”Europa tjetër” dhe Europa pa kufi
Alfred Papuçiu
Britania e Madhe u largua nga Europa e Brukselit. Tani jemi në një qorsokak për kontinentin. Jashtë saj, Rusia e Putinit dhe SHBA e Trampit do të nxisin përçarjet, ndërsa Kina me një parti të vetme i ka deklaruar luftën, atë të vlerave, duke i kundërvënë një model tjetër. Brenda saj, kjo Europë, e shastisur, do të cfilitet nëse vazhdon këtë rrugë, e prekur nga nacionalizmat dhe demagogët e saj. Qytetarët e saj janë skeptikë ndaj institucioneve të saj. Europa është në krizë. Ajo është e dobët për t’u rezistuar fuqive të mëdha që e sfidojnë. Europa e Brukselit është shumë pak demokratike për t’iu përgjigjur synimeve të qytetarëve të saj, të cilët tërhiqen në hapësirën e tyre kombëtare në kërkim të një sigurie. Europianët nuk e gjejnë më vehten tek Bashkimi Europian. Europa, si një hapësirë e të drejtës dhe e lirive të përbashkëta, nuk do të vazhdojë gjatë, veçse nëse sajon një formë të re sovraniteti që e kapërcen atë të Shteteve-komb dhe që të përfshihet në institucionet e reja, të ketë një qytetari të re. Ky projekt është ai i një Republike europiane. Ai kërkon një revolucion të qëndrimeve, rimarrjen e kontrollit të ekonomisë nga ana e politikës. Kjo Republikë do të heqë kufijtë kombëtarë në favor të rajoneve, me një numër rreth 50 ose 60, e që në të njëjtën kohë do të rregullojë problemin e mungesës së ekuilibrave midis kombeve. Institucionet e tij do të jenë klasike dhe demokratike, ajo do të sigurojë të drejta dhe detyra identike për të gjithë Europianët, do të ketë ushtrinë e saj, dhe do të mund të ketë peshë në çështjet e botës. A është kjo një utopi? Ky është pasqyrimi i një mendimi origjinal dhe të lirë. Ai lidhet me mendimin e përhapur tek një pjesë e opinionit europian: Europa i përket të gjithë shteteve dhe banorëve që e përbëjnë atë, pra duke përfshirë edhe ”Europën tjetër”, ku bëjmë pjesë edhe ne, Shqipëria, Kosova, Zvicra dhe një numër shtetesh të tjerë që janë akoma jashtë saj. A do ta mendojë këtë stafi i ri drejtues i Europës së Brukselit që po krijohet këto ditë? Këtë do ta tregojë koha, nëse vizioni i tyre për Europën pa kufi që e kanë menduar disa dekada më parë, baballarët e Europës, do të bëhet më në fund realitet.
Le të kthehemi tek tema që lidhet me këtë realitet dhe mundësi. Letra që më ka dërguar ish presidentja dhe ministrja e jashtme e Zvicrës, Micheline- Calmy Rey, lidhur me angazhimin e Zvicrës për pavarësinë dhe ecurinë e demokracisë në Kosovë, më ka vënë në mendime. Prandaj mendova që t’ja paraqes një pjesë të saj edhe lexuesve këtu. Ndër të tjera, ajo më shkruan: ”Lidhur me politikën e Zvicrës ndaj Kosovës, unë isha e ndjeshme ndaj dashamirësisë të fjalëve tuaja. Për Zvicrën, pavarësia e Kosovës është një faktor i rëndësishëm për garancitë institucionale të mbrojtjes së minoriteteve dhe të të drejtave humane, që përbëjnë një nga preokupimet e saj të mëdha... Si nesër, ashtu edhe sot, respektimi i standarteve është me një rëndësi themelore në një Kosovë të pavarur, ”standartet byond status”, duke qënë parimi që duhet të jenë kryesore. Gjithashtu, është e domosdoshme një prani e fortë ndërkombëtare në Kosovë dhe ajo do të qëndrojë akoma për shumë kohë”. Në fund, ministrja e jashtme zvicerane thekson: ”Ju falenderoj për interesin që tregoni ndaj politikës së jashtme të Zvicrës. Pranoni sigurimin e konsideratës sime më të lartë”.
Një politikë e tillë largpamëse e Zvicrës është në unison me atë të të gjitha shteteve paqedashëse, si SHBA, Gjermania, Franca, vende të ndryshme europiane dhe të botës demokratike, që në kuadrin e aleancave të tyre, mbështesin sovranitetin e shtetit të ri të Kosovës, duke e parë atë në një të ardhme të afërt në familjen e madhe europiane. Pritja që i kanë bërë presidentët e SHBA, autoriteteve më të larta të Kosovës këto vite, dëshmon për sigurinë që i jep shteti më i madh i botës Kosovës, në ecurinë e saj demokratike dhe së shpejti, në Europën e Brukselit. Vizita e Engelit në Kosovë dhe pritja që i bëri atij populli i Kosovës dhe presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, duke vendosur emrin e tij një rruge në Veri, dëshmojnë për atashimin e të dy vendeve krahas shtetit më të madh të rruzullit tokësor. Ashtu siç është shprehur Presidenti i nderuar amerikan, Donald Tramp dhe paraardhësit e tij për Shqipërinë dhe rrugën e saj demokratike, pas futjes në NATO dhe hedhjes së hapave për në Bashkimin Europian. Shqiptarët, para së gjithash, janë proamerikanë dhe proeuropianë.
