Nga Thanas GJIKA
SFIDUESI I MADH
I DIKTATURES DHE
I TRANZICIONIT
(Ese për Lek Preng Pervizin editor i revistës KUQ E ZI)
Lek Pervizi (bir i gjeneral Preng Pervizit), bashkë me
Mërgim Korçën (bir i Dr. Xhevat Korçës), Uran Butkën (bir i mësusesit Safet Butka), Eugjen
Merlikën (bir i ing. Petrit Mustafa Merlikës) e shumë veprimtarë demokratë të
ditëve tona, janë bij të elitës intelektuale shqiptare që po formohej gjatë
viteve të shtetit të pavarur shqiptar, pra dhe viteve të mbretërisë. Ata janë
bij të atyre intelektualëve atdhetarë që nuk e donin ideologjinë komuniste, të
cilët për këtë shkak u shpallën armiq të pushtetit prej Partisë Komuniste
Shqiptare dhe bijtë e tyre u internuan, u burgosën ose u lanë në hije gjatë
viteve të diktaturës. Mirëpo mbas vitit 1992 kur u shkërmoq diktatura e
proletariatit, këta bij të denjë të prindërve të tyre me forca të përtërira ia
filluan luftës për mëkëmbjen e demokracisë shqiptare.
Në vitin 1989
Mihail Gorbaçovi, sekretari i parë i Partisë Komuniste Bollshevike të Bashkimit
Sovjetik, pranoi në takimin e Maltës para Xhorxh Bushit (Plakut), se sistemi
socialist dështoi, si një sistem shoqëror i gabuar dhe joproduktiv. Në gjithë
Europën Lindore u pranua kapitullimi i atij sistemi dhe shkërmoqja e diktaturës
komuniste, e shtetit njëpartiak me ekonomi të përqendruar. Filloi instalimi pa
dhunë i sistemit pluralist me ekonominë e tregut të lirë dhe legjislacion
demokratik. Ky fenomen i ri solli dhe rilindjen e kulturës, të artit e të
shkencës demokratike, të cilat kanë në themel të tyre zbulimin e së vërtetës,
të së bukurës dhe të së dobishmes në jetën njerëzore. Mirëpo fitimtarët
(shtetet e Perëndimit) pranuan që shkërmoqja e diktaturës dhe krijimi i
sistemit të ri shoqëror të kryhej në rrugë paqësore. Kjo klauzolë solli si
pasojë që në Europën Lindore, pra dhe në Shqipëri, ish partitë shtet nxitën
futjen e shumë ish komunistëve e sigurimsave në partitë e reja për ta kryer
procesin e pluralizmit dhe krijimin e ekonomisë së tregut të lirë, ashtu si u
leverdiste atyre. U punua fshehurazi që pasuritë dhe pushteti politik në këto
vende të trashëgohej prej bijve të komunistëve dhe shërbëtorëve të tyre
besnikë.
Ky fenomen ndodhi dhe në Shqipëri, ku në këtë proces
ndihmuan edhe shumë artistë e veprimtarë shoqërorë, të cilët gjatë viteve të
diktaturës kishin kontribuar në krijimin e artit, kulturës dhe të shkencës së
politizuar. Ata u përpoqën të ecnin në rrugën e re, por formimi i tyre i vjetër
politik, kulturor e artistik, si dhe privilegjet që kishin gëzuar gjate
sundimit te partisë shtet, i pengonin që t'i shihnin dhe analizonin me sy
kritik dukuritë e jetës së kaluar dhe të jetës aktuale. Të tilla dobësi të
formimit bashkë me disa dobësi të karakterit të tyre, ndikuan që ky grup
veprimtarësh dhe artistësh të mos e kryente procesin e katarsës, procesin e
shpëlarjes nga gabimet dhe krimet e kryera gjatë sundimit të diktaturës
komuniste. Në veprat e veprimtarëve të këtij grupi bie në sy përpjekja për të
justifikuar bëmat e kohës së diktaturës duke kritikuar vetëm ndonjë dobësi të
sistemit diktatorial si luftën e tepruar të klasave, varfërimin e skajshëm të
shoqërisë e ndonje tjeter, por pa treguar se ai sistem ishte i gabuar që në
fillimet e veta, mbasi u stis me vrasje, burgime, internime pa gjyq, me shkelje
flagrante të të drejtave të njeriut. Dhe më djallëzisht vepruan disa prej tyre
duke u përpjekur të zmadhonin ndonjë kritikë që u ishte bërë gjatë regjimit
komunist dhe ta paraqisnin veten si të përndjekur, madje dhe si të pakënaqur e
disidentë. Kështu politika shqiptare e sotme, për turp i la mënjanë disidentët
e vërtetë e të përvojturit dhe i zëvendësoi ata me bijtë e ish komunistëve e
ish sigurimsave.
Për fatin e mirë të popullit tonë, krahas këtij grupi veprimtarësh, artistësh e studiuesish,
për rilindjen dhe mëkëmbjen e politikës, kulturës, artit dhe shkencës së re
demokratike, ka punuar dhe një grup tjetër i përbërë prej ish të përndjekurve e
të dënuarve politikë, me të cilët u bashkuan dhe disa intelektualë të ndershëm
të cilët ishin lënë në hije gjatë kohës së diktaturës. Edhe pse përbërësit e
këtij grupi nuk kishin pasur mundësi shkollimi e kualifikimi si pjesëtarët e
grupit të lartpëmendur, ndihmesa e tyre në ecurinë e proceseve ka qenë dhe është
thelbësore, ndonëse propaganda e sotme, e dominuar prej grupit të ish të
përkëdhelurve të diktaturës, nuk e vlerëson dhe përpiqet ta mënjanojë e
nënvlerësojë atë.
***
Midis veprimtarëve të grupit të dytë ndrit
jeta dhe vepra e Lek Pervizit, djali më i vogël i tre djemve të gjeneral Preng
Pervizit. Me jetën dhe veprimtarinë e shumanshme ky veprimtar i shquar i
demokracisë shqiptare ka hyrë që për së gjalli midis shqiptarëve të pavdekshëm.
Brezat e sotëm dhe të ardhshëm të shoqërisë sonë do t'i vlerësojnë gjithnjë e
më shumë të tillë veprimtarë që shquhen për karakterin e fortë dhe ndihmesën e
shumanshme në fushën e kulturës, gazetarisë, historisë, artit dhe të mendimit
politik e shoqëror.
Babai i Lekës, Preng Pervizi, ishte një nga
kuadrot e lartë të ushtrisë shqiptare, që kishte kryer studimet në Austri e
Itali dhe ishte inkuadruar në forcat e armatosura shqiptare që në vitin 1918.
Lek Pervizi u lind më 26 qershor 1929 në
Skurraj të Kurbinit, u shkollua bashkë me vëllezërit në Itali. Vëllai i madh, Valentini,
studioi në Romë në vitet 1929-1941 ku përfundoi shkollën e lartë ushtarake të
kavalerisë. Vëllai i dytë, Genci, studioi po në Romë në vitet 1929-1943, ku
përfundoi studimet e larta për aviator. Leka ndoqi në Romë studime në kolegjin Santa
Maria gjatë viteve 1938-1943, ku ndoqi edhe një kurs pikture. Nuk e mbaroi dot
atë shkollë, mbasi ndryshimet e mëdha që solli kapitullimi i Italisë fashiste,
bëri të pamundur vijimin e shkollimit të tij. Shkollimi i tij nuk u përfundua as në Shqipëri, sepse mbas
vendosjes së diktaturës komuniste nisi terrori ndaj familjes së tij.
Për shkak bindjesh dhe miqësish, babai i
Lekës që në rininë e tij u lidh me Ahmet Zogun dhe u bë një nga përkrahësit e
tij të fuqishëm deri në prillin e vitit 1939, si dhe më pas gjatë pushtimit
italian e gjerman. Edhe pse ishte prombretit, Preng Pervizi bashkë me Muharrem
Bajraktarin e ushtarake te tjere nuk u bashkuan me asnjë parti politike, pra as
me Partinë e Legalitetit, por i qëndruan besnik mendimit se ushtria shqiptare
duhej të ishte e depolitizuar si forcë që mbronte atdheun nga rreziqet e
jashtëm. Gjeneral Pervizi në gusht të
vitit 1944 kundërshtoi mendimin e komandës gjermane për të shpallur diktaturën
ushtarake në Shqipëri, kundërshtim që solli grindjen e tij me komandën gjermane
dhe djegien e shtëpive (kullave) të tij në Laç e Skurraj të cilat pak më
vonë u ridogjën prej forcave partizane, ndonëse në shtator të vitit 1944 Prenga, bashkë me disa ushtarakë, përkrahës të tij,
doli maleve për të kundërshtuar pushtimin gjerman. Përpjekjet e Preng Pervizit
dhe shokëve të tij për
të bashkuar forcat antikomuniste dështuan për shkak se misioni ushtarak
anglez, që përfaqësonte Aleatët e Mëdhenj, u pajtua me mendimin që fati i
Shqipërisë të trajtohej bashkë me fatin e Jugosllavisë, mendim që e dëmtoi të
ardhmen e vendit tonë.
Preng Pervizi në
janar të vitit 1945 u shpall prej qeverisë komuniste armik i popullit dhe u
dënua me vdekje. Nuk u morën parsysh asgjë nga veprimtaria e tij 26-vjeçare në
shërbim të atdheut.
Nuk u mbajt
parasysh e nuk u përmend kurrë fakti se Preng Pervizi ishte një ndër
komandantët e forcave të shtetit shqiptar që luftuan për dëbimin e serbëve nga
Shqipӫria në vitet 1920-1921.
Nuk u mbajt
parasysh e as u përmend kurrë kontributi i tij në shtypjen e kryengritjes së
Mirditës të nxitur prej agjenturës jugosllave më 1921 dhe as dështimi i
grushtit të shtetit të 8 marsit 1922, ku Preng Pervizi në krye të forcave
qeveritare i shpartalloi forcat rebele dhe e shpëtoi vendin nga kriza.
Nuk u mbajt përasysh as fakti se Preng
Pervizi kishte qenë komandant i forcave shtetërore që shtypën kryengritjen
antikombëtare të zonës Shalӫ-Shosh (Dukagjin) në nëntor- dhjetor 1926, nxitur nga
agjentura jugosllave.
Nuk u mbajt parasysh e nuk u përmend kurrë
guximi i tij për kundërshtimin e mendimit të Benito Musolinit më 1936 (shfaqur
në Luftën e Abisinisë e në Manovrat e Mëdha të ushtrisë italiane, ku Prenga
ishte dërguar si vëzhgues i palës shqiptare. Benito Musolini në fund të lojrave
i tha Prengës: Shqipëria është një vend trim por e vogël, por ne do ta bejmë të
madhe. Ushtria italiane e ka Shqipërinë një kafshatë goje. Prenga, duke e
kuptuar nëntekstin e këtyre fjalëve, iu përgjigj: Ne na mjafton Shqipëria dhe
kështu si është. Shqipëria nuk është Abisini, ajo është kockë e fortë, që ngec
në fyt. Kjo përgjigje i dha të kuptonte Musolinit, se Preng Pervizi nuk do ta
pranonte pushtimin, por do të organizonte rezistencën e armatosur. Prenga e
vuri në dijeni mbretin Zog i I për rrezikun që i kanosej vendit, por ai nuk
mori asnjë masë mbrojtëse, sepse kishte besim të verbër ndaj Italisë. Agjentura
italiane në Shqipëri e bindi mbretin, që ta transferonte Preng Pervizin nga
qendra si komandant të qarkut operativ Tiranë-Durrës në komandant të qarkut
operativ Korçë-Kolonjë, për ta pasur sa më larg ditën e sulmit, që u
realizua më 7 prill 1939.
Nuk u mbajt parasysh e nuk u përmend kurrë
fakti se Preng Pervizi më 9 prill 1939, donte të fillonte rezistencën kundër
pushtuesit italian dhe i propozoi mbretit në Zëmblak të Korçës që
të lëshonte kushtrimin për luftë popullore ndër male. Ahmet Zogu nuk e pranoi
këtë mednim me pretekstin se dëmtohej populli. Prenka u detyrua ta
përcillte mbretin në Follorinë të Greqisë, ku I kërkoi përsëri që të
kthehej në Korcë e të shpallte luftën kundër pushtuesve italianë pastaj të
largohej nga atdheu e të kujdesej për mbretëreshën lehonë e djalin disaditësh.
Por mbreti u arsyetua duke thënë se asnjë fuqi europiane nuk e kundërshtoi
pushtimin italian dhe se Shqipëria nuk mund ta fitonte lirinë duke luftuar e
vetme. Kryeministri anglez, Ҫamberlen, ishte shprehur: Anglia nuk ka asnjë interes në
Shqipëri.
Nuk u mbajt parasysh e as u përmend fakti se
gjatë luftës Italo-Greke në tetor 1940 Preng Pervizi, komandanti i regjimentit
të përbërë nga dy batalione shqiptare, dha urdhërin e tërheqjes së forcave
shqiptare nga luftimet, duke i kundërshtuar gjeneralët italianë se ushtria
shqiptare nuk behej mish për top. Për këtë urdhër gjeneral Pervizin italianët e
mbajtӫn në gjendje izolimi
në alet e Pukës deri në kapitullimin e
Italisë. Por këtë meritë Enver Hoxha ia veshi Spiro Moisiut, vartësit të Preng
Pervizit, pasi Spirua u bashkua me forcat partizane më 1942.
Nuk u mbajt parasysh e as u kujtua ndonjëherë
fakti se gjeneral Pervizi në gusht të vitit 1944 u grind me komandën gjermane
dhe në shtator 1944 bashkë me shumë kolegë ushtarakë doli maleve si
antigjerman, veprin që shkaktoi bombardimin e kullave të tij në Laç e Skurraj.
Duke mos u marrë parasysh të tilla merita të
gjeneral Preng Pervizit, në dhjetor të vitit 1944 u arrestua djali i tij i
madh, Valentini, i cili jetoi nëpër burgje, kampe pune dhe fshatra internimi
deri në shkurt 1991, plot 47 vjet. Në vitin 1945 u internuan në Berat
bashkëshortja dhe nëna e Prengës dhe që aty tre vjet më vonë i dëbuan në kampin
më të keq, në atë të Tepelenës, ku më 1950 vdiq nëna plakë 90-vjecare.
Preng Pervizi mbasi jetoi në male deri në
shtator të vitit 1946, u arratis në Greqi me synimin që të nxiste qeveritë
perëndimore për të ndihmuar qëndresën antikomuniste në Shqipëri.
Në vitin 1947 u arrestua djali i dytë, Genci,
i cili jetoi nëpër burgje, kampe pune e internimi deri në vitin 1989.
Kurse djali i vogël, Leka në fillim u
la i lirë në Tiranë, ku u mbajt nën vëzhgim deri në maj 1950 kur e
arrestuan dhe e mbyllën në kalanë e Portopalermos, pastaj në kampin e
Tepelenës, në atë të Shtyllasit e më tej në Kuç të Vlorës deri më 1958. Organet
e Sigurimit shqiptar dëshironin që gjeneral Pervizi të hynte në Shqipëri për të
marrë ndonjë nga djemtë e tij. Por ai nuk synonte të shpëtonte vetëm një ose të
tre djemtë e tij. Ai synonte të shpëtonte gjithë Shqipërinë nga zgjedha
komuniste, prandaj vijoi veprimtarinë e tij në Greqi derisa u largua më 1965 në
Itali e pastaj në Belgjikë, ku vdiq më 1977.
Në kampin e Tepelenës jeta e Lekës ishte
tepër e vështirë për shkak të kushteve shumë të këqia dhe të punës shumë të
rëndë, por edhe atje ai përjetoi momente gëzimi e ngushëllimi kur organet
përkatëse shpunë aty Valentinin dhe nënën. Vuajtja së bashku ishte më e lehtë.
Ai kamp u mbyll më 1954, për shkak të kushteve të këqia, nën presionin e
Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Mbas kësaj, Lekën e transferuan në kampin
Plug të Lushnjës, ku ai u martua me bashkëvuajtësen Gjuliana Malaj, e cila
kishte filluar jetën e internimit që foshnjë në kampin e Tepelenës, ku i kishin
ngjitur emrin Beba, mbasi ishte një nga fëmijët që i shpëtuan vdekjes masive të
atjeshme.
Arrestimet, burgimet dhe internimet e
familjes Pervizi u shoqëruan dhe me grabitjen e pronave e të tokave si dhe me
djegien e shtëpive në Laç e Skuraj dhe me konfiskimn e shtëpisë vilë në Tiranë.
Kjo familje e madhe duke përfshirë dhe kushërinjtë pati 23 vetë të vrarë e të
vdekur nëpër burgje e internime. Sasia e përgjithëshme e viteve të burgimit dhe
internimit arrin në 750 vjet. Kurse vetëm trungu i ngushtë familjar vuajti 456
vjet burgime, internime e dëbime. Na gëzon fakti se kjo familje i rezistoi me
trimëri shtypjes dhe diskriminimit të padrejtë. Themi shtypje dhe diskriminim i
padrejtë, sepse asnjëri prej këtyre vuajtësve nuk kishte kryer ndonjë gabim a
krim ligjor. Familja Pervizi, si shumë familje të tjera të elitës shqiptare
nacionaliste, që u burgosën e u internuan për dhjetëvjeçarë, e sfidoi me sukses të
plotë diktaturën komuniste. Sfidë e cila meriton vepra të ndryshme arti. Vepra
të tilla kanë filluar të hartohen e do të vijojnë të hartohen derisa masat e
gjera të popullit tonë të çlirohen nga tymnaja e popagandës komuniste
dhe ta urrejnë diktaturën komuniste ashtu si populli italian e ai gjerman e
urryen diktaturën fashiste e naziste dhe shkuan përpara.
Djali i madh, Valentini (1920-1999), i përballoi i vetëm vuajtjet e
burgjeve dhe internimeve. Ai nuk pati fëmijë nga martesa me gruan italiane
Gorizia Manini, të cilën regjimi komunist pas arrestimit të tij e largoi nga
Shqipëria. Si në legjendat e moçme Valentini i qendroi besnik gruas së tij
dhe nuk u rimartua. Mbrekullisht edhe bukuroshja italiane e dashuruar fort pas
oficerit kryelartë shqiptar, e priti burrin e saj derisa më 1991, u ribashkuan
në Bolonjë, ku kaluan së bashku vitet e pleqërisë.
Djali i dytë, Genci (1923-1989) nuk e jetoi shkërmoqjen e diktaturës, mbasi
më prill 1989 vdiq para kohe. Por ai vdiq i kënaqur sepse me bashkëshorten
Albina e shtuan familjen Pervizi duke lindur gjashtë fëmijë: Evën më 1960, Edin
më 1962, Davidin më 1965, Dionizin më 1969 dhe Damianin më 1976.
Edhe djali i tretë, Leka doli prej ferrit me familjen e tij të përtërirë.
Ashtu si familja e babait të vet, që kishte gruan dhe tre djem, edhe Leka me
Gjulianën ishin shtuar me tre djem: Leonardin më 1966, Dorianin më 1967 dhe
Aurelin më 1975.
Duke mos pasur mjete e mundësi jetese,
pasardhësit e Preng Pervizit, ndonëse fituan lirinë, nuk mund të jetonin në
atdhe. Regjimi komunist që ua kishte marrë gjithë pronat e tundshme e të
patundshme, nuk ua ktheu ato. Në të tillë gjendje ekonomike këta sfidues të
diktaturës u detyruan të merrnin rrugën e shpërnguljes më 1990-1991. Valentini,
si thamë shkoi në Itali, familja e Gencit në ShBA, kurse familja e Lekës në
Bruksel të Belgjikës, ku gjeneral Pervizi bashkë me shokun e tij Muharrem
Bajraktari kishin kaluar vitet e pleqërisë si emigrantë politikë.
Regjimi komunist nuk i donte nëpër këmbë
vuajtësit e panënshtrueshëm si ishin pasardhësit e Preng Pervizit, Gjon
Markagjonit, Mustafa Merlikës, Abaz Kupit, Abaz Ermenjit, Muharrem Bajraktarit,
Fiqri Dines, Hysni Demës, etj, etj. Të tillë sfidues të diktaturës duheshin
larguar dhe u larguan me mënyra të ndryshme prej Shqipërisë para se të fillonte
loja politike e pluralizmit, sepse ata përbënin opozitën e vërtetë politike
antikomuniste dhe e rrezikonin seriozisht të ardhmen e bijve të kupolës
komuniste dhe të shërbëtorëve të tyre. Sipas premtimit të Ramiz Alisë ish
komunistët e besnikët e tyre do të trashëgonin pasuritë dhe pushtetin në
Shqipëri. Dhe vërtet, po të shikosh klasën e sotme politike dhe përbërjen e
shtresave të pasura del qartë se shumica e tyre janë pasardhës të komunistëve
dhe sigurimsave të kohës së diktaturës, të cilët nuk i urrejnë aspak prindërit
e tyre për poshtersitë e kryera, por mburren me ta dhe i justifikojnë me
shprehjet ashtu ishte koha, ashtu ishin ligjet...
Mund të justifikohen ligjet çnjerëzore
të diktaturës komuniste me shprehjen ashtu ishte koha, ashtu ishin ligjet, por
asnjë normë morale nuk i ka justifikuar dhe nuk i justifikon shkeljen e atyre
ligjeve. Kush mund t'i justifikojë vrasjet prapa shpine të partizanëve trima si
Memo Meto, Raqi Qirinxhi, Mynyr Xhindi, etj. Asnjë kohë e asnjë ligj nuk i
justifikon arrestimet pa gjyq, torturat çnjerëzore nëpër qelitë e hetusive dhe vrasjet
pa vendim gjyqi të shumë nacionalistëve, intelektualëve, klerikëve, madje e të
mjaft komunistëve, të cilët nuk vepruan kundër ligjeve në fuqi, por vetëm
guxuan të mendonin ndryshe nga vija e partisë shtet. Të tillë njerëz, të cilët
përbëjnë një pasuri të madhe morale, politike e shoqërore për Shqipërinë, u
pushkatuan e u varrosën në gropa kolektive dhe ende kanë mbetur pa varre
personale ku t'i qajnë e përkujtojnë familjarët e miqtë e tyre.
Të mos i dënosh të tilla krime, ose t'i lësh
në harresë, do të thotë të kryesh krime të rinj, t'i lësh të qelbëzohen plagët
e vjetra dhe të krijosh plagë të reja.
Historianëve nuk u kërkohet që të mohojnë
Luftën Antifashiste, por u këkohet që kur shkruajnë për atë luftë, të mos
zbukurojnë kot bëmat e brigadave partizane dhe të mos hedhin baltë mbi bëmat e
forcave të tjera antifashiste. Vetëm njerëz të droguar prej propagandës
komuniste dhe propagandës së huaj antishqiptare nuk pranuan e nuk pranojnë
faktin se përfaqësuesit e PKSH-së, të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit u ulën
në Mukje si forca të barabarta antifashiste dhe së bashku hartuan më 2-3 gusht
1943 marrëveshjen e përbashkët. Marrëveshja e Mukjes, për vlerat e saj
kombëtare ka qenë e ngjashme me marrëveshjen e Lidhjes së Prizrenit të vitit
1878, por u hodh poshtë prej përfaqësuesve të Partisë Komuniste Jugosllave,
sepse aty kërkohej të ruhej bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.
Historianëve u kërkohet të zbulojnë shkaqet
pse dhe si diktatura e proletariatit u transformua në një diktaturë më të keqe
se diktatura fashiste e ajo naziste, ku diktatori ynë vetë vendoste e vetë
vuloste për gjithçka, dënonte pa gjyq ose me gjyqe të stisur cilindo që i
dukej se i rrezikonte pushtetin. Të zbulohet pse gjithë kuadrot e ulët e të
lartë aprovonin dënimin e kolegëve të tyre me të cilët kishin luftuar e
bashkëpunuar me vite dhe e dinin mirë se ata nuk ishin agjentë e poliagjentë,
si i shpallte diktatori...
Gazetar që lufton për të vërtetën dhe
rilindjen e moralit të shëndoshë.
Lek Pervizi, sot 86 vjeçar, është një prej figurave
më të rëndësishme të proceseve demokrtatike që po përjeton shoqëria shqiptare
që nga viti 1991. Duke jetuar në liri dhe në kushtet e një asistence ekonomike
belge në Bruksel, ky i përvuajtur i regjimit komunist shqiptar, nisi të
rigjenerohej fizikisht e mendërisht. Aftësitë mendore dhe talenti i tij i
ndrydhur e i shtypur shpërthyen me një forcë të pabesueshme në disa fusha.
Në tetor të vitit 1993 në Bruksel, atje ku
Faik Konica më 1897 filloi botimin e revistës Albania, Lek Pervizi filloi publikimin
e revistës Kuq e Zi, si një organ shtypi me karakter kulturor e politik. Në
fillim, para se të përvetësonte kompjuterin ai i daktilografonte dhe i
shumfishonte me kseroks materialet e revistës. Mos harrojmë se kur e filloi
këtë punë, Leka ishte gati 65 vjeçar, moshë kur është e vështirë të mësosh
daktilografimin dhe shfrytëzimin e kompjuterit, Por zjarri që e digjte nga
brenda për të bërë të njohur vuajtjet e burgjeve dhe internimeve e ndihmuan që
të mposhtte cdo vështirësi teknike e fizike, ta pasuronte revistën me materiale
të shumta të shkruara prej tij dhe kolegëve. Sot kjo revistë euro-shqiptare ka
arritur në numërin 100, që do të thotë se themeluesi e botuesi i saj ka hartuar
e publikuar 100 kryeartikuj dhe qindra artikuj e shkrime me karakter të
ndryshëm.
Për të siguruar shumllojshmërinë e shkrimeve
dhe një nivel sa më të lartë për revistën, Leka që në fillim krijoi bordin e
revistës dhe rrethin e bashkëpunëtorëve. Midis bashkëpunëtorëve po përmendim të
mirënjohurit prof. Injac Zamputi, Kardinal Mikel Koliqi, prof. Gulielm Deda,
prof. Arshi Pipa, Mark Dema, At Zef Pllumi, shkrimtarin Visar Zhiti, Myrteza
Bajraktari, Nush Radovani, Nikoll Mazreku, studiuesen Nermin Vlora me të shoqin
Renzo Falaski, studiuesin H. J. Lanksch, Niko Kirka, prof. Robert Elsie, Mërgim
Korca, Gjosho Vasia, Nikoll Tuci, Filika Gruda, Ariana Rufa, Riza Hoxha, poeten
Julia Gjika, etj.
Detyrat kryesore të kësaj reviste u
parashtruan në kryeartikullin Tribunë shqiptarizmi, të numërit të parë, ku
autori shpalosi programin e këtij organi. Aty u theksua se revizta del për të
dëshmuar të vërtetën për jetën plot vuajtje të të përndjekurve nga dhuna
komuniste, për të shpalosur mendimet e tyre atdhetare politiko-shoqërore dhe
kulturore, si dhe bëmat e tyre në fusha të ndryshme të jetës e të artit. Kjo
revistë mori përsipër dhe vijon ta kryejë me sukses ringjalljen e vlerave
morale e shirtërore të popullit shqiptar, që u cunguan e u vranë gjatë regjimit
diktatorial, si besën, mikpritjen, trimërinë, besimin tek Zoti, etj. Po ashtu në
shkrime të ndryshme të saj bëhet rivlerësimi i shumë ngjarjeve e figurave
historike që u lanë mënjanë e u nëpërkëmbën prej propagandës komuniste. Kjo
bëhet me synimin që jeta, kultura e shkenca historike shqiptare të përjetojnë
një rilindje, një proces pastrimi nga skorjet, nga mashtrimet dhe shtrembërimet
e shkencës së politizuar. Me një fjalë revista Kuq e Zi ka ndihmuar e ndihmon
dukshëm në procesin e rishkrimit të historisë sonë kombëtare, në njohjen dhe
vlerësimin e jetës dhe të veprës së shkrimtarëve dhe artistëve të dënuar, të
cilët krijuan vepra të artit realist në kushtet mizore të burgjeve dhe kampeve
të internimit.
Në plan mbarëkombëtar revista pasqyron dhe
nxit procesin e bashkimit kombëtar në rrugë paqësore, proces i natyrshëm i
nacionalizmit të shëndoshë. Ky program kombëtar ka gjetur shprehjen e vet në
citatin që publikohet në faqen e parë të çdo numëri:
Shqiptarëve s'ka ç'u duhen ideologjitë e
huaja duke pasur një të vetmen të tyren, Shqiptarizmin, idealin kombëtar.
Studiues dhe përkthyes veprash shkencore.
Gjatë shkollimit në Itali, Leka studjoi disa
vjet latinisht dhe italishten mesjetare. Ky formim bashkë me pasionin e tij
atdhetar e ndihmojnë që të merret dhe me studime historike që trajtojnӫ origjinën e shqiptarve dhe
vjetersinë e gjuhës shqipe. Ai ka hulumtuar në biblioteka e arkiva të ndryshme.
I njohur është përkushtimi i tij ndaj historive të shkruara për Gjergj
Kastriotin Skenderbeun. Përmes këtyre studimeve ai nxori në pah figurën e
Dhimitӫr Frangut si i pari
shqiptar që shkroi për jetën e bëmat e heroit tonë kombëtar më 1480, shumë vjet
para Barletit. Leka e përktheu nga origjinali (italishtja mesjetare) dhe e
botoi shqip në Tiranë duke e pajisur me shumë shënime sqaruese këtë histori me
titullin Dhimitër Frangu Veprat e Lavdishme të Skënderbeut. Këtë botim ai e
realizoi në kuadrin e 600-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Libri pati jehonë dhe u pasqyrua në gjithë shtypin shqiptar si një kontribut
për njohjën e jetës dhe luftrave të Gjergj Kastriotit.
Kërkimet e mëtejshme në bibliotekën e
Bolonjës (Itali) e ndihmuan Lekën të gjente dhe një histori tjetër për heroin
tonë kombëtar të botuar prej historianit italian Paolo Jovio. Leka vuri re
se vepra e Dh. Frangut dhe ajo e P. Jovios kishin të njëjtën përmbajtje
pavarësisht se kishin tituj të ndryshëm. Këtë vepër të dytë Leka e botoi shqip
më 2011 në New York me titullin Skënderbeu dhe Sulltanët e Turqisë, duke e
pajisur me shënime për të mbrojtur hipotezën e vet se vepra e P. Jovios ishte
ribotim i veprës së Dh. Frangut me titull tjetër,
dhe se Jovio origjinalin latinisht të Dh. Frangut e përktheu italisht dhe e
adaptoi si të vetin.
Dashuria për historinë e lashtë të popullit
tonë e shtyu Lekën të merrej dhe me përkthimin e pajisjen me shënime të veprës Pellazgӫt e pasardhӫsit e tyre të studiuesit
francez Eduard Schneider, të cilën e botoi në Tiranë më 2008. Ky studjues
përmes gjuhës shqipe trajton origjinën e shqiptarve si popull pasardhës i
Pellazgëve.
Leka e ndjen për detyrë edhe nxjerrjen në
dritë të vlerave të familjes së vet, vlera të mbuluara me shpifje dhe të
dënuara me hedhje në harresë. Për këtë arsye ai mblodhi e botoi shkrimet e
babait të vet dhe ç'është shkruar për të në shtypin shqiptar. Frut i kësaj
pune është përmbledhja Gjeneral Preng Pervizi në shtypin shqiptar, Bruksel
2009. Për ta shpënë më tej njohjen dhe vlerësimin e jetës e të veprimtarisë së
babait të tij ai rishkroi dhe biografinë e Preng Pervizit, hartuar e botuar së
pari më 2002 prej Nënkolonel Dr. Pjetër Hidri dhe përkthyer e botuar frëngjisht
në Belgjikë më 2008.
Kërkimet e mëtejshme për hisorinë e familjes
e shpunë Lekën edhe tek vepra tjetër biografike Gjin Pjetër Pervizi,
luftëtar i shquar i Rilindjes Kombëtare ku ai sqaron jetën e gjyshit të tij, i
cili ishte lënë në harresë për shkak të të birit, Preng Pervizit. Këtë vepër
Leka e hartoi dhe e botoi në Tiranë më 2012, në vitin jubilar të 100 vjetorit
të shpalljes së pavarësisë dhe një mik i tij e ribotoi në New York, po atë vit.
Ky Botues ka botuar edhe libra të tjerë të Lek Pervizit në prozë e poezi.
Piktor realist dhe poet i traditës rapsodike.
Gjatë viteve të shkollimit në Romë, djaloshi Lek ndjente një forcë
të brendshme që e shtynte të merrej dhe me vizatime. Për këtë arsye
ai ndoqi me pasion një kurs vizatimi e pikture, që drejtohej prej një
artisti austriak.
Përgatitja që fitoi atje i dha mundësi që më vonë të fitonte
konkursin për t'u regjistruar në Liceun Artistik Jordan Misja. Këtë shkollë ai
e ndoqi në vitet1948-1950. Mësuesit e vizatimit dalluan talentin e tij të
spikatur dhe i dhanë të drejtën që të kalonte drejtpërdrejt në maturë. Mirëpo
ata që ishin ngarkuar për të gjurmuar jetën e tij ndërhynë dhe në maj të vitit
1950 e arrestuan dhe pasi e bashkuan me vellain Valentin e mbyllën nӫ Kalanë
plot lagështirë e errësirë të Portopalermos. Pastaj e flakën nga kampi në kamp
derisa më 1958 e dërguan në kampin Plug të Lushnjës, ku jetoi 32 vjet të tjera.
Janë duart e arta të Lekës ato që zëvendësuan fotografitë e
munguara gjatë viteve të internimit për të dëshmuar pamjet e kampit të
Tepelenës, të Kucit e të Lushnjës. Disa prej këtyre vizatimeve u zhdukën gjatë
kontrolleve që kryeheshin nëpër kampe, por ato që shpëtuan u vlerësuan për
vlerat e tyre dokumentare prej Fondacionit gjerman Konrad Adenauer (Konrad Adenaur
Stiftung), i cili formoi stenda muzeale në Tepelenë për të dëshmuar
persekutimin e egër komunist në ceremoninë e përkujtimit të kampeve komuniste
dhe botoi albumin Në Rrathët e Ferrit me vizatimet e Lekës.
Kryevepra e Lek Pervizit si piktor është tabloja kompozicionale me
ngjyra Beteja e Fushkuqes me tematikë nga luftrat antiosmane të shqiptarëve nën
drejtimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Kjo betejë ndodhi më 2 shtator 1457
dhe Marin Barleti e përmend me emrin Beteja e Albulenës dhe u zhvillua poshtë
Fushës së Milotit, gjatë bregut të lumit Mat deri në det.
Talenti i lindur i Lek Pervizit është
shumëdimensional. Krahas pikturës ai është shquar edhe në fushën e krijimtarisë
poetike.
Formimi i tij në fushën e letërsisë i ka
rrënjët që në fëmijërinë e hershme, kur ai dëgjonte pranë vatrës rapsodët
popullorë që recitonin këngë Kreshnikësh dhe pastaj kur filloi të lexonte në
shqip e italisht poema madhore të klasikëve tanë e italianë. Leka meriton të
quhet Lexues i madh, sepse gjatë jetës, pavarësisht nga kushtet e vështira ai
ka lexuar një sasi të madhe veprash italisht, frëngjisht e shqip. Kur e pyet
për formimin e tij letrar e kulturor, Leka përmend me shumë mallëngjim vitet e
vuajtjeve në kampin e Kuçit të Vlorës, ku ai jetoi bashkë me intelektualë shqiptarë
të nivelit akademik, si Kardinal
Mikel Koliqi, Dr Ali Erebara (ish kolonel, që zotëronte 12 gjuhë), Dr. Mykerrem
Janina, Prof. Guljelm Deda, Prof. Ali Cungu, Dr. Mitat Araniti, Dr. Abedin
Hoxha, Dr. Izedin Beshiri, Prof. Mihal Sherko, Dr. Nedim Kokona, Dr. Ibrahim
Sokoli, Juristët Baldasar e Zef Benusi, Prof. Dr. Lazer Radi, Dr. Sandëe Saraçi
dhe intelektualë të njohur si Sami Hysi, Kadri Borshi, Sabri Quku, Dilaver
Tartari, Jakov Milaj, Faik Selenica, Mark Temali, Spiridon Kacaroci, Pandeli
Nase, Remzi Çela, Fiqiri Llagami, Dr. Loro Muzhani, Dr. Karlo Çoba, oficerët
madhorë Len Deda, Luigj Berisha, Ded Jakova, Isa Kokalari, Valentin Pervizi,
ish ministrat Dr. Zef Shiroka e Dr. Vasil Avrami, etj.
- Në Kuç të Vlorës kam kryer akademinë e
vërtetë, thotë Leka, dhe të përmend emrat e bashkëvuajtësve, të cilët në
kushtet e fjetores mizerabël mbanin biseda shkencore dhe lexonin krijimet e
përkthimet e tyre të një niveli të lakmueshëm.
Të kësaj kohë kanë shpëtuar disa
vizatime-portrete, të përfshirë në albumin që përmendëm.
Gjatë viteve të jetës në kampet, Tepelenë,
Portopalermo, Kuç, e Plug, Leka krijoi shumë poezi ku pasqyroi jetën e vet e të
bashkëvuajtësve. Kur ndodhi që gjatë një kontrolli u detyrua t'i digjte mjaft
krijime të hershme, ai gjeti një rrugë të re arkivimi të krijimtarisë së tij
poetike: Mbasi i krijonte poezitë i mësonte përmendësh, i përsëriste shpesh dhe
ia mësonte dhe gruas. Kështu që letra ku ishte shkruar poezia u bë e
pavlefshme. Po t'ia gjenin letrat me të tillë krijime, ai do të kishte shkuar
në pushkatim. Gjatë jetës së lirë në Bruksel ai dhe bashkëshortja filluan t'i
rikujtonin poezitë, t'i shkruanin e botonin në faqet e revistës Kuq e Zi.
Kështu shpëtuan shumë krijime poetike nga koha e kampëve . Të tilla poezi ai i
ribotoi në vëllimet Ankimi i Zanave,GJERGJ FISHTA, Lezhë 2000, Gjurmë të
Humbura, ARBERIA, Tiranë, 2002. Lahutari shqiptar dhe Lahutari Këndon (kangë
rapsodike) LULU, New York , 2010-2011.
Lek Pervizi e pasuroi krijimtarinë poetike
dhe me vepra të reja të cilat i përmbodhi në vëllimin Pétale de Rose, (Petale
Trëndafili) shqip-frëngjisht, botues L’HARMATTA, Paris, 2010 dhe Milano,
shqip-italisht, 2011. Ribotuar nga LULU, New York 2011. Psherëtimë e Erës, LULU,
NewYork, 2011. dhe Tingëllime të vona dhe Labirinte, Bruksel, 2014. Shumë prej
këtyre krijimeve ai i ka përkthyer e botuar dhe në italisht e frëngjisht. Po
ashtu ai ka hartuar dhe një mori tregimesh e shkrimesh të ndryshme në prozë të
cilat i ka botuar në revistën e tij dhe në vëllime më vete shqip, frëngjisht e
italisht. Libri me tregime frëngjisht
Dans les Cercles de l’Enfer, botues L’HARMETTAN, Paris, 2014. Botimi shqip Në
Vorbullën e Skëterrës, Bruksel 2014.
Libri poetik Tingëllime të Vona, pëmban mbi
112 tingëllime klasike të rimuar (1008 vargje) kushtuar pjestarëve të
familjës, në formë biografike, gjyshes, nënës, gruas, prindërve dhe vëllezërve.
Me të drejtë Leka meriton të quhet Piktor dhe
poet i kampeve të vdekjes.
Autor memuaresh.
Detyra për të nxjerrë në dritë të vërtetat
lidhur me ndihmesën atdhetare të anëtarëve të familjes Pervizi e shtyu Lekën të
shkruante dhe kujtimet e veta, të atit të tij dhe të vëllezërve. Këto kujtime
ruhen tani për tani në dorëshkrim në disa vëllime dhe presin rastin të botohen
me titujt:
Odiseja e Pafajësisë, vëllim i cili i
kushtohet jetës së vëllait Valentin.
Lek Pervizi, ky vuajtës dhe sfidues i madh i diktaturës,
ky veprimtar shumëdimensional i tranzicionit ka meritur prej kohe titullin NDER I KOMBIT, por deri më
sot ai është vlerësuar vetëm duke i vënë emrin
e tij shkollës 9-vjeçare të fshatit Pug. Natryrisht vlerësimi i tij i vërtetë
do të bëhet mbasi të studjohet e vlerësohet jeta dhe krijimtaria e tij e shumanshme,
si dhe koleksioni i pasur i revistës Kuq e Zi.
No comments:
Post a Comment