Prof. Dr. Gaçe: “Akademia e Shkencave, duhet të kontribuoi në botimin e materialeve më vlerë kombëtare e shkencore të prof. Qemal Haxhihasanit, të cilat janë një material i gjallë i shpirtit artistik popullor, që i duhen brezave të sotëm dhe të ardhshëm”
Vjollca TYTYNI BIRAKU
Prof.dr. Bardhosh Gaçe, kishte kohë që po punonte me përkushtim për organizimin e një evenimenti shkencor, për jo vetëm për bashkëshoqëruesin e tij shkencor por edhe për mikun e tij, Qemal Haxhihasani. Në sallën e konferencave “Rilindja” të Universitetit “Ismail Qemali” në qytetin e Vlorës, gjithçka ishte përgatitur me kujdes për të prezentuar sa më denjësisht figurën e folkloristit të shquar z. Q. Haxhihasani, e cila u shpalos nga albanolog dhe njohës të mirë të punës dhe gjithë aktivitetit të tij studiues në fushën e kërkimit shkencor.
Ndjehem e detyruar të përkufizoj më këtë rast, impenjimin e dr. Bardhosh Gaçes, i cili si një studiues i mirëfilltë i fushës së albanologjisë, në mënyrë kronologjike servoi për të pranishmit dhe njohësit e kësaj figure të shquar, jetën dhe gjithë krijimtarinë e këtij udhëtari të fushës së shkencës dhe të dijes. Edhe pse, përkundër gjithë angazhimit dhe falë modestisë që mbizotëron në personalitetin e tij, prof. Gaçe e dinte se, një organizim i tillë, nuk do mund të përjetësonte brenda një dite punën e palodhshme të Qemal Haxhihasanit, këtij intelektuali të shquar. Sidoqoftë, ajo që është me rëndësi, ka të bëjë me mirënjohjen qytetare e intelektuale te njerëzve dhe vlerave tona të çmuara kombëtare.
Takimin shkencori me rastin e 100-vjetorit të lindjes së dijetarit Q. Haxhihasani e hapi dr. Ermir Xhindi, shef i Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Fakultetin e Shkencave Humane të Universitetit të Vlorës, ku ishin të pranishëm studiues nga Shqipëria, Tetova e Prishtina. Në seancën e punimeve shkencore të Konferencës me kumtesat e tyre u paraqitën: prof.dr. Agron Xhagolli, folklorist nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë (QSA), i cili u përqëndrua në temën: “Personaliteti i prof. Qemal Haxhihasanit, dje dhe sot”, më pas referuan edhe prof.dr. Nexhip Mërkuri, në temën: “Qemal Haxhihasani për të folmet e fshehta të Përmetit dhe prirja e tyre si pasuri gjuhësore”, studiueset dr.Vilma Bello e dr. Migena Balla, të cilat referuan në materialin me temë “E folmja e Çamërisë, si një hulumtim i thellë e krahasues i dialektologut Qemal Haxhihasani, ndërsa, prof.dr. Hamit Xhaferi (pedagog i Universitetit të Evropës Juglindore, Tetovë) trajtoi ndihmesën e Q. Haxhihasanit për arsimin shqiptar në Tetovë, ndërsa, Albert Habazaj, referoi në temën “Qemal Haxhihasani, një Gjolekë i Folkloristikës shqiptare”
Dr. Leka Skëndaj, gjuhëtar dhe pedagog i Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, shtjelloi kumtesën në temën: “Sfida të kristalizimit të metodologjisë në kërkimet dialektore dhe ndihmesa e prof. Qemal Haxhihasanit”. Ndërlidhur me këtë, dr. Leka Skendaj, ndër të tjera theksoi se: “Prof. Q. Haxhihasani, me pasoinin e lindur u bë i dallueshëm si në tipologji ashtu edhe në përmbajtje. Dialektologjia, edhe pse nuk mbeti fusha kryesore e studimeve të mëtejshme të tij, që në vitet e para të veprimtarisë shkencore, është bërë objekt i trajtesave dinjitoze për vetë shkallën e profesionalizmit dhe të racionalitetit të problematikave që parashtron, duke u paraqitur kësisoj si model i formatit metodik për studiuersit e tjerë”.
Prof. L.Skendaj, duke u ndalur në punimet kërkimore në fushën e dialektologjisë të prof. Q. Haxhihasanit, tha se: “Punimet dialektore të profesor Qemal Haxhihasanit, mbeten opus më vete në shtrirjen e gjerë të interesave shkencore të tij. Studimi në nivel monografik i të folmes së Sulovës dhe më pas përqasja me atë të Polisit, si pjesë e grupit kalimtar, mbetet pa dyshim ndër të parët e këtij lloji, duke u bërë kësisoj si modelues i metodologjisë së gjurmimit, regjistrimit, përqasjes dhe krahasimit të dukurive dhe fakteve gjuhësore”.
“Kështu, dr. Leka Skendaj, u ndal edhe në studimin e fonemës së labializimit të a-së, nga ana e studiuesit Q. Haxhihasani, pët të cilën ai tha se: “Atë e gjejmë me graduacione të ndryshme edhe në të folme të tjera të vendit tonë, si në gegërishten lindore (në Kosovë, në rrethinat e Shkupit, në Tetovë e Gostivar dhe pjesërisht në malësinë e Gjakovës). Këtu, jo vetëm a-të e nazalizuara kthehen në o (hona, gjon, thon, ngron) por edhe ato a që nuk janë në pozicion afër bashkëtingëlloreve hundore, paraqesin në disa raste nuance labializimi, si qof (qaf), fore (fare), firor (firar)”.
Gjatë kësaj analize të thuktë dhe interpretimeve të çështjeve fonetike, dr. L.Skendaj në fund të kumtesës së tij përqëndrohet në hundorësinë, që, sipas tij, nuk duhet të kenë qenë si rezultat i veprimit të drejtpërdrejt të trajtave jugore mbi ato veriore, por një aspekt zhvillimi i atij ligji të përgjithshëm që ka përftuar rotacizmi në dialektin e jugut”.
Gjatë kësaj seance folën edhe studiues të tjerë, ndërsa senca e dytë e kësaj Konference Shkencore vazhdoi me kumtesat e studiueseve Arjana Seiti (QSA) dhe dr. Gladiola Elezi, ndërsa, dr. Edlira Çerkezi, paraqiti kumtesën “Veçori të përmbledhjes ‘Tregime dhe këngë popullore për Skënderbeun’ të Qemal Haxhihasanit”.
Duke u mbështetur në trashëgiminë e pasur fokloristike të Qemal Haxhihasanit, dr. Edlira Çerkezi, theksoi se: “Jam ndalur vetëm në një aspekt, atë të studimit dhe botimit të tregimeve dhe këngëve popullore për figurën legjendare të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Figura e Skënderbeut dhe Moti i Madh i tij, na vijnë në dy përmbledhje kryesore: ” Tregime dhe këngë popullore për Skënderbeun“, (1967 ) dhe “Epika Historike I” ( 1983 ), por edhe mjaft artikuj dhe botime të kohës. I tërë ky mjedis dhe figura e kryeheroit tonë sillen prej Qemal Haxhihasanit si një dëshmi e gjallë dhe mjaft e rëndësishme e cila na flet për ekzistencën e një epike historike të shqiptarëve të shekullit të XV. Është pikërisht ky syth këngësh që na vjen si jehonë nga poezia popullore arbëreshe, por edhe vise të tjera të Shqipërisë”.
“Në punën gjurmuese të profesor Qemal Haxhihasani, -potencon më tej dr. Edlira Çerkezi, -përfshihen edhe mjaft këngë të tjera nga vatra e kryetrimit, Kruja, por edhe prijësa të tjerë si: Gjergj Arianiti,Vrana Konti,Tanush Topia. Andaj, është meritë e Qemal Haxhihasanit që ai mbodhi mjaft tregime popullore ku zbulohet Sënderbeu si një udhëheqes popullor, kryeprijës në betejat e Gurit të Bardhe dhe Fushë Kuqe, Shën Gjergj, Sfetigrad, Kastriot, Grazhdë, Oranik etj”.
Me të drejtë profesor Qemal Haxhihasani në parathënien e botimit të “Tregime dhe këngë popullore për Skënderbeun” si dhe disa artikuj të tjerë që trajton, e paraqet figurën e Skënderbeut të mençur e trim dhe herë herë hiperbolike….Ai argumenton edhe legjendaritetin që merr epoka e Skënderbeut dhe trimëria e tij e cila përcillet me një botë të pasur poetike dhe gjurmë të thella të elementëve baladikë”, ka përmbyllur fjalën në kumtesën e saj, dr. Edlira Çerkezi.
Ndërsa,në këtë Konferencë shkencore organizuar në 100-vjetorin e lindjes së personalitetit të shquar Qemal Haxhihasani, referuan me kumtesat e tyre edhe dr. Artan Xhaferaj, dr. Enkelejda Billa, Orjona Shegaj (QSA), Ermela Broci (QSA), Agron Xhaho, kurse në emër të familjes, përshëndeti e bija e Qemal Haxhihasanit, Jeta Haxhihasani, e cila në monitor komentoi një seri fotografishë të disa prej aktiviteteve më të rëndësishme nga jeta dhe veprimtaria e Qemal Haxhihasanit.
Referatin përmbyllës “Profesor Qemal Haxhihasani, albanologu ynë i shquar” e mbajti prof.dr. Bardhosh Gaçe, “Mjeshtër i Madh”. I ngarkuar me gjithë organizmin e këtij evenimenti, prof.dr. Bardhosh Gaçe, theksoi se: “Qemal Haxhihasani, një jetë të tërë la gjurmët e veta në kulturën dhe shkencën shqiptare. Siç u vu në dukje edhe nga kumtesat dhe diskutimet e stuiduesve të tjerë, atëherë themi se, Qemal Haxhihasani është një shembull i rrallë i shkencës shqiptare. Një jetë të tërë në heshtje e pa bujë, ai punoi më një përkushtim të rrallë si mësues në disa treva shqiptare, si pedagog e specialist. Ai u afirmua si pedagog e specialist, si folklorist, etnolog, dialektolog e leksikograf. Ata që e kanë njohur dhe punuar me të, ata që kanë bashkëpunuar dhe mësuar prej tij, përherë sjellin ndërmend portretin dhe personalitetin e tij të rrallë për kulturën dhe shkencën, me kërkesa të rrepta ndaj vetes me dëshira të mëdha për të ndihmuar studiuesit e tjerë”, është shprehur ne referencën e tij, prof. Bardhosh Gaçe. Më tej duke u futur në gjithë krijimtarinë historike e shkencore të prof. Q. Haxhihasanit, prof. Gaçe tha se: “Ky dijetar i rrallë i kulturës shqiptare, ka një varg botimesh folklorike, etnologjike, dialektologjike dhe kërkimore, të cilat tashmë shërbejnë edhe si burime për studiues të tjerë. Në veprimtarinë e tij të gjerë e të larmishme ai arriti të afirmohet si një ndër folkloristët më të shquar të folkloristikës shqiptare. Kujtojmë këtu, botimin prej tij të “Bletës shqiptare”, të Thimi Mitkos, një punë voluminoze e me kompetencë, transkriptuar në pëlhurë alfabetin e sotëm, të pajisur edhe në jetën dhe veprimtarinë e këtij rilindasi”.
Ndryshe, prof. Gaçe, figurën e prof. Haxhihasanit e kundroi jo vetëm në sferën intelektuale por edhe në atë të njohjes dhe miqësisë me shumë personalitete dhe dijetarë të shquar. “Qemal Haxhihasani ishte edhe një mik i mirë i mjaft studiuesve të shquar”, -tha në kumtesën e tij, dr. Gaçe, -siç ishin: E. Çabej, Shaban Demiraj, Anton Çeta, Mahir Domi, A. Xhuvani, Sadri Fetiu, Mark Krasniqi, dhe i atdhetarëvee e dijetarëve të tjerë evropian, si: Lluka Perrone (Luca Perrone) e Antonio Belluci.
I gjithë qëllimi për organizimin e këtij evenimenti, i cili përkonte me 100-vjetorin e lindjes së intelektualit të shquar Qemal Haxhihasani, për prof. Gaçen kishte edhe një destinacion tjetër, lidhur me mundësinë e angazhimit insititucional për botimin e shumë veprave të këtij personaliteti me vlera kombëtare.
“U fol këtu për botimet e Qemal Haxhihasanit, por, unë mendoj se vepra e tij dialektologjike, folkloristike, etnografike e letrare ende është në arkiva. Por, ç’mund të bëhet në të ardhmen?”, shton pyetjen e tij dr. Gaçe. “Andaj, -potencon më tej dr. Gaçe, -duke e ndjerë të nevojshme angazhimin dhe kontributin për pasurimin, botimin dhe arkivimin e pasurisë sonë kombëtare, të cilin jo vetëm njerëzit arsimdashës, por atë me patjetër duhet ta kenë në konsideratë edhe institucionet tona shtetërore”. Pëmes këtij ‘selami’, prof. Gaçe, në këtë konferencë shkencore kërkon që: “Institucionet shkencore si Akademia e Shkencave, të kontribuoi në botimin e materialeve më vlerë kombëtare e shkencore të prof. Qemal Haxhihasanit, të cilat, duke marrë në konsideratë pikërisht veprat e këtyre dijetarëve si: Qemal Haxhihasani, Rrok Zojzi, Rebi Alikaj janë një material i gjallë i shpirtit artistik popullor, që i duhen brezave të sotëm dhe të ardhshëm”, e përmbyll, kumtesën e tij, dr. Bardhosh Gaçe, duke theksuar në fund se, ky takim që përkon me 100-vjetorin e lindjes së intelektualit dhe folkloristit të shquar Qemal Haxhihasani, nuk përmbyllet këtu por do të vazhdoi me sesione të tjera të cilat do të zhvillohen edhe në Kosovë e Maqedoni, ku prof. Haxhihasani kishte vepruar dhe krijuar gjatë gjithë jetës së tij.
Konferenca Shkencore me temë: “Qemal Haxhihasani, personalitet i shquar i arsimit dhe i folklorit shqiptar”, u organizua nga Universiteti “Ismail Qemali”, Vlore, Departamenti i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike (QSA).
Qemal Haxhihasani u lind në qytetin e Elbasanit më 16 shkurt 1916 dhe u nda nga jeta më 1 shkurt 2002. Ai dha një ndihmesë të çmuar në fushën e historisë së folkloristikës shqiptare dhe konsiderohet si një ekspert i letërsisë popullore shqiptare, si eksplorues, gjurmues e hulumtues, i cili njëkohësisht ishte i lidhur ngushtë me poezinë popullore, ku punoi dhe u anagazhua në realizimin e shumë teksteve të këtij zhanri krijues të letërsisë sonë.
No comments:
Post a Comment