A E NJIHTE DHE SI E RESPEKTONTE SKËNDERBEU “LIGJIN E LUFTËS?!!”
Le të provojmë të sqarojmë problemin se ç’ është “Lufta” si nocion, por edhe si e konceptonte Skënderbeu atë dhe kërkesat kryesore të “Ligjit të Luftës”.
Për nocionin “Luftë” si fenomen shoqëror ka mjaft përcaktime të ndryshme në formë, dhe po kaqë të larmishme në pikëpamje të forcës emocionale që ngërthejnë. E megjithatë ato së bashku kanë si emërues të përbashkët atë çka shpreh thelbin e këtij nocioni: ndeshjen midis dy grupimeve të armatosura. Pra, lufta është një konflikt ndërmjet masave njerëzore të organizuara mirë, të cilat bashkëveprojnë në mënyrë të arësyeshme, i nënështrohen një vullneti të vetëm, si dhe kanë para vehtes së tyre një qëllim të caktuar.
Por deri sa ngjarjet të precipitojnë në këtë thelb apo situatë, ka mjaft momente e zhvillime, të cilat nuk mund të mos mbahen parasysh nga çdo njeri, i cili merr përsipër të studjojë fenomenin shoqëror, pra luftën.
Së pari, e mbi të gjitha, del në pah momenti politik, me ndërmjetësinë ose jo të palëve të treta. Ka disa zhvillime debatesh, ka një duel idesh e pikpamjesh, pra janë disa seanca ballafaqimesh me sens politik midis përfaqësuesve të dy grupimeve, të cilët më vonë do të ndeshen edhe me armë. Pra, janë interesat e individëve, të grupeve apo edhe të grupimeve shoqërore, por edhe të një kombi të tërë, që i bëjnë njerëzit të hyjnë në konfrontim të armatosur edhe pse e dinë shumë mirë, se përmes këtij veprimi, jeta zhvlerësohet tmerrësisht, ndoshta në një send krejt pa vlerë, ndjenja e humanizmit zëvëndësohet nga e kundërta e tij, nga kanibalizmi ekstrem; në vend të ndjenjave njerëzore fillojnë e veprojnë instiktet e origjinës së njeriut. Publicisti ynë i njohur e i spikatur Fan S. Noli, midis të tjerash pohon: “Qysh prej kohës së shyshstërgjyshit tonë Kainit, lufta s’ ka qënë gjë tjetër veçse plaçkitje e grabitje, dhe në ditët e bukura të kohëve të lashta njerëzit ishin të sinqertë dhe e shikonin plaçkitjen si një anë të ligjëshme të luftës...”.
Pra, atyre u thuhej se, që të kishin pasuri duhet të merrnin diku, pra të rrëmbenin atë dhe gjithçka, që nuk u përkiste në asnjë mënyrë, dhe, që të merrnin, pra që të grabitnin, duhet të luftonin me çdo mjet e të fitonin, qoftë edhe me fqinjët. Pra, interesat e tyre konkretizoheshin, merrnin jetë, dhe si të shprehemi, merrnin edhe bazë morale: ato bëheshin të dëshiruara, deri të lakmuara marrëzisht nga njerëzit, ashtu si rrugët për t’i realizuar ato gjendeshin dhe përcaktoheshin të shumta në formë e veprim konkret, përfshi edhe luftën me çdo mjet dhe me egërsinë më të madhe.
Së dyti, është evident momenti ideologjik, pra harku i domosdoshëm kohor përgjatë të cilit baza njerëzore e grupimeve shoqërore do të përgatitet psikologjikisht për t’u bërë e gatëshme të përfshihet në përleshje, të zbresë në fushën e betejës, të bëhet e arësyeshme dhe e përgjegjshme, që me vullnet të plotë, t’u nënështrohet ligjeve “të egra” të përleshjes, të ushtrimit të dhunës mbi kudërshtarin me të gjitha mjetet e forcës dhe në mënyrën më të ashpër dhe intensitetin më të lartë të mundshëm. Këto masa bëhen të gatëshme të veprojnë në këtë mënyrë, sespe me këtë logjikë atyre u serviren mundësitë për të arritur interesat themelore. Pra, si mund të shprehemi, klasa e politikanëve dhe e qeveritarëve në të gjitha nivelet e administrimit, i mësonin ata në atë mënyrë, që të bëheshin të përgjegjshëm dhe plotësisht të gatëshëm, të pranojnë çdo sakrificë, përfshi edhe atë sublimen, të vinin edhe jetën në tehun midis jetës dhe vdekjes, mjafton që ato të ndërgjegjësohen dhe të binden, se me këtë mënyrë veprimi interesat e tyre marrin jetë e gjak, pra konkretizohen qëllimet e tyre.
Pra shkaqet e luftës duhen kërkuar edhe tek mentaliteti i personazheve të caktuar historikë, të predispozuar për të bërë emër dhe lënë gjurmë në histori, qoftë edhe përmes hedhjes së popujve në kasaphanën e luftës, në kraterin jetëmarrës të vullkanit luftë. Kështu, a nuk është i njohur fakti që, shkaqet e Luftës së Dytë Botërore, ashtu si edhe të luftrave të mëparshme, duhen kërkuar edhe në mentalitetin histerik të Hitlerit dhe pasuesve të tij; të Musolinit dhe të pasuesve të tij, apo edhe të ndonjë tjetri në Azi?!! Apo tragjedia në Gjirin Persik në vitin 1991, por edhe në vitin 2003, si dhe ajo në ish-Jugosllavi midis republikave që e përbënin atë në vitet 1992-1995, si dhe konflikti midis ish-Bashkimit Sovjetik me Çeçeninë në vitin 1995, i cili vijoi edhe më vonë, zhvillimet gjakderdhëse në Afganistan, në Irak, në Siri, në Jemen, në Libi, në Ukrahinë, në Venezuelë, dhe në mjaft vende të tjera, duhet kërkuar tek personazhë konkretë historikë me prirje drejt regresit dhe gjakderdhjes sikurse kanë qënë : Sadam Huseini, Sllobodan Millosheviçi e Radovan Karaxhiçi, Dudajev, Kadaf, Assad, Hugo Sanches etj. etj.
