Nga MSc. Albert HABAZAJ*
Kam emocion e
ndihem krenar që jam këtu, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, që të kumtoj
për Nerminin, dijetaren me shpirt të madh. Jam katalogues e drejtoj Bibliotekën
Qendrore të Universitetit të Vlorës, që ka emrin e Ismail Qemalit. Biblioteka
ka emrin Nermin Vlora Falaschi. Kështu që unë kam fatin e veçantë, se çdo ditë
shoh e takohem me Nerminin. Takimet dhe bisedat me të më kanë bërë më të mirë …
Çdo mëngjes, sa ulem e hap kompjuterin, më shfaqet shprehja, që kam shkruar në
desktop: “MIRËMËNGJESI, PUNË! MIRËMËNGJESI, LIBËR! MIRËMËNGJESI, BIBLIOTEKË!
MIRËMËNGJESI, NERMIN!” Ç’rastësi bukurisht simbolike! Sot është 23 Prilli, Dita
Botërore e Librit dhe, është nder, dinjitet e përgjegjësi e madhe për ne, që në
tempullin shqiptar të dijes, këtu, në Akademinë e Shkencave, po përurojmë Librin
Diellor në trajtë njeriu, që quhet Nermin Vlora Falaschi. Sot duhet të isha në
Vlorë, sepse bëjmë çdo 23 prill veprimtari në universitet dhe në qytetin tonë.
Më erdhi mirë që Kryetari i Akademinë e Shkencave, prof. Myzafer Korkuti
shprehu mirënjohje për punën humanistike të Nermin Vlorës, duke rekomanduar që të
futet edhe në tekstet shkollore, sepse, deri më sot nga sistemi arsimor
shqiptar, pothuaj nuk është njohur apo nuk është përfillur studimtaria e saj
titanike. Më në fund, Nerminit iu hap dera e Akademinë e Shkencave të
Shqipërisë. Qoftë ogur i mirë!…
Linguisti danez Holger
Pedersen (07. 04. 1867 - 25. 10. 1953) ka bërë këtë vlerësim: “Gjuha shqipe është një gjuhë e fuqishme dhe
e bukur që duhet të jetë krenaria e folësve të saj dhe një mjet i shenjtë për
zhvillimin kulturor dhe intelektual të kombit të vjetër shqiptar”.
Në këtë kuadër, qysh
kur zonja Luka ideoi e konceptoi realizimin e Konferencës shkencore “Nermin
Vlora Falaschi, dritë diturie dhe patriotizmi” në përkujtim të 95 vjetorit të
Ambasadores së Kombit Nermin Vlora Falaschit (Tiranë, 18. 04. 1921 - Romë, 28. 11.
2004; tok me Renzon prehen në Kaninë) dhe të kontributit të saj në fushën
e studimeve albanologjike, më erdhën ndërmend vargjet e poezisë “Borxhet e mia”
të xhevahirit të Letrave shqipe, Xhevahir Spahiu. Akademia e Shkencave,
shoqëria shqiptare po shlyen një nga borxhet e mëdha që i kemi shkrimtares
fisnike dhe humanistes dritërore[1], Nermin Vlora për emrin e lartë që na ka
dhënë në universin e dijes, qytetërimit
dhe përparimit. Puna kërkimore - shkencore në terren, në jo pak por në
12 vende të ndryshme të botës, falë mundësisë që i krijoi i shoqi, diplomati Renzo
Falaschi, na jep të drejtën dhe na ngarkon me detyrë ta trajtojmë me
objektivitet dhe ta vlerësojmë studimtarinë e saj të çmuar, që na ka lënë dhe në
fushën e antropologjisë kulturore. Duke studiuar botimet e saj, duke shfletuar
me vëmendje dorëshkrimet e lëna si bulëzime antropologjike nga udhëtimet për
tek kulturat e popujve të ndryshëm, vendesh të largët e të spikatur që nga SHBA
në Ugandën tropikale, që nga Anglia në
Çekosllovaki, që nga Kina në Kolumbi [Kolombi], që nga Portugalia në
Kosovë ... dhe më pas kthimi në të tashmen, vetvetiu na shfaqet shëmbëlltyra e
saj si një Edith Durham shqiptare nëpër
botë; duke thurur shkrimet e saj antropologjike, si një mozaik magjik
lulesh kulturore, gjatë udhëtimeve, qëndrimeve në ato hapësira ku shkeli, jetoi
e punoi, në krah të bashkëshortit të saj, ambasador i Italisë në disa shtete të
botës. E arsimuar për shkencat juridike, Nermini iu përkushtua tërësisht
lundrimit në detin e shkencave humane si një anije e bardhë me vela, deri në
fund të frymës. Dha kontribute të dukshme në dy fusha: në krijimtarinë letrare
dhe në kërkimin shkencor, nga ku, me këtë kumtesë të vogël për veprën e
humanistes së madhe, do të qëmtonim sadopak nga ndihmesa e saj me qasjet
antropologjike dhe etnologjike, që na ka lënë si visare kulturore.
I- Qasjet antropologjike të Nermin Vlora
Falaschit qëmtohen në veprat e saj me përmbajtje shkencore mbi qytetërimet e lashta euro-mesdhetare
dhe me interpretimin e dokumenteve epigrafike të pellazgëve, ilirëve dhe të
etruskëve. Ndër rreth 40 libra,
nga botimet me udhëshkrime të Nerminit, ku studiuesja paraqet vështrimet e saj
antropologjike përmendim librat: “Kina”, (1972), “Bashkësia dhe autonomia” (1973),
“Konsiderime mbi civilizimin Çibça” (1979), “Pellazgët, Ilirët, Etruskët,
Shqiptarët” (1984), “Etruskishtja-gjuhë e gjallë” (1989), “Lashtësia e gjuhës
shqipe” (1991), “Shqiptarët, popull i ndarë” (1996), “Prona gjuhësore dhe
gjenetike. Probabilitetet e monogjenezës embrionale të fjalëve” (1997), etj. E
pajisur me ndjeshmëri, mendim e intiutë, e ambientuar me jetën nomade të
diplomatit, Nermini shfaqet e realizuar si një eksploruese e shquar, studiuese
e traditave dhe e dokeve të të huajve dhe të shqiptarëve. Ravijëzohet si një pioniere
e antropologjisë kulturore, se dhe nga botimet e
shënimet e shumta ende të pabotuara, del që ajo nuk u angazhua vetëm në studimin e traditave të shoqërive
parake e të largëta, të gjuhëve që si fillim janë të huaja, por vëzhgoi, studioi
dhe shkroi edhe për gjurmimet në zabelet e Afrikës në ndjekje të primatëve.
Studimin e traditave, dokeve (zakoneve) të njerëzve, të popujve tribalë në
Afrikën Lindore apo në Amerikën e Jugut, Nermin Vlora e realizonte jo vetëm si
studim krahasimtar të kulturave dhe shoqërive, si antroplogji që trajton
krahasimin e popujve të zbuluar në kufijtë e ekspansionit europian, etj., por
në një kuptim më të gjerë, duke e parë si problem qendror kërkimin për përgjithësime
dhe teori mbi sjelljet sociale dhe kulturat e njerëzve. Nermini ishte e pajisur
me dituri të thella. Shkruante shumë mirë me gjuhën standarte në italisht dhe
shqip. Gjithashtu, komunikonte në gjuhët spanjolle, angleze, frënge, turke,
greke, italiane dhe shqipe, njësoj si intelektualët, gjuhëtarët e oratorët (gojëtarët)
më të mirë të vendeve përkatës. Edhe pse nuk kishte shkollim të mirëfilltë
antropologjik, (studimet e larta i kreu për drejtësi në Universitetin e Sienës (Toskana, Itali; 1952 - 1957), ajo kishte nuhatje e dhunti
antropologjike, studionte me dëshirë dhe zhytej thellë në jetën e njerëzve.
Ngulmonte të futej natyrale sa më në imtësi të jetës së përditshme të
komunitetit, lagjes a grupit. Gjuhën e vendit ku bujtëte e dinte mirë, mësonte
dialektet e tyre, gjuhën e grupit në jetën e përditëshme, sepse e kishte merak
parimin fonetik, sikur të ishte fonetikane. Përpiqej të mësonte dhe përshtatej shpejt
me mënyrën e tyre të jetësës. Përmes vëzhgimit me pjesëmarrje, jetonte me ta me
thjeshtësi e pa i fyer, duke vëzhguar modelet e jetesës. Puna në terren me
ekspedita vetiake të njëpasnjëshme e pajisi me një gjuhë dhe kulturë të re. Kërkimi
i gjatë dhe i thellë në literaturën e vjetër, në arkiva, në dokumenta të
shkruar, fotografi, filma e objekte muzealë, harmonizuar me vëzhgimin me pjesëmarrje,
me nëndarjet e duhura për studiuesen tone, prodhuan depërtim të mprehtë në
kulturë dhe në proceset e vazhdimësisë dhe ndryshimit. Dyzet vjet me radhë udhëtoi,
punoi e jetoi anekënd Europës, Azisë, Afrikës, Amerikës Latine e gjetkë, çka
vlen ta themi krenarisht vërtetësinë, se Nermin Vlora Falaschi, me stazh të
plotësuar të punës në terren “për të njohur tjetrin” është ndoshta nga të parat
antropologje europiane e shek, XX me origjinë shqiptare. Gjykojmë se tradita e
saj kërkimore përbën një model për t’u përfillur, studiuar e vlerësuar në
fillesat ende të brishta antropologjike në Shqipëri. Ajo, falë mundësisë dhe
dhuntisë vetiake, “i ka parë në sy” kulturat e popujve që ka “vizituar” dhe ku është
mikpritur në këndvështrimin antropologjik, duke iu referuar përvojës së mësuar,
së akumuluar, atyre modeleve për sjelljen të transmentuara socialisht dhe
karakteristike për një shoqëri të caktuar. Një vlerë e dukshme në studimtarinë
e saj antropologjike është se, edhe sipas saj, kultura përbëhet jo nga ngjarje
e gjëra që ne mund t’i vëzhgojmë, numërojmë dhe masim, por përbëhet edhe nga
ide dhe kuptime të përbashkëta. Humanizmi i saj kulturor e shkencor tejshikonte
mirësi njerëzore qytetare, çka njerëzit mësojnë për t’u përmirësuar. Edhe nga
shkrimet e saj dalin ide mbi standartet për të vendosur se çfarë është kultura,
për të vendosur çfarë mund të jetë ajo, për të vendosur se ç’duhet bërë me të
dhe për të vendosur si duhet të veprohet për të. Me shfaqjen herë pas hershme të
xixëllimeve të mendimit antropologjik, kulturën ajo e vështronte dhe më tutje,
si një sistem ideacional (konceptual).
Për studimtarinë e saj antropologjike,
Falaschi vuri lentet e të tjerëve, i pa me sytë e banorëve përkatës të shoqërive
e hapësirave, ku i ra fati t’i shkelte e të jetonte familjarisht; apo, në se
shprehemi me gjuhë metaforike, ajo u fut në lëkurën e tyre. Veçse, asnjëherë
nuk i hoqi syzet e saj, sepse gjykonte që bota nuk mund të zbulohet “me të
vërtetë” vetëm duke e parë me syzet e tjetrit, pa i pasur vënë gjithashtu syzet
tona. Në Kolumbi, të vetmin shtet të Amerikës së Jugut, që laget nga dy oqeane, Atlantiku e
Paqësori, jetoi 5 vjet dhe e njohu mirë përditshmërinë e zakonshme, mënyrën e
jetesës së banorëve të atjeshëm. Pasi vizitoi “Muzeun e Artë” në Bogotá, (më i famshmi në botë, ku ruhen 50.000 koleksione), u bind se
pajisjet e arta që pà, punuar me mjeshëtri të madhe, paraqesnin një kulturë të
zhvilluar e magjepse. Me dashuri të veçantë e, patjetër, me vështirësi të
ndryshme, ajo filloi gërmimet me kryeneçësi. Ishte e mendimit me profesorin
e gjenetikës humane në Universitetin Stanford, Kaliforni, Luigi Luca
Cavalli-Sforza, i cili nuk e pranon
datën e origjinës së gjuhëve indoeuropiane caktuar me anë të glotokronologjisë [Glotokronologji
/a gr. chronos - kohë; logos- dije dhe glota - gjuhë; gjuh. metodë krahasimtare
që merret me statistikën e fjalëve; leksikostatistikë]. Ajo gjykonte se popujt lëvizin
vazhdimisht, nga një anë në anën tjetër të botës, atje ku gjejnë mënyra jetese
të përshtatshme dhe e kishte për zemër
thënien se lëvizja e popullsive është njëfarësoj “motu perpetuo”, (lëvizje
përjetësore) njësoj si valët e detit, që nuk asnjë mundësi t’i jepet emri një
vale a një tjetre. Idea e prejardhjes së popullsive nga një vend a nga një tjetër i vlejti në gërmimet mbi qytetërimin parakolumbian Çibça
në Bogotá. Fillimisht shfletoi autorët e ndryshëm para
saj se çfarë kishin shkruar për këtë temë: Një autor përkrahte me vendosmëri
pikëpamjen se popullsirat çibça kishin ardhur nga ngushtica e Beringut. Një
tjetër autor, po aq i palëkundur, caktonte prejardhjen e tyre nga Polinezia
(ndoshta 3000-2000 vjet p.K). Dhe Nermini thotë se si njëri ashtu dhe tjetri
kishin të drejtë, meqë ato popullsi do të kenë ardhur si nga ngushtica e
Beringut (që lidh Oqeanin Paqësor në veri me Arktikun: Siberi-Alaskë), ashtu
dhe nga Polinezia (rajon i Paqësorit qendror, më lindori i 3 grupeve të mëdha
të ishujve të Paqësorit). Sidoqoftë, sipas saj, një pikë mbetet kryesore dhe e
pakundërshtueshme: “Alfabetin fonetike kanë zbuluar pellazgët dhe e kanë përhapur
në vendet e ndryshme të botës ku ata kanë arritur me anijet e tyre të shpejta
dhe të përsosura”.[2] Në Bogotá ajo studioi kulturën të parëve në atë rajon, sidomos atë para viteve
1500, kur në ato brigje e territore u dyndën kolonizatorët spanjollë. Dokumentet shkruajnë
se, para
ardhjes së spanjollëve, Kolumbia ishte pushtuar prej indianëve çibça. Vendbanimet e para të
përhershme të europianëve u ngritën në brigjet karaibike; prej tyre Santa Maura
u themelua më 1525 dhe Kartagena tetë vjet më vonë. Kolonizimin e brendësisë së
vendit e udhëhoqi eksploruesi spanjoll Gonzalo Jiménez de Quesada-s, i cili i
theu çibçat dhe themeloi qytetin e Bogotásë më 1538. Megjithatë, të parët e banorëve të asaj hapërsire, siç ishin fiset taironasit
e sidomos chibchas (apo muiscas), janë parë si indigjene, të cilët ajo i
studioi në thellësi kulturalisht. Për botimin e librave mbi qytetërimin e lashtë parakolumbian “çibça”
është nderuar nga qeveria e Kolumbisë me dekoratën më të lartë të nderit “Oficial
de la Orden de San Carlos” (1981), etj.
II- Në fushë e etnologjisë, veprimtarja e
diasporës shqiptare Nermin Vlora Falaschi shkëlqeu me guxim. Ajo, si një
atdhetare e kulluar, gjenetikisht e brumosur me dashurinë për vendin e të parëve,
si dhe me respektin për të vërtetën, ka një kontribut të dukshëm me begatitë
etnologjike, që na ka lënë pasuri ne, shqiptarëve. Duke patur mundësinë e
njohjes nga afër për një periudhë 25 vjeçare, sidomos gjatë viteve që kemi
jetuar dhe punar në Itali, pohojmë se nuk kemi takuar njeriun me emrin Nermin
Vlora Falaschi, por shpirtëzimin e Qiririt të Naimit, me emrin Nermin Vlora, që
“në shpirt ka dashurinë, pa digjet për njerëzinë”[3].
Ajo u shkri si qiriri për lirinë qytetare të shqiptarëve, për lashtësinë e gjuhës
shqipe, për traditat më të mira që na lanë të parët, për doket ndër shqiptarë.
Ajo trajtesën “Nga etnocentrizmi në pluralizëm kulturor” e shikonte me interes
përbashkues kulturash e qytetërimesh, si “qytetërime të ngjeshura pas njëri-tjetrit”[4]
edhe pse e dinte që punonte në një trase të vështirë. Qytetërimin e shikonte si një arritje me dyer
të hapura, ku jepet, merret, tjetërsohet ... Është identiteti ynë kombëtar
pronë e popullit shqiptar, që as jepet, as merret, as tjetërsohet, sepse me
identitet kombëtar ajo kuptonte identitetin kulturor dhe qytetar, me komponente
të tillë siç janë gjuha e banorëve, trashëgimia historike, kultura popullore,
mentaliteti shoqëror, mënyra e jetesës, e drejta e bashkuar, feja (jofeja). Si pjesë e së tërës
ballkaniko-mesdhetare, shqiptarët kanë identitetin e tyre fizik, moral,
kulturor, juridik e politik. Kishte lajtmotiv proverbin e gjeniut kozmik Leonardo
da Vinçi (15.04.1452-02.05.1519): “Il
corpo nostro è sottoposto al cielo e lo cielo è sottoposto allo spirito” (“Trupi ynë i nënshtrohet qiellit dhe qielli i
nënshtrohet shpirtit”). I sëmbonte
në zemër gjenocidi i shovenëve grekë mbi popullatën e pafajshme çame në trojet
e të parëve të saj. I dhembte tragjedia e dardanes së lashtë, Kosovës sonë të dashur,
saqë klithma e shpirtit dhe e mendimit të saj jehonte deri në Dardanele ... Me
veprën shkrimore dhe veprimin praktik, e nderonte etninë shqiptare, si gjenezën
e saj të nderit, si bashkësi që përmbledh të tërë ata shtetas që flasin shqipen
si gjuhë amtare, atë bashkësi, që siç e përcakton dhe etnologu akademik Mark
Tirta: “përmbledh tërë shqipfolësit, që kanë një territor të caktuar të vetin,
kulturë të vetën, të përbashkët që kanë një vetëdije të përkatësisë në këtë
etni. Shkalla më e lartë e etnisë
shqiptare është etnia komb, etnia e organizuar në një shtet kombëtar. Etnia shqiptare
përfshin brenda si bashkësi sociale: gjuhën, rracën, demografinë, territorin,
ekonominë, klasat sociale, kulturë-etnokulturë, rrjetin urban, metropolin,
institucionet politike”[5].
Kishte bindjen se funksionimi harmonishëm sinkretik i këtyre elementëve mbajnë
kohezionin etnik e përforcojnë vetëdijen kombëtare. Ajo ishte një atdhetare
idealiste, që i mëshonte me forcë e me shpirt patriotizmit platonik, ideal, të bukurisë
morale, edhe asaj fizike; simbol i përsosmërisë së rracës së bukur (kurrë pa
përbuzur të tjerët, njerëzit me ngjyrë). Nuk pajtohej me nacionalizmin që cilësohet
si patriotizëm agresiv dhe shkakton konflikte diplomatike me vendet fqinje dhe
ftoh miqësinë me popujt kufitarë me shqiptarët. Sipas botimit të nivelit
akademik “Fjalori Enciklopedik shqiptar”, Nermin Vlora “iu kushtua sidomos hulumtimit të lidhjeve kulturore e gjuhësore
ndërmjet etruskëve dhe paraardhësve të Shqiptarëve, duke synuar të dëshmojë
lashtësinë e etnosit shqiptar. Mbajti lidhje të vazhdueshme me Shqipërinë e me
Kosovën, duke dhënë ndihmesë në afirmimin e vlerave të kulturës shqiptare në
botë, dhe në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar rreth çështjes kombëtare
shqiptare”[6]. Nga
studimi i botimeve të saj etnokulturore, vërejmë se Falaschi nderonte kulturën
e traditës, atë që zhvillohet në shekuj si praktikë jete, si një ushqim social
që drejton jetën ekonomike të njerëzve. Po aq respektonte dhe e shikonte me vëmendje
kulturën reflekse, atë të kultivuar e që merret me arsimim, me specializime të
posaçme, me libra. Nga studimi i veprës së saj del, se ajo nuk i shikonte të
shkëputura këto nëndisiplina të fushës së etnologjisë, por të ndërthurura midis
tyre, që marrin e japin, disa herë njëjtësojnë të kaluarën e largët me të
tashmen, shkrihen bashkë, duke këmbëngulur tek funksioni etno-integrues me
identitetin kombëtar shqiptar. Nermini qe një rilindase e re, e vërtetë, jo në
kuptimin metaforik e romantik, por në rrafshin shkencor vërtetësor, ajo këmbëngulte
me qetësi, me qartësi e argumente për lashtësinë e gjuhës shqipe, që gjuha cilësohet
tipari kryesor dallues i një etnie nga një tjetër. Ajo shkruan: “...vetë etnia
e nji populli i përket gjuhës që ai flet”[7]. Bënte
dhe kërkonte krahasimin nga druri i gjuhëve të fjalëve të shqipes jo vetëm me 2
apo 3 gjuhë, por gërmonte ndër ngjasimet dhe dallimet midis 12 gjuhëve të
tjera. Entuziazmohej me zgjidhjen në trajtë pyetjeje të Cavalli-Sforzës se pse është
e ligjshme të mendojmë se ka mundësi të bëhet një krahasim bazor midis
evoluimit biologjik dhe atij gjuhësor dhe arrinte në përfundimin se ka analogji
midis evoluimit të gjenit edhe të gjuhëve. Në këtë konteks, përmendte shpesh
tezën darviniane, që po të njihet druri biologjik i grupeve të fiseve të
ndryshme të njerëzve, do të ishte e mundur të njihej edhe ai i gjuhëve. Në kohë
të reja, Nermini u bë ideali i atdhedashurisë
pa interes, i trimërisë së fjalës së vërtetë, i humanizmit, i diturisë, i përsosmërisë
estetike. Edhe i bukurisë së rracës shqiptare! Ajo e shkruante dhe e fliste më
bukur e më pastër shqipen se sa ne, banorët indigjenë (vendës,
rrënjës). Ajo krahasohej, matej e guxonte të bënte polemika shkencore
me elitën tonë diturake për lashtësinë e gjuhës shqipe. Edhe pse jo pak herë
fjala e saj nuk mbërrinte në destinacion, sepse s’depërton dot fjala në veshë
të shurdhër. Ajo qe një studiuese e zjarrtë, e gatshme për çdolloj dialogu në
tryeza shkencore, të përbëra nga studiues që e duan të vërtetën. Theksonte që
ishte romantike dhe kulturorët ilirianë i quante njerëz romantikë. Në biseda të
ngushta, dëshpërueshëm, thoshte shpesh: “Me sa dihet, fati i romantikëve është
dështimi”. Në këtë 95 vjetor të lindjes,
shëmbëlltyra e saj na vjen si një polemiste shkencore, atdhetare humaniste e dritërore, diturore universale, që të falte
shpirtin, por nuk bëhej kurrë palë me
oportunizmin inferior të kornizave teorike me lojëra fjalësh të lodhura. Ajo e donte
shumë vendin e të parëve, po aq sa dhe të vërtetën objektive. Guxonte dhe
s’lodhej të futej në tejlashtësi, në periudhën para-indoeuropiane. Ajo nxit dhe dëshiron
që studiuesit shqiptarë ta aplikojnë metodën e radiokarbonit ose Karbonit 14
(C14), ta thellojnë studimin e gjuhësinë me anë të biologjisë, bazimin mbi dokumentet
epigrafike, por jo thjesht bilingue (shkrojtur në dy gjuhë të ndryshme), si
psh. etruskisht-latinisht etj., se, nuk mjafton vetëm njohja e greqishtes së
vjetër ose e latinishtes, argumenton Falaschi, por përpos gjuhëve europiane,
duhet të njihet, së pakut, një gjuhë aziatike ashtu si duhen edhe pak dijen mbi
sanskritishten. Jemi të mendimit se kërkon studim tërheqja e vëmendjes që
Nermini na bën me mbishkrimin në sakrofagun që gjendet në kështjellën-muze të
qytetit të Kortonës (Cortona, Arezzo, Toscana, Itali), të cilit ajo, nga
paraqitja pellazgo-etruske dhe shqip-italisht, i bën një ndërtim dinamik këtij
dokumenti epigrafik në 12 gjuhë dhe konkretisht në pellazgo-ilirishte,
etruskishte, shqipe, hebraishte, sanskritishte, portugalishte, persishte,
italishte, romanishte, spanjishte, latinishte dhe anglishte. Herë të tjera fjalët
që lexohen nëpër dokumentet epigrafikë i krahason me shqipen dhe me gjuhët
neo-latine (anglo-saksone), me arabishten, me turqishten, me frëngjishten ...
dhe shënon se “ky mbishkrim lexohet vetëm me anën e gjuuhës sonë”[8].
Me përgatitjen e saj kulturore humanistike, edhe ajo
mendonte se qytëtërimet kanë lindur gjithmonë afër lumenjve dhe fillojnë me
pellazgët yjnor. Duke i mëshuar tezës së prejardhjes
së shqiptarëve nga pellazgët, sikurse glotologu ynë
Spiro Konda, filolog i diplomuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të
Athinës dhe njohës i mirë i botës antike me veprën e tij madhore “Shqiptarët
dhe problemi pellazgjik”[9], që
ende “fle” sirtarëve të burokracisë sonë akademike, ajo kërkonte t’i zgjonte
nga gjumi teoricienët shqiptarë të linguistikës. I trajtonte shqiptarët si
pasardhës të ilirëve. Studiuesja i trajtonte shqiptarët si pasardhës të ilirëve
dhe e shpie më tutje në kohë dhe në hapësirë idenë, duke u shprehur se Iliria e
lashtë, me prejardhje Pellazgjike, ishte vendi i njerëzve të lirë (“i lir), e cila shtrihej gjatë
Ballkanit perëndimor. Përbëhej nga shoqëri fisore e zhvilluar, me një mbret të
vetëm për gjithë Ilirinë. Ajo këmbëngul në tezën se shqiptarët e sotëm njihen
si si të vetmit dhe autentikë (se nuk ngjallin dyshime, se janë të vërtetë,
origjinalë) mbijetues të atij qytetërimi pellazgjik shumë të lashtë, i cili u bë i vetmi fener pluskues i popujve me të cilët
pati kontakte, duke lundruar nëpër dete të ndryshme dhe duke lënë hulli diturie të madhe. Ajo shpalos
idiomën pellazgo-iliro-trako-etruske, duke depërtuar thellë në lashtësinë tonë.
Me gjithë ulje ngritjet e dritëhijet e historisë përgjatë shekujve e mijëvjeçarëve,
etnokultura jonë, etnologjia e shqiptarëve njihet, ka dallesat dhe përbashkësitë
me kulturat e popujve të tjerë, sidomos me fqinjët kufitarë, si rezultat i marrëdhëineve
nga miqësitë, krushqitë, shkëmbimet në natyrë, dhuratat, tregtia, pushtimet, etj.
Ajo kërkon ura komunikumi midis fqinjëvë gjeografikë me gjuhë të ndryshme, duke
e quajtur pasuri shpirtërore diversitetin kulturor, kur i shërben shëndetit miqësor
të mirëshkuarjes reciproke. Ka një shprehje Nermini që e shkruan me keqardhje:
“Kultura e të mundurve shkatërrohet nga fituesit”[10]. Gjithsesi, historia jonë
ekziston, kur shumë popuj qytetërimformues të botës janë zhdukur nga harta e
globit Për ne, shumë
mbushmendës, po ta argumentojmë me metodën
e korelimit (krahasimit) të mikrofaunës, është edhe fakti që: kur në këtë hapësirë të
globit ekzistonin popujt e vjetër të Mesdheut, ndër ta, më vonë edhe Greqia e
Vjetër dhe Roma e Lashtë, si mund të mos ekzistonte Dheu i atyre që i mendojmë
dhe i pranojmë si të parët tanë, Dheu ku kemi lindur, ku banojmë, jetojmë
e veprojmë edhe ne si komunitet që e mbajmë veten si pasardhës të ilirëve. Ajo
shikonte shumë tutje dhe kishte idenë se në lashtësi ishin Pellazgët Yjnor,
“shpikës të alfabetit fonetik”, popuj të Detit, të cilët i quajtën “Iliri”
trojet e banuara nga njerëzit e tyre të lirë”[11].
Për të nxitur studiuesit shqiptarë të fushës për kërkime, ajo paraqet drurin
gjenealogjik të gjuhëve dhe grafikun e 10 gjuhëve më të vjetra, (përgatitur nga
studiues të huaj dhe përkatësisht druri gjenalogjik i formimit të gjuhëve
indoeuropiane nga linguisti gjerman August Schleicher dhe grafika nga Alberto
Piazza e Eric Minch, të cilët i mbështet edhe i mirënjohuri Cavalli-Sforza) ku
shqipja (pellazgo-ilirishtja, shën im: A. H) gjendet para gjuhëve të tjera të
vjetra: armene, greke, keltike (kelte), balltike, sllave, gjermane, italike,
indiane dhe iranike. Protogjuhë?! Që është e para me fjalët e gjuhës së
përbashkët në origjinë?! Edhe sipas Nerminit, Gjuha shqipe është gjuha e shtëpisë
për shqiptarët. Ilirishten e quan gjyshe të shqipes, ndërsa stërgjyshe të
shqipes quan pellazgjishten, ndonëse gjurmë të gjuhës së shkruar s’ka ende. Shqetësimi
i saj është i shfaqshëm: “Nuk është Liria që mungon, por mungojnë njerëz të lirë”[12].
Ndihmesa e Nermin Vlora Falaschit në fushën e studimeve
antropologjike dhe etnologjike është një diamant kulturor për “shtëpinë tonë të
përbashkët adriatikase”, siç e kishte për zemër të shprehej shpesh ajo, e cila
deri në frymën e fundit jetoi me parimin të studiuesit Vittorio Alfieri (1749-1803):
“Volli, sempre volli, fortemente volli”
(Desha, gjithmonë desha, me këmbëngulje
desha”). Është domethënës shënimi dedikues (kushtues) që Nermini bën në
faqet e para një monografie shkencore: “Ky libër është uratë për bashkimin e gjithë etnive shqiptare në
vatrën e madhe europiane”[13]. E
ndikuar fuqishëm nga Leonardo, edhe ajo e shikonte rruzullin si makrokozmos dhe
njeriun si mikrokozmos. E pajisur me forcë të pamposhtur, me energji yjore, krenare dhe e virtytshme si përherë, stërmbesa
e Plakut të Bardhë të Flamurit të Pavarësisë, Ismail Qemal Vlorës, edhe me përurimin
e Akademisë Kulturore “Iliria” në Romë më 8 qershor 2000, me funksionimin e saj
sipëror për katër vjet, deri sa u bë frymë hyjnore, ajo dha e bëri maksimumin e
mundshëm për Shqipërinë. “Një xixëll mbi Ilirinë dhe në trashëgimtaren e saj
fare të vockël, Shqipërinë”[14],
e quan punën e saj titanike e mira jonë mendimtare. Nuk është xixëll, por yjësi
në qiellin e dijes; sidomos ndriçon ngrohtë në fushën e linguistikës dhe
albanologjisë.
*) drejtor i
Bibliotekën Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”,
Vlorë, ALBANIA
Akademia e Shkencave, Tiranë, e shtunë, 23 prill 2016
Bibliografi:
AKADEMIA
Culturale “Iliria”: “Dall’ etnocentrismo
al pluralismo culturale”, Romë, Bardi Editore s.rl, 2000.
AKADEMIA e
Shkencave e Shqipërisë, Fjalori enciklopedik shqiptar, 3” Tiranë, 2009.
BRAUDEL,
Fernand, “Mesdheu; hapësira, historia, njerëzit dhe traditat”, Tiranë, Botimet
IDK, 1986.
FALASCHI, Nermin
Vlora: “E nesërmja e kohës”, Shkup, “Gjon
Buzuku”, 1991.
FALASCHI, Nermin
Vlora: “Lashtësia e gjuhës shqipe sipas dokumenteve epigrafike nga Egjeu deri
në Atlantik”, seria “Qytetërime të lashta mesdhetare - III”, Romë, Bardi
Editore, 1991.
FALASCHI, Nermin
Vlora: “Prona gjuhësore dhe gjenetike. Probabilitetet
e monogjenezës embrionale të fjalëve”, Tiranë, Toena, 1997.
FRASHËRI, Naim:
“Vepra letrare, 2”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1995.
HABAZAJ,
Albert: “Nermin Vlora, shkrimtare fisnike dhe humaniste”, gaz. “Tirana
Observer” e përditshme pavarur, Viti XI i bot., nr. 3084, e diel, 5 korrik
2015.
KONDA, Spiro N.:
“Shqiptarët dhe
problemi pellazgjik”, Tiranë, 1964.
TIRTA, Mark: “Enologjia e shqiptarëve”, Tiranë, Geer,
2006.
[1]) HABAZAJ, Albert: “Nermin Vlora, shkrimtare fisnike dhe
humaniste”, gaz. “Tirana Observer” e përditshme pavarur, Viti XI i bot.,
nr. 3084, e diel, 5 korrik 2015 f. 1, 15, 18 - 19.
[2] ) FALASCHI, Nermin Vlora: “Prona
gjuhësore dhe gjenetike. Probabilitetet e monogjenezës embrionale të fjalëve”, Tiranë, Toena, 1997,
f. 60.
[3] ) FRASHËRI, Naim: “Vepra letrare, 2”, Tiranë, “Naim Frashëri”,
1995, f. 15 - 16.
[4] ) BRAUDEL, Fernand, “Mesdheu; hapësira, historia, njerëzit dhe
traditat”, Tiranë, Botimet IDK, 1986, f. 7.
[6] ) AKADEMIA e Shkencave e Shqipërisë, Fjalori enciklopedik shqiptar,
3” Tiranë, 2009, f. 2900.
[7] ) AKADEMIA Culturale “Iliria”: “Dall’
etnocentrismo al pluralismo culturale”, Romë, Bardi Editore s.rl, 2000, f.
177.
[11] ) AKADEMIA Culturale “Iliria”: Po aty, f. 178.
[12] ) FALASCHI, Nermin Vlora: “E
nesërmja e kohës”, Shkup, “Gjon Buzuku”, 1991, f. 7.
[13] ) FALASCHI, Nermin Vlora: “Lashtësia e gjuhës shqipe sipas
dokumenteve epigrafike nga Egjeu deri në Atlantik”, seria “Qytetërime të lashta
mesdhetare - III”, Romë, Bardi Editore, 1991, f. 4. --
No comments:
Post a Comment