“ATDHEUT I KAM BORXH JETËN…”
(E vërteta, në poezitë e Rrapo Këlliçit)
Nga: SEJDO HARKA
S.Harka, publicist-Tiranë
Nuk ka shumë ditë qëkur u nda
përgjithnjë nga jeta, poeti përmetar Rrapo Këlliçi. Në nderim e kujtim të tij,
më poshtë po botojmë një shënim për librin me 160 faqe dhe me titullin “Flladet
e vjeshtës”(Tiranë, 2006).
Ai lindi më 23 prill 1943, në
fshatin Leskaj të Përmetit. Mbaroi shkollën e mesme pedagogjike “Pandeli
Sotiri”, në Gjirokastër dhe pastaj shërbeu mësues në disa shkolla të rrethit Përmet.
Në vitin 1981, u diplomua për gjuhë-letërsi shqipe, në Universitetin e Tiranës
dhe dy vjet më vonë kreu studimet psuniversitare për filozofi. Në vitet e fundit jetoi në Tiranë e dha mësim
në shkollat e mesme të përgjithshme “Petro Nini Luarasi” dhe “Eqrem Çabej”. Ka botuar librat “Bardhi piktor”, “Alo, Alo!” dhe “Mëngjese
e perëndime”. Ky është libri i katërt i tij.
x x x
Të shkruash për poezitë e Rrapo Rëlliçit,në radhë
të parë, duhet ta njohësh mirë shpirtin
e tij.Për këtë, mjafton të lexosh
vargjet :”Nga jashtë, jam i ashpër
si stralli,/Shkëndija , flakë e dritë në gji mbaj,/Si t’i kam zemër ,nuk jam
një copë zall.../Cingërisëm pak.../Më puth/ të shohësh sa ëmbël di të qesh apo
të qaj”,me të cilët mbyll poezinë “Autoportret”. Sado fjalë të bukura të
përdorësh për të karakterizuar portretin
poetik tij,ato do të tingëllonin të paplota,para vargjeve të mësipërm ,
të cilët e pikturojnë, jo vetëm autorin, por dhe kredon e tij poetike. Në këto
vargje, ai shfaqet sa i ashpër aq dhe i butë, sa rrebel , aq dhe i arsyeshëm
,sa i egër aq dhe njerëzor ,me shpirt të bardhë si bora.
Për të vërtetën është thënë e shkruar shumë.
Populli, për të theksuar pavdekësinë e saj, ka krijuar një mori aforizmash dhe
sentencash filozofike, të tilla si “E vërteta zhytet, por nuk mbytet”.
Vërtetësia e kësaj thënieje është absolute. Askush nuk ka mundur ta varrosë
përjetësisht të vërtetën ,edhe kur mbi të derdhen male me shkëmbinj e baltë.
Atë nuk e kanë helmuar as gjarpërinjtë
,që mbytën Laokontin, i cili guxoi të thoshte të vërtetën për Kalin e Trojës.
Ballinat e librit poetik të Rrapo Këlliçit…
Rrapo Këlliçi është autor i katër librave me
poezi. Ato, që e kanë bërë të njohur në botën e letrave, janë vëllimet “
Mëngjese dhe perëndime” dhe “ Flladet e vjeshtës”, të clët kanë dalë në
qarkullim kohët e fundit.Tematika e krijimtarisë së tij është sa e gjerë,aq dhe
aktuale.Kredoja e poetike e saj është e vërteta dhe pavdekësia e saj. Për këtë
poet, e vërteta mund të baltoset ,por nuk “ndryshket”, mund të gjakoset e
mbytet ,por nuk vdes kurrë. Ja ç’shkruan autori për pavdekësinë e saj: “Mëngjese dhe perëndime janë dashuritë,/
Mëngjese dhe perëndime kanë qeveritë, /mëngjese dhe përëndime ka gjithë
jeta,/veç lindë dhe s’vdes kurrë,/vetëm e vërteta”.Autori dëshiron ta shohë
të vërtetën në sy.Atë e gjen te dashuria dhe miqësia e sinqertë , te bukuritë e
shpirtit dhe besa e fjalës, te poezia dhe trupi nudo,te kthjelltësia e syve dhe
mendimi i qartë, dhe jo te falsiteti e
gënjeshtra, xhelozia dhe hipokrizia , te
grykësia dhe përçmimi. Ndaj ai shkruan:”I urrej/ xhelozitë, /mëritë”, sepse ato e zbrazin dhe e
brejnë shpritin e njeriut,si krimbi mollën. Ndërsa më poshtë vazhdon:”I dua miqësitë, /dashuritë”,që
fatkeqësisht janë “mungesat e kohës”.
Të vërtetën autori e gjen tek e dashura e zemrës ,për të cilën thurë vargjet më
të bukura:”Të dua të bukur, si drita e ylberit,/të dua me shpirt/si beben e syrit,/të dua të
pastër,të çelur/si zemra pa borxhe”.Autori, të dashurën e çmon,”edhe kur qeshë edhe kur qan/edhe kur
qetësinë ia prishë/ edhe kur shan”. Por, “që të mos mbetet si akullnajë
/vetëm indiferentizmin s’ia fal”.
Poezia e tij e ndjenjës është sa tradicionale, aq dhe moderne. Në to,
bashkëjeton koncepsioni i Naimit, me atë të Eseninit, për dashurinë. Në poezinë
“Përjetësi”,dashurinë e koncepton të përjetshme , gjë që e shpreh në vargjet:” Ç’u plekse kështu me mua,/ Si pjergulla
pas lisit të vjetër?/ As ti s’shqitesh, /As unë s’dua/ të pranoj kalorës
tjetër...”. Për të, dashuria është përmendore. Për njeriun e zemrës, ai
shkruan:"Le të vdesim të dy në një
ditë,/ Në heshtje dashurisë ne i ngritëm përmendore”!Megjithatë ,autori nuk
mbetet rob arkaik i dashurisë,që shuhet si flaka e kashtës pas shiut .Në
poezinë “Kërkoj”,ai përputhet me ndjesinë e Eseninit për dashurinë,sipas së
cilës njeriu,për të gjetur dashurinë e vërtetë ,kërkon tërë jetën.Aq më tepër
sot,kur jorrallë, dashuria shitet e
blihet me para.Ndaj poeti shkruan:”Kërkoj dikë të ndjekë gjurmët e mija/...në rrugë më
lënë,s’u bëmë kurrë dy./Ta gjejmë,/ta ndjejmë,/ku është dashuria”!
Ndjenja më e veçantë njerëzore, për autorin, është
dashuria për nënën .Ajo është sa tokësore aq dhe qiellore . Në vargjet:”Në i fala kaq dashuri Hënës./Dhe s’ndahem prej saj asnjëherë,/e
dua se më ka emrin e Nënës,/të dyja të
bukura/... pranverë mbi pranverë”,
autori nëpërmjet një paralelizmi të
bukur figurativ, e vë shejën e barazimit
ndërmjet nënës së tij dhe Hënës, të cilat i bashkon bukuria e rrallë.
Edhe lirinë e do të vërtetë e jo fasadë e falsitet. Për të, liria
është : “Enigma më e madhe e kohërave, /dashuria më e madhe e brezave,/ krahu më i
fuqishëm i shpendëve”. Prandaj ai e thërret:”Eja e pastër, pa maska ,
veshje e stoli,/siç lind fëmija nga
nëna/e thjeshtë /Nudo...Liri”. Autorin e frymëzojnë e bukura dhe e mira,
sinqeriteti dhe ndershmëria, komizmi dhe tragjizmi i jetës. Në penën e tij ato
marrin vlerën e sentencave filozofike gjithëkohore, si p.sh:”Vdekja është më e shtrenjtë se jeta”, “Kush di të vuajë, s’ka frikë
nga vdekja”etj.
Simbol i së vërtetës dhe bukurisë shpirtërore , i mençurisë dhe
sinqeritetit për autorin, është bërë Naim Frashëri, cili për të është “lule, që s’vyshket kurrë”dhe”bilbili i
gjuhës dhe i poezisë shqipe”.Autori vendosë raporte të drejta ndërmjet
njeriut e Atdheut, të vërtetës dhe jetës. Me njerëzit ai shlyhet ,kur u thotë
të vërtetën, ndërsa për Atdheun e falë
edhe jetën.
Në krijimtarinë e Këllçit, krahas poezisë së pejsazhit, gjejmë të lëvruar edhe poezinë
e meditimit, siç është ajo me titullin
”Një fije floku”, ku autori mediton për lindjen dhe vdekjen, për jetën, të
vërtetat dhe paradokset e saj, për kohën , ndryshueshmëriënë , shndërrmin dhe
vlerat e saj.
Autori, ashtu siç i respekton njerëzit, që e
vlerësojnë dhe e mbrojnë të vërtetën, po me aq force i fshikullon ata, që e
shtrembërojnë atë. Mbytësit e së vërtetës janë gënjeshtarët, hipokritët,
egoistëst ,sadistët dhe grykësit. Hipokritët.ta qajnë hallin, kur hiqesh
zvarrë.Ndërsa, “kur të dhëmb shpirti,/të
quajnë të marrë!”.Grykësit, “si krimba lëvrijnë
në kërma e pleh”, ndërsa servilët dhe egoistët.”si qeni, vetëm për vete
lehin”.Për autorin, bartës kryesorë të këtyre veseve janë politikanët dhe
pushtetarët ,të cilët janë shkaktarë të varfërisë dhe amullisë ,të deforimit të
votës, të gjallërimit të korrupsionit dhe krimit, duke errësuar të vërteten. Në
poezinë me titull ‘”Politikanëve”, ai u drejtohet me pyetjet retorike:”A
keni sy e veshë, zotërinj politikanë?!/Si nuk u vjen keq, kur e
shihni...Atdheun, që përpëlitet si
zogu në mes të llohës” ?!”Ata,edhe kur “përgjërohen” për popullin, “çirren
për kolltuk e para”. Politikanët dhe
pushtetarët e korruptuar janë ata, që “...me
gjakun tonë bëjnë tregëti ,ata që edhe zanat
i nxorën në pazare rrospish”. Ata, që “as gjak, as nder, s’na lanë në faqe”. Në vend
që të gjenerojnë qetësi e paqe, “i gjakosin e vrasin njerëzit ,si në përralla
me kuçedra”. .Është kjo arsyeja ,që
autori shpërthen nga zemërimi: “Edhe në xhungël ka më shumë qetësi, /më shumë
mirëkuptim mes shumë egërsirash”. Protesta e autorit e arrin kulmin në vargjet:”Na
lodhët! Na vodhët! Duam paqe”!
Për t’i fshikulluar veset e njeriut , autori krijon shumë fabula të bukura. Edhe pse
narracioni e karakteret janë të njohura, në trilin e tij krijues marrin vlera
të papërsëritshme . Nëpërmjet tyre përçohen mesazhe unviersale e tepër aktuale.
Mund të themi se fabulat janë krijimet më të bukura poetike të Rr.Këlliçit. Pas
bëmave dhe veseve të kafshëve fshihen karakteret njerëzore. Kështu, pas mizës, e cila për të
ndyrë dhallin, mbytet në të, fshikullon mburravecët sadistë, të cilët për t’u
bërë keq të tjerëve, sakrifikojnë dhe veten.Pas këpushës së shtypur nga lopa, së cilës i pi gjakun ,
kur zhgërryhet ledheve, fshihet njeriu, që fryhet e pasurohet, duke pirë
gjakun e të tjerëve.
Një nga fabulat më të bukura të krijimtarisë së
këtij autori është ajo me titullin “Ujku rojtar” , Narracioni i saj është sa i
bukur ,aq dhe tallës, sa i vërtetë aq dhe paradoksal. Vesi i grykësit, herë
duket sikur kalon nga egërsiarat te njerëzit
e herë nga njerëzit te egërsirat, por kjo e fundit duket më finoke.Për
të treguar rrjedhën e narracionit të
fabulës, po citojmë disa vargje. “Ca
mishngrënës ndanin gjahun, njëri kofshën ,tjetri krahun”. Ata ,u grindën
kaq shumë me njëri- tjetrin, “sa tundi
vendin shamataja,/ për mëlçitë u bë
hataja”. Në këto cast, ujku thotë:”
Mos u zini, ja u ruaj unë,/ sa të merrni një sy gjumë”. Kur egërisrat u zgjuan
të uritura dhe kërkojnë pjesën, ujku u përgjigjet me sentencën e mençurisë popullore: “Ç’pjesë kërkoni, or qyqarë,/ kini parë ujqër rojëtarë”?
Poezia e Rrapo Këlliçit është e çiltër ,sponatne
dhe tepër e ndjeshme. Ajo vjen natyrshëm ea sforcime, me fjalë, shprehje e
figura të kërkuara . Brendia e saj mban
shqetësimin e njeriut të kohës për Kombin dhe formimin e tij,për fatin e
Kosovës dhe të Çamërisë , për krijimin e një shteti unik dhe të një shoqërie të
përparuar. Në to, gjallon dashuria njerëzore, freskia e maleve të vendlindjes,
shushurima e dallgëve të Vjosës, ëmbëlsia e vargjeve të Naimit dhe shpirti i
ngrohtë i njerëzve të atyre anëve. Autorin e ngazëllen gjithçka e mirë dhe e
nervozon gjithçka e keqe ,që e pengon njeriun dhe shoqërinë të ecë përpara. Për
t’i afirmuar virtytet më të mira të njeriut , autori fshikullon vese të tilla të tij, si gënjeshtra, hipoktrizia, servilizmi, egoizmi
e sadizmi, të cilat i mjergullojnë shpirtin
dhe i turbullojnë mendjen. Herë me humor e herë me ironi e sarkazma,
autori synon ta zhveshë njeriun nga veset dhe të këqijat , për ta bërë pjesë të
ndryshimeve të mëdha të kohës. Gjuha e përdorur është e bukur dhe me një
figuracion të pasur.Është kjo arsyeja, që poezitë e këtij autori i mbeten
lexuesit në mendje , si një këngë e bukur, edhe kur dëgjohet për herë të
parë.Poezitë e Rr.Këlliçit dallohen ,jo vetëm për origjinalitetin e papërsëritshëm,
por edhe për shumëllojshmërinë e vargjeve dhe të strofave.Nervi poetik i
autorit është sa spontan,aq dhe i
kultivuar në vite,që tregon pjekurinë e
një poeti të formuar.
Tiranë, mars 2015
No comments:
Post a Comment