Në këtë shkrim nuk pretendoj të bëj një vlerësim të posaçëm dhe të hollësishëm, lidhur me marrëdhëniet e Shqipërisë me Europën sot, si dhe me Zvicrën. Vetëm se si pjesëmarrës aktiv në tetë sesione të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, apo edhe për çështje që kanë patur të bëjnë ndër të tjera me Europën, Shqipërinë dhe Ballkanin, në shumë vende, si dhe duke ndjekur marrëdhëniet e Europës dhe Zvicrës me Kombin tonë, mendoj të shpreh mendimet e mija modeste. Këto janë mendime personale, të cilat më angazhojnë vetëm mua, të mbledhura gjatë vitesh, por dhe të rifreskuara nga ecuria e marrëdhënieve të Shqipërisë aktuale me Europën dhe Ballkanin.
E them hapur: nuk më pëlqen tulatja e një pjese të intelektualëve të pavarur shqiptarë që diktatura e viteve 1944-1985, i ka lënë akoma në heshtje apo me gjysëm zëri, për këto probleme madhore të Kombit tonë, përkatësinë në Europë apo sidomos për marrëdhëniet me fqinjët që na kanë rënë në pjesë. Këto radhë mund t’i lexojnë edhe ata „qoftëlargë“, të pakët në numër, të shpërndarë kudo në Europë, që vegjetojnë dhe qeshin pse grinden bashkëkombasit e tij dhe fërkojnë duart, pasi duan që të kthehet një kohë e kaluar, megjithëse edhe ata po t’u ketë mbetur pak logjikë, e kuptojnë se ajo kohë tanimë ka perënduar njëherë e përgjithmonë. Ajo nuk u kthye as në kombe të tjerë në Europë, qoftë në Lindje, Perendim, Jug apo Veri.
Pra më lejoni, të nderuar lexues, të përmend shkurt që më se njëherë kam biseduar çiltër dhe me argumenta, me profesor Filip Braillard, drejtor e Institutit Europian të Universitetit të Gjenevës dhe ish profesor i imi për Historinë e Europës, dhe me profesor Silvio Guindanin, të ”Studimeve rajonale”, të cilët sëbashku me stafin e Institutit kanë punuar gjatë viteve për të dhënë ndihmesën e tyre për shumë studentë shqiptarë që kanë studjuar në Institutin me prestigj të vërtetë europian, në Gjenevë. Pasuniversitarë shqiptarë që studjojne tani në këtë Institut dhe të tjerë që e kanë përfunduar atë me sukses do të përbëjnë bërthamen e çështjeve që lidhen me Europën, krahas profesorëve të tjerë të nderuar shqiptarë që punojnë prej kohësh që Shqipëria të përfshihet në Europë, si dhe në organizmat që e përbëjnë atë në Bruksel, Strasburg e forume të tjera europiane.
Nën shembullin e Komunitetit Europian që i bashkoi armiqtë tradicionalë, sapo kishte mbaruar lufta, popujt e vendeve të tjera europiane që nuk bëjnë akoma pjesë në Europën e të 27-tëve, pra janë në ”Europën tjetër”, si Zvicra, Norvegjia, Shqipëria, Kosova dhe disa vende të tjera europiane, do t’i sjellin asaj një frymë të re bashkëpunimi dhe paqeje në kontinent. Pra nga 49 vende që e përbëjnë kontinentin europian vetëm 27-të prej tyre ndodhen në Europën e Brukselit.
Qysh nga Lufta e Dytë Botërore, pajtimi franko-gjerman ishte një nga shtyllat e integrimit europian. Përballë Lindjes që ishte nën kontrollin e ish- Bashkimit Sovjetik, Perëndimi krijoi Këshillin e Europës në Strasburg, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Pastaj disa vende europiane krijuan Komunitetin Europian, i cili pak e nga pak u zgjerua dhe sot quhet Bashkimi Europian, i përbërë nga 27 vende. Që nga viti 1989, historia e Europës ka patur ndryshime të thella. Në Lindje, regjimet komuniste u ”fundosën” dhe lindën nacionalizmat. Europa, pa të lindin si kërpudhat pas shiut, Shtete- kombe, shpesh në luftë me njeri tjetrin. Tanimë, shihet një formë tjetër e bashkimit midis vendeve europiane të Lindjes dhe të Perëndimit. Shqipëria tashmë bën pjesë në institucione të rëndësishme të bashkëpunimit ekonomik, politik dhe ushtarak në Europë: në Këshillin e Europës, në Konferencën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Europë, në Aleancën e Atlantikut Verior, në organizma europiane të Kombeve të Bashkuara, si Komisioni Ekonomik i OKB-së për Europën, si dhe ka paraqitur kërkesën për integrim në Bashkimin Europian.
