Xhahid Bushati
Aktorja me shpirt
Mëmësie...
-Për Artisten e
Popullit Tinka Kurti, në 85-vjetorin e saj. Një shikim ndryshe i portretit
artistik-
“Prej kohësh kam
menduar të shkruaj për njerëz që kam hasur në jetë, për ngjarje që i kam jetuar
vetë apo që më kanë treguar të tjerët. ... Koha që po kalojmë po lë fare pak
dëshmi të gjalla: rrallëkush mban ditare, shkruajnë letra të shkurtra për
çështje pune, botohen pak memuare. ... jemi grindur aq shumë me të kaluarën, sa
s’kemi mundur të mendojmë për të ashtu siç duhet. Gjatë këtij gjysmëshekulli
vlerësimi për njerëzit dhe për ngjarjet ka ndryshuar shpesh, fjalitë na kanë
mbetur në mes, mendimet dhe ndjenjat tona, dashje pa dashje, i janë nënshtruar
trysnisë së rrethanave...”[1]
Ngado që të udhëtojë kjo grua, era e
shirokut dhe era e murlanit shkodran do ta ndjekë pas. Do ta ndjekë pas si një
kujtim i bukur e mbresëlënës edhe ajo rrugëza e parë – si një motiv fëmijërie,
edhe trokitja e parë në portën e teatrit “Migjeni”. Dhe..., më pas, vit pas
viti, kohë pas kohe, biografia e saj artistike pasurohet me personazhe...
Dhe..., ajo, Tinka Kurti qëndron në mes tyre si ajo “Zoja e randë” e teatrit
dhe e kinemasë shqiptare, një aktore që nuk ka ndërmend të plaket. Mbase...
janë raste të rralla, kur në flokun e bardhë e fisnik të pleqërisë ende “shëtit
me plot andrra” mosha e rinisë... E ky përjashtim, në qoftëse do ta quajmë
përjashtim ka ndodhur tek kjo aktore, tek Tinka. Dhe arsyeja, sipas koleges së
saj, Të Madhes Margarita Xhepa, është: “Tinka me interpretimet e saj ka sjellë
një galeri rolesh të mëdha, jo vetëm nga sasia, por edhe nga cilësia, - si një
vlerë e bukur, me përmasa të mëdha për artin shqiptar. ... Ajo mbetet një
thesar me personazhet e saj në teatër dhe kinematografi.”
Tinka Kurti u lind më 17.12.1932, në një lagje të
Sarajevës. (Në Sarajevë lindi dhe Shvarc-i i madh “Nderi i Kombit”, ku dhimbjen
si pikë loti e vendosi në çdo varg të poezisë - erëmalli “Ma vranë Sarajevën”.
Dhe më kujtohen vargjet, që skaliti Vendlindjen: “Do ta ruaj në kujtesë / ashtu
të hirshme siç e lashë / në fëmijëri, / ashtu të butë dhe njerëzore, / ashtu
gjithë tinguj e poezi...”)
... dhe “rrënjën” e parë të Tinka
Kurtit do ta kërkojmë dhe do ta gjejmë në skenën e teatrit “Migjeni” të
Shkodrës. Të Shkodrës!..., - siç shkruante Shvarc-i me aq ëmbëlsi e me plot
ngjyresa duke ruajtur tipologjinë e një serenate shkodrane:
“O net’ të Shkodrës, pse po më
rreni?
O yje t’ambla, pse lueni me mue?
Ah, unë e di – një tjetër keni –
Por unë ju deshta e prap do ju due!”[2]
Tinka – interpretuesja rrezatuese,
me një diapazon të gjerë aktorial në skenë dhe në kinematografi, për rolet që
dhuroi, pak kush mund ta nxjerrë nga mendja, pak kush mund ta harrojë.
Tinkën!.. – që siç thotë Tinka ende sot: “Unë jam dhe mbetem aktore e Shkodrës.
Atje kam dashurinë e dhimbjen, mallin dhe pengjet e mia. Aty hodhi hapat
kariera ime, që nisi me “Dasmën shkodrane”, kur isha 16 vjeçe ...”.
Çuditërisht, në atë rrugë që mbante
emrin “Hysaj”, ku banonte ajo vajzë, në atë shtëpi të vogël, nuk kishte asnjë
artist apo njeri që merrej sadopak me art… Pra, kjo ishte një rrugë e
zbrazët... Askush nuk ndikonte, askush nuk transmetonte qoftë një grimcë
talenti dhe magji arti. Mesa dukej, vetëm mosha me sekretet e saj fshihte
magjinë që më vonë do të shfaqej si vjollcë në pranverë, me një qeshje të
bukur, të një vajze çapkëne dhe shumë gazmore.
Ajo do të rrezatonte në universin e aktrimit. Kështu do të kalonte Tinka
një fëmijëri me ëndrra, më shumë në krahët e nënës sesa të babait.
Shpesh ndodh që jeta të hedh në brigje të panjohura, kurse ëndrrat - në
brigje të largëta, drejt të cilave duhet të ecësh, të stërmundohesh dhe ndoshta
nuk i arrin… Kështu ndodhi me Tinkën...
Jeta e hedh në një “vendqëndrim” të përkohshëm si punonjëse e Muzeut të
rrethit të Shkodrës, ndërsa zëri i skenës e thërret vazhdimisht. E thërrasin
ëndrrat për të bërë një realitet ëndrrën e saj. Si shumë kolegë të saj, Tinka
nisi udhën në Shtëpinë e Kulturës të Shkodrës. Shumë shpejt shndrit mbi të
tjerët. Hyn në teatrin “Migjeni”, dhe shpejt fiton emër…
Bep Shiroka, Artist i
Merituar, kujton: “Kur kam hyrë në
teatrin “Migjeni”, Tinka kishte emër dhe kishte 10 vjet si aktore
profesioniste. Ndoshta jam partneri që kam role më shumë se të tjerët me të.
Roli im i parë ka qenë te drama “Nora” e A. Skanjetit. Por roli im i parë i
rëndësishëm ka qenë te drama “Histori Irkutase”. Valja-Tinka ishte një rol që
nderonte aktoren. E gjithanshme. Ajo pëson një metamorfozë dhe bëhet një grua
ideale. Tinka jo vetëm shpalos një botë të mrekullueshme prej aktoreje, por
kalon situata të ndryshme të interpretuara natyrshëm, me ngrohtësi dhe
vërtetësi. Roli i Valjas është i bukur profesionalisht, pa batakçillëk”.
E duke iu kthyer dramës
historike “Nora”, në arkivën e regjisorit e njëkohësisht autorit Andrea Skanjeti,
Artist i Popullit, lexojmë këto shënime: “E
kujtoj dhe tani efektin që bëri Tinka Kurti në dramën “Nora”, dramë që e kisha
shkruar dhe vënë në skenë, e që e kisha për zemër. Mbante foshnjën e vdekur në
duar. Ajo nuk qante, por fytyra e saj ishte pasqyra e shpirtit që reflektonte
të gjitha ndjenjat, mendimet, përshtypjet, sensacionet, të gjitha çka i kalonte
nëpër mend një nëne, gjithçka turbullonte shpirtin e spikatur nga kontraksione
të veçanta. Ajo krijoi një skenë dhimbjeje të thellë, që depërtoi te spektatori.
Më kujtohen raste të tilla, kur aktorë jo të aftë, kanë krijuar te spektatorët
qeshje e jo dhembje e lotë”.
E duke iu kthyer dramës
“Nora”, kësaj radhe të H. Ibsen-it, ku Tinkës iu besua roli i Norës, në një
shkrim, ku evidentohet krijimi i saj aktorial, lexojmë: “Tinka Kurti e ka
kuptue mirë karakterin e Norës dhe që në fillim e krijon drejtë figurën. Ajo
tregohet shumë e talentueme në krijimin e situatave e sidomos në kthesat
psikologjike. E këtë e ban me vërtetësi dhe me realizëm të thellë, po sforcim e
pa teatralitet.
...
Në skenat e aktit të
tretë aktorja ka momente të bukura. Ajo tregohet e aftë për detajet e kthesat e
njëbasnjëshme e të paprituna që i detyron roli. Detaji kur i ndez me qiri
cingaren doktorit Rank, ose kur i thotë atij: “gjumë të ambël Rank” jepen me
ngjyra e theksohen me një nëntekst kuptimplotë; me intonacionin e zanit e me
diksionin e saj të pastër skenik. ...
Tinka Kurti ka andrrue
prej kohësh për interpretimin e këtij personazhi, prandaj ajo ka punue me
ngulmë, me pasion për detyrën e me durim profesional. ... Tinka Kurti na jep
një Norë që të len mbresa e të ban me mendue.”[3]
Ka kaluar mbi gjysmë
shekulli a diçka më shumë, që kur aktorja Kurti ka nisur rrugën e
saj të karrierës. Kur ishte vetëm 14 vjeçe, ajo del për herë të parë në skenë.
Ndërsa 25-vjetorin e saj e feston gjatë
xhirimit të filmit të parë shqiptar, “Tana”. Për Tinkën dy çmimet e para janë:
njëri në Festivalin e Parë të teatrit shqiptar (me dramën “Toka jonë”), dhe
tjetri në Festivalin e parë të Filmit (me kinokomedinë “Çifti i lumtur”).
Më vonë, me një
karrierë të gjatë, aktorja shkodrane
Kurti, meriton shumë çmime deri në Festivalin Kombëtar të Teatrit, të
zhvilluar në Vlorë, rreth një dekade të shkuar, ku ajo merr Çmimin e karrierës.
Por Tinka nuk harron...
“Interpretimi im i parë
është në rolin e Natalies te “Fejesa” e Çehovit. Ishte viti 1947, dhe data 8
mars. Por ai më i rëndësishmi që, për mua provoi përfundimisht rrugën e artit,
është roli i Files tek “Toja jonë” e Kolë Jakovës. Ky qe roli im i parë në
teatrin profesionist, përligjja ime e parë si artiste profesioniste.”[4]
Kurti ka interpretuar
rreth 95 role në film dhe mbi 330 role në skenë; (paçka se edhe këto
shifra mund të mos jenë të sakta). Por “çdo rol
është pjesë e mishit dhe e gjakut të artistit. Gjithë rolet e mia janë fëmijët
e mi dhe nëna i do njësoj të gjithë fëmijët. Ju fola, pak më parë, për Filen e
dramës “Toka jonë”, po unë kam luajtur me po atë dëshirë e pasion edhe Loken e
po kësaj drame. Kam luajtur dhe role, të “ashtuquajtura negative”, të cilat i
dua njësoj si dhe ato të heroinave tona. Megjithatë..., siç ju thashë, njësoj
si Filen, Zanën, Nënëmadhen... Pashakon dua dhe Zyrakën e “Kënetës”,
Profesoreshën Mançini te “Vajzat me kordele të kuqe”, etj. Ndiej krenari se unë
kam luajtur Tanën në filmin e parë shqiptar “Tana”, por në shpirtin tim: skena
është jeta ime!”[5]
Në tërë këtë galeri, figurat-nëna zënë një kapitull të veçantë. Dhe pikërisht
në këto rrafshe dua të shfaq disa këndvështrime të mia.
Te drama
“Çmurosja” me autor e regjisor S. Fankon, ajo paraqiti figurën e një gruaje të
ndrydhur para zakoneve dhe kanunit, e para zakoneve të burrit. Përveç këtyre,
kësaj gruaje i duhet të përballojë edhe vdekjen e të shoqit. Dramë për këtë
grua-aktore. Fëmijët nuk i ka pranë. Ata janë larg. Gruaja tani është vetëm.
Nëpërmjet monologut të vetmisë që
interpreton, ajo zbërthen në mënyrë artistike jetën e saj. Gjatë
interpretimit shfaqen edhe momente impulsive, të cilat dhe për një çast mund të
të humbasin marrëdhënien me rolin a figurën që je duke interpretuar. Por
aktorja Kurti ruan masën dhe rrafshin e dhembshurisë prej nëne, të cilave u jep
hapësirë cilësive njerëzore dhe në veçanti Mëmësisë i jep madhështinë e
vecantë.
Te drama “Gjaku i Arbrit” i autorit
F. Kraja, aktorja Kurti interpreton figurën e Nënëmadhes. Një kulm i vlerave të
saj aktoriale. Nënëmadhes i vjen mandata se djemtë i kanë vdekur. Të bijën e ka
martuar nëntë male larg. Në stoicizmin e saj, përmes vijave të tragjizmit e të
brengës që e kanë pllakosur, ajo nuk përulet, por burrave u flet me gjuhën e
burrërisë e të urtësisë. Karakteri i saj që vjen e plotësohet përmes dialogut,
merr një përmasë: sa reale, sa mitike aq dhe ireale. Një rol që mbart kodin e
fisnikërisë dhe të urtësisë së maleve.
Te filmi “Zemra e nënës”, ec-e-jaket
e saj përmes dramës së heshtjes, bisedat me kukullat e në varrezë, flasin për
një figurë komplekse që endet në vorbullën e mendimeve e të ndjenjave, të
dhembjes e të mençurisë, të anormalitetit e normalitetit. Përthyrjet që zhvillohen në ndërgjegjen e saj, flasin për
një shpalosje meditative, gjë që ka bërë që Tinka Kurti të krijojë figurën e
një nëne, (e cila jeton dramën e vetmisë), me një profil artistik ndryshe, pa përsëritur
e pa të kujtuar ato të mëparshmet. Dhe për këtë përndritje roli, mori dhe Çmim
në Salerno.
Te këto personazhe nënash, përfshirë
edhe Pashakon, aktorja Kurti nuk harron të thotë: “Unë jetoj me personazhet. Unë kërkoj të di gjithçka për personazhin që
më është dhënë të interpretoj, gjithçka që ka të bëjë me të para se ai të hyjë
në skenë dhe pasi del nga skena… Por mbi të gjitha unë dua të jem e sigurt mbi
të kaluarën dhe të ardhmen e personazhit tim”.
Dhe ndalemi tek personazhi i Nënë
Pashakos. Seç i fryn një fllad i parreshtur kujtimesh për këtë figurë!.. Bashkë
me realizimin të dinjitetshëm artistik, ka dhe një fanitje a feksje prej ylli,
sa ëndërrore aq qiellore për personazhin që krijoi... Mbase edhe përtej
ëndrrës!.. Nënë Pashakoja, vetë, ishte një magji. Tinka e dashuroi dhe e
‘frymoi’ për ta përjetësuar në art përmes magjisë së saj aktoriale. Dhe Tinka
nuk harron të thotë: “Nënë Pashako ka qenë një rol, të cilës unë i jam shumë
borxhlije, pasi kishte aktore më të mëdha se unë, që mund ta interpretonin atë
rol. Edhe pse me kontraste moshash, të gjithë më thanë: - Sa bukur e ke
interpretuar! Ndërsa unë i thoja vetes: “Ende ke lënë diçka mangut..., sepse
mendoja gjithëherë sa borxhlije i jam asaj, Nënë Pashakos. ... Megjithatë, unë
kam jetuar me të, kam ngrënë bukë me të, kam fjetur 15 ditë në një krevat me të.
Kur e shoh, sot e kësaj dite mendoj se i kam një borxh të madh Nënë Pashakos.
Megjithatë, në moshën 38 vjeçe të luash një nënë 110 vjeçe është diçka e
veçantë. Ajo ishte një grua shumë e mrekullueshme.”
Artistja e Popullit, Tinka Kurti
është një aktore, që të gjitha roleve iu ka dhuruar me shpirt talentin e saj.
Asnjërin nuk e ka nënvleftësuar. I ka luajtur me dritën e shpirtit. Ndaj dhe
figurën e saj e ka gdhendur skena e teatrit dhe celuloidi i kinematografisë.
Dhe... në një intervistë thotë kështu: “Unë nuk mund të ndaj asnjë nga rolet e
mia, pasi të gjithë janë shumë të dashur për mua, nisur nga filmi “Tana”, që ka
qenë filmi i parë shqiptar dhe deri më tani...”[6]
Dhe më kujton kjo
artiste një varg poezie, me autore të madhen Nënë Terezë, e cila thoshte:
“Jetën jetoje”! Dhe më kujton kjo artiste, ende edhe sot e kësaj dite një peng
të saj në ecurinë e mëtejshme të karierës, i cili ishte: “... që nuk luajta dot
një rol në filmat e së talentuarës-regjisore Xhanfise Keko. Nuk e provova dot
mjaltin dhe magjinë e saj. Ah!..”
Bota e magjishme e
Tinkës, përmes viteve, kujtimeve, mbresave… Një muze kujtese e artit skenik e
kinematografik shqiptar
1.
“U vu në skenë
melodrama “Dasma shkodrane”. Rastësisht regjisori Andrea Skanjeti erdhi te kori
me kërku e me zgjedhë Nusen. Pas shumë kërkimesh e kqyrjesh, më zgjodhi mua për
“Nuse”. Gjatë interpretimit, i thosha aktorit Zef Jubani (kishte rolin e
Axhës), duke qarë se, Unë dua një djalë
tjetër… Ai më përgjigje: “Kjo “Nuse” është për teatër…”. Dhe, kështu hyra
në dyert e teatrit “Migjeni”.
“Dasma shkodrane”
ishte një veprim muzikor, me muzikë të Palokë Kurtit, që më vonë do të bëhej
bashkëshorti im”.
2.
“Unë jam e
dashuruar pas muzikës klasike e operistike. Aq sa dua teatrin, e dua më shumë
muzikën. Të më çosh në opera, unë ripërtërihem. Dhe në rolin e Files, më
ndihmoi “opera”. Aty futa diçka nga “Kavaleria Rustikana” si prolog para
fjalës: “Kanë vrarë Murrashin!”… U krijua një elektrizim në sallë. E ka thënë
shumë bukur Artisti Kadri Roshi: “Na befasoi Tinka, u çua salla në këmbë…”
Ndërsa aktori Zef Jubani që ishte shumë muzikor, më thoshte pas kenës: “Nuk ke
hy në kohë, hyr në kohë!..”
3.
Unë e kam admiruar
Zef Jubanin me ata kryerolet e veta, me Harpagonin tek “Tartufi”. Zef Jubani,
si unë ka hyrë në teatër, gjysmë amator. Ka mbaruar për ekonomist jashtë
shtetit. Ka qenë kryellogaritar i Ndërmarrjes së Grumbullimit. Edhe në teatër
hyri si llogaritar, pastaj në skenë. Ishte aktor që pëlqehej. Në lidhje me
Harpagonin që interpretoi… dua të them ca fjalë. Regjisori Lec Shllaku nuk ia
dha Zefit, fillimisht. Atë rol ua dha dy aktorëve. Njëri ishte Lin Gjonej
(aktor-humorist i mirë), kurse tjetri vinte nga klasa punëtore. Papritur u
sëmur aktori kryesor. Regjisori thirri Zef Jubanin që të bënte aktin e katërt.
Zefi bënte dhe suflerin në teatër. Kur erdhi puna në monolog, Zefi lëshoi një
britmë: “Gilda figlia mia” (Xhilda, vajza ime…). La nam. Gjëmoi salla nga
mënyra e interpretimit. Çfarë ndodhi?!.. Zef Jubani ishte fenomen. Ai punonte në shtëpi “Rigoleton” dhe bënte Harpagonin. Në
12 minuta monolog, Zefi bënte vetëm arien e Rigoletos “Gilda figlia mia…”.
4.
““Tana” është
filmi i parë dhe i rëndësishëm në jetën time artistike. Tek ai film kam pasur
partner të mrekullueshëm, si: Naim Frashërin, Kadri Roshin, Pjetër Gjokën,
Marie Logorecin, Andon Panon… Pastaj në filma të tjerë kam luajtur me Bujar
Lakon, Timo Fllokon, Çim Xhepën … Çimin e kam pasur unë më shumë partner se
mamaja e vet. Në film Çimi është djali im, në jetë është djali i Margaritës.”
5.
Dua të veçoj
Artistin Sandër Prosi. Ruaj kujtimet më të mira për të. Ka qenë një figurë
jashtëzakonisht e madhe. Sandër Prosi, jo vetëm, që ishte aktor i madh, por
ishte dhe Njeri i madh. Shumë e ndihmonte partnerin. Mua gjithmonë më ka
mbajtur afër. E kam pasur si një busull orientimi. Për shembull, te “Nënë
Pashako” më ka ndihmuar shumë.”
6.
“Unë kam pasur
shumë jetë artistike. Gjatë interpretimeve kam passur partner (personazhe)
shumë burra … Por ka pas edhe ndonjë të veçantë që mua më pëlqente të luaja me
të. Mua më pëlqente që të luaja në film me aktorin e talentuar Naim Frashërin.
Tana, në filmin “Tana”, ishte 16 vjeçe, kurse unë isha 24 vjeçe. Dhe e
kundërta, 38 vjeçe kam luajtur Nënë Pashakon. Pse e pëlqeja naimin, siç thashë.
Ai ka qenë një djalë fenomen, një artist në shpirt. Sa herë unë i flisja
“Shpirti jem!”; ai ma kthente “O, nana ime!””[7]
*** Siç duket arti
ka qenë dhurata për artisten Tinka Kurti, e cila ishte 28 vjeçe kur
iu akordua titulli: “Artiste e Merituar”; ndërsa në
80-vjetorin e lindjes u vlerësua me titullin e lartë: ”Nderi i Kombit”. Ka qenë
një mrekulli, se vetë Tinka Kurti është mrekullia artistike. E, pse jo edhe një
mrekulli shkodrane. Të Shkodrës!..., - siç shkruante Shvarc-i përmes
tingëllim-ës plot kontraste nostalgjie dhe dhimbjeje:
“Ah, Shkodra jeme, ....
..............................
Po due me t’përshëndetë në shenjë
nderimi
Edhe k’te herë, o Shkodra jeme prore
Sa e madhnueshme n’dashtni aq edhe
n’idhni!”[8]
Artistja zëmadhe Tinka
Kurti ende ka për të rrëfyer, ende ka për të thënë... Rrëfimi dhe thëniet janë
amanet. Dhe amaneti i saj thotë kështu: ”Unë kam kalu gjithë këto vjet në
Shkodër. Kjo Shkodër, kjo kala, këta njerëz kaq të dashur nuk mund të harrohen
kurrë prej meje. Edhe pse jetoj në Tiranë, shpirti im është brenda këtij
teatri, këtij qyteti, poshtë kësaj kalaje e nën këtë qiell shkodran të
mrekullueshëm.
Sa herë vij në Shkodër e,
kur merret kthesa me pa kalanë, dëgjoj britmat e asaj Rozafe, asaj nuse dhe
nane të re, që thotë: ”O Tinka Kurti!” Dhe me nji za të çjerrun, që vjen nga
kohërat dhe legjendat, nga muzgjet dhe perëndimet e diellit, prapë më thotë:
”Ma duj Shkodrën fort!”[9]
Literaturë
e shfrytëzuar:
-Rruga e një
aktoreje, gazeta Drita, 17.12.1972.
-Ibro, Esat: Çifti i
lumtur, gazeta Drita, 30.10.1975.
-Dokle, Zehrudin: Njohja
e heroit në jetë, kusht i domosdoshëm në krijimin skenik, gazeta Drita, 27.07.
1975.
Erenburg, Ilia: Njerëz, vite, jetë… (mbresa
dhe kujtime), Dituria, Tiranë 1998, Hyrje, f. 5.
Shvarc, Robert: Vargje të pluhurosura,
OMSCA-1, Tiranë 2010, poezia: O net’ të Shkodrës”, f. 18.
Çanga, Vehbi: Nora – Tinka Kurti, Drita,
19.05.1963.
Pajo, Ludmilla: Me Artisten e Popullit Tinka
Kurti (intervistë), revista Ylli, Nr. 2, 1985.
Po aty.
Alizoti, Rudina: Tinkka Kurti: Borxhet,
pengjet dhe kujtimet e 56 viteve në skenë”, gaz. “Intervista”, 13.12.2013.
Shënimet e kësaj pjese janë produkt i hulumtimeve
të mia, i materialeve të mbledhura nga aktorja Merita Smaja dhe i shumë fakteve
që shkrimtari dhe studiuesi Nase Jani ka përgatitur dhe intervistuar aktorën
Kurti në okelion: “Tinka Kurti: Jeta ime në skenë e në ekran”.
Shvarc, Robet: Vargje të pluhurosura, OMSCA-1,
Tiranë 2010, poezia: Tingëllim për Shkodrën”, f. 192.
Fjala e aktores Tinka Kurti, e thënë me
rastin e 80-vjetorit të lindjes së Artistit të Popullit Serafin Fanko, në
mbrëmjen përkujtimore pagëzuar “NJë gotë me Afin”, organizuar nga Teatri
“Migjeni” Shkodër, fundqershor 2017.
[2] Shvarc,
Robert: Vargje të pluhurosura, OMSCA-1, Tiranë 2010, poezia: O net’ të
Shkodrës”, f. 18.
[6] Alizoti,
Rudina: Tinkka Kurti: Borxhet, pengjet dhe kujtimet e 56 viteve në skenë”, gaz.
“Intervista”, 13.12.2013.
[7] Shënimet e
kësaj pjese janë produkt i hulumtimeve të mia, i materialeve të mbledhura nga
aktorja Merita Smaja dhe i shumë fakteve që shkrimtari dhe studiuesi Nase Jani
ka përgatitur dhe intervistuar aktorën Kurti në okelion: “Tinka Kurti: Jeta ime
në skenë e në ekran”.
[8]Shvarc, Robet: Vargje të
pluhurosura, OMSCA-1, Tiranë 2010, poezia: Tingëllim për Shkodrën”, f. 192.
[9] Fjala e
aktores Tinka Kurti, e thënë me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Artistit të
Popullit Serafin Fanko, në mbrëmjen përkujtimore pagëzuar “NJë gotë me Afin”,
organizuar nga Teatri “Migjeni” Shkodër, fundqershor 2017.
No comments:
Post a Comment