Letërsia
është bashkëshoqëruese e dhimbjeve dhe gëzimeve.
-Intervistë
me publicistin dhe poetin shqiptaro-amerikan- -Kostaq Duka
Gjatë
“udhëtimit” të jetës ndodhin ndryshime të rëndësishme dhe nisur nga atmosfera e këtyre
ndryshimeve progresi i letërsisë
bashkëkohore na ka dhënë temat kryesore
në literaturë, mënyrën dhe format e
reja të njeriut modern me botën e
tij të brendëshme, ndjenjat, motivet sociale , gjuhën letrare, letërsinë e
reformuar, humanizmin, miqësinë e respektimin, hapjen e tyre ndaj të gjitha
gjinive, krijime të cilat identifikojnë vlerat e vërteta të një krijuesi që jeton brenda detajit
artistik. Duke ndjekur nga afër angazhimin
letraro-artistik, në gjini të ndryshme të e autorit Kostaq Duka, vërejmë
se ai ka merita të vecanta duke luajtur një rol të rëndësishëm si poet,
prozator dhe publicist. Kjo është një nga arësyet që më bëri mua të hyj në dialogun intervistues me krijimtarinë e tij, për të kërkuar dhe
gjetur ndërrthurrjen e rrymave në
gjendjen kulturore, psikollogjike, formimin e tij letrar, fenomene këto të botës shpirtërore të binomit
njeri-krijues! Pikërisht gjatë këtyre
viteve në emigracion poeti dhe publicisti Kostaq Duka ka manifestuar krijimtari
artistike të larmishme, të vlerësuar,
vetdijen estetike , i vet-ndërgjegjshëm
në mesazhin e figurave e personazheve të përshkruara e realizuara prej tij , të
domosdoshme ndaj njohjes më të thellë të
sekreteve të jetës e artit letrar,
zbërthimin me mjeshtëri të botës së brendëshme njerëzore, mundësinë për të
komunikuar me të nëpërmjet poezisë, prozës
dhe skicës, duke na dhënë kështu vepra të spikatura dhe interesante të fjalës së bukur dhe mendimit
filozofik. Andaj detyrë parësore për të gjithë krijuesit e mërguar është se; ”
janë ata që me fjalën e shkruar, mendimin filozofik, intelektual e qytetar të
lartësojnë ndërgjegjen dhe kulturën e kombit, të integrojnë trashëgiminë
kulturore në forma e përmbajtje të ndryshme. Publicisti
dhe poeti i njohur Kostaq
Duka ka lindur në vitin 1952 në qytetin
e Korçës. Diplomuar në filozofi, në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike në
Universitetin e Tiranës. Ka ushtruar për një kohë të gjatë profesionin e
gazetarit.Pasion i perhershëm në krijimtarinë letrare kanë qënë poezia dhe
drama, vënë në skenë nga teatri "A.Z.Çajupi" dhe trupa të tjera
teatrore të qytetit të Korçës.Prej vitit 2000 jeton me familjen në Chicago,
Illinois. Ne vitin 2008 fitoi çmimin e parë në prozë në konkursin e zhvilluar
në Ditët e Letërsisë Shqipe në Michigan dhe në vitin 2009 çmimin “Gjergj
Fishta” në poezi. Ne vitin 2012 u nderua me çmimin “Dritëro Agolli” për
vëllimin me poezi “Ne dy hapësira” nga Elita-Letra-Art Korçë.
Veprat letrare:
Vëllime poetike:
"Thjeshtësi"- 1976, Shtëpia Botuese “Naim Frasheri”, Tiranë
"Flas me
barin"- 1998, Libraria “Dhori Koti” Korçë
"Trëndafili
që çelte në janar"-2008, Shtëpia
Botuese “Toena” Tiranë
“Në dy
hapësira”-2012, Shtëpia Botuese “D.I. J. A Poradec”
Drama:
"Përtej vetes"
"Fqinjët"
"Provim i vështirë"
Prozë:
“Hoteli i fantazmave”- Tregime, botuar nga
Shtepia Botuese “Globus” R Tiranë
Bisedoi:Raimonda
MOISI
-Një
karrierë mbresëlënëse e juaja si poet, dramaturg,prozator e publicist. Ç’mund të na thoni si filloi karriera tuaj ?
Si u gjendët në këtë “udhëtim” të bukur e mbresëlënës?
Le të kthehemi
gati 50-të vite më parë në moshën e
adoleshencës, kur gëlojnë papushim ëndrra
të bukura e fantazi gati të marra për të ardhmen. E doja matematikën e
fizikën. Merrja pjesë në konkurset në Korçë e fitoja. Më inkurajonte në
dashurinë për matematikën e fizikën mësuesi kujdestar i paharruari Gavril
Kolaci e më tej në vitet e gjimnazit mesuesi i shquar i lëndës së fizikës Ilia
Tili. Por si “vjedhurazi” shpirtin tim
rinor po e rrëmbente bota e artit.
Gjimnazi “Raqi
Qirinxhi” vazhdues i ish Liceut të
Korçës që për një kohë në vitet 60-të përfshinte edhe klasat e tetëvjeçares
zjente nga veprimtaritë artistike. Promotor
ishte profesori i letërsisë Vangjush Ziko që kishte përfunduar studimet e larta për letërsi në Institutin “Gorki” në
Moskë. Vënia në skenë në ato vite në
teatrin”A.Z.Çajupi , kur isha ende fëmijë, e pjesës teatrale-muzikore kushtuar
liceistëve të Korçës me libret të Vangjush Zikos dhe regji të mjeshtrit Sokrat
Mio, dilpomuar në Francë, ishte hapi i parë në kontakt me botën magjepse të
artit. Në shfaqje merrja pjesë si recitues i poezisë së njohur të Naim
Frashërit kushtuar Korçës, vatër e arsimit,dijes e kulturës. Këtu fillon dhe
dashuria për poezinë, letërsinë e artin që u kthye në motivi kryesor në jetën
time.
-Vazhduat
të ngjiteni në skenë si recitues?
Po.Veprimtaria
recitative ne vitet 60-70-të ishte shumë e gjallë. Pranë pallatit të kulturës
ishte një rreth i recituesve që drejtohej nga Artisti i Popullit Dhimitër Orgocka. Me Edmond Budinën, aktorin,
regjisorin dhe producentin e njohur në kinematografi, në ato vite shokë
gjimnazi , Dhimitrin e kishim idhullin tonë dhe e ndiqnim në gjithë veprimtaritë
e tij teatrore dhe recitative. Ato vite
në Korçë u zhvillua një konkurs i të rinjve në artin recitativ. Edmond
Budina meritoi vendin e parë ndërsa unë të dytin.
-Po
pse s’e vazhduat rrugën së bashku me Edmondin për t’u bërë aktor por mbaruat studimet per Shkencat
Politike-Juridike në degën e Filozofisë?
Është histori e
gjatë. Kur e kujtoj ve buzën në gaz, e them: si është jeta?! Shkurt. Të dy me
Mondin u përgatitëm nën kujdesin e Dhimitër Orgockës. Do të shkonim në
Intitutin e Lartë të Arteve pas klasës së njëmbëdhjetë. Diplomën e maturës do e
merrnim duke qënë studentë të vitit të parë. Por kur po afrohej dita, mësuesi
im i shtrënjtë i gjimnazit Gavril Kolaci, më kërkoi e më vuri me takt para
dilemës së madhe: “Nuk kam asgjë për zgjedhjen që ke bërë por e ke peshuar
mirë?” Foli pak. Por sa shumë më tronditi. Vërtet a i kisha të dhënat e plota
për një aktor me të ardhme?! S’vura gjumë në sy një natë të tërë. Të
nesërmen e takova Dhimitrin dhe i bëra
pyetjen: Dua të di realisht a mund të bëhem aktor i vërtetë.?Ai buzëqeshi.
Pastaj u mendua pak. Dallova mëdyshjen. “ Si të them. Por kam frikë se je pak i
shkurtër” U skuqa deri në përvëlim. E ndjeva se kjo ishte përgjigja që mund të
më lëndonte më pak. Ja kështu Monda.
-Le
të kthehemi përsëri në letërsia, hapat e parë, botimet e para.
Nuk e harroi
atë moment kur profesor Vangjush Ziko më këshilloi t’i
mblidhja poezitë e shkruara në një fletore dhe t’ia çoja. Inkurajimi i tij më
bëri me krahë. Profesori, i njohur për përkujdesjen, këtë fletore ma ktheu pas
gati dhjetë vitesh kur unë 24 vjeçar promovova në Korçë librin e parë me
vjersha e poema "Thjeshtësi" botuar nga Shtëpia Botuese “Naim
Frashëri” në vitin 1976.
-M’u
kujtua shprehja e një shkrimtari të madh, Stefan King, kur e pyetën: “ Se si
mund të bëhesh
shkrimtar. Ai u përgjigj –“merrni ndër duart tuaja libra të shkrimtarëve
të tjerë dhe lexoni cdo gjë të tyre, –mos mendoni jo vetëm si të shkruani
libra.” A ndani të njëjtën filozofi me të?
Pa dyshim. Por
në lexim ka shumë rëndësi përzgjedhja. Mjeshtrit edukojnë lexuesit e kthehen në
shkollë për krijuesit e rinj, shkrimtarët e këqij prishin shijet e çorientojnë
krijuesit, për më teper indirekt lenë të kuptohet se të shkruarit qënka “gjëja
më e lehtë” Ne të rinjtë e viteve 70-të kemi pasur fatin e madh të ishim
lexuesit e parë të veprave të porsabotuara të mjeshtrave të fjalës poetike
Ismail Kadare,Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu,Moikom Zeqo, Ndoc Gjetja,Musa Vyshka, Koçi Petriti. Lanë
mbresa me botimet e para dhe bashkëmoshatarët Roland Gjoza, Rudolf Marku, Agim
Isaku, Petraq Risto dhe Bashkim Hoxha, studentë në Tiranë dhe Skënder Rusi e
Visar Zhiti në Shkodër.Por përveç leximeve
ndikim ka edhe klima letrare që në një qytet si Korça nuk ka munguar në
ato vite. Dëgjimi nga afër i shkrimtarëve të afirmuar si Sotir Andoni, Vangjush
Ziko, Teodor Laço,Petraq Zoto, Arsinoi Bino, Nella Sinaeri, Andon Mara,
Petraq Samsuri, Guri Miçinoti e të tjerë
linin gjurmë tek ne të rinjtë. Kjo klimë
nuk na mungoi edhe si studentë. Dhe guxuam të shkruajmë e të botojmë.
Mos harrojmë të botoje qoftë edhe një poezi pa le një cikël në “ Zëri i Rinisë”
e sidomos në “Drita” ishte ngjarje e vërtetë. Sot interneti ka hapur dyert kat
e kat, ose më thjesht është pa dyer dhe krijon mundësi e lehtësi publikimi. Kjo
lehtësi teknologjike është gjë e mirë por jo çdo gjë që shfaqet mban erë
art.Dua të theksoj se në vitet e gjimnazit endrrën për letërsinë e ndaja me
veçanti me shokun tim të klasës aq shume pasionant dhe energjik pas letërsisë,
shkrimtarin, humoristin dhe publicistin Vangjush Saro. Ai ishte lexuesi e kritiku i parë i krijimeve të mija.
-Si
e kujtoni botimin e poezise së parë?
Isha 16-të vjeç
kur botova së pari në “Zëri i Rinisë”. Ishte një poezi e shkurtër kushtuar
Shqipërisë. Në po atë faqe botoi dhe treshja e famshme nga Durrësi, Bashkim
Hoxha, Petraq Risto dhe Ilija Dede, me të cilët u lidha aq shumë kur ata
studionin për gazetari dhe unë për filozofi.
-Me
sa kuptoj ata ndoshta u inkurajuan të përfshiheshit në rrugën e gazetarisë që për ju u bë profesioni
kryesor në jetë?
Jo. Me këta miq
më shumë bisedonim për letërsinë. E vërteta është se ai që më ka nxitur e
inkurajuar për të “tradhëruar” filozofinë e për të ushtruar profesionin e
gazetarit per me shume se njezet vite, ishte shoku i dhomës, i talentuari e
njeriu me zëmër të madhe gazetari e shkrimtari Ndue lazri. Një e dy më jepte
tema e më tërhiqte pas vetes në “Zëri i Rinisë” apo gazeta “Bashkimi”.Veçanërisht
në fushën e publicistikës pranë kam ndjerë e vazhdoj të ndjej këshillën e mikut
tim ekonomistit e pedagogut Koço Broka.
-Diku
përmëndet që në moshën 24 vjeçare botuat librin e parë me vjersha e poema po
drama e parë a la gjurmë tek ju për t’u bërë shtysë për të tjera krijime?
Padyshim. Drama
titullohej “ Provimi i vështirë”. U vu në skenë nga studioja për aktorë që
ishte pak a shumë pjesë përbërëse e teatrit “A.Z. Çajupi” me regji të Petraq
Marjanit. Kjo dramë u hapi udhë dramave të tjera me të cilat jam nderuar edhe
me çmime në festivalet teatrore të Korçës.Por sukses të veçantë arriti drama “ Përtej vetes”
fryt i një bashkëpunimi të ngushtë krijues me regjisorin Dhimitër Orgocka. E
veçanta është se kjo dramë u dha në mbyllje të punimeve të Konferencës
Kombëtare të Talenteve të Reja me pjesëmarrje të gjërë të krijuesve, në tetor
të vitit 1990. Interpretuan të paharruarit aktorët e shquar, Artistë të
Popullit, Dhorkë Orgocka dhe Stavri Shkurti si dhe Mirjana Deti, Guri Koço, Sotiraq Bratko,Petrika Riza dhe
Fotaq Xheka.
-Po
më tej e vazhduat rrugën e dramës?
Pas saj erdhën ngjarjet e vrullshme. Teatri u
zhvendos në rrugë e sheshe. Më përfshinë zhvillimet politike. Për vitet
1991-1993 isha kryetar i PS për Korçën dhe njëkohësisht gazetar i “Zërit të Popullit”
-Pra
ju e latë pas letërsinë?
Asnjëherë nuk ka
ndarje të vërtetë.Letërsia është bashkëshoqëruese e dhimbjeve dhe gëzimeve,
tallazeve shpirtërore. Duket sikur të braktis e rikthehet si nevojë për t’u
shprehur. Të tillë e konsideroj të gjithë krijimtarinë pas viteve 90-të në
poezi, prozë, letërsi dokumetare.
-Përmendët
prozën. Ju në faqet e internetit vecanerisht në “Fjala e lirë”, gazeta
“Kritika”, “Zemra shqiptare” dhe
shtypit të shkruar keni hedhur mjaft
skica dhe tregime të shkurta. Gjininë e skicës e detyruat të vinte tek ju apo
është preference e juaja?
Është kjo e
dyta. Skica, krahas përshkrimit dhe reportazhit ka qënë nga gjinitë më të
dashura si gazetar. Them se skica është një e shkrepur blici në një moment
tepër të veçantë që shpesh flet sa një roman.Aty nga fundi i viteve 80-të në
Konkursin Kombëtar për publicitikë u nderova me çmimin e tretë pikërisht në
gjininë e skicës. Pas vitit 2000 kur mbrita në Amerikë nevoja e të shprehurit
më nxiti t’i rikthehem skicës dhe të lëvroj tregimin e shkurtër.
-E
vlerësoni të frytëshme krijimtarinë në
emigracion?
Mendoj se po. Të
jetuarit me shqetësimet e emigrantit, fillimisht në Greqi, pas vitit 1993 i dha udhë botimit të librit
me poezi “Flas me barin” në vitin 1998 botuar në Libraria Kotti, ndërsa këtu në Amerikë ku
jetoj në rrethinat e Çikagos për gati 15 vite së bashku me familjen kam botuar
vëllimet me poezi “ Trëndafili që çelte në Janar” botuar nga Shtëpia Botuese
“Toena” në vitin 2008, “ Në dy hapësira” botuar nga Enti Botues “Dija Poradec”
në vitin 2012, i cili u nderua me çmimin “Dritëro Agolli” nga Elita-Letra- Art
në Korçë si dhe vëllimin në prozë të shkurtër “Hoteli i fantazmave” botuar nga
“Globus. R” në vitin 2010. Në këto vite në Amerikë dhashë ndihmesë si
bashkëautor dhe redaktor për librin “Qyteza dhe njerëzit e saj” përgatitur nën
kujdesin e shoqatës qytezare “Përparimi” në Çikago, shoqatë që ka mbi 90 vjet
jetë. Ky libër u përkthye dhe u botua edhe në gjuhën angleze .Të dy botimet
shqip dhe anglisht u realizuan nga Shtëpia Botuese “Albin”. Me një grup miqsh,
intelektualë të vërtetë Minella Aleksi,
Anastas Shkurti, Dritan Papazisi dhe bashkëpunëtorë të tjerë nxorëm për
disa vite revistën me ilustrime “Rreth Nesh” me mbështetjen e pakursyer
financiare të shqiparo-amerikanit me origjinë nga Qyteza e Korçës Nick
Vangel.Kam marrë pjesë me krijime në
poezi dhe në prozë edhe në disa botime me mjaft autorë të tjerë emigrantë, si
“Zemra prindërore”, “Pena të gazetarisë shqiptare në diasporë” etj. Aktualisht
jam në prag të botimit të dy vëllimeve, një me poezi dhe një tjetër në prozë.
-Ju
i paraqisni personazhet tuaja nga jeta reale në përshtatje me kohën e situatën,
apo ato janë thjesht pjellë e fantazisë?
Prirem nga
dukuritë që ka afruar jeta në të shkuarën dhe në të tashmen, në lëvizjen e saj.
Subjektet, detajet artistike, atmosfera e gjithçka tjetër aty marrin jetë, nëpërmjet analizës e
mendimit. Gjithçka e mendoj dhe e përpunoj në dialog me veten para se të ulem
të shkruaj. Më duket i vështirë çasti i zbardhjes, i hedhjes në kompjutër apo
letër, i krijimit që më tundon. Më duket se pas kësaj mund të formësohet diçka jo ashtu si e
dëshiroja.
-Shquheni në prozë për mendimin inteligjent, plot figura
letrare, artistike dhe mendimin filozofik. Çfarë iu tërheq më shumë nga
realiteti e si mund ta konceptosh atë artistikisht?
Mendoj se si poezia edhe proza duhet të kenë një mesazh
a nëntekst të natyrës filozofike ose më thjesht që të ve në mendime. Jetën e
jetojmë të gjithë po këndvështrimi artistik i jep asaj ngjyra e përthyerje gati
tjetërsuese me forcë joshëse e tronditëse. Pikërisht mprehja e shikimit dhe
mendimi i avancuar filozofik, në kushtet e lirisë mendoj se është dallimi
kryesor me letësinë e realizmit socialist që të detyronte partishmëri dhe aty
ku flitej thjesht për bukurinë e ndjenjës së dashurisë.
-Si
mendoni për statusin aktual të kritikës? A ka kritikë të mirëfilltë sot për
sot?
Mendoj se ka
njerëz të mënçur dhe intelektualë shumë të përgatitur në universitet e
Shqipërisë dhe ato të perëndimit por zëri i tyre është sporadik, i
pastrukturuar në një rrymë autoritare që u ve vulën krijimeve që sot janë të
shumta.
Ju
faleminderit!
Bisedoi:
Raimonda MOISIU
No comments:
Post a Comment