Friday, 5 June 2015

Nëse njohim poezinë e tij, njohim Albert Abazin



Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj
Nëse njohim poezinë e tij, njohim Albert Abazin
Kopertina e librit të poetit vlonjat ,Albert Abazi, që u përurua para pak kohësh
E kam njohur Albert Abazin në vitet 90. Një djalë i qeshur,energjik, bujar dhe gojëmbël.Në mos gabohem aso kohe ishte emigrant në Itali.Stina e pranverës,ashtu si gjithë zogjtë shtegtar,  e sillte në fole edhe Albertin. Bashkë me pranverën ai ligjëronte në gjuhën e mëmës këngët e zogjve.Takimet me krijuesit vlonjatë, krijimi i Shoqatës së shkrimtarëve “Petro Marko”, na afroi me Albertin, këtë lëvrues të poezisë dhe dashamirës të fjalës artistike. Kur ai kishte botuar dy librat e parë, unë ende nuk e kisha thyer akullin për të zgjuar dhuntitë e mia nga gjumi letargjik,pasi më kishin injektuar terapinë e shokut, që kishte budallepsur dhe varfëruar ndërgjegjen humane shqiptare.Më 1998, kohë e krijimit të shoqatës së shkrimtarëve, unë kisha në botim librin tim të dytë romanin “Dhembje nëne”. Këmbimi i letërsisë sonë bëri që ne prej asaj kohe të jemi miq të mirë.
    Cili është Albert  Abazi? Duhet të lexosh poezinë e Albert Abazit që ta njohësh atë si poet, si qytetar. Dhet ta njohësh  si bashkëshort dhe si prind, që të njohësh Albertin  si atdhetar, pasi familja është Atdheu i vogël. Alberti lindi poet , nuk u bë se duhej. Atë e bëri balta që e lindi,Labëria me ashpërsinë, bukurinë dhe bujarinë e saj.  Dashurinë për vendlindjen ia edukoi familja e tij dhe ai ia shpërbleu duke hedhur në letër simfonitë e pashkruara, pa pentagram, pa vegla muzikore dhe pa dirigjent, që ia diktonte shpirti i tij i dëlirë dhe artdashës
 Albert HABAZAJ  lindi më 20 Mars 1960 në Tërbaç të Vlorës. Është studiues, bibliograf, poet dhe shkrimtar, autor i disa librave me poezi, me prozë e publicistikë letrare. Është gjithashtu autor i disa monografive historiko - kulturore dhe i shumë studimeve etnologjike dhe antropologjike. Ka botuar Bibliografinë e botimeve libra të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë. Master Shkencor për Etnologji e Folklor, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimeve të Artit, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë. Është përfshirë në Antologjinë e Tregimit të Zgjedhur të Autorëve Vlonjatë, në Antologjinë e Poezisë së Zgjedhur Vlonjate, në Antologjitë për Vlorën, për Detin, për Naimin, për Nënë Terezën, për Dritëroin, në antologjitë e poezisë shqipe me tematikë të “Muzgut”, në Antologjinë me Poezi Shqipe “Lotët e virgjër” (“Virgin Tears”), 2012,anglisht Londër, etj. Shumë krijime e poezi të tij, sidomos portrete, përkushtime, këngë gëzimi apo këngë të përvajshme, janë përfshirë në libra të autorëve të ndryshëm vlonjatë dhe të vendit. Është veprimtar shoqëror, aktualisht kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe të Artistëve: “Petro Marko”, Vlorë. Punon në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, si drejtor i Bibliotekës Qëndrore “Nermin Vlora Falaschi” të këtij institucioni.
Albert Habazaj (Abazi) ka botuar:
Libra me poezi:
1- “Stina e vajzave”, 1994,
2 - “Nata me hënë”, 1996,
3 - “Buzëqeshje të grisura”, [1999],
4 - “Penët krehin dallgët” (b. a), 2005, 
5 - “Mërgata e Luleve”, 2006,
6 - “Trëndafili s’pritet me një stinë hëne”, (b. a), 2007,
7 - “Ujku i marsit në internet”, 2008, (ribotim, 2010, 2012),
8 - “Dhembin degët e shqyera”, 2015.
Monografi:

“Hysni Lepenica”, 1996,
“Pëllumbi i Çikës”, 2002,
“Antologji trimërie”, 2003,
“Një burrë i bardhë”, 2004,
“Tokë e spërkatur me gjak”, (b. a), 2005,
“Shkëlqim i trishtuar”, 200,5
“Psherëtimat e Jonit” (b. a), 2007,
“Kujtim Peçi, intelektual i shquar  erudit ”, 2010,
“Përkëdhelim një ëndërr” (b. a), 2011,
“Tahir Hoxha i Tërbaçit”, 2013,
 “Çinojt në rrjedhat e kohës”, 2014

Monografi shkencore:
   
 “Botime të pedagogëve të Universitetit “I. Qemali” të Vlorës: Bibliografi”, [Pj. 1], 2006
“Lufta e Vlorës - Historia në Epikën historike”, 2013, [2015] etj.


Prelud për detin

Ta dish' ti, det i Vlorës
kë freskon vlorërisht këtë mbremje
shëndet do të bëheshe për poetët,
do të shteroje deri në çmendje!...

Nga Pogradeci e Saranda t'erdhën, o det,
nga Kalabria, Lushnja, Fieri e Tetova,
hemisferë floriri çdo poet,
mjalt nga fjal' e tyre për ty zgjodha.

Ti i pret mysafirët si Perëndi,
ne kthejmë krikllat e freskëta të birrës,
 i mbushin përsëri në valët e tua,
 në tufë pulëbardhash të gëzuara.

Pijmë birrë e valë, e këngë e zjarr,
 e gurgullullojmë si rruaza xhevahiri,
 vargjet për ty burojnë ujëvarë,
i vemë kurorë një gjethe ulliri.

Krijojmë e ndezim diellin si Fatos Arapi,
Si zogj furtune në buzë të detit,
s'është gjë takimi i mbretit me mbretin
 para takimit të poetit me poetin!

- kushtuar Mejos për 50 vjetorin e lindjes -
                                   
Të kujtohet, kur poshtë luleve të ftoit
Ta vura syrin në shënjestër të zemrës,
Kur pranë t’u ula si zog i Tranajoit
Dhe vërshuam të dy ujëvarës së këngës.

Sa e bukur ishe ti 23 vjeçe!
Atë lulëzim ke dhe sot, Mejo e dashur;
Më freskon dridhshëm, se të kam keçe,
Moj grua, që s’na mjafton kaq jet’ për t’u çmallur!

Nektari i puthjeve nga buza në buzë
Si lëngu i shegës së çarë në tetor.
O gëzim, o fat, o dinjitet, o shpuzë,
Mbretëritë në dorë!

Hipoteka e dashurisë - tre djemtë tanë
Me nuset e tyre - symanushaqe,
Dielli i familjes sonë ata janë,
Veç unë zgjatem, ty të të puth në faqe.


Marr frymë Tërbaçi
të ngrohtë, të ëmbël,
një mëllë kulaçi,
një rreze për ëndërr.

Lavdia merr qiell
mirësisë tënde.
o Tërbaç, me diell
i mbush këto vende.

Ne - trojet spërkatur
me dritë dashurie,
o Tërbaç i dashur,
o vëlla me yje!

Foleja e Shpresës,
buza e besimit,
o gurra e besës,
o drita e Trimit.
Dy vjershëza për Vlorën, një për kombin, një për shtetin Kurora e Nderit

Vlora ime, ball’ i dukur,
varfanjoze shumë e bukur,
ujqit vijnë për të ndukur.
Nduket ylli i këputur?!

Zonjë e rëndë, e lartë, fisnike!
Qiellit i vjel ylberin,
në blerim i mbolle puthjet,
diellplotë e mbushe nderin.

Jam vlonjat, e dua Vlorën,
si gushën e munguar -
ushtari i përlotur, i shkretë
luftrave me forcë dërguar.

E dua Vlorën në një këlthitje vale,
në një degë ulliri.
Jam poet i dehur mallit,
nip i bukur i Ali Asllanit.

Sa e bukur Vlora e ligë,
sa e ligë Vlorë e bukur,
heroikisht e nëmur!...
Pse?
             Pse?
                                    Pse?
E pafat për njëshat.
Shumë skërmitën dhëmbët si çakej,
pak krahët si zogj i tundën,
asnjë Gjergjit nuk i ngjau
(asnjë nuk gjergjëroi)
Gjergjëro ti, Vlora ilirike!
 

Kombi im, të kam komb në fyt,
As të pështyj dot, as dot s’të gëlltit”
                         Ilirian Zhupa
Ti, zotni fryhesh si bollë,
Unë - si zogu mbi cipal;
Shihma kërcirin e hollë,
Si unë kombi është në hall! ...


Shteti im - çapaçul,
Unë të dua,
                  ti MA NGUL!




Toga e lypsarëve dhe unë

Në rrugën e madhe të qytetit tim
Rehatuar toga e lypsarëve,
Nëpër vendet e tyre për lypësim
Na lutej ne, tufës së të marrëve.

Ecnim kapardisur e të shushatur,
Vështronim indiferent pikën e lotit.
Si ganxhë veremi - dora e zgjatur:
“Më jep pesë lekë, të dhëntë zoti!”

Një pesëdhjetëlekëshe i hedh një jevgu,
Një gungaçi të ngratë, “fakir” i zi;
Më ngelën në xhep për kafe e konjak
Dhe lekët e urbanit për në shtëpi.

Vazhdon ky rit i përditshëm dy vjet
Sa asistencës iu fik pensioni,
Bamirësia theu qypin me lekë
E s’po i punonte më telefoni…

Një mëngjes nisem për tek ajo toga…
Jevgu, me këmbët prerë gjer në rrëzë,
Mërmërit me mirësjellje të murme:
“Na fal, or zotni, vendet janë zënë!”…


Shqipëria sot…

Këmbët e Shqipërisë valviten në erë:
Si këmbë prostitutash nëpër natë
(Si flamuj prostitucioni),
zgërlaqur, si pula të flamosura...
Më dhemb gjaku thellë vetëdijes
O motra të shkreta, vëllezër të mjerë!
Ç’po rrjedh nga ne, pse shenja e shqipes
Pezull e varur, si trasta në degë?
E josh dhe shtyn Perandoria e Lindjes,
E shtyn dhe e josh e Perëndimit Perandori,
Globi i lotit më çahet prej dhimbjes,
 Çan bërthamën dritës për pak dritë në sy…

Valëvitet Shqipëria e moçme me brengë
Si një këmishë e bardhë
Në natën e zezë...

No comments: