DIKTATURA NUK ËSHTË VETËM NJË ËNDËRR E FRIKSHME...
- Çeshtja Doshi para se penale është një aferë politike tinzare-
Nga KOLEC TRABOINI
Kur dëgjon nga prokurorët që nuk sjellin asnjë fakt të qenësishëm para
Këshillit të Mandateve të Kuvendit Popullor, por përsërisin
pafundësisht si robotë të telekomanduar se duam ta arrestojnë deputetin
Tom Doshi se kështu e kërkon procedura, me të vërtetë drithërohesh se
kështu flisnin vetëm prokurorët e Enver Hoxhës pa asnjë nuancë dallimi,
ndoshta me shkakun, le të hamendësojmë, se këtë punë si prokurorë e kanë
bërë zellshëm edhe në kohën e diktaturës komuniste dhe përballë kishin
një njeri që kishte në rrethin familjar e fisnor 5 të pushkatuar nga
regjimi monist. Nuk duam të paragjykojmë por më thoni ju lutem që të
kthjellohem, në cilin vend të botës, veç diktaturave tipike, mund të
paraqitet një akuzë e tillë budallaqe dhe pas disa orësh deputeti të
shkojë në qeli. Nuk marr përsipër të them cila është e vërteta, e
sajimit apo ekzistimi të një plani të Ilir Metës për eliminimin fizik të
deputetit të Shkodrës, njëkohësisht as të marr në mbrojtje kauzën e
Tom Doshit se ai i ka avokatët e tij të specializuar, por jam
sinqerisht i trishtuar me këtë gjendje katastrofave në institucionet
tona të drejtësisë që janë themeli i shtetit, ku ligjet interpretohen në
mënyrën më banale dhe mjerane madje edhe të dënueshme. Të arrestohesh
se ke thënë kështu e jo ashtu, fort e lemeritshme kur ke parasysh se një
Fullan, mik darkash e drekash i politikanëve të lartë, e nxorën nga
qelia ani pse ishin vjedhur jo pak por mbi 7 milion dollarë në Bankën e
Shtetit. Po kush pyet sot për paratë e popullit? A keni parë të lëviz
prapanicën nga kolltuku ndonjë nenpunës në Kontrollin e Lartë të Shtetit
që duhej të ishte më i fuqishëm e rigoroz se vetë prokuroria. Po le të
vazhdojmë me linjën e arsyetimit të çeshtjes së deputetit Doshi, që
kërkojnë ta dënojnë për një fjalë e the - nuk e the, kur vetë drejtori i
policisë së shtetit tha publikisht një të pavërtetë spektakolare, që
nuk e kam takuar dëshmitarin Bami të cilin më vonë doli se e kishte
takuar. Pse nuk ndalohet edhe ky bashkë me Tom Doshin me të njëjtën
akuze sepse në të vërtetë kemi një delikt verbal. Po a ka ndonjë pikë
dinjiteti funksioni i një shtetari apo nënpunësi, ndërkohë që deputeti
që ankon kundër kryeparlamentarit se ky ka kurdisur një atentat,
arrestohet pamëdyshje për dyshimin që kish, kur dyshimi nuk përbën krim.
Pra kish bërë të njëjtën gjë si drejtori i policisë së shtetit. A
mundet ligji të interpretohet ndryshe në të njëjtën kohë e për të
njëjtën çeshtje ku janë përfshirë të dy palët? Meqë ndodh kësisoj,
atëherë në këtë vend nuk duhet të flasësh as kur kërkon të mbrosh jetën
tënde e të familjes, se po vihet në funksion neni 55 i lemeritshëm që po
folë për shtetarët të pret burgu. Mesazhi ogurzi për popullin dhe
intelektualët është i qartë: Mos guxoni të flisni. E frikshme për
opinionin publik! Dëshiroj të jem i gabuar në hamendësime por ndjej një
instalim sado në zanafillë të diktaturës, sepse të mos harrojmë
diktaturat nuk janë vetëm pjella të komunizmit, i pjell edhe kapitalizmi
kur pushteti bie në duar autokratësh e sistemi demokratik nuk
funksionon, i pjell edhe ambicia për pushtet të individëve të mbështetur
nga forca të errëta apo të verbra. Kemi parë se si Italia, një vend
demokratik, ka kaluar në diktaturën e Musolinit, Gjermania shkallë
shkallë me demagogji në atë të Hitlerit, Greqia me grusht shteti në
Juntën e Jorgo Papadhopulos e plot shembuj të tjerë. Kur institucionet e
shtetit marrosen e dalin jashtë kontrollit, do të ndodh që, “Republika
të lëngojë për vdekje, ata që i rrinë mbi krye janë mikrobet e saj.
Poshtë tellallët tallen me delet e molisuna që ecin kryeulëta e shohin
kah qielli me do sy pa shprehje. Në nji vend të tillë edhe gabimisht me e
thanë të vërtetën s’ta falin”, siç thotë R. Michels. Pra nëse nuk e
kundërshton të keqen, nëse intelektualët janë në frikë, nëse media kapet
nga pushteti dhe hesht, diktatura është pas dere. Ajo vjen pak e nga
pak, fiton terren dhe një ditë zgjohesh nga ëndrrat e këqija e thua nga
na erdhën e si na mbiu kjo e keqe. Se ja del deputeti i LSI-s që e kemi
edhe në krye të komisionit të sigurisë kombëtare (na ruaj Zot)dhe ja
përforcon edhe kryetari i parlamentit duke shfaqur në publik dokumentat
personale të qytetarëve a një deputeti në kundërshtim me ligjin mbi
fshehtësinë e informacioneve familjare apo individuale. Pyes a ma jep
mua njeri çertefikatën familjare të Metës apo kartelën e tij
shëndetësore nëse unë dyshoj se ai ka ca probleme serioze me shëndetin
në bazë të asaj që shoh kur del e jep intervista në një gjendje jashtë
kontrollit dhe dinjitetit të kryeparlamentarit. Nuk besoj. Por edhe unë
nuk besoj se jam aq i pamend të bëj këtë marrëzi, jo se do të dënohesha
me burg por se nuk ma lejon ndërgjegja personale as ajo profesionale si
gazetar. E shihni pra si vepron ai që është në krye të Parlamentit pa i
hyrë ferr në këmbë. Po prokurorët pse heshtin. Kuptohet se edhe ata
tashmë janë si dele e butë ndaj pushtetarëve, pjesë e tufës së madhe të
frikës publike. Kësisoj e jo ndryshe vjen një ditë dhe vendoset
pushteti absurd që e ka emrin diktaturë. Por nëse e lëmë të ndodh kjo
atëherë nuk do të ketë alibi askush. I duhet thënë ndal para se të jetë
vonë, para se të na tufëzojnë, siç bënte diktatura komuniste, përndryshe
kthehemi sërish në epokën e errët ku pushteti dhunon popullin e vet.
No comments:
Post a Comment