fatin e popujve.  Nga ekspertë e delegatë qenë bërë   shumë projekte, por  idetë e tyre as që u shqyrtuan.  Pas shumë bisedimesh kokat e mëdha vendimet e tyre i morën me ngutësi ; ata nuk i morën fare parasysh planet e studimet që qenë bërë  rreth problemeve etnike, tokësore dhe ekonomike. Nga ana tjetër vihet re dukshëm  se si ca shtetarë të vegjël lëvrinin  pas perdeve e, pasi qenë të përkëdhelur ndikuan në vendimet që u morën për dobi të tyre, në dëm të shteteve pa përkrahje.. Në mbledhjen e  Këshillit të Dhjetë Fuqive  për shqyrtimin e çështjes shqiptare, kur kryetari i dërgatës së Shqipërisë, Turhan Pasha,  zhvillonte tezën shqiptare para Këshillit, përfaqësuesit e dhjetë Fuqive  në vënd që t’u vinin veshin  fjalëve të tij,  bisedonin e qeshnin, e kur mbledhja mori fund,  çështjen shqiptare ia lanë varur një komiteti !...Nëpër këshilla e komitete qenë bërë lloj lloj projektesh për coptimin e Shqipërisë… » Në të tilla kalvare e vorbulla ka mbijetuar Shqipëria e shkretë. E prerë dhe e përgjakur nga një genocid i vazhdueshëm zyrtar, duke u ngushtuar gjithënjë e më shumë. Debatet vazhduan më tej, siç i thirrte koha për shfajsim apo rrëmbime të reja. Mes tyre, u ngrit dhe zëri human e disi nervoz për drejtësinë i Senatorit e burrë-shteti francez Justin Godard, botimi ‘Shqipëria, 1920’ : «Në të vërtetë, është Shqipëria ajo që duhet të padisë e t’u thotë  kombeve të mëdhenj – ‘Më keni shtypur, më keni shkatërruar, më keni coptuar, jeni ngrënë me njëri tjetrin për copat e trojeve të mia…E tani jeni ju ata që dhe guxoni të më qortoni-‘ ! Kundrejt Shqipërisë kombet e mëdha e kanë për detyrë të kryejnë një vepër të drejtë e të ndershme për të ndrequr dhe të këqiat e bëra. Ata i detyrohen moralisht Shqipërisë » (tingëllon si e shkruar sot, drejtuar z. Nikoliç dhe përkrahësve të tij) I shtojmë dhe gjykimin e nobelistit francez D’ Estournelle De Costant, i dërguar zyrtarisht në Kosovë për t’i prerë trojet e t’i jepeshin Malit të Zi (një ‘demarkacion’ i parë). Si pa gjëndjen dhe njohu shqiptarët, ai u hutua e shkroi kundër zyrtarëve të vet: «E kemi lënë Shqipërinë të zhytet përherë e më thellë në pështjellime e anarki. Shqipëria ka të drejtë të jetojë. Populli i saj është europian ». (Gjykata franceze për lirinë e Haradinajt a do dëgjojë këta bij të shquar humanë të kombit të vet, që nga Volteri, Rasini, La Martini, Hygo, Ami Bue, C, Robert, R. Pinon, Reclys, Faverial, Apolliner…e me radhë, apo do ecë në gjurmët e diplomatëve matrapazë të tipit Clemanso !..
   Beogradi ka marrë zjarr nga brënda e vrull nga jashtë, sepse kështu u ledhatua, thua të qe ajo viktima. Në historinë e popujve nuk ka një rast të tillë ku agresori shkallë shkallë të vijë duke u shfajsuar aq sa tani u ringjall si agresor i ri me veshje të re. Zyrtarë me fantazi Don Kishoti  mundohen ta tërheqin Serbinë në BE duke ia ngarkuar Kosovës në shpinë (ta ndash Serbinë nga Rusia është një lloj si të ndash erën në dy pjesë).
