Resmi Osmani
Tregim
FIRMËTARI I FUNDIT
Vjeshtë e dytë.Në fshatin
Malas, dallëndyshet lane foletë nën hatullat dhe qoshet e shtëpive të fshatit
të vogël dhe fluturuan per ne vendet e ngrohta. Si të donin të zinin vendin e
cicërimave të tyre, nga qyteti erdhën të deleguarit. Fshati nisi të përjetonte
ca ditë të shurdhëra. Burrat që menatë merrnin udhën e malit për të hedhur
drutë e dimerit, ose shkonin nëper miqësi. Në fshat mbetën të
deleguarit,fëmijët dhe gratë.Me të rënë muzgu, nata kthehej në makth dhe
pëshpërima zërash. Bisedohej gjithandej, rrëzave, qosheve, dhomave dyer
mbyllura ,me zë të ulët e të drithëruar.
* * *
“Ç’janë gjithë këta të
ardhur që sillen vërdallë? Si se ditke, janë të deleguar, kanë ardhur të na
bëjnë koprativë. Pa më thuaj si është ajo punë? Di unë ! Si nuk ditke, atje në
fshatrat e fushës ku ke dhënë çupën e ke krushqinë, kanë hane-hane që janë koprativë. Po ja, si ta mollois.
Bëhen tok malli e gjeja, tokat, yrtet,vreshtat, pëndët e qeve, hajvanët e
samarit,plugje e parmënda.Të merreni vesh: jo se ti merr njeri, ç’është ai
llaf, ti i jep vetë, i bën def se të janë mërzitur, i bën lanet se s’të hyjnë
në punë më.Ty të mbetet nikoqirja, lurekët, shtëpia , oborri dhe ca pula që të
kakarisin e të bëjnë glasën. Edhe ato në t’i lënçin….Ore mirë, ja hym në atë
kumprativën, po ajo puna e punës si i bëhet. Se ja,të themi, je pa qef, je
zaif, s’del dot në punë? Ndryshe kur je në mall e në gjënë tënde e bën sido
vete, mik vëllai. Ti ato gjasme nuk i deshe. Që të rrosh,të hash e të pish,
qoftë edhe me qesatllëk, duhet të punosh. Të punosh e të punosh derrçe. Ti dhe
unë, do të kemi brigadat tona.Në krye të brigadës do viret një bandill, një doç
doçi, një bir bushtre, që vetë s’punon po dredh zinxhirin e të rri mbi kokë si
xhebraili. Ai ka një çantë, brënda saj një defter me emrat tanë, nje metro, në
magazi një kambalec dërrase dy metrosh. Në fund të ditës të mat punën. Kur bën
normën merr njëqind pikë që bëjnë një ditë pune, ke bër më pak merr pikë më
pak. Në punë duhet shkuar përditë, qoftë shi qoftë diell. Po mungove duhet të
paraqesësh një raport për sëmundje nga toktorri. Ndryshe ai brigadier de, ai
doçi i doçërve,ai biri i bushtrës, të merr erzin e të bën rrezil para brigadës.
Ja kështu. Heshtje, pastaj: more, pa dale, dale njëherë ta marrin vesh: Thonë
që hyrja është vullnetare.Kështu thonë. Do të hysh, hyn, s’do të
hysh,s’hyn.Tjetri: e, e, ashtu thonë, po dardha e ka bishtin prapa. Nuk do të
hysh,mos hyrë, të shohin si delen e zezë, njerëzia po nisin e të bëjnë bisht,si
të ishe i gërbulur, bëjnë sikur s’të
shohin e s’të flasin me gojë. Një ditë e sheh veten pa triskën e frontit dhe
prit kur të të shpallin kulak!Është si një mallkim. Edhe fëmijëve ja u nxijnë
jetën, dhe mos prit të të japin ndonjë bursë për shkollat në qytet. Dhe thuaj
po deshe që s’është hyrja me vullnetarizëm! Mik vëllai, vullnetar me polic!-
Tjetri mendohet e mendohet, çukërmon truallin me majën e opingësës, kruan
kokën, tymos çibukun dhe tok me shtëllungën e tymit nxjer pyetjen tjeter. “Nuk
më thua,per ndonjë lek si i behet? Di unë! Më plase me këtë di une. Epo ,dreqi
e mori, njeriu nuk mund t’i dijë të gjitha. Me kanë thënë, që për çdo tre muaj
japin një paradhënie të vogël, sa për të blerë bukën. Këto ti mbajnë në fund të
vitit.Bën vaki të mbetesh edhe borxhli. Pasi mblidhen yshyret, shlyhen
detyrimet, merr pjesën e saj SMT, ajo thërrime që mbetet ndahet sipas
ditpunëve, aq sa ti bjerë vlera. Këtu është horrllëku i madh: unë që jam një
krah pune, marr një të pestën e Zalo Qerosit që ka pesë krahë pune!... Po kur e
ditke pse më rokanis kokën? Thashë se mos ti dije më shumë, ngaqë e ke
krushqinë në komprativë. Përsëri heshtje. Perdja e muzgut sa vjen e dëndësohet.
E ç’të thonë tjetër? Dëgjo këtu: gëk, gëk të them! Se mos nxjerr llaf, për ç’të
thashë, se ata mynafikët bigë i mbajnë veshët dhe pastaj e di ç’të
prêt:agjitacion e propogandë, fishek te shtatë penxheret!” Keq puna.Ikin për në
shtëpi të menduar e si të përhumbur.
Lista e anëtarëve që do të hyjnë në
kooperative, sa vjen e mbushet. Të parët u regjistruan komunistët, pastaj
kryesia e frontit, më pas ata që kishin krahë pune në shtet.Të deleguarit dhe
ekipet e të rinjve shkonin dhe i mblidhnin sipas fiseve, lagje më lagje, shtëpi më shtëpi. Flisnin apo s’flisnin,
bilbil ore bilbil e shkuar bilbilit: kooperativa kështu e kooperativa ashtu, e
mira kishte ardhur te dera. Lumë kush të rrojë e zonjërojë! Hele të rinjtë,
s’mbaheshin fare. Do vinte kinemaja, një gëzim për sytë, pale vatra e kultures,
me ato mbrëmjet e vallzimit për fundjave, që do vallzonin me çupat allabraca,
bark më bark e qafa qafë! Qejf ore qejf! Hë si thua nuk të shkon goja lëng dhe
të loz tepeleku i kokës kur e mendon! Ju turrën prindërve dhe po i bluanin si
mola drurin. Hyr në kooperativë ,baba, mos na turpëro në shoqëri, se po nuk
hyre ti, unë do të ndahem, do të marr pjesën time dhe do të hy vetëm. Ja
kështu!Të dola borxhit, mos thuaj pastaj që s’të pyeta. Baballarët shqyenin
sytë e çakërdiseshin nga kjo kokëshkrepje e djemve. Ca me hir, ca me pahir,
lista po shtohej. Nuk thonë kot: shih rrushi rrushin e piqu, shih lulja lulen e
çelu. Epo, dreqi ta marrë: hynë gjitonët, hynë gjirija, si do ndahemi nga
njerëzia? “Delen që ndahet nga tufa e ha ujku!”- Thoshte kryetari i frontit. U
pa kjo punë. Hajd ,të dalë ku të dalë, se po shkruhemi dhe ne. Kush hidhte
firmën me ca kërraba, kush vinte gishtin e llangosur me mellan. U dukej se
kishin hequr nga shpina një barrë që i shtypte
dhe frymonin të lehtësuar. Daltë për hair!
Në fund mbetën edhe tri familje. Epo, si
thoni o shokë, s’prishet dasma për një qepë. Kooperativa bëhet edhe pa ata, por
kjo s’është mirë. Fshati ynë se ka bërë kurrë dysh fjalën e partisë. O burra
mbi ta, t’u zemë frymën, tu kthejmë mndjen! Burrë i zorshëm, që s’hante pyka,
ishte Ibrahim Nasufi që shkurt e thërrisnin Braçe. Po të thyhej Braçja, dy të
tjerët zere se ishin dorëzuar. Atij Braçes s’ke ç’i thua or tungjatjeta: bujk
nga të anës, punëtor po si ai,me gjë e mall: tufën e deleve, lope race, mushkë
për ngarkesë e pelë për shalë. I vetmi në fshat që mbante pëllumba, pata, rosa
e gjeladeti.Merakçi i madh. Pa të kishte një yrt me pemë të lloj-llojshme, e
një vreshtë me rrush vlosh që kullonte mjaltë. Arat i kishte posht rrëzë kodrës
në atë copën e fushës buzë përroit. Tokë jo llafe: e zezë, e thellë, e lyrshme,
vija e ujit i shkonte sipër. E bënte misrin një bojë njeriu me dy kallëpë dhe
grurin halëzi si kokërr qelibar. Jonxhës i merrte pesë-gjashtë kosa. Arat e tij hynin sy pykë
në mes arave të tjera, të gardhuara, ca më të vogla, të atyre që tashmë kishin
hyrë në kooperativë. Po të hiqeshin gjerdhet, të dystoheshin mezhdat dhe sopet,
fush bëhej njësh, traktori do të punonte për qejf dhe ajo do të bëhej hambari i
kooperativës. Ah Braçe,Braçe! Atëhere ç’bëjmë e rrimë akoma?
Grupi nismëtar dhe i agjitatorëve,
bashkë me të deleguarin e të plotfuqishmin e zonës çatisën bashkë me muzgun.
Braçja i priti te porta dhe u hoqi udhën për në konak. U rehatuan mbi shiltetë
e mbushura me lesh, Selvikua, e shoqja e Braçes, u vuri edhe jastëkë që të
hidhnin shpatullat e të rehatoheshin. Braçja i mirseardhi dhe toku dorën me
çdonjërin prej tyre.Të pa ftuar vërtet, por sido qoftë, miq. Pa dale, ç’dreq
miq. Pse kishin ardhur? Për të ishin si një çetë hajdutësh, që kishin ardhur ti
grabitnin tokën, mallim dhe gjënë, që ishin të ngjitura me shpirtin, punën dhe
djersën e gjithë jetës. Epo, si e do nderi e zakoni, miku duhet pritur si mik.
I bëri me nojmë Selvikos dhe ajo doli të bënte nderet e zonjës së shtëpisë.S’kaloi
kohë kur ajo shtroi sofrën. Mbi mësallën borë të bardhë që të merrte sytë,
shtroi sininë e madhe të bakërt,filxhanët , atë botilen e madhe me raki dhe
mezetë:gjizë, djathë, turshi, ullinj, vezë të ziera, sa për të filluar. Më pas
u ndjenë kakarisjet e pulave dhe nuk vonuan të vinin zogjtë e skuqur me gjalpë.
-Ja mirëse erdhët e më nderuat e ndritët
konakun-uroi Braçja dhe çokiti filxhanin me çdonjerin.
-Vetë e ke zier këtë raki Braçe?
-Po është e vjeçme, nga rrushi i vreshtës.
- Qënka për ilaç- mori e tha i deleguari,
që s’po dinte t’i gjente anën muhabetit. Ndërkohë ai nisi ta shihte këtë burrë
që e bënin noksan e të zorshëm. Me shtat mesatar, kaprroç, shpatull gjerë i
ngjeshur si trung lisi. Ballin të lartë e të sheshtë, flokë të plotë e të
ashpër që kishin nisur të thinjeshin. Vetullat drizë, mustaqet të plota, me dy
rrudha vertikale në faqe anash mjekrës.Goja e vogël,buzët të holla e të
shtrënguara me njëra-tjetrën. Kishte dit pa vënë brisk në faqe dhe mjekra e
parruar e zymtonte. Pamje rëndë, fytyrë e vranët pa buzëqeshje. “Do ndeshemi,
Braçe, do ndeshemi dhe kam për të të vënë posht, se kam thyer në mes burra më
të fortë se ti!”- Tha me vete i
deleguari. Kur rakia i ngrohu dhe u zgjidhi gjuhën, sekretari i partisë , hapi
muhabetin e kooperativës. Fshati e kishte pritur mirë thirrjen e partisë.
Brenda dy javëve, thuajse tërë fshati kishte firmosur. Ishte për të ardhur keq
që vetëm tre familje kishin mbeur mënjanë e si ishin përgjigjur thirrjes. Nga
ti Braçe, nuk e prisnim. Shtëpia juaj ka qënë e lidhur me luftën….. Foli e
foli. Braçja dëgjonte, teksa me majën e pirunit mundohej te kapte një ulli që
sa herë mundohej ti ngulte pirunin i shkiste. Pastaj e mori fjalën i deleguari:
ai y fry,në pamje u ngurtësua dhe i dha rëndësi vetes, trashi zërin dhe fjalët
i nguli si gozhdë, të shkoqura, ngadalë e një e nga një: Do të them ca të
vëreta që ti dhe të tjerët duhet t’i dish: fshatit i kishte ardhur e mira te
dera.Tokat do t’i punonte traktori, grynjërat do t’i korrte autokombajna, rruga
që lidhte fshatin me xhadenë do të shtrohej me asfalt,pa shteti do t’u jepte
dhe një makinë, do ndërtohej ambulanca e do të vinte një doktor, pa do të hapej
edhe menca, furra e bukës dhe vatra e kulturës. Ky sdo të ishte më fshat, por
qytet ore, qytet….. Që t’i bëje hasha këto, duhet të ishe ose budalla ose i
marrë! Braçja e gëlltiti fyerjen por s’u ndje. Ne folëm boll, i tham të gjitha,
tashti Braçe presim fjalën tënde. Listën për firmë e kemi sjellë me vete.
Braçja e ktheu me fund filxhanin e rakisë dhe i pa me radhë miqtë në dritë të
syrit. Ata prisnin.
-Vit i mbrapshtë ky i sivjetmi, or miq.
Tërë behari pa një pikë shi. Thau e shkrumboi të mbjellat. Edhe rema e ujit u
shterr. Kalliri i misrit sa një bërxhik. Edhe gruri u mpi, më shumë krunde se
miell. Fasulet s’dhanë as farën. Jonxhës i mora vetëm dy kosa. Rrrushin e griu
vrugu. Bagëtia ka dalë e dobët.Për to s’kam hedhur zahire, do t’i hajë dimri.
Të dy djemtë zunë qytetin për rehat të tyre, po mua më prenë krahët. Edhe
Selvikon e kam ca të pamundur, duhet të shihet te ndonjë doktor. Po desh zoti,
kjo katandi që kemi, e që e kemi vënë me punë e me këto duar- dhe ai tregoi
pëllëmbët e duarvë tërë kallo të plasaritura- do të na ndihin ta kalojmë
shëndosh dimrin që vjen. Ca me siklet, po them ta hedhim shkurtin që shkurton
urët dhe marsin që mbledh lëkurët. Këto mori e tha Braçja,që atyre iu dukën kodra pas bregu,
pastaj heshti. Ata prisnin fjalën e
fundit, po braçja hiç,gojëqepur u vuvos.
- E po,të shkretën, na e thuaj si i dhe
karar?
- Duhet të silloisem, sa ti gjëj fillin
këtij lëmshi që ta stiliksh. Do prisni ca.
-
Sa?
- Të themi gjer nesër nga dreka. Duhet
të pyes edhe të dy djemtë, se është edhe e tyrja gjithë sa kemi.
Ishte e kotë të prisnin. Miqtë u ngritën
e shkuan buzëfshirë.
Të nesërmen, siç kishin lënë fjalën, në
vakt dreke, të deleguarit trokitën te porta.Doli Selvikua. U tha se babai i
djemve,( ajo s’i thoshte në emër) kishte marrë mushkën dhe kishte dalë. Nuk i
tha se ku do të shkonte, po ajo besonte se kishte shkuar në mal për dru, se
dimri ishte në prag të derës. Ikën sikundër kishin ardhur! Po ama, ky Braçe
finoku, do shkonte nga do të shkonte, në shtëpi do kthehej. E gënjente mëndja
se do t’u shpëtonte. Ata as lodheshin as mërziteshin.
Sa kishte rën muzgu, ata ja zunë prapë
konakun.
E po miku është mik. Shtëpia është e
zotit dhe e mikut. Rakia lumë, mezetë po meze.Ha Muço pi Muço! Hë Braçe, u
mendove, si i dhe karar? Më dolën ca punë të kokolepsura që ma morëm fiqirin e
s’më shkoi mëndja te kumprativa. Do prisni dhe ca. Ore Braçe e di që me këto
marifete po i bën qejfin armikut? Dëgjo
ti kalama që s’ke hequr skutinat akoma. Po se mban dot rakinë mos pi. Kafsho
gjuhën e mati fjalët. Mos bëj që të zemërohem ligsht, se po më hipën ato të miat,
për atë zot që është një do të bëj ndonjë hata! Muhabeti mori të krisur. Mos ja
vërë re se është i ri, po për të mirë e pati.
-Kam një pyetje,-u kujtua Braçja.
-Pa hë!
-Gjënë e gjallë, xhaba do të na e
marrë kumprativa?
-Mësoje të shkretën, nuk i thonë
kumprativë, por kooperative me dy o.
Gjëja e gjallë, do të vlerësohet, dhe paratë do të jepen me këste për dhjetë
vjet.
-E mora vesh: prit gomar të mbijë bar,
po kur bari doli, gomari ngordhi-shpotiti Braçja.
Po bëhej vonë. Miqtë u
ngritën. Do të vinin të nesërmen. Gjer
atëhere, Braçja do t’ia kishte gjetur çaren.
Të nesërmen, kur dielli ishte ngritur
nja tre hosten, Braçja ngarkoi një barrë misër në mushkë dhe u nis për në
mulli. Më të dalë të portës takoi Faslliun, gjitonin,që e kishte firmosur
listën.
-Ibrahim vëllai, me hiq e mos këput s’ua
del dot këtyre. Po e zgjate, do të hanë e do të pinë çke në konakë sa të
mbetesh trokë dhe në komprativë do hysh
se do hysh. Murit me kokë s’i bihet! Dëgjomë mua.
- Ik or Faslli, shih punën tënde se s’je
bërë akoma të më japësh mënt mua. I inatosur i grahu mushkës.
Si nuk e gjetën në shtëpi edhe atë
ditë, i deleguari u bë xhind. “Ky Braçja po tall bythën me ne.Por s’ka lindur
ai bir nëne që të tallet me mua. Qesh mirë kush qesh i fundit. Keni për të parë
se ç’far do t’i punoj!
Ishte darka e tretë. Braçja pa asnjë
mërzi i priti siç pritet miku si edhe netët e tjera.Asnjë fjalë për
kooperativën. Ngritën dolli,ja të më rrosh, të paçim e na paç! Varda shëndetet: për të zotin e shtëpisë, për sojin
e sorollopin, për partinë, per komandantin, për Kinën, miken e madhe të
Shqipërisë, për Mao Ce Dunin…. Me fund të kam rixha, me fund! I deleguari, ruajti
çastin kur Braçja u ngrit të mbushte zamzanen me raki dhe nga një paketë, i
hodhi në filxhan një pluhur të bardhë që u tret sakaq. Ngritën shëndetin e
radhës dhe Braçja e ktheu me fund. Miqtë në pritje shihnin njerjatrin. S’kishin
kaluar as dhjetë minuta kur i zoti i shtëpisë filloi të kotej dhe pastaj koka
iu gremis mbi gjoks dhe i ra balli mbi sofër. Kaqë e pat dhe kjo punë.
Sekretari i partisë nxori nga xhepi një shishe të vogël me mellan. I mori të
fjeturit dorën e djathtë dhe i lyeu me bojë mollzën e gishtit të madh, pastaj
nxori listën dhe ia ngjeshi gishtin atje ku ishte emir i tij. Gjurma e
gishtit,kishte dalë aq mire, sa shquheshin shenjat e vijëzave të holla.Thirrën Selvikon që të kujdesej për të
shoqin. “Qyqja-briti ajo-më iku burri, ç’i bête?”, “Mos kij dert, piu ca si
shumë dhe e zuri gjumi”. E ngritën hopa dhe e shtrinë mbi shilte. “Hidhi një
mbulesë që të mos ftohet.Nesër do të gdhihet qiqër, shëndosh si kokrra e
mollës!” Dhe krisën e ikën.
Të nesërmen, Braçes i doli gjumi vonë dhe
kokën e kishte të rëndë. Nuk mbante mënd si i kishte ndodhur. Piu një kafe të
fortë,i hipi mushkës dhe mori rrugën e malit që të bënte një barrë dru.
Selvikua priti se mos e sillnin kokën ata
të partisë,por kaloi dreka dhe ata nuk u dukën. Epo, shyqyr,- mendoi ajo, -
kushedi nga e kanë thyer qafën”- por gabohej. Ata erdhën në mbrëmje, më të
shumtë, sapo kishte pernduar dielli. Ishin të qeshur, të gëzuar, sytë u
ndrinin, flisnin me këmbë e duar.
-Ibrahim Nasufi: urime, o firmëtar’ i
fundit!Ta gëzosh kooperativën. Mbrëm e bëre si burrat, u bashkove me gjithë
fshatin!
- Ç’farë, ç’farë?- ai u shtang, u bë
dru, ju prenë gjunjët dhe u mbështet pas murit. I ikën fjalët dhe po i shihte
me ca sy të çakërdisur, i hakërryer, por ata e vunë në mes dhe filluan ta
përqafonin dhe t’i rroknin dorën, flisnin e zhurmonin hareshëm, gëzueshëm si në
një gosti. I plotfuqishmi,nxori revolen dhe shtiu në erë tri herë, për hair
haber, që fshati ta merrte vesh: firmëtari fundit Ibrahim Nasufi, kishte hyrë
në Kooperativë!
Braçja i ra hilesë.Tashti e kuptoi se
ç’ishte ai gjumë dhe ajo dhimbje koke. Kur ishte duke prerë dru në pyll, pa
njollën e bojës në gishtin e madh dhe vrau mëndjen të kujtohej se ku i kishte
ndodhur, por si kujtohej që si kujtohej. Ja si qënkej rrengu që i kishin lozur.
-Me hile,hë? Vullnetar me polic! Të
mallkuar, të pafytyrë, ç’farë burrash jeni ju more? Ca Doçër e bij bushtrash,
ja seç jeni ju. Si s’hoqët dorë nga poshtërsitë? Edhe këtë ma bëtë, mor të
paudhë!- Deshi të zbrazej mirë, por e pa që, ata të pacipët se kishin për
gajle, veç qeshnin, zbardhnin dhëmbët sikur të sharat të ishin lëvdata,
zbaviteshin e argaliseshin me zemërimin e tjetrit. E kishte thënë i deleguari
“Qesh mirë kush qesh i fundit!”
-Mos e ndyj gojën o Braçe, ndaç dje,
ndaç sot, ndaç nesër, për të bërë se për të bërë ishte. Nuk po na fton Brënda,
të pimë nga një kupë e të gëzohemi bashkërisht?
Kjo ishte e ç’ishte!
-Si keni sy e faqe, miq si ju që të
hanë bukën e të përmbysin kupën, mos më ardhçin kurrë në derë.Ajo firma ime me
njollën e gishtit, eshtë njolla e turpit tuaj! Ç’kishit për të pirë e pitë,
ç’kishit për të ngrënë e hëngërt, atë që deshët e bëtë, tashti hiqmuni sysh sa
s’u kam lëshuar qentë!Dhe ata nuk firmosin me gisht por me çataj!
Dhjetor 2017
No comments:
Post a Comment