Përkthyer nga Ana Kolevica, redaktuar nga Saimir Lolja
Ditaret e
luftës të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane (Kriegstagebuch
des Oberkommandos der Wehrmacht, KTB OKW) në vitet 1940-1945 u mbajtën nga
Zyra e Mbrojtjes Kombëtare pranë Shtabit të Operacioneve të Forcave Ushtarake
gjermane (Abteilung Landesverteidigung im Wehrmachtführungsstabamt).
Këto ditare lufte përshkruajnë strategjitë, betejat, lëvizjet e trupave, linjat
e fronteve, qëllimet, vendimet operacionale dhe planet e luftës dhe vlersimet e
situatave luftarake prej udhëheqjes më të lartë të forcave ushtarake gjermane.
Sekretari i Ditareve të Luftës në
Komandën Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane ishte Helmuth
Greiner deri më Mars 1943 dhe më pas Percy Ernst Schramm. Në vitet 1961-1965
ditaret e luftës u përpiluan nga historianët dhe u botuan nga shtëpia botuese Bernard
& Graefe Verlag für Wehrwesen, Frankfurt am Main. Historiani kryesor
ishte Percy Ernst Schramm dhe ndihmësit e tij historianë përkatësisht sipas
vëllimeve ishin si më poshtë:
Hans-Adolf Jacobsen: Vëllimi I, 1517
faqe, periudha 01.08.1940 - 31.12.1941, botuar 1965.
Andreas Fritz Hillgruber: Vëllimi II
1-2, 1477 faqe, periudha 01.01 -
31.12.1942, botuar 1963.
Walther Hubatsch: Vëllimi III 1-2,
1673 faqe, periudha 01.01 -
31.12.1943, botuar 1963.
Percy Ernst Schramm: Vëllimi IV 1-2,
1976 faqe, periudha 01.01.1944 -
22.05.1945, botuar 1961.
Këto ditare lufte të përmbledhura në
katër vëllime (fillimisht në tetë vëllime) janë edhe sot një nga burimet më të
rëndësishme faktike për shkencën e historisë që mbulon Luftën II Botërore. Me
rradhë do paraqiten të përkthyera në Shqip, sipas vëllimeve të botuara, vetëm
pjesët ku shkruhej për Shqipërinë.
(Përkthyer nga Ana Kolevica, redaktuar
nga Saimir Lolja)
Vëllimi I
1 Gusht 1940 - 31 Dhjetor 1941
A.
Hyrje
III.
Plani dhe qëllimet e luftës 1939-1941: Një përmbledhje
Faqe
71E. Në luftën në Ballkan (Prill 1941), Hitleri kishte më pak qëllime
territoriale, shumë më tepër kishte qëllim të siguronte interesat strategjike
dhe ekonomike. Në asnjë mënyrë nuk donte të lejonte vendosjen e anglezëve në
Greqi si dhe kërcenimin e fushave të naftës në Rumani të cilat ishin shumë të
rëndësishme për luftën e tij. Po ashtu mendonte se në atë mënyrë ndihmonte
Italinë të mbante pozitat e saj në Shqipëri.
B. Ditar Lufte
Faqe
42 - 21.08.1940. Deti Adriatik duhet të jetë i tëri nën pushtetin italian,
sfera e ndikimit në Ballkan të zgjerohet. Për këtë mendohet të prishet
Jugosllavia, të krijohet një Kroaci e pavarur por nën ndikimin e Italisë, të
zmadhohet Shqipëria duke marre zonat e banuara nga shqiptaret në jug të
Jugosllavisë dhe në Greqi si dhe bashkimi me Korfuzin dhe ndoshta me disa ishuj
të tjerë në detin Jon.
Faqe
81 - 18.09.1940. Sipas njoftimeve të shtabit të përgjithshëm italian të trupave
tokësore dhënë atasheut ushtarak në Romë, Divizionet 49 dhe 51 janë dërguar në
Shqipëri; do dërgohet deri më 30.09.1940 edhe Divizioni 29.
Faqe
110 - 05.10.1940. Sipas një njoftimi të dates 24.09.1940 (171/40 Tepër Sekret)
të atasheut ushtarak në Romë, ushtria italiane përbëhet tani nga 74 divizione,
prej tyre ndodhen në atdhe 51, në Shqipëri 8, në Libi 14 dhe 1 në ishujt
Dodekaneze.
Faqe
130 - 28.10.1940. Seksioni i jashtëm njofton se pasi në orën 03:00 i është
dorëzuar qeverisë greke nga i dërguari italian në Athinë një notë, sot në orën
06:00 të mëngjezit trupat italiane janë futur nga Shqipëria në Greqi.
Faqe
138 - 30.10.1940. Veprimi politik i planifikuar për në fillim të Shtatorit nuk
u ndërmor, por gjatë këtij muaji u përforcua korparmata XXVI italiane që
ndodhet në Shqipëri me 3 Divizione. .... Më 27.10.1940 në orën 21:00, konti
Ciano e njoftuar zyrtarisht personin përgjegjës gjerman, fisnikut Bismarck, se
ditën që vijon në oren 03:00 do t'i dorëzohet qeverisë greke ultimatumi për të
pushtimin e pikave strategjike dhe në orën 06:00 do të fillonte futja e trupave
italiane nga Shqipëria në Greqinë veriore. Qëllimi i këtij operacioni është
pushtimi i Korfuzit, futja nga Janina deri në gjirin e Patras për të pushtuar
ishujt Levkas, Cefalonia dhe Zante si dhe marshimi për në Athinë dhe Selanik.
Udhëheqja është në dorën e gjeneralit të korparmates XXVI, Viskonti Prasca.
Meqenëse 2 nga 9 divizionet që ndodhen në Shqipëri nevojiten për mbrojtjen e kufirit
me Jugosllavinë, mendohet se epërsia italiane të mos jetë aq e madhe dhe në
rastin e një rezistence të madhe greke nuk duhet të llogaritet sukses i
shpejtë. ..... Për shkak të kushteve jo të mira të motit, avionët italianë të
stacionuar në Shqipëri nuk futen dot.
Faqe
157 - 07.11.1940. Nga forcat e aviacionit Italian nisur nga Shqipëria, janë
përdorur në Greqi 56 avionë luftarakë, 120 avionë gjuajtës dhe 17 avionë
zbulimi.
Faqe
159 - 08.11.1940. Lajme të jashtme: lajm nga gjenerali von Rintelen, sipas të
cilit po dërgohen përforcime në Shqipëri (4 divizione italiane).
Faqe
162 - 09.11.1940. Për shkak të kushteve të vështira të transportit në Shqipëri,
do të kalojë shumë kohë derisa të arrijnë përforcimet në front. .... Nuk mund
të llogaritet më një sukses i shpejtë i italianëve. Ata po përpiqen të ndreqin
atë që nuk patën përgatitur më parë.
Faqe
163 - 09.11.1940. Përparësia e pushtimit të Greqisë veriore ka përballë disa
anë negative. Nëpërmjet futjes në luftë të një vendi tjetër u zgjerua lufta dhe
u përhap në Ballkan, gjë që Gjermania është përpjekur ta shmangë deri më sot.
Ushtria italiane është kështu e lidhur në një drejtim më shumë. Anglezët kanë
kështu një aleat më shumë dhe një pikë mbështetje tokësore, gjë që përforcon
gjendjen e tyre në pjesën lindore të detit Mesdhe. Mundësitë e veprimit të tyre
kundër ushtrive italiane në Libi dhe Shqipëri janë rritur.
Faqe
172 - 13.11.1940. Atasheu ushtarak në Romë dërgon të dhëna që ia ka dhënë shefi
i kabinetit në ministrinë e mbrojtjes italiane, Kolonel Sorice, në lidhje me
gjendjen në Shqipëri.
Faqe
182 - 19.11.1940. Gjendja në Shqipëri: e ndërlikuar.
Faqe
183 - 20.11.1940. Sipas një telegrami të
datës 18.11.1940 të Atasheut ushtarak në Romë, shtabi i përgjithshëm italian e
gjykon situatën në zonën shqiptaro-greke, pas tërheqjeve në disa pjesë të
frontit dhe dërgimit të përforcimeve, si të qëndrueshme. Situata, megjithatë
është rënduar sepse batalioni shqiptar kaloi në anën e grekëve. .... Gjenerali
Marras ishte dje në Kancelarinë gjermane dhe kërkoi 3000 kamionë për t'i çuar
në Shqipëri nga Jugosllavia në shkëmbim të 3000 kamioneve italiane.
Faqe
188 - 25.11.1940. Bisedimet me italianët në lidhje me kamionët për në Shqipëri
arritën një farë përfundimi.
Faqe
201_202 - 05.12.1940. Sipas raportit nr. 429 datë 03.12.1940, ushtria italiane
e stacionuar në Shqipëri e drejtuar nga gjenerali Soddu është pjesë e Armatës
XXI (gjenerali Geloso në Tepelenë më rreth 9 Divizione), e Armatës IX
(gjenerali Vercellino në Elbasan me 6 Divizione) dhe forca tokësore rezervë (1 Divizion i motorizuar, 2
regjimente kalorsie). Si përforcime të mëtejshme janë 2 Divizione të gatshme në
Italinë jugore (Shih Shtesën tek Raporti i Organizimit i Komandës së Forcave
Tokësore për Lindjen dhe Perëndimin). Situata duket e qëndrueshme me tërheqjen
e plotë të divizioneve italiane në linjën e re të mbrojtjes, e cila shtrihet
nga lumi [me] Kallama deri në Raveni-Koshovicë-Përmet - në
perëndim të kufirit shqiptaro-grek. Në
Shqipëri ruajnë rregullin dhe qetësinë trupa policore italiane të fuqishme.
Faqe
204 - 05.12.1940. Hitleri e vlerëson situatën si më poshtë: Gjendja në Shqipëri
nuk është e qartë. Në se italianët do të prapsen dhe më shumë, atëhere egziston
mundësia e humbjes së gjithë Shqipërisë. Jugosllavia me sa duket do të shtyjë
vendimet e saja derisa të sqarohet gjendja në Shqipëri. Faktori më i
rëndësishëm në Ballkan është Rusia që po shton ndikimin në Bullgari pasi është
bllokuar e tëra Rumania. Nga kjo rrjedh se çdo dobësi kudo në Europe do çojë në
përparimin e rusëve.
Faqe
205 - 05.12.1940. Tërheqja e Jugosllavisë nga ana e fuqive të boshtit është e
dëshirueshme dhe e mundëshme edhe në rastin që fronti italian në Shqipëri të
mos përparojë. .... Hitleri nuk shikon mundësi për të dërguar trupa në
Shqipëri.
Faqe
209 - 05.12.1940. Gjendje e rëndë e trupave italiane në Shqipëri dhe sulme të
egra greke.
Faqe
213 - 06.12.1940. Hitleri është i brengosur për gjendjen në Shqipëri.
Faqe
218 - 07.12.1940. Gjenerali Badoglio jep dorëheqjen me sa duket për shkak të
humbjeve në Shqipëri.
Faqe
219 - 08.12.1940. Ambasadori Italian në Berlin është paraqitur më 07.12.1940
tek Hitleri dhe e ka përshkruar situatën në Shqipëri me ngjyrat më të errëta.
Faqe
225 - 11.12.1940. Atasheu ushtarak në Romë lajmëron së gjenerali Cavallero që
sapo është kthyer nga Shqipëria lajmëron më 09.12.1940 se kriza në Shqipëri
ende nuk është kaluar, por shpresohet që situata të përmirësohet.
Faqe
226 - 11.12.1940. Në të dy bisedat paraqitet gjendja në Shqipëri jo aq
dramatike sa deri më sot.
Faqe
230 - 14.12.1940. Sulme të mëtejshme greke në Shqipëri.
Faqe
232 - 16.12.1940. Më tej është menduar për një grup të dytë transportues me e
dërguar në Itali për qëllime të transportit të trupave dhe furnizimeve drejt
Shqipërisë. ..... Sulm i fortë i grekëve kundër krahut të majtë të Armatës IX
italiane.
Faqe
237 - 18.12.1940. Për shkak të gjendjes së qëndrueshme të trupave italiane në
Shqipëri, nuk do jetë më e nevojshme të dergohet një trupë e dytë transporti
„Ju52“ në Itali.
Faqe
241 - 20.12.2014. Gjendja në Shqipëri para tre javësh ishte aq dramatike sa
duhej të llogaritej baraz me një disfatë të rëndë. Tani fronti është i
qëndrushëm, shpresohet që të mbahet. .... Në Shqipëri tufane dëbore.
Faqe
243_244 - 28.12.1940. Atasheu ushtarak italian në Berlin thotë se megjithëse
grekët sulmojnë rrallë me më shume se 1-2 batalione, nuk bëhet fjalë që ushtria
italiane të mbajë frontin në Shqipëri dhe me tepër ajo ështe duke u tërhequr në
luftë e sipër. Ai është i mendimit se futja në lufte qoftë edhe e një
regjimenti gjerman do të bënte që fronti të mbahej, sidomos për shkak të
veprimit të jashtëzakonshëm mbi moralin e ushteareve italianë por edhe mbi ata
grekë.
Faqe
245_246 - 04.01.1941. Atasheu ushtarak në Romë lajmëron me shkrim (Nr. 6/41
Tepër e Fshehtë Tepër Përparësi) se general Guzzoni e ka bërë me dije më
03.01.1941 se gjenerali Cavallero ka marrë komandën e trupave në Shqipëri në
vend të gjeneralit Soddu që është sëmurë. Ai përshendet gatishmërinë gjermane
për të derguar trupa me tanke në Libi dhe një division me ushtarë në Shqipëri
si dhe armatime e pajisje nga kontigjenti i plaçkës së luftës. Ai lutet që
divizioni me ushtarë të jetë i gatshëm për t'u dërguar.
Gjenerali
Guzzoni e përshkruan gjendjen në Shqipëri si vijon: Në Shqipëri pritet një sulm
tjetër i fuqishëm grek ose në zonen bregdetare të Vlorës ose në luginen e lunit
Osum në drejtim të Beratit. Shpresohet se ay sulm të përballohet nga italianët.
Faqe
251 - 08.01.1941. Për futjen e trupave gjermane në Shqipëri nuk është marrë
ende vendim.
Faqe
252 - 08.01.1941. Që nga data 10.12.1940 janë dërguar 16'000 ushtarë [italianë]
në Shqipëri me transportuesit Ju-52.
