Denatyralizimi
i folkorit vjen si pasojë e mosplotësimit kulturor
Për termin “isopolifoni” po aplikohet (zbatohet)
“platforma e hashashit”…
nga MSc. Albert HABAZAJ, studiues
i etnologjisë dhe folkorit
Për termin
“isopolifoni” këtyre hënave po aplikohet (zbatohet) “platforma e hashashit”. Vertikalët pompozë të
akuariumit akademik shqiptar, me “mjakiznakët” e interesit për tjetërsimin apo
shitjen e shpirtit të popullit në këngë e valle, me sjellje dhe mënyrë
artificial, po e eksperimentojnë negativisht dhe keq folkorin tonë polifonik,
të paktën në trevat labe dhe jo labe, ku këndohet pothuaj me tre dhe katër
zëra, të mbarënjohur dhe unikalë me marrës, kthyes dhe hedhës individual për
çdo njësi folkorike dhe mbushje kolektive të e këngës apo iso nga grupi. Standardin
për këngën labe e kanë përcaktuar vetë banorët e parë të këtyre trojeve,
paralabët dhe labët. Bartësit në breza kanë detyrë ta ruajnë, përdorin,
pasurojnë dhe përcjellin si stafetë të bukur, të hijshme dhe fisnike brez pas
brezi, mbi bazën e traditës.
Po e
infekton “isopolifonia” shpirtin e banorëve si droga ish- tokat e virgjëra e
pjellore shqiptare (ish do të themi, se s’janë më funksionale për prodhimin e
drithërave të bukës, perimeve e zarzavateve, për kullota, blegtori, pemëtari,
vreshatri, bletari, për mmirëmbajtjen e shëndetshme të jetës së banorëve të
këtij dheu që i thonë Labëri etj.). mund t’ia infektosh me hashash tokat
malësorit, fusharakut, bregdetasit apo lumasit lab, por shpirtin-jo, kurrë!
Shpirti i labit rron në këngët e në vallet lirike, epike, liriko-epike apo
epiko-lirike (sikurse shpirti i popullit shqiptar, sikurse shpirti i tërë
popujve të botës, xhanëm, me parimet specifike që ka folkori).
Po përdoret jashtë mase, po teprohet dhe po
abuzohet shumë me “ilaçin dhe shërimin” shpirtëror të popullit tonë, të
Labërisë sonë; po tejkalohet çdo parametër tolerance me këngën tonë, trashëguar
gojarisht brez pas brezi, që kur kanë lindur labët e parë në këto troje, bashkë
me tokën, malin, detin, lumin, fushën, kodrinat e pllajat. Kënga labe, quajtur
me gjuhën shkencore “Polifonia labe”, është pjesë e së tërës folklorike të
pasurisë shpirtërore jo materiale të popullit shqiptar. Në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”,
botim kryesor akademik i leksikografisë, krahas rreth 41.000 fjalëve dhe
njësive frazeologjike është dhe zëri “POLIFONÍ,~A
f. muz. Këngë popullore me shumë zëra. Polifonia jonë. Polifonia popullore.
Polifonia e Jugut”[1].
Po ky cilësim është dhe në fjalorët vijues shpjegues të mirëfilltë për njësimin
dhe standardizimin e normës gjuhësore për leksikografinë shqiptare, për gjuhën
letrare kombëtare.
Kënga labe e ka shoqëruar labin në
përditshëmrinë e jetës së tij në majë të malit, në buzë të lumit a në breg të
detit, përjetësisht.
Mbi 30 vjet më parë, një kupë nga fuçia e saj e mrekullueshme
dhe e patjetërsueshme u paraqit në Sofrën Europiane të Folkorit dhe u vlerësua
me çmimin më të lartë ndërkombëtar nga Juria e Fondit “Europa për zhvillimin e
folkorit”. Në vijim, u ciësua dhe u vlerësuar më gjerë si perlë folkorike
botërore dhe u shpall “Kryevepër e trashëgimisë
gojore të njerëzimit”. Kjo ngjarje e shënuar për folkorin shqiptar i përket
vitit 2005, por e pagëzuar me një emër të ri, më të gjatë dhe të panevojshëm.
Në “Fjalorin
e gjuhës së sotme shqipe”, nuk gjendet ky pagëzimi i ri dhe në asnjë botim
të nivelit akademik të fushës, por shfaqet në internet me emrin
“Iso-polifonia”. Në faqen elektronike Wikipedia është zëri “Iso-polifonia shqiptare”, ku, ndër të tjera,
shkruhet: “Iso-polifonia popullore shqiptare, shpallet “Kryevepër e trashëgimisë gojore të
njerëzimit”, mbrojtur nga UNESCO. Pa më të voglin dyshim, data 25 nëntor 2005
është një ditë historike për mbarë trashëgiminë kulturore të shqiptarëve por
dhe për vetë Shqipërinë. Në këtë ditë “Iso-polifonia popullore shqiptare” futet
në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit” mbrojtur nga
UNESCO, fakt që u kumtua në të gjitha mediat e botës nga Dr. Koichiro Matscura,
Drejtor i Përgjithshëm i UNESCO-s, nga selia qendrore e UNESCO-s në Paris (21-24
Nëntor 2005). Duke e parë si nderim për njësitë folkorike të këngës labe, që u
paraqitën në dosjen e dorëzuar, veprimi i jurisë së vlerërimit të traditës botërore folklorike meriton
mirënjohjen e gjithë shqiptarëve, veçanërisht të ne, labëve, me bartës,
pëlqyes, përhapës, dashamirës, studiues dhe mirënjohës të këngës labe, thesarit
tonë shpirtëror. Shumë bukur dhe meritueshëm. Po labi apo dhe shqiptari, si çdo
popull i botës, xhanëm, nuk ka kënduar për medalje e dekorata, por sepse ia ka
dashur ënda, i ka kënduar shpirti apo i ka vajtuar zemra, sipas rastit në jetën
e tij me të gjitha ngjyrat e saj, me dritë e me hije, me ngjyra të ngrohta e të
ftohta, të ëmbla, të forta (të ndezura), të qarta (të mbyllëta, të hapëta) apo
pa ngjyrë… Siç ka patur jetën. Atë jetë që dimë dhe atë që
s’dimë. Por, ky vlerësim i madh i ka lënë litarët branë, tërkuzët sheshit e
ferrat nëpër këmbë. Padashur, për bela a për djallëzi?!... Në qoftë se bëhet
fjalë për këngën labe, (që këndohet në dy modele, një që nuk shoqërohet me
vegla muzikore dhe një që shoqërohet me instrumentet muzikorë popullorë
specifikë, siç janë cula dhe fyelli), ky vlerësim nuk është drejtshkruar, por
është keqshkruar. Më përpara këndohej “labçe,
vënçe, himarioçe” dhe ashtu thuhej. E folura popullore s’e pranon emërtimin
e vënë me paterica. As tualet, as kërcitje kokoshkash, as fryrje tullumbacore,
as buzëkuq gjuhësor e as kollare për t’u dukur ashtu siç nuk jemi, se nuk duhet
e të jemi ashtu, por kështu siç kemi qenë të pasurohemi e të përmirësohemi në
kontekst. As Fjalori i gjuhës shqipe s’e pranon. Shqipja standarde na qorton.
Sot kërkohet respektimi i kriterit të ekonomisë së fjalës. Fjala është e
shenjtë. Nuk mund të shpërdororet shenjtëria e Hirësisë së Saj, Fjalës.
Emërtimi “polifoni” për këngën tonë daton në vitet 1960-‘65[2], me punimet e
etnomuzikologut të parë shqiptar Ramadan Sokoli (14. 06. 1920-12.03. 2008), si
dhe studiuesve Hysen Filja, Beniamin Kruta, Spiro Shetuni, Agron Xhagolli,
Pirro Miso, Bardhosh Gaçe, Kozma Vasili, Jorgo Panajoti, Arsen Mustaqi e të
tjerë folkoristë e personalitete të fushës në vijim. Kontributet e Rrok Zojzit,
Zihni Sakos e Qemal Haxhihasanit janë pionieret e dritërimit kërkimor e
shkencor në fushën e etnografisë dhe, ç’ka na intereson, të folkoristikës, ku
përfshihet dhe polifonia jonë popullore, kënga labe. Që të mos humbasë dhe të
mos fshihet nga faqja e dheut, që të mos ndryshket apo të mos vidhet ky thesar
i rrallë shpirti, nëna Labëri “ka pjellë e bërë drëra” si Yzeir Llanaj me
zemërndezur të shumtë për këngën tonë shumë zërëshe, që i vënë gjoksin
suferinës, për t’i dalë zot vlerave shpirtërore. Veçse ata e ndjejnë nevojën e
vertikalitetit dhe e duan ndihmën e Babashtetit, sot më shumë se kurrë, sepse
provokimet që bëhen duhen marrë seriozisht, jo me shaka apo mendjelehtësi, se
“hë mo, punë emri është, s’ka problem” janë shumë të rrezikshme dhe me pasoja negative
deri për etnokulturën tonë.
Pra, me gjuhën
shkencore këngët tona quhen “Këngë
polifonike labe”[3], apo, duke qenë korrekt me
parimin e ekonomizimit të fjalës, thjesht “Polifonia labe[4]”, jo isopolifoni.
Kompozita “isopolifoni” nuk është prodhim yni dhe as pëlqehet, as pranohet në
Labëri. “Farën që s’është jona, toka jonë s’e rrit”, thuhet këtyre hënave, kur
shohim gjasa infektive të shpirtit të popullit në këngë e valle. Duke e
vlerësuar si të thjeshtë dhe të thellë artin e populit, të cilit ne i përkasim,
studiuesi i etnomuzikologjisë dhe etnokoreografisë, “Mjeshtëri i Madh” Ramazan
Bogdani vëren: “Këngët dhe vallet në Labëri kanë mbirë kudo, në çdo vend e
kurdoherë, në çdo kohë. Labëria është simboli i shprehjeve hap e këngë,
pëllëmbë e valle Vallen labi e ka hedhur kudo, në gërxhe e në gurë. Vallet labe
shquhen për shoqërimin me këngë prandaj i quajmë valle të kënduara”[5]. Specialisti ka ndjekur me
vëmendje deri në detaje dinamikën folklorike të valles labe, edhe në Festivalin
e Dytë Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës (1973), në të cilin kjo pasuri e vyer
e folklorit shqiptar u dallua për gamën dhe larminë aq të pasur, që veç
interpretimit të krijimeve tradicionalë, qëndronte tek pasurimi me elementë të
rinj. Dhe, në këtë drejtim, sipas etnokoreografit, përgjithësisht tek vallet
labe, ndihej një konceptim i shëndoshë ideoestetik. Bogdani gjykon se
ky konceptim vërehej veçanërisht tek ato valle të shoqëruara me tekste nga
folkori i ri, ku rrjedhimisht edhe ndërtimi arktektoniok i valles ishte fiksuar
me ndryshime stilistikore. Të kësaj natyre studiuesi klasifikon dhe vallen “Drit’ e planetit të tërë” e
grupit të Tërbaçit. Përmbajtja e tekstit është politike, që për kohën ishte
preferencë dhe pothuaj kryedëshirë e krijuesve dhe interpretuesve për t’u paraqitur
e shfaqur para publikut, udhëheqjes së kohës, etj. Profesori i fushës vëren se
kompozicioni koreografik paraqitet nga një grup burrash të vendosur në
gjysmërrethi, formacion ky që pasuron fondin e valleve labe nga pikpamja e
ndërtimit arkitektonik (krahas varianteve të tjera, njëri në dy grupe dhe
tjetri vetëm me dy valltarë). Sipas tij, vallen e Tërbaçit e përshkon
psikologjia folkorike labe, duke u mbështetur tek shtrati tradicional i valleve
të burrave labë, tek motivi “asimetrik”, që mishërohet me tipare të larmishme.
Ai thekson: “… tek vallja “Drit’ e
planetit të tërë”, valltarët, në formacion gjysmërrethi, të zënë për duarsh
“zinxhir” pranë e pranë njeri me tjetrin dhe të inkuadruar në veprimet
plastiko-koreografike, i japin atij krijimi karakterin e mirëfilltë epik dhe
një tingëllim të ri ideoestetik. Artistët popullorë duke e luajtur këtë valle
manifestojnë një forcë të brendshme, që duket tek mjetet shprehëse
folkorike-koreografike si, te bashkimi i valltarëve sup më sup, te përplasja e
herëpashershme e këmbëve në tokë dhe te ngritja e theksuar e këmbëve nga toka,
te shkëputja e dy valltarëve të parë për të kërcyer më vete, ku dallohet
veçanërisht valltari i parë nëpërmjet uljeve të rënda mbi të dy këmbët,
rrotullimeve të prera të trupit etj. Gjithashtu impulsiteti i artistëve
popullorë mishërohet edhe nga interpretimi i[6] tyre me vërtetësi e shije
artistike që, veç të tjerave, shprehet edhe me veprime të lira të karakterit
improvizues (fenomen ky i njohur në fushën e folkoristikës), duke e mbajtur
krijimin të gjallë, të freskët dhe gjithnjë në përtëritje”. Kështu shkruan
profesor Bogdani. Shkurt i vitit 1974. Ky është gjykimi i shkruar dhe i botuar i
Profesionistit në librat e nivelit
akademik.
Ndërsa prof.
Shetuni ka ravijëzuar vijat kryesore të portretit të këngës labe, ndër të cilat
spikasin “Pasuria e madhe e folkorit lab, bukuria e pakrahasueshme e tij,
origjinaliteti i theksuar, dashuria e veçantë e malësorëve vendas për artin
popullor, aftësitë e shquara krijuese e e interpretuese të tyre, njohja e
drejtpërdrejtë e kulturës muzikore labe në mjediset ku ajo jeton gjallërisht…[7]”
Vlen të kujtojmë
se 30 vjet më parë e kaluar grupi folklorik i Vranisht - Tërbaçit është nderuar
me një çmim ndërkombëtar, më të lartin e kontinetit plak “Europa për Zhvillimin
e Folkorit”. Po e citojmë të plotë shkrimin për t’u kujtuar studiuesve,
bartësve dhe banorëve të trevës, se jo shumë vite më parë, ne kemi pasur një
grup folkorik me famë, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe në shkallë
ndërkombëtare, ende pa u infektuar nga lajlelulet isopolifonike, që të tjerët,
por dhe ca të verbuar nga raca jonë, duan të na e bëjnë të “birë” atë farë që
kurrë s’ka mbirë e s’ka për të mbirë në këto troje labërore të këngës
polifonike popullore shqiptare. Po e citojmë të plotë shkrimin edhe për të
thënë: “A nuk i kemi ne të gjitha mundësitë shpirtërore, jo materiale dhe të
kulturës materiale të traditës sonë të paktën për t’u kthyer te tek fama e
dikurshme?”. E megjithatë, kjo varet nga ne. Falë vëmendjes dhe pasionit të
gazetarit të njohur dhe shkrimtarit tonë të dashur Duro Mustafaj, po e sjellim
të plotë shkrimin “Atëherë kur grupi folklorik i Vranisht - Tërbaçit nderohej
me një çmim ndërkombëtar”, ribotuar në gazetën “Hora”, Tetor 2004 (sipas
origjinalit të botuar për herë të parë në vitin 1986, si pasqyrim i
menjëhershëm i jehonës së madhe që pati kjo ngjarje e madhe folkorike për mbarë
Shqipërinë). Ja shkrimi: “Në konkursin evropian, që u zhvillua në Hamburg të
RFGJ-së, në mars 1985 u paraqit edhe vendi ynë me një film shkencor folkorik
dhe me një album të përgatitur nga Instituti i Kulturës Popullore pranë
Akademisë së Shkencave të Shqipërisë [sot Instituti i Antropologjisë Kulturore
dhe Studimeve të Artit (IAKSA), Tiranë - shën. im: A. H] për veprimtarinë e
grupit folkorik të Vranisht - Tërbaçit të Vlorës. Për vlerat e spikatura
shkencore e artistike, Juria e Fondit
“Europa për zhvillimin e Folkorit” e nderoi grupin e Vranisht - Tërbaçit me
çmimin e vitit 1986. Grupi folkorik i Vranisht - Tërbaçit, tashmë i njohur
në tërë vendin tonë, zotëron një repertor shumë të pasur. Një vend të
rëndësishëm këtu zë lirika, sidomos lirika baritore, që lidhet me vetë natyrën
e Labërisë dhe jetën baritore të banorëve të saj. Mirëpo, në repertorin e tij,
përparësia i takon epikës, ajo pasqyron jetën gjithë luftëra, përpjekje e
sakrifica të malësorit lab, jetë e mbushur sa me drama e tragjedi, aq edhe me
heroizëm të pashoq. Interesante shfaqen veçanërisht tekstet poetike të krijuara
në këto dyzet vitet e fundit, në frymën e poetikës tradicionale. Kënga
polifonike e Vranisht - Tërbaçit, muzikalisht, krahas tipareve të përbashkëta
me këngët polifonike të fshatarave ose zonave të tjera etnografike të Labërisë
ka edhe disa tipare të veçanta. Mes të tjerash, ajo dallohet nga karakteri i
thellë emocional i interpretimit, shpesh me zëra të gjoksit dhe ngaherë me
patos. Anëtari i Jurisë së Fondit “Europa për zhvillimin e Folkorit”, drejtor i
Muzeut Kombëtar të Skocisë, prof. Aleksandër
Fenton kur erdhi në vendin tonë për të dhënë çmimin e lartë, shprehu
kënaqësinë e tij të thellë për këtë ngjarje. Ai midis të tjerave tha: “Nuk
është e papritur që një skocez ta ndjejë veten në Shqipëri si në shtëpi të tij.
- Ju të gjithë e njihni Skocinë nëpërmjet poetit Xhorxh Bajron dhe poemës së
tij “Udhëtimet e Çajd Haroldit”, të cilin e mësojnë në shkollat tuaja. Bajroni
i donte shqiptarët dhe ata e donin atë. Shqiptarët,
që janë nga popujt më të vjetër të Ballkanit, në të gjithë historinë e tyre
plotë vështirësi e shqetësime, kanë ruajtur gjuhën dhe kulturën e tyre, unike
dhe të lashtë. Shteti shqiptar i ka dhënë një mbështetje aktive mbledhjes,
regjistrimit dhe studimit në terren të kulturës së popullit, artit të tij.
Shqiptarët punojnë shumë, ndaj duhet edhe të zbaviten e të çlodhen. Kudo në
Shqipëri ka grupe folkorike, që ndihmojnë në ruajtjen e valleve, të këngëve, të
kostumeve popullore. Në një vend kaq të pasur me tradita të tilla, është
ndoshta vështirë të zgjedhësh, por megjithatë, Jurisë iu desh të zgjedhë dikë
për çmimin “Evropa për Artin Popullor”
dhe ajo zgjodhi grupin folkorik të Vranisht - Tërbaçit, që ndodhet në malësitë
e mrekullueshme të Labërisë”. Prof. Aleksandër Fenton tha: “Sikur të isha
rritur këtu, në këtë vend me tradita të rralla kulturore artistike, me siguri
që do isha bërë pjesëtar i rregullt i grupit tuaj folkorik”[8].
Por, edhe pa i marrë e pa i varur në qafë ato
dekorata europiane dhe botërore që përmendëm, labërishtja polifonike është
kënduar vitesh, shekujsh e mijëvjeçarësh, kaluar kurrizeve pafund të kohës,
ndoshta më mirë, por pa mundësi inçizimi. Është kënduar nga një lab i vetëm,
nga dy, nga tre, katër e shumë zëra, sipas rastit e mundësisë, se kënga ka qenë
pjesë organike e pazvendësueshme, e pandarë e qenies së banorit lab, një lloj
“melhemi” për vujatje, një lloj “gjethe dafine” për lavdi, vrull i frymëmarrjes
në jetë. Në dhembje - balsam bredhi. Qyshkur. Deri më sot. Dhe nesër.
Padiskutim. Si pjesë e së tërës. Me identitet. Me dinjitet. Në krahë të të
tjerëve. Në vendin e vet. Vlen të theksojmë një shprehje të udhëpërshkruesit
(gjeograf e oqeanograf) studiuesit dhe akademikut francez Zhak Burkar (Jacques
Bourcart: 1891-1965), të cilën po e citojmë jo vetëm si argument shpirtëror për
ekzistencën e një uniteti shqiptar, por në kontekst me vlera historike:
“…pasuria e folkorit dhe e traditave muzikore, cilësitë krejt të veçanta të
shqiptarit përgatisin sigurisht terrenin e nevojshëm për lulëzimin e një
qytetërimi shumë të veçantë dhe domosdo shumë interesant”[9].
Ka një thënie lapidare enciklopedisti i madh,
rilindasi ynë filozof Sami Frashëri: …“Banorët e Labërisë, kanë prirje dhe
aftësi natyrore për poezi dhe këngë…”. Ecim në kohë. Jemi në demokraci. Kënga
labe pëson luhajtje, ndihen tronditshëm ulje ngritjet. Minjtë e gjirizeve e brejnë
për ta shpërfytyruar. Nuk mundën t’ia mernin frymën. “Kishte pjellë e bërë
drëra” Nënë Labëria. Koha kërkoi bijtë e
këngës t’i dalin zot. Festivali Folkorik Kombëtar i Gjirokastërs, në vitit 2000 na gjen përsëri në kalanë e Gjirokastrës.
Grupit polifonik të Tërbaçit i ra shorti të hap tiparin për grupin e
prefekturës së Vlorës. Kënga “O
shokë do zëmë një këngë”, vjen si një oshtimë nga malet e
Labërisë, si një shpalosje e fustanellës labe, me zërin plot kumbim të
këngëtarit të mirënjohur e potent Syrja Hodo”[10]
shkruhet në guidën e historisë folkoristike të Vlorës.
Janë kuptim plotë vargjet e kësaj kënge që ka
bërë Sinan Mullahu:
O shokë,
do zëmë një këngë,
Do ma
mbani a ta lëmë!
Medet ne
për mëndjen tënë,
Mbetëm
shamata e grënjë.
Nga e
gjithë puna që bëjmë,
Një metër
vend do zëmë.
Dhe ajo
gur e shkëmbënjë.
O baltë e
kuqe këlkënjë!
Këngët-o,
dertet-o
Këngë e
derte pambarim…
Kjo këngë është kënduar me derte labërore në
shpatull të shekullit që lamë pasë, 72 vite më parë, që më të hyrë të vitit
1945. Grupi polifonik i Tërbaçit e këndoi në Festivalin Folklorik Kombëtar të
Gjirokastrës. Sa aktuale, ç’mesazhe të qarta që na përcjell. As ke ç’u shton,
as ke ç’tu heqësh edhe pse 72 vjet s’janë pak. Lum kush ka fat të gdhendë
vargje të tilla. Faleminderit, xha Sinan! (Shih
dhe gazeta “Labëria”; Albert Habazaj: “Një tufë me lule”, data 15 gusht
2002, f.7, 11)
Kënga e bukur çel natyrshëm si trëndalif i
freskët, në hapësirat e saj, nga komuniteti që e do, këndohet, pëlqehet,
qarkullon. Sepse vetëm kur ka fjalën, melodinë, veshjen, gjestin, vallen (edhe
veglën muzikore, në ato komunitete që është traditë e përdoret), realizohet
sinkretizimi artistik i folkorit, i cili është një nga parimet kryesore
specifike, që një këngë apo një vale të futet në thesaret folkorike. Kështu kënga labe buron e nuk shteron se
rrjedh e kulluar nga gurra popullore, nga ky thesar i paçmuar. Atë, siç e kanë
kënduar të parët me pleq, me burra, gra, djem e vajza e fëmijë, edhe në kohët që
vijnë do të këndohet dhe pasurohet fisnikërisht bukur. Po përmend vetëm Tërbaçin,
i cili nuk rron me erën e lavdisë së grupit të famshëm të Tërbaçit. Ka kohë që
ka bërë emër Grupi i Djemve të Tërbaçit me Endri Hodon, Elsid Gjokaj etj. Nga 1
gushti i vitit 2016, dhjetë nëna tërbaçiote krijuan Grupin e Vajzave të Tërbaçit,
vullnetarisht për hir të emrit dhe nderit që u ka dhënë vendlindja. Gjithçmos e
bënë me forcat e tyre, me shpenzimet e tyre edhe kostumet karakteristike. Shpresa
Kapo (Çelaj), Baftie Dautaj (Xhelili), Hava Çelaj (Muçaj), Liljana Rrapi
(Kapo), Evgjeni Habilaj (Seferi), Antoneta Goxhaj (Mehmeti), Liri Gaçe
(Shkurtaj), Vitore Shiroka (Vera), Lavdie Goxho (Xhaka) dhe Madelona Mwzyraj
(Skwndaj) bwnw vepwr shpirti. E shkruan emrin e tyre dhe e dhanw mwsimin e duhur pwr fwmijwt e tyre, pwrv nipwr dhe
mbesa, se shumica janw gjyshe. E lanw emrin nw historikun e kwngws labe. Emblema
e sotme e polifonisw femwrore me kwngw e valle. Kemi shkruar për to jo pak
herë dhe në shtypin e shkruar dhe në atë online e kurrë nuk do të reshtim së
shkruari për to, sepse e meritojnë. Për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2017 shkuan
në Tërbaç, në natyrë, në vende historike e kulturore dhe realizuan një detyrë
të madhe ndaj vendlindjes. I dhanë një dhuratë të çmuar folkorike-kulturore
brezave, edhe me ndihmën tonë vëllazërore: telereportazhin aq të pëlqyer “Dhjetë
shqiponjat e Tërabçit”, përgatitur me pasion dhe profesionalizëm nga gazetari i
“Tv APOLLON” poeti dhe studiuesi Gentjan Banaj, të cilit i shprehim
mirëbnjohjen përsëri e përsëri
Kemi një tërheqje të vëmendjes: Se dhe koha bën
të vetën, po na ikin baballarët e këngës labe të gjysmës së dytë të shekulllit
të Njëzetë. Një nga një po bien lisat e lartë të folkorit lab, të këngës
magjike labërore, aq të perëndishme, në kuptimin më mrekullor të fjalës. Ra i
pari Maliq Lila i Bënçës. Ra Hamdi Pulo i Tragjasit. Edhe Arap Merua i Bratit.
Dhe Lefter Haxhiraj i Armenit. Iku i lënduar Kujtim Mici i Tërbaçit. Muhamet
Tartarin e Vranishtit s’po e lë shëndeti të jetë ai Muhamet Tartari i Parë. Por
ai e ka shkruar emrin dhe e ka lënë gjurmën e tij. Të pashlyeshme. Të
papërsëritshme. Kush e ka njohur krijimtarinë dhe punën titanike të Metos, gati
vetmohuese me grupet zinxhir të Vranishtit, më jep të drejtë në këto vlerësime
të merituara. Etnokultura e Vranishtit gjen sinonimin tek madhërori i pa shoq
Muhamet Tartari. Një jetë të tërë në veprimtari, si “zgalem i furtunës-o” në
këngët e tij. E ka vlerësuar shoqëria për qetësinë, burrërinë, bujarinë e
urtësinë, por sidomos për kontributin e madh që ka për ruajtjen e zhvillimin e
folkorit në zonën e Lumit të Vlorës. Nderim e jetë të gjatë atij gojëmjalti e
penëfloriri, fisnikut të lartë të Vranishtit e Labërisë mbarë. Bien lisat, po
ka të tjerë lartërorë. (Po e ngushtoj ravijëzimin vetëm në bashkitë e Vlorës,
Himarës dhe Selenicës). Është Lefter Çipa pilurioti (i madh jo nga trupi, por
nga bëmat folkoristike dhe etnokulturore), është Feti Brahimi i Lapardhasë,
Meleq Kapllani i Kaninës, Nexhip Seraj i Bratit, Llambro Hysi i Kallaratit. Ka
plot Labëria!... “Ç’kishn pjellë ato
nëna?/ Kishin pjellë e bërë drëra!”…
Dhe vazhdon stafeta me Nertesi Asllanin e
Bolenës (më të riun ndër të mëdhenjtë), me Kristo Çipën e Pilurit, Felek Bletën
e Vërmikut. Vazhdon rëndë me Tomor Lelon, që, përveçse këngëtar i fuqishëm
është dhe një portretizues i çastit me këngë në formën e bejteve, një
improvizues i spikatur, me vargjet e atypëratyshme, apo duke pasqyruar menjëherë
pas ndodhjes apo shfaqjes së dukurive të ndryshme. Tomor Lelo, nipi i Heroit të
Popullit (në Luftës së Vlorës, 1920) mund të jetë një rast unikal, që plotëson
pothuaj të gjitha parimet, ato ligjet e pashkruara të folkorit si një lloj i
veçantë artistik. Vajtimin burrëror në Labëri e aplikon natyrshëm vetëm Tomor
Lelo (jo më vetëm në tre bashkitë që trajtuam, por në të të gjitha bashkitë e
qarqet ku këndohet labërisht: Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Sarandë, Delvinë,
Përmet, Fier, Mallakastër). Kujtojmë vajtimin e Tomorrit në përcjelljen e
kthyesit të kënëgës pilurjote Qirjako Bala. Elegjia e Tomit i preku dhe i
mallëngjeu të gjithë pjesëmarrësit në atë përcjellje mortore (përfshi dhe
autorin e këtyre radhëve). Mund ta quajmë pa droje Tomor S. Lelon monument
folkorik në lëvizje, duke udhëtuar nëpër epika, lirika e këngë të
përvajshme…Paçin uratën e Folkorit shqiptar dhe të Polifonisë labe!
[1] )
Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i
Letërsisë, “Fjalor i Gjuhës së sotme
shqipe”, Tiranë, 1980, f. 1514.
[2] )
Sokoli, Ramadan, “Polifonia jonë
popullore”, në “Folkori muzikor
shqiptar” (Morfologjia), Tiranë, 1965, f. 127 -138.
[3] )
Akad. e Shkencave e RPSSh, Inst. i Kulturës Popullore, Sekt. i muzikës e
koreografisë, përgat. Spiro Shetuni,
Agron Xhagolli, “Këngë polifonike labe”,
Tiranë, 1986.
[4] )
Shetuni, Spiro, “Polifonia labe”,
Akad. e Shkencave e RPSSh, Inst. i Kulturës Popullore, Tiranë, 1989.
[5] )
Bogdani, Ramazan H., “Shpirti i popullit
në valle”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1978, f. 170-171.
[6] )
Bogdani, Ramazan H., vep. e cit., f. 176-177.
[7] )
Shetuni, Spiro, “Polifonia labe”,
vep. e cit. , f. 5.
[8] )
Gazeta “Hora”, tetor 2004, f. 4
[9] )
Andrea, Fotaq: “Pena të arta franceze për
shqiptarët (1332 - 2007): Antologji e ilustruar - udhëpërshkrime, letërsi, art,
kulturë”, Tiranë: Gent grafik, 2009, f. 511.
[10] )
“Vlora nëpër festivale: Festivali
Folkorik Kombëtar, Qarku Vlorë, Gjirokastër 2004”, Vlorë, Triptik, 204, f.
13.
No comments:
Post a Comment