Në 70 vjetorin e ekzekutimit
Martirët e Lirise dhe Demokracisë
Reshat Kripa
Nata e 14 janarit të vitit 1948. Një natë e zezë. Qielli
qante papushim. Retë nxinin mbi Gjirokastër. Gjëmimet ushtonin me forcë. Dukej
sikur Zoti me këtë donte të ndalonte gjëmën që po ndodhte. Por djalli në ato
kohëra ishte më i fortë. Ai e kishte futur në kthetrat e tij Shqipërinë e
gjorë. Ajo nuk kishte më zë. Kishte vetëm urdhëra monstruozë, të dhënë nga
njerëz monstruozë. Në të gjithë vendin hidheshin vallet e vdekjes.
14 janar, katërmbëdhjetë
burra ecnin me kokat lart të lidhur dy nga dy. Rreth e rrotull një tufë hienash
të kuqe, me sytë e skuqur nga etja për gjak dhe uria për mish kufomash. Zoti me
gjëmimet dhe vetëtimat e tij mundohej t’i ndalonte, por ata nuk besonin në
Zot. Zoti i tyre ishte vetë djalli.
Në krye të kollonës
qëndronin krenarë Syrja bej Vasjari dhe Zenel Shehu, dy ish udhëheqës të luftës
kundër pushtuesit, i pari komandant i
batalionit ballist “Tafil Buzi“.ndërsa i dyti komisar i batalionit partizan
“Baba Abaz“, Ecin dhe kujtojnë betejat e
zhvilluara së bashku kundër pushtuesit italian në Mogila dhe Miricë, në Qafën e
Kiçokut dhe në Malin e Bardhë, në Shkallën e Zezë dhe në Buz.. Dy familje të
mëdha të krahinës, dy miq të mëdhenj që nuk mund të luftonin ndryshe veçse në
krah të njeri tjetrit, pavarësisht
nga bindjet e
secilit prej tyre. Nuk kishin si
shkonin ndryshe edhe në vdekje.
- Po shkojmë në varr së
bashku! – foli Syrjai.
- Si në luftë. – u
përgjigj Zeneli.
- Pushoni, nuk keni të
drejtë të flisni! – u ndie zëri i njerës
prej hienave.
- E ç’mund të na bëni më
tepër? – u përgjigj i qetë Zeneli.
Pas tyre vinin të lidhur dy robër të Zotit, At Gjergj
Suli dhe Baba Shefqeti. Edhe ata ecin dhe kujtojnë. At Gjergjit në ato momente i kujtohen vargjet e një kënge të
vjetër:
Papa Kristonë e vranë,
Dhe
për të s’ra një kambanë!
Ndryshimi i vetëm ishte se ndërsa Papa Kristonë e helmuan
andartët grekë, At Gjergj Sulin po e vrisnin vëllezërit e tij shqiptarë. Edhe
për vdekjen e tij nuk u dëgjua asnjë kambanë. Thuhet se një prift i Leklit i ra
kambanave në një orë jo të zakonshme Një gjë e tillë i kushtoi
disa vite burg.
Baba Shefqeti ecte i
menduar. Jo se i vinte keq për vdekjen. Tashti i kishte
kaluar të
pesëdhjeteshtatat. Në dorën që e kishte të palidhur, mbante një palë
tespie , të cilat
i numëronte duke u lutur. Edhe në
vdekje donte të shkonte me bekimin e Zotit, të cilit i kishte shërbyer për
gjithë jetën. Një nga hienat e pa, ia rrëmbeu
dhe i vërviti në errësirën e natës.
- Zoti ta faltë gjynahun,
se edhe ti vetë nuk di se ç’bën! – i tha babai me qetësi.
Në rreshtin e tretë ecte i qetë Baba Aliu, një tjetër
shërbëtor i devotshëm i Zotit. Kur shkuan ta marin për ta pushkatuar një roje u
përpoq ta mbante për krahu. Mendonin se Babai do të trembej para vdekjes. Kurse
ai i qetë i tha:
- Mos kij merak se mbahem vetë, biri
im!
Ja si
e përshkruan momentin e
ekzekutimit të Baba Aliut historiani dhe shkrimtari Novruz Shehu:
Njeri nga
pushkatarët rrëzohet, i bie të fikët. Nuk mund të qëllojë.
-
Nrehu bir! Qëllo bir! Zoti qoftë me ty!... Ngrehu biri im! Po s’qëllove ti, do
të qëllojë dikush tjetër. Po s’vrave ti, do të vrasë dikush tjetër. Gjak, gjak,
gjak sa të zbuten djajtë në shpirtin e njeriut.
Toga hapi zjarr disa herë. Trembëdhjetë burra bien për të
mos u ngritur më, ndërsa Baba Aliu, për çudinë e të gjithëve, vazhdon të
qëndrojë në këmbë.
-
Do të të heq taçin Baba
Eshtë
dervish Resuli.
-
Hiqe bir!
Dervishi u ul, I puthi këmbët.
- Falmë Baba!
-
Të kam falur bir!
-
U shoftë Shqipëria me këtë farë të keqe që ka ardhur!
-
Mos e mbush gojën bir, mos e rëndo shpirtin! Se Shqipëria është e të gjithëve,
e të gjallëve dhe e të vdekurve. Dhe sikur të mos e duan të gjallët, nuk e lënë
të vdekurit. Mos e ngarko shpirtin! Shqipëria duhet. Shqipërinë e ka bërë Zoti
të jetojë!
Një batare
tjetër u dëgjua dhe Baba Aliu ra me emrin e Shqipërisë në gojë. Ishte ora dy
pas mesit të natës të dates 14 janar 1948.
Cili ishte qëndrimi i
këtyre burrave në natën e fundit të qëndrimit në qelitë e burgut të
Gjirokastrës? Lexojmë librin e Ibrahim Vasjarit, birit të Syrja Beut:
Sapo kishte
kaluar mesnata. Errësirë. Jashtë, nëpër qiellin e grisur, përpëliteshin mes
resh të largët, të ftohtë. Palcë dimri -
Kot vrasim mendjen
Syrja! – tha
Baba Shefqeti. –
gjithçka është ëndërr. E vërteta
është vetëm Perëndia., që është “Një“ dhe shokë tjetër nuk ka.
- Ashtu është
Baba, kemi bërë gjumë të keq, - tha Syrjai.
- Gjumë?
Pothuaj e kemi harruar fare gjumin, - tha Zeneli – sa shokë na janë vrarë?
- Dhe sa do të vriten akoma! – tha
me një ironi të hidhur At Gjergji.
- Po kjo është ndryshe,krejt
ndryshe, - iu përgjigj Zeneli – kjo është e pakuptueshme.
- Nuk ia vlen të kërkosh arsye, -
tha Baba Shefqeti, - e keqja nuk fillon dhe nuk mbaron me ne. Ky është mallkimi
i Perëndisë. Mendjet tona nuk janë në gjendje ta gjykojnë. Gjarpri do ta
shtrëngojë për gryke këtë vend për një kohë të gjatë.
Të katër heshtën për një çast të
mbyllur secili në veten e tij.
Çome
Cini, një veteran ish komunist, kujton në vitin 2005 tregimin e Misto
Papajanit, një i dënuar tjetër me vdekje nga ky grup, që iu fal jeta:
Mistua më
tregoi edhe episode të tjera. Ishte mesnatë
kur trokiti roja.
- Syrja
Vasjari, - tha ai – hajde se të kërkojnë në zyrë.
Syrjai u ngrit dhe filloi të vishej.
- Mos u vish –
i tha roja – se pesë minuta punë ke në zyrë.
- E di se
ç’punë kam, - i tha Syrjai –
prandaj do të vishem. Nuk vij kështu.
-
Mos na vono, - nguli këmbë roja, - se pesë minuta punë ke dhe do të kthehesh
prapë.
-
E di për ku jam nisur, - vazhdoi me qetësi Syrjai, - atje nuk shkoj i zhveshur.
Ne u përlotëm.
Syrjai u vesh dhe u rregullua qetë qetë si për ceremoni. Pastaj u
kthye nga ne, na pa të përlotur dhe duke u ndarë tha: -
Mos qani, bëhuni të fortë, se vdekja pesë
minuta është. Mbeçi me shëndet dhe mos na harroni! Të fala atyre që lemë
pas! U thoni që nuk i kemi tradhëtuar ndonjë herë.
Kaq
ishte dhe u ndamë për jetë me Syrjain.
Po kush ishin këta burra
që shkonin kaq krenarë drejt vdekjes?
Syrja Bej Vasjari lindi në Vasjar të Tepelenës më 13 tetor 1898,
në një familje me tradita të pasura patriotike.
Stërgjyshi i tij Veiz Vasjari ishte një nga kapedanët më në zë të
kryengritjeve antiosmane të viteve 30 dhe 40 të shekullit të XIX-të. Nëna e Syrjait vdes e re duke e lënë jetim në
moshën shtatë-tetë vjeçare. Babai, Abazi pas disa vitesh detyrohet të martohet
përsëri, për të rritur fëmijët jetimë, tre djem dhe dy vajza. Abazi u kujdes që
t’i shkollonte fëmijët e tij. Syrjai mbaroi arsimin fillor dhe atë unik në
qytetin e Tepelenës. Pastaj i ati e dërgoi në Gjirokastër dhe më pas në liceun
e Korçës, ku u regjistrua në klasën e shtatë. Kjo ndodhte në vitin arsimor
1922-1923.
Duke studiuar në Korçë ai
ra në kontakt me idetë iluministe franceze që ishin shumë të përhapura në atë
qytet. Këto bënin që të binte shpesh herë në kundërshtim me idetë konservatore
dhe patriarkale me të cilat ishte ushqyer
deri atëherë. Si mbaroi
liceun, në vitin 1924
i
kërkoi të atit
të vazhdonte studimet e
larta në Francë.
I ati ia plotësoi dëshirën.
Studioi dhe u diplomua për
inxhinieri agrare në universitetin e Alfortit, pranë Parisit. Franca e asaj
kohe ishte një vend i preferuar për studentët shqiptarë. Ajo ishte simboli i
lirisë, demokracisë dhe qytetërimit botëror.
Kthehet në Shqipëri në
vitin 1932 dhe filloi punë si kryeagronom i nënprefekturës së Tepelenës Bie në
kontakt me intelektualë progresistë të qyteteve Tepelenë, Gjirokastër, Vlorë,
Fier. Me ta ndante pikpamjet e tij republikane. Për këtë arsye arrestohet dhe
mbahet disa muaj në burg, i akuzuar si pjesëmarrës i lëvizjes së Fierit, gjë që
nuk ishte e vërtetë. Në përgjithësi ishte kundër dhunës revolucionare.
Pushtimin fashist e priti
me indinjatë të thellë. Shpejt ra në kontakt me eksponentë të Ballit Kombëtarë
në krahinë. Filloi me organizimin e çetave nacionaliste të zonës
Krahës-Tepelenë, deri sa arriti të marrë detyrën e komandantit të batalionit
“Tafil Buzi“. Të gjitha këto i bënte sipas udhëzimeve të mara nga qendra, duke
patur lidhje sidomos me Hysni Lepenicën dhe Skënder Muçon në Vlorë. Ai ishte
njeri me ndjenja patriotike. E konsideronte si mik të tij çdo njeri që luftonte
për lirinë e atdheut, pavarësisht nga bindjet politike. Kështu mbante lidhje të
ngushta me batalionin partizan “Baba Abaz“ , ku komisar ishte miku i familjes
së tyre Zenel Shehu. Të dy batalionet së bashku kanë luftuar
krah për krah
në disa beteja, të cilat i kam
përmendur më sipër.
1-2 gusht 1943. Në Mukje
zhvillohet takimi i njohur midis përfaqësuesve të Ballit Kombëtar dhe Frontit
Nacionalçlirimtar. Pjesëmarrësit e saj janë figura të njohura të të dy palëve.
Shquhen emrat Mit-hat Frashërit, Hasan Dostit, Thoma Orollogait, Hysni
Lepenicës, Skënder Muços, Isuf Luzit nga Balli Kombëtar. Ato të Abaz Kupit,
Ymer Dishnicës, Mustafa Gjinishit, Myslym Pezës, Omer Nishanit e të tjerë nga
Fronti Nacional-Çlirimtar. Rezultatet e këtij takimi historik tashmë njihen:
luftë të përbashkët kundër okupatorit, Shqipëri etnike dhe vendosja e pushtetit
me anën e votës së lirë.
Komunistët shqiptarë nuk
ishin të kësaj mendjeje. Ata kishin vendosur që pushtetin ta mbanin për vete.
Pa u tharë boja e marëveshjes së Mukjes, e braktisën atë. Një parullë e re
filloi të dëgjohet në Shqipëri. Pushteti nuk buron më nga vota e lirë. Ai buron
nga gryka e pushkës. Ishte parulla e hedhur nga
krerët e Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Në Shqipëri
filloi lufta vëllavrasëse. Masakra të tmerrshme bëheshin në çdo skaj të saj. Më
lejoni të permend disa: atë të Libohovës me 105 viktima, të Gjirokastrës me
Boço Kalon në krye me 17, të Myzeqesë me 65 bujq të pafajshëm, të Tiranës në
nëntorin e 1944 me 38 intelektualë të vrarë.
Prishja e marëveshjes së
Mukjes, vrasja e Hysni Lepenicës me tridhjetepesë trimat e tij dhe fillimi i
vëllavrasjes, e detyruan Syrjan të shpërndante batalionin dhe të hiqte dorë nga
kjo luftë që tashmë ishte kthyer në luftë civile. Shtabi i forcave të Zonës së
Parë Operative i propozoi të bashkohej me forcat partizane. Ai nuk pranoi.
- Nuk u largova nga Balli,
por nga vëllavrasja. Bindjet
politike nuk i ndryshoj. Me ju nuk mund të vij se nuk mund të bëhem
komunist. – i tha
Dr. Ibrahim Dervishit që kishte ardhur për t’i bërë propozimin.
U
largua dhe u vendos familjarisht në Lushnje. Me mbarimin e luftës kthehet
përsëri në fshat. Ishte njeri i nderuar dhe respektuar. Kryesonte
Këshillin e Gjërë Popullor të Rrethit Tepelenë dhe anëtar i Këshillit të
Qarkut Gjirokastër. Nisi ndërtimin e shtëpisë së djegur nga italianët, por nuk arriti ta
mbaronte. Në muajin tetor arrestohet me të njëjtën akuzë si miku i tij Zeneli
dhe më 17.11.1947 dënohet me vdekje me pushkatim, vendim që ekzekutohet më 14
janar 1948.
Edhe për familjen e Syrjait filloi përndjekja e
zakonshme. Për t’i shpëtuar sado pak kësaj, nëna e tij Miriami, bija e Arshi
Selfos nga Kanina, së bashku me djemtë shpërngulet në qytetin e Vlorës, ku
kishte edhe përkrahjen e njerëzve të saj. Duke përfituar nga zbutja e luftës së
klasave për pak kohë, si pasojë e kongresit të XX-të të Partisë Komuniste të
Bashkimit Sovjetik, në vitin 1956, djali i madh Ibrahimi, mundi të vazhdonte
fakultetin pedagogjik me korespondencë. Që nga ajo ditë dhe deri në vendosjen e
demokracisë u end nëpër fshatrat më të humbur duke u mësuar gjuhën dhe
letërsinë nxënësve të shkollave. Këtë fat nuk e pati djali i vogël, Devi. Kohët
kishin ndryshuar. Lufta
e klasave kishte rifilluar përsëri dhe ai u detyrua të
ushtronte profesionin e muratorit.
Zenel Shehu lindi në vitin 1918 në fshatin Toç të
Tepelenës. Ishte djali i madh i Sheh Beqirit, Babai i teqesë së Toçit, e njohur
në gjithë krahinën. Në këtë teqe ai mbante krahas kuranit edhe abetaret e para
shqipe me të cilat mësonte nxënësit në shkollën e parë shqipe të krahinës, të
hapur prej tij në vitin 1913. Ishte një burrë i rrallë, një atdhetar i vërtetë.
Më 28 nëntor 1912 është një nga firmëtarët e aktit të pavarësisë, përkrah firmës
së Plakut të Vlorës, Ismail Qemalit. Në janar 1920 zgjidhet dhe mer pjesë në
Kongresin e Lushnjes, së bashku me patriotin tjetër Arshi Shehun. Po atë vit
organizon dhe mer pjesë në krye të çetës së tij në luftën patriotike të Vlorës,
kundër pushtuesve italianë që kishin zaptuar atë qytet. Vlora e kërkoi për të
dytën herë nëntëmbëdhjetë vjet më vonë. Vendi ishte pushtuar përsëri nga
italianët, por ai i kishte mbyllur sytë, duke ia dorëzuar stafetën të birit
Zenelit.
Zenel Shehu shkollën
fillore e zhvilloi në Krahës dhe atë unike në Tepelenë. Pastaj vazhdoi mësimet
me bursë shteti në shkollën tregëtare në Vlorë. U dallua si një nxënës i
shkëlqyer, por më tepër si një njeri me mendime përparimtare. Iu përgjigj me
zjarr profesorit italian të lëndës së “moralit fashist“, që zhvillohej në atë
kohë në shkollë, kur ai fyeu flamurin tonë kombëtar. Deshën ta përjashtonin nga
shkolla, por ishte ndërhyrja e Qazim Koculit që e shpëtoi nga një gjë e
këtillë. Gjesti i djaloshit tepelenas bëri jehonë në të gjithë Vlorën.
Me mbarimin e shkollës
tregëtare shkon në
Itali, ku vazhdon universitetin e Romës në degën e financës. Në vitin
1939, me rastin e pushtimit të Shqipërisë, detyrohet të ndërpresë studimet në
vitin e tretë dhe të kthehet në Shqipëri. Këtu e mobilizojnë ushtar dhe e
dërgojnë në Pukë. Por ai nuk mund të pranonte të shërbente në ushtrinë
fashiste. Së bashku me disa shokë të tjerë braktis shërbimin ushtarak dhe
hidhet në ilegalitet, në rradhët e çetave partizane. Zotësia e tij e dallon nga
të tjerët. Në vitin 1942 emërohet komandant i çetës së Verzivollit, me luftëtar
të zonës së Krahësit dhe Buzit. Me formimin e batalionit “Baba Abaz“ në Donie
të Kalivaçit, emërohet komisar i tij. Me këtë detyrë bashkëpunon dhe luan një rol kryesor me
luftëtarë të tjerë partizanë dhe ballistë si Syrja Vasjari, Asaf Dragoti, Hajri
Zaçe, Abaz Shehu, Fejzo Ismaili e të tjerë duke krijuar një shtab të përbashkët
për të drejtuar luftën. Këto luftra përfunduan me sukses në Mogila dhe Miricë,
në Qafën e Kiçokut dhe Malin e Bardhë, në Shkallën e Zezë dhe në Buz. Të
tërbuar italianët, rikthehen me forca të shumëfishuara dhe djegin shtëpitë e
fshatarëve kryengritës, midis të cilave ato të Zenel Shehut dhe Syrja Vasjarit.
Me prishjen e Marëveshjes
së Mukjes krahu i djathtë i forcave partizane,
filloi ta kuptojë lojën aspak të ndershme të udhëheqësve të tyre. Një ndër këta
ishte edhe Zenel Shehu. Në Kongresin e Përmetit pati kurajon t’u drejtohej
udhëheqësve me fjalët:
- Ne morëm armët dhe dolëm
në mal dhe vumë në dispozicion të luftës pasurinë dhe jetën tonë e të familjes,
për të hequr spatat e fashizmit nga flamuri ynë dhe jo për të vendosur në vend
të tij simbolin sllav të yllit të kuq.
Pas fjalës së tij Tahir
Kadareja e tërhoqi mënjanë dhe i tha:
-Çfarë bëre kështu
more Zenel? Nuk
luftohet kështu si ti, se të merr plumbi ose në
ballë ose prapa koke.
Tahir Kadareja e njihte strategjinë e hienave.
Pas mbarimit
të luftës emërohet
nënprefekt i Tepelenës.
Propozohet si kandidat për deputet në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, por hiqet
nga lista nga organet drejtuese në Tiranë. Në fillimin e vitit 1946 heq dorë nga
detyra e nënprefektit. Arrestohet
në shtatorin e atij viti. Me
vendimin Nr. 242 datë 17.11.1947 dënohet me pushkatim, me akuzat false
se gjoja paska
kundërshtuar
të gjitha ligjet dhe reformat e pushtetit popullor, ka patur takim me të
arratisurit kriminelë lufte, ka patur kontakt me përfaqësuesit e shteteve
imperialiste si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe e të
tjera. Vendimi ekzekutohet më 14 janar 1948.
Përndjekja dhe terrori do shoqëronin
familjen e Zenel Shehut pas pushkatimit të tij. Vëllai katërmbëdhjetë vjeçar
Mehmeti arrestohet dhe dënohet në të njëjtin gjyq si korier i grupit me katër
vjet burg. Në vitin 1967 arrestohet përsëri dhe dënohet me njëzetetre vjet, nga
të cilat kryen nëntëmbëdhjetë. Vëllai tjetër Ismaili dënohet me pesë vjet burg,
ndërsa Haxhiu vritet në mënyrë misterioze, pa u zbuluar kurrë
shkaku i kësaj vrasjeje.
E shoqja e Zenelit, Erveheja mbetet e
vetme me dy djemtë dhe vajzën. Një kujdes të
veçantë për ta tregoi i ati i saj Arshi Shehu, i cili i mori dhe i futi nën
mbrojtjen e tij. Djali i madh Eqeremi mundi të regjistrohej në fakultetin e
mjekësisë. Por në vitin 1962, në bazë të relacionit të dërguar nga pleniumi i
partisë së Tepelenës, përjashtohet nga shkolla, në vitin e fundit, si biri i
një armiku të popullit. Por më e rënda do të ndodhte shumë vonë, kur mendohej
se diktatura ishte përmbysur. Dora e pasardhësve të atyre që vranë Zenelin do
qëllonte edhe mbi Ademin, djalin e dytë të tij, më 14 shtator 1998.
At Gjergj Suli
u lind në
fshatin Lekël të Tepelenës më 12 mars 1893, në një familje
me bindje të thella të besimit ortodoks. Arsimin fillor e kreu në fshatin e
lindjes, ndërsa të mesmin në gjimnazin “Zosimea“ të Janinës. Në vitin 1922
emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendoset në Boston dhe
Filadelfia. Bie në kontakt me shqiptarë të tjerë dhe bëhet anëtar i shoqërisë
“Vatra“. Ishte nën ndikimin fetar të imzot Fan Nolit. Kreu një shkollë fetare
dhe pas saj shungurohet prift. Zotëronte gjuhët angleze, frënge, greke dhe
italiane. Në vitin 1934 kthehet në Shqipëri. Vendoset në fshatin e tij ku,
nëpërmjet shërbesave fetare, u mësonte njerëzve rrugën e drejtë që duhet të
ndjekin. Ishte njeri i respektuar. Ai ndodhej kudo, në hidhërime dhe gëzime dhe
me fjalën e tij u pakësonte dhimbjen ose u shtonte gëzimin. Ngrinte dollitë
sipas zakonit dhe ia merte këngës labe me atë zërin e tij të ëmbël. I pëlqenin
më tepër këngët e trimave.
Pushtimi fashist e gjeti në fshatin e lindjes. Besnik i
parimeve të tij, bekonte të gjitha forcat, si ato partizane ashtu edhe ato
nacionaliste, për fitoren mbi fashizmin. I qëndronte besnik parimeve të
demokracisë amerikane.
Në dhjetorin e vitit 1946 arrestohet si dy të mësipërmit
dhe dënohet me vdekje me pushkatim më
17.11.1947. Vendimi ekzekutohet
më 14 janar 1948.
Familja e tij trajtohet
në mënyrë barbare.
Gruaja e tij Vasilia mbetet e vetme me dy djemtë,
Josifin dhe Thomain dhe vajzën Jetën, të cilëve u mohohet arsimimi. Si rezultat
i presionit psikologjik të ushtruar mbi
ta Josifi pëson një traum nervor. Sot ata jetojnë në Greqi.
Baba Shefqeti i
Koshtanit lindi në vitin 1885. Shërbeu
për një kohë të gjatë në teqenë e Koshtanit, që ishte kthyer në vatër të
shqiptarizmës. Mik i ngushtë i Shehut të Toçit, Babait të Gllavës dhe Baba Ali
Tomorit, me të cilin do pushkatoheshin në të njëjtën natë. Ishte një antifashist i vendosur. Teqeja e
tij u bë një qendër ku kuroheshin partizanët apo nacionalistët e plagosur. Por
ishte gjithashtu një antikomunist i vendosur. Si besimtar ndaj Zotit, nuk mund
të pranonte ata që ishin bashkuar me djallin. Dhe kur ky e pushtoi vendin, jeta
e tij nuk kishte më kuptim.
Ai duhej të vdiste sepse
nuk gjente arsye për të hyrë në
diskutime boshe dhe që nuk të nxirrnin gjëkundi. Ai ishte i bindur se Zoti
ishte i madh dhe se syrit të tij nuk i shpëtonte asgjë. Me këtë besim përballoi
momentet e fundit të jetës. Arrestohet në dhjetorin e vitit 1946 dhe dënohet më
17.11.1947. Ekzekutohet më 14 janar 1948.
Baba Ali Tomori
ka lindur në vitin 1893 në fshatin Shalës të Buzit. Ishte i biri i
Abazit, që kishte mbaruar shkollën e lartë për mësues në Stamboll dhe emëruar
në Kozare të Selanikut, ku shërbeu për 23 vjet. Në vitin
1913 kthehet përsëri në teqenë e Prishtës, ku vazhdon rrugën e të atit. Pas
masakrës së vitit 1914 nga ana e grekëve, detyrohet të marrë rrugën e
emigrimit, së bashku me Baba Shabanin, i cili vdes në Kajro ku ishin vendosur.
Aliu vazhdon studimet për njerëzit e
mëdhenj. Këto studime, rreth 300 faqe, i përmbledh në vëllimin ”Mësime
margaritarësh“, një pjesë e të cilave do të botoheshin në vitin 1934. Kthehet
përsëri në Shqipëri dhe vendoset si Baba në teqenë e Kulmakut, ku mori edhe
titullin “Baba Ali Tomori“. Në vitin 1924 mer vesh lajmin e vrasjes së Avni
Rustemit. Si republikan që ishte, niset për në Vlorë, ku në varrimin e tij mban
një fjalim në të cilin thotë:
- Fli i qetë Avni! Prehu në
gjirin e
kësaj Vlore kreshnike, pranë Ismail Qemalit të
ndjerë,
pranë Lekës, pranë Pirros, pranë Kastriotit, pranë Vaso Pashës, pranë Jani Vretos,
pranë regjimentit apostolik
të rilindjes shqiptare .
Pushtimi i Shqipërisë edhe prej tij
u prit me indinjatë të thellë. Si të gjithë bektashinjtë e
tjerë
edhe teqeja e tij u bë çerdhe e djalërisë kryengritëse. Kohët e fundit shërbeu
në teqenë e Zallit në Gjirokastër. Arrestohet në janarin e vitit 1947 dhe
dënohet më 17.11. 1947. Si shokët e
tij
ekzekutohet më 14 janar 1948.
Këto
ishin figurat kryesore
të asaj masakre
që u zhvillua atë natë janari në
Gjirokastër. Por sa të tilla janë zhvilluar gjatë regjimit totalitar? Shkoni në
sallën e genocidit të këtij muzeu dhe do të shihni fotografitë e disave nga mbi
gjashtëmijë burrave të masakruar. Një pjesë prej tyre, gjatë periudhës kur
vendin e qeveriste Partia Demokratike, kanë fituar titullin “Martir i
Demokracisë“. Për të tjerët vazhdon heshtja.
Ndërmjet tyre edhe
për heronjtë e këtij shkrimi.
A është e moralshme një gjë e tillë?
Unë mendoj se jo. Hidhini një sy teksteve të historisë që studjohet nëpër
shkolla dhe do të shihni se për këta burra dhe për këtë terror as që flitet
fare. Atëhere kur do ta mësojë të vërtetën e këtij vendi brezi i ri që po
rritet në atdheun tonë?
Dua t’iu drejtohem partive
politike, deputetëve dhe qeveritarëve, këshilltarëve të bashkive dhe komunave,
shoqatave të ndryshme , qofshin të djathta apo të majta:
- Kur do e gjejnë vendin e
tyre figurat e harruara të kombit shqiptar? Përse të mos marrë emrin e
“Apostullit të Shqiptarizmës“ Mit-hat Frashërit, Biblioteka Kombëtare në
Tiranë? Përse të mos marrë emrin e Abaz Kupit, organizatorit të rezistencës
antifashiste, sheshi kryesor i Durrësit? Përse të mos marrë emrin e heroit të
Termopiles shqiptare Hysni Lepenicës, një lagje e Vlorës? Lista mund të zgjatet
në pafundësi që nga Patër Mëshkalla e Gjon Shllaku, Jusuf Vrioni e Kudret
Kokoshi, Isuf Hysenbegasi e Haki Karapici, deri te martirët për të cilët jemi
mbledhur.
Ne sot
po jetojmë epokën
e ndryshimeve të mëdha.
Dhe unë besoj se kjo do të jetë koha e rehabilitimit të plotë të
nacionalizmit shqiptar. Një gjë e tillë do të bëjë që të fitojmë
Shqipërinë e ardhshme,
Shqipërinë demokratike,
Shqipërinë e qetë.
Një problem tjetër është
edhe ai i gjetjes dhe rivarrimit të eshtrave të të rënëve tanë. Ata janë pa
varr, ashtu si çifutët dikur që mbetën në shkretëtirë gjatë shtegtimit të tyre
për në malin e Sinait. Mendoj se kjo duhet të jetë një detyrë parësore e shtetit
shqiptar. Shkoni në Hungari apo në Gjermani dhe do të shihni se krahas
varrezave të dëshmorëve të atdheut, janë edhe ato të viktimave të komunizmit.
Së fundi më lejoni
të tregoj një ngjarje intime, lidhur
me personazhet e
kësaj
kumtese.
Po shkonim për në Libohovë për të
kremtuar 80 vjetorin e lindjes së mikut tonë Tomor Alikos. Isha me mikun tim
Eqerem Shehun, djalin e Zenelit. Në të dalë të Gjirokastrës, Eqeremi i foli
Fejzit, që drejtonte makinën:
- Ndale pak të lutem!
Makina ndaloi dhe ne
zbritëm.
- Këtu është pushkatuar
babai me shokët e tij, - tha Eqeremi
Ne qëndruam në heshtje në formë respekti. Në atë vend
tani ishte ngritur një hotel. Një gjë e tillë sepse më kujtoi legjendën e
Rozafës. Edhe në themelet e atij hoteli ishin bërë kurban njerëz. Tregojnë se
në kohën kur filluan punimet për ndërtimin e tij, punëtorët gjetën eshtra
njerëzish. Lajmëruan organet kompetente se dyshuan mos ishin varreza të
gjirokastritëve. Por përgjigja erdhi të vazhdonin punën se ato ishin eshtra të
“armiqve të popullit“.
- Fejzi, bjeri bories! – foli përsëri Eqeremi.
Dhe boria ushtoi në ato brigje në kujtim të martirëve të
lirisë dhe demokracisë.
No comments:
Post a Comment