Në Nju-Ingland, ku banoj, përmenden një numër i madh
poetësh amerikanë që kanë lindur ose banuar këtu e
që janë bërë të famshëm në letërsinë amerikane, si:
poetja Emili Dikenson (1830-1886), poetët Robert Frost
(1874-
1963), Henri Longfellou (1807-1882), Fillis Uitli
(1753-1784),
Viliam Brajant (1794-1878), Xhon Grinlif (1807-1892), Ralph
Waldo Emerson (18003-82), Edgar Allan Poe (1809-1849) që
cilësohet autori më popullor i Amerikës, Edvin Arlington
Robinson (1869-1935), Emi Lovell (1874-1925), Edna St.
Vincent Millaj (1892-1950), E.E.Kamings (1894-1962),
Elisabeth Bishop (1911-1979) dhe një numër i pambarim
poetësh që janë gjallë edhe sot, poezitë e të cilëve janë
përfshirë
në antologji voluminoze që mbushin bibliotekat.
Emili Dikenson (1830-1886) ka lindur në Amherest të
Massachusettsit. Ajo është e përmendur për jetën e saj të
vetmuar: përveç kohës së studimeve në shkollë, shumë rrallë
u
largua nga shtëpia. Jetonte vetëm me prindërit e saj dhe me
një motër të vogël. Njëzet vjetët e fundit të jetës nuk doli
as te
pragu i derës. Ajo vishej me rroba të bardha, besonte
shpirtërisht në botën e përtejme dhe i pëlqente ta kalonte
ditën
në bahçe, mes barit dhe drurëve, ku edhe shkruante poezitë,
me një stil origjinal e të papërsëritshëm. Kur vdiq, i
gjetën 1775
poezi, nga të cilat në gjallje i ishin botuar vetëm 7, por
anonime.
Poezitë e saj, me nota të theksuara romantike e melankolike,
të një shpirti që fërgëllon në vetmi, e befasojnë lexuesin
me
mesazhet largpamëse për jetën, të cilën ajo e njeh aq mirë,
megjithse pa lëvizur nga pragu i shtëpisë. Sa më shumë t’i
lexosh vargjet saj të thyera, me fjalë të kursyera, aq më
thellë
tërhiqesh prej shprehjeve të figurshme e me ngarkesa
emocionale. Me poezitë e saj Emilia ndërtoi botën e saj,
meditimin e qetë e vetjak, me imagjinatën e saj krijoi një
botë
pasionante. Me tri botimet e veprave të saj pas vdekjes, mes
viteve 1890 dhe 1896, ajo fitoi vlerësimin që i mungonte në
gjallje.Ndërsa botimi i veprave me 1914 e bëri të njohur si
poete
e formuar dhe e rëndësishme, që ndikoi me stilin e saj mbi
poezitë
radikale të fillimit të shekullit të kaluar. Idetë e saj
ishin të
mprehta, rebele dhe origjinale, me një stil që e dallon nga
të
tjerët, duke u bërë i pakrahasueshëm.
Nuk e harroj, njëherë në shtëpinë - muze në Amherest pashë
një nga fustanet e bardha të Emilisë, me mëngë të fryra, i
ngushtë në bel dhe i gjerë përfundi, që ishte zverdhur pak
nga
koha. Zgjata dorën ta prekja dhe ndjeva fëshfërimën e
gjetheve
të verdha të vjeshtës në kopshtin e saj.
Robert Frost (1874-1963) ka lindur në Kaliforni, por qysh
në fëmijëri erdhi në Nju-Ingland dhe u shkollua në Harvard.
Gjatë jetës bëri punë të ndryshme, disa vjet i kaloi në
Angli, u
kthye përsëri në Nju Ingland, ku punoi në fermën e vet në
Nju- Hempsher. Kishte kohë që botonte librat e tij me poezi,
ishte një poet i sukseshëm në Angli e në Amerikë dhe mori
nofkën “poeti-fermer.” Vite më vonë e la fermën dhe u bë
pedagog në universitet. Ndër poezitë që botoi, dallohen edhe
ato me karakter humoristik e satirik. Botoi shumë libra:
“Mountain Interval”, “A Boy’s Will”, “North of Boston”, “New
Hampshire” etj. Ai fitoi katër çmime “Pultizer”. Çmimin e
katërt e fitoi për librin “A witness Tree.” Në dy dekadat e
fundit
të jetës u bë një figurë e njohur popullore dhe cilësohej si
poeti
më i mire pas Walt Witmanit.
Frosti provoi të shkruante në stile të ndryshme si:
“realizëm”, “sentimentalizëm” e “imagjinacion”. Poeti e
gjeti
frymëzimin në karakterin dhe objektet familjare të shoqërisë
së Nju- Inglandit. Ai ishte një recitues i shkëlqyer i
poezive të
tij dhe nëpërmjet leximeve kolektive vite me radhë ai fitoi
simpatinë e lexuesve për krijimtarinë e vet. (Ai ka recituar
edhe
para presidentit Kenedi.)
Kur po kthehesha nga një udhëtim nëpër Nju-Ingland,
mikja dhe pedagogja ime e kolegjit, Maurin Lynch Edison më
tha se ishim në qytetin Akton, ku Robert Frosti ka shkruar
disa
nga poezitë e tij të pavdekshme. Ne të dyja zbritëm nga
makina
e duke ecur në plisat e barit të njomë Maurini kujtoi diçka
nga
viti 1955. Ajo ishte studente në universitetin e Filadelfisë
në
kursin e poezisë dhe në një takim me Robert Frostin, poeti i
madh u kishte dhënë dorën të gjithë studentëve. Maurini, nga
gëzimi, e ruajti dorën pa lagur disa ditë… Eca më tej në
lëndinë,
këputa disa fije bari e mblodha disa lule gonxhevogla blu e
të
kaltra dhe bëra me to një tufë jo dhe aq të bukur. E
frymëzuar
nga bari jeshil mes të cilit poeti ishte shtrirë dikur pas
një
udhëtimi të gjatë (siç shkruan ai te poezia “Telefoni”,
1916), e
tërhequr nga lulet e egra gjithë aroma, të cilat ai i kishte
prekur,
thërmuar e hedhur nëpër vargje e kishte biseduar me to në
fshehtësi, rrugës kur po ktheheshim, skicova disa vargje
kushtuar Frostit. Poezinë e mbarova natën vonë dhe shpirti
më ra në qetësi.
Nuk më besohet se diku, disa kilometra pranë qytetit ku
banoj, kanë jetuar gjithë këta poetë, shumica nga më të
dëgjuarit e letërsisë amerikane. Ata janë frymëzuar nga
studimet në universitetin e Harvardit, nga natyra e bukur e
Nju- Inglandit dhe nga traditat e pilgrimeve të parë të
ardhur
në Nju-Ingland në fillim të shekullit të 17-të dhe kanë
shkruar
vargje të ndjera e tërë kolorit, vargje me mesazhe
filozofike,
me temperament, meditim e me një vizion të qartë për botën.
x x x
Përballë portit të Bostonit, në oqeanin Atlanik, qëndron
madhështor ishulli i Nahantit, i përmendur për klimën e
shëndetshme dhe plazhet me rërë të dendur e të imët, i
lakmuar
prej dekedash si vend verimi për të pasurit dhe
personalitetet
e vendit. Çdo të diel shkoj në Nahant me shoqen time Eliena,
në kishën e vjetër protestane, e tërhequr më shumë nga
natyra
e veçantë e ishullit dhe nga takimet me banorët nahantas, të
sjellshëm e zemërbardhë. Shumë nga familjet janë
trashëgimtarë të evropianëve të parë që erdhën për të banuar
në ishull në shekullin e 17-të. Më ka lënë mbresa njohja dhe
shoqërimi me një nga këta pinjollë, zonjën e moshuar Kelenta
Sears, e cila ka qenë presidente e “Nahant Historical
Society”
në vitin 1975 dhe vazhdon e sot të jetë përgjegjëse e muzeut
të
qytetit. Ajo më tregonte një ditë emrat e personave të
rëndësishëm dhe familjeve të tyre që vinin për të veruar në
plazhet e Nahantit. Midis tyre përmendi dhe emrin e poetit
Henri Longfellou. M’u kujtua në çast poezia “Skënderbeu”, që
ka shkruar Longfellou për heroin tonë kombëtar dhe Fan Noli
i nderuar e ka përkthyer në shqip me 1916, përkthim që ua ka
kushtuar emigrantëve shqiptarë bashkëkohës. Ja disa vargje:
Nga kështjella shpejt ka rënë
Flamuri me gjysmë-hënë
Edhe populli shikon
Që në vent të tij valon
Flamuri i Skënderit n’erë
Shkab’ e Zezë me dy krerë.
