Wednesday, 10 June 2015

Besa e qenit

Cikël poetik nga Albert Habazaj

*Mostra

Kam njohur një budalla të lumtur,
Që nuk është tronditur një herë.
Mendimi i mençur
Nuk i ka trokitur dot në derë.

Fatkeqësisht e njoha atë njeri:
Pa tipare deri në ç’ngjyrosje,
Pasanik deri në ligësi,
Tip pushti deri në pështirosje.

Një frymor në formë dybeku,
Ndonjë fjalë pa shprehur ende,
Kopje e dalë nga Gobseku,
Pikturë e lemeritshme legjende.

Nuk ia njoha atë fytyrë
Me ata sy si të laraskës,
Stinëve, si nepërkë e ngrirë,
Shfaqet vetëm përmes maskës.

…Të gjithë e dinin që ishte
Shok i ngushtë i Tartufit.
Të gjithë e dinin që ishte
Kushuri i parë i bufit…

*Dollitë e maskave

Në mbretërinë e kauçuktë
u mblodhën maskat për festë parade,
pa frymëmarrje, krrusur si çibuk
në atë mjedis verbues fasade…!

Ngritën dolli me verën e vjetër
e zbrazën fuçi nja tre a katër,
për maskat me radhë...dhe një tjetër,
më hipokritja hipokrizi e varfër:

“Shëndet i kombit! - gogësit kryemaska,-
i  kombit të maskave  me gjarpërinj!”
- Poshtë maskat e kombit e laraskat,
 në djall vafshin korbat e zinj!!!


*Zgërdhihu rini!

- Melodramë migjeniane -

Qeshin bota, qeshim edhe ne,
që na ngjitet e qeshura për dhëmbësh
e ngërdheshja rinore sulet nën rè,
në trajta skeletesh na përplaset për këmbësh.

Veshur me zymtësi shekujsh,
rinia e buzëqeshjeve të grisura,
djallosi ditirambet për dishepujt,
kavaliere e mjerë, e krisura!

Qeshu rini, qeshu, ndriç dhëmbët,
zgërdhihu, (kupto: bota është e botës!...)
Zezakja e bardhë në vertikale
vel hungërrimat e derrave të Europës,

të Marokut, të Gabonit a të Indisë,
të përtej globit, ’ dreqit e të birit!...
E brengosura ime, e tronditura,
MJAFT! - Klith qumështi i bardhë i gjirit.

 

*Bota nuk është ajo që shfaqet


Mbështeta njëherë kokën e zemrës
Në atë sup të ngurtë e me thepa,
tamam si kobër ma helmoi këngën
e kupën me helm, i lavosur gjerba.

Të nesërmen, më keq se Laookonti,
iu turra për flokësh, e çorra faqesh;
u përsëritka cikli i qëmotit
e bota nuk është ajo që shfaqet.

*I shkreti zog


Nuk është aq e bukur sa duket dëbora,
nuk është aq e pafajshme, sa na thonë.
Ta dini: ajo është një katile e tmerrshme,
ta dini: një zog i vogël dha shpirt në borë!

Nuk fluturoi më dot në qiell me shokë,
vocërraku kishte rënë në mes të rrugës,
i kishte ngrirë zemra, simbolit të lirisë,
përmbysur e gjeta, mes dhëmbëve të ngricës.

Në nënshtrimin e tij ndaj fatit, më dukej
Aq i mrekullueshëm, ndaj e mora në dorë.
E vendosa të prehej mes një gjelbërimi.
Iku nga jeta, i shkreti zog. Ah, moj borë!...

*No commento

Kur ma gjymtuan e prenë
shpirtin me gjysma brisku,
mbolla një lule të bardhë
dhe për Aida Hiskun.*)
 Abruzzo, vjeshtë,1998.

*) Këngëtare e mirënjohur e muzikës së lehtë
 që u ndalua të këndonte në monizëm.

*I bukuri si sy Nermini

- Mbrëmje e menduar në mërgim...
                                           
(Sonte hëngra darkë në orën shtatë,
mora një karrige, u ula jashtë.)

Me vështrimin lart, bisedoj me hënën,
po kujtoj me mall babain dhe nënën.
Kujtoj me dashuri gruan dhe djemtë,
Thesaret e Nderit që kam në jetë

Mendoj e si Lefter Çipa pi cigar,
shkruaj, po dimri duart m'i ka tharë.
Xhevahirët e mi të rrallë kujtoj,
me zjarr Shqipërie metaforën po zgjoj.

Pse çdo gjë këtu më duket e huaj?
E bluaj mendime..., si mulliri  bluaj...
Mendimi im vërtitet e vërtitet,
si ajo reja për shi pastaj daravitet.

Shkon atje, ku për paqe lind ulliri,
qetësohet i bukur si sy Nermini.
Si Nermin Vlora, që prehet në Kaninë,
si sorkadhe mali përmbi trëndelinë...


Dritërimin e kam atje, në Vlorë,
unë këtej, si një zog mbetur në borë.
Vetëm - trishtohem thellë në dëshpërim,
larg familjes, larg,...në pelinin mërgim.

Ata në Vlorë - më të mirët e botës
më bëjnë të lëviz lëmshin e tokës...
Si atë mëngjesin të bukur mban vesa,
të fortë më mbajnë të ndriturat shpresa...

Sot jam i mbushur me aromë Shqipërie,
Në Vlorë vjeshta ka ngjyrë lirie!
                                           San Marco di Preturo, L'Aquila, Itali; e martë 27. 10. 1998

*Këngë për Flamur

Përshëndetje Pavarësisë së Kosovës

Oj, Kosovë, o krah’Shqiponje
Krah’ rrebeshesh i plagosur,
Siç je ti në  këto troje
Kam Çamërinë sakatosur.

Vjen me frymë Perëndie
Përreth Sheshit të Flamurit
Yjësia e Lavdive,
Ku zihet Besa e Burrit!

Tok me Ismail Qemalin
Qëndron baca Boletin -
Emblema jonë krenare
Dhe kur ndrin a bubullin.

 Prishtina ime është Vlorë
Edhe Vlora ësht’ Prishtinë.
Për FLAMUR po thur kurorë,
Këngë yjesh për SHQIPTARINË.

*Këngë e pambaruar për Çamërinë…

Hap syrin, s’mundem pa klithur,
Për Burrneshën fytyrëgrisur,
Këngë e ngrysur dot pa prerë
Ka qenë Zonjë kur s’kish’ të tjerë.

Loti i kripur si kokërr ulliri,
Rri varur nga dhimbja në cepin e syrit,
Veç vallja furunë e Osman Takës
Vjen së largu, t’i qetësojë plagët…

Më dhembin degët e shqyera,
U bëj mëllagë me piklën e lotit;
Si stina e vajzave të feks Çamëria,
Ka qenë imja që pa lerë Zoti!

O kopësht i bukur i lirisë
Do të çelin lule bajamet…

*Mbi re diellon Teuta

-Elegji për të ndjerën Teuta B. Shkurtaj-

Kisha kohë që kisha ikur,
prapë në parajsë u futa,
dielli m’u duk i mitur,
se diellonte Teuta.

Mu duk se isha goditur
me pëllëmbë apo me grushta,
mu duk parajsa e thinjur,
kur s’diellonte Teuta.

Qielli ishte tronditur,
vdekja fshihej nëpër skuta,
u fik një dritë e pafikur,
mbi re diellon Teuta.

 

*Baladë e vogël për një shpirt të madh


Nga përtej Karaburunit
Detit del një nimfë,
Ngjitet, feks Akrokeraunit
Si ylli me dritë.

Tamam si e bardha ëndërr
Ngroh diell përpara,
Si një mirësi e ëmbël
Qenka Sose Dardha!

Mbesa e Savo Andonit,
Filiz’ e lirisë,
Me zërin e gramafonit
Kënga e shtëpisë.

Sose, kur t’u sosën hallet
Pse ike nga jeta?
Ike si lulja nga malet,
Si  nga mjalti bleta…

*Epitaf

Si lule fati për  xha Musain

 S’jemi personazhe nga “Iliada” e Homerit,
S’kemi bërë bëma gjeniale, këngë a heroizma.
Vdekja jote më tronditi sa rrathët e Ferrit’
M’u errën sytë të tmerruar, sikur erdhi kataklizma.

U pikëllova, o i bardhi xha Musa, ndoshta më shumë
Se pikëllimi i Akilit nga vdekja e Patroklit,
Lotët që më ranë shikimin ma zunë
Edhe pse këtë njeri të mirë, s’e njohën gjithë të mirët e globit...
                                       Dukat - Fshat, 06. 11. 2007
*Monografitë e mia

Një fletëz e grisur
Nga histori e pastër,
Honesh rrokullisur,
Shkrepave përplasur.

Një fletëz e kthjellët
Nga fryma e rrënjës,
Thjeshtësi e jetës,
Ylberi i këngës.
………………….
            Dukat, Vlorë, 24. 12. 2008

*Të fala nga Vlora


Vargje të lagura nga shirat e vjeshtës,
Për në vise të largëta, guxoj të nis,
druhem nga tetori, muaji i vjershës,
se vreshtat vagëllohen të bëhen feniks...

Shkon urimi në Ohrin tim, në Ohrin tënd,
nga Vlora e Lasgushit, në Pogradec të Asllanit,
një det me të fala po nis, me gjithë mend,
se jam fryma labe e Kosovës, Elbasanit...

Është shpirti i pastër, si vesë prilli
që dritëron, për ç’ka Zoti ka bekuar,
të ka, moj vjeshtë, jeta ime sinonimin
me rruaza diellore zbukuruar.

Vjeshtë, moj e bukur vjeshtë,
të kam rrush, shegë e pjeshkë....

 

*Shirat e vjeshtës


Natës, turbullohet hëna pas shiut,
pastaj na hiqet si vajzë e sjellshme.
Vjeshta përshëndet mikeshën qiellore,
hoje mjalti nga Universi derdhen.

Në vjeshtë dhe plaku flokë bore duket
thinjur më bukur nga të tjerët;
shirat e vjeshtës më rrëmbejnë tutje,
zgjas duart të këpus yjet e ndezur.

Është e pjekur vjeshta, s’mba inate,
era e ftoit këndshëm i del pragut,
kur poetëria e imiton nëpër vargje
vjen papritur dimri - princ i akullt.

Në vjeshtë hapen buzët e paputhura si sythe
Të shuajnë etjen e verës që shkoi
Nën çukitje shirash faqet e vajzave
Kërcasin si llambushka nate...

 

*Ranë gjethet


Legjendave tona u ranë gjethet,
iu thanë ato fletët e verdha,
nuk u thanë legjendat legjendare,
rrënjët e tyre ishin aq të thella.

Rrënjët e tyre janë thellë nën tokë,
nën dheun e babës, nën dheun e nënës,
atje ku këngës i buron ëmbëlsia,
atje ka marrin ritmin rrahjet e zemrës.

Ranë gjethet e legjendave tona,
lëshuan sythe, lastarë të gjelbër,
të ecim në këmbë, edhe pse është vonë,
për të mos rënë qorrsokakëve nesër.

 

*Ngjala...


Hodha grepin, zura ngjalën,
ngjala më shpëtoi.
Ngjala nuk e mbajti fjalën,
nuk i flas me gojë.

Kur m’i ul e kur m’i ngrë
Ato gjokse me tallaze,
mendjen time ku ta lë,
ku ta lë mendjen çapraze?

Pse moj ngjalë, ngjalë, ngjalë
Më shket e më vjen vërdallë?
Ç’ke moj ngjalë, ngjalë e Lumit
Që m’i çmend ëndrrrat e gjumit?!

Zë rrugës ecën me naze,
ëndrrat m’i tërboi.
Kur nis e këndon “avaze”
S’ka zot ta kuptojë...

Pse moj ngjalë, ngjalë e Lumit,
pse tallesh me mua?
Nga syri po më shpërngul gjumin,
po më zverdh si ftua.

Avull nxjerr në palcë të dimrit
Si kazan në zjarr,
midis mpirjes dhe guximit
vij një valë të marr...

 

*Plotmëri

- Bisedë me gruan -


S’më del jeta, s’më mjafton
Të të shpreh sa shumë të dua,
Zjarr që zemrën zbukuron
Të kam shoqe, pastaj grua.

Me ty i kam qarë hallet,
Me ty kam qeshur gëzimet;
Kam ty që vështroj nga mallet,
Se kam ty në mal do ngjitem.

Je pjesë shkëputur prej meje,
Jam pjesë shkëputur nga ti.
Fatmirësisht të dy bashkë
Përbëjmë një plotmëri.

Dritërimi ynë nuk fiket
Se s’ësht’ drapër meteori.
Trungje me halle gremisim,
Qeshim si qershori qershori

 *Besa e qenit

“Unë jam një qen stani,
Në stanin e librave të mi.
“Ham-ham, mos m’i ngani,
Ju shqyej, ju grij!”
                     Dritëro Agolli

Bën apel qeni i stanit
Gjithë rracës së ham - hamit:
 - Një llaf kam unë, s’kam dy,
Dhe vdekjen e pres në sy! -

E uron bushtra me zemër:
- hallall qumështin e nënës! -
 Qeni i shtëpisë pastaj,
I lidhur flet më kollaj:

 - Po më ngave, të nduk keq,
Qofsh njeri, qofsh edhe dreq! -
 Shton e shoqja: -…ndaj kujdes,
Në detyrë s’të fal, për besë! -

Si trim, zë e flet zagari,
Po, me nder, asnjë s’ja vari…
 Zagaresha njomi sheshin,
Ankohet: - Pse na përqeshin?! -

Me zë të hollë langoi
Pas një ferre trimëroi…
 Ngrihet zonja langaraqe
As për luftë, as për paqe.

“Çuf, çuf, çuf…”, më tej kulishi
As nuk ndreqi, as nuk prishi…
 - Miq, ku është besa e qenit?
- Në stan, te balli i kuvendit!



No comments: