Sunday, 3 April 2016

Armiqt tane- Italianet!...

Tahsin Xh. Demiraj







            Ora 20.!Revisa televizive e mbrëmjes!...
            Një ngjarje e jashtzakonshme ne Ambasaden Italiane, tronditi gjithë vëndin tonë.
            Tërmet dipllomatik në mes të Kryeqytetit, tamam në rrugën e Elbasanit.
            Pasi tha këto spikeri i TVSh., në ekran, doli Ramiz A lia, duke përshëndetur siç përshëndeste Ai. Në sfond valonin flamujt e kuq dhe më tutje e në pambarim, masat punonjëse në paradë festive, brohorisnin: ”Parti e Punës, Parti e Punës...”,"ç' thote Partia ben populli, ç' don populli ben Partia",Shpërtheu kënga dhe vallja dhe Ansambli i Këngës dhe i valleve dha ”Vallen  shqipeve”, athere më tepër e sukseseshme dhe e njojtur nga të gjithë, me Besim Zekthin dhe Liljana Çingën. Vallja kaloi në sfumim dhe në plan të parë, në zyrën e tijë doli Ramiz Alia, i cili u përtyp një here apo kaloi pështymën, beri sikur piu pak uje dhe mori pozë pak si i dëshpëruar e me zërin karakteristik pak si të çjerrë e pak si zë femre apo si eunuk filloi:
                        ...Nuk desha ta prish atmosferën revolucionare që ka shpërthyer në të katër anët e vëndit, nga masat tona punonjëse, sipas mësimeve të pavdekshme të shokut Enver, duke e ngritur lartë e më lartë flamurin e fitoreve tona për ta mbyllur me plot suksese  vitin  1986, por... një incident i pa pritur  nga Ambasada Italiane shkaktoi indinjatën e tërë  Partisë së Punës së Shqipërisë, Komitetit të saj Qendror, Byrosë Politike, te shoqes Nexhmie  dhe timen personalisht dhe...
            Italia na e bëri një proçkë këtu, mu në mes të Tiranës, këtu nën hundët tona....
           Thirrje nga populli:
           Ata janë armiq të Pushtetit Popullor!
                        Italisë nuk i duhet të ndërhyjë në punët tona!.  .  . 
                        Neve jemi vëndi i vetëm socialist në Evropë dhe i përmbahemi me besnikëri parimeve të Marksizëm leninizmit. 
Ambasada Italiane duhet ti nxjerrë menjëherë vëllezërit Popa, përndryshe do të jetë tepër vonë dhe përgjegjësia do të bjerë mbi ta. Keq per Italine. Neve bejme detyren tone... 
                        Vetëm këto thoshte e përsëriste Radiotelevizioni Shqiptar dhe tërë të përditshmet, në atë atmosfere tronditëse, në prag të Vitit të Ri 1986, ato ditë kur vëllezërit Popaj (Ermioni, Efigjeni, Zhaneta, Liljana, Nikolla dhe Akili)u futën në ambasadën Italiane dhe kërkuan azil politik.
          Sa hyri ne repart Leta Burgjia, iu turren grate gjithe kuriozitet...
A nuk ju thashe unë? E shifni që asht e vërtetë?...Unë shkova edha nga ambasada po nuk u afrova se ishin roje gjith andejë...
          Uuaaa moj Leta, me vërte paskan hy në ambasadë?...Po tashti...
                        Hiç moj ma...Iu lumt, tashti do ti çojnë në Itali...
                        Ata janë armiq të popullit shkruante gazeta”Zëri i Popullit”dhe jepte deklarata të pushtetarëve të lartë dhe urdhëra kërcënuese…
                        Në të vërtetë, ishte ngjarje e jashtëzakonshme, në vendin që nuk pipëtinte  asgjë, asgjë, asgjë, në vendin që mbretëronte qetësia e abiseve nënujore.
                        Të dalin menjëherë nga ambasada Italiane, vëllezërit Popa dhe ti jepen organeve të dejtësisë Popullore për tradhëti të lartë ndaj atdheut.
            Ky është zëri i Popullit- tha Ramiz Alia- Dhe ta dije Ambasada Italiane dhe gjithe dipllomatet e botes qe jane akredituar ne Tirane se neve me Popullin nuk bëjme shaka. Te drejtat e njeriut neve i kemi te shenjta.  
I nxirrni menjëherë!- Jepeshin urdhëra nga Ministria e brendshme. 
                        Të dalin nga ambasada, kupton? Ndryshe do të kenë pasoja të rënda lidhjet Itali-Shqipëri, kupton?...Se neve, kupton?... jemi një vend socialist që nuk pranojmë ndërhyrje në punët tona, kupton?-Jepte intervista kreu i diplomacisë shqiptare Reiz Malile. 
Po ashtu urdhëronte edhe Ministri i brendshëm. Të njëjtat gjëra thonin të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, funksionarë e nëpunës, portierë dikasteresh- flisnin nga keto profka qe të dukeshin dhe ata se thonin një gjë. 
Nga qeveria italiane nuk jepej asnjë përgjigje.  Keq iu vinte edhe Italianëve që na e bënë proçkën në territorin e tyre, se ishin Socialistët e Kraksit në pushtet, por nuk kishin se si të na ndihmonin, iu përmbaheshin konventave ndërkombëtare, i njihnin dhe jo si ne që injoronim botën e tërë.  Ne qemë ngujuar në hermetizmin tonë, e nuk donim t’ia dinim për askënd. 
                        Punonjësit e ambasadës dilnin me makina për të marrë çfarë iu duhej dhe ktheheshin, prapa ndiqeshin nga tre katër makina të tjera të sigurimit se mos po takoheshin me ndonjë agjent në shërbim të tyre, se mos po jepnin ndonjë mesazh ndokujt…
Që atë ditë të ngjarjes “shokore”, ambasadën Italiane e rrethuan edhe me policë të tjerë, edhe me ushtarë edhe me qen të sigurimit, sikur kish rënë kolera në trotuarin e ambasadës, nuk lejohej të afrohej njeri.  Marëdhëniet Itali Shqipëri ishin në presë të briskut.  Tensioni të kujtonte incidentin Amerikano- Sovjetik, kur Krushovi nisi anije me raketa bërthamore në Kubë…Rreth dyqind metra nga të dyja drejtimet, kalimtarët hidheshin në trotuarin tjetër dhe kur kalonin përballë ambasadës, nuk guxonin të kthenin kokën- sikur iu kishte ngrirë qafa, ecnin drejtë, sikur nuk iu interesonte të dinin se çfarë kishte ndodhur ato ditë, përtej atij rrethimi me kangjella të larta; kalonin dhe bisedonin për gjëra të parëndësishme, të pakuptimta, të kota se e dinin që përgjoheshin…
                        Do të fitojë 17 Nëntori apo Traktori i Lushnjes?
                        Unë them 17 Nëntori. 
                        Jo, unë them do të fitojë Traktori!.  .  . 
                        Sa kohë e bukur sot…
Unë them do të fitojë Traktori, ata nuk duan t’ia dinë për baltën, janë mjeshtra të përsosur …
Po, po, traktor me zinxhira moo, s’e lu as topi…
Dhe sa të siguroheshin se kishin dalë jashtë nga rrezja e përgjimit, vazhdonin me pësh pëshe e pasi largoheshin edhe pak fillonin të flisnin si më të çliruar- me zë më të plotë:
Ia luajtën fenë, pasha Zotin, mo trima nuk ka si i bohet, shumë të guximshëm. 
U treguan ma shumë të zgjuar se të guximshëm…
Nga që nuk kishin se çfarë të humbitnin më, të humbur se të humbur ishin…
Ja vdekje, ja liri!
Një herë lind e një herë vdes njeriu- ia priste ndonjëri si më i guximshëm, i cili, i vuajtur edhe ai, nuk kishte guxuar ndonjë herë të merrte ndonjë rrugë të tillë, edhe në mund ti kishte shkuar ndër mënd, e kishte lënë me aq- ëndërr- megjithëse shtëpinë e kishte aty tek Rruga e Elbasanit, aq pranë ambasadave, apo ndonjë tjetër që banonte në rrugën”Budi”, e kishte menduar një jetë të tërë sa afër ishte me shtetet e tjerë, por për tu arratisur në atë mënyrë, as nuk i kishte shkuar ndër mënd…
Po sikur ti dorëzojnë si i bohet?
Kush ti dorëzojë mre? Ata tashti janë jashtë shtetit- ne Itali, nuk ka zot që ti preki. 
Aaaa…ta dijsha dhe unë?...Pasha at zot kisha hy me nja njëzet veta, andej mbrapa ambasadës, unë kam kalu kush e di se sa herë se aneje e kom shpin, bile shumë herë nuk kishte policë…
Po, po…tashti mbas pilafit u kujtove ti ëëë…tashti që po i ngrenë kangjellat edhe nja dy metra ma nalt, tashti që rreth ambasadës kanë ardhë nja dy batalione me kallashnikovë e me qen kufiri?.  .  . 
Vëllezërit Popa, ishin të betuar, tejet të vendosur kur e bënë “proçkën”në mes të ditës, në mes të Tiranës.  Ata kur e morën drejtimin për në ambasadën Italiane, qenë betuar se të gjallë nuk do të ktheheshin.  Gjakftohtë iu paraqitën policit të armatosur, si gazetarë dhe turistë dhe pa pritur përgjigje nga polici që nuk ia shkrepte fare Italishtes, hynë drejtë e në ambasadë dhe të parin që takuan i thanë që kërkonin azil politik dhe ambasada menjëherë i mori nën mbrojtje…
Kjo i habiti pushtetarët se nuk kish ndodhur ndonjëherë në këtë vend që të huajt të trazoheshin e jo më të ndërhynin në arbitraritetin që zotëronte në këtë vend…
Në këtë ngjarje dipllomatet Italiane as u trazuan e as ndërhynë.  Ishin vëllezërit Popa që kërkuan strehim në ambasadë, nuk i rrëmbeu njeri dhe i hodhi brenda rrethimit të ambasadës por pushtetarëve të vendit tonë, kështu iu a donte oreksi ta interpretonin se iu erdhi e pa pritur “proçka”.  Ata ishin të bindur në marrëzinë e tyre se me tmerrin që kishin kultivuar, nuk do të kishte bir nëne, jo më të guxonte të hynte por as të komunikonte bile e as të mos kthente kokën nga ambasadat.  Edhe policët i kishin lënë si manikina dhe i kishin porositur që të mos tregoheshin të egër por të sjellshëm, të qeshur dhe pak si xhentila e të qytetëruar me të huajt, turista, gazetarë e afarista që hynin e dilnin nëpër ambasada…
Ata, ata të huajt nuk lejoheshin të komunikonin me vendasit që ishin mësuar të mendonin, të flisnin e të vepronin vetëm siç donte partia e vetme e Punës, se vendasit e këtij vëndi ishin pronë vetëm e Partisë dhe jeta e tyre ishte vetëm në dorën e Partisë e vetëm Partisë i takonte dhe askujt tjetër, se ky komunitet dhe kjo kioskë- Shqipëri- vërtetë që gjeografikisht bënte pjesë në Eruopë por kishte rreth 50 vjet që kishte ligje e një kushtetutë që nuk ngjante fare me ato të Evropës…Pastaj…ne kishim 500 vjet që shkonin ndryshe nga Evropa.  Na kish harruar Evropa se neve bënim pjesë në Perandorinë Osmane?...Kështu që i kishim ndarë lakrat me kohë me Evropën. 
Do të dalin dhe do të përgjigjen- thoshte një palë si më e zellshme-
Të dalin pra do t’ju a lërojmë (nënën) shtëpinë që e zumë me qiraxhinj, kur i nisëm në interrnin 15 vjet më parë- i përgjigjej Komiteti Ekzekutiv i Durrësit, presionit nga lart që kërkonte t’ia linte”dobiçin”Durrësit. 
Ç’është ky skandal ndërkombëtar, këtu në mes të Tiranës?..Ç’janë këta armiq të pandreqshëm që na e bënë këtë proçkë, kur e gjithë bota e di se këtu të gjitha punët na shkojnë vaj, ulërinte me zë gruaje Ramizi që tanimë, kishte mbetur i pari i vendit…
Të dalin se Partia di të falë atë që e kupton gabimin- mjaullinte me zë burri ajo që mbeti “e veja e përkëdhelur”e Partisë apo pantera e zezë- siç e kishin epitetuar…
-Të dalin, të dalin pa do të na shohin- thoshin me njëri tjetrin sigurimsat që i vinin vërdallë ambasadës, 24 orë në 24, non stop…
Mjerë, mjerë ata që ishin me shërbim atë ditë që u bë proçka- thoshin të tjerë që për fatin e tyre të mirë, gjurmonin tjetër- kund. 
Po ata nuk kishin ç’të bënin se armiqtë folën italisht e ata nuk dinin të përgjigjeshin, kujtuan se ishin italianë, turistë apo gazetarë…
Po, po, ashtu thua ti!...Pushim në vend dhe menjëherë në internim në mos edhe mund ti kenë burgosur.  Pse shaka të duket ty? E di ti more se porta e ambasadës është piramidë kufitare apo nuk e di? E di ti more se në roje të ambasadës, me urdhëresë të brendshme- top sekret- është dhënë urdhër që të jenë komunistë me prejardhje pa as më të voglën njollë në rrethin familjar, fisnor dhe të krushqive, bile ushtarakë vetëm nga zonat e njohura që kanë qenë mbështetje e partisë dhe pa asnjë ballist e kulak e të burgosur?... Ja kaq delikate janë dyert e ambasadave, këto pika të nxehta dhe çerdhe grerëzash, këtu në mes të Tiranës, asnjë kilometër larg nga Blloku?... E di ti që tamam për këtë, mund të fluturojë edhe nd.  ministri i brendshëm ne mos edhe ministri?...                
Të dalin, të dalin një herë pa do të shikohen mirë gjërat, të gjitha dhe me hollësi. 
Ti nxjerrim me forcë!
Jo se bëhet skandal. 
Të hyjnë sigurimsa të armatosur, të vishen si mjekë. 
Kanë nevojë për mjek.  Njeri prej tyre, vëllai i madh, thonë se është i sëmurë. 
Ata do të dorëzohen pa tjetër, nuk kanë se ku të shkojnë!...
T’u pritet ujët, energjia elektrike, furnizimi me ushqime…
Të ndodhë një akt i tillë në mes të ditës në kryeqytet, tamam këtu në Tiranën e Partisë, këtu duket sheshit se ka punë armiqësore…
Po, po, punë armiqësore. 
Ç’janë këta që na prishin qetësinë që e kemi vënë me (dhunë) gjak e sakrifica, çirreshin punonjës partie e pushteti, funksionarë, deputetë të përjetshëm e diplomatë që vinin vetëm nga 10 ditë në vit në këtë vend dhe prapë ktheheshin nëpër (qoshet) ambasadat (pronat që iu kishin zbritur nga qielli) e shpenzonin merkatove të shtrenjta të Evropës dhe botës shuka të tëra kartëmonedhash që dilnin nga fukarallëku tronditës që mbretëronte në këtë kioskë të Evropës. 