Faqe
254 - 09.01.1941. Hitleri flet për gjendjen në Shqipëri dhe thote se nëse do të
futen trupa gjermane atje, atëhere duhet të jenë aq të fuqishme sa të mund të
godasin nga shpina forcat greke që do të përpiqen të bllokojne Selanikun. Por
më parë forcave gjermane do t'u duhet të përparojnë në Shqipëri. Për këtë është
e nevojshme një bashkeveprim i forcave gjermane dhe italiane si dhe një njësie
me disa tanke të fuqishëm. Nuk do ishte gabim që kjo trupë e ndërthurur të
fillonte përpara se të arrinte Armata XII [gjermane].
Komandanti
i Ushtrisë Tokësore kërkon leje që të fillohet me mbledhjen e të dhënave të
nevojshme mbi gjendjen në Shqipëri dhe ve si kusht paraprak për sukses
ushtrimin e një ndikimi të mjaftueshëm mbi komandën italane në Shqipëri, në
mënyrë që italianët të fillojnë sulmin njëkohësisht me forcat gjermane.
Faqe
260 - 10.01.1941. Që nga 10.12.1940 jane çuar me aeroplanët Ju-52 17'000 ushtarë
[italinë] dhe 1300 ton [materiale] në Shqipëri. Gjenerali von Rintelen shkon në
frontin shqiptar. Të dhëna mbi vendosjen e trupave italiane në Shqipëri. .....
Të bëhet gati Divizioni i parë malor për në Shqipëri.
Faqe
261 - 11.01.1941. Të bëhen gati një Korps gjerman për ta dërguar në Shqipëri,
që përfshin 1 Divizion malor dhe forcë tankiste. Ato do të mbështesin trupat
italiane në rast krize si dhe për sulmin e mundshëm dhe çarjen e frontit grek
në pika të rëndësishme. Veç kësaj do kenë si detyrë të mbështesin nga shpina
sulmin ballor të Armatës XII [të komanduar nga gjenerali Wilhelm List] për
të hapur ngushticën në perëndim të
Selanikut. Dërgimi i trupave gjermane me anë të anijeve që janë ende në detin
Mesdhe ose me grupin e avionëve transportues Ju-52 në Foggia duhet të jetë
kryer brenda mundësive përpara së të fillojë transporti në Libi.
Faqe
263 - 13.01.1941. Dje kapiten Bürkner njoftonte se italianët janë dakort me
dërgimin e oficerëve të zbulimit në Shqipëri dhe Libi. Pikëpamje të kolonelit Jodl
mbi gjendjen në Shqipëri mbështetur në raportin e gjeneral-kolonelit Rintelen.
Dërgimi përfundimtar i trupave në Shqipëri vetëm kur të jetë arritur një
baraspeshë e forcave. Prandaj me sa duket do ketëe transport të njëkohsheim të
trupave për Shqipëri dhe Libi.
Faqe
265 - 15.01.1941. Shqipëri: Vije fronti e pavolitshme në bregdet. ..... Raport
i gjeneral-kolonelit Rintelen rreth
bisedës me Guzzonin më 13.01.1941 mbi gjendjen në Shqipëri. .... U nisën trupa
zbulimi në Shqipëri dhe Libi.
Faqe
266 - 15.01.1941. Komanda e Lartë e Forcave Tokësore lajmëron se shtabi zbulues
me kolonelin Jodl me 4 oficerë të tjerë është nisur për Shqipëri.
Faqe
267 - 18.01.1941. Përgjegjësi i Zyrës së Mbrojtjes Kombëtare (Z.M.K.) në
Shtabin e Operacioneve të Forcave Ushtarake (Sh.Op.F.U.) shkon më 17.01.1941 në
Berchtesgaden dhe paradite më 18.01.1941 i raporton komandantit të Shtabit të
Operacioneve të Forcave Ushtarake në Zyrën Perandorake në Berchtesgaden. Ai i
dorëzon organizimin e trupave të parashikuara për t'u dërguar në Shqipëri dhe
Libi si dhe programin e transportit për këto trupa.
Faqe
268 - 18.01.1941. Komandanti i Sh.Op.F.U. pranon mendimin e komandantit të
Z.M.K. për t'i dhënë operacioneve në Libi dhe Shqipëri përkatësisht emrat
“Luledielli“ dhe „Zambak i Alpeve“. Urdhërat
për komandat përkatëse të ushtrisë dolën më 20.01.1941.
Faqe
270 - 20.01.1941. Operacioni “Zambaku i Alpeve” që parashikon futjen e trupave
në Shqipëri nuk mund të zhvillohet sipas planit, sepse italianët duhen të
përdorin kapacitetet e porteve shqiptare plotësisht për të dërguar përforcimet
e tyre. Vendimi i ri do të merret në fillim të Marsit. Nëse atëhere do vihet
përsëri në pikëpyetje futja e trupave gjermane, atëhere ajo do të bëhet në një
përmasë të zvogëluar.
Faqe
272 - 22.01.1941. Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura [general Wilhelm
Keitel] dërgon shënimet e tij nga biseda me gjeneralin italian Guzzoni në
Berchtesgaden më 19.01.1941 si dhe një përmbledhje të përfundimeve të bisedave
të Hitlerit më Ducen në Berghof më 20.01.1941.
Gjeneral Guzzoni në bisedë me Komandantin Suprem të
Forcave të Armatosura e vlerëson situatën si më poshtë: Në Shqipëri zhvillohet
lufta më e rëndësishme për Italinë. Fronti i atjeshëm ende nuk është forcuar,
por linja e tanishme do të mbahet me çdo kusht kundër sulmeve greke dhe nuk
egziston mundësia që Vlona ose Berati të bjerë në dorë të grekëve.
Në
Shqipëri ndodhen tani 21 divizione italiane dhe qëllimi është të dërgohen atje
edhe 3 të tjerë nga Italia për të krijuar në krahun verior të ushtrisë një grup
prej 10-12 divizionesh (që do përfshijë 3 divizionet e përmendura më lart dhe 4
divizione alpine). Grupi do jetë gati të sulmojë vetëm pas dy muaj e gjysëm,
sepse transportim më i shpejtë i tre Divizioneve dhe freskimit të Divizioneve
të tjerë nuk mundet. Sulmi i këtij grupi është planifikuar në drejtimin e
Korçës, nga këtu në drejtim të Ersekës për ta shkatërruar frontin verior grek
dhe për të vazhduar në drejtimin e Follorinës kur
linja e furnizimit nëpërmjet Korçës të jetë siguruar. Synimi i tanishëm për të
kryer një sulm në bregdet me qëllime të kufizuara është braktisur.
Faqe 273 - 22.01.1941. Qëndrimi
komandantit të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura (K.S.F.A.) në lidhje
me vlerësimin e gjeneral Guzzonit jepet: Është pothuaj e pamundur që italianët
të përgatisin në kohën e duhur trupat e nevojshme për një sulm në Shqipëri.
Prandaj nuk duhet llogaritur më mbështetje italiane për sulmet gjermane të nisura nga Bullgaria kundër Greqisë.
Faqe
274 - 22.01.1941. Italianët e quajnë dërgimin e trupave gjermane në Shqipëri të
dëshirueshëm po jo të nevojshem.
Faqe
275 - 22.01.1941. Prandaj nuk ka kuptim të dërgohen trupa tani në Shqipëri.
Nëse fronti do të qëndrojë atje pa lëvizur, do të kishte pasoja psikologjike të
padëshirueshme. Nëse do të futen trupa, atëhere lufta do të filloje para kohe
në jug-lindje.
Faqe
280 - 25.01-.1941. Futje e trupave greke në Shqipëri.
Faqe
289 - 29.01.1941. Në Shqipëri ndodhen 24 Divizione italiane.
Faqe
290 - 30.01.1941. Gjendja në Shqipëri duket se është e qëndrueshme.
Faqe
292 - 31.01.1941. Raport i datës 29.01.1941 i gjeneralit Rintelen. Të dhëna të
Guzzonit mbi Shqipërinë dhe Libinë.
Faqe
305 - 05.02.1941. Trupat gjermane në Libi dhe në Shqipëri, vetem në rast se do
të ketë trupa atje, do të vihen taktikisht drejtpërsëdrejti në shërbim të
komandave italiane. Këto trupa janë nën komandën e Komandantit të Trupave
Tokësore i cili nëpërmjet oficerit ndërlidhës ka lidhje me komandën italiane në
terren.
Faqe
307 - 06.02.1941. Skuadroni Luftarak III për Qëllime të Veçanta në Foggia do të jetë vetëm nën komandën e Korpusit Ajror X për të
furnizuar e trupat tokësore gjermane ne Afriken veriore. Është e nevojshme të
behet në kohë një planifikim i ri i transporteve italiane për në Shqipëri.
Faqe 322 - 13.02.1941. Në
Shqipëri nuk ka veprime luftarake me rëndësi.
Faqe 324 - 14.02.1941.
Pika kryesore e mbështetjes së forcave ajrore angleze është Kreta. Prej andej
me ndihmën dhe të aeroporteve të tjera në Greqi kryhen goditjet në Shqipëri.
Faqe 326 - 15.01.1941.
Meqenëse gjendja e frontit në Shqipëri është e qëndrueshme dhe në këtë stinë të
vitit nuk pritet ndonje sukses i rëndësishëm në rast sulmi, qoftë edhe me trupa
gjermane, atëhere nuk do të mbahen trupa gjermane në gatishmëri për këtë rajon.
Faqe 343 - 04.03.1941. Leter
e gjeneralit von Rintelen mbi bisedën me Guzzonin. Gjenerali Cavallero do të
fillojë me 06.03.1941 një sulm të vogël në Shqipëri. Duçia, i cili ndodhet tani
në Shqipëri, ka urdhëruar në vend të saj një sulm të Armates XI më datë 8 ose 9
mbi qytetin e Gjinokastrës. Lajme të pavërtetuara mbi zbarkimin e 2 divizioneve
angleze në Greqi.
Faqe 346 - 06.03.1941.
Gjenerali von Rintelen ka marrë urdhërin të jetë shumë i tërhequr. Për këtë
arësye italianët e kanë shtyre sulmin e tyre në Shqipëri.
Faqe 351 - Divizioni i
këmbësorisë arriti në kufirin bullgaro-grek. Në Shqipëri ka filluar sulmi më
09.03.1941 me Korpuset XXV, VIII dhe IV të forcave tokësore. Sulme italiane në
mëngjezin e datës 09.03.1941. ..... Sulmi italian në Shqipëri nën komandën e
Duces.
Faqe 353 - 12.03.1941.
Suksese të pakta të italianëve në Shqipëri.
Faqe 356 - 13.03.1941.
Përfundon sulmi italian në Shqipëri.
Faqe 363 - 18.03.1941. Në
Shqipëri qëndrojnë 25 divizione italiane përkundrejt 16 divizioneve greke.
Sipas gjeneralit von Rintelen, fuqia goditëse e grekëve po pakësohet. Krijohet
përshtypja se anglezët po zbarkojnë trupa në Greqi dhe me sa duket në pjesën
veriore të Peleponezit.
Faqe 365 - 21.03.1941.
Nënshkrimi i marrëveshjes me Jugosllavinë. Në Shqipëri do të shkojë një shtab i
vogël i ndërlidhjes së forcave tokësore me në krye kolonelin Fretter-Pico.
Faqe 371 - 31.03.1941.
Gjendja e italianëve në Shqipëri përpara fillimit të operacioneve kundër
Jugosllavise duket e vështirë. Italianët bëjnë gati 1 Divizion tankesh dhe 2
Divizione këmbësorie pranë kufirit Jugosllav. 3 Dvizione britanike në Greqi.
Abisinia u humb.
Faqe 373 - 01.04.1941.
Dërgohen dy divizione italiane në Shqipëri.
Faqe 374 - 02.04.1941.
Sulme greke në Shqipëri.
Faqe 374 - 03.04.1941.
Sulme të veçuara greke në Shqipëri. Dërgohen për mbrojtjen e kufirit lindor dhe
verior 3 Divizione nga Armata XI, 1 Divizion nga Armata IX, 2 Divizione nga
Italia. Ducia kërkon oficerë gjermanë për këta Divizione.
Faqe 375 - 05.04.1941.
Gjenerali von Rintelen takohet më 03.04.1941 në Shqipëri me gjeneralin
Cavallero; raporton mbi qëllimet dhe grupimet e forcave italiane.
Faqe 376 - 07.04.1941.
Është ndërprerë ndërlidhja me Shqipërinë dhe Libinë.
Faqe 380 - 14.04.1941.
Lëvizje tërheqjeje të trupave greke në Shqipëri.
Faqe 380 - 15.04.1941.
Tërheqje e plotë e grekëve nga Shqipëria.
Ditari mbaron më datë 30
Dhjetor 1941.
Shtojca
Faqe 948 - 22.08.1939.
Fjalimi i Hitlerit në Berghof: .... Në Ballkan zotëron që nga pushtimi i
Shqipërisë nga Italia në pashkët e vitit 1939 një baraspeshë forcash.
Faqe 1181 - 28.10.1940. Ora 05:30. Fillim i sulmit
italian ndaj Greqisë. Marrin pjese Armata IX dhe XI (7 Divizione, prej tyre një
Divizion alpin dhe një Divizion tankesh; 1 Divizion për të siguruar kufirin me
Jugoslllavinë). Ushtria greke (gjenerali Papagos) ka mobilizuar rreth 300'000
veta. Sulme ajrore italiane kundër aeroporteve greke, edhe aeroportin Tatol
afër Athinës, si dhe porteve të Prevezës dhe Patrës. 56 avionë lufte, 120
avionë gjuajtës, 17 avionë zbulimi në Shqipëri; 112 avionë lufte, 24 avionë
gjuajtes dhe 18 avionë zbulimi në Pulja [të Italisë].
Faqe 1182 - 09.11.1940.
Gjenerali Soddu bëhet kryekomandant i trupave italiane në Shqipëri. ..... Një
grup anijesh angleze (3 kryqëzorë dhe 2 anije goditëse) kanë sulmuar anijet
italiane që ktheheshen nga Shqipëria dhe kanë fundosur 4 anije transporti me
aftësi mbajtëse 16938 ton.
Faqe 1183 - 14_22.11.1940.
Sulmi grek arrin kulmin me marrjen e Korçës në Shqipëri më 21.11.1940.
Faqe 1184 - 26.11.1940.
Për shkak të humbjeve në Shqipëri, Musolini jep urdhër të rimobilizohet ushtria
italiane.
Faqe
1186 - 10.12.1940. Urdhëri i K.S.F.A. për të vendosur Korpusin X Ajror në
Siçili dhe Itali të Jugut. Admirali Canaris [kreu i zbulimit ushtarak gjerman -
shën. red.] kërkoi nga ambasadori hungarez në Madrid të vepronte si ndërmjetës
për paqe me Greqinë. Nëse Greqia do të kthehej në qëndrim asnjanës do t'u
lejohej të mbante pjesët e pushtuara të Shqipërisë.
Faqe
1187 - 19.12.1940. Anijet angleze të luftës "Warspite" dhe "Valiant"
qëllojnë Vlonën në Shqipëri.
Faqe 1188 - 28.12.1940.
Italia kërkon mbështetje gjermane në Shqipëri. Hitleri mendon në fillim të
dërgojë një Divizion alpin por pastaj heq dorë.
Faqe 1188 - 30.12.1940.
Gjenerali kont Cavallero merr komandën e trupave italiane në Shqipëri në vend
të gjeneralit Soddu që është sëmurë. Në Shqipëri ndodhen tani 16 Divizione
italiane përkundrejt 13 Divizioneve greke.
Faqe 1196 - 09.03.1941.
Fillimi i një sulmi italian në frontin shqiptar.
Faqe 1197 - 16.03.1941.
Sulmi italian i filluar më 09.03.1941 në Shqipëri pësoi përfundimisht humbje.
Faqe 1202 - 14.04.1941.
Fillimi i tërheqjes së trupave greke që luftojnë në Shqipëri.
Faqe 1203 - 21.04.1941.
Gjenerali Wilhelm List pranon në Larisa kapitullimin e trupave greke. Takohen
në kufirin shqiptar trupat SS-gjermane që vijnë nga jugu prej Greqisë me
italianët që vijnë nga veriu nga Shqipëria.
Vëllimi II
1 Janar - 31 Dhjetor 1942
Faqe
446 - 24.06.1942. Shefi i shtabit për Europën juglindore Gjeneral-Majori
Foertsch vjen për bisedime në selinë qëndrore të Hitlerit. Me kërkesën të tij i
jepet udhëzimi gjeneralit gjerman pranë shtabit të përgjithshem italian që të
ndikojë atje në mënyrë që oficeri i ndërlidhjes së komandës së lartë italiane
11 [në Greqi] që ndodhet pranë shtabit gjerman për Europën juglindore, t'i
jepet edhe detyra e oficerit të ndërlidhjes për komandën e lartë 9 (Shqipëri)
dhe për qeverinë ushtarake të Malit të Zi.
Vëllimi III
1 Janar 1943 - 31 Dhjetor 1943
Faqe 275 - 03.04.943.
Përshkrim i gjendjes në Kroaci: ..... Brigadat komuniste IV dhe V, rreth 2500
vetë, po përpiqen të hyjnë në Shqipëri. Çetnikët kanë zënë pozicion në rrugën
Gacko-Bileça (37 km në veri-lindje të Dubrovnikut) me front nga veri-perëndimi.
Faqe 286 - 05.04.1943.
Shqipëri: Thuhet se në vende të shkëputura ka demonstratime të shqiptarëve në
përkrahje të Gjermanisë kundër italianëve. 15 km në lindje të Valonës (qytet
bregdetar 100 km në jug-jugperëndim të Tiranës) sulm kundër një kolone
italiane: 10 të vdekur, 19 të plagosur, 103 të humbur.
Faqe 301 - 08.04.1943.
Zonë e pushtuar italiane: Sipas një lajmi të forcave të zbulimit, 10'000
komunistë qëndrojnë në një zonë në perëndim të Foças [në Bosnien lindore] dhe
do përpiqen të futen në Shqipëri.
Faqe 316 - 09.04.1943.
Zonë e pushtuar italiane: Në zonën Gacko [në Bosnien lindore] po grupohet një
trupë e fuqishme armike me qëllimin për t'u futur në Shqipëri.
Faqe 336 - 15.04.1943. Dy
sulme mbi trupat italiane të pushtimit në Shqipërinë jugore. Një pikë
mbështetjeje u pushtua dhe kazerma u dogj.
Faqe 341 - 16.04.1943.
Italianët ndërmarrin me forca të shumta, në zonën 40 km në juglindje të
Valonës, një spastrim të qendrës së
atjeshme të banditëve.
Faqe 346 - 17.04.1943.
Vazhdojnë spastrimet e italianëve në juglindje të Valonës.
Faqe 351 - 18.04.1943.
Shqipëri: Vazhdojnë spastrimet e italianëve në jug.
Faqe 360 - 20.04.1943.
Vazhdojnë spastrimet e italianëve në jug të Valonës. Janë prishur disa qendra
komuniste dhe është kapur një top.
Faqe 423 - 03.05.1943. Më
29.04.1943 ka dhënë dorëheqjen qeveria shqiptare.
Faqe 454 -09.05.1943.
Luftime në veri të Valonës, 10 armiq të vrarë, pak armë të zëna.
Faqe 502 - 19.05.1943. Në
verilindje të Leskovikut (kufiri juglindor i Shqipërisë) sulmohen batalione
italiane nga trupa të forta bandite. Humbjet italiane: 3 të vdekur, 25 të
plagosur. 50 armiq të vrarë.
Faqe 544 - 27.05.1943.
Fronti i Mesdheut në Juglindje: Një dokument i gjetur në shtabin e Dragoljub
"Drazha" Mihailoviçit vërteton se lëvizja e tij ka lidhje të gjëra me lëvizjen
kryengritëse në Shqipëri. [Në kujtimet e ambasadorit gjerman në Shqipërinë e
kohës së luftës, Martin B. Schliep, përmendet Muharrem Bajraktari i zonës së
Lumës afër Kukësit për lidhje me Dragoljub "Drazha" Mihailoviçin. - shën.
red.]
Faqe 552 - 28.05.1943.
Shqipëri: Që nga 01.06.1943 [do jetë] një grup ushtarak italian me qendër në
Tiranë. Komandant gjeneral Rossi.
Faqe 558 - 29.05.1943.
Shqipëri: Më 26.05.1943 atentat me bombë ndaj dy krerëve shqiptarë
pro-italianë. Banditët u venë zjarrin minierave në jugperëndim të liqenit të
Ohrit dhe marrin punëtorët me vete.
Faqe 581 - 02.06.1943.
Shqipëri: Përballohet një sulm i banditëve (200 vete) mbi një aeroport.
Faqe 587 - 03.06.1943.
Shqipëri: Fluturime natën jug-veri të armiqve, kthimi nga jugu.
Faqe 592 - 04.06.1943.
Shqipëri: Nuk ka ndodhi të veçanta.
Faqe 613 - 08.06.1943.
Shqipëri: Në natën duke u gdhirë 07.06.1943 fluturime të shumta armike.
Faqe 648 - 15.06.1943.
Trupa italiane të Korparmatës IV po ndërmarrin spastrime kundër kryengritësve
në zonën në jug të linjës Tiranë-Durrës. Kryengritësit kanë pësuar humbje të
renda.
Faqe 653 -16.06.1943. 85
armiq të vrarë gjatë spastrimeve italiane në zonën jugore të linjës
Tiranë-Durrës.
Faqe 658 - 17.06.1943.
Shqipëri: 35 armiq të vrarë gjatë spastrimeve italiane; u kapën dy mitralozë.
Faqe 664 - 18.06.1943. 64
armiq të vrarë gjatë spastrimeve italiane në zonën jugore të Tiranë-Durrësit,
afro 60 të arrestuar, është kapur një sasi e vogël armësh. Në lindje të Tiranës
u sulmua një truproje milicësh. Në veri të Valonës (105 km në juglindje të
Tiranës) u sulmua një kazermë xhandarmërie nga një trupë komuniste prej 200
vetash. Xhandarët u morën rob.
Faqe 685 - 22.06.1943.
Greqi: Natën duke u gdhirë 22.06.1943 u ndërpre plotësisht për arësye sabotazhi
lidhja telefonike Janinë-Athinë, Prevezë (75 km në jug të Janinës) dhe për në
Shqipëri.
Faqe 690 - 23.06.1943.
Gjatë luftimeve në veri-lindje të Shqipërisë dhe në veriperëndim të Krushevës
(120 km në lindje të Tiranës) 22 armiq të vrarë. Në jug të Dibrës (60 km
verilindje të Tiranës) u sulmua një kollonë dhe një truprojë italiane.
Italianët patën humbje. Përfundimi i përgjithshëm i spastrimeve në zonën në jug
të Tiranë-Durrësit: 69 armiq të vrarë, 198 të arrestuar.
Faqe 697 - 24.06.1943.
Sulm komunist mbi një kompani italiane dhe një minierë në lindje të Tiranës.
Faqe 708 - 26.06.1943.
Sulm i suksesshëm i trupave italiane mbi një fole banditësh në perëndim të
Korçës (120 km në juglindje të Tiranës).
Faqe 713 - 27.06.1943. Në
veri-perëndim të Tepelenës (110 km në juglindje të Tiranës) shkatërrohet një
grup banditësh me ndihmën e forcave ajrore italiane.
Faqe 717 - 28.06.1943.
Gjatë luftimeve në veri-perëndim të Tepelenës (110 km në juglindje të Tiranës)
102 italianë të vrarë, edhe humbjet e armikut mendohen të larta. Gjate
spastrimeve në zonën e Berat-Fier-Valona (zonë 50 km në jug të Tiranës), 13
armiq të vrarë.
Faqe 767_768 - 10.07.1943.
Trupat gjermane që ndodhen apo do të futen në zonën e Armatës XI [italiane],
nëse futen në luftime, do të jenë nën komandën e lartë të Armates XI kurse trupat gjermane të ndodhura në Kretë, Mal të
Zi, Shqipëri dhe Egje për mbrojtjen e bregdetit ose operatione të tjera do të
jenë nën komandën e trupave përgjegjëse italiane. Trupat italiane të
Korparmatës III (Divizionet Brennero, Forli dhe Pinerolo me trupat mbështetëse
dhe të prapavijës) do të zhvendosen në Gusht në Shqipëri.
Faqe 768 - 10.07.1943.
Shtabi drejtues i ushtrisë gjermane është dakort me strukturën komanduese të
trupave gjermane në zonat bregdetare të mbajtura ende nga italianët në Kroaci,
Mal të Zi, Shqipëri dhe Rodos....Pranohet pjesmarrja e një Divizioni Malor
[gjerman] në operacionin "Delta" (operacion spastrimi në Greqinë
perëndimore), por nuk është në interesin gjerman futja i atij Divizioni Malor
në Shqipërinë jugore.
Faqe 786 - 14.07.1943. Për
të arritur një administrim ushtarak qëndror dhe efektiv në zonën juglindore,
propozohet të ngrihet një "shtab drejtimi juglindor" në rangun e një
komandature të një armate me komandature dhe shtab administrativ, me të drejtat
e plota të një komande ushtarake territoriale për zonën juglindore. Këtij
shtabi do t'i vihen nën komandë shtabet e Greqisë jugore, të zonës
Selanik-Egje, Serbisë, Kroacisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Faqe 822 - 23.07.1943.
Komanda e lartë për juglindjen dërgon dhe është dakort me një analizë të
situatës, të bërë nga komanda e forcave ajrore juglindore dhe paraqitur
komandës supreme të forcave ajrore, në lidhje me mundësinë e një sulmi armik
kundër Shqipërisë. Shqipëria ndryshe nga Dalmacia dhe Greqia ka një breg që
arrihet lehtë dhe ka shumë fusha aviacioni një pjesë e të cilave janë të mira.
Megjithatë, sjellja e rezervave gjermane nga pjesa tjetër e Ballkanit për në
zonat kufitare është e vështirë, sidomos në dimër dhe pranverë.
Faqe 526 - 24.07.1943.
(Për shkak të zhvillimeve në Itali ky urdhër [i Hitlerit për zhvendosje trupash
në Greqi] nuk arrin të zbatohet. Batalioni 92 i grenadierëve do të zhvendoset
nëpërmjet Shqipërisë për në Greqinë e veriut për të vepruar në bregun e detit
Adriatik.)
Faqe 841 - 26.07.1943.
Rregullore e re për komandën në zonën juglindore: Trupat gjermane që ndodhen në
bregun kroat, në Mal të Zi, Shqipëri dhe Egje vihen nën komanden italiane.
Korparmata III italiane zhvendoset për në Shqipëri sapo të arrijnë trupat
gjermane që do ta zëvëndësojnë.
Faqe 842 - 26.07.1943.
Përgjigja përfundimtare nga “Commando Supremo” [italiane] arrin më 26.07.1943
ora 14:50. Në të pranohet vendosja e
Armatës XI nën komandën gjermane, emërimi atje i një shefi shtabi të
përgjithshëm gjerman, zhvendosja e Korparmatës VII në veri; edhe Divizioni
“Brennero”do të zhvendoset për në Shqipëri.......3. Trupat gjermane në
Shqipëri, Mal të Zi dhe në zonën kroate të pushtuar nga Italia janë nën komandën italiane të lindjes,
përkatësisht të Armates II italiane.
Faqe 857 - 29.07.1943.
Juglindje: Trupat gjermane që ndodhen tani ose do të ndodhen në të ardhmen në
Kroaci, Mal te Zi dhe Shqipëri do të vendosen nën komandën italiane të
atjeshme.
Faqe 862 - 30.07.1943.
Juglindje: Shtabi drejtues i ushtrisë gjermane mban qëndrim në lidhje me
vlerësimin e situatës mbi Shqipërinë (përfshirë Malin e Zi dhe Kroacinë) të
bërë nga forcat ajrore të juglindjes dhe dërguar më 23.07.1943 nga komanda e
lartë e juglindjes dhe vjen në përfundimin se, mbështetur mbi përvojën me
trupat italiane, është e nevojshme ndërhyrja me trupa gjermane për të mbrojtur
kufirin bregdetar e cila do të kufizohet në mbrojtjen e porteve. Shtabi
drejtues i ushtrisë gjermane vë në gadishmëri forcat e nevojshme për këtë
qëllim.
Faqe 876 - 01.08.1943. Ka
filluar pushtimi i aeroporteve në Shqipëri nëpërmjet forcave tokësore të çuara
atje me avionë, parashutistë dhe një batalion me emrin “Brandenburg”.
Faqe 890 - 03.08.1943.
Juglindje: 2.Shtabi i përgjithshëm i
ushtrisë gjermane kërkon që tani për tani për Shqipërinë dhe Malin e Zi të
ndërmerren vetëm përgatitjet e urdhëruara me 01.07.1943.
Faqe 894 - 04.08.1943. Në
Shqipëri vazhdojnë veprimet revolucionare me sulme mbi garnizonet italiane.
Aeroportet shqiptare jante ztente nga forcat gjermane.
Faqe 908 - 06.08.1943.
Bisedime italo-gjermane në Tarvisio [Udine, Itali]: Gjenerali Ambrosio dëshiron
të zhvendosë sa më shpejt Korparmatën III italiane nga Greqia lindore për në
Shqipëri ku nevojiten përforcime.
Faqe 910 - 06.08.1943.
Vazhdojnë veprimet e bandave sidomos në Shqipëri dhe Kroaci.
Faqe 926 - 10.08.1943.
K.S.F.A. ka bërë me dije komandën e lartë të juglindjes se komanda supreme
italiane do të zhvendosë më 01.09.1943 Korparmatën III italiane me dy Divizione
nga Greqia lindore në Shqipëri.
Faqe 952 - 15.08.1943.
Gjenerali Roatta lajmëron se Korparmata III italiane do të zhvendoset më
01.09.1943 nga Thesalia në Shqipëri dhe nga Armata II italiane do të kthehen 3
Divizione.
Faqe 959 - 16.08.1943. Në
Greqi vazhdojnë spastrimet nga ana jonë. Në Shqipëri ka shenja të shpërbërjes
së milicisë, veprime të bandave në Tiranë, sabotazh në të korrat në Serbi.
Faqe 996 - 23.08.1943. Në
bisedimet në Tarvisio dhe Bolonjë [të Italisë] u arrit marrëveshja me italianët
që të zhvendosin në Shtator Korparmatën III për në Shqipëri.
Faqe 1002 - 24.08.1943.
Hitleri ka urdhëruar forcimin e Rregjimentit 92 grenadier i cili do të vendoset
jo në Kretë por në Shqipëri.
Faqe 1009 - 25.08.1943. Më
09.08.1943, komanda e lartë e juglindjes bën kërkesën që në rastin e rënies së
përforcimeve në bregun dalmatik dhe shqiptar të futen në veprim trupa xhenjere
nga fortest ushtarake.
Faqe 1018 - 27.08.1943.
Komanda e lartë e juglindjes lajmëron më 26.08.1943 se komanda e forcave ajrore
në juglindje ka kërkuar të zhvendoset një batalion ruajtës i forcave ajrore me
qëndrim në Kretë për të siguruar mbrojtjen e aeroporteve greke dhe shqiptare
dhe në shkëmbin të tij kërkon një batalion këmbësorie.
Faqe 1022 - 28.08.1943.
Shefi i shtabit të përgjithshëm të grupit të Armatës F lajmëron se italianët
janë lutur që të zhvendosen 1-2 Divizione gjermane në zonen Shkup-Elbasan, si
rezervë për ndërhyrje në Shqipëri dhe për sigurimin e rrugës për në Tiranë.
Komanda e lartë e juglindjes përshendet mundësinë që krijohet kështu për të
futur që tani forca [gjermane] në Shqipëri. Me 29.08.1943 njoftohet pranimi
prej Hitlerit për këtë lëvizje.
.....Komanda e lartë e
juglindjes merr detyrën të lidhet me shtabin e përgjithshëm bullgar dhe të
pyesin [për të ngacmuar mendimin] nëse bullgarët do të ishin të gatshëm që në
rastin e një zbarkimi armik dhe të operacionit „Achse“ [operacioni i
çarmatosjes së uhstrisë italiane që pritej të kapitullonte] të zgjerojnë zonën
e tyre të pushtimit deri në Mal të Zi dhe Shqipëri. Zona e shtrirjes së
pushtimit do të varet nga gjendja në Serbi dhe nga planet e vendosjes së
trupave bullgare të artilerisë.
Faqe 1035 - 30.08.1943. Në
një bisedë të Hitlerit me një ekspert të ministrisë së jashtme për çeshtjen
shqiptare peshohen mundësitë e paqtimit me Shqipërinë në rastin e një pushtimi
gjerman në vijim të operacionit „Achse“.
Faqe 1042 - 01.09.1943.
Për marshimin e trupave gjermane në Shqipëri, për të cilin është parashikuar
Divizioni 100 i forcave ajrore rajonale, është kërkuar pranimi me shkrim i
komandës italiane lindore, pranimi me gojë ka ardhur.
Faqe 1051 - 03.09.1943.
Komanda e lartë e juglindjes është dakort me largimin e Divizionit I të tankeve
nga Peleponezi. Por duhet të kihet parasysh dobësimi për rreth 4 javë i forcave
të atjeshme. Komanda e juglindjes tërheq vëmendjen se nëse ky Divizion do të
përdoret si një grup rezervë i ushtrisë, atëhere pushtimi i Shqipërisë në
rastin e operacionit "Achse", për të cilin ai Divizioni ishte
parashikuar, nuk mund të kryhet.
Faqe 1055 - 04.09.1943.
Komanda e lartë e juglindjes lajmëron se pushtimi i aeroprteve në Shqipëri me
nga një batalion ka filluar dhe do të përfundojë në mes të Shtatorit.
Faqe 1058 - 05.09.1943.
.... 4.1. Divizioni italian "Brennero" i Korparmatës III italiane po
zhvendoset për në Shqipëri.
Faqe 1063_1064 -
06.09.1943. Komanda e lartë e juglindjes lajmëron më 05.09.1943 se komanda
supreme italiane ende nuk ka praniar futjen e trupave të Divizionit 100 të
forcave ajrore [gjermane] dhe se komanda e lartë italiane e lindjes do të
lejojë futjen e Divizionit në zonën e Dibrës ose të Korçëes, por jo në Elbasan.
K.S.F.A. është dakort me qëllimin e komandës së lartë në juglindje që
Divizionin në fjalë, i cili tani për tani ndodhet në zonën Ohër–Bitola, ta lërë
atje. Ndërkohë të kqyren rrugët, të mbahet lidhje me trupat që sigurojne
aeroportet shqiptare. Italianët të njoftohen për këtë.
Faqe 1068 - 07.09.1943.
[Mbas armëpushimit të Italise me aleatët nënshkruar më 03.09.1943, i cili u bë
i njohur më 08.09.1943]: ....3. A nevojitet t'i bëhet thirrje gjithë Ballkanit
(kroatëve, serbëve, shqiptarëve, grekërve) kundër italianëve? Me këtë mënyrë
mund të paksohet armiqësia ndaj gjermanëve. Por në një rast të tillë duhen
dhënë premtimet e nevojshme (bregu i detit Adriatik për Kroacinë, pavarësia për
Shqipërinë) dhe të jepen dhe faktet e nevojshme për këtë.
Faqe 1069 - 07.09.1943.
[Përshkruhen masat që merr shtabi gjerman mbas armëpushimit të Italisë me
aleatët].....5. Duke hequr dorë nga ishujt jonikë hiqet dorë nga një mundësi e
mirë për t'u hedhur në Greqi dhe Shqipëri.
Faqe 1072 - 07.09.1943.
Komandës së lartë të juglindjes i njoftohen qëllimet e komandës supreme
italiane për zhvendosjen e Korparmatës III italiane për në Shqipëri si dhe
zhvendosja e tre Ddivizioneve nga Kroacia në tokë italiane. Në vend të një
Ddivizioni të ndodhur në Kroaci, do të zhvendoset tashme Divizioni
"Forli" i Koorparmates III italiane për në atdhe, kështuqë Shqipëria
përforcohet vetëm nga dy Divizione italiane ("Brennero" dhe
"Pinerelo").
Faqe 1082 - 08.09.1943.
Pasi i është dhënë parrulla “Achse“, komanda e lartë [gjermane] në juglindje
lajmëron me gojë në orën 22:20 se komanda e lartë e ushtrisë italiane ka
pranuar dorëzimin e armëve të rënda dhe të paluejtshme, por ka kërkuar që
ushtarët të mbajnë armët e dorës duke patur parasysh edhe rrezikun bolshevik që
i kërcënohet Italisë. Komanda e lartë e juglindjes e ka hedhur poshtë këtë
kërkesë. Në Shqipëri gjendja është akoma e paqartë, sepse komandanti i lartë
italian nuk është i pranishëm dhe në këtë mënyrë i fshihet përgjegjësisë që ka.
Faqe 1085 - 09.09.1943.
Shtabi suprem gjerman njofton se ka për qëllim që Shqipërinë ta njohë si
autonome (në kushte të caktuara së bashku me Malin e Zi). Ministria e Jashtme
të dërgojë një trupë të posaçme që të sqarojë në vend gjendjen. Derisa të
sqarohet kjo gjë, në Shqipëri dhe Mal të Zi do ta ketë pushtetin egzekutiv
Armata II e tankeve.
Faqe 1089 - 10.09.1943. Në
Rhodos vazhdojnë luftime me italianët. Lëvizjet e trupave tona në Shqipëri dhe
Mal të Zi u zhvilluan sipas planit. Popullsia e Greqisë, Shqipërisë, Serbisë
dhe Kroacisë është ende e qetë. ..... Nuk llogaritet më një sulm anglo-amerikan
në Ballkanin jugor, por është i qartë rreziku në frontin e Adriatikut, në të
cilin Shqipëria është pika më e dobët.
Faqe 1090 - 10.09.1943.
Komanda e lartë në juglindje ka përmbledhur dhe paraqitur rishtas kërkesat për
mbrojtjen e zones juglindore, duke u bazuar edhe në raportin mbi gjendjen e
armikut të paraqitur nga departamenti i ushtrive të huaja perëndim. Ndër të
tjera ka kërkuar qartësimin e përgjegjësisë komanduese në pjesën veriore të pjesës
juglindore, futjen e shpejtë të forcave gjermane për mbrojtjen e bregut të
Kroacisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë, afrimin e Divizioneve sulmuese,
përforcimin e Divizionit sulmues në Rhodos për të krijuar një Divizion të plotë
me dy Regjimente dhe pajisjen e plotë të Divizionit SS "Nordland" si
dhe të Brigadës SS "Nederland", rritjen e numrit të forcave të
sigurisë në gjithë zonën e prapavijës, çuarjen e artilerisë bregdetare në
bregun shqiptaro-dalmatik dhe kthimin e tij në një kala bregdetare.
Faqe 1095 - 11.09.1943.
Vazhdojnë luftimet në Rhodos, ku kanë arritur anije lufte me trupa. Lëvizjet e
trupave tona në Greqi sipas planit. Në Shqipëri ka filluar krijimi i një
qeverie të re. Divizioni gjuajtes 100 arriti Valonën dhe pushtoi pjesë të
Durrësit në bashkepunim me forca të tjera që i ka nën komandë.
Faqe 1098 - 12.09.1943. Në
Rhodos kapitullojnë forcat italiane prej 40'000 vetësh. Në Kretë, forcat
italiane pro-gjermane bashkohen me trupat gjermane. Në veri-perëndim të Athinës
dhe në [ishullin] Eube ka lëvizje banditësh. Në Shqipëri përparon pushtimi i
zonës bregdetare.
Faqe
1100 - 13.09.1943. [Pëshkruhen urdhërat në lidhje me oficerët dhe ushtarët
italianë të cilët shprehen të gatshëm të luftojnë në krah të gjermanëve].
Egzistojnë disa mundësi për t'i përdorur këto trupa: 1) Si milicë ose policë në
Itali, pasi të jenë stërvitur nga forcat SS ose jashtë Italisë në luftime
kundra bandave. 2) Si batalione ndërtimi në ushtrinë gjermane. 3) Si trupa ndihmëse në në
përbërje të trupave gjermane. Përjashtohet futja e këtyre trupave në zonat me
popullsi me origjinë gjermane si dhe në Kroaci dhe Shqipëri.
Faqe 1102 -13.09.1943.
Çeshtja e një shteti shqiptaro-malazez është e hapur, pasi ato rrethe shqiptare
me të cilat janë krijuar lidhje, meqenëse nuk janë të sigurta se si do të
mbarojë lufta, nuk pranojnë autonomi në sajë të mëshirës së Gjermanisë.
Faqe 1114 - 17.09.1943.
Bregu shqiptaro-dalmatik-malazez fiton gjithmonë e më shumë rëndësi, sepse aty
egzistojnë kushte të përshtatshme për kundërshtarin njësoj si në bregun e
Kanalit [La Manche], prej nga mund të ndërmerret një sulm për në zemër të
Europës.
Faqe 1116 - 17.09.1943.
Gjendja në Greqi dhe Shqipëri është e kënaqshme. ..... Pasi kanë dështuar
përpjekjet e para për të krijuar një qeveri në Shqipëri, (krahaso 13.9./6) po
bëhen përpjekje në Kosovë ku janë gjetur vendas të gatshëm për të krijuar një
qeveri kombëtare. Nëse kjo do të ketë sukses, atëhere duhet ngritur një
administratë që të duket nga jashtë si e pavarur.
Faqe 1127 - 21.09.1943.
K.S.F.A. kujton se sipas urdhërit të datës 15.09.1943 mund të përdoen për
punime ndërtimi vetëm trupa italiane besnike, por vetëm në Greqi dhe jo në
Kroaci, Mal të zi dhe Shqipëri, ku duhet të merren për këto punime banorë
vendas.
Faqe 1134_1135 -
23.09.1943. Divizioni "Brennero" që vepron në Shqipëri ka shprehur
gatishmërinë për të vazhduar luftimet në anën gjermane. Komanda e lartë e
juglindjes ka urdhëruar dërgimin e tij në zonën Rashka-Mitrovicë në mënyrë që
trupat të mund të kontrollohen dhe ajo pjesë që do të gjykohet e besueshme do të bashkohet me batalionet
këmbësore 999. Shtabi drejtues gjerman nuk do që trupa pak të besueshme të
shkrihen në batalionet 999 dhe parashtron që ato trupa të përdoren në sigurimin
e transportit mbi shina. Trupat që lirohen kështu prej andej do të bashkohen me
batalionet e tjera.
Shtabi i përgjithshëm
bullgar ka paraqitur një raport mbi gjendjen e pakicës bullgare në kufirin
lindor shqiptar. Ky raport është gjykuar nga komanda juglindore si i tepruar.
Prandaj ka parashtruar që kërkesa bullgare për pushtimin e kësaj zonë të hidhet
poshtë dhe atje të përdoren trupa të milicisë shqiptare. Ky mendim është
pranuar më 20.09.1943 nga shtabi drejtues gjerman. Ministria e Jashtme njofton
më 21.09.1943 se i dërguari bullgar ka kërkuar të pushtohen prej bullgarëve
zonat kufitare të Shqipërisë të populluara nga bullgarë në mënyrë që të mbrohen
pakicat bullgare nga shqiptarët.
K.S.F.A. njofton atasheun
ushtarak gjerman në Sofie [të Bullgarisë] se komanda e lartë juglindore e
vlerëson situatën në kufi shumë më pozitivisht se sa shtabi i përgjithshëm
bullgar. Prandaj atje do të veprojnë forca vendore milicie për të ruajtur
sigurinë. Pushtimi i asaj zone tani për tani nuk është i nevojshem.
Faqe 1139 - 24.09.1943.
Shtabi qëndror i ushtrisë ka caktuar pikat e mëposhtme për bisedimet me
komanden juglindore që do të zhvillohen më 24.09.1943 në kuartierin kryesor të
Hitlerit. I. Zhvillimi i luftës: ..... Radha e kundërsulmeve dhe trupat që do
të përdoren, pushtimi i ishujve në Egje dhe Adriatik, ……., sigurimi i
prapavijës në Shqipëri dhe Mal të Zi….
Faqe 1143 - 25.09.1943.
Gjendja në Ballkan: Në Eube, Shqipëri, Serbi dhe Mal të Zi, vazhdojnë veprimet
e bandave dhe ka filluar një operacion spastrimesh nga ana jonë.
Faqe 1144 - 26.09.1943.
Komanda e juglindjes lajmëron për sigurimin e zonës
Tetovë-Gostivar-Dibër-Strugë-Kiçevë (Shqipëria lindore), zonë të cilën
dëshironin ta pushtonin bullgarët.
Faqe 1147 - 27.09.1943. Vazhdojnë veprimet
kryengritëse në Shqipëri.
Faqe 1151 - 28.09.1943. Në
një shtesë të njoftimit për atasheun ushtarak gjerman në Sofie me
23.09.1943 thuhet se zona e Shqipërisë
veri-lindore deri në luginën e Vardarit do të pushtohet më vonë nga trupa
gjermane.
Faqe 1154 - 30.09.1943. Në
Shqipëri mprihen më tej veprimet e bandave; janë vënë re gjithnjë e më shumë
agjentë britanikë.
Faqe 1164 - 01.10.1943.
[Bëhet fjalë për udhëzimet e komandës së lartë gjermane për shpërndarjen e
trupave në juglindje]. .... Divizioni X Malor të dërgohet në Epir ose në bregun
shqiptar. .... Vazhdojnë spastrimet në Shqipëri dhe Kroaci.
Faqe 1168 - 03.10.1943. Hitleri urdhëron të emërohet një
"Gjeneral përgjegjës për Shqipërinë“. K.S.F.A. lëshon një urdhëresë për
këtë.
Faqe 1171 - 04.10.1943.
Hitleri i urdhëron komandës së lartë jugore dhe Grupit B të ushtrisë sa vijon:
Pritet që armiku t'i drejtojë operacionet kryesore kundër rajonit juglindor ose
nga Italia jugore për në Shqipëri - Mal të Zi - Kroaci jugore ose pas luftimeve
nga Italia qëndrore kundër Kroacisë veriore – Istria.
Faqe 1178 - 06.10.1943.
Pritet një sulm britanik në rajonin juglindor kundër bregut shqiptaro-dalmatik
ose nëpër detin Egje kundër Maqedonisë dhe Thrakisë.
Faqe 1181 - 07.10.1943.
Forcohet veprimi i bandave në Shqipëri dhe Kroaci.
Faqe 1184 - 08.10.1943. Në
Shqipëri është ngritur me ndihmën gjermane një qeveri shqiptare, e cila ka ndër
mend të krijoje një trupë milicie të vetën. Njoftimet e shtabit drejtues të
ushtrisë për datat 09.10.1943 dhe 13.10.1943 mbi lirimin nga ushtria të
shqiptarëve që ndodhen në Divizionin SS Malor të Bosnjes janë hedhur poshtë nga
krye-komandanti i SS-ve [Heinrich Himmler].
Faqe 1191 - 10.10.1943.
K.S.F.A. është dakort me idenë e shtruar më 01.10.1943 nga komanda e lartë
juglindore për zhvendosjen e forcave të ndërtimit të përforcimeve në zonën e
Armatës II të tankeve (bregu shqiptaro-dalmatik).
Faqe 1193 - 11.10.1943.
Gjendja në Ballkan: Vazhdojnë spastrimet tona në Greqi. Në Shqipëri luftime të
Divizioneve Gjuajtës 100 dhe 118 me pjesët e mbetura të Divizioneve italiane
"Firenze" dhe "Venecia".
Faqe 1197 - 13.10.1943.
Qeveria [italiane] e gjeneralit Pietro Badoglio i shpall luftë Gjermanisë.
Mbreti i Italisë heq dorë nga titulli “Perandor i Etiopisë” dhe “Mbret i
Shqipërisë”.
Faqe 1208_1209 -
18.10.1943. Hitleri ka njoftuar këshillin e regjentit bullgar më 18.10.1943 se
do t'u vijë për vizitë gjenerali M. R. von Weichs, mbi përforcimin e bregut të
Thrakisë afër Kavallës me një Divizion bullgar, si dhe mbi masat që do të
merren për mbrojtjen e pakicave bullgare në Shqipërinë lindore.
Faqe 1212 - 21.10.1943.
K.S.F.A. përkufizon të drejtat e gjeneralit të plotfuqishëm gjerman në Shqipëri
si dhe të komandaturës që do të ngrihet në Mal të Zi.
Faqe 1221 - 25.10.1943.
Qeveria shqiptare nuk ka mbështetje. Nuk është arritur ende ndonjë lidhje me
krerët e bandave të levizjes kombëtare greke dhe me Mihailoviçin [Dragoljub
"Draža" Mihailoviç, komandati i çetnikëve serbë, pro-mbretërorë].
Faqe 1252 - 05.11.1943. Në
Shqipëri ka dy grupe banditësh: komunistët që janë të lidhur me Titon dhe kombëtarët që nuk duan të njollosen nga
lidhja me gjermanët.
Faqe 1254 - 05.11.1943.
Është krijuar dhe ka kryer betimin një qeveri kombëtare shqiptare......Shtabi
qëndror i ushtrisë ka parashtruar më 04.11.1943 për takimin që mbahet më
05.11.1943 me delegacionin bullgar në shtabin e Hitlerit këto pika: 1)
Përdorimi i një Divizioni tjetër bullgar ndërmjet Divizioneve bullgare VII dhe
XVI. 2) Siguria në rajonin kufitar Bullgari-Shqipëri.
.....Meqenëse Hitleri i ka
premtuar kryeministrit bullgar mbrojtjen ushtarake të zonave kufitare të
Shqipërisë, duhet që komanda e lartë e juglindjes ta mbajë këtë premtim. (Bëhet
fjalë për një rajon me pakica bullgare, zonë të cilën ishin të gatshem ta
pushtonin forcat vendore bullgare por u penguan nga qeveria e tyre. Trupat
gjermane janë shprehur të paaneshme. Kur më vonë komunistët sulmuan pakicat bullgare,
bullgarët kërkuan pushtimin e kësaj zone nga gjermanët. Nuk dihet arësyeja pse
bullgarët nuk e pushtojnë vetë atë rajon. Për këtë detyrë ishte parashikuar
Divizioni I i tankeve; meqenëse ky u zhvendos për në lindje, pakicat mbetën të
pambrojtura. Mbas kësaj dhe kërkesës së përsëritur për ndihmë, Hitleri urdhëroi
pushtimin e Shqipërisë lindoe me trupa gjermane).
Komanda e lartë e
juglindjes merr në të njëjtën ditë urdhërin për spastrimin e zonës
Tetovë-Dibër-Strugë-Kiçevë-Gostivar dhe krijimin e trupave vendore të
vetëmbrojtjes me ndihmen e SS-ve dhe të forcave policore të Greqisë dhe me armë
të marruna forcave italiane. Më 06.11.1943, komanda e lartë e juglindjes njofton për masat që ka
ndërmend të marrë. Hitleri shprehet dakort me to më 07.11.1943. Komandanti i
Shtabit të Operacioneve në K.S.F.A. [gjenerali Alfred J. F. Jodl] vendos që
batalionet gjermane të presin derisa të jetë ngritur milicia, e cila duhet të
përbëhet nga maqedonas bullgarë. Komanda e lartë e juglindjes merr udhëzimet e
nevojshme.
Faqe 1268 - 10.11.1943.
Komanda e lartë e juglindjes gjykon luftën kundër Titos si detyrën kryesore,
edhe më të rëndësishme se ruajtja e kufirit bregdetar. Meqenëse forcat e
nevojshme për këtë janë dobësuar dukshëm për shkak të zhvendosjes se trupave në
lindje, i njoftohet se Hitleri ka pranuar përdorimin e Divizionit I Malor për
operacionin "Kugelblitz" [kundër partizanëve komunistë jugosllavë në
Dhjetor 1943]. Pas këtij operacioni ky Divizion duhet të pozicionohet në mënyrë
të tillë që të mund të përdoret si forcë rezervë në Shqipëri dhe në Greqinë
veri-perëndimore.
Faqe 1275 - 12.11.1943. I
plotfuqishmi gjerman në Shqipëri është gjenerali Theodor Geib, por fuqia
egzekutive është në dorën e komandës së lartë të Armatës II të tankeve
(Gjenerali Lothar Rendulic).
Faqe 1278 - 13.11.1943.
Shënim në dosje mbi rëndësinë ekonomiko-ushtarake të Shqipërisë dhe nxjerrjen e
kromit atje.
Faqe 1289 - 17.11.1943. Në
Shqipëri ka vështirësi sepse ushtarëve nuk u paguhet dot rroga në monedhën
vendase, sepse qeveria shqiptare nuk pranon të japë shumën e nevojshme për këtë
dhe ne nuk duam të bëjmë presion më të fortë. I derguari Hermann Neubacher po
përpiqet për një zgjidhje të problemit.
Faqe 1290 - 18.11.1943.
Përfundim i spastrimeve të Divizionit Gjuajtës 100 në Shqipëri dhe luftime në
Peljeshac [në bregdetin kroat].
Faqe 1292 - 19.11.1943.
..... Spastrime të sukseshme në Shqipëri dhe në veri të Malit të Zi.
Faqe 1317 - 28.11.1943.
Gjendja në Ballkan: Bombardime armike në qarkullimin rrugor dhe depozitat me
materiale në zonën e Kroacisë jugore, Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Faqe 1330 - 02.12.1943.
....Qëndrim i qetë i bandave në Shqipëri dhe Mal të Zi.....Për shkak të
vështirësive në financimin e ushtrisë në Shqipëri i kërkohet Ministrisë së
Jashtme më 03.12.1943 të caktojë një zëvëndës për të dërguarin Hermann
Neubacher. Kjo i njoftohet edhe komandës së lartë të juglindjes e cila merr
edhe udhëzimet përkatëse. Meqenëse po shtohet veprimi luftarak armik në rajonin
shqiptaro-kroat, komanda e lartë e juglindjes njofton për rrezikun e krijuar
mbi të gjitha trupat që marrin pjesë në operacionin „Kugelblitz“.
Faqe 1335 - 04.12.1943.
Zyra e spiunazhit ushtarak merr udhëzimet përkatëse në lidhje me qëndrimin që
duhet të mbajë përkundrejt Ministrisë së Jashtme përsa i përket kundërshtive
kufitare bullgaro-shqiptare në liqenin e Ohrit.
Faqe 1373 - 20.12.1943.
Përpjekjet e Këshillit të Regjencës nuk arrijnë të tërheqin forcat kombëtare në
Shqipëri.
Faqe 1461 - [Kapitulli: Shënime dokumentash në Ditarin e
Luftës] 04.10.1943. Plan lufte për komandandën e lartë të jugut dhe Grupin
ushtarak B: .... A) Unë pres që armiku t'i drejtojë sulmet e tij kryesore
kundër rajonit juglindje duke u nisur nga Italia, mbase dhe me një pjesë të
forcave nga Afrika. Nuk mund të parashikohet nëse kundërshtari do të drejtohet
kunder Shqipërisë/Malit të Zi/Kroacisë nga Italia jugore që është e pushtuar
prej tij, apo do të përpiqet të shtyjë për në veri forcat gjermane në
Itali......Nënshkruar Adolf Hitler.
Faqe 1474 - [Kapitulli: Shënime dokumentash në Ditarin e Luftës] 10.12.1943. .... Divizionet italiane Arezzo,
Taurinese, Ferrara, Emilia, Venecia dhe Parma në Mal të Zi dhe Shqipëri janë
vënë nën komandën e banditëve; një pjesë e Divizionit Firence [Divizioni 41 i
Këmbësorisë] luftojnë nën komandën e komandantit të tyre të Divizionit në anën
e banditëve [në Shqipëri]. Gjithsej rreth 11000 veta. Përafërsisht 2200
italianë janë kapur prej ushtrisë gjermane.
Faqe 1540 - Udhëheqja
gjermane e ushtrisë në vitin kulminant të luftës. Vështrim i përgjithshem i
Ditarit të Luftës i shtabit udhëheqës gjerman në vitin 1943: .... Pasi
aeroportet shqiptare ishin pushtuar nga forcat tona që përpara kapitullimit të
Italisë, u përgatit në Shtator 1943 themelimi i një shteti shqiptar të pavarur.
Ngritja e një shteti shqiptaro-malazez nuk u prit mirë meqenëse nuk donin të
ishin të varur nga Gjermania e cila praktikisht e kishte humbur luftën. Së
fundi u krijua në fillim të Tetorit me ndihmën e Gjermanisë një qeveri
shqiptare e cila mori përsipër bërien gati të 30'000 forcave vullnetare.
Faqe 1545_1546 -
[Kapitulli: Vështrim i përgjithshem i Ditarit të Luftës i shtabit udhëheqës
gjerman në vitin 1943. Në pjesën mbi Bullgarinë shkruhet]: .....Qeveria e re
bullgare (pas vdekjes se carit Boris) me sa duket kërkonte që mbështetja
ushtarake të shpërblehej me marrje tokash në lindje të Shqipërisë, ku jetonte
një pakicë e shpërndarë bullgare. Kështu më 05.11.1943, kur u bisedua mbi
politikën pushtuese bullgare në Ballkan, [Ministri i Jashtëm bullgar]
Schischmanoff vuri në dukje trajtimin e mirë të pakicës greke nga bullgarët në
Thraki. Kësaj paraqitje të ministrit bullgar Schischmanoff i përgjigjet Hitleri
me vërejtjen se kjo është një politikë e zgjuar e bullgarëve.
Për sa i përket shkëmbimit
të mendimeve mbi Shqipërinë, [Kryeministri bullgar i pranishëm në takim]
Bojiloff me shumë kujdes kërkoi që të mendohej mbi mundësinë e zhvendosjes së
trupave bullgare në zonën e rrezikuar kufitare me Shqipërinë. [Ai tha]
Bullgaria ka vetëm trupa të pakta dhe të pajisura keq, por ajo do të përpiqet
të bëjë gati trupat e nevojshme për këtë qëllim. Nga ana tjetër ai beson se me
bisedime të drejtpërdrejta me qeverinë shqiptare mund të arrihet një zgjidhje
për problemet e sipërpërmendura. Hitleri mban një qëndrim negativ ndaj këtyre
kërkesave dhe mendon se më e mira do ishte që trupat SS të ngrenë një trupë të
përhershme të përbërë nga bullgarë. Në këtë mënyrë do të ishin të pranishme
trupa bullgare në këtë rajon.
Një ideje të kryeministrit
bullgar Bojiloff se ai dëshironte rishikime territoriale në kufirin shqiptar,
Hitleri nuk iu përgjigj drejtpërdrejt dhe sqaroi se një gjë e tillë do e
ndërlikonte pa ndonjë dobi gjendjen në Shqipëri..... Në zonën kufitare
Bullgari-Shqipëri do të ngrihet nga trupat SS një formacion i përbërë nga
bullgarë të Maqedonisë, por qeveria shqiptare e sapo krijuar në fillim të
Nëndorit 1943 nuk mund të njolloset me dhurim territoresh [bullgarëve].
Faqe 1614 - [Nën pjesën
mbi Ballkanin si rajon operacionesh ushtarake, shkruhet]: .... Në Shqipëri u
pushtuan me kohë aeroportet dhe veç kësaj grupet partizane asnjanësonin
njeri-tjetrin, ndërsa një qeveri e krijuar nën ndikimin e ushtrisë gjermane
pranoi rekrutimin e vullnetarëve shqiptarë për Divizionin SS
"Skanderbeg". .... Poshtëshënim: Georg Kastriota, gjeneral
Iskender-bej (Skanderbeg) ishte një fisnik shqiptar (1405-1468), mbrojtës i krishtërimit dhe lirisë së
shqiptarëve ndaj turqve.
Vëllimi IV
1 Janar 1944 - 22 Maj 1945
Roli
i Grup-Armatave dhe Komandave të tyre
Faqe 35. Sado i madh është
roli i komandave dhe Armatave të tjera, roli i Armatës dhe komandës juglindore
(Grup-Armata E me kryekomandant gjeneral-kolonelin Alexander Löhr) ishte i
jashtëzakonshëm. Lexuesi i këtij libri do vëreje se si Hitleri nuk i mori
parasysh këshillat e “ekspertëve” të cilët ishin ushtarakë të shkolluar porqë
ai i shikonte me dyshim dhe përbuzje. Vetëm me shumë vonesë ai lejoi largimin e
trupave nga Kreta dhe ishuj të tjerë të Egjeut, ku ishin akoma 60'000 ushtarë.
Për çudi, u krye edhe largimi i trupave nga Peleponezi ku kishte vetëm një
hekurudhë dhe një urë lidhëse me pjesën tjetër të Greqisë. U krye edhe largimi
i trupave nga Greqia, megjithëse aty vepronin dy palë forca partizane që për
fat luftonin kundër njëra-tjetrës.
Katastrofa ishte në prag,
kur trupat tërhiqeshin nëpër malet e Ballkanit, sepse nën shtysën sovjetike
forcat bullgare që deri në atë kohë kishin luftuar në anën tonë na sulmuan nga
krahu i pambrojtur lindor. Por ai sulm jo vetëm që u përballua por edhe u
mbajtën pozicionet derisa ushtari i fundit u largua nga Shqipëria. Tërheqja e
mëtejshme pengohej nga male të larta deri në 1400 metra dhe ngrica e dimrit që
po fillonte, dy faktorë tmerret e të cilëve vështirë se mund të mbivlerësohen;
megjithatë u rrezikua edhe më shumë ngase trupat e Titos, që deri në atë kohë
ishin mbajtur në fre nga trupat gjermane, tani mund të vepronin lirshëm.
Prandaj ushtria e Titos mundi të bashkohej me trupat e ushtrisë së kuqe që po
vinin nga Rumania dhe pushtuan Beogradin.
Me gjithë ato vështirësi
Grup-Armata E e gjeneralit Alexander Löhr arriti të mbante deri në Prill 1945
një front të mbyllur që shtrihej nëpër Kroaci dhe Bosnje, me një gjatësi prej
1500 km. Gjenerali Alexander Löhr arriti të bënte atë që nuk arriti ta bënte
Napoleoni Bonaparti gjatë tërheqjes nga Rusia: ai tërhoqi trupat e tij dhe
arriti të ndërtonte një front të ri i cili nuk u prish ballë për ballë por nga
shpina.
Teatri Italian i Luftës
(01.04.1944 - 31.12.1944)
II. Luftimet nga marrja e
Romës më 4 Qershor 1944 deri në marrjen e Firences (10 Gusht 1944) dhe zbarkimit
të armikut në Francën jugore më 15 Gusht 1944
4. Mbrojtja e zonës
operative të bregut Adriatik përfshirë edhe Istrian
Faqe 540. Shtimi i
veprimit të bandave në Greqinë veriore, Shqipëri dhe Mal të Zi mund t'i
shërbejë bllokimit të forcave gjermane dhe përgatitjes së zbarkimit të trupave
polake ose trupave të tjera sllave.
Faqe 541. Prandaj duhet që
komanda juglindore të jetë e përgatitur të përballojë një zbarkim në Shqipërinë
jugore ose Greqinë veriperendimore. ..... Për mbrojtjen e brigjeve të
rrezikuara, Hitleri ka urdhëruar përforcimin dhe zgjerimin e mbrojtjes së
brigjeve detare, përforcimin e artilerisë bregdetare me qendër rëndese brigjet
e Adriatikut, duke futur në veprim forcat e artilerisë që kanë qenë në Krime
dhe që tani janë të gatshme për luftim kundër bandave në Shqipërinë e jugut dhe
Greqinë e veriut.
Zhvillimet Luftarake në
Juglindje (01.01.1944 - 31.03.1944)
Hapësira juglindore si
pjesë e teatrit të përgjithshëm luftarak
Vështrim mbrapa i vitit
1943
Faqe 603. Fronti i tretë
në zonën juglindore, bregu shqiptaro-malazez-dalmat, nuk paraqiste rrezik të
madh në kohën që tokat italiane në bregun e përtejmë ishin të gjitha në duart e
fuqive të boshtit. Sidoqoftë, dendësia shumë e vogël e rrjetit rrugor, mungesa
pothuajse e plotë e hekurudhave, gjendja e ujësjellsave, etj., do ta
vështirësojnë përparimin e forcave armike dhe do t'i japin kohë komandave tona
të marrin masat e nevojshme.
Faqe 604. Pasi më
25.07.1943 ra qeveria e Musolinit në Itali, u zbatua me atë rast plani
"Achse" (më parë i quajtur "Alarich" për Italinë dhe
“Konstantin” për Ballkanin): ndërhyrja në Itali dhe në zonën juglindore,
çarmatosja e italianëve dhe marrja përsipër e mbrojtjes së zonave që më parë
ishin të mbajtura nga italianet në Kroaci, Mal të Zi, Shqipëri dhe Greqi.
Faqe 605. Një pjesë e
trupave italiane u hodh në anën e kryengritësve, sidomos pasi u dha lajmi se
Italia nuk luftonte më në krah të Gjermanisë, dhe mbanin nën kontroll një pjesë
të madhe të bregut dalmatiko-malazezo-shqiptar.
Faqe 606-607. Hitleri
theksoi në ditët e fundit të Dhjetorit 1943 se ai parashikonte një sulm armik
në zonën e Ballkanit sidomos në krahun e bregut dalmatiko-malazezo-shqiptar.
Shpërndarja e forcave
në fillim të vitit 1944
Faqe 611. Në Shqipëri
kishte dy njësi ushtarake gjermane: në afërsi të bregdetit në perëndim të
Beratit ndodhej Divizioni 100 Gjuajtës dhe në zonën e Crna-s [Malit të Zi -
shën. red.] Divizioni 297 Këmbësor, të dy nën komandën e Korparmatës XXI.
Analiza
dhe masat kundrejt një zbarkimi të aleatëve në Nettuno të Italisë (22.01.1944)
Faqe
613. .... Operacionet e zbarkimit të aleatëve janë të mundshëm së pari në
bregun perendimor të Ballkanit nga Arta deri në jug të Splitit dhe së dyti
përmes Detit Egje drejt Selanikut. Në atë rast Turqia do të braktiste
asnjanësinë e saj ose edhe nëse do zbatohej operacioni "Gertrude" [i
pushtimit të Turqisë nga ushtria gjermane - shën. red.] aleaët do të zbarkonin
në bregun perendimor të Ballkanit.
Riorganizimi i njësive
SS
Faqe 623-624. Më
02.03.1944 iu bë me dije komandës së lartë juglindore se i jepej komanda
taktike mbi Divizionin 18 SS Këmbësorie të Motorizuar "Horst Wessel",
përfshirë edhe trupat e zëvëndë-komandës së përgjithshme të Korparmatës XVII.
Deri në një urdhër të ri, ky Divizion lejohej të përdorej vetëm për detyra të
ruajtjes së sigurisë brenda rajonit ku ai ndodhej. E njëjta gjë vlente edhe për
Divizionin SS "Skanderbeg", i cili siç iu bë me dije komandës së
lartë në juglindje më 12.03.1944 do të krijohej nga trupa shqiptare të ndodhura
në Divizionin 13 SS Boshnjak dhe trupa milice shqiptare.
Serbia dhe Mihaloviçi
në dimrin 1943-1944
Faqe 639. Edhe në Shqipëri
pati në fillim kushte të përshtatshme për bashkimin e forcave kundra-komuniste
dhe ngritjen e njësive milice në përputhje me planin nga Hermann Neubacher.
Fuqia shtytëse në atë drejtim ishte Ministri gjermanodashës Xheva. Në
bashkëpunim me të filloi në Janar 1944 ngritja e një aparati shteteror zbatues.
Bëhej fjale në fillim për mbeshtetjen e katër batalioneve këmbësorie të cilët ishin
tashmë në veprim dhe forcat pushtuese do t'i ndihmonin nëpërmjet dhënies së
armatimit, pajisjeve, personelit stërvitës dhe mbikqyrës.
Veç asaj do të përgatitej
bashkimi i të gjitha njësive që ndodheshin nën udhëheqjen e krerëve të fiseve
ose udhëhqësve në një ushtri kombëtare. Udhëheqja ishte në dorën e një SS të
lartë dhe kryekomandanti policie në Shqipëri, Gjeneral-Majorit dhe
Komandant-Brigade SS Josef Fitzthum, i cili në dukje ishte këshilltar i
Sekretarit të Shtetit Shqiptar për sigurinë kombëtare. Komanda operacionale e
njësive ushtarake shqiptare të përmendura më lart në të gjitha çeshtjet e
veprimit ushtarak, të vendndodhjes dhe kohës së veprimit të trupave ishte në
dorën e komandës së përgjithshme të Korparmatës XXI në Tiranë.
Atëhere ishte edhe posti i
gjeneralit të plotfuqishëm gjerman, në fillim gjenerali Theodore Geib dhe
pastaj gjenerali Otto Gullmann, të cilët fillimisht kishin për detyrë të
ushtronin ndikimin e tyre mbi autoritetet shqiptare (për të cilat Ministria e
Jashtme gjermane kërkon një pavarësi sa më të madhe) sipas udhëzimeve të
komandës së lartë juglindore. Shtabi i gjeneralit të plotfuqishëm gjerman u
zvogëlua në periudhën fundviti 1943 - fillimviti 1944; për ca kohë u hodh
mendimi të bëhej një bashkim me komandën e gjeneralit të Korparmatës XXI, por
ajo nuk u ndoq më tej. Bashkë-egzistenca e këtyre komandave të ndryshme të
cilave iu shtohej edhe i plotfuqishmi i Ministrisë së Jashtme Gjermane [Hermann
Neubacher] krijoi njësoj si në Kroaci vështirësi të mëdha.
Të gjitha ato masa
vështirësoheshin njësoj si në Mal të Zi prej situates së vështirë ekonomike dhe
furnizimit të keq me ushqime. Masat parandaluese të autoriteteve gjermane, para
së gjithash të të dërguarit Hermann Neubacher kundër ngritjes së çmimeve dhe
inflacionit, ishin vetëm pjesërisht të mbara. Në Mars – Prill 1944 të dy vendet
kërcënoheshin nga uria. I dërguari Hermann Neubacher u përpoq të ndihmonte
nëpërmjet ushtrisë gjermane dhe ndër të tjera kërkoi dërgimin e 120 kamionëve.
Meqenëse ato mund të dërgoheshin vetëm pjesë-pjesë, Komanda Supreme Gjermane i
lejoi komandës juglindore të ndihmonte me mjetet e veta; ideja ishte që komanda
juglindore në zonat ku popullsia civile nuk furnizohej dot nëpërmjet
administratës vendore të merrte përsipër jo vetëm furnizimin por edhe
përgjegjësinë për ato zona, kuptohet në bashkëpunim të ngushtë me të dërguarin
Hermann Neubacher.
Luftimet në muajt e
dimrit dhe të pranverës
Faqe 647. Më 13.02.1944
komanda në juglindje mori udhërin që Divizioni 100 Gjuajtës, i cili shërbente
për mbrojtjen e brigjeve të Shqipërisë, të largohej që andej me shpejtesi në
mbrojtje të hekurudhës në rajonin Manastir-Shkup.
Faqe 654. Kur nuk ishte
akoma e qartë se si anglo-amerikanët do t'i zhvillonin luftimet pasi kishin
pushtuar Italinë, komanda gjermane u muar gjërësisht me mundësinë e një
zbarkimi armik në anën perendimore të gadishullit ballkanik duke u nisur nga
Italia. Prandaj ajo dhe u përpoq të kontrollonte sa më shpejt portet dhe ishujt
e bregut dalmatin-malazez-shqiptar-grek. Gjë që dhe e arritën në shumicën e
rasteve në muajt e vjeshtës së vitit 1943. ..... Në zonën bregdetare të
mësiperme që mund të kërcënohej nga një zbarkim i aleatëve mendohej se vepronin
trupa banditeske të një numri prej rreth 20'000 vetësh.
"Bardhë" dhe
"Kuq" në Greqi
Faqe
669-670. Ndërsa vëmëndja e ushtrisë gjermane në verën e viti 1944 ishte
përqëndruar në Kroaci, forcat ushtarake në Greqi ishin të pakta në numër me
detyrë kryesore mbrotjen bregdetare dhe operacioneve të spastrimit në rrethina.
.... Lëvizjet e rezistencës greke kurrë nuk u shndërruan në operacione në
shkallë të gjërë, ashtu siç ndodhi me Titon dhe tre ofensivat e tija në Serbi.
Ato ishin të lidhur shumë ngushtë me rajonin ku kishin fuqi dhe ndikim. Ndërsa
ELAS [forcat komuniste - shën. red.] kishte ndikim në shumicën e Peloponezit,
në Boeti, Thesali-Trakë (shtabi i tyre ishte në Verna në jug të Edesës) dhe në
thellësi të Epirit; EDES [forcat jokomuniste - shën. red.] ishte i kufizuar në
veri të Gjirit të Artës deri në Parga. Me udhëheqësin e forcave EDES kolonel
Zerva, dhe sipas planit të dërguarit të posaçëm Hermann Neubacher, Korparmata
XXII Malore në vjeshtën e vitit 1943 bëri një marrëveshje armëpushimi të
përgjithshëm e cila u respektua deri në Korrik 1944. Në anën tjetër,
marrëveshjet me forcat ELAS marrëveshjet kanë qenë vetëm të veçanta dhe sipas
vendit.
Meqenëse
marrëdhëniet ndërmjet grupeve të rezistëncës greke ndryshonin vazhdimisht (ELAS
dhe EDES kalonin nëpër marrëveshje afatshkurtëra dhe të izoluara), udhëheqja
gjermane kishte më shumë raste për të ndërhyrë për të nxjerrë jasht lojë njërën
palë dhe penguar një operacion të përbashkët të tyre.
Lufta kundër kryengritësve
në drejtimin juglindor në kohën e ofensivës së përgjithshme të aleatëve dhe
tërheqjes së trupave gjermane
Faqe 670. Komanda e lartë
juglindore lajmëronte më 21.06.1944 se nuk priste ndonjë sulm frontal në
Peleponez dhe as në rajonin e ishujve Kretë-Rodos. Megjithatë duheshin
llogaritur sulme të vogla vendore në zonën e veriperëndimit të Greqisë dhe në
Shqipëri.
Faqe 671-672. Më
05.06.1944 Divizioni I Malor filloi operacionin “Gemsbock” (Cjapi i Egër) në
zonën kufitare Shqipëri-Greqi duke u nisur nga Maqedonia. Pas ngritjes së një
linje bllokuese në kufi, duke u nisur nga liqenet, duhej ecur përpara në
drejtimin jugperendimor në drejtim të bregdetit. Në këtë zonë, pas largimit të
Divizionit 100 Gjuajtës, siç thekson komanda e lartë juglindore me 17.05.1944,
është rritur tej mase veprimi banditesk i mbështetur nga anglezët dhe ka
arritur një nivel të lartë rrezikshmërie. Komanda juglindore njofton më tej se
me përjashtim të një zone të ngushtë në bregdet dhe disa pikave mbështetëse
përgjatë rrugës Korçë-Janinë, egziston në atë zonë pararoja e një trupe armike
zbarkuese, e cila duhej marrë shumë seriozisht edhe për shkak të afërsisë me
Barin, Brindizin dhe Tarentin që krijonin mundësinë e një zbarkimi të papritur
dhe se Korfuzi kërcënohej rëndë nga sulme armike.
Komanda juglindore kishte
parashikuar për atë operacion spastrues Divizionin 4 SS të Këmbësorisë së
Motorizuar të policisë kufitare, por shtabi drejtues i ushtrisë gjermane nuk qe
dakort me atë vendim, meqenëse ay Division si njësia e vetme e motorizuar nuk
duhej të ngatërrohej në luftën me bandat, por për më tepër të mbahej gati atje
ku ndodhej (në Thesali) si një rezervë e motorizuar "me sytë nga
bregu".
Përparimi i Divizionit I
Malor hasi në një rezistencë të fortë të forcave kryengritëse që ishin të
armatosura mirë. Si edhe në operacionin “Rösselsprung“ [më 25.05.1944 -
06.06.1944 për kapjen e Titos në Drvar të Kroacisë - shën. red.] forcat
anglo-amerikane bombardonin duke u nisur nga aeroportet italiane, duke ndërhyrë
kështu seriozisht në luftime. Më 12.06.1944 Divizioni I Malor arriti bregun dhe
u kthye nga jugu drejt linjës siguruese të ngritur më parë në kufi. Si rrjedhim
i operacionit, lajmëronte komanda e lartë juglindore më 25.06.1944, armiku
kishte pësuar humbje të mëdha dhe në zonën e Shqipërisë jugore ishte e
garantuar tani për tani liria e lëvizjeve operative.
Faqe 672-673. Në zonën e
Shqipërisë së veriut u zhvilluan në gjysmën e dytë të Korrikut 1944 luftime të
ashpra mes Divizionit Skanderbeg (i krijuar nga forca shqiptare fillimisht
pjesë të Divizionit 13 SS Malor "Hanxhar") që ndodhej atje që në Maj
1944 dhe forcave komuniste për të cilat këtu nuk po flitet më hollësisht. Ky
Divizion pati këtu luftime të vështira (shiko Librin e Situatës më 24.07,
25.07, 28.07.1944). Në armatimet dhe mënyrën e luftimit të trupave komuniste u
vu re përparim në bashkimin e grupeve të veçanta komuniste dhe lidhja e tyre e ngushtë
me Titon. Nga fundi i muajit, ky Divizion u ndesh në kufirin shqiptaro-malazez
me një sulm të ri të komunistëve që përpiqeshin të hynin në Serbinë jugore
(shih Librin e Situatës 28.07.1944). Atëhere Divizioni mori urdhërin
(operacioni “Draufgänger“) të krijonte një zonë përgatitore për një ofensivë të
madhe të mëvoneshme, duke u nisur nga rajoni në perëndim të Pejës me sulmuar në
drejtim të Beranit.
Në luftimet kundër forcave
të organizuara të Titos qendra e rëndesës, megjithë humbjet e mëdha që kishte
pësuar lëvizja e Titos në Prill dhe gjysmën e parë të Majit 1944, ishte përsëri
në zonën kufitare të Serbisë dhe Malit të Zi si dhe në vetë Malin e Zi. Komanda
e lartë juglindore vinte në dukje që më 17.05.1944 se Mali i Zi në vend që të
ishte një pjesë izoluese mes Kroacisë dhe Shqipërisë, rrezikonte të kthehej në
një zonë të fuqishme të pushtetit të kuq. Korparmata e dytë komuniste kishte
arritur të ruante këtu fuqinë e saj goditëse duke u bërë kështu pikë
grumbullimi për trupa bandite që ishin goditur dhe dobësuar në rajonet e tjera.
Me sa duket udhëheqja e kuqe ka për qëllim të rifreskojë trupat në Mal të Zi
dhe të fillojë një ofensivë të re në drejtim të
Serbisë. Në ditët e fundit të Majit 1944, ndërkohë që në Bosnje
zhvillohej operacioni "Rösselsprung", forca të fuqishme komuniste u
përpoqën të futeshin në Serbi nga pjesa juglindore e kufirit serbo-malazez
(Libri i Situatës 30.05.1944). Në fillim të Qershorit u grumbulluan trupa në
verilindje të Malit të Zi nën komandën e gjeneralit Leeb [Helge Auleb? - shën.
red.] për të pushtuar aeroportet dhe vendet ku mund futeshin bandat (Libri i
Situatës 06.06.1944). Në fund të Qershorit u hartua plani për të ndërmarrë një
operacion tjetër spastrimi, në të cilin do të merrnin pjesë Divizioni shqiptar
SS Skanderbeg së bashku me forcat malore dhe të policisë SS (Libri i Situatës
20.06.1944). Operacioni përfundoi më 30.06.1944 pa arritur që të shkatërronte
forcat e grumbulluara armike të cilat përpiqeshin me u futur në Serbinë jugore
(Libri i Situatës 01.07.1944).
Faqe 674. Gjenerali
nacionalist grek Zervas që pati bërë marrëveshje për qëndrim asnjanës me
gjermanët, i sulmoi forcat gjermane papritmas më 05.07.1944 në linjën
Prevezë-Agrinio. Mendohet se atë ta ketë bërë mbase nën nxitjen e anglezëve,
por nuk përjashtohet mundësia ta ketë bërë edhe thjesht për interesin vetiak.
...... Në një përmbledhje të vlerësimit të situatës më 12.07.1944, komanda
juglindore thekson se egziston mundësia e një lidhjeje mes gjallërimit të
forcave të Zervës dhe qëllimeve të zbarkimit të anglo-amerikanëve në Greqinë
perendimore ose në Shqipërinë jugore dhe e quante në këtë çeshtje shkatërrimin
e trupave të Zervës si një detyrë shumë të rëndësishme.
Një rrezik tjetër i
rëndësishëm, siç theksonte komanda juglindore, ishin përgatitjet për një
ofensive komuniste në drejtim të Serbisë jugore ose në zonën e Kosovës me
qendër rëndese në rajonin Berani-Bjelopolje, gjë që u vërtetua nga masat e
marra nga komunistët në zonën e Serbisë juglindore.
Faqe
675-676. .... Komanda e lartë juglindore përsëriti kërkesën [më 17.07.1944] për
ta dërguar Divizionin I Malor në Mal të Zi, duke theksuar ndikimin psikologjik
të tij në një betejë për në Sofien. Për Greqinë perendimore, ajo kërkoi daljen
nga rezerva në Thesali të Divizionit 4 SS të Policisë së Motorizuar, i cili
bashkë më njësitë e tjera të Gruparmatës E mund të përdoreshin kundër forcave
edhe komuniste edhe të Zervës, ose të paktën të përdoreshin në rast të një
zbarkimi të aletaëve në rajonin e Janinës.
Faqe
677. .... c) EDES dhe ELAS në Greqinë veriperendimore: Përdorimi i Divizionit 4
SS të Policisë së Motorizuar në bregun perendimor të Greqisë filloi më
27.07.1944 (Libri i Situatës 28.07.1944). Ndërkohë një situatë e re u krijua,
siç paraqitet në një njoftim të komandës së lartë juglindore. Forcat e Zervës
ndërprenë sulmet, kështu që duket e mundshme me i rifilluar bisedimet me to.
Komanda e lartë juglindore kërkon të ndiqet ky qëndrim i cili ka lidhje me
situatën në Greqi, veçanërisht në Athinë ku qarqet nacionaliste janë gati të
bëjnë marrëveshje me fuqinë pushtuese [gjermane] dhe nuk mendohet e pamundur
për Zervën të pranojë kërkesat gjermane (largimin nga bregu dhe porti i Pargës,
luftën kundër forcave komuniste, etj.). Nga ana tjetër, situata është
përkeqësuar në Epirin jugor nga veprimi i 7 Brigadave komuniste. Synimi i këtij
grupi ishte ndoshta pushtimi i rripit bregdetar Prevezë-Mesolongji. Prandaj
komanda e lartë juglindore hartoi në marrëveshje me Grup-Armatën E operacionin
"Kreuzotter" me anë të cilit Divizioni 4 SS i Policisë së Motorizuar
dhe njësi të Divizionit 104 Këmbësor sulmojnë në drejtimin jugor nga Janina mbi
Artë; në të njëjtën kohë sulmohen forcat ELAS në Beoti dhe në jug të Pindit.
Përshtypja që do lenë sukseset gjermane në këto beteja ndoshta do të ndikojë që
Zerva të pranojë kërkesat gjermane; përndryshe, pas përfundimit të operacionit
"Kreuzotter", forcat e liruara do të sulmojnë rajonin e mbajtur prej
tij.
Faqe
680-681. .... d) Ndikimet e kthesës (Gusht-Shtator 1944): ..... Kur komandanti
i komandës së lartë juglindore, i dërguari Herman Neubacher, Ministri i Jashtëm
[Joachim von Ribbentrop], kryekomandanti i SS [Heinrich Himmler], etj. u
mblodhën më 22.08.1944 në shtabin e Hitlerit, një udhëzim i ri për zhvillimin e
operacioneve në drejtimin juglindor ishte përgatitur (22.08.1944). Ai nuk u
firmos, sepse ditën tjetër një situatë krejtësisht e re ndodhi në Rumani
[forcat sovjetike çajnë frontin në Rumani, Rumania kaloi në anën sovjetike -
shën. red.]. Kështu edhe lëkundjet e Turqisë dhe ndryshimi i qëndrimit në
Bullgari [Bullgaria u shpall asnjanëse më 26.08.1944 dhe kërkoi largimin e
trupave gjermane - shën. red.] sollën ndryshimin në rajonin juglindor. Pozita e
mëparshme gjermane në këtë rajon nuk mund të ruhej më: më 26.08.1944 komanda e
lartë juglindore mori urdhërin e përgatitjeve për tërheqje të tërë trupave dhe
paisjeve në jug të linjës Korfuz-Janinë-Kalabaka-Olimp, kështu braktisja e
Detit Egje dhe Greqisë filloi.
Faqe 681. .... e) Rasti i tretë i
Titos në Serbi (Korrik-Gusht 1944): ..... Operacioni “Draufgänger“ i Divizionit
SS Malor Skanderbeg në kufirin malazezo-shqiptar (Berane) tërhoqi trupa të
shumta armike në luftim, por nuk mundi të ndalonte ofensivën e Korparmatave I
dhe II komuniste në drejtim të Serbisë.
Faqe
682. Grumbullimi i Divizionit I Malor u vonua sepse mbartja e tij nuk ishte
planifikuar. Më 03.08.1944, hekurudha afër Mitrovicës u ndërpre ndërsa pjesët e
Divizonit që arrinin u detyruan të futeshin në luftime përreth rajonit të
Pejës. (Libri i Situatës 04.08.1944)
Faqe 685. Në Divizionin SS
Malor Skanderbeg u vunë re në fillim të Shtatorit raste të përsëritura të
dezertimit dhe shpërbërjes, kështuqë u urdhërua shpërndarja e tij.
Faqe 690. (Këtu shkruhet
për tërheqjen e trupave gjermane nga Ballkani, tërheqje e cila filloi në Tetor
1944 - shën. përk.) .... Pak më ngadalë u krye tërheqja nga zonat bregdetare të
Malit të Zi dhe Shqipërisë gjë e cila lidhej ngushtë me tërheqjen e
Grup-Armatës E (Durrës 12.01.1945, Cetinje 17.01.1945, Kotorr
21.01.1945, etj.).
Faqe 699. Deri në javën e
parë të Tetorit 1944, qëllimi i komandës gjermane ishte që me Grup-Armatën E (e
cila mori më 03.10.1944 urdhërin për t'u tërhequr nga Greqia, Shqipëria jugore
dhe Maqedonia jugore) e ndodhur në „Linjën blu“ Shkodër-Shkup-Këlcyrë [në
Greqinë veriore - shën. red.] dhe me Grup-Armatën Serbia e ndodhur në linjën
Negotin-Danub (që nga 01.10.1944) dhe atë Vlasotince-Bela Palanka-Zajeçar-D.
Milanovac (që nga 05.10.1944), të mbahej zona kroato-malazeze-shqiptaro veriore
dhe serbe. Por shumë shpejt u pa se pjesa më e madhe e Serbisë ishte humbur. Me
10.10.1944 u dha urdhëri për tërheqjen përtej [lumit të] Moravës.
Faqe 701. Në javën e parë
të Nentorit u qartësua plotësisht se cilat ishin qëllimet e udhëheqjes
sovjetike: Armatat sovjetike kishin filluar ofensivën në Hungari, kurse detyra
e bullgarëve dhe e njësive të Titos ishte shkatërrimi i pozicioneve gjermane në
zonën kroato-malazeze-shqiptaro-veriore dhe
në atë mënyrë të futej nën kontrollin sovjetik pjesa perendimore e gadishullit
ballkanik pak a shumë sipër linjës Shkodër-Velesh [në Maqedoni - shën. red.],
në përputhje me ndarjen e zonave në Moskë.
Faqe 704. Lëvizja
komuniste shqiptare, që ndoshta me sa duket pat filluar me nismën vendase,
gjatë verës [1944] u bë pjesë e qëndrueshme e organizatës së Titos si
"Shtab Qëndror për Shqipërinë“. Krijohet përshtypja se për ca kohë ka
egzistuar edhe plani për ta futur Shqipërinë në federatën jugosllave (Libri i
Situatës 25.07.1944).
Faqe 706. Në pritje të një
ofensive të përgjithshme dhe mjaft kërcënuese të aleatëve, shtimi i veprimeve
të kryengritësve në rajonet e Europës juglindore akoma nën zotërimin gjerman
dhe dështimi i krijimit të qeverive në Mal të Zi dhe Shqipëri rishtruan
pyetjen: nëse të paktën organizatat vullnetare serbe dhe lëvizjet politike
prapa tyre duke marrë më shumë ndihmë në armatime dhe furnizime a do mund të
bëheshin një forcë ndihmëse edhe luftarake për ushtrinë gjermane edhe për të
krijuar një zonë sigurie për të gjithë.
Faqe 707. I dërguari i
posaçëm për zonën juglindore Hermann Neubacher u ndodh në Prill 1944 për ca
kohë në shtabin qëndror të udhëheqjes për të diskutuar çeshtje të kohës. Ndër
të tjera: ..... d) Dhënien e 120 kamionëve të cilët siç është përmendur më
herët ishin kërkuar më parë për të mënjanuar problemet e furnizimit të
popullsisë në Shqipëri dhe Mal të Zi ku kërcënonte uria. Kjo kish rëndësi sepse
shtimi i veprimtarisë së bandave kishte lidhje edhe me mungesën e ushqimeve. Me
ato masa i dërguari i posaçëm shpresonte të organizonte forcat kombëtare
shqiptare me qëllim që të arrinin një numër prej rreth 20'000 vetësh. Për atë i
nevojiteshin automatikë për 10-15000 vetë dhe futja e njësive të vogla gjermane
me granatahedhës në forcat kombëtare shqiptare. Veç kësaj i dërguari i posaçëm
Hermann Neubacher duhej të diskutonte në shtabin qëndror të udhëheqjes gjermane
edhe çeshtjen e financimit të ushtrisë gjermane në Greqi dhe Shqipëri, pasi
falimentimi i plotë i monedhave vendase dukej i pashmangshëm.
Faqe 708. ...... Në të
njëjtën kohë, Janar 1944, organet qeveritare të sapongritura në Shqipëri u
shpërndanë. Pjesëtarët e besueshëm të batalioneve gjuajtës që u shpërndanë u
rigrupuan në Divizionin SS shqiptar "Skanderbeg".
Faqe 720. Komanda
juglindore duke vënë në dukje kërcënimin ndaj hekurudhës në Maqedoni, gjendjen
e rëndë të transportit dhe mungesën e qymyrit për shkak të sabotazhit, kërkoi
në mënyrë të përsëritur një vendim në lidhje me Greqinë derisa më 03.10.1944
mori urdhërin për t'u tërhequr nga Greqia, Shqipëria e jugut dhe Maqedonia e
jugut. ...... Më 16.10.1944 u tërhoqën nga [qytetet greke] Teba dhe Itea,
njëkohësisht filloi tërheqja edhe nga ishulli Lemnos. Më 21.10.1944 prapavija
gjermane ndodhej në linjën Larisë-Qafë e Metsovonit; më 23.10.1944 u krijua një
linjë bllokuese në të dy anët e Korçës. Dy ditë më parë u tërhoqën nga Volosi,
porti i fundit i rëndësishëm në jug të Selanikut. Më 25.10.1944 fronti kalonte
në liqenet e Shqipërisë jugore.
Faqe 721. Në Shqipëri
vazhdonte të mbahej linja Durrës-Elbasan. Në natën nga data 1 në 2 Nëntor 1944,
prapavija e Grup-Armatës E kalon kufirin greko-maqedonas pa ndonjë trysni
armike të rëndësishme. Dalja nga Greqia kishte përfunduar.
Faqe 723. Më rëniën e
qytetit të Njishit, Grup-Armata E humbi lidhjen hekurudhore. Por ofensiva ruse
në Serbinë jugore dhe e bullgarëve në jug dhe jugperëndim të Njishit po
kërcënonte edhe rrugën e fundit të rëndësishme të marshimit nga Shkupi nëpër
Mitrovicë, Kraljevo, Uzice për të arritur në Sarajevë. Kalimi nëpër malësinë e
Shqipërisë lindore dhe në lindje të Malit të Zi do të ishte fundi i një
tërheqje të bashkuar për Grup-Armatën E.
Faqe
724. ... Në të njëjtën kohë bullgarët lëshuan një ofensivë në shkallë të gjërë
kundër Shkupit dhe kështu rreziku i coptimit për Grup-Armatën E u rrit. .....
Divizioni 11 Trupave Ajrore u tërhoq në veri dhe lindje të Prishtinës dhe
krijoi një front të harkuar. ..... Betejat më 02.11.1944 dhe përparimi i tre
Divizioneve bullgare dhe një brigade tankiste në veri të Podujevës shkaktuan
çarjen e frontit në Qafën e Mërdarës dhe kërcënimin e nyjes rrugore në
Prishtinë. .... ..... Një tërheqje e planifikuar nga Maqedonia u hartua. Më
06.11.1944 Strumica u lirua; më 07.11.1944 praparoja e Korparmatës XX ishtë në
Shtip. Më 11.11.1944 u braktis Veleshi dhe në natën e datave 13/14.11.1944 u
lirua Shkupi. Në Prishtinë, po zhvillohen beteja të ashpra me bullgarët.
Faqe
725. Në tërheqjen e Grup-Armatës E, tërheqja e Korparmatës XXI (Divizionet 181,
297 Këmbësore, Brigadat e Fortesave, etj.) nga Shqipëria zë një vend të
veçantë. Tërheqja ishte planifikuar fillimisht të kalonte nga Nikshiçi [në Mal
të Zi] dhe Trebinja [në Bosnien jugore] për të arritur në Mostar, gjë që u bë e
pamundur mbasi armiku zuri daljen në Adriatik të lumit Narenta. Kështuqë
trupave iu pre rruga e tërheqjes dhe do iu duhej të provonin të çanin nëpër një
malësi në drejtimin verilindor të zotëruar nga forcat e Titos.
Mbas largimit nga Tirana
më 17.11.1944, u mblodh një njësi ushtarake në Podgoricë për të sulmuar
Nikshiçin, sulm i cili dështoi. Më 22.11.1944 krye-komandanti i trupave të
juglindjes shkoi vetë me avion në Shqipëri për të vlerësuar mundësinë e një
çarje të frontit për këtë njësi ushtarake. U vendos që njësia të kthehej nga
Podgorica në Prijepolje nëpërmjet Kolashinit dhe Bjelopoljes dhe atje të
bashkohej me trupat që tërhiqeshin nga Maqedonia.
Më 29.11.1944 u larguan
nga Shkodra prapavijat e kësaj trupe, por u mbajtën edhe për ca kohë pozicionet
më në veri. Divizioni 181 Këmbësor ishte larguar nga Kotorri më 21.11.1944.
Marshimi vazhdonte i shoqëruar me luftime të ashpra me forcat e Titos dhe
vështirësohej edhe më shumë nga reshjet e deborës dhe një përmbytje të madhe që
ndodhi më 11.12.1944 prej së cilës u prishën të gjitha urat e rëndësishme.
Faqe 821. ..... Trupat
gjermane largohen më 12.10.1944 nga Vlona, nga Selaniku më 31.10.1944. Prapavijat kalojnë kufirin greko-maqedonas më
1-2.11.1944. Por në Shqipëri u krijua një front i ri në linjën Durrës –Elbasan.
Faqe 822. Për të mbrojtur
luginën e lumit Ibër [në Kosovën veriore - shën. red.] prej bullgarëve që po
afroheshin nga jugu nëpër malësinë e Kopanikut, Grup-Armata E grumbulloi forca
kombëtare shqiptare të cilat nën udhëheqjen gjermane bëjnë një luftë
shembullore.
.....
Nga Tetori në mes të Nëndorit 1944, armiku përparon me humbje të
jashtëzakonshme në njerëz kundrejt tërheqjes tonë duke u mbrojtur. Një situatë
e veçantë u krijua më 02.11.1944 dhe në ditët më pas kur tre Divizione armike
dhe një Brigadë tankiste sulmojnë në veri të Podujevës dhe çajnë në Qafën e
Mërdarës. Nyja e rëndësishme rrugore e Prishtinës u rrezikua mjaft. Megjithatë,
duke përdorur rezervat e fundit, u bë e mundur brenda mbrëmjes të së njëjtës ditë me e ndalur përparimin dhe
sulmet e tjera të armikut.
Faqe
822-823. Vendimet e komandës së lartë juglindore për tërheqjen e Grup-Armatës E
janë në kohën kur Armata II Tankiste po sulmon në Drin dhe Srem. Praparoja u
tërhoq nga Maqdonia e jugut; Veleshi u braktis më 11.11.1944, Shkupi në natën e
datave 13/14.11.1944, bullgarët risulmojnë furishëm në veri të Prishtinës më
20.11.1944.
Faqe 823. ..... Tërheqja e
trupave gjermane për në veri u vonua me të paktën 10 ditë për shkak të
veprimeve të shumta banditeske në zonën e Tiranës. Prandaj trupat gjermane u
larguan më 17.11.1944 prej Tiranës. Më 20.11.1944 mblidhet në Podgoricë një
trupë e cila është mjaft e fuqishme që mund të guxojë të sulmojë Nikshiçin. Por
ky sulm dështon dhe tregon se edhe duke sjellë pjesë të tjera të Korparmatës
XXI do të jetë shumë e vështirë për të çarë frontin aty.
Faqe 824. Çarja e frontit
prej Korparmatës XXI duket shumë e vështirë. Mbas një sulmi të fuqishëm merret
ura në Bioçe [verilindje, sipër Podgoricës] më 28.11.1944, e cila edhe duhet
riparuar në kushte shumë të vështira nën goditjen e avionëve armiq në mënyrë që
të mundësohet largimi i shumicës së trupave prej Shqipërisë. Largimi nga
Shkodra mundësohet vetëm më 30.11.1944. Më tej duhet luftuar për çdo kilometër
jo vetëm kundër armikut të pabesë por edhe kundër fuqive natyrore. Më
12.12.1944 ndodh një përmbytje e madhe e cila shkatërron gjithë urat e sapo
rindërtuara dhe vonon kështu proçesin e tërheqjes. Anglezët të cilët
bashkëpunonin me bandat, e shfrytëzojnë këtë rast për ndjekjen e trupave
përgjatë rrugës së tërheqjes duke mundur t'u shkaktojnë dëme të ndjeshme
sidomos në makina kolonave të marshimit, pasi ato ishin në pritje dhe në terren
të hapur.
Lufta e armikut për të penguar shfrytëzimin e pasurive
minerale dhe lëndëve të tjera të para
Faqe 936. ...... 5. Një
metal tjetër i nevojitur ishte kromi. Kërkesat në rritje për të mundën të
plotësoheshin gjithnjë e më mirë pasi ushtria gjermane pushtoi Ballkanin. Sepse
në atë mënyrë u krijua mundësia e shfrytëzimit të minierave në Greqi, Bullgari,
Serbi dhe mbas kapitullimit të Italisë edhe në Shqipëri.
Librat e Situatës
(01.01.1945 - 20.04.1945)
Faqe 1013 - 14.01.1945.
Gjendja e armikut në Kroaci: Njësitë shqiptare mbetën mbrapa. Kundërshtari po
përpiqet të dërgojë njësi serbe në drejtim të verilindjes në zonën në jug të
Syrmies duke anashkaluar Sllavoninë [në Kroaci].
Faqe 1184 - 19.03.1945.
Politikë: Një i dërguar anglez ka arritur në Shqipëri dhe anglezët i kanë
kërkuar Titos të tërheqë trupat e tij.
Shënime të Gjeneralit
Alfred Jodl në burgun e Nurembergut në lidhje me ndikimin e Hitlerit në mënyrën
e zhvillimit të luftës
Faqe 1719. ...... Tanket
angleze i shtynë trupat italiane të gjeneral Rodolfo Grazianit deri në kufijtë
e Cyrenaices [rajoni lindor i Libisë] dhe në vend që Italia të arrinte një
fitore të shpejtë në Greqi po rrezikonte dhe humbjen e Shqipërisë. Në atë
situatë në Romë ndjenja e humbjes doli mbi krenarinë dhe thirrjet për ndihmë arritën
deri në Berlin. Në atë situatë Hitleri vendosi: Në kushtet e luftës moderne
ajrore, lufta duhej mbajtur sa më larg kufinjve të Gjermanisë. Me Greqinë ai
nuk donte përplasje, prandaj dhe nuk pranoi të ndihmonte Italinë në Shqipëri.
# # #
No comments:
Post a Comment