Poezi
nga Muhamet Derri
MBESËS SË SHUMËPRITUR
Ç’melodi
të ëmbël na dhurove!
Në
pentagramë s’e hedhim dot.
Babazotin sa shumë e gëzove,
Kur e bëre gjyshin më të ri në botë.
Ndoshta Nënëdajës Violetë
Me pé e gjëlpërë do të t’ia bëje portretin.
Kalojnë vite dhe, ç’është e vërtetë,
Me
mall do kujtosh dhe mua poetin.
Do të shikosh portretin e qëndisur,
Vargjet e mia me zjarr do recitosh,
Do mbetesh disa çaste e lloisur,
Gjurmët
tona dekadash do kërkosh.
Do
t’i gjesh cep më cep të atdheut,
Ku
djersë e gjak e derdhëm lumë,
Tek kjo
tokë morëm forcën e Anteut,
Në
çarqet që na ngritën dot s’na zunë.
Zëri
yt do gjezdisë nëpër vite,
Jepua,
bija jonë, viteve të tua,
Jetën
me guxim e ndershmërisht prite,
Mos
harro babazotin, as edhe mua.
Do
gjesh dhe gjyshen fjalë shumë,
Që të
mos flasë, për të bëju ilaç,
Që për
çdo ditë të të zerë brumë,
Për
ty të bëjë byrekë edhe kulaçë.
Dhe
kur mua do më hakërrohet,
Thuaj: E kam xhan, mos ma mërzit!
E di që do të ndjehet e penduar,
Dhe unë i qetë do të jem dy a tri ditë.
ELEGJI PËR POETIN
DINO ÇIÇO
Exheli, si i tërbuar,
Si nuk pati pak mëshirë!
Na e mori nëpër duar,
Prindin e mikun e mirë.
Dino, ç’pate, pse na ike
Me nxitim e krejt papritur?
Si, o burrë, kështu u fike,
Mos vallë të patëm mërzitur?
Ne të deshëm sa na deshe,
Se ishe burrë e përmbi burrë.
Me ne qave, me ne qeshe,
Ndaj s’do të harrojmë kurrë.
Ti, poeti mendje ndritur,
Ndër të mirët kryetari,
Kush exhelin e ka nxitur,
Nga gjiri ynë të na e mari?
Miku ynë të jesh krenar
Për ç’bëre e s’bëre për jetën,
Në përballjet me zuzarë
Tromakse dhe të vërtetën.
Pena jote s’u lajthit,
As në vargje, as në prozë.
Hapi
yt s’u perëndit,
As
nga “blutë” e as nga “rozë”.
Shiprt’i kombit janë poetët,
As
nuk tremben, as nuk tuten,
Si pishtarë për të vërtetën,
S’dinë
të qahen, as të luten.
Dino,
mos mëno që të na vish
Herë
pas herë në ëndërrime,
Ballë
për ballë me ne të rrish,
Tek
shfletojmë mijëra kujtime.
Eje, miku e prind’i mirë,
Ti Dino zemër stërralli,
Se na e le vendin fir,
Eja se do na marrë malli.
Dino! Qeshe burrë e burrë mbete,
Gjersa
ike në moskthim.
Ç’pate,
s’i more me vete,
I le për brezat kujtim.
Gjirokastër, Mars 2015
PËRHERË ME KOSOVËN
Po kthehem prap tek ty Kosovë,
Sa gjëra janë e s’janë thënë…
Sa Vojo Kushë e Adem Jasharë
I pate djem, të patën nënë.
Sa bij të tu gjoksin ia vunë
Bishës, që shtypur të donte.
Kur tej Anadollit të përzunë,
Evropa e verbër, s’shikonte.
Trokitjet e frikshme në mesnatë
Sa herë fëmijve gjumin ua shqyen!
Pleqve të shkretë mbytur në lëngatë,
Pë bijtë që bishat serbe ua rrëmbyen.
Sa karvanë me pleq e me fëmi
U endën Evropës në ngricë, pluhur e baltë!
Nga Lindia në Perëndim, Jug e Veri
U bënë kosovarët ciganë të ngratë!
Atdheu i tyre në qerre ngarkuar,
Ngarkuar mbi shpinën e drobitur,
Tragjedia e fundit në shekullin e shkuar,
Në kohrat që ikën, sa herë përsëritur!
Ju, burrat e sotëm që kini drejtimin,
Betohuni që Kosovën do ta bëni të lirë.
Në shekujt e shkuar hidhni shikimin,
Kjo Kosova jonë sa shumë martirë!
Shikoni më larg se shekulli i juaj,
Gjakun e derdhur në ujë mos e ktheni!
Mos e lini më këtë mëmë të vuaj,
Mos shkelni mbi gjakun që derdhi ADEMI.
Të verbërën Evropë e lini të verbër,
Është koha që ju të mprehni shikimin,
Është plakur Evropa, e shurdhër, e verbër,
Në Kosovë përherë ka ushqyer veç krimin.
Jep e merr me verbërinë Evropa,
Veshtë i janë zënë, fare s’dëgjon,
Serbi të gjallë ju futi në gropa,
Solana me Serbinë duart fort i shtrëngon.
PRETENCA E LUFTËTARIT
TË AKUZUARIT
Ndjej shqetësim e një trazirë,
Me helm e vrer gatuar.
Evrop’ e mallkuar, egërsirë,
Na do të lidhur këmbë e duar.
Si shkllevër ne na ka trajtuar,
Sa na ka bërë cop’ e çikë,
Nga zëri ynë krejt e shurdhuar,
Lirinë tonë e sheh me frikë.
Një zonjë korbë, andej nga Haga,
Fytyrë fishkur, zemrën gur,
Hero Ramushin vu në pranga,
Pse rron e vdes veç për flamur.
Si bilbilejtë1), kësaj dame plakë,
Ai i tha: “Ja ku më ke, prangat m’i vur.
E mbrojta vendin tim me gjak,
E
prap gjak do derdhim për flamur.
Në
prag të derës, me bukë në dorë,
Na
therri shkau gjithë njomëzakët,
Ti më
kërkon t’u thurr kurorë!
Më
pyet dot sot: pse u përgjakët?
Po
nuk je nënë, do jeshë bijë,
Për nënë e babë na merr malli,
A mundem vallë i qetë të rrij,
Kur m’i groposën për së gjalli?
Në ç’nen të drejtësisë tënde
Dënohem të mos jem i lirë?
Më thuaj zonjë, që botën çmënde,
Me mbrojtjen tënde për vampirë.”
Kështu Ramushi i bën pretencën
Kësaj drejtësie të padrejtë,
Që na mohon neve ekzistencën,
Tek hasmi ynë për zi na shet.
____________
1). 13 Bilbilejtë
ishin një çetë komitësh të Labërisë të cilët, kur Turqia morri peng 300 burra për
t’i pushkatuar pse nuk e dorëzonin çetën e komanduar nga Bilbil Shakua, këta
shkuan dhe u dorzuan vetë, dhe populli u këndoi: “Bilbilejtë të trembëdhjetë /
Shkuan në litare vetë…”
BALLADA E MËRGIMTARIT
Këtu në dhé të huaj s’di pse erdha!
Kjo vetmi më vret më shumë se plumbi.
Nëpër këto rrugë memece sa lotë derdha,
Për gjuhën dhe dinjitetin që më humbi!
E kanë folë këtë gjuhë filozofë e shkencëtarë,
Por ne me njëri-tjetrin memecë jemi,
Unë për të nuk jam veçse firar,
Ajo për mua s’vlen sa vlen ujemi.
Këtë vend tërmetet, uraganët s’e tronditën,
Ndaj
humanët s’vrapuan ta shpëtonin,
Politikanë
e pushtetarë ne na shitën,
Me
gjakun e djersën tonë vila të ndërtonin.
Këtu në
dhé të huaj kam vite mërgimtar,
Brenda meje seç më djeg e më zhurrit,
Mbeta tërë jetën përbuzur e bark-tharë,
Veten shpesh e pyes: Ku janë perënditë?
Këtu në dhé të huaj bari ndryshe shushurit,
Zogjtë ndryshe çukisin, ndryshe fluturojnë,
Mua refugjatin kjo gjë seç më habit!
Këtu të gjitha gjërat për keq ndryshojnë!
Këtu në dhé të huaj dhe kënga e këndezit
Seç ka një melodi që të fut në mendime,
Zëri i tij i zgjatur atje brenda qymezit,
Të tërë trupin ta mbush me drithërime.
Që herët në mëngjes nga kënga e tij zgjohem
Dhe mendimi më braktis, më le të vetëm.
Vij vërdallë në dhomë, hutohem e tmerrohem,
Se rininë tonë në dhé të huaj tretëm.
Zë e shaj këndezin e melodinë e tij,
Ai s’ma di gjuhën, vazhdon të këndojë.
Unë futem thellë në vete, tek shoh një fëmijë
Dhe syri, nuk di pse nisi të lotojë!
Kujtimet nisin rrugën të kthehen nga mërgimi,
E futen ndër lëndina plot bar e trëndelinë.
Ulen përmbi gur, pranë atij burimi,
Ku unë, faqepushi, gjeta dashurinë.
Kujtimet janë çaprazë, në pranga dot s‘mbahen,
Ndër vëra e guçuvëra, ku ke kaluar futen,
Ato veç vdekjen e mbarrimit thahen,
T’i nxjerrësh nga ato kohë, duken sikur luten.
Më lënë këtu kujtimet, të vetëm, fillikat,
Kaluan nëpër male e lugina çmendurisht,
Arritën tek nënokia ime në mesnatë,
E gjetën zgjuar dhe i foën ëmbëlsishtë.
Përse dremit mbi këtë minder të vjetër,
A s’sheh qiriun që është në të mbaruar,
Po baba përse rrënkon nga dhoma tjetër,
A mos mendoni se unë u kam harruar?
Jo, moj jo, nënoke, kurrë s’do t’ju harroj,
Jam në vend të huaj, bukën me lot e laj,
Në çdo sekondë të lirë juve u kujtoj,
Çmendurisht vrapoj, aty lotët t’i thaj!
Prill,
2007
JU SHOH PËR DITË
Ju ndjek me mëndje nëpër botë,
Ashtu siç jeni të lënduar,
Ky vend ka mbetur pa një zot,
Atdhe me emër të mohuar.
Ju shoh përditë të përgjumur,
Tek bëni mure, rrugë dhe ura.
Me dinjitetin krejt të humbur,
Unë, nëna njerkë u përzura.
Ishit poetë e bujq të mirë ,
Por dhe aktorë që tundët tokën,
Por tru e zemër ua kanë mpirë,
Mbi supet tuaj mbani botën.
Me zë sirenash ju kënduat,
Oh, ç’ndjenja mbollët nëpër salla!
Por erdh një ditë dhe u mohuat,
Se unë bukëdhënësi u përtalla.
Ikët të rinj, ktheheni të plakur,
Prej moshës jo, po prej mundimit,
Të shtrydhur dhe pastaj të flakur,
Në rrugët pa krye të mjerimit.
Unë e kuptova që gabova,
Zjarri i huaj nuk të ngroh dot.
Në gjoks e faqe u përvëlova,
Filluan të rridhnin çurgje lotë.
Ishte vegim a dëshpërim,
Që ti je larg në vend të huaj?
Ti më je kredhur në mjerim,
S’dua ta di, gjë mos më thuaj.
Ta shajnë atdheun, pagën ta mbajnë,
Gjithë qënia jote kthehet në vrer.
Sundon i ligu, yti s’të mbron,
Lidhjet e gjakut me ty ka prerë.
2 Tetor 2010
No comments:
Post a Comment