VLADIMIR MAJAKOVSKI
ME GJITHË ZËRIN
( Përcjellja e parë
e poemës)
Të nderuar
shokë pasardhës!
Duke gërmuar
në kakërdhive të sotme
të gurëzuara
duke studiuar terrin
e ditëve tona,
ju,
mbase,
do të pyesni edhe për mua.
Dhe, mbase, do t'ju thotë
një erudit juaji,
duke mbuluar me
erudicion,
mizërinë e pyetjeve,
se jetoi, si duket, një farë
këngëtari i ujit të nxehtë
dhe armik i betuar i ujit të rrjedhshëm.
Profesor,
hiqini syzet - biçikletë !
Unë vetë do të tregoj
për atë kohë
dhe për veten time vetë.
Unë, pastruesi i gjirizeve
dhe
ujari,
nga revolucioni
i thirrur dhe mobilizuar,
shkova në front
nga kopshtet fisnike
të poezisë,
gruas kapricioze.
Ajo zotëronte një kopsht të bukur:
një vajzë,
një
vilë,
një miniliqen,
qetësinë.
«E mbolla vetë kopshtin tim,
Vetë do ta vadis.»
Kush zbraz vargje nga ujitësja,
Kush spërkat
me gojën plot,
kaçurelsi Mitrejkë,
eruditi Kudrejkë,
kush djallin do t’i zbulojë ata !
Për këtë masë nuk ka karantinë,
nën mure bien mandolinat :
«Tare - tina, tara-tina,
t - en - n…»
S´është nderim i tepruar
që mes
trëndafilave të tillë
të ngrihen statujat e mia
në kopshtet
ku pështyn një tuberkuloz,
ku rrinë putana, rrugaçë
dhe sifilitikë.
Mua
agjitpropi
më është
mërzitë.
Të shkruaja
romanca për ju
më
fitimprurëse
më joshëse
do të ishte,
Por unë
e
sundoja
veten,
duke i shqyer
fytin
vetë këngës
sime.
Dëgjoni
shokë pasardhës,
agjitatorin,
kryegazetashitësin.
Duke mbytur
përrenj poezish
do kapërcej
volumthet lirike,
si i gjallë,
duke
folur me të gjallët.
Do të vij drejt jush
nga distanca e
komunizmit
jo
si paladin melodioz i Eseninit.
Vargu im do të mbërrijë
duke kapërcyer
kreshta shekujsh
dhe koka
poetësh dhe qeverish.
Vargu im do të mbërrijë,
por jo
si një shigjetë
në një gjueti kupidësh dhe lirikash,
Jo siç i mbërrin
numizmatikut një monedhë e holluar
dhe jo si drita e yjeve të vdekur.
Vargu im
me
mundim
do të
depërtojë pirgun e viteve
dhe do të shfaqet
i matur,
i
ashpër,
i shndritshëm,
siç ka hyrë në ditët tona
ujësjellësi
i ndërtuar
nga skllevërit e Romës.
Në tumat e librave,
varre poezish,
duke zbuluar rastësisht shufrat vargjesh,
ju
do t'i
prekni
me respekt
si armë të vjetër,
por kërcënuese.
Unë
nuk jam
mësuar të përkëdhel
veshin
me fjalën:
veshi i një virgjëreshe
midis flokëve - kaçurrela
s’do të skuqet,
nëse preket pak nga frazat banale.
Rreshtuar në paradë
trupat e faqeve të librave
të mi,
kaloj në revistë
frontin e
rreshtave.
Vargjet
rrinë me peshën e plumbit,
gati për të vdekje
dhe për lavdi të pavdekshme.
Poezitë u mpiksën,
duke i drejtuar rrafsh
grykat e zjarrit
të titujve gojëhapur.
Arma
më e
dashur
midis të gjithave
e gatshme
të
lëshohet me një thirrje lufte,
u ftoh
kavaleria e fjalëve të mprehta,
duke ngritur
heshtat e mprehta të rimave.
Dhe gjithë këta trupa
të
armatosur gjer në dhëmbë
që për njëzetë vite fluturuan
nga
një fitore në tjetrën,
deri
në fletën e fundit
ta dorëzoj ty,
proletar i planetit.
Çdo armik
i klasës punëtore
është armiku im i vjetër,
i
betuar.
Na urdhëruan
të shkonim
nën
flamurin e kuq
në vitet e mundimshme
dhe në ditët pa
ngrënë.
Ne hapnim
çdo vëllim
të Marksit,
Siç hapen
në shtëpitë tona
kanatat,
por edhe pa i lexuar ato
ne e kuptonim
se në ç’anë duhet të shkonim,
në cilin
kamp të luftonim.
Ne
dialektikën,
s'e mësuam nga
Hegeli.
Me rropamën e betejave
ajo vërshonte
në varg,
kur
nën predhat
para nesh ia mbathnin borgjezët,
siç ia mbathëm dhe ne
një herë
para
tyre.
Pas
gjenive
si vejushë e pikëlluar,
zvarritet lavdia
nën një marsh
funebër,-
vdis, vargu im,
vdis si një gregario,
siç vdisnin në sulm
të panjohurit
tanë!
S’e çaj kokën
për masivin e bronzit.
nuk merakosem
për mukusin e mermerit.
Le të biem dakord për lavdinë,
pasi jemi midis nesh,
si monument i përbashkët
na duhet
socializmi
i ndërtuar
në beteja.
Pasardhës,
kontrolloni bovat e fjalorëve:
nga lumi Lete
do të dalin
mbeturina fjalësh:
si «prostitucion»,
«tuberkuloz»,
«bllokadë»
Për ju
që jeni
të shëndoshë e të shkathët,
poeti
ka
lëpirë
gëlbazat polmonare
me gjuhën e ashpër të pankartës.
Me bishtin e viteve
unë do të marr
pamjen
e fosileve monstruoze
bishor.
Shoqja jetë,
hajt
t’i bëjmë
më
shpejt
në planin pesëvjeçar
ditët që na mbeten.
Mua
as edhe
një rubël
nuk më kanë
vënë vargjet mënjanë,
mobilierët
s'ma kanë mobiluar shtëpinë.
Dhe përveç
një këmishë të larë, të freskët,
po e them me ndërgjegje,
ç’më
duhet gjë tjetër.
Përpara
CCC
të viteve
të ardhshme
të ndritura,
mbi bandën
e poetucëve
spekulatorëve
dhe zhvatësve,
unë do të ngre
si dëshmi
njëqind volumet
e librave të mi...
Vladimir
Majakovski.
Njerëzit
gjithashtu kërkojnë Sergei Yesenin
Përktheu: Faslli Haliti
No comments:
Post a Comment