     Për gjëndjen e ndërlikuar sot, mendoj se ka fajin e vet të rëndë udhëheqja e Kosovës (e jo më pak ajo e Tiranës). Lumit prita nuk i bëhet te derdhja në det, po që lart nga buron. Në çlirimin e Kosovës ata panë si në delir nga kolltuku, e jo nga siguria e mëtejme dhe rregullimi i atdheut. Beogradi përgjonte dhe maste mëndjen e zemrën e atyre që i dolën nga dora. Mes tyre në udhëheqjet alternative, si në Prishtinë dhe në Tiranë ka njerëz pa kulturë historike, njerëz që punojnë së pari për xhepin e vet si dhe shërbëtorë të fshehtë. Mbetet enigmë ngjarja siç u dha në RTSH : Azem Hajdari kërkoi nga një kundërshtar, se ku ndodhej lista me emrin e 250 agjentëve serbë që ai ua dorëzoi si dosje pas ndërimit të qeverisë ! U drodhën me fjalë e s’u dha përgjigje. Pas dy ditësh ai u vra. Kaq debate për « dekriminalizim » edhe për gjëra të kalueshme, e ajo dosje nuk përmëndet nga të dy palët se ku ndodhet ! Ç’farë fshihet pas kësaj ‘fshehjeje’ !? Tani njëri pas tjetrit gati po lotojnë me përveshje mënge për Kosovën, edhe po të kesh ndihmuar Millosheviçin me naftë, apo të kesh vënë në gjumë Kosovën e shqiptarët se «…Zero probleme me fqinjët! Me mua nis miqësia pa shikuar pas. Të pajtojmë serbët me shqiptarët !..»..Së pari, si s’ia ka kapur syri në horizont Konicën e madh që gjykon: «Kombet nuk mund të pajtohen si individët sepse janë të ndarë nga historia, interesat, ngatërresat, vuajtjet, padrejtësitë etj ».  Më tej, nuk të takon të flasësh dhe në emër të Kosovës-shtet sovran, pa miratimin e saj kur ajo nuk të ka ngarkuar dado kujdesi. Të paktën për atdhetarizmin Prishtina është shumë më lart se Tirana. Pranohet pajtim e fqinjësi, por me drejtësi. Së pari, Serbia të kërkojë falje për genocidin e gjatë shekullor mbi shqiptarët. Të dorëzojë eshtrat e varreve masive e të ‘humburve’. Të kthejë dokumente, arkiva e pasuri që i takojnë Kosovës. Të dëmshpërblejë sa i takojnë nga barbarizmat. T’i trajtojë shqiptarët në shtetin e vet me ato të drejta si serbët në Kosovë.,,Dhe eja të bëjmë miqësi. Në të kundërt, për habi të habive, pranohet që të hapet në Kosovë (jo në Serbi për kriminelët shtetërorë serbë) Gjykata Speciale për çlirimtarët, siç nuk do ta pranonte as Zimbabve. Me gëzimin që po siguronin kolltukët, drejtuesit vëndas nuk panë që në fillim se po skicohej ndarja e Mitrovicës pikërisht nga Kushner së pari, dhe atë e dekorojnë krahëhapur (Shaban Murati e cilëson saktë – « diplomaci atletike» në s’gaboj.)Në rjedhë të ngjarjeve del qartë se sa të drejtë ka Opozita në Kosovë që po e mbron me dinjitet e përgjegjësi kombëtare lirinë e vëndit. Kurse zyrtarët anemikë të Tiranës kur venë në Prishtinë takojnë kopjet e tyre në pushtet, dhe nuk e takojnë Opozitën thua është ‘Serbi’. Gojën e mbajnë për këshilla drejtuar Prishtinës, kurse veshin të zgjatur nga ndonjë zyrtar Brukseli, që në fund të marrin lavdërimin të cilin s’e kanë të sigurt nga populli i tyre.

   Për çështjen «Haradinaj» duhej të gjëmonte e të ziente Shqipëria si dikur për Avni Rustemin po në gjykatën franceze. Është një fill në vazhdimësi brënda fatit të përbashkët të kombit tonë. U hap Kuvëndi Popullor i vitit. Z. Meta-kryetari që nga ‘meraku’ reklamë për Haradinajn shkoi në Prishtinë si hallexhesha në ksoll, nuk tha një fjalë, kur Kuvëndi duhej të hapej me këtë shqetsim  e të dilte me Deklaratë të veçantë drejtuar nga të gjitha anët. Në një bisedë televizive sa hije i kishte fjala z. Dilaver Goxhaj, ushtaraku dinjitoz që iu bashkua U Ç. të Kosovës e luftoi me burrërinë e të parëve për vëllezërit kosovarë. I saktë, i hijshëm e i thjeshtë ai fliste me modesti shqiptari si për kujtimet dhe për gjykimet e ditës. Dhe fjala i kish aq lezet pasi fliste si shok armësh i Ramush Haradinajt. Nuk di në ia ka dhënë Presidenti vlerësimin Nderi i Kombit, (kur dhe mustaqet që mund ta pengonin i ka prerë)!... Sidoqoftë, është gëzim e krenari e veçantë që Ramush Haradinaj në gjirin e luftëtarëve e të popullit të vet ka krijuar lartësinë e tij në horizont të gjerë. Koha mbetet e tij. 

No comments: