Monday, 15 January 2018

GARDA SHQIPTARE VJEN NGA SHEKULLI XV: Skënderbeu ideator dhe krijues i saj.

Studim
GARDA SHQIPTARE VJEN NGA SHEKULLI  XV: Skënderbeu ideator dhe krijues i saj.

Viti 2018 nga qeveria shqiptare është vendosur si Viti i Skënderbeut. Kjo duke marrë shkak nga 17 janari i vitit 1468, kur prijësi i shqiptarëve ndërroi jetë në Lezhë. Fatkeqësisht, Atij dhe disa të tjerëve, të cilët i kanë bërë nder jo vetëm popullit shqiptar por edhe më gjerë, u dimë vetëm ditëvdekjen. Udhëhoqi vendin për gati një çerek shekulli kundër sulmeve osmane, duke u shndërruar në një barrierë të pa pakapëxyeshme të ushtrisë turke, nga më të fuqishmet e kohës, drejt Evropës, e cila është deklaruar haptazi dhe me zëplot mirënjohëse. Skënderbeu mbetet themelues i të parit shtet shqiptar, por sidomos strateg ushtarak me përmasa më tepër se sa rajonale. Ai njihet si ideator, themelues dhe komandues i Gardës së Shtetit, për të cilën, po bëj përpjekje të hedh dritë sadopak përmes këtij punimi. Në lëmin e strategjisë ushtarake mbetet midis të përkorëve, duke zënë vend meritueshëm në kulmin e piramidës drejtuese.
1. Një vendim që duhet marrë me rezervë
   Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, pasi vlerëson e çmon propozimet që i bëhen prej një grupi pune, i cili, nga ana e vet, ka grumbulluar dhe sistemuar dokumentacione të kohës si dhe ka evidentuar veprimtarinë e Forcave të Armatosura, me vendim nr. 562, dt. 06. 12. 1993, ka vendosur dhe urdhëruar që, për festimin e Krijimit të Strukturave të Armëve dhe Shërbimeve të FA-ve në Republikën e Shqipërisë, të vendosen datat që vijojnë në këtë vendim.
   Që nga viti 1944, për gati pesëdhjetë vjet, si datë e Krijimit të Gardës së Republikës së Shqipërisë është aplikuar 12 shkurti i vitit 1944, datë kjo që përkon me krijimin e një strukture të veçantë në madhësinë e një kompanie me 34 (tridhjetë e katër S.R) vetë, e cila kishte detyrë, të siguronte veprimtarinë e Shtabit të Përgjithëshëm të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare Shqiptare (SHP UANÇl) gjatë Luftës së Dytë Botërore për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Por, sikurse do të bëjmë kujdes ta argumentojmë edhe më poshtë, edhe pse kjo datë ka të bëjë me një ngjarje të veçantë, pra, me rikrijimin e strukturës së armatosur me misionin e një Trupe Ruajtjeje të Personaliteteve Shtetërore Ushtarake, ajo gjithësesi nuk mund të shërbejë, dhe as që mund të pranohet, si datë e Krijimit të Gardës së Republikës, e cila, domosdoshmërisht duhet të ketë një datë krijimi më të herëshme në histori.
   Sipas vendimit nr. 562, si datë e krijimit të Gardës së Republikës është gjykuar 24 qershor 1928, e përbashkët kjo edhe me krijimin e Armës së Tankeve. Por, nisur qoftë edhe thjesht nga ana teknike, lind e drejta të pretendohet se, kjo datë e përzgjedhur si “Ditëlindje” e Gardës, nuk duhet të jetë plotësisht e saktë. Ja sepse:
- Tradita e kaherëshme e organizimit të bashkëjetesës të popullit tonë, e respektit që ai ka patur për drejtuesit e tij, qofshin ata princër apo mbretër, e ka bërë atë që të jetë i kujdesëshëm për ruajtjen dhe sigurimin e jetës së tyre. Edhe atëhere kur nuk ka patur Shtet, (në kuptimin e plotë të këtij nocioni S.R), të parët e fisit, por edhe ata të një organizimi ndërkrahinor, qoftë edhe të përkohëshëm sa për të përballuar një situatë, kanë patur një bërthamë, pra një Qelizë Strukturore Ushtarake, të përbërë nga shtetasit më të fortë fizikisht, por edhe më të gatëshëm për të sakrifikuar edhe vetvehten, mjafton që të përmbushnin detyrën (apo detyrimin) e caktuar, apo të ngarkuar, për të siguruar jetën e Atyre, që ishin zgjedhur apo caktuar drejtuesë të komunitetit. Në këtë kontekst, nuk është e mundur, (por edhe më poshtë do të bëjmë përpjekje që të argumentojmë S.R), që në çerekun e parë të Shekullit XX, në një vend të vendosur gjeografikisht në “Kontinentin Plak“ të globit tokësor, i cili kishte shpallur “Mëvehtësinë“ pas shkëputjes nga Perandoria Turke më 28 nëntor 1912; që është përfshirë në zhvillimin e dy luftrave ndër-rajonale (ballkanike S.R) dhe të një lufte të përbotëshme (Lufta e Parë Botërore S.R); që kishte përballuar deri edhe sulmet e armatosura të fqinjëve, të cilët synonin copëtimin e trojeve autoktone shqiptare; por që, mbi të gjitha, pas një Kuvendi Kombëtar në janar 1920 në Lushnjë kishte krijuar Shtetin e Tij, i cili edhe ishte njohur nga mjaft shtete në disa kontinente, por edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, të mos kishte strukturat e nevojëshme, përfshi edhe një Trupë Speciale Ushtarake për të siguruar Autoritetet e Larta të Shtetit.
- Por edhe fakti që, janë pranuar më herët se 24 qershori i vitit 1928 si Ditë-Krijimi  të disa armëve dhe shërbimeve, të cilat nuk kanë vendin dhe as luajnë rolin e Gardës së Republikës, si p.sh. data 15. 06. 1913 e përzgjedhur si Dita e Krijimit të Zbulimit; dt. 10. 01. 1921 si Data e Krijimit të Xhenios; dt. 25. 12. 1925 si Dita e Krijimit të Flotës Luftarake Detare; apo dt. 17. 09. 1927 si Data e Krijimit të Topografisë, dhe të tjera si këto, janë një argument më shumë në favor të pretendimit tonë. Pa mohuar vendin që ato zenë dhe rolin që luajnë në Strukturat e Armatosura të çdo Shteti, na japin të drejtën të sugjerojmë se, si Datë Krijimi për Gardën e Republikës duhet të ishte përzgjedhur ndonjë tjetër më e herëshme në përputhje edhe me zhvillimet shtetare në vendin tonë.
- Nga ana tjetër, edhe historia e vendit tonë, por edhe dokumenta të tjera arkivore, si dhe memorja e gjallë e popullit, pranojnë, pohojnë dhe shprehen për praninë e një “Trupe Speciale”, të ngarkuar për ruajtjen dhe sigurimin e drejtuesve të Shtetit, pra të krerëve më të lartë të administratës së tij, nga qëndra në bazë. Janë disa autorë të huaj, personalitete në zë në fushën e historisë apo si analistë, të cilët servirin argumenta si dhe pohojnë prezencën e “Forcave Speciale“ në Strukturat e Armatosura, të cilat kanë detyrë të mirëfilltë, ruajtjen dhe sigurimin e autoriteteve shtetare sipas vendit që ata zenë në hierarkinë strukturore të Shtetit.
   Ndërkohë edhe data 12 shkurt 1944, sikurse e nënvizuam shkurtimisht më sipër, nuk mund të pranohet si datë e krijimit të Gardës së Republikës, sepse janë një sërë faktorësh politikë dhe socialë, të cilët na bëjnë ta kundërshtojmë këtë. Kështu, dihet fare mirë që në këtë kohë vendi dhe populli shqiptar ndodhen në luftë. Ndërkohë, krahas forcave të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare veprojnë edhe forca të tjera si ato të Ballit Kombëtar apo të Legalitetit, të cilat së paku janë deklaruar për pjesëmarrje në luftë kundër pushtuesit të huaj për çlirimin e vendit. Po ashtu dihet fare mirë, që në këtë kohë nuk ekziston asnjë kabinet qeveritar i formuar nga forcat pjesëmarrëse në luftë, administrimi i vendit realizohet nga pushtuesit, të cilët nga ana e tyre kanë organizuar kabinete qeveritare, edhe pse jo të pranuara me vullnetin e popullit të ndodhur nën pushtim. Kështu, asnjë forcë tjetër politike apo ushtarake e vendit nuk kishte mundësinë realisht të administronte vendin, edhe pse vullnete të tilla janë shprehur hera-herës.
   Vetëm nga sa më sipër, mendoj se vendimi nr. 562, dt. 06. 12. 1993, për krijimin e Gardës së Republikës së Shqipërisë më 28 qershor 1928, duhet marrë me rezervë.

2.-  Çfarë na ofron kthimi në retrospektive?  Shekulli  XV, “Shekulli i Lavdisë së Madhe”
    Në botë janë të shumta qarqet studimore e shkencore, të cilat i kanë vënë mjaft kohë në dispozicion “problemit shqiptar”: origjinës, evoluimit, rrugëve të përshkuara, e deri formulimit të përfundimeve apo konkluzioneve për ato. Pozitiv është fakti se, i përbashkët mbetet pohimi, se ilirët janë popull autokton dhe se shqiptarët janë pasardhës të drejtpërdrejtë të tyre. Njoftimet e para dokumentare për ilirët vijnë nga thellësitë e shekujve VII-VI-të p.e.r, duke qënë më prezente dhe më të kapëshme në të pastajmen.
   Por krejt natyrëshëm Shek. XV do të mbetet “Shekulli i Lavdisë së Madhe”, sikurse do ta epitetojë enciklopedisti ynë Jeronim de Rada më parë, “Dijetari” Sami Frashëri më vonë, dhe mjaft të tjerë deri në ditët e sotme. Harkun kohor të lulëzimit të Principatave Shqiptare, kur u realizua bashkimi i shqiptarëve nën Balshën dhe Shpatën, poligloti Fan. S. Noli, do ta stigmatizonte si një meteor të ndritëshëm, që shkoi në qiellin shqiptar pas furtunës, por që gjithësesi do të zhdukej duke lënë pas një errësirë të thellë. Ky deziluzion e ka bazën në faktin që, kur bëheshin përpjekjet për të krijuar një shtet shqiptar të centralizuar, do të fillonin ndërhyrjet nga jashtë, sidomos vërshimi osman në lindje e jugë, dhe ai venedikas në perëndim. Përballë këtij rreziku, shqiptarët u ndodhën mes grindjesh të pafundme. Kështu që Perandoria Osmane në vitet 1385 – 1479 do ta pushtonte “de facto” gjithë Shqipërinë. Dëshira për të jetuar në liri dhe për të ruajtur nderin “e  armëve të bardha” nuk mjaftoi.
Mandej kombi konsolidohet dhe Flamurin e Lirisë e muarën të tjerë kapedanë si  Kastriotët, Topiajt, dhe të tjerë. Kjo qëndresë do të jetë e suksesëshme sidomos, kur në krye të saj u vu Gjergj Kastrioti, Skënderbeu. Ajo hyri në histori si legjendë sepse: u përballua ushtria më e madhe e kohës; u vunë para provave të vështira sulltanët famozë otomanë. Për 23 vjet radhazi (1444 – 1467 S.R), Skënderbeu organizoi, drejtoi dhe udhëhoqi 25 (njëzet e pesë) beteja, duke fituar me nder e lavdi 23(njëzet e tre)  prej tyre. Në mos më shumë, por së paku në shtatë beteja u ballafaqua me dy sulltanët më të mëdhenj (Murati II dhe Mehmeti II, ky i fundit i mbiquajtur “Fatiu-Ngadhnjimtari”). U përball në beteja me 50 pashallarë, tre prej të cilëve ishin shqiptarë (Ibraim Beu, Jakup Arnauti, Ballaban Badera – pasha S.R). Dy herë u ndodh i tradhëtuar nga gjeneralë shqiptarë në zë, Moisi Golemi (Moisiu i Dibrës) dhe Hamza Kastrioti, (i nipi), me të cilët iu desh të ballafaqohej me dhimbje në fushën e betejës, por edhe t’i mëshironte kur i mposhti. Kapi rob në fushëbetejë dymbëdhjetë pashallarë turq; i shkaktoi kundërshtarit njëqind e  gjashtëmbëdhjetë mijë të vrarë, çka do të thotë, në çdo tetë veta një, etj.
   Bëmat e atij shekulli janë bërë objekt i kancelerive diplomatike të kohës; i krijimtarisë së popujve në gjini të ndryshme. Bota e qytetëruar evropiane i është mirënjohëse Shqipërisë dhe Skënderbeut, të cilin e ka epitetuar, përpos të tjerave edhe “Atlet i Krishtit”.
  Në këto zhvillime të suksesëshme, krahas forcave të tjera ushtarake, veproi edhe Garda Pretoriane (roje pretoriane, roje mbretërore, që i përket Mbretit, që ruan Mbretin etj. S.R) për të cilën domosdoshmërisht duhet hedhur dritë.

2-1.- Cili është vendi i Gardës Pretoriane në Ushtrinë e Skënderbeut?
   Deri në fund të vitit 1993 si datë krijimi për Gardën e Republikës është konsideruar 12 Shkurti i vitit 1944. Por grupi studimor për përnjohjen e fakteve e të dokumenteve, për argumentimin dhe konkludimin e rrethanave dhe të datave të Krijimit të Forcave të Armatosura (FA) në përgjithësi, të formacioneve ushtarake, të llojeve të armëve e të shërbimeve në ushtri, krahas të tjerave ka rekomanduar edhe për Gardën e Republikës ndryshimin e datës së mësipërme. Duke gjykuar mbi këto argumente, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, me vendimin nr. 562 dt. 06. 12. 1993, ka gjykuar dhe vendosur, që data e Krijimit të Gardës së Republikës të jetë 24 qershor 1928. Ky vendim nuk përbën një zhvendosje mekanike të datës, por është rrjedhim mjaft logjik i pasqyrimit dhe i reflektimit mbi zhvillimet historike në vendin tonë. Kjo datë përkon me Dekret-Ligjin e Qeverisë Shqiptare të asaj kohe, kur për herë të parë në Historinë e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare jepet një Ligj Organik mjaft i plotë, në zbatim të të cilit bëhet organizimi i FA-ve, pra ngrihet struktura piramidale e saj.
   Shqiptarët duhet të jenë të një mendimi se, Shteti Shqiptar rezulton i organizuar përpara fillimshekullit XX. Natyrëshëm ai do të kishte edhe institucionet përkatëse, të cilët mundësonin administrimin e shtetasve, mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të interesave të larta të shtetit, si dhe ruajtjen dhe sigurimin e Personaliteteve të Larta Shtetërore.
Kështu hulumtimet në shkrimet në gjuhën shqipe nga autorë vendas e të huaj, por edhe në shkrimet në gjuhë të huaja, të cilat trajtojnë shkencërisht problemin shqiptar, hedhin dritë të mjaftueshme në thellësinë e historisë së vendit tonë. Kësisoj ato natyrëshëm ndriçojnë edhe çështjen e lindjes dhe të evoluimit të Gardës Shqiptare, si një komponent bashkëshoqërues i zhvillimeve në gjithë fushat jetësore të popullit tonë. Duke gjykuar mbi këto fakte, mund të vlerësohet e çmohet se, nocioni “GARDË”, si konceptim apo si veprimtari praktike, ekspozohet jo në pak raste që në shekullin  XV.
   Historishkruesi i Skënderbeut, humanisti i parë shqiptar Marin Barleti, në veprën e mirënjohur për vlerat e veçanta historike dhe mesazhet e ngrohta atdhetare që përcjell, “Historia e Skënderbeut”, me titull të plotë “Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut, princit të epirotëve”, botuar në vitet 1508 – 1510, vetëm dyzet vjet pas vdekjes së Skënderbeut, disa herë, jo vetëm që pohon me krenari, por edhe i referohet konceptit “Gardë“. Autori në fjalë na prezantohet krejtësisht, jo vetëm i mirëinformuar por edhe plotësisht i përkushtuar, i aftë dhe argumentues për interpretimin e kësaj çështjeje.
Gjithësesi, ka meritën e veçantë sepse na jep emërtimin e saktë e të plotë: “Garda Pretorine” (Praetoria Cohors S.R).  Ai ruan mendimin se Skënderbeu, i përgatitur si ushtarak i kompletuar në shkollat e Perandorisë Osmane, më e madhja e kohës kjo, por edhe në veprimet praktike ushtarake të përherëshme të vendlindjes së Tij, e dinte shumë mirë vlerën e një ushtrie të rregullt, të përherëshme dhe në gatishmëri të plotë për të vepruar në çdo moment me efektivitet. Është i njohur fakti historik që, Ai do të organizonte një ushtri efektive, e cila parapëlqente veprimin dhe jo pritshmërinë, një ushtri që e dëshironte ndeshjen me kundërshtarin dhe jo shmangien; të përbërë nga luftëtarë të cilët përballjen me kundërshtarin e konceptonin si një gjë të zakonëshme dhe krejtësisht normale. Por është po gjithëkaq i njohur edhe fakti që, Kryekomandanti do të kishte edhe një bërthamë ushtarake të përbërë nga trupa të zgjedhura, numri i së cilës nuk i kalonte  2 000. Kjo trupë kishte si cilësi kryesore: trimërinë, besnikërinë dhe disiplinën. Këto ajo i ngërthente dhe i shpaloste në nivelin më të lartë. Ky Repart Special kryente detyra luftarake të zakonëshme, ashtu si edhe repartet e tjera, por nënvizojmë, se Ai përmbushte edhe detyrën e ruajtjes së kryekomandantit, të gjeneralëve e të kapedanëve të tjerë. Pra është tejet e qartë, se ky efektiv i përzgjedhur në pikpamje të aftësive fizike, të nivelit të lartë profesional ushtarak, të shkallës së lartë të përkushtimit, të besnikërisë ndaj fjalës së dhënë dhe të betimit të kryer, plotësonte detyrën e një truprojeje për titullarët, për të garantuar e siguruar jetën e tyre.
   Përvoja e kryerjes së detyrave në Ushtrinë Osmane, i kishte ngulitur Skënderbeut jo vetëm mendësinë por edhe dhe veprimin praktik, të domosdoshmërisë së ruajtjes së veçantë të drejtuesve të Shtetit dhe të Ushtrisë. Barleti fare qartë e ndriçon këtë fakt disa herë në veprën e tij madhore. Kur Skënderbeu u vendos përfundimisht në trojet e të parëve të Tij, pasi mori besën e Prijësve të tjerë shqiptarë si dhe lidhi fjalën me Ata, përveç  Ushtrisë së Rregullt, të cilën e organizoi, e përgatiti dhe e mbajti në gjëndje gatishmërie të përherëshme, njëherësh do t’i kushtonte kujdes të veçantë edhe organizimit, pregatitjes dhe përdorimit me efektivitet të Gardës Pretoriane. Kryekomandanti e konceptonte këtë strukturë si tepër të rëndësishme, por edhe të mbrujtur me idenë se, ajo kurrësesi nuk mund ta pranonte apo edhe ta provonte mposhtjen, thyerjen, përgjunjien përballë kundërshtarit. Kjo ide, pra ideja e krenarisë për të kryer detyra shërbimi në interes të ruajtjes së jetës të prijësve apo drejtuesve të shtetit, do ta përsërisë vetvehten në përmasa të dhjetëfishuara deri në ditët tona.
   Konkluzioni është i qartë, Skënderbeu duke qënë kreu dhe përfaqësuesi i Lidhjes Shqiptare, të cilën ai mundi ta realizonte me prijësit shqiptarë, një Lidhje e cila përfaqësonte Shtetin e kohës brenda e jashtë vendit, në përbërje të gjithë strukturave të FA-ve që dispononte apo organizonte dhe mblidhte, do të kishte edhe një repart special, i cili kishte detyrë parësore, Ruajtjen e Kryekomandantit dhe të Prijësve të tjerë. Pra, Ai kishte në veprim të përherëshëm Gardën Pretoriane.
2-2   Ja disa nga veprimet e Gardës Pretoriane.
   Garda Pretoriane rezulton e pranishme në të gjitha veprimet luftarake midis forcave shqiptare dhe atyre osmane. Por historishkruesit dhe analistët, në disa nga këto beteja, evidentojnë dukshëm veprimet e këtij Reparti Special. Kështu psh. në Betejën e Torviollit (29 qershor 1444 S.R), në rendimin luftarak dhe përgjatë gjithë teatrit ku u zhvilluan veprimet luftarake, bije në sy dukshëm vendi i veçantë dhe roli i rëndësishëm që zinte e luante Garda Pretoriane. Në këtë betejë komandimi e drejtimi i Gardës i ishte besuar Ajdin Muzakës, një nga gjeneralët më në zë të Ushtrisë së Skënderbeut. Si zakonisht, falë besimit që kishin komanduesit, Reparti i Gardës ishte vendosur në qëndër të forcave shqiptare, pra në mes të frontit të veprimeve luftarake. Kjo mënyrë veprimi kushtëzohet edhe nga fakti, që veprimet kryesore luftarake dhe intensiteti më i lartë i tyre zhvillohen dhe janë më prezente në qëndër të rendimit luftarak. Në këtë betejë efektivi i Gardës Pretoriane u dallua për veprime të shpejta, taktikisht të drejta, si dhe, duke e përqëndruar kryesisht synimin e çdo veprimi në ruajtjen dhe sigurimin e drejtuesve ushtarakë, dhe në radhë të parë të Kryekomandantit. Në krahun e majtë vepronte formacioni prej më se tremijë kalorës i komanduar nga Tanush Topia; në krahun e djathtë vepronte formacioni tjetër i drejtuar nga gjenerali famoz Moisi Golemi, i mbiquajtur shpesh herë edhe Moisiu i Dibrës, ndërsa në mes vepronte fuqia e përbërë nga kalorës, shigjetarë, mburojtarë, heshtëtarë, e komanduar nga vetë Skënderbeu. Në mburojë të Tij, për ta mbrojtur nga afër, si dhe për të vepruar si forcë shpërthyese në rast rrethimi, ishte Reparti Special nën komandën e Ajdin Muzakës. Sikurse mund të merret me mend, Kryekomandanti do të ishte në mes të formacionit më të përzgjedhur dhe më të aftë, jo vetëm për të plotësuar detyrën luftarake të zakonëshme, por sidomos për të realizuar misionin e mirëfilltë, si Roje Personale e Kryekomandantit, i cili njëherësh ishte edhe përfaqësuesi nr. një i shtetit.
   Një truproje të tillë personale Skënderbeu nuk do ta ndante asnjëherë nga vetja në gjithë betejat që ai ideoi, pregatiti dhe komandoi e drejtoi. Më 23 korrik 1448, u informua se një ushtri e madhe otomane nën komandën e Mustafa Pashës, një nga komanduesit më të aftë të Ushtrisë Turke, kishte arritur në kufijtë arbërorë nga drejtimi i Maqedonisë. Si strateg ushtarak vlerësoi drejt situatën, duke konkluduar se, është më e lehtë ta rrethosh e ta mbash në gjëndje të tillë një kështjellë, sesa të synosh për të fituar një lavdi të vështirë e të kushtueshme, duke u përgjakur fyta-fyt me një ushtri më të madhe në numër. Mbi bazën e këtij arsyetimi, Skënderbeu do ta linte të rrethuar Danjën me forca të mjafta dhe nën komandën e një gjenerali të zot sikurse ishte i nipi, Hamzai, ndërsa vetë u nis drejtim kufijve lindorë për të zhvilluar betejën e re që e priste. Këtë vendim të zgjuar e të argumentuar, do ta zbatonte duke marrë masa të rrepta edhe për të ruajtur veten dhe kapedanët e tjerë. Për këtë qëllim do të zgjidhte nga i gjithë efektivi ata, të cilët kishin patur më tepër merita në luftimet e mëparëshme, si dhe ata që përbënin thelbin e forcës fizike të gjithë luftëtarëve, që kishte në dispozicion. Kuptohet, që një veprim i tillë do të ndikonte drejtpërsëdrejti në rezultatin e betejës, si dhe do të përbënte garanci të besueshme e të mjaftueshme për garantimin e jetës së Tij. Beteja u zhvillua në Oranik në mes të muajit gusht.
   Por Skënderbeu, si ushtarak i mirëfilltë që ishte, për të realizuar suksesin edhe në këtë betejë, llogariti saktësisht forcat si në aspektin e resurseve (burimeve) njerëzore dhe materiale, por sidomos në atë të frymës moralo-luftarake. Gjatë zhvillimit të betejës, si gjithnjë i prirur nga ideja se, më parë duhet prerë koka pasi pastaj bije me lehtësi edhe trupi, vendosi që vëmëndjen kryesore të veprimit luftarak ta përqëndronte në rajonin ku ishte vendosur çadra e Prijësit Otoman. Por njëherësh, Ai ishte realist në planizimin dhe veprimin konkret të organizimit të rendimit luftarak të kundërshtarit, por para së gjithash si ushtarak i kompletuar me çka e ka të nevojëshme një i tillë, urdhëroi dhe mori masa të plota, që forcat më të specializuara e më të përkushtuara t’i angazhonte pikërisht këtu. Ai ishte krejt i bindur se çadra dhe vendi i qëndrimit të Prijësit turk, sigurohej me mjaft forca, të cilat arrinin në shtatë mijë. Por para së gjithash kjo forcë përbëhej prej elitës së ushtrisë turke, dhe mjaft e aftë profesionalisht, por sidomos krejt e përkushtuar deri në vetësakrifikim për të përmbushur detyrën. Është fjala për atë forcë ushtarake të përbërë prej jeniçerëve, të cilët në vazhdimësi kanë rezultuar “... shumë më luftëtarë se të tjerët...”.
   Edhe kjo betejë përfundoi me triumfin e arbërorëve duke u shkaktuar humbje të rënda osmanëve. Ky fakt do të ndikonte që Skënderbeu këtë betejë ta epitetonte si më të bukurën dhe më të përkrahurën nga Perënditë për epirotët. Për ta rraskapitur edhe moralisht ushtrinë osmane, Skënderbeu e hipi komandantin turk, Mustafa Pashën, mbi një kalë plak të rrëngjuar, dhe në prezencë të robërve osmanë, ai do të kalonte midis luftëtarëve triumfatorë epirotë. Këtë rrënim moral Ai ia rezervoi kundërshtarit jo se e kish zakon t’i fyente ata, sidomos kur ishin të mposhtur, por sepse Mustafa Pasha kishte kaluar pabesisht nga shqiptarët në anën e osmanëve i ushqyer nga lakmia për lavdi të pamerituar, dhe për më tepër, ai kishte synuar të rrënonte edhe kohortën (Gardën Pretoriane S.R) të Skënderbeut.
   Nga hulumtimet rezulton shpesh herë, se ishte Garda Pretoriane ajo, që mundësonte ruajtjen fizike të Prijësit Arbëror, por edhe të oficerëve të tjerë madhorë sipas nivelit hierarkik. Vetëm gjatë zhvillimit të Betejës së Beratit (13 qershor 1455 S.R), do të ekspozohen disa herë veprime me karakter thjesht për ruajtjen e Kryekomandantit. Historia e shkruar dhe e përcjellë deri në ditët e sotme prej disa burimeve, pohon se në këtë betejë Skënderbeu do të sulmonte në drejtimin ku ndodhej komandanti turk. Ishte ky një veprim i parapëlqyer gati në të gjitha veprimet luftarake, sepse si strateg ushtarak e dinte shumë mirë, se po të neutralizohej komandanti dhe shtabi i tij komandues, forcat ushtarake do të shkoqeshin dhe do të përfshiheshin nga paniku dhe pasiguria, sikurse ndodh në këto situata. Veprimet e Gardës Pretoriane për të ruajtur e siguruar Skënderbeun janë tepër të dukëshme në këtë betejë. Kështu, kur Ai u gjend i rrethuar tërësisht nga forcat  kundërshtare, hyri në veprim rrufeshëm Garda, e cila siguronte ruajtjen e afërt të Tij në formë mbrojtjeje rrethore. Nën drejtimin me kompetencë profesionale dhe të zgjuar të Ajdin Muzakës, gardistët, le të shprehemi kështu, mundën të zmbrapsin turmën osmane dhe të shpëtojnë jetën e Kryekomandantit nga një rrezik imediat dhe real.
   Prijësi i arbërve e njihte shumë mirë mentalitetin në përgjithësi të arbëreshëve, por njihte po aqë mirë psikologjinë dhe mentalitetin edhe sipas krahinave të ndryshme. Është fakt i njohur historik që, Atij në asnjë rast nuk i është refuzuar dhe as që i ka munguar ndihma e krerëve të krahinave apo principatave të ndryshme. Populli shqiptar, sidomos në momentet e rrezikut eminent, i ka dalë zot vatanit, duke hedhur pas krahësh edhe ndonjë mosmarrëveshje apo qejfmbetje. Gjatë Betejës së Beratit, për shkaqe subjektive të vetë arbërorëve, kundërshtari osman pati sukses. Por pikërisht në këtë moment të tensionuar, kur rrezku ishte prezent, Prijësit e krahinave të ndryshme patën mençurinë dhe atdhetarizmin e duhur, që të vetëorganizohen. Kështu dy vëllezërit Dhimitër e Nikolla Berisha nga  familja e lashtë e Berishajve, ndihmën e së cilës Skënderbeu e kishte patur të pranishme dhe të përherëshme, kur mësuan për fatkeqësinë e ushtrisë shqiptare, dhe sidomos për pabesinë dhe rrebelimin e Moisiut, u organizuan dhe zunë pozicionin kryesor të Mbretërisë pikërisht tek Roja dhe Kryeporta e saj, duke inkurajuar me këtë akt të lartë trimëror e fisnik forcat e Gardës Pretoriane në roje të kështjellës. Por si këta dy trima, kanë vepruar shumë të tjerë në raste të shumta.
   Krejt natyrshëm, edhe në këtë betejë, Skënderbeu do t’u ishte mirënjohës luftëtarëve të tij, përfshi edhe dy të sipërpërmendurve, të cilët si zakonisht i përgëzoi për veprimin trimëror e atdhetar që kryenë, u dha shpërblimet e rastit, u premtoi liri, paqe e pasuri në të ardhmen. Këto veprime nxitëse dhe mobilizuese do të jenë të pranishme në të gjithë karrierën e tij si luftëtar dhe prijës.
   Gardën Pretoriane, si pjesë të strukturës së FA-ve, Skënderbeu do ta përdorte me efektivitet dhe brenda kuadrit të misionit të saj, edhe gjatë veprimeve luftarake jashtë kufijve territorialë të shtetit të tij. Për shkak të aleancave që Ai kishte me fqinjët e përtej detit, Ai mori pjesë në Betejën e Apulit në Itali. Ishte një betejë detare, prandaj organizimi dhe shpërndarja e mjeteve detare do të bëhej sipas parimit të zhvillimit të luftës në det. Midis mjeteve detare do të jetë edhe “Anija Pretoriane”, e cila ishte e pajisur me mjete sinjalizimi e bashkëveprimi specifike nga mjetet e tjera detare. Vetë Kryekomandanti qëndronte, komandonte dhe drejtonte pikërisht nga kjo anije. Për ruajtjen dhe sigurimin e Anijes Pretoriane do të planizonin dhe kryenin veprime luftarake mjetet e tjera detare, të organizuara në formacion luftimi dhe të komanduara nga ushtarakë në zë si Gjon Muzaka, Andrea Zaharia, Moisi Golemi, dhe të tjerë.
   Skënderbeu si strateg ushtarak, midis të tjerave, dallohej edhe nga veçoria e të qënurit krijues në organizimin, drejtimin dhe analizën e veprimeve luftarake. Midis 25 betejave që Ai pregatiti, drejtoi dhe komandoi, ka veçori dalluese thelbësore të ndryshme. Por kjo cilësi shfaqet edhe në mënyrën e përdorimit të Gardës Pretoriane. Gjatë zhvillimit të Betejës së Medaçit (qershor-korrik 1465 S.R), i ndodhur përballë një kapedani të aftë e trim me origjinë shqiptare, Ballban Baderës, (Pasha), Ai do të përllogariste gjithëçka me shumë seriozitet dhe përgjegjësi. Në këtë kuadër, forcat që dispononte i ndau në katër pjesë, duke vënë në krye të tyre kapedanët më të zotë dhe më besnikë si: Goiko Stresi, nip prej motre; Tanush Dukagjini, dhe të përherëshmin Ajdin Muzaka. Me interes është të pohojmë, se pjesën e katërt e mbajti si kohortë për vehte. Zhvillimi i luftimeve do të tregojë se, masat e planizuara dhe të zbatuara ishin krejt të domosdoshme dhe efektive. Veçanërisht trupa e mbajtur si kohortë (truproje personale S.R) do të rezultonte shumë e domosdoshme dhe po aqë e dobishme, sidomos në këtë betejë. Gati gjithë historishkruesit dhe analistët e Skënderbeut, e pohojnë se në këtë betejë atij iu plagos kali, dhe bashkë me atë u rrëzua edhe Kryekomandanti, i cili u plagos rëndë në krah pas një përplasjeje me një trung peme. Natyrisht osmanët këtë moment e gjykuan si më të pështatëshmin për të larë hesapet një herë e mirë me komandantin arnaut, me “jezitin”, sikurse e quajnë ata, prandaj u grumbulluan në numër të madh me synimin, që sejcili të vepronte me gjithëçka për të fituar më vonë urimet dhe shpërblimet e majme. Ky është momenti kur kryekomandanti shqiptar ka qënë më i rrezikuar se çdo herë tjetër. Por njëherësh, po këtu do të spikatë në mënyrë specifike edhe përmbushja e misionit me profesionalizëm, me besë dhe dinjitet nga efektivi i Gardës Pretoriane. Ata do të vërsuleshin me tërbim, si një trup i vetëm duke rrezikuar jetën e tyre, mjafton që jeta e kryekomandantit të mos cënohej. Është i njohur fakti, që osmanët u shpartalluan tërësisht, dhe Skënderbeu do të gjente edhe një herë rastin e mirë të falënderonte me mirënjohje të ndjerë të gjitha forcat e tij ushtarake, e sidomos Gardën Pretoriane.
   Skënderbeut do t’i duhej të përballej me gjeneralët më në zë, që kishte Perandoria Osmane. Në Betejën e Vajkalit (prill 1465 S.R), në palën kundërshtare do të komandonin dy gjeneralë me origjinë shqiptare, Ballaban Badera (Pasha) dhe Jakup Arnauti. Duke bërë analizën e elementëve për palët ndërluftuese, do të gjykonte që forcat t’i ndante në katër pjesë, dhe të vinte në krye komandantët më të aftë si, Tanush Topia, Zaharia Gropa dhe Pejko Emanueli . Kushtet ishin të tilla që i impononin të mbante vetë një pjesë të forcave të ushtrisë dhe të Gardës së vet.   Zhvillimi i veprimeve luftarake në këtë betejë, e cila njihet si nga më të përgjakshmet, do të evidentonin vendosmërinë dhe këmbënguljen e të gjithë forcave pjesëmarrëse, e sidomos të efektivit të Gardës Pretoriane.
   Këtë Repart Special, Skënderbeu do ta përdorte edhe në veprime të tjera të mirëfillta si Truproje Personale. Pas përfundimit me sukses të plotë të Betejës së Sfetigradit, pasi pati kryer të gjitha veprimet etike, të cilat forconin moralin e pjesëmarrësve në betejë, u nis me 200 burra nga të Gardës Pretoriane, si një trupë shoqërimi, në rrugëkalimin nga Sfetigradi në drejtim të kufijve lindorë, me mision: të vëzhgonte përqëndrimet dhe veprimet e forcave kundërshtare, për të grumbulluar të dhëna, si dhe për të bërë analizën e tyre, me objekt që, të gjykonte dhe çmonte realisht gjendjen e kundërshtarit.
   Kundër Skënderbeut dhe Gardës Pretoriane, në rrugën e gjatë të qëndresës, nuk i kanë munguar edhe veprimet e tërthorta, djallëzore e të pabesa, jo vetëm nga armiqtë por edhe nga radhët e veta. Kështu, pasi ushtria e sulltan Mehmetit, e komanduar nga Ballaban Badera (Pasha) u thye për të tretën herë, sulltani mendoi që ta thyente Kryetrimin e Arbërve edhe përmes veprimeve të pabesa. Ai infiltroi në mjediset e Skënderbeut dy ndërmjetës, të cilët zotëronin shumë mirë gjuhë të huaja. Natyrisht, që Skënderbeu, edhe pse e kishte zakon që të besonte, por me që ishte kohë lufte dhe e ngarkuar me pusira e pabesira, dha porosi që dy “miqtë” të mbaheshin nën vrojtim, pa u krijuar asnjë pengesë artificiale, që ata të mund të depërtonin deri në mjediset më të ngushta dhe intime, sikurse ishte Garda apo rrethi familjar e shoqëror. Por tradhëtia zakonisht i ka ditët e numëruara, dhe vetë dy “mysafirët”, me sa duket nga mania se kush do të merrte më shumë merita apo shpërblime, u grindën me njëri-tjetrin duke dekonspiruar edhe misionin e tyre djallëzor e armiqësor, si të dërguar për të eleminuar fizikisht Skënderbeun. 
   Vetëm duke iu referuar veprës madhore të Marin Barletit, mund të arrijmë në përfundimin logjik se, në strukturën e Ushtrisë së Përhershme të Skënderbeut, vend të veçantë do të zinte edhe Garda Pretoriane me mision parësor e kryesor: Ruajtjen e jetës së kryekomandantit dhe të ushtarakëve të tjerë të lartë, sipas vendit që zinin në shkallën hierarkike të ushtrisë, jo vetëm gjatë zhvillimit të veprimeve luftarake, por edhe gjatë gjithë veprimtarisë së përditëshme .

2-3.- Garda Pretoriane nën gjykimin e analistëve të huaj dhe të Fan S. Nolit
   Më vonë, pas Marin Barletit, janë mjaft historianë e analistë të huaj, të cilët ndriçojnë problemin e pranisë së formacionit të Gardës Pretoriane në Ushtrinë e Skënderbeut. Kryesisht ata janë të trevës italiane, midis të cilëve zenë vend të veçantë, por edhe janë më të besueshëm, Melkior Mikaeli (Melchior Michaeli) dhe Xhemaria Biemi (Giamaria Biemmi). Mikaeli është nga Venecia, dhe do të ketë patur mundësinë të njihet me materialet arkivore të Venecias. Njëherësh ai njeh shumë mirë veprën e Marin Barletit për Skënderbeun. Mbi bazën e këtyre dokumentave, ai gjykon dhe arrin në përfundimin se, në ushtrinë e Skënderbeut në vijimësi ka qënë edhe një Repart Special, bërthamën e të cilit e bënte kavaleria prej gjashtëqind kalorësish. Por Mikael hedh edhe një hap të guximshëm si studjues, kur pohon se Barleti e nënvizon disa herë praninë e Gardës Pretoriane, por nuk jep spjegime të hollësishme për organizimin e saj. 
   Megjithatë, e rëndësishme, mbetet të pohojmë se, një autor i huaj, pas një studimi serioz, pas një shoshitjeje të kujdesshme të dokumentacionit të kohës, arrin në përfundimin logjik se, Skënderbeu kishte të organizuar dhe në veprim të përherëshëm një formacion, për të ruajtur dhe siguruar jetën e tij dhe të komandantëve të tjerë, të emërtuar “Garda Pretoriane”.
   Më autoritar dhe më i besueshëm si njohës dhe si shkrues i Historisë së Skënderbeut na prezantohet Biemmi, i cili në vitin 1742 dhe 1756, boton në Breshia (Brescia) librin “Historia e Gjergj Kastriotit - të quajturit Skënderbe”, ose “Istoria di Giorgio Castrioti, detto: Scanderbegh”. Ai pretendon se, për botimin e “Historisë së Skënderbeut”, ka patur si bazë një material të titulluar, “Historia e Skënderbeut, e botuar prej një shqiptari”, ose “Historia Scanderbeghi, edita per cuendam Albanesem”, e shtypur në Venedik më 2 prill 1450, e shkruar në italisht prej një shqiptari, i cili në historiografinë shqiptare ka zënë vënd me emrin anonim “Tivarasi”. Vetë ky “Tivarasi”, pohon apo shprehet, se këtë histori e ka shkruar vetëm dymbëdhjetë vjet e tre muaj pas vdekjes së Skënderbeut. Do të ishte në nderin e Historiografisë Shqiptare, që kjo vepër të disponohej, por gjithësesi mbizotëron pohimi se, kjo vepër nuk ruhet.
   Por Biemmi, ndoshta mund të jetë i pari autor krejt i besueshëm dhe autoritar, i cili shprehet për prezencën e formacionit të Gardës Mbretërore në Ushtrinë e Skënderbeut në shekullin XV. Ai pa asnjë ekuivok pohon se, “Shqiptari” që shkroi “Historinë e Skënderbeut” në vitin 1480 ishte nga Tivari, dhe se e shkroi këtë bazuar në raportet që i jepte i vëllai i tij, i cili ishte oficer në Gardën Mbretërore . “...ky shqiptari ishte nga Tivari dhe e shkroi Historinë e Skënderbeut pas raporteve që i jepte i vëllai, i cili ishte oficer në Gardën Mbretnore...”. 
   Biemmi e pohon disa herë praninë e Gardës Pretoriane, vendin që ajo zinte dhe rolin që luante. Duke iu referuar zhvillimit të Betejës së Torviollit, të cilën e kemi cituar më lart, ai pranon se, Skënderbeu bashkë me Ajdin Muzakën ishin të siguruar nga një batalion këmbsorie të përbërë kryesisht nga kruetanë. Autori hedh hapa më tej, kur pohon se, këtë përzgjedhje Prijësi i Arbërorëve e kishte bërë si një detyrim që kishte ndaj Krujës, e cila e priti me bujari, si dhe e mbështeti me gjithëçka. Por ai nënvizon se, këtë batalion do ta përdorte si Roje Personale, pasi koha ishte e mbushur me rreziqe, dhe marrja e masave kundër tyre ishte sa emergjente aqë edhe domosdoshmëri e vijueshme.  
   Fan S. Noli, në vlerësim të veprës së Biemmit, sqaron edhe si më poshtë. Po të mbajmë parasysh që kjo histori është shkruar vetëm 12 vjet e tre muaj pas vdekjes së Skënderbeut, duhet të pranojmë që është shumë më pranë së vërtetës, sepse, memoria e popullit, por sidomos e një krijuesi, i cili disponon raporte nga i vëllai, i cili, nga ana e vet, ishte pjesëmarrës dhe dëshmitar okular në Gardën Pretoriane të Skënderbeut, duhet të rezultojnë konkrete përsa i përket formësimit të ngjarjeve edhe episodeve.
   Nga hulumtimi i veprës së shkruar prej Biemmit, mësojmë se Tivarasi, autori shqiptar i historisë së parë për Kryetrimin Arbër, rezulton të jetë tepër i sinqertë, pra edhe i besueshëm, për ato që na ve në dispozicion. Ai pohon se të dhënat për veprimtarinë ushtarake të Skënderbeut në ekspeditën në ndihmë të Ferdinandit të Napolit në vitet 1460 -1462, mund të ketë ndonjë shmangie nga të vërtetat, sepse i vëllai i tij oficer në Gardën Mbretnore, për shkaqe shëndetsore nuk ka qënë i pranishëm në Itali. “Tivarasi i Biemmit është shumë lakonik: i vëllai i tij, oficer në Batalionin e Gardës, nuk e shoqëroi Skënderbeun në ekspeditën italiane....”.  
   Në trajtimin e këtij problemi, mjaft autoritar dhe i besueshëm mbetet Fan S. Noli, i cili dy herë (në vitin 1921 dhe 1949 S.R), botoi “Historinë e Skënderbeut”. Pas një pune studimore serioze, duke iu referuar mjaft historishkruesve dhe analistëve për Skënderbeun, si dhe duke shfletuar, studjuar e nënvizuar mjaft literaturë bashkëkohore, do të arrijë në përfundimin se, Skënderbeu, që në fillimet e karrierës si Kryekomandant i FA-ve të Arbërisë, krijoi një trupë të zgjedhur të quajtur “Garda Pretoriane”. Për krijimin jo vetëm të një ushtrie të rregullt e të përherëshme, vlerat e së cilës Skënderbeu si strateg ushtarak i mirëfilltë i dinte fare mirë, por sidomos të një bërthame të përzgjedhur, e gatëshme të sakrifikonte gjithëçka dhe kurdoherë në rradhë të parë për ruajtjen e drejtuesve, princërve dhe kapedanëve, e pastaj edhe si një forcë ushtarake, Ai mbajti parasysh edhe përvojën turke. Një trupë të tillë të përbërë prej jeniçerëve, e pati themeluar sulltan Orhani, vlerat e saj në çdo fitore janë të evidentuara dhe të vlerësueshme. Prandaj Skënderbeu këtë sistem organizimi me vlera, e integroi edhe në Shqipëri, duke formësuar një trupë të zgjedhur prej nja tremijë vetash, të cilët për nga disiplina, trimëria dhe besnikëria ishin të matshëm vetëm me vetveten. Këtë efektiv ai e njihte shumë mirë edhe me emra; kishte krijuar me ata marrëdhënie besimi reciproke; i trajtonte më shumë si shokë se sa si luftëtarë; kalonte mjaft kohë të përbashkët me ata, përfshi edhe drekimin në një tryezë të përbashkët apo edhe servirien e pijes me gotën e vet. Ky formacion ishte plotësisht i organizuar dhe i epitetuar krejt qartë “Gardë Pretoriane“.  M. Mikaeli këtë fakt e evidenton që në Betejën e Torviollit (29 qershor 1444 S.R), por nuk jep ndonjë informacion shkoqitës për organizimin e saj. Megjithatë ai nënvizon faktin se, pjesa e kalorisë së Gardës përbëhej nga një batalion i veçantë prej 600 krutanësh të zgjedhur me shumë kujdes. Këtë strukturë Skënderbeu e kishte në vëmëndje të veçantë duke u kujdesur për ushqimin, veshjen dhe pagesën e tyre. Për më tej jep informacion At Dhimitër Frangu, i cili evidenton një listë të gjatë të shpërblimeve që i sillnin Skënderbeut besnikët e tij si dhuratë për Gardën Pretoriane.      
   Vlerësimin që i bënte ai këtij formacioni dhe aktivitetin praktik të tij, Noli do ta evidentojë disa herë, duke bërë kujdes që ta bëjë sa më të besueshme përmes argumentave që na ve në dispozicion. Praninë e këtij Reparti Special ai do ta pohojë disa herë. Kështu psh. nga Beteja e Nishit më 1443, Skënderbeu do të nisej drejt atdheut të tij nën shoqërinë e 300 matjanëve. Pra, as më shumë dhe as më pak, por evidentohet ideja e domosdoshmërisë së një bërthame ushtarake, të gatëshme të bëjë sakrificën supreme, por edhe të besueshme krejtësisht. Këtë mendim autori e përforcon, kur nënvizon se Skënderbeu në vijimësi, pas përfundimit të çdo beteje, i shpërndante vullnetarët, por gjithësesi, pasi t’i kishte shpërblyer për kontributin e dhënë; sistemonte forcat e tjera nëpër fortesa, ndërsa një pjesë e mbante kurdoherë në gjëndje gadishmërie të përherëshme. Këtyre ushtarëve kryekomandanti ua dinte emrat, u njihte trimëritë dhe bëmat, u vlerësonte sakrificat, u rriste moralin dhe dinjitetin, duke ngrënë shpesh herë në një tryezë me ata, ndërsa atyre që kishin shfaqur trimëri të veçantë, u jepte të pinin me gotën e tij, pa dallim shkalle dhe ofiqi.  
   Më tej Noli pasqyron pjesëmarrjen e Gardës Pretoriane në beteja të ndryshme, si dhe evidenton rolin e saj në ‘to, i cili në ndonjë rast ka qënë vendimtar për rrjedhën e betejës dhe për vetë fatin e jetës së kryekomandantit dhe të kapedanëve të tjerë. Në argumentim të mendimit të mësipërm, le të pasqyrojmë disa theksime. Përpos, sa na jep Marin Barleti për Betejën e Torviollit, autori do të evidentojë rolin e saj të drejtpërdrejtë në funksion të misionit të mirëfilltë. Kështu, shënjën e fillimit të betejës e japin trumbetat e Gardës, çka do të thotë se, Skënderbeu komandonte i ndodhur në mes të këtij efektivi. Po ashtu, në momentin kur kryekomandanti rrezikohej nga osmanët e panumurt, Garda me Ajdin Muzakën në krye, e motivuar atdhetarisht thellësisht pozitivisht, do të vërsulej mbi qëndrën e formacionit turk për ta tronditur dhe shpartalluar atë. Pra, efektivi i Gardës në këtë rast, jo vetëm që siguron jetën e Prijësit Arbëror, por është përcaktuese e suksesit të luftimit.
   Beteja e Torviollit, edhe sipas Nolit, mbetet nga më të ashprat, ku humbjet por edhe lavdia dhe humanizmi ishin të pashoqe. Si zakonisht, spikatën edhe këtu cilësitë si strateg ushtarak të  Skënderbeut, por edhe të oficerëve dhe ushtarëve të tjerë. Është me rëndësi të theksojmë se, komandanti i Gardës Pretoriane, Ajdin Muzaka, u çmua dhe vlerësua mjaft pozitivisht përsa i përket profesionalizmit ushtarak, trimërisë dhe heroizmit që shpalosi, menjëherë pas Skënderbeut. Pas atij u kualifikuan si heronj të betejës: Vrana Konti, Moisiu i Dibrës, Tanush Thopia. Por populli, i cili e përjetoi, me emocione të thella ngjarjen nga afër, nuk la pa evidentuar trimërinë e Hamza Kastriotit, nipit tjetër të Skënderbeut, Muzhaqi i Angjelinës, pastaj edhe të Pjetër Emanuelit, Gjon Muzhaqit dhe Zaharia Gropa. Gjithashtu pati edhe mjaft oficerë të tjerë që u dalluan.  
   E njëjta ide del në pah edhe në zhvillimin e Betejës së Mokrenës (10 tetor 1445 S.R), kur në pamundësi që të futej në veprim luftarak ushtria, do të vihej në luftim formacioni i Gardës Pretoriane i përbërë prej 3500 vetësh nga të cilët 2000 ishin kalorës.  
   Më 23 korrik 1448 trojet e arbërve u sulmuan prej venecianëve. Shkak për këtë u shfrytëzua vdekja e Lek Zaharisë, zotërimet e të cilit në këtë kohë mbetën pa trashëgimtar. Në këtë betejë Skënderbeu, në krye të Gardës Pretoriane, do të vendosej në krahun e majtë të rendimit luftarak, një veprim ky i parapëlqyer prej tij, pasi aty ndodhej komandanti kundërshtar, Daniel Juriç.
   Të tilla fakte ka mjaft. Ato gati i hasim gjatë gjithë harkut kohor në të gjitha betejat ku drejtoi e komandoi Skënderbeu, prandaj edhe nuk është e nevojshme të serviren për ilustrim apo për argumentim.
   Por Garda Pretoriane, si formacion elitë i FA-ve të Skënderbeut, edhe luftëtarët e thjeshtë i kishte nga rradhët e shtetasve më besnikë, më trima dhe më të gatshëm të investonin në detyrë, qoftë edhe kur lypsej vetësakrifikimi. Historishkruesit e Skënderbeut veçojnë njërën nga betejat, atë të Torviollit, kur ushtarët e Gardës Pretoriane për nga besnikëria, mjeshtria dhe shpirti i sakrificës, u rradhitën me dinjitet krahas komandantëve të tjerë. Më shumë ranë në sy veprimet e vendosura dhe këmbëngulëse të tre ushtarëve të Gardës, të cilët shpalosën trimëri cilësisht të dallueshme e të dukëshme nga të tjerët. Kontributi i tyre u vlerësua dhe u çmua, si pjesë e rëndësishme e lavdisë së fitores, jo vetëm nga bashkëluftëtarët dhe komandantët e tyre, por edhe nga populli. Sipas zakonit të një komandanti të shquar, i cili di të prekë atje ku duhet, Skënderbeu, jo vetëm që i ngarkoi me dhurata, por sidomos “karrocoi” gjëndjen e tyre morale, kur në darkën e kremtimit të fitores u dha atyre të pinin me gotën e vet . Natyrisht ky është një nder i veçantë, sidomos sepse u bë në praninë e efektivit gardist, i cili, natyrisht, i entusiazmuar, duartrokiste dhe brohoriste për shokët e tyre trima.  
   Por krejt interesant mbetet edhe fakti, që Garda Pretoriane e ka patur mjaft të qartë dhe të plotë misionin e vet. Përveç detyrës thelbësore: atë të ruajtjes së kryekomandantit dhe të kapedanëve të tjerë, si dhe të angazhimit në detyra të mirëfillta luftarake atje ku nevoja qe emergjente dhe rreziku më i madh, ajo kryente edhe detyrën e ruajtjes e të shoqërimit të personaliteteve të huaja, që vinin në vendin e të parëve tanë me detyra të ndryshme, apo edhe të personave diplomatë, që Skënderbeu dërgonte me mision jashtë vendit. Janë disa rastet, por po i referohemi vetëm njerit prej tyre, i cili është krejt i qartë dhe evident për problemin që diskutojmë. Në fillim të vitit 1446, vetëm dy vjet pasi Skënderbeu pati ardhur në Mëmëdheun e vet, një komision i përbërë prej peshkopëve të Tivarit, Durrësit dhe disa përfaqësues të tjerë, u ngarkua me detyrë që të shkonte në Durrës për t’u bërë nderimet protokollare të merituara ambasadorit të Papës dhe të mbretit Alfons të Napolit. Në rrugëkalimin për në Durrës dhe kthim në Krujë, ata u shoqëruan nga një Eskortë Kavalerie, e cila kishte marrë detyrë që të siguronte dhe garantonte me çdo kusht dhe me çdo sakrificë jetën e diplomatëve, që vinin për të përshëndetur Skënderbeun, i cili në këtë kohë ishte epitetuar, krejt me meritë natyrisht, “Ylli i Ri i Krishtërimit Evropian”.  
   Në vitin 1452 ballafaqohemi me një moment, përmes të cilit gjykohet se Garda Pretoriane të ketë kryer një detyrë krejt specifike. Skënderbeu prej disa kohësh ndiqte punimet për ndërtimin e Kalasë së Rodonit në bregdetin Adriatik, në afërsi të Gjiut të Lalëzit, për ta patur atë një objekt strehimi në rast të një invanzioni të turqve në atë territor. Por një njeri krejt i panjohur e informon se, i ishte kurdisur një kurth për ta vrarë në malet e Krrabës, dhe për këtë shkak duhej të merreshin masat përkatëse. Me ndjesinë e një strategu ushtarak, e vlerësoi këtë të dhënë, prandaj këtë detyrë ia besoi strukturës së Gardës Pretoriane. Ai dërgoi kapedan Balshën, oficer në Gardën Pretoriane, i cili me një ekip specialistësh, pasi kontrolloi vendin (e krehu territorin me kujdes, thuhet në gjuhën ushtarake S.R), zbuloi tetë veta të armatosur të fshehur në një shpellë. Meqënëse këta nuk u dorëzuan, përkundrazi u vërsulën që të çanin rrethimin me dhunë, pesë prej tyre u vranë, ndërsa tre të tjerët u zunë rob. Me interes është të pohojmë se, informacioni i marrë ishte krejt real. Ata ishin të dërguar nga sulltani turk me mision special për të eleminuar fizikisht Skënderbeun; për më tepër, kishin patur edhe udhërrëfyes dy shqiptarë, të cilët ishin vënë në shërbim të armikut po nga kapedanë shqiptarë.  

2-4. - Garda Pretoriane - Repart Elitë i Ushtrisë së Skënderbeut.
   Argumentet e mësipërme, gjithësesi na ftojnë të pranojmë tezën, se fillesat e Gardës në kuptimin teorik por edhe në veprimtarinë praktike të saj, mund të kërkohen që në Shek. XV. Është i pohuar dhe i pranuar fakti, që Skënderbeu kishte një ushtri të organizuar mirë, të aftësuar po ashtu mirë, dhe të komanduar dhe drejtuar nga oficerë të zotë e të aftë profesionalisht. Në sistemin e drejtimit të FA-ve të Skënderbeut, Garda Pretoriane ze vend në pjesën e sipërme të piramidës së drejtimit dhe të komandimit. Kështu, fill pas kryekomandantit, i cili njëherësh ishte edhe kryetar i Këshillit të Luftës, vinte i ngarkuari i arkës për shpenzimet e luftës; i ngarkuari për informacionin; komandantët e Grupeve të Këmbsorisë dhe të Artilerisë, dhe menjëherë pas tyre, do të ndodhej komandanti i Gardës Pretoriane.
   Është rasti të nënvizojmë se, ky komandant kishte në vartësi reparte dhe nënreparte speciale, privilegj që nuk e gëzonin Komandat e Grupeve të Këmbsorisë e të Artilerisë. Në këtë kuptim, mund të pranojmë se, Garda Pretoriane ishte Repart Parësor, si mund të shprehemi, ishte Elita e Forcave të tjera Ushtarake. Këtë përfundim ne mund ta nxjerrim, po të vlerësojmë dhe të çmojmë faktin, që efektivi i këtij Reparti Special ishte i përzgjedhur me kujdes; gjykimi për ata bëhej mbi bazën e disa parametrave konkretë të domosdoshëm si: intelekti i domosdoshëm, aftësia fizike, cilësitë e karakterit (besa, qëndrueshmëria, sakrificat, këmbëngulja, e të tjera). Ky efektiv përdorej sidomos kur nevoja ishte më se e domosdoshme dhe emergjente. Gardën Pretoriane, Skënderbeu do ta konceptonte si bërthamën më të aftë, më të përkushtuar dhe më të denjë të gjithë strukturës ushtarake. Ai në përgjithësi e trajtonte dhe e vlerësonte ashtu sikurse ajo e meritonte, i çmonte misionin, i vlerësonte sakrificat, i shpërblente mundin, e të tjera si këto.
   Në krye të Gardës Pretoriane, Skënderbeu zakonisht ka vënë kuadrot më të aftë, por edhe më të besueshëm. Më së shumti rolin e komandantit të kësaj Force Speciale e ka kryer Ajdin Muzaka, një nga gjeneralët më në zë të Skënderbeut, por njëherësh edhe një nga më të besuarit dhe më me reputacion midis luftëtarëve, çka edhe shërbente si shëmbëll mobilizimi dhe vetmohimi.

   Edhe pse nocionin “Gardë“ e gjejmë shpesh herë që në Shek.XV, gjykuar që këto emërtime në mungesë të dokumentave autentike, mund të kenë edhe karakter subjektiv si dhe të jenë të mbingarkuara me qëndrime emocionale të nxitura nga ndjenja nacionale, por edhe nga fakti që kjo forcë përdorej pothuajse rëndom në të gjitha veprimet luftarake dhe jo vetëm në funksion të përmbushjes së misionit të mirëfilltë: si Roje Personale, mund të arrijmë në përfundimin që, edhe pse këto elementë i gjejmë mjaft qartë që në Shek. XV, nuk mund të pretendohet që “rrënjët“ e Gardës të kërkohen në këtë periudhë, dhe për më tepër të pretendohet që data e Krijimit të Gardës së Republikës t’i përkasë kësaj periudhe të largët.
   Vdekja e  Prijësit të Arbërve, Skënderbeut, u pasua nga një periudhë historike e rëndë për popullin e Arbërisë. Ai u detyrua t’i nënështrohej sundimit të egër mesjetar osman, një sundim, i cili, për fat të kleq, do të vijonte deri në dhjetëvjeçarin e parë të Shek. XX. Kështu që, zhvillimi i vendit në përgjithësi, do të kushtëzonte edhe organizimin dhe veprimin e strukturave shtetare, ekonomike, sociale, ushtarake, e të tjera.
   Shekulli XV-të bën pjesë ndër periudhat më të lavdishme të historisë së popullit shqiptar. Ndër elementët, me të cilët ai lë gjurmë të pashlyeshme janë edhe prania e FA-ve në nivele bashkëkohore, ndërsa për nga predispozicioni dhe përkushtimi, do të jenë në nivele të lakmueshme edhe nga vendet me traditë në këtë fushë. Elitën e këtyre forcave padyshim që e bënte efektivi i Gardës Pretoriane, një krenari e ligjshme dhe obligim moral për pasardhësit e tyre në të gjithë kohërat, që do të pasojnë.
Përgatiti:
Safet N. Ramolli

Tiranë, Janar 2018

No comments: