Faruk Myrtaj
Të gjithë
po transferohen për atje...
Tregim/parabol
Si
shenjë dashurie, ajo i kërkoi një dhuratë krejt të veçantë: “Diçka që nuk i
është ofruar asnjë femre tjetër në këtë vend...“
Duke e ditur
natyrën e vetë dhe shpirtin e saj, ai i premtoi një burg.
Vendimi i parë i kabinetit të ri qeveritar ishte miratimi i fondeve për
ndërtimin e një burgu të ri.
Edhe ajo pjesë e kryeqytetasve që çdo mbrëmje shëtiste duke lutur "lermë o Zot të rroj", shtetas të
ngeshëm që ishin gati të pranonin si simbol kombëtar kërmillin e avash-avashëm në
vend të shqiponjës krenare, tërë ata që u bindeshin pa kushte qeverive që
pasonin njera-tjetrën, nuk e fshehën befasimin. Në njoftimin zyrtar nuk fshihej
pritja e kujdesja që burgu i ri në asnjë mënyrë të mos paragjykohej, për inerci
të hijeve e historive të burgjeve të mëparshëm. Sipas zëdhënësit të qeverisë, shtëpia e re pa qira do të ishte
respektuese e ligjit por jo më pak e së drejtës për dinjitet qytetar. Në
dinjitet, në i ndodhë të shërbej ose t’i shërbehet në këtë burg.
Megjithatë, numri i shëtitësve në "Bulevardin e Të Rënëve Pa
Vetëdije", që shkonte gjer te këmbët e Pallatit të Madh të Dimrit si për
tu urtuar nën dritaren e Zyrës së Njëshit të Shtetit, ku drita nuk shuhej kurrë,
u rrallua. Çdonjera prej qeverive të mëparshme ishte marrë me riparimin e
burgjeve, të gjitha kishin premtuar ndershmëri për të ndershmit, ndëshkim për vënien
dorë mbi pasuritë publike, por asnjera prej tyre s'kishte premtuar hapje burgu.
Këta po e fillonin burgun. Për “burgun e ri”, në njëjës. Askush nuk i zinte
n’goje burgjet e tjerë.
Për të qetësuar masën e qytetarëve që përgjërohej për vazhdimësinë e ec-e-jak-ës
në atë bulevard unikal, të nesërmen u publikua njoftimi shtesë: një e treta e
fondeve për ndërtimin e burgut të ri do të vilej prej pagës së kryetarit të
shtetit, kryeministrit, kryetarit të parlamentit, shefave të doganës në të tri
pikat kufitare me të tre vendet fqinje, ministrave, zv/ministrave, drejtorëve
të drejtorive dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, një listë e tërë. Ku, si për vazhdim të kësaj çudie të gjatë,
mungonte pikërisht titullari i Burgut të Ri të ardhshëm.
Pak orë më vonë u bë e ditur se të tretën e pagës do ta dhuronin edhe
shefat e partive aleate të pozitës, kryetari i kontrollit të serverve të
tatimeve, kryetari i sigurisë kombëtare, avokati i popullit pa kufijë, madje
edhe pretendenti për ministrin e Drejtësisë me kahje të shpallur oksidentale
atlantike...
Në këtë truall të bekuar, më në fund, po troket mrekullia, pëshpëritej.
Dihej si traditë e këtyre trojeve slogani, edhe ky krenar, “burgu, për
burrat”, por zbutja mbase nisi vetëm kur një hovardar pushteti ndodhi të bujtte
vetë në strehë të tillë. Sado në afat-shkurtër dhe pavarësisht që, në vend të ndjesës,
atë e rikthyen në po atë karrike, njerëzit mbanin mend burgjet e vjetra, ku
kishin mbyllur jetët e tyre thuaj tërë kryeministrat dhe ministrat e brendshëm,
me përjashtim të dikujt që e mbyllën në çmendinë dhe më të mbramit fare që
preferoi të mbetej burrë pa hyrë në burg duke zgjedhur vdekjen me letër amanet
dërguar porositësit. Nuk mbaronin ndonjëherë historitë me burgje, por kurrë siç po flitej së fundi për “Burgun e
Ri”, dhe që tërë nëpunësve të administratës publike do t’i mbahej “Taksë për
Burg”.
Ishte fare legjitime që Shefat e Opozitës të kishin gjithë pretekstet për
t'u shqetësuar. Secili prej radhëve të saj mund ta gjente veten në hapësirën e atij
burgu. Të sapo-ngjiturit në karrike fare kollaj mund t'i mbyllnin aty rivalët e
tyre, edhe pse një mendje tjetër, më e rafinuar, qetësonte:fituesit e rinj do
ta përdornin burgun si reklamë dhe mjet presioni.
Dyshimet dhe qetësimet përkëmbeheshin, teksa flitej për shpenzimet e
parashikuara. Mund të besoje se fondet do
të përdoreshin për herë të parë për të instaluar mjete përpunimi, hetimi dhe
investigimi modern. Të tjerë e lidhnin domosdonë e këtij burgu me shtetasit në
emigracion. Dihej kërkesa e ministrive të burgjeve fqinje. Edhe vetë të
burgosurit emigrantë, që në krye të herës qenë nisur drejt tokave të premtuara,
tashmë luteshin për t’i transferuar në burgjet e atdheut të vetë. Në mëmëdheu s'i kish mbajtur dot si prind, t'u
bëhej i dhimbshur si burg.
Ditëve më pas u përfolën detaje që mbështesnin e rrëzonin këto hamendje.
Zëdhënësi i ministrit të brendshëm, që përcolli optimizëm e humor (ndryshe prej
seriozitetit ngjethës të homologut paraardhës), ngulmoi të qartësonte se
kurrkush prej votuesve të thjeshtë s’kish pse t’i druhej ngritjes së këtij
burgu. Aq më pak opozita, shtoi ai. Por nuk mori as edhe mundimin të jepte hollësi
për silogjizmën elementare: nëse jo qytetarët e thjeshtë dhe as opozita, kush
tjetër duhet të druhej prej hapjes së këtij burgu?!
“Tërë vlera monetare, materiale e shpirtërore, prej djersës së këtij populli,
që besoi tek ne. Burgun e Ri prandaj e ngremë...Të mund të shkojnë atje të
gjithë. Absolutisht të gjithë...Përballë burgut, si përballë ligjit."
E bëri turbulluese historinë rrekja e kabinetasve, të gjithë çuna të bukur
e gojëtarë që, një më dy, dhe fap, përmendnin si vlerë të shtuar këmbimin e
kohëvuajtjes në burg me dëmshpërblim monetar. Po përskicohej idea se në atë burg
s’do shkohej aq kollaj dhe aq më pak jo kushdo: një shofer që parkonte gabim,
një i ardhur rishtaz prej fshatrave të thellë- shndërruar në kryeqytetas si
kompensim ndaj emigracionit masiv të kryeqytetasve - që për të rrëfyer kënaqësinë
i mbante ndezur edhe ditëve dritat e oborrit, një drejtoreshë e vetme shkolle
që nxori nxënësit për miting, formalisht do akuzoheshin me burg, por në fakt thjesht
do gjobiteshin. Në këtë qasje të re, u paralajmëruan varfanjakët të mos
shpresonin për Burgun e Ri.
Trazija u bë lemeritëse kur u mësua sasia e pazakonshme e parave dhe
valutës në dispozicion për burgun e ri dhe sidomos kur u shpallë vend-trualli i
zgjedhur për ngritjen e tij: pikërisht lartësia e kodrës që sundonte kryeqytetin,
aty ku dikur organizonte pritjet e ballot Mbreti. Mbase si për ta bërë të
pashkuar-ndërmendshëm rikthimin e tij, po e kthenin në burg, këtë kurorë qëndisur
me gjelbërim, ëndërruar për shlodhje masive të djelave. Kodra ende zbriste butë-butë
për nga qyteti, si të binte në gjunjë të tij në fund të “Bulevardit të të
Rënëve Pa Vetëdije”.
Shëtitësit filluan ta mbanin paksa hapin, teksa arrinin aty. Ujdisnin
frymë-marrjen dhe e bënë të zakonshme të vështronin shoshoqin përhumbshëm. Asnjë muhabet me burg s’është për të qeshur,
vëlla. Se, një ditë të bukur, kur ti të kesh mbërritur edhe një herë në
fund të Bulevardit, dikush mund të të afrohet dhe të të thotë, me zë të ulët e
plotë mirësjellje: “Në emër të popullit, a mund të ngjitemi deri atje lart?!
Është bukur, atje...”, duke bërë me dorë për nga Burgu i Ri.
Siç nuk pati ndodhur me asnjë premtim tjetër elektoral, themelet e burgut
të ri nisën të njëtën ditë të lume me dekretimin e antarëve të kabinetit të ri.
Pas kazmave të para të përurimit u vu re se nën atë gjelbërim të bekuar ishte
vërtetë edhe një dhè i bukur, i dashur, që s'mbante lagështi, garanci kjo që të
ndëshkuarit e ardhshëm, por edhe gardianët aty, s’do të vuanin dhimbje
eshtrash, siç rëndom në burgjet e më-hershëm. Për shkak të kësaj majëkodre zgjedhur
si truall, dielli do ta përkëdhelte ndërtesën e burgut prej rrezes më të
hershme të agimit deri në çastet e shuarjes së vonë në mug.
Ajo çfarë i dha edhe një shtysë habisë së fillimit ishte lënda që u përdor për
ngritjen e mureve: qelq i ëmbël, i përshkueshëm nga drita, i tej-vështrueshëm
nga brenda por jo edhe nga jashtë. Të burgosurit do mund t’i kundronin qytetarët
e lirë, tërë kohën e dënimit, por jo qyteti ata. Thjesht që robëria relative e
atyre aty brenda të kishte model lirinë absolute të atyre atje jashtë, jo e
anasjellta. Më vonë, pasi muret e kaluan bojën e njeriut, u pa sa mirë ishte
menduar që edhe në hapësirën brenda rrethimit të ruhej krejt-e-krejt
gjelbërimi.
Mos u bëni naivë, ia behte ndonjëherë ndonjë zëth, midis kësaj pëshpërime masive-romantike.
Burgu, kurrë s'është ai që duket...E çfarë pastaj se muret shfaqen të qelqta
nga jashtë?! Dhe gjelbërimi, çfarë, me shatërvanët e ndriçuar?! Burgu janë
qelitë, ej, mungesat që verifikohen kur të mbyllin aty brenda. Dihet se gjer
vonë në mesjetë, deri në rilindjen e parë, zotërinjtë e robërit rronin në të
njëjtën kështjellë. Lart bëhej qejfi, vërshonte orgjia në katet e sipërm, por
atje poshtë, në bincat e qilarët e qelitë, valonte druri...
Okay, në rregull, dyshimi është liri, në të gjithë gjuhët, por a na thua
dot: pse as opozita s’ndjehet?!
Gazetat e përditësuara e televizionet, të tëra të pavarura nga populli, nisën
të botonin faqe speciale, opinione, që më pas komentoheshin në gazetat e
televizionet e pavarura por edhe ato rivale. Ai që në krye tingëllonte si lajm
që jepet një herë në njëzetë-tridhjetë vjet, për afrim komete, më në fund do
vinte, por problemi ishte kur? Mezi pritej dita e përurimit,
që pastaj të vijonte dita e parë, dita e ndëshkimit, e ardhjes të të burgosurit
të parë. Dikush, çdokush, cilido le të ishte, prej shtetasve, vetëm të
fillonte, aman...
Ngarkesë-rëndë fjala "Burg", por e shoqëruar nga cilësori "i
Ri", pa u vënë në punë ende, e kishte ndryshuar jetën e kryeqytetasve. Qoftë
edhe si një pikë ngjyre drite në gotën e trishtë të gjërave që harroheshin
brenda tri ditëve të kujtesës kombëtare. Estradat e linket e humorit u
begatuan. Erdhi siraja të shfaqej sërish natyra e vërtetë e debateve publike: vetëm
se dukej, sikur tërë qyteti kërkonte ndëshkim të vesit, shkelësve të ligjit dhe
të korruptuarve. Përdoreshin frazat e sallave në gjyqet e para pas Luftës “Në
litar, në litar...” Pa e pranuar dot se, ditën më pas, sapo të mësohej se
dikush ish arrestuar, po këta debatues të ndezur ekranesh, do të ndjeheshin
keq, dhe si për të mos u ndjerë burgosës të të marrëve n’goje, pas të vjelit kërkonin
fakte, fakte të qarta. Pse pikërisht ndaluat atë? Pse në këtë vend e hanë vetëm
ministrat e brendshëm? Përse zgjodhët nga opozita? Pse të mos kapej dikush nga
kabineti i tanishëm? Opinionistët zakonisht talleshin me organet e rendit që “mezi
kishin kapur atë cironkën e vogël” prej baticës, kur peshkaqenët me bluza të
bardha koncesionesh bënin kërdinë. Kishte shumë gjasa që piëkrisht ata që po lëvdonin
në emfazë ngritjen e burgut të ri, të ngriheshin kundër tij pasi të niste lista
me të burgosurit në të...
Në fund të revistës televizive të vonë, vijonte pasqyra e shtypit të ditës
së nesërme, ku vëmendjen e parë e tërhiqte gazetë e re, edhe ajo me titullin
"Burgu i Ri". Nuk ishte premtuar në fushatë elektorale, por botohej me
ngjyra dhe me letër luksi. Si për të vazhduar habinë në këtë histori me burg të
ri, gazeta shpërndahej kudo, falas. Mbase numri i parë i saj u thithë prej
kuriozitetit, por ishte e qartë se edhe në ditët e muajt në vazhdim, tërë
shtetasit kërkuan ta kishin doemos, përditshmërisht, edhe sikur botuesi të
ndërronte mendje dhe në koopertinë të dukej ndonjë pullë e kuqe që të njoftonte
domosdonë e vendosjes së një çmimi, qoftë edhe të kripur.
Në faqet e kësaj gazete lexuesit mësuan për burgjet më të famshëm dhe për të
mbyllurit e hershëm të njerëzimit. Plasi gallatë e madhe me llojin e akuzave
dhe sjelljen e të burgosurve të parë të botës, përbërjen e trupit gjykues,
dëshmitarët dhe nenet ku mbështetej dënimi me muaj, vite, me burg të përjetshëm
ose me vdekje. Gazeta “Burgu i Ri” vijoi me serialet e tentativave më të
hershme për tu arratisur prej të burgosurve, ikjet e sukseshme dhe ato të
dështuara. Dilte që secil rast ishte bërë shkak në përsosjen e rregullave e
masave të sigurisë, gjersa burgjet morën trajtën moderne, të sigurisë, prej të
cilës vështirë të ikje. E vështirë, por jo e pamundur: bje fjala kishte rënë
gardiania në dashuri me të dënuarin dhe si provë i dhuronte çelsin e fshehtë të
lirisë. Në gazetë u botua edhe letra e fundit e femrës së parë çmendur në burg,
dhe të një tjetre me vdekje misterioze, shoqëruar me ndryshime të thella të rregullores
së brendshme. Prej asaj kohe ishte lejuar, ndonse vetëm një herë në vit, në
prill apo maj, takim privat bashkëshortor. Diku, gruaja e një të burgosuri ish
lutur ta mbyllnin edhe atë, me amorin e saj atje brenda. Një gardian i
shekullit katërmbëdhjetë pati rënë në dashuri me të burgosurën, prej
dhimbshurisë, kur ajo kthehej e mbytur në lotë nga ora e takimit me burrin e saj
të lirë.
Njohuritë e lexuesve në masë të gjerë llojet e madhësinë e burgjeve. Diku,
ekzistonte ende një burg vetëm për dy të dënuar. *Bje fjala, vetëm për shefin e
opozitës dhe ish-ministrin e tij të brendshëm, komentonte dikush. Pse nuk e
thua për kryeministrin që është, ti? Ndërhynte tjetri apo...se po e bëni vetë
burgun ju?) Edhe vend-ndodhja e burgjeve ishte aq e larmishme, sa thua nuk bëhej
fjalë për burgje por për pika turistike. Burg në mes të një shkretëtire aq të
pafund sa i lije të dënuarit aty dhe s’kishte nevojë fare për gardianë a shërbime
të tjera, deri sa të binin pa jetë aty...Burgje ishin ngritur edhe në ishuj të
pashkelur, në majëmale pa rrugë, burgje edhe nën tokë, në miniera të braktisura...
Jo më pak se rrëfimet e të burgosurve, fatet e tyre pas kryerjes së
dënimeve, u bën aq familjare në kryeqytetin me Burg të Ri, sa më kureshtarëve
iu tipos të rrëmonin në arësyet origjinare të vajtjemendjes së njeriut në
hapjen e përdorimin e burgjeve. Ishte joshëse të merrje vesh se paskej qenë
legale e drejta e të burgosurve për tu këmbyer nga të afërm të tyre, ose prej
cave krejt pa lidhje me fajin. Ende nuk kish zyra pune si sot, por kryerja e
dënimit të tjetrit u bë zanat. Siç ndodh rëndom me njeriun, teprimi në dënim jo
më pak se teprimi në durimin e kot-pritjen e të dënuarve me jetë. Një numër i
madh njerëzish e përballonin jetesën duke
punuar si të burgosur, teksa të dënuar të kamur, që e kishin mundësinë të paguanin,
shpalleshin dënim-shlyer dhe të virgjër edhe moralisht përballë ligjit. Ta merr
mendja që s’mund të vazhdonte kështu dhe dikur ligjëvënësit e ndaluan dorëzaninë
në burg. Ngaqë nuk u shmangë dot kurrë diferencimi pasuror, mori udhë praktika
tjetër: shlyerja në para e fajit të bërë. Dilje nga burgu pak minuta pas hyrjes
në të, nëse depozitohej shuma në fjalë. Në burg mbeteshin vetëm fatzinjtë që
s'kishin me se të paguanin, ca varfanjakë që mbase vërtetë ndjeheshin më mirë
brenda se jashtë tij...
Ligji ndryshohej herë pas here, por të interesuarit gjenin formë tjetër,
orvajtja për të shpëtuar prej kufizimeve të ligjit nuk reshtte. Nëse bëhej e
zorshme shumë apo e pamundur të gjenin hapësira boshe brenda ligjit, ata që
trazonin shoqërinë njerëzore arrinin të ndryshonin interpretimet: dicka që dikur
ishte mëkat dhe ndëshkohej si faj, pak dekada më pas konsiderohej virtyt.
Gjahtari fshihej në përgjim, por edhe gjahu papushim i vidhej syrit dhe shqekëzës
së atij. Lepujt nuk kanë qenë gjithnjë kaq të shpejtë dhe as dhelprat kaq
dinake. Nuk adresohej koha, as vendi, por përshkruheshin skena të idhta me
ish-ministra a shefa policie dënuar për korrupsion ose krime, mbyllur në burg
me të dënuar prej tyre. Shekuj dikur, kur u ndje se as burgimet afatgjatë nuk
ishin më të frytshme, tentuan ta vendosnin drejtësinë përmes ndëshkimeve fizike:
prerja e një apo disa gishtërinjve për vjedhjet, prerja e llapave të veshëve
për mos-dëshmi apo e gjuhës për dëshmi të rreme...
Gazeta “Burgu i Ri” botoi dokumente për ekzistencën dikur të një dënimi të
veçantë: për abuzim me paranë e popullit, nëpunësve të shtetit u damkosej në
ballë vula e shtetit, stema e mbretërisë apo e republikës, blangë që u mbetej aty
tërë jetën. Edhe vdekur. Nuk u lejohej të vendosej ndonjë mbulesë për ballin e
të ndjerit. Diku diku ishte përdorur shëtitja e detyruar, duarlidhur e kryeulur
e ndonjë nëpunësi ligjshkelës, nëpër rrugët më të populluara të qyteteve të
mëdhenj apo të kryeqyteteve. Turma e njerëzve shoqëronte me gaz e brohori nëpunësin
e dënuar, si ariun në fshat ditëve të pazarit të madh, duke kënduar himnin
kombëtar. Vendimi zbatohej teksa dikush lexonte nenet e kodit moral direkt në fletoren
zyrtare. Edhe më interesante qè praktika ndëshkuese diku tjetër: goditja me
shtizë flamuri e nëpunësit zënë në faj publik. Dënimi me vdekje kishte hyrë dhe
ish hequr disa herë, gjer ditën që me dënimin me varje ishte hequr edhe ai me
vdekje. Përderisa jetën na i jep Zoti,
vetëm ai ka të drejtën të na e marrë, shkruhej në gazetën Burgu i Ri.
Vdekja u rikthye, kur u ngjitën në pushtet ata që s’donin t’ja dinin për Zotin,
por haka ra shpejt mbi kokë të tyre: nisën të vrisnin njeri tjetrin. Më keq
akoma, e varrosnin dhe zhvarrosnin njeri tjetrin disa herë...
Të prekur nga historia e burgut dhe burgimeve, duke u ndjerë tashmë jo veç kureshtarë,
edhe më sensibël për human rights (janë
njerëz, në fund të fundit, pëshpërisnin gjatë shëtitjeve në Bulevard dhe në
studiot e ndezura të opinioneve), kryeqytetasit u ndjenë edhe më të respektuar
kur u bë e ditur se qenë propozuar lehtësira të shumta për ata që do të kishin
fat të gjendeshin në atë burg. Do gëzonin jetë sa më normale, gati gati si në
familjet e tyre dhe në gjirin e shoqërisë. Dikur, diku, në një shtet që i ishte
harruar edhe emri, ose s’e zinin fare n’goje mu për këtë, nen i parë i Ligjës paskej qenë ai në bazë të të cilit nuk lejohej
dënimi, as përfolja, e sundimtarëve të epërm, pavarësisht fajit të supozuar të
tyre. Si ndjesë për ato kohë, u kthye në ligj e drejta për padi penale nëse nuk
funksiononte telefoni on line kundër abuzimeve e shpërdorimeve...
Lajmi se në Burgun e Ri muret, dyshemeja, tavanet e qelive po visheshin me
shtresa materialesh që pengonin të ftohtit në dimër dhe të nxehtit në verë,
s’mund të konsiderohej qartësisht human. Aq më shumë kur u bë e ditur se në
mjediset e përbashkëta, deri edhe në intimitetin më të thellë të qelive, kishte
aparate televizive, librari, radio, dushe, shatrivanë, pishina. Sipas një program-kalendari
miratuar në mbledhje të qeverisë, ende të pashpallur në fletoren zyrtare,
ministrat do kishin takime me të burgosurit në një sallë të posaçme, brenda
tij.
Ta merr mendja, ishin kohë të tjera. Vendi qe hapur, edhe burgjet do
hapeshin, si hapësira të mbyllura. Fonde të tjera programesh e projektesh, kryesisht
nga shuma e akorduar për integrimin me botën, por edhe milionat prej shndërrimit
në Komedi të Teatrit të Dramës Kombëtare, u livruan për përfundimin sa më të
shpejt të Burgut të Ri.
Në pikun e epërm të fushatës elektorale, nga të dy palët në rivalitet për
qeverisje, u miratua diçka që shkaktoi pothuaj mallëngjim kolektiv: e drejta e
qëndrimit atje brenda, edhe e familjeve të të burgosurve. Pozita e opozita, nën
sugjerimin e emisarëve të huaj për harmoni peshkërore në të nëjtin det, ose për
zero probleme me fqinjët, dhuruan me urgjencë tepricat dhe superfitimet, sekush
sugjeroi përdorjen e parave ende të pa-emetuara të Bankës, madje edhe të përfituarat
nga mosdjegja e drogës, ruajtja në qendrat e zjarrit, për tu aplikuar si mjekësi
popullore në rast lufte, të gjitha kontribute për shpejtimin e punimeve të
Burgut të Ri...
Në orët e fundit të natës, teksa publikoheshin të dhënat e para të
zgjedhjeve të humbura nga një palë dhe thjesht si rrjedhojë të fituara nga pala
tjetër, u bë e ditur se tërë kabineti qeveritar, nën moderimin e koncensionierëve
të radhës të doganave dhe drejtorëve të mediave që botuan reklamat, nisi
zhvendosjen për në Burgun e Ri.
"Të gjithë po transferohen për atje..."
Me këtë nën titull, dotë dilte numri i së nesërmes, që do të ishte edhe i fundit
i gazetës “Burgu i Ri”.
Por kishte fare pak dhimbje. Si ikja pas një
lëngate të zgjatur përtej durimit. Madje dukej sikur gjërat ndodhën ca si
gëzueshëm, për të gjithë, në një harmoni aq ngjethëse, sa qytetarët ende s’e
besonin atë që, se kush, e kish thënë qysh në krye: Këta edhe burgun po e bëjnë
për veten..
No comments:
Post a Comment