Të dalin, pa tjetër të dalin- një herë!...Dhe ne do të korrigjojmë ca gjëra që janë vjetruar dhe iu ka kaluar koha- mjaulliste Ramiz Alia…Tamam këto ditë është shtruar në Sekretariat nga Ai i Madhi dhe po përgatitet një material shumë i rëndësishëm për përdorim të brendshëm dhe tepër sekret, pikërisht për këto gjëra…Poo…ata duhet të na i dorëzojë ambasada Italiane, ndrysheee…
Ambasada italiane qëndronte në heshtje të plotë dhe nuk hynte fare në këto negociata që i drejtonin tanët:”Na i dorëzoni ata t’ju japim dy anije me krom”apo “Na i dorëzoni që të mos i ndërpresim marrëdhëniet diplomatike me juve se do të pendoheni”apo”Po na i dorëzuat, kur të piqet bostani në fushat e Luzit të Vogël, do t’ju nisim tri maune, në shenjë miqësie dhe mirënjohje me popullin e lavdishëm italian që bijtë e tij luftuan krah për krah me neve kundër nazifashizmit”e të tjera nga këto mesazhe diplomatike, kupton ti?... replikonte Reiz Malile.... 
Nëpunës të diplomacisë shqiptare fluturonin nga Rinasi në Fiumiçino, me avionin e vetëm qeveritar që kishim dhe ktheheshin me duar bosh…E merrte në dorë çështjen vetë Ramiz Alia dhe niste profesorë të sprovuar në Ambasadën italiane në Tiranë dhe në Farnesina në Romë e prapë asgjë nuk binte në thes. 
Dikush nga parësia, me arrogancë kërkoi që të organizoheshin mitingje, ti bënin apel dhe presion ambasadës italiane.  Të vinin manifestues nga qytete dhe fshatrat e tjerë dhe nëpër të gjitha ambasadat të tregonin se çfarë po bëjnë italianët me neve, që diplomatët e huaj të ndërhynin në ambasadën italiane e edhe në qeverinë italiane- mundësisht- që të na i dorëzonin renegatët Popaj... 
Gjithë këto ec e jake e manovra, binin në vesh të shurdhër, ashtu siç kishin rënë në vesh të shurdhër, në portat e politikës shqiptare çdo apel paqësor për zbutje luftë klasash e për të drejta njerëzore, të mohuara aq brutalisht dhe pa skrupull, në këtë vend. 
Te mblidhemi gjithë anëtarët e Komitetit Qendror me Byronë Politike në krye dhe të vemi të ulemi për rreth ambasadës dhe të shpallim grevë urie, deri sa të na i dorëzojnë- tha Pilo Peristeri-kandidati i përjetshëm i Byrosë Politike. 
Ç’farë thua ti mo Pilo, ia priti Vangjel Çërrava, e di ti që unë jam me dietë? Jo or babam jo, kjo është punë që nuk bëhet, nuk është e mundur!
Edhe unë jam me Vangjon- tha Besnik Bekteshi. 
Edhe unë- tha Pali Miska- Unë kam diçka në duoden…Po nuk hëngra 7 biftekë viçi në ditë, më ngacmon ulçera!.  .  . 
Jo, jo, nuk bëhet kjo punë tha si më prudent Muho Asllani (Artunga)…
Jo, jo, nuk bëhen këto gjëra- tha si më i dituri i kuvendit, Ramiz Alia.  Ikni tani se u bë vonë.  Këtë punë do ta shikojë Partia…

Veteranet!...
More po ç’është kjo heshtje, jemi apo s’jemi diktaturë e proletariatit.  Ç’ju thotë mëndja?...Në mes të Tiranës do të lejojmë të bëjnë sit ë duan italianët?.  .  .  Ti rrëmbejmë me forcë dhe në hale le të venë edhe lidhjet me Italinë dhe italianët…
Vërtetë që paska rregulla ndërkombëtare po këtu luhet me nderin e vendit të vetëm socialist në Evropë që i jep shembull një bote të tërë…
Iu dërgua një mesazh Popajve me fjalë ”prekse” e me premtime bajate.  ku ndër të tjera iu thuhej; Korrigjojeni atë që bëtë se ndryshe do të merrni mallkimin tone si bashkatdhetarë.  E bëtë gabimin që hytë në një ambasadë të një vëndi armik por edhe mund t’ju falim.  Ju presim të dilni, ju presim me krahë hapur.  Mos u dorëzoni në një vend armik që historikisht nuk na ka dashur; këtu e keni të mirën ( të keqen).  Mos e lini atdheun. 
-Ne nuk kemi hyrë për të dalë. Të gjallë, nuk kthehemi.  Për këtë jemi betuar.  ”Ubi bene, ibi Patria”Motrat dhe vëllezërit Popa. 
Një punonjës i ambasadës ia dorëzoi këtë përgjigje oficerit të sigurimit që rrinte tek porta me hekura e ai me vrap në shtabin operativ që ishte ngritur për këtë çështje ia dorëzoi komandantit të shtabit dhe ai pasi e hapi zarfin, në prani të oficerit që ia çoi, e lexoi me një frymë, rrudhi vetullat dhe e rrotulloi letrën nëpër duar…-A e di ti se ç’fare do të thotë kjo fraza e fundit…”Ubi bene, ibi Patria”?…
Jooo, nuk e kuptoj.  Për ideal, nuk e kuptoj. 
Nuk është nevoja të betohesh, edhe unë nuk e kuptoj, neve në shkollë kemi mësuar ndopak fjalë vetëm anglisht…
Telefonoi Ministri i brendshëm: A e morët përgjigjen?
-E morëm shoku ministër! Pooor kanë shkruar një frazë në një gjuhë të pakuptueshme. 
Me urgjencë bjereni këtu, në Drejtorinë e shtatë të gjuhëve të huaja. 
Në drejtorinë e shtatë të gjuhëve të huaja u mblodhën menjëherë linguistët dhe e kaluan dorë më dorë përgjigjen e vëllezërve Popa dhe ia lanë në dorë doktorit të shkencave gjuhësore që merrej me gjuhët indoevropiane që i përkisnin degës së latine e ai  thirri specialistët e italishtes, frëngjishtes, spanjishtes; të tre ata i thanë se nuk i takonte asnjërës nga këto gjuhë.  Ai i italishtes tha: Kjo frazë duhet të jetë një lokucion latin eee…neve nuk kemi bërë latinisht…Të lidhemi urgjentisht me Shkodrën; atje është përkthyesi i shquar i latinishtes Dom Gjon Shllaku…
Telefonuan Degën e Brendshme të Shkodrës dhe i thanë se duhej të merrej takim urgjent me Gjon Shllakun…U nisën dy agjentë në shtëpinë e Gjon Shllakut dhe gati sa s’ia shkallmuan derën…
Ç’farë ka ngja mor burra të dheut?.  .  . 
Professor, nuk ka asgja për tu shqetësuar…Vijmë me porosi të Ministrit të Brendshëm…shokut…
Profesori që e dinte mirë se çfarë kishte hequr nga seksionet e në degët e birucat e Ministrisë së brendshme,  u pre dhe me gjysmë zëri shqiptoi:
…Me porosi të Ministrit të brendshëm?... po, pse, prapë…në emër të popullit…
Jo profesor, po ja kërkon nga ju ti përgjigjeni…
Ti përgjigjem?...E…për çka duhet, hala, me ju përgjigj?.  .  . 
Me u përgjigj se çka don me thanë”Ubi bene, ibi Patria”!
Po pse për këtë paskeni ardhë me kaq vertik, mor burra?.  .  . 
Pikërisht dhe e don me urgjencë!
“Ubi bene, ibi Patria”-don me thanë”Aty ku je mirë, aty ke atdheun”. 
Pa e falënderuar dhe pa e përshëndetur, ia mbathën.  Profesor Shllaku mbeti i shtangur tek porta dhe i shihte tek iknin me vrap të ardhurit e degës së brëndshme.  Ata iknin me ngut dhe e përsërisnin rrugës Ubi, ibi, ibi, ubi…duke ngatërruar rradhën e fjalëve për të mos i harruar.  Ibi bene ibi Partia, ubu bene ibi patria ubi, ibi bene partia.  Atje ku je mirë atje ke atdheun.  Ia thanë kryetarit të degës dhe ai ia transmetoi minisrit që rrinte në pritje me kokën mbështetur mbi receptor dhe bërrylin mbështetur mbi tavolinë…
Çar thu, çar thu? Ma thuj ene i herë?...-Ministri fliste në dialektin Peqinas dhe pasi e dëgjoi edhe një here, përplasi raceptorin mbi aparat dhe shpërtheu: Armiq!...Armiq të pakorrigjueshëm…Pasha nj’at zot, Per ideal te Partise... do të më shofin mirë se kush jam unë, veç të dalin i here se kam me i pjek m’ hell mun ke sheshi “Skënderbej”…
Na turpëruan, shkëmbenin veteranët me njëri- tjetrin; kush e di se çfarë thonë ata të perëndimit, për ne…
Ah sikur ti zinim të gjallë e ti digjnim…-i hapet goja Papës së Vatikanit, kreut të reaksionit botëror, armiku i betuar i socializmit…
More le të lehin sa të duan, neve nuk kanë se ç’na bëjnë…-Ne nuk lam këmbë jermani po ua ngulëm dhëmbët në gurmaze e u dorëzuan me turp, atëherë kur nuk keshem as dyfekë e jo sot që gati i kemi armët e Poliçanit,  aeroplanët reaktivë e raketat bërthamore…Një urdhër presin djemtë t’ia bëjnë fora, një urdhër presin në Dajt, dhe për pesë minuta e sheshojmë Romën, Vatikanin, Parisin do ti apo edhe më tutje…
Ah që u prishëm me Kinën…të ishim 800 milionë pa le të bënin të tilla shakara me ne…
E ç’na duhet Kina e kinezët a i vrarë?... Thuaj mjerë ne e mjerë ky vend që na iku ai burrë që e bëri zap Evropën për 40 vjet, se po të ish aiii…unë e di se çfarë do t’ju punonte italanëve ashtu siç ua bëri Karilios, Marshesë e Berlinguerit që donin të na binin Eurokomunizmin, ashtu siç ia plasi Krushovit në Moskë në mbledhjen e 81 partive komuniste… Ai, ai do ti bënte të kërcenin me një këmbë breshkaxhinjtë-italanë, ai ishte trim që një herë e bëri Gjylsua…
Ashtu, ashtu është po edhe shoku Ramis ama…
Po more pooo…po ky është më shumë njeri i fjalës, si ideollok i Partisë, më kupton apo jo?...po këto punë duan më shumë trimëri e më pak fjalë…
Haheshin me njeri tjetrin një grup veteranësh, të ulur në bordurat e lulishtes, në qendër, tek kafe”Gjirokastra”, i tregonte njeri tjetrit se kush dinte të shiste më shumë për Papën, për imperializmin, për Eurokomunizmin, për Luftën e Dytë që kishin qenë edhe ata nëpër male, për diplomacinë, për raketat, që kishin dëgjuar për to por nuk kishin haber se ç’ishin dhe e dinin se vetëm neve kishim të tilla…
Mirë o mirë, po kjo ç’ishte?.  .  . 
Kush?-Ia priti një naiv-
More po ti jeton apo nuk jeton me aktualitetin?....A e njeh ti politikën e partisë apo jo?
Shiko mbaje pak gojën dhe mos më efendo se nuk jam i tillë…
Po ç’të them tjetër a derebardhe, e mori vesh bota se dica armiq, kanë hyrë në ambasadën italiane e ti më thua: ”kush”?... 
Eeehe…atë e kuptova, e thamë atë. 
Po, po…e bënë proçkën, na e prishën qetësinë. 
E a thënë shoku Enver ”Ujët fle, hasmi s’fle”…
Duhet ta mprehim vigjilencën revolucionare more shokë e jo të flemë mbi da fina.  Javën e shkuar unë i thirra në mbledhjen e frontit dhe i tunda nja dy që djemtë e tyre merren me antena nëpër ballkone. 
Po shokë, ta mbajmë të ndezur luftën e klasave. 
Të mos i lëmë që armiqtë të ngrenë kokën. 
Ata janë gati të lënë atdheun dhe të hyjnë në shërbim të perëndimit, e të kthehen si diversantë e të na rrëmbejnë lirinë që e fituam me gjak…
Veteranët bisedonin, thoshin nga këto dhe iknin tutje nga Tirana e tyre e Re…
Popajt, pasi kishin bërë nja 20 vjet internim, për fajin se babai i tyre paska qenë njeri nga qindra mijëra shqiptarët që e pritën me duartrokitje fashizmin, ishin harruar andej, në Kullë të Sukthit, andej ku të piqte dielli e të hante balta e të çanin mushkonjat, rropateshin zyrë më zyrë, labirinteve të burokracisë pushtetore, rrugëve të Durrësit, tashmë pas gjithë këtyre viteve të vuajtjeve, të hynin më në fund në shtëpinë e tyre që jua kishin marrë kur i nisën syrgjyn…
Ku nuk shkuan të mjerët!...Në Komitetin e Qytetit, në Gjykatë, në Degën e Punëve të Brendshme, në Komitetin e Partisë, dhe nuk arritën dot të hynin në shtëpinë e tyre.  I hidhnin nga njëra zyrë në tjetrën si të ishin topa ping-pongu.  Të rraskapitur, kur vinte nata, shpërndaheshin sa tek njëri e tek tjetri për të fjetur që të nesërmen të vazhdonin përsëri odisenë në kërkim të shtëpisë së tyre. 
Ata që kishin hyrë në shtëpinë e Popajve me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Qytetit, flinin të qetë; asnjeri nuk merrte vendim që të nxirrte qiraxhinjtë dhe të strehonte të zotët e shtëpisë…Ata kishin vuajtur jo pak në një dhomë në një barakë në kullë, në tokat ish moçale dhe tani që u liruan nga internimi, nuk i fusnin në shtëpinë e tyre…
Këto muhabete zienin tërë ato ditë edhe në Plastikën e Durrësit.
Nuk kishin çfarë të prisnin më- tha Leta Burgija- ku nuk kishin shku.Unë e kisha taku Zhanin, mjaft ma u lodhën të shkretët, e marun interrnimin, t’ju kthejshin shtëpinë...
Ti mos fol ashtu- tha Donika -se ato punë i di Partia..
Bir mi gra!...Po ata sa të dalin do ti fusin nëpër burgje tha Vilma...
Ashtu si e kanë kokën, ashtu le ta pësojnë- tha nje shoqe.
Po, po ashtu do ta pësojnë...Ata tashti janë në tokën Italiane-tha Engjëll Musabelliu.
Shumë keq, shumë keq vepruan-tha njëra-
Po po -tha Engjëlli- ata i lujtën fenë...
Ta dijsha, kisha shku edhe unë me ta- tha Nandi Jakupi.
Po psho re dreq se do t’rrasin mren...
Ishte vetë administrata e kalbur, inkopetente që i përgatiti vëllezërit Popaj që në mes të ditës të sfidonin shtetin e kalbur, duke zgjedhur arratisjen dhe hynë në ambasadën italiane, në prag të Vitit të Ri 1986. 
Ndërsa ata dilnin të veshur si për festë, e bëhen nga një” xhiro jashtë shtetit”në oborrin e bukur të ambasadës italiane në Tiranë, Radiotelevizioni Shqiptar, iu lëshonte anatemën:
Ata janë armiq të Partisë dhe të Popullit.

Ambasada Italiane duhet të na i thejë brënda 24 orëve, ndryshe...Italia do të përgjigjet përpara historisë.

No comments: