BEDRI ALIMEHMETI
SHPIRT TIRANSI
- poemë -
Kushtuar
bashkëqytetarve tiranas
Kush jam unë?
Copëz shkëmbi
shkëputur nga Dajti
shkërmoqur e bërë
njësh
me truallin,
mbi të cilin
profecia e
Sulejman Pashë Bargjinit 1)
ngriti Tiranën
time.
Kush jam unë?
Devotshmëria
sublime
e Dervish Hatixhe
Skënderit 2)
humanistes së parë
shqiptare,
që sfidoj vdekjen
për të shpëtuar
qytetin nga shfarosja.
Kush jam unë?
Guri i zallit të
Riglatës 3),
që dorë e rreshkur
e mjeshtrit gurskalitës
e vuri
pazgjidhshmërisht
mbi kalldrëmet e
rrugicave,
spërkatur
mëngjezeve nga vesa e agut,
ngarkuar ditën
me dhimbjen e
hapave të njerëzve të mirë
dhe prehur natën
ndën platinimin e
hënës tiranse.
Kush jam unë?
Hepimi i selvive
të Namazgjasë 4)
drejt qiellit në
sheshin
ku tiransit më së
pari iu falën Zotit.
Kush jam unë?
Kurora e manit
kokërrmjaltë
mes kopshteve
qarkuar me avlli,
ku nën hije të
"bukurat e dheut"
me këngë qëndisnin
në gjergjefe
ylberin e ëndrrave
të rinisë.
Kush jam unë?
Kjo këngë e lashtë
trimërie,
që ndihet
buzë mbrëmjeve
amullsuar nga
perëndimi i diellit,
kënduar ndën zë
nga pleq të urtë,
ulur këmbëkryq mbi
pastiqe të pastra,
teksa nëpër
gishtërinjtë e jodizuar
u shkasin rruazat
e viteve.
Kush jam unë?
Mjegulla e tyltë e
agimit
ndehur mbi qytet,
që derdh veslotët
mbi çatitë e vatrave,
ku flenë
njerëz punëtorë e
shpirtmëdhenj.
Kush jam unë?
Ky rrebesh
pranveror,
trokëllimë e
këndshme e të cilit pas dritares
nën gurgullimën e
ulluqeve
në rezonancë
ëndërronjëse
vë degët e
kajsive, hurmave e sheftelive.
Kush jam unë?
Ngrohtësi e
flladit të këtij perëndimi,
ngarkuar me
puhizën e natës,
që ma bën shpirtin
sa një det,
kur ime shoqe më
ven kafen përpara.
Kush jam unë?
Aroma
kundërmonjëse e selfijonit
guluar plot gjelbërim
nëpër vazot rreth
e qark oborreve,
që ndrisin akull
nga pastërtia.
Kush jam unë?
Petal i
trëndafilit,
përjetësisht
nën kujdesin e
duarve të buta
të nënave tona
shpirtnapëbardha,
që ti bukuroshe e
mban çdo ditë
në thelpinjtë e
buzëve.
Kush jam unë?
Ti zotëri, që ecën
qetësisht
me cigare në buzë,
miku yt, që rufit
kafe
pas xhamave të
këtij lokali luksoz,
apo ai tjetri në
makinën buzë trotuarit,
tek pret t'i hapet
sinjali semaforik.
Kush jam unë?
Përndezja kulmore
e valles së "Napolonit",
hedhur mes
dallgëve
të mermerta të
dimiqve,
nën rrezëtitje
teminash dhe
jelekësh me rrënja,
ku ujvarë e
pambarimtë derdhet kënga.
Oh dasmat tiranse,
si në asnjë vend
të këtij rruzulli!
Kush jam unë?
Buzëqeshjet e
vogëlushëve,
hapat e tyre të
njomë
mbi barin e
lulishteve.
Gazi dhe hareja e
të rinjve
nëpër trotuaret e
baret llamburitës
ndën gjelbërimin e
pishave në bulevard.
Kush jam unë?
Fjalë e fundit e
të pushkatuarve pa gjyq
në rrënojat e
"Bristolit" 5).
Sfida
gjysmëshekullore
e burgjeve
diktatorialë
të të
martirizuarit mandeljan Osman Kazazi 6).
Kush jam unë?
Jehonë e zërit të
Abdulla Dërhemit 7)
në këngët e
hershme,
që ua drithëronte
shtatin burrave,
kur u mbërrinte
edhe atje, tek
pinin kafe
te Sahati në mes
të Tiranës.
Kush jam unë?
Tingulli magjepës
i violinës së
Muharrem Gurrës 8),
që si gurrë e
pashtershme
"derdhi"
për ne vetëm këngë të ëmbla.
Kush jam unë?
Zëri i paharruar i
Hafsa Zyberit 9),
në "Kasta
divan" tiranse:
"Si m'ke sytë
m'ke vetllat" 10),
melhem zemre
që ende qetëson
pafundsisht shpirtra.
Kush jam unë?
Oshëtimë e vokalit
të Fitnete Rexhës 11)
me pathosin e
pashtershëm
në "Kur dy
zemra dashurohen" 12).
Kush jam unë?
Klithma e
mallkimit të përjetshëm
mbi të gjithë ata
mediokër sharlatanë,
që më kot ulëritën
të na indoktrinonin
ndjesitë
me mendësinë
perverse
të një ideologjije
dështake,
për të na vrarë
ëndrrat, aspiratat, dashuritë.
Kush jam unë?
Vezullimi i syve
të plakut myzeqar
në
"Portretin" e Sadik Kacelit 13),
"Rembrand"
i penelit shqiptar,
tok me
ekspresivitetin e "Farhedhësit" të Sali Shijakut 14).
Kush jam unë?
Rrudha e thellë
në ballin e
Seremedi Said Toptanit 15),
kryeatdhetarit
tiranas,
që për Shqipninë
u shua burgjeve të
Kaukazit 16).
Kush jam unë?
Fjala e ndezur e
Ibrahim Dalliut 17),
që e ngriti në
piedestal
patriotizmin
tiranas.
Kush jam unë?
Përsosmëria në
vargjet e Zenel Bastarit 18).
Firma me
kaligrafin e përkryer të Murat Toptanit 19),
hedhur në
dokumentin e mëvetësisë së Shqipërisë.
Kush jam unë?
Zemërbujaria e
rrallë
dhe mikpritja e
pashoqe tiranse,
që më 1913 20) u
hapi dyert vëllezërve dibranë,
dëbuar me dhunë
nga trojet e tyre.
Kush jam unë?
Duart e arta
mjeshtrore
të Cen Kazazit 21)
mjekut popullor
të mbi gjysëm
milioni pacientësh.
Kush jam unë?
Potenciali
kapacitativ
i inxhinierëve të
sprovuar
Xhepa, Gjinali e
Stërmasi 22) me shokë.
Kush jam unë?
Dijenia e pashoqe
dhe mjeshtëria
në mësimdhënie e
profesorve
Jarani, Tafaj,
Dema, Llagami, Alimehmeti, Turdiu...,23)
që aq shumë i
dhanë arsimit shqiptar.
Kush jam unë?
Papërtueshmëria
në çdo orë të
ditës e të natës
e mjekve Ndroqi,
Tefiku, Kërçiku, Jorgoni
Dashi, Preza,
Theodhosi...24)
për t'iu gjendur
pranë shtratit të sëmurit
në çdo vatër
tiranse.
Kush jam unë?
Kënga e pandalshme
e "Bilbilit" 25),
që "qan"
nën harkun e
violinës së Islam Petrelës 26).
Kush jam unë?
Mjeshtria
koreografike e Gëzim Kacelit 27)
Humori brilant i
Skënder Sallakut 28).
Fluturimi i Besim
Zekthit 29)
në "Vallen e
shqipeve".
Kush jam unë?
Vikamë e zërit të
Reshat Arbanës 30),
ky "Isa
Boletin" 31) i gjallë,
që me vargjet
fishtjanë
shtang e të lë pa
frymë.
Kush jam unë?
Grinta e
pambarimtë e bardhebluve
mbi fushën e
blertë,
dalldia e tifozëve
nëpër tribuna,
në ekstazat e
entuziasmit të fitoreve.
Kush jam unë?
Uragani i
pandalshëm
i studentengjëjve
të dhjetorit nëntëdhjetë.
Prushi i
pakufijshëm i vatrave tiranse,
që i struku
bujarisht në gjirin e tij.
Kush jam unë?
Një njeri i
zakonshëm,
që përkrah jush
për çdo ditë
rrugëton i menduar
dhe ndalet,
shkëmben dy fjalë,
ngazëllen e vuan
tok me ju.
Dhe pasi ndez një
cigare largohet
duke ju
përshëndetur
miqësisht e
buzagaz.
Kush jam unë?
Ja, ky shpirt i
patjetërsueshëm tiransi.
I lartë ei gjërë
sa Dajti,
i thellë sa një
oqean,
i pafund sa qielli,
i pastër si burimi
i Selitës,
i ngrohtë e
vezullues si dielli
i papërkulur në
stuhi e furtunë.
Jam unë shpirti i
tiransit,
që ndër shekuj kam
qenë,
jam e do të jem
dhe nuk do të vdes
kurrë!
-----------
1)-Sulejman Pashë Bargjini - Themeluesi i qytetit
të Tiranës.
2)-Dervish Hatixhe Skënderi - Humaniste e shek. XVIII shpëtoj Tiranën nga
shfarosja.
3)-Riglata - Emri i lashtë i lumit të
Tiranës.
4)-Namazgjaja - Sheshi i sotëm përpara sallës
së Parlamentit shqiptar.
5)-"Bristol" - Hotel në rrugën e
Durrësit nuk ekziston më.
6)-Osman Kazazi - Nacionalist vuajti 42 vite
në burgjet e diktaturës.
7)-Abdulla Dërhemi - Këngëtar i njohur i
këngës tiranse.
8)-Muharrem Gurra - Kompozitor i këngëve të
Shqipërisë së Mesme.
9)-Hafsa Zyberi- Këngëtare e njohur e
Shqipërisë së Mesme.
10)-"Si m'ke
sytë m'ke vetllat"- Këngë popullore tiranse.
11)-Fitnete Rexha
- Këngëtare e njohur e Shqipërisë së Mesme.
12)-"Kur dy
zemra dashurohen" - Këngë popullore tiranse.
13)-"Portreti
i plakut myzeqar" - Vepër e piktorit Sadik Kaceli.
14)-"Farhedhësi"
- Vepër e piktorit Sali Shijaku.
15)-Seremedi Said
Toptani - Atdhetar tiranas i ati i Murat e Abdi Toptanit.
16)-Kaukazi - Vend
internimi në kohën e perandoris Osmane.
17)-Ibrahim Dalliu
- Atdhetar i shquar tiranas, klerik, mësues, poet, shkrimtar, publicist.
18)-Zenel Bastari
- Poet popullor.
19)-Murat Toptani
- Atdhetar, një nga firmëtarët e dokumentit të pamvarsis më 28 nandor 1912.
20)-1913 - Eksodi
i parë i dibranëve dëbuar nga trojet e tyre nga shovinistët serb.
21)-Cen Kazazi -
Mjek popullor ortoped, "Qytetar Nderi i Tiranës".
22)-Xhepa,
Gjinali, Stërmasi - Qazim Xhepa, Tefik Gjinali, Ferid Stërmasi inxhinierë të
shquar.
23)-Jarani, Tafaj,
Dema, Llagami, Turdiu... -Ramazan Jarani, Sinan Tafaj, Ramazan Dema, Bedri
Llagami, Hysen Alimehmeti, Qazim Turdiu etj.,profesorë të shquar.
24)-Ndroqi,
Tefiku, Kërçiku, Dashi, Preza, Theodhosi... - Shefqet Ndroqi, Sabri Tefiku,
Kadri Kërciku, Isuf Dashi, Bajram Preza, Janko Theodhosi - Mjekë të njohur në
gjithë Shqipërinë.
25)-"Bilbili"
- Melodi instrumentale me violinë interpretuar mjeshtrisht nga Islam Petrela.
26)-Islam Petrela
- Violinist i shquar.
27)-Gëzim Kaceli -
Baletmaestër koreograf, themelues i Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore.
28)-Skënder
Sallaku - Artist i Popullit, aktor i humorit.
29)-Besim Zekthi -
Artist i Popullit, valltar.
30)-Reshat Arbana-
Nderi i Kombit, Artist i Popullit, aktor dramatik.
31)-"Isa
Boletini" - Atdhetar i shquar për lirinë e pamvarsin e Shqipërisë.
No comments:
Post a Comment