Dhe një thirrje lart u ngrit,
Se çdo zemër e çdo shpirt
U mërzit nga Turku i lik,
Që e bëri atë Krujë
Zi, murtaje dhe rrëmuje.
Ay zeth me gas me bujë
Q’oshëtin nga brek në brek
Është: “Rrofsh, o Skënderbeg!”
Poezia “Skënderbeu” është botuar në një nga veprat më të
dëgjuara të poetit: “Tales of a wayside Inn.”
Lindur në Portland, Maine, me 1807, Longfellou vijoi
studimet në kolegjin Bowdoin. Mbasi fitoi gradën shkencore,
u emërua profesor kolegji, bëri një udhëtim në Evropë, ku
dhe
u martua me gruan e tij të parë. Më vonë ai zuri vend në
kolegjin
e Harvardit, në Kembrixh, si pedagog dhe shkrimtar. Si poet
botoi disa libra me poezi, ndër të cilat, vëllimin e parë
“Voices
of the Night” e botoi me 1839, “Ballads and Other Poems” me
1841, “Poems on Slavery” me 1842 që u pasua nga “The
Spanish Student” me 1843. Një vëllim i rëndësishëm i botuar
me 1846 “The Belfry of Bruges and Other poems” përmban
poezi që ilustrojnë familjarizimin e poetit me kulturën
evropiane. Me 1847 ai botoi poemën e gjatë “Evangeline”, e
cila i dha një popullaritet të madh. Me këtë poemë,
nëpërmjet
përshkrimit të gjallë e të kapshëm të bukurive të natyrës
dhe
aftësise së rrëfimit, poeti dha një kontribut të çmuar për
themelimin dhe zhvillimin e epikës në letërsinë e vendit të
tij.
Ka një histori ura më e gjatë mbi lumin Carles, që lidh
Bostonin me Kembrixhin. Tek udhëtoja një ditë me një kruiz
turistik, që lundronte në Carles, guida na tha se ura e
gjatë,
poshtë së cilës po kalonim, ka marrë emrin e Longfellout,
sepse
ai shëtiste përditë mbi atë urë, ndonjëherë edhe recitonte
nën
zë, me ritmin e hapave, duke tërhequr vëmendjen e
kalimtarëve.
Përfytyrimi im atë çast fluturoi mbi urë… një hije e gjatë
burri
ecte me hapa të shpejtë buzë parmakëve të hekurt të urës,
ndërsa jehona më përplaste në veshë copëra vargjesh të
prera,
të marra nga era…
Kelenta më tregonte se aty nga mesi i shekullit të 19-të,
përveç pasanikëve amerikanë që vinin për të veruar në
Nahant,
filluan të dukeshin edhe intelektualët e profesorët e
Kembrixhit.
Henri Longfellou zakonisht vinte me dekanin e universitetit
të
Harvardit. Pasi i vdiq gruaja e parë, poeti u martua me
vajzën
e një pasaniku nga Bostoni. Megjithëse i vjehrri ishte
pasaniku
më i madh i Bostonit, nuk e ndihmoi dhëndrin të ndërtonte a
të blinte një shtëpi në Nahant, as edhe më vonë, kur familja
e
tij u bë me dy fëmijë. “Ai banonte në vilën e familjes
Xhonson,
sepse, megjithëse kishte një grua të pasur, nuk kishin të
holla
të blinin një shtëpi”, - thotë Kelenta.
Gjatë verës Longfellou shëtiste i vetmuar në bregun e
oqeanit, duke ndjekur varkat e vogla e të shpejta, që
nganjëherë
i merrte dallga e i përplaste me zhurmë pas shkëmbinjve,
shihte
i përhumbur velat e bardha të anijeve të vogla, që spikasnin
në
kontrast me blunë e thellë të oqeanit, kurse ndajnatëherave,
në verandë, bisedonin për librat e poezitë, me të zotët e
shtëpisë.
Vajza 26-vjeçare e Xhonsonit shkruante vetë poezi, kështu,
darkëherat ishin mjaft interesante me diskutime e recitime
vargjesh.
Ditën poeti notonte në oqean bashkë me djemtë e vegjël,
Carlin dhe Ernestin, i pari 6 dhe tjetri 5 vjeç. Tok me
ajrin e
kripur të ujit ata thithnin aromën velese të trëndafilave të
egër
buzë oqeanit, të cilët, nga vapa, lëshonin avuj dehës.
Longfellou
ëndërronte të kishte një shtëpizë të vetën, shtëpiza e
poetit,
buzë oqeanit, me shumë ballkone prej nga mund të shihje
lindjen dhe perëndimin e diellit, të shihje hënën, qiellin,
furtunat
dhe pamjet e pafund të horizontit, tek ndodhte çdo minutë
ndryshimi i dritës dhe kombinimi i ngjyrave e reflekseve të
oqeanit e të qiellit mbi të. Megjithatë, shtëpia e
Xhonsonëve
filloi të quhej “shtëpia e Longfellout” dhe i zoti i saj e
ndiente
veten të nderuar e kryelartë. Poeti botoi në atë kohë librin
“The
Seaside and the Fireside” (1850), me rrëfimin “Ndërtimi i
vaporit”, që është një lutje apo kërkesë e fuqishme lidhur
me
nevojën e unitetit të kombit amerikan për të përballuar
krizën
që u shfaq para luftës civile.
Kur vinte në Nahant miku i tij i ngushtë, Carli Sumner,
Longfellou nuk ishte më një poet i vetmuar. Sumneri ishte
një
orator i mirë, një bashkëfolës i shkëlqyer. Zakonisht ai
fliste me
një zë të ngrohtë e miqësor që e shoqëronte me një
buzëqeshje
të lehtë e dashamirëse. Ata e kalonin një pjesë të mirë të
kohës
së bashku duke shëtitur buzë detit apo duke u çlodhur në
verandën e madhe të shtëpisë. Dita e diel ishte dita kur
Sumneri
e shoqëronte Longfelloun në kishë, për të dëgjuar predikimin
e
një prifti ardhur nga Nju-Jorku. Ky i përgatiste mirë
fjalimet
që mbante në kishë gjatë stinës së verës, mbasi e dinte se
aty
vinin për të veruar shumë njerëz të rëndësishëm e të
famshëm.
Sidoqoftë, vëmendjen e Longfellout nuk e tërhiqte predikimi
i
priftit. Atij i pëlqente të vinte në kishë, sepse rruga
kalonte
përmes fushës së bukur me bar, dhe rrethohej nga drurët e
dushkut gjethemadh. Siç duket, këtë lloj druri ai e
pëlqente,
mbasi edhe kabinën e zhveshjes buzë oqeanit e kishte
zgjedhur
mes drurëve të dushkut.
Poeti e mbaronte sezonin e plazhit të dielen e fundit të çdo
gushti. Zakonisht, javën e fundit moti ftohej dhe atij i
pëlqente
të vizitonte me dy djemtë e vet guvat e shpellat e frikshme
në
shkëmbinjtë masive të Nahantit, buzë oqeanit, për të cilat
vendësit kishin thurur legjenda dhe, me siguri, ato kanë
shërbyer edhe si burim frymëzimi për legjendat që ai ka
shkruar.
Longfellou gjithnjë e ka parë Nahantin nëpërmjet vezullimit
të poezive të tij. Kur erdhi verën e fundit në Nahant, solli
një
tufë me poezi për t’ua lexuar miqve. Njerëzit tashmë ishin
mësuar të masnin pulsin e tij nga përmbajtja e vargjeve. Në
qoftë se atij i kishte ardhur damari për poezi heroike,
pinte
çajin e pasdites me ish presidentin e Amerikës, Adams, ose
me sekretarin e shtetit, Webster, të cilët gjithashtu vinin
me
pushime në Nahant. Në qoftë se ishte i zhytur në mendime,
siç
i ndodhte shpesh, ai shkonte i vetëm në portin e vogël ku
ankoroheshin anijet me avull, porti ku herët ose vonë erdhën
të gjithë evropianët dhe të cilin vendësit e quanin
“zgjerimi i
Nahantit”. Aty te porti priste profesorët e Harvardit kur
ktheheshin nga shëtitjet me barka me vela.
Disa miq të Harvardit e shihnin Nahantin si vendin më të
përshtatshëm për peshkim. Poeti, që u bënte shoqëri, rrinte
me
ta në portin e vogël duke ndjekur peshkatarët që ktheheshin
me varkat e rënduara nga peshqit. Ai habitej nga llojet e
ndryshme të gjallesave që kishte oqeani; shihte me pasion
peshqit, fosilet, karavidhet, llojet e ndryshme të specieve
detare,
krijesa të çuditshme të oqeanit.
Nahanti ishte mbushur plot me njerëz që frymëzoheshin
dhe shkruanin poezi apo prozë. Atë verë erdhi për verim edhe
drejtori i shtëpisë botuese që botonte librat e Longfellout,
James
Fields. Ai lexoi dorëshkrimin e fundit të poetit “Legjenda e
artë”,
të cilin Longfellou e kishte shkruar në Nahant. Ishte një
tregim
për një njeri të pasur, të sëmurë nga lebra, i cili mund të
shpëtonte nga vdekja e sigurt vetëm nga dëshira e një vajze
të
virgjër, që do të sakrifikonte jetën për të.
Sa i pëlqenin poetit netët me hënë të gushtit, sidomos kur
hëna ishte e plotë. Ai rrinte me orë të tëra në breg të
oqeanit
duke soditur në pafundësi. Shumë faqe librash me poema e
legjenda e kanë zanafillën në ato qëndrime të gjata buzë
detit
me hënë.
Me gjithë hovin e madh dhe energjinë për të shkruar pa
pushim, disa herë poetin e pllakoste plogështia. Atij nuk i
pëlqente “arkitektura” që kishte skicuar për ndonjë poemë,
por
ndiente lodhje të kthehej prapë nga fillimi. Por kjo nuk i
ndodhte gjithnjë. Ditës tjetër e shihje jo duke shkruar, por
duke
lexuar në breg. Ngjarjet e vogla të ditës ndikonin shumë në
gjendjen e tij shpirtërore. Një natë ai mori vesh se djali i
fqinjit
që ishte shok me djemtë e tij, zuri krevatin, i sëmurë.
Natën
tjetër, kur po kthehej nga një darkë me miqtë e tij, u afrua
te
shtëpia e komshiut dhe pa se dritarja e dhomës së fëmijës
ishte
pa dritë. Ai e dinte ç’donte të thoshte kjo. Të nesërmen e
gjithë
familja Longfellou shkoi në varrimin e djalit. Kjo ngjarje e
dëshpëroi pa masë poetin prind.
x x x
Vera e fundit e Longfellout në Nahant mbaroi të dielën e
fundit të gushtit 1851. Atë ditë poeti shkoi në kishë dhe
dëgjoi
një predikim energjik e virtuoz nga prifti, Mr.Kirk. Pasdite
ai
shkroi diçka që e kishte lënë përgjysmë që të djeshmen.
Ndajnatëhere, me mikun e tij, shkuan e u ulen në
shkëmbinjtë,
të ndiqnin “splendor sky”, vezullimin lëbyrës të qiellit
gjatë
perëndimit të diellit. Në darkë miku e la dhe ai ndenji i
vetmuar deri sa hëna perëndoi e u fsheh prapa shkëmbinjve.
Një lamtumirë, “Fine” e verës së Nahantit.
Ishte 29 gusht 2004, e diela e fundit e muajit. Mbasi dolëm
me Kelenta Searsin nga shërbesa e kishës së Nahantit, iu
luta
asaj që të vizitonim shtëpinë e Longfellout. “Me kënaqësi,
mund
të shkojmë, - tha ajo, - veç ta dini se shtëpia është
djegur,
s’mbahet mend që kur, dhe aty janë vetëm themelitë.”
Dita ishte plot diell, qielli i paskajshëm kaltëronte pa
asnjë
re dhe në rrugën ku ecnim ngadalë binte hija e drurëve të
dushkut. Ecnim po në atë rrugë ku një shekull e gjysmë më
parë kishte ecur edhe poeti, por tani rruga është e
asfaltuar, jo
me bar. Në një kthesë zonja nahantase ndali hapat e tregoi
me
dorë: “Ja, aty…, - tha ajo, - ku mbaron pylli e fillon
oqeani…,
por unë nuk mund të eci dot nëpër shkurre…”
E falenderova dhe e përshëndeta Kelenten e i thashë se aty
mund të shkoja vetëm. Mbasi kalova me vështirësi midis
drurëve shekullorë të pishave, dola në një lëndinë të
ndriçuar
nga dielli, me bar të gjatë e të pakositur, me një pjerrësi
të butë
që mbaronte në breg të oqeanit. Përballë, tutje, shfaqej
Bostoni,
si në pasqyrë. Një dru i vjetër dushku, me lëkurë të ashpër
e të
çarë vende-vende, lëshonte hije mbi themelet e shtëpisë, si
ndonja një metër e gjysmë mbi bregun e oqeanit. Largova
barin
dhe u ula mbi një gur. Vend ideal nga mund të shihje lindjen
e
diellit dhe perëndimin e tij. Vija jeshile e lëndinës me bar
vazhdohej më tej nga vija blu e oqeanit, ndërsa dallgëzat e
bardha e të lehta, herë të bashkuara, herë veç e veç,
ngjanin si
vargje të lira poezish. U ktheva në drejtim të pyllit. Mos
vallë,
këtu e ka shkruar poeti “Evangelinën”? Nxora librin nga
çanta
dhe lexova, duke qëndruar vazhdimisht në drejtim të drurëve.
Me një shkrim shkarravinë fillova të përktheja disa vargje
nga
fillimi:
Ja dhe pylli i lashtë
Me murmurima pishash dhe me fierin e blertë,
Me petkun e rëndë jeshil dhe me mjekra lemashku
Varur kuturumthi nëpër trungje…
Drurët si Druidet kanë qëndruar,
Këta priftërinj të moçëm keltikë
Me zërin e tyre të trishtuar e profetik…
Në anglisht poezia është shkruar me metrin daktil, leximi i
vargjeve rrokje për rrokje tingëllon si muzika e një valsi,
ashtu
siç vallëzonin valëzat e oqeanit atë çast, por unë nuk munda
ta jepja në përkthim. M’u kujtua profesori ynë mjekërbardhë
Xho, i cili drejton klubin e poetëve të kolegjit. Ai i
reciton bukur
poezitë e Longfellout. Ai kujton kohën kur ishte i vogël, në
shkollë, mësuesja e ngrinte gjithë klasën në këmbë dhe
nxënësit
recitonin vargjet e Longfellout, të rrokëzuara e me ritëm, e
dukej
sikur këndonin këngë, sikur tregonin një histori, sepse
Longfellou është më tepër një poet tregimtar e popullor. Ai
është cilësuar “bard i kombit” e “humanist kombëtar” dhe
këtë
nder e meritoi deri në fund të jetës, duke i dhuruar
lexuesit
volume të tëra me lirika, tregime e kritika letrare. Veprën
e
fundit “In the Harbor” e botoi me 1882, në vitin kur vdiq.
Longfellou përdori stilin “didaktik”, “sentimentalist” e
“romantik,” duke mos iu ndarë traditës dhe kujtesës së
popullit
amerikan. Aftësia e tij për të dhënë vargje narrative në
baladat,
për popullarizimin e epikës kombëtare dhe për natyralizimin
e temave të huaja dhe të formave poetike, lidhet me
virtytet,
cilësite dhe dhembshurinë e zemrës së poetit, me karakterin
e
tij si njeri dhe si shkrimtar.
…Çdo të diel kur shkoj në kishën e Nahantit, ngadalësoj
hapat para shtëpisë së Longfellout dhe duke parë gurët e
themelit që qëndrojnë gjithnjë aty, të heshtur, të rëndë,
shekullorë, si gurë varri, sjell ndër mend dhe përkthej disa
vargje nga poezia e Longfellout, “Qimitiri i çifutëve në
Njuport”:
Sa të huaj duken këta hebrenj—këtu varrosur
Kaq pranë rrugës së zhurmshme të qytetit-port…
Dhe këta gurë varri të vjetër e të irnosur,
Sikur prej malit, nga Moisiu janë zvarrosur…
Boston. 2004
No comments:
Post a Comment