Nga sa më sipër gjithkujt i le gjurmë në kujtesë edhe një përfundim i arritur nga përvoja në përgjithësi, i cili evidenton faktin që, lufta është një masakër, e cila masakron njerëz, që nuk njihen, për interesa të njerëzve që njihen, por që gjithësesi nuk masakrohen, sepse gjakderdhja bije mbi shumicën e popujve, pra të atyre që nuk njihen. A nuk dihet që në ish-Jugosllavi humbën jetën fatalisht jo më pak se 260 mijë njerëz në Bosnjë-Hercegovinë dhe 15 mijë të tjerë në Kosovë? Në Afganistan dhe Irak janë viktimizuar respektivisht jo më pak se 150 mijë dhe 195 mijë, shumica e të cilëve janë civilë të pambrojtur. Në Siri artikulohet shifra e frikëshme e mëse 320 mijë viktimave, në Libi dhe në Jemen janë shkaktuar jo më pak se 33 mijë dhe 10 mijë viktima të pafajshme etj.
Së treti, është domosdoshmëri dhe evident edhe momenti i përgatitjes ushtarakeme masa të shumta për të garantuar një farë “koefiçienti sigurie” për të dalë fitimtar në përleshje. Këtij momenti i përkasin aftësimi luftarak sipas një mënyre veprimi të hedhur më parë në letër; sigurimi i një baze materialo-teknike të domosdoshme i të gjithë komponentëve që do të marrin pjesë në duel, në ndeshje apo në përleshjen e armatosur, etj. etj. Në betejë veprojnë dy resurse të domosdoshme: ajo njerëzore, pra forca e gjallë, dhe ajo logjistike, për të siguruar mbështetjen e duhur me armatim, municion, aparatura, ushqim, veshmbathje, shërbim shëndetsor etj. etj. Njerëzit në fushëbetejë luftojnë jo vetëm me armë por edhe me shpirt, me moral, sepse dihet që forca shpirtërore (morale) është tre herë më e fuqishme dhe efektive se sa forca e armëve. Me njerëz, që nuk janë të gatshëm të sakrifikohen në fushëbetejë, nuk mund të arrihet suksesi në luftim.
Së katërti, momenti më i prekëshëm dhe më i ndjeshëm, më i ngarkuar me strese, por edhe i bashkëshoqëruar me humbje dhe shfarosje jetësh njerëzore dhe shpërdorim të vlerave materiale e kulturore të krijuar ndër brezni njerëzish, është zhvillimi i ndeshjes midis grupimeve që marrin pjesë në këtë dyluftim. Lufta është fenomen jo i arsyeshëm, prandaj edhe jo i natyrshëm, as më shumë e as më pak ajo është, vijimi i politikës me mjete të tjera, pra me mjetet e dhunës. Pra. dueli, ndeshja, dyluftimi apo përleshja e armatosur, është vijimi me mjetet e dhunës i të gjithë atij dueli apo debati të zgjatur politik, i cili nuk ka dhënë rezultate pozitive, sepse në bosht dhe në bazë të aksidentit, të përleshjes, pra të fenomenit jo të natyrshëm, sikurse e quajnë disa analistë, qëndron pikërisht interesi apo interesat e kundërta midis grupeve shoqërore. Meqënëse interesat kanë në përmbajtje faktorin ekonomik, prej të cilit gjallërohen faktorët ideologjikë dhe psikologjikë, ato më shumë kanë patur prirje të mos gjejnë zgjidhje me gjuhën e arësyes së ftohët dhe të logjikës së hekurt, por të mendësive dhe prirjeve antihumane “të kokave të nxehta” të politikanëve dhe shtetarëve, pra duke i përplasur njerëzit përmes konfrontimit të dhunëshëm. Por dihet që konfrontimi vjen duke u acaruar dhe ashpërsuar, sa që errësohet logjika, shpërfytyrohet arësyeja, dhe në plan të parë marrin rrugë e shprehen instiktet shtazore: njerëzit nuk tërhiqen as përballë pellgjeve të gjakut dhe shpërfytyrimeve të egërsuara, ata fillojnë të mësohen me gjakun e derdhur, familjarizohen me skenat e dhunës, i gjejnë dhe konsiderojnë ato si domosdoshmëri, si dhe gjejnë kurajon të krenohen dhe trimërohen harbutërisht, se kush mundi të derdhë më shumë gjak. Gjaku njerëzor që shkon rrëke në tokë, i lumturon shpirtërisht dhe i hedh në veprime barbare të pakapshme nga arsyeja njerëzore. Hitleri dikur shprehej, se nuk mund të përmbahej dhe as të ndihej i keqardhur, para asnjë skene mizore kundër popujve jo gjermanë, të cilët shtohen si minjtë, ndërkohë që në fushën e betejës kishte hedhur lulen e rinisë gjermane. Të frymëzuar nga kjo çmenduri, vartësit dhe pasuesit më të afërt të tij, pohonin se ndiheshin krenarë për çdo viktimë të shkaktuar nga revolveri i tyre, dhe se midis gëzimit të jetës dhe arsyes njerëzore, pranonin skena makabre dhe veprime kanibaleske.
Së pesti, momenti që çliron nga makthi i luftës masën e grupimeve shoqërore, por që prek sferën e drejtuesve, është ai i diskutimit dhe arritjeve të marrëveshjeve pas përfundimit të akteve të dhunëshme.Hitoria e njerëzimit na ofron faktin, se pas çdo debati politik dhe vijimit të tij me mjetet e dhunës, pra pas përfundimit të çdo përleshjeje të armatosur, vijon një pauzë midis gjuhës së armëve, e pasuar nga një moment debati “të pabarabartësh”. Në fakt ky është vijimi i mosmarrëveshjeve të mëparshme, por gjithësesi, tashmë me mjete politike, ku gjithësesi debati politik zhvillohet midis dy palëve, tashmë jo të barabarta, sepse njëra është humbësja dhe tjetra fituesja, njëra është e mposhtura, tjetra triumfatorja. Debati ka si objekt themelor se sa do të jetë detyrimi i palës humbëse ndaj asaj fituese. Mandej politikanët dhe shtetarët “merren vesh” njëri me tjetrin për të ndarë “pjesën e luanit” për veten e tyre, dhe thërrimet nga sofra e pasur, i delegohen grupimit shoqëror, si lëmoshë për gjakun e derdhur. Dhe pas kësaj ekspozeje teorike, le të futemi në thelbin e problemit, që do të diskutojmë.
Si e konceptonte Skënderbeu luftën? Ç’ mendime e vlerësime bënte ai për atë?
Populli ynë, që në lashtësinë e tij të formimit si komb më vete, më tej në periudhën e konsolidimit si komb e shtet i njohur, mandej gjatë gjithë rrugës së përshkuar në historinë e tij përkrah fqinjëve, është karakterizuar në vijëpërpjetë nga ndjenja e të jetuarit në liri, nga motivimi i qartë dhe i ndjeshëm për t’iu ndodhur Atdheut kur Ai ka qënë i kërcënuar dhe në nevojë. Këtë cilësi e ka evidentuar dhe shprehur qartë, midis shumë të tjerëve, edhe historiani i lashtësisë greke, një nga më të shquarit në fushën e historiografisë, një nga më kompetentët në këtë lëmë, Demosteni, kur midis të tjerash nënvizon edhe faktin: “Përsa u përket ilirëve për ta është më e kënaqëshme të jenë të pavarur e të lirë, sesa të nënështruar...”.
Skënderbeu, si pjellë e këtij populli, medoemos që ka formimin psikologjik e moral të popullit të vet. Për luftën, në mënyrë të përmbledhur ai afërsisht shprehet se, ajo ka qënë dhe është një akt i dhunëshëm, në luftë veprohet me gjuhën e armëve dhe jo të arsyes apo logjikës, në të ka mundës dhe fitues, por që gjithësesi qëllimi i çdo pale është fitorja, një rezultat i dëshiruar dhe i pritëshëm edhe nga bashkëkombasit. Mendimi i përbashkët i analistëve dhe strategëve ushtarakë më famozë është se, pasojat e luftës më mirë se kushdo i di i munduri, pra pala e mposhtur. Kjo sepse, përveç humbjeve në jetë njerëzish dhe dëmtimeve të vlerave materiale, përfundimi i luftës bashkëshoqërohet edhe nga një stres psikologjik, të cilin e mbart vetë akti i humbjes, mendësia e të qënurit i mundur apo i mposhtur në fushën e përleshjes si, dhe detyrimit që ka i mposhturi për të përballuar si palë humbëse apo e mundur, kundrejt palës fituese. Shoku psikologjik bëhet kështu pjesë e jetës së përditëshme të komunitetit të mposhtur, ata ndihen të fyer, pa autoritet dhe dinjitet, të turpëruar përpara njëri-tjetrit.
Këtë nocion e sqaron me argumente bindëse, përmes disa pasazhesh të zgjedhura me kujdes dhe të vëna në gojën e Skënderbeut, historishkruesi i parë shqiptar mjaft autoritar dhe bindës i shekullit XV, Marin Barleti, i cili shprehet edhe sa më poshtë: “Sillni ndërmend zgjedhën armike, talljet e mundësit dhe pamjen tërë mburrje të tij; sillni ndërmend dhe ç’ mizëri njerëzish të ndryshëm na përcollën, kur u nisëm e u larguam nga sytë e tanëve, se me ç’ dëshira në zemër e lot në sy i lamë të gjithë, se si na presin gratë, prindët dhe fëmijët...”.
Këto dhe të tjera momente, sa prekëse aqë edhe grishëse, të cilat nxitin motivimin pozitiv tek bashkatdhetarët, i kap me kujdes dhe ua kujton Kryekomandanti – Skënderbeu - luftëtarëve përpara fillimit të veprimeve luftarake. Është e kuptueshme që kjo bëhet për të nxitur komponentin e forcës morale në veprimet përleshëse, e cila shumëfishon forcën fizike. Në veprën madhore “Historia e Skënderbeut” e autorit të mirënjohur Marin Barleti, gjen pasqyrim fakti që për nocionin “Luftë”, për përmbajtjen e “Ligjit të Luftës”, kanë kuptim të gjërë e të plotë kapedanët, oficerët dhe gjeneralët e Skënderbeut. Por për kuptimin e këtij nocioni nga luftëtarët e thjeshtë, punohet me përgjegjësi nga drejtuesit dhe komanduesit e të gjitha niveleve. Është i nipi, Hamza Kastrioti, ai, që pas një dështimi të përkohëshëm në sulmin kundër trupave venedikase në Drisht shprehet: “S’paska turp më të madh, o Perëndi të bekuara, se sa kur u mundka njeriu; sepse në një anë të presin sarkazmat e armikut kryelartë, dhe m’anë tjetër fytyrat e mërzitura të njerëzve të tu...”.
Brezi ynë jeton në fundshekullin XX dhe fillimshekullin XXI, e megjithatë ne kemi përjetuar përmes filmave edhe emisione televizive të drejtpërdrejta skena makabre: njerëz të moshave të ndryshme, të sekseve të ndryshme, të gjëndjes shëndetsore po të ndryshme, humbasin jetën nën zhurmën e thatë të breshërisë së automatikëve; kemi asistuar skena ku njerëz të pafajshëm, pleq e fëmijë, bjenë viktimë “e kokave të nxehta”; kemi parë mijëra njerëz që për t’u larguar nga vatrat e nxehta të luftës, emigrojnë me mjete nga më primitivet, dhe shumë prej tyre përfundojnë në fund të deteve; kemi asistuar në vrasje masive të njerëzve me fjalët e lutjes në gojë në institucionet fetare; na janë ofruar skena të dhembshme ku vihen në shënjestrën vrastare mësues e nxënës... Kemi parë punonjës të mirëfilltë të sferës së humanizmit por edhe të medias: sanitarë, infermierë, mjekë, bamirës, gazetarë, fotoreporterë, politikanë, sociologë, e të tjerë, që edhe pse në shërbim të misionit të tyre, për të nxitur opinionin kundër luftës dhe pasojave të saj, duke treguar (ekspozuar) masakrat, tmerret dhe makabritetet e saj, që lenë jetën e tyre në fushëbetejë, edhe pse në duar nuk mbajnë armë dhe as që mbjellin vdekje. Ne kemi përjetuar mllefin, keqardhjen, por edhe mallkimin që shpalosin vorreza masive, të cilat mbajnë për ditë-vdekje një të vetme; fëmijë të përlotur me faqe të mavijosura dhe sy të fryrë, të shtrirë mbi trupin pajetë të prindërve të tyre, dhe që lypin mëshirë nga njerëzit dhe nga Zoti; motra, që edhe pse të reja dhe të bukura, shëmtohen nën peshën e lotëve të hidhur për humbjen e vëllait apo të një njeriu të dashur; gra të reja me fëmijë në dorë apo në gji, që më së shumti shikojnë nga qielli, por edhe me shikim të tretur diku larg në front, që kërkojnë mëshirë dhe vetëm mëshirë për bashkëshortët e rrëmbyer përdhunëshëm nga flakët e luftës; nëna të moshuara që shtojnë rrudhat në fytyrë dhe vragat në faqe dhe, që luten për paqe e qetësi për fëmijët dhe nipërit e humbur në betejë apo edhe në rrugë krejtësisht të pafajshëm; njerëz të mirë apo politikanë të spikatur, që luten apo protestojnë për jetët e humbura, dhe mandej ndaj atyre që nxitin shuarjen e jetës....
Pra, ka edhe tmerre të tjera që i mbart lufta, të cilën e përgatitin dhe e zhvillojnë njerëzit, që më së shumti u është zbehur arësyeja, që e rritin dhe e nxitin njerëz që u ka humbur arësyeja dhe, që mundohen të eleminojnë plagët e saj, njerëz të cilët kanë akoma arësye.
Është kjo arësyeja që, opinioni përparimtar, ata që inspirojnë dhe dëshirojnë progresin, ata që janë njerëz në shpirt, kanë menduar e punuar për të shmangur luftën, për të zgjidhur konfliktet me mjete të arësyeshme, për të komanduar në dialogjet e tensionuara dhe konfliktet e ashpra e të ndezura, logjika e ftohët dhe, në asnjë mënyrë e për asnjë rast, mendësia “e shtyrjes së urave të zjarrit”, “e hedhjes benzinë zjarrit” dhe “e fryrjes së zjarrit”.
Ne e gjykojmë progresist veprimin e këtyre njerëzve edhe në përpjekjet që ata bëjnë gjatë konflikteve të ndryshme zonale e rajonale për të ulur tensionin e veprimeve luftarake, për të krijuar një mjedis në përgjithësi ku të ligjërojë fjala e jo pushka, për të mundësuar praninë e periudhave të qeta qoftë edhe përkohësisht, për t’u dhënë kështu mundësi mendjeve të çartura dhe logjikës së nxehtë, që të qetësohen, të kthjellohen dhe të hyjnë në trasenë e veprimit të arësyes, në komunikimin përmes fjalës. Tek këta intelektualë me përgjegjshmëri humane e qytetare, tek këta Burra Shteti me përgjegjësi mbarëqytetare dhe mbarëpopullore, në përgjithësi zë vend mendimi se, lufta, edhe pse është e paarësyeshme, ajo mund të jetë një rrugë e arësyeshme, në se dështon çdo përpjekje tjetër në fushën politike dhe diplomatike. Njëherësh ata janë të bindur plotësisht, se liria dhe paqja meritojnë shërbim më të palodhur dhe të përpiktë, por edhe më të plotë dhe të gjerë, se sa tirania dhe lufta.
Dhe, pas kësaj ekspozeje, ja disa parime të “Ligjit të Luftës” dhe sa e si i respektonte ato Skënderbeu?
Tashmë ka marrë përmasat e një aksiome fakti që, lufta si fenomen shoqëror e ka bashkëshoqëruar historinë e njerëzimit që nga lashtësia deri në ditët e sotme. Pa dëshiruar të bije në fatalizëm, vetëm duke iu referuar përvojës së derisotme, mund të nënvizojmë faktin që, ajo do të jetë e pranishme edhe për mjaft kohë, edhe pse në shumë drejtime e pikpamje ajo ka evoluar jo vetëm si konceptim teorik por edhe si mënyrë veprimi. (Në muajin prill 2004, në Irak vetëm gjatë një jave, gjithësesi pas një viti kur ishte përmbysur regjimi gjakatar i Sadam Hyseinit, në qytetin Fullexha u ndërprenë 600 jetë njerëzore. Në ditët e sotme në Irak, Afganistan, Siri e gjetiu, të cilat kanë qenë vatra lufte për mjaft vite, zbulohen varre masive. Në disa vende të botës lëvizjet për më shumë liri dhe prosperitet kundër regjimeve shtypëse, po shoqërohen me mjaft viktima të pafajshme etj.) . Besoj se do të ishin të mjaftueshme këto fakte për sa nënvizuam më lart.
Kërkesat e “Ligjit të Luftës” nga studjues, analistë, psikologë e sociologë, janë kualifikuar në dymbëdhjetë të tilla. Përmbajtja e shkurtër do të ishte si vijon:
- ji ushtar i disiplinuar. Mosbindja ndaj “Ligjit të Luftës” të shndërron ty dhe ushtrinë tënde në të pandershëm si dhe shkakton vuajtje të panevojëshme. Ti kështu, në vend që të dobësosh dëshirën e armikut për të luftuar, në këtë mënyrë ja forcon atë;
- lufto vetëm luftëtarët e armikut dhe sulmo vetëm objektivat ushtarake;
- shkatërro jo më tepër se ç’ kërkon misioni që të është ngarkuar;
- mos lufto armiq të cilët janë “jashtë luftimit” ose të papërfshirë në të. Çarmatosi ata dhe dorëzoi tek eprori yt;
- grumbullo e trego kujdes për të plagosurit dhe të sëmurët, qofshin ata të forcave të tua apo të armikut;
- trajto me humanizëm të gjithë civilët dhe njerëzit e armikut që i ke nën pushtetin tënd;
- robërit e luftës duhen trajtuar në mënyrë humane, ata janë të detyruar të japin informacion vetëm rreth identitetit të tyre. Nuk lejohet asnjë torturë fizike e mendore ndaj robërve të luftës. Ata janë internuar për arësye sigurie dhe nuk janë burgosur për t’i dënuar;
- mos merr pengje;
- përmbahu nga të gjithë aktet e hakmarrjes;
- respekto të gjithë personelin dhe objektet që mbajnë emblemat e Kryqit të Kuq, Gjysëmhënës së Kuqe, Flamurin e Bardhë të armëpushimit, ose emblema që saktësojnë e përcaktojnë pasuri kulturore;
- respekto pasurinë e popullit tjetër. Grabitja është e ndaluar;
- përpiqu të parandalosh çdo shkelje të rregullave të mësipërme. Çdo mosrespektim raportoje tek eprori. Çdo shkelje e “Ligjit të Luftës” është e dënueshme;
- trajtimi mjekësor të jetë bazuar në prioritetin e nevojës mjekësore dhe jo në pozitën e funksionit apo të gradës.
Ja këto pra janë disa prej kërkesave të “Ligjit të Luftës”. Ushtaraku ose çdo punonjës i strukturave me karakter ushtarak, por edhe shërbimet shëndetsore apo të medias, duhet t’i zotërojnë shumë mirë përmbajtjen e secilës kërkesë, dhe të kenë bindjen e palëkundur se në fund të fundit, konflikti i armatosur edhe pse është masakrues, në përmbajtjen e tij ka edhe mjaft elementë humanë, të cilët gjejnë pasqyrim tek “Ligji i Luftës”, kërkesat e të cilit i cituam më sipër. Është edhe kjo arësyeja që ushtarakët, por edhe policët apo gardistët, domosdoshmërisht duhet të mësohen dhe edukohen me disa aspekte të “Ligjit të Luftës”, me synim që ata të premtojnë moralisht garantimin e respektimit të kërkesave të “Ligjit të Luftës”.
Nuk mund të lemë pa nënvizuar faktin që kërkesat e “Ligjit të Luftës” janë të herëshme, ato kanë vit-lindje luftërat e para, ashtu sikurse janë pasuruar me elementë të rinj në rrjedhën e historisë së njerëzimit dhe të luftrave, që e kanë bashkëshoqëruar atë. Pas çdo lufte bëhet analiza e hollësishme si dhe nxirren përgjegjësitë në shkelje të kërkesave të “Ligjit të Luftës”. Në ditët e sotme ka një gjykatë ndërkombëtare që heton, gjykon e mban qëndrim ndaj atyre që shkaktojnë krime lufte. Edhe këtë moment e nënvizon Marin Barleti tek “Historia e Skënderbeut”. Ai thekson se gjatë fushatës në Itali, Skënderbeu është veshur me epitete të ndryshme duke synuar errësimin e figurës së tij, ashtu sikurse janë organizuar edhe plot kurthe për kapjen gjallë apo për asgjësimin e tij. Ka patur plane dinake si dhe provokime të ndryshme duke e akuzuar si gjaksor, si kriminel dhe, që nuk ka respektuar kërkesat e “Ligjit të Luftës”. Piaçenini, kapedani i galëve, quke parë që beteja po merrte fund në favor të Epirotit, i propozon pushim të betejës, të cilin Skënderbeu, i karakterizuar nga humanizmi i gjërë, e pranoi pa shumë lutje. Ky armëpushim do të shoqërohej me shfaqjen e dinakërisë së Piaçeninit. Është momenti që Moisiu dhe Gjurini, dy gjeneralët më në zë për trimëri e urtësi të Skënderbeut, po sillnin disa robër të kapur në fushë-betejë. Dinaku Piaçenin i thotë Epirotit : “Prandaj unë kërkoj prej teje, o Skënderbe, princ shumë bujar, që këto rradhë të ushtarëve të mij, të cilët kapedanët dhe komandantët e tu po i sjellin këtu tek ti si robër kundër disiplinës së shenjtë të luftës, t’i lirosh pa i dënuar dhe pa i cënuar dhe të m’i këthesh prapë të armatosur...”.
Është një prej kërkesave të “Ligjit të Luftës” që ushtarakët të përgatiten moralisht dhe profesionalisht për të kryer luftimin: pra, secili duhet ta ketë të qartë se do të përfshihet në veprime luftarake dhe se duhet të përballojë të gjitha kërkesat dhe problemet që përmban dhe lind lufta.Këtë përgatitje psikologjike dhe morale Skënderbeu e realizon mjeshtërisht, duke shpalosur qartë përpara princërve, por edhe përpara bashkëluftëtarëve arësyen se, përse duhet marrë pjesë në luftë, qëndrimin aprovues ndaj saj, pjesëmarrjen dinamike në të, motivet që duhet të udhëheqin luftëtarët, sjelljen ndaj kundërshtarëve të mposhtur, ndihmën ndaj njëri-tjetrit, dhe mjaft të tjera si këto. Rezulton mjeshtërore mënyra se si në Kuvendin e Lezhës (2 mars 1444, S.R), Epiroti i bind dhe i grish arbërit për luftë kundër turqve. Së pariai thekson se, luftërat më së shumti bëhen me kokë dhe me mend, se sa me armë, prandaj komanduesit dhe drejtuesit duhet të jenë mirë të orientuar dhe të veprojnë me dije dhe jo ç’t’u dalë përpara. Së dyti, kujton se motivimi është i shenjtë dhe i shtrenjtë: edhe pse paqja është joshëse, ajo duhet të jetë dinjitoze, prandaj nuk mund të tolerohet lufta në kushtet kur Arbëria është e sunduar, lufta për liri dhe nder mbetet e shenjtë. Së treti, lufta presupozon humbje, por mbi të gjitha ajo i shërben lirisë, dhe rënia në detyrë është nder dhe përjetësi. Së katërti, ideali i Kryekomandantit nuk ishte mbrojtja e pronave të babait të vet, sepse ai grada dhe ofiqe kishte me shumicë, me pasuri dhe nder ishte edhe në Turqi, por kërkon që princët dhe bashkëluftëtarët shqiptarë të marrin hakun, të mbrojnë me lavdinë më të madhe gratë, fëmijët dhe viset e tyre, duke u sjellë atyre qetësinë dhe lirinë e vërtetë. Së pesti, ai i grish ata duke i prekur në cilësinë e shenjtë të shqiptarit : besën, trimërinë, respektin për të kaluarën heroike, dhe të tjera duke u thënë: “... zgjoni nga gjumi trimërinë e dikurshme, frymëzohuni nga ndjenjat fisnike..., natyra e njeriut s’ia ka falur atij asnjë shkas më të fortë për fitore se sa vetëdijen e plotë të trimërisë...”.
Pra, sikurse mund të gjykohet lehtë, Kryekomandanti shqiptar di të grishë, të mobilizojë, të prekë në sedër dhe të mobilizojë luftëtarët, të forcojë pasionin për pjesëmarrje aktive në luftë, të rritë përgjegjësinë individuale dhe kolektive në veprimet luftarake. Ai u kujton bashkëluftëtarëve se, gjatë zhvillimit të Betejës së Sfetigradit ushtarët turq detyroheshin të vijonin luftimin duke u shtyrë me fjalë dhe me kërcënime nga kapedanët dhe purpuratët e mbretit, dhe në rast se dikush “... ja përtonte sulmit, e detyronin me kamçik...”.Këtë mënyrë veprimi Kapedani shqiptar e dënon, sepse e di mirë, që ajo e lodh luftëtarin, ia mpin veprimin, e shtyn drejt një vdekjeje të palavdi duke dhënë shpirt me pikëllim. Ai e ka plotësisht të qartë se luftëtari nuk hidhet në sulm duke u shtyrë apo duke i bërtitur, por duke u komanduar shpirtërisht dhe jo nga forca e spaletave apo autoriteti i funksionit.
Çdo luftëtar në ndeshje duhet të hyjë me mendimin se, duhet medoemos të fitojë.Dhe si argument le të përdorim drejtpërsëdrejti mendimin që ka Barleti, historishkruesi më autoritar i heroit tonë Kombëtar – Skënderbeut - , kur ai shpjegohet afërsisht si më poshtë. Skënderbeu, në bazë të marrëveshjes me Ferdinandin, mbretin e Napolit, i shkon atij në ndihmë duke kaluar detin. Mbreti Ferdinand kërcënohej në atë kohë nga galët, të cilët kishin pretendime territoriale në Itali. Ishin këto rrethana e zhvillime konkrete, që i japin shkas Skënderbeut, t’i kujtojë midis të tjerash kapedanit gal, Piaçeninit, se në luftë veprojnë ligje të përcaktuara, dhe se duke qënë të tilla, pra me cilësinë që imponon një ligj, ato duhet të respektohen me korrektësi nga palët ndërluftuese. Mënyra se si shprehet autori është mjaft e gjetur dhe e goditur më së miri, kur ai ve në gojën e Skënderbeut edhe fjalët se, në luftë “... s’ jemi tregëtarë, por luftëtarë, që bëjmë luftë me hekur, jo me ar...”.Pra në luftë veprojnë ligjet e saj dhe jo të tregëtisë, sepse ndërsa e para, - lufta - parakupton veprimet ballazi, e dyta – tregëtia - më së shumti përmban djallëzinë, dhelpërinë, tendencën për të fituar kundër të tjerëve me veprime dhe mjete jo të ndershme, pra jo përmes ballafaqimit të drejtpërdrejtë, por përmes mjeteve mashtruese dhe të rafinuara. Më tutje Epiroti e shtjellon mendimin duke i kujtuar kapedanit të galëve se: “... po ndeshemi për jetë për të mbretëruar ju apo unë, si të jetë thënë...”.Pra në luftë vepron ligji i forcës ndërsa në tregëti ligji i mashtrimit; tek e para kush është më i fortë në të gjitha pikpamjet fiton, tek e dyta kush është më i aftë të mashtrojë, po ashtu fiton. Po në këtë dialog, sa prej diplomati aqë edhe prej ushtaraku strateg, Skënderbeu i kujton Piaçeninit se, përfundimet: “... Në çdo rast, cilido fat që të kemi, të tregohemi burra...”.Pra, Skënderbeu, me cilësinë e një komandanti ushtarak të kompletuar, me ç’ka i duhet një të tilli, me këtë akt kuptimplotë na kujton se, çdo ushtarak duhet ta dijë shumë mirë se konflikti i armatosur, edhe pse në pamje është shumë masakrues, tek e fundit ka mjaft elementë humanë të përcaktuar përmes “Ligjit të Luftës”, të cilët veprojnë me më shumë apo me më pak autoritet. Pikërisht, përmbajtja humane e konfliktit të armatosur duhet njohur mirë dhe të zejë vend në koshiencën e çdo ushtaraku si një “Kod Moral” por edhe si një “Kod Juridik”, i cili duhet të respektohet e të zbatohet pavarësisht nga intensiteti i luftimeve dhe shkalla e egërsisë apo e gjakderdhjes.
Por, edhe në këtë rast, lind një problem psikologjik: gati çdo ushtarak, pothuajse natyrëshëm e bren stresi, në se kundërshtari është i gatëshëm të respektojë kërkesat humane që përmban “Ligji i Luftës” gjatë zhvillimit të veprimeve luftarake. Është edhe ky shkaku që në mjaft raste ushtarakët distancohen nga përmbajtja humane e veprimit luftarak, duke kryer deri edhe veprime shumë të ashpra dhune e terrori, duke kryer veprime të skajshme dhe të pamotivuara dhune. Ngarkesa psikologjike dhe tmerret e luftës, i bëjnë shpesh herë luftëtarët që “të shkelin” mbi parimet e Ligjit të Luftës. Ata mezi presin që “tmerri pa fund” i luftës të shndërrohet në një “fund të tmerrshëm”, që ata t’i japin fund masakrës gjakësore dhe të kthehen në shinat e jetës së përditëshme, që të mbyllin armët e municionet në depo dhe të kthehen pranë vatrave familjare. Dhe kjo merr karakter të natyrshëm dhe të pranueshëm në situatat e një “tmerri pa fund”. Duke studjuar me kujdes “Historinë e Skënderbeut” të M. Barletit, edhe pse autori ka qënë i gatëshëm dhe i predispozuar që të ekspozojë shqiptarët si palë luftuese humane, në raste delirante apo “inati ballkanik” të papërmbajtur, ai vë në gojën e Skënderbeut edhe shprehje që grishin për veprime të dhunëshme e të egra. Disa herë Kryetrimi u bën thirrje bashkëluftëtarëve që të shkatërrojnë kampet e kundërshtarit, të rrëmbejnë gjithëçka, duke u përkëdhelur luftëtarëve armën e njohur e të preferuar se, vetë lufta do të shërbejë si burim dhe si mjet fitimi e pasurimi. Pra, po t’i referohemi Marin Barletit përmes veprës së tij madhore, në të cilën jep shifra, fakte e të dhëna për të gjitha betejat që ideoi, përgatiti, udhëhoqi dhe komandoi Skënderbeu, gati në prag të çdo fillimbeteje, por edhe në momente të veçanta specifike të zhvillimit të luftimit, bëhej thirrje për përdorim me efektivitet të armëve, të cilat shqiptarët i përdornin “... me të djathtën e pamposhtur...”,sikurse shprehet autori; bëhej thirrje për koka të pera, për robër të zënë, për shkretime e grabitje të territoreve dhe banorëve kundërshtarë, e mjaft të tjera si këto, elementë që nuk kanë të bëjnë me përmbajtjen humane të luftës.
Mirëpo, duhet pranuar që këto thirrje e grishje, kur bëhen nga komandantët dhe kapedanët me influencë, lenë gjurmë duke ngjallur strese psikologjike, të cilat mpijnë gjykimin dhe arësyetimin, duke çuar kështu në mjaft raste edhe në errësimin apo humbjen e atyre. Është kjo arësyeja që ushtarakët domosdoshmërisht duhet të mësohen dhe të edukohen me nevojën e njohjes dhe të zbatimit të kërkesave të “Ligjit të Luftës”, me synimin që të dy palët në konflikt të garantojnë dhe të respektojnë këto kërkesa. Kjo sepse kërkesat janë të detyrueshme në rrafshin juridik e moral për të gjithë ushtarakët pjesëmarrës në luftim. Ja, pra për këtë domosdoshmëri duhet të jetë i ndërgjegjëshëm çdo ushtarak si dhe të jetë i gatshëm t’i respektojë kudo dhe kurdoherë.
Shkalla e detyrimit dhe e respektimit, por edhe e përgjegjësisë është e ndryshme. Gjithësesi ajo kushtëzohet nga vendi që zenë dhe roli që luajnë ushtarakët në hierarkinë e mekanizmit ushtarak gjatë plotësimit të misionit të tyre. Do të ishte e natyrëshme dhe e pranueshme pa rezerva prej gjithëkujt, që ushtarakët me gradë e përgjegjësi më të lartë, do të kenë edhe detyrimin e përgjegjësinë juridike e morale më të madhe, sepse në përgjithësi janë ata, që komandojnë dhe drejtojnë veprimet luftarake, si dhe përcaktojnë të gjitha qëndrimet deri në hollësira, që duhen mbajtur në situata të ndryshme.
Modelin e një lidershipi ushtarak me përmasa ndër-rajonale, të një strategu ushtarak të mirëfilltë, e ndeshim në përshkrimin që i bën, përmes të tjerash, edhe cilësisë së humanizmit të figurës së Skënderbeut, historishkruesi më i besueshëm i tij, Marin Barleti. Në përfundim të betejës me venedikasit në qytetin e Danjës, zotërim që i përkiste Lekë Zaharisë, ai urdhëron: “... Robërit merrini me vehte të dorëzuar, por mos i përlyeni duartë tuaja fitimtare për shkak të shfrimit të luftës dhe të valës së zemërimit, me gjakun e tyre, pasi të jenë dorëzuar, pasi nuk e kemi punën me barbarë apo me njerëz të egër, por me të krishterë, kundër të cilëve ne luftojmë me të drejtë për të sprapsur dhunën e për të jetuar në paqe...”. Pra komandanti shqiptar sugjeron dhe urdhëron që kundërshtari duhet respektuar si luftëtar dhe jo si politikan e shtetar, sepse ata janë të urdhëruar nga politika, në këtë kuptim misioni dhe qëndrimi i tyre është i ligjshëm, i motivuar dhe i arsyeshëm. Përgjegjësia për gjithçka që bën, apo ndodhitë e zhvillimet jashtë caqeve apo në tejkalim të parimeve të Ligjit të Luftë, i takon politikës dhe shtetit dhe jo luftëtarëve.
Gjithashtu cilësinë humane të karakterit të Kryetrimit shqiptar, Barleti e evidenton disa herë. Kështu, përveç të tjerash, ai i përgjigjet sa si ushtarak aqë edhe si diplomat, kapedanit të galëve, Piaçeninit, të cilin e kemi cituar edhe më lart, të ardhur si pushtues në Itali, duke i kujtuar se Pirrua i Epirit, të dërguarve të Romës, të cilët u shprehën se donin të blinin lirimin e robërve me të holla, ai u dha përgjigje si më poshtë: “... Robërve nuk u merret jeta, as liria, ata lirohen... S’kërkoj ar, as kini për të më paguar ndonjë çmim... Atyre, që fati i luftës u ka respektuar trimërinë, s’ ka dyshim se unë Pirrua do t’u respektoj lirinë...”.
Dhe nga pasazhet e mësipërme që suallëm në vemëndjen e lexuesit, ne na prezantohet kreu i kapedanëve shqiptarë më se i plotë, me ato cilësi e virtyte, që i ka të domosdoshme një prijës ushtarak, për më tepër një strateg. Pra tek ai shpalosen dukshëm humanizmi, parimësia në udhëheqje për veprim, respektimi i rregullave dhe i normave ndërkombëtare, respektimi i luftëtarëve të thjeshtë, të cilët edhe bëjnë luftën dhe vendosin në fatet e saj, etj. etj. Natyrshëm ne mund të krenohemi me këtë mendësi e këtë qëndrim të Kryetrimit shqiptar, sepse pas gati pesë shekujve në dokumente ndërkombëtare, sikurse është edhe “Protokolli Shtesë i vitit 1977” të “Konventës së Gjenevës të vitit 1949”, nënvizohet shprehimisht :“ Robërit e luftës duhet të trajtohen njerëzisht duke mbajtur parasysh se ata janë të internuar për arësye sigurie dhe nuk janë burgosur për t’u dënuar...”.
Një nga kërkesat e “Ligjit të Luftës”, i quajtur ndryshe edhe “E Drejta Humanitare Ndërkombëtare”, është “Përmbahu nga të gjitha aktet e hakmarrjes”.Këtë kërkesë Barleti e formulon me fjalët : “Mospërbuzje e kundërshtarit”, duke e konsideruar këtë si një moment të taktikës krahas të tjerëve, të cilët janë jo më pak të rëndësishëm. Për të nxjerrë në pah rëndësinë e këtij formulimi po u referohemi disa elementëve të tjerë të taktikës si, goditja në befasi, shpejtësia në luftë, të vepruarit sipas situatave konkrete dhe të çastit, qënia gjithmonë i përgatitur në çdo situatë, konfrontimi me kundërshtarin kur ai është i angazhuar apo i dërrmuar, njohja me imtësi e vendit dhe shfrytëzimi i kohës etj. etj.
Por ajo që bije në sy dukshëm është mendimi që formulon Barleti në gojën e Skënderbeut, kur nënvizon që me armikun, “... kur të bije në dorë, duhet trajtuar në një mënyrë që të mos tregohesh më i mëshirëshëm se sa është e drejtë e t’ia kalosh gjithë të drejtën e mëshirës atij, pasi ta kesh humbur vetë...”.Këtij mendimi më tutje ai bën kujdes t’i verë edhe bazë juridike e morale duke thënë se, “... Asnjeri nuk do të mund të ankohet kundër nesh, në rast se ushtrojmë të drejtën e luftës, askush nuk i quan gjaksorë ata, kundër të cilëve lufton po me aqë urrejtje për jetën e vet...”, përfundon autori. Aspekti “mëshirë” në cilësitë e luftëtarit duhet kuptuar e zbatuar brënda caqeve të realizimit të detyrës apo përmbushjes së misionit. Kundërshtari respektohet si luftëtar i një vendi tjetër, por nuk duhet mëshiruar për humbjen që pëson dhe as për gjendjen e rënduar psikologjike që e pason atë. Ky detyrim i përket dhe është pjesë e politikës dhe shtetarëve, komanduesve dhe drejtuesve të vendit, në emër të interesave të të cilave luftëtari është rekrutuar dhe vepron.
Kjo mendësi, e ashpër si në përmbajtje ashtu edhe në formë, për Kryekomandantin shqiptar mund të ketë si zanafillë urrejtjen që ai akumuloi pas një akti zemërgjërësie të pamotivuar, që ekspozoi në betejën e parë në Berat. Është i njohur fakti historik, që për një kohë të shkurtër veprimesh luftarake, ai pothuajse çarmatosi e nxorri jashtë luftimit kundërshtarët turq, por njëherësh ra preh e dinakërisë dhe pabesisë turke, duke iu dhënë pesëmbëdhjetë ditë armëpushim, kohë e mjaftueshme kjo për t’u shfrytëzuar me efektivitet për t’u organizuar nga ana e kundërshtarëve, kohë të cilën forcat e Skënderbeut e kaluan të shkujdesura, deri në shthurje të plotë organizative, duke u dhënë mundësi forcave turke t’u shkaktonin humbjen e parë, por edhe mjaft të rëndë, të cilën Skënderbeu do ta kujtonte me dhembje deri në momentin e fundit të jetës së tij, më së shumti edhe si një autokritikë.
Është kërkesë e “Ligjit të Luftës” edhe artikulimi: “ Mos lufto armiq të cilët janë “jashtë luftimit” ose të papërfshirë në të. Çarmatosi ata dhe dorëzohi tek eprori yt...”.Por kjo kërkesë, edhe pse e formuluar në shekullin XX, mrekullisht vlerësohet dhe respektohet me korrektësi prej Skënderbeut pesë shekuj më parë. Historia thotë se, gjatë betejës së Modenës, Skënderbeu u plagos, por në sajë të besnikërisë, të përkushtimit dhe të profesionalizmit të gjeneralëve dhe luftëtarëve të tij, posaçërisht edhe të Gardës Pretoriane, ai shpëtoi mrekullisht vetë, ashtu si edhe në këtë betejë arbërorët dualën triumfatorë. Gjatë zhvillimit të veprimeve luftarake një luftëtar kundërshtar i ndërpret vrullin e sulmit duke i deklaruar se, mund të gjykohet lavdi, edhe kur mund të mundesh njëherë. I pëlqeu ky mendim logjik Skënderbeut, prandaj edhe urdhëroi që, ky luftëtar i zgjuar të respektohej si robërit e tjerë, por edhe më shumë, për fjalën e mënçur që gjeti dhe deklaroi. Me këtë rast Arbërori në mënyrë patetike dhe me elokuencën e një oratori të mirëfilltë, shprehet edhe midis të tjerash: ”... Me të vërtetë, ç’ka më të bukur e më të lavdishme, për Perëndinë e Pavdekëshme, se sa të duash t’ia dish për armikun e dërrmuar e të shpartalluar dhe të kesh dhembje për të, kur është i zhytur në fatkeqësi e mjerim...”.
Të tilla qëndrime humane Skënderbeu dhe gjeneralët e tij më në zë mbajtën shumë herë, duke treguar se, aqë sa të rreptë ishin në luftim, po aqë fisnikë ishin për ata që lypnin fisnikëri dhe humanizëm.
Si përfundim mund të shprehemi se, Skënderbeu dhe gjeneralët e kapedanët e tij e njihnin fenomenin “Luftë” në imtësi, por me interes për problemin që po trajtojmë është të nënvizojmë se, ata i njihnin dhe i respektonin kërkesat e “Ligjit të Luftës”, një ligj universal për të gjitha kohët dhe palët ndërluftuese, por që, duhet pranuar se e plotëson vetvehten sidomos në aspektin e humanizmit.
Safet N. Ramolli
Tel. 2 434 381; Cel. 067 63 56 284
Qershor, 2019