Saturday, 25 November 2017

SHPIRT TIRANSI


BEDRI ALIMEHMETI
SHPIRT TIRANSI

- poemë -

Kushtuar bashkëqytetarve tiranas

Kush jam unë?
Copëz shkëmbi shkëputur nga Dajti
shkërmoqur e bërë njësh
me truallin,
mbi të cilin
profecia e Sulejman Pashë Bargjinit 1)
ngriti Tiranën time.

Kush jam unë?
Devotshmëria sublime
e Dervish Hatixhe Skënderit 2)
humanistes së parë shqiptare,
që sfidoj vdekjen
për të shpëtuar qytetin nga shfarosja.

Kush jam unë?
Guri i zallit të Riglatës 3),
që dorë e rreshkur e mjeshtrit gurskalitës
e vuri pazgjidhshmërisht
mbi kalldrëmet e rrugicave,
spërkatur mëngjezeve nga vesa e agut,
ngarkuar ditën
me dhimbjen e hapave të njerëzve të mirë
dhe prehur natën
ndën platinimin e hënës tiranse.

Kush jam unë?
Hepimi i selvive të Namazgjasë 4)
drejt qiellit në sheshin
ku tiransit më së pari iu falën Zotit.

Kush jam unë?
Kurora e manit kokërrmjaltë
mes kopshteve qarkuar me avlli,
ku nën hije të "bukurat e dheut"
me këngë qëndisnin në gjergjefe
ylberin e ëndrrave të rinisë.

Kush jam unë?
Kjo këngë e lashtë trimërie,
që ndihet
buzë mbrëmjeve
amullsuar nga perëndimi i diellit,
kënduar ndën zë nga pleq të urtë,
ulur këmbëkryq mbi pastiqe të pastra,
teksa nëpër gishtërinjtë e jodizuar
u shkasin rruazat e viteve.

Kush jam unë?
Mjegulla e tyltë e agimit
ndehur mbi qytet,
që derdh veslotët mbi çatitë e vatrave,
ku flenë
njerëz punëtorë e shpirtmëdhenj.

Kush jam unë?
Ky rrebesh pranveror,
trokëllimë e këndshme e të cilit pas dritares
nën gurgullimën e ulluqeve
në rezonancë ëndërronjëse
vë degët e kajsive, hurmave e sheftelive.

Kush jam unë?
Ngrohtësi e flladit të këtij perëndimi,
ngarkuar me puhizën e natës,
që ma bën shpirtin sa një det,
kur ime shoqe më ven kafen përpara.

Kush jam unë?
Aroma kundërmonjëse e selfijonit
guluar plot gjelbërim
nëpër vazot rreth e qark oborreve,
që ndrisin akull nga pastërtia.

Kush jam unë?
Petal i trëndafilit,
përjetësisht
nën kujdesin e duarve të buta
të nënave tona shpirtnapëbardha,
që ti bukuroshe e mban çdo ditë
në thelpinjtë e buzëve.

Kush jam unë?
Ti zotëri, që ecën qetësisht
me cigare në buzë,
miku yt, që rufit kafe
pas xhamave të këtij lokali luksoz,
apo ai tjetri në makinën buzë trotuarit,
tek pret t'i hapet sinjali semaforik.

Kush jam unë?
Përndezja kulmore e valles së "Napolonit",
hedhur mes dallgëve
të mermerta të dimiqve,
nën rrezëtitje
teminash dhe jelekësh me rrënja,
ku ujvarë e pambarimtë derdhet kënga.
Oh dasmat tiranse,
si në asnjë vend të këtij rruzulli!

Kush jam unë?
Buzëqeshjet e vogëlushëve,
hapat e tyre të njomë
mbi barin e lulishteve.
Gazi dhe hareja e të rinjve
nëpër trotuaret e baret llamburitës
ndën gjelbërimin e pishave në bulevard.

Kush jam unë?
Fjalë e fundit e të pushkatuarve pa gjyq
në rrënojat e "Bristolit" 5).
Sfida gjysmëshekullore
e burgjeve diktatorialë
të të martirizuarit mandeljan Osman Kazazi 6).

Kush jam unë?
Jehonë e zërit të Abdulla Dërhemit 7)
në këngët e hershme,
që ua drithëronte shtatin burrave,
kur u mbërrinte
edhe atje, tek pinin kafe
te Sahati në mes të Tiranës.

Kush jam unë?
Tingulli magjepës
i violinës së Muharrem Gurrës 8),
që si gurrë e pashtershme
"derdhi" për ne vetëm këngë të ëmbla.

Kush jam unë?
Zëri i paharruar i Hafsa Zyberit 9),
në "Kasta divan" tiranse:
"Si m'ke sytë m'ke vetllat" 10),
melhem zemre
që ende qetëson pafundsisht shpirtra.

Kush jam unë?
Oshëtimë e vokalit të Fitnete Rexhës 11)
me pathosin e pashtershëm
në "Kur dy zemra dashurohen" 12).

Kush jam unë?
Klithma e mallkimit të përjetshëm
mbi të gjithë ata mediokër sharlatanë,
që më kot ulëritën
të na indoktrinonin ndjesitë
me mendësinë perverse
të një ideologjije dështake,
për të na vrarë ëndrrat, aspiratat, dashuritë.

Kush jam unë?
Vezullimi i syve të plakut myzeqar
në "Portretin" e Sadik Kacelit 13),
"Rembrand" i penelit shqiptar,
tok me ekspresivitetin e "Farhedhësit" të Sali Shijakut 14).

Kush jam unë?
Rrudha e thellë
në ballin e Seremedi Said Toptanit 15),
kryeatdhetarit tiranas,
që për Shqipninë
u shua burgjeve të Kaukazit 16).

Kush jam unë?
Fjala e ndezur e Ibrahim Dalliut 17),
që e ngriti në piedestal
patriotizmin tiranas.

Kush jam unë?
Përsosmëria në vargjet e Zenel Bastarit 18).
Firma me kaligrafin e përkryer të Murat Toptanit 19),
hedhur në dokumentin e mëvetësisë së Shqipërisë.

Kush jam unë?
Zemërbujaria e rrallë
dhe mikpritja e pashoqe tiranse,
që më 1913 20) u hapi dyert vëllezërve dibranë,
dëbuar me dhunë nga trojet e tyre.

Kush jam unë?
Duart e arta mjeshtrore
të Cen Kazazit 21)
mjekut popullor
të mbi gjysëm milioni pacientësh.

Kush jam unë?
Potenciali kapacitativ
i inxhinierëve të sprovuar
Xhepa, Gjinali e Stërmasi 22) me shokë.

Kush jam unë?
Dijenia e pashoqe dhe mjeshtëria
në mësimdhënie e profesorve
Jarani, Tafaj, Dema, Llagami, Alimehmeti, Turdiu...,23)
që aq shumë i dhanë arsimit shqiptar.

Kush jam unë?
Papërtueshmëria
në çdo orë të ditës e të natës
e mjekve Ndroqi, Tefiku, Kërçiku, Jorgoni
Dashi, Preza, Theodhosi...24)
për t'iu gjendur pranë shtratit të sëmurit
në çdo vatër tiranse.

Kush jam unë?
Kënga e pandalshme e "Bilbilit" 25),
që "qan"
nën harkun e violinës së Islam Petrelës 26).

Kush jam unë?
Mjeshtria koreografike e Gëzim Kacelit 27)
Humori brilant i Skënder Sallakut 28).
Fluturimi i Besim Zekthit 29)
në "Vallen e shqipeve".

Kush jam unë?
Vikamë e zërit të Reshat Arbanës 30),
ky "Isa Boletin" 31) i gjallë,
që me vargjet fishtjanë
shtang e të lë pa frymë.

Kush jam unë?
Grinta e pambarimtë e bardhebluve
mbi fushën e blertë,
dalldia e tifozëve nëpër tribuna,
në ekstazat e entuziasmit të fitoreve.

Kush jam unë?
Uragani i pandalshëm
i studentengjëjve të dhjetorit nëntëdhjetë.
Prushi i pakufijshëm i vatrave tiranse,
që i struku bujarisht në gjirin e tij.

Kush jam unë?
Një njeri i zakonshëm,
që përkrah jush
për çdo ditë
rrugëton i menduar
dhe ndalet,
shkëmben dy fjalë,
ngazëllen e vuan tok me ju.
Dhe pasi ndez një cigare largohet
duke ju përshëndetur
miqësisht e buzagaz.

Kush jam unë?
Ja, ky shpirt i patjetërsueshëm tiransi.
I lartë ei gjërë sa Dajti,
i thellë sa një oqean,
i pafund sa qielli,
i pastër si burimi i Selitës,
i ngrohtë e vezullues si dielli
i papërkulur në stuhi e furtunë.
Jam unë shpirti i tiransit,
që ndër shekuj kam qenë,
jam e do të jem
dhe nuk do të vdes kurrë!
-----------

  1)-Sulejman Pashë Bargjini - Themeluesi i qytetit të Tiranës.
  2)-Dervish Hatixhe Skënderi  - Humaniste e shek. XVIII shpëtoj Tiranën nga shfarosja.
  3)-Riglata - Emri i lashtë i lumit të Tiranës.
  4)-Namazgjaja - Sheshi i sotëm përpara sallës së Parlamentit shqiptar.
  5)-"Bristol" - Hotel në rrugën e Durrësit nuk ekziston më.
  6)-Osman Kazazi - Nacionalist vuajti 42 vite në burgjet e diktaturës.
  7)-Abdulla Dërhemi - Këngëtar i njohur i këngës tiranse.
  8)-Muharrem Gurra - Kompozitor i këngëve të Shqipërisë së Mesme.
  9)-Hafsa Zyberi- Këngëtare e njohur e Shqipërisë së Mesme.
10)-"Si m'ke sytë m'ke vetllat"- Këngë popullore tiranse.
11)-Fitnete Rexha - Këngëtare e njohur e Shqipërisë së Mesme.
12)-"Kur dy zemra dashurohen" - Këngë popullore tiranse.
13)-"Portreti i plakut myzeqar" - Vepër e piktorit Sadik Kaceli.
14)-"Farhedhësi" - Vepër e piktorit Sali Shijaku.
15)-Seremedi Said Toptani - Atdhetar tiranas i ati i Murat e Abdi Toptanit.
16)-Kaukazi - Vend internimi në kohën e perandoris Osmane.
17)-Ibrahim Dalliu - Atdhetar i shquar tiranas, klerik, mësues, poet, shkrimtar, publicist.
18)-Zenel Bastari - Poet popullor.
19)-Murat Toptani - Atdhetar, një nga firmëtarët e dokumentit të pamvarsis më 28 nandor 1912.
20)-1913 - Eksodi i parë i dibranëve dëbuar nga trojet e tyre nga shovinistët serb.
21)-Cen Kazazi - Mjek popullor ortoped, "Qytetar Nderi i Tiranës".
22)-Xhepa, Gjinali, Stërmasi - Qazim Xhepa, Tefik Gjinali, Ferid Stërmasi inxhinierë të shquar.
23)-Jarani, Tafaj, Dema, Llagami, Turdiu... -Ramazan Jarani, Sinan Tafaj, Ramazan Dema, Bedri Llagami, Hysen Alimehmeti, Qazim Turdiu etj.,profesorë të shquar.
24)-Ndroqi, Tefiku, Kërçiku, Dashi, Preza, Theodhosi... - Shefqet Ndroqi, Sabri Tefiku, Kadri Kërciku, Isuf Dashi, Bajram Preza, Janko Theodhosi - Mjekë të njohur në gjithë Shqipërinë.
25)-"Bilbili" - Melodi instrumentale me violinë interpretuar mjeshtrisht nga Islam Petrela.
26)-Islam Petrela - Violinist i shquar.
27)-Gëzim Kaceli - Baletmaestër koreograf, themelues i Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore.
28)-Skënder Sallaku - Artist i Popullit, aktor i humorit.
29)-Besim Zekthi - Artist i Popullit, valltar.
30)-Reshat Arbana- Nderi i Kombit, Artist i Popullit, aktor dramatik.
31)-"Isa Boletini" - Atdhetar i shquar për lirinë e pamvarsin e Shqipërisë.