Kur mund të hyjë Shqipëria në Europën e Brukselit? Cështja e datës së futjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian është shtruar këto kohët e fundit çdo ditë në media dhe në botën politike shqiptare. Procesi i integrimit nuk është për nesër, më tepër për arsye subjektive që nuk varen nga Shqipëria. Më të lehtë e kanë patur më parë edhe shtete fqinje të Shqipërisë, me një zhvillim ekonomik apo politik të ngjashëm apo edhe më të paktë se tek ne sot. Por është tashmë e sigurt se Shqipëria do të hyjë një ditë në Bashkimin Europian, sepse procesi është i pakthyeshëm. Në të vërtetë, nëse Bashkimi Europian jep rregullisht të holla në projektet e zhvillimit të Shqipërisë, natyrisht ato nuk janë për të mos mbledhur një ditë frutet e tyre. Vetëm se, nëse kjo perspektivë aderimi ka ngjallur shpresa të mëdha tek shqiptarët, është e qartë se kjo ka një çmim. I rëndësishëm është stabiliteti politik i vendit, pra përshtatja me normat ndërkombëtare në fushën e demokracisë. Zhvillimi siç duhet i zgjedhjeve të ardhshme, në fakt është një element i rëndësishëm për të dëshmuar se Shqipëria është e gatshme për t’u integruar në Europën e Brukselit. Pra sigurimi i një stabiliteti politik të vendit do të bëjë të efekshme investimet e saj ekonomike dhe do të shmangë dora dorës skeptiçizmin që vërehet akoma në disa qarqe europiane me peshë. E rëndësishme është dhe vendosja e infrastrukturave të nevojshme, duke krijuar në këtë mënyrë një hapësirë ekonomike europiane. Shpesh harrohet se Bashkimi Europian nuk është një hapësirë politike e vërtetë, por para së gjithash një hapësirë ekonomike që synon të ndërtojë një treg që nuk vendos më bariera doganore midis vendeve të Bashkimit Europian. Pra, nuk mund të kuptohen perspektivat e aderimit të Shqipërisë, apo edhe të vendeve të tjera, pa patur parasysh dimensionin ekonomik të këtij integrimi. Sepse, në fund të fundit, investimi i Bashkimit Europian në vendet që janë kandidatë, që këta të arrijnë standartet ndërkombëtare të demokracisë dhe të përmirësojnë infrastrukturat e tyre, ka si objektiv të vetëm integrimin e tyre ekonomik në hapësirën europiane. Kur modeli politik të stabilizohet: zgjedhje të lira dhe të respektuara, drejtësi e pavarur dhe infrastruktura të vendosura, vendi do të tërheqë normalisht akoma më tepër se deri tani investimet e nevojshme për zhvillimin e tij ekonomik. Në përgjithësi, këto investime realizohen në formën e delokalizimit të ndërmarrjeve të Europës Perendimore drejt periferisë së Bashkimit Europian, ku pagat janë më të ulta dhe fuqia punëtore po aq e formuar. Shembulli i Rumanisë është tipik i politikës së zgjerimit të Bashkimit Europian. Sapo uzinat e fabrikuesit të Bashkimit Europian, si Rëno u vendosën në vend, Rumania përfitoi nga marrëveshjet e qarkullimit të lirë të mallrave, pastaj një integrim në hapësirën ekonomike europiane. Në Shqipëri, italianët kanë krijuar fabrika të veshmbathjes, apo call center, etj., por vetëm kur grupet e mëdha të industrialistëve të interesohen për t’u futur aty, atëhere aderimi do të jetë i afërt. Ekzistojnë tanimë disa shënja, për shembull, Italia ka nënshkruar kontrata me Shqipërinë për të instaluar centrale elektrike, prodhimi i të cilave pjesërisht do të ketë si destinacion Italinë. Këtu kemi të bëjmë me një delokalizim, për aq kohë sa Italia do të ketë nevojë për elektricitet dhe për aq kohë sa ajo don të sigurojë me një kosto më të ulët. Megjithatë, duhet menduar edhe për projekte të tjera që të arrihet aderimi sa më shpejt. Hapa të pakta, me pikatore, janë bërë në drejtim të tërheqjes së kapitalit të huaj edhe nga vende të tjera europiane, apo edhe jashtë tyre, si psh me Zvicrën, por më tepër duhet bërë në lehtësimin e realizimit të kontratave fitimprurëse për të dy palët.
Shqipëria dhe Kosova janë tepër të afërta me kulturat europiane. Më gjuhën tonë, që bën pjesë në degët e gjuhëve indo-europiane, ne kemi kulturat e përbashkëta me 300 milionë europianët. Ne jetojmë në një realitet multikulturor dhe multifetar që ka sjellë në gjirin e kontinentit një refuzim të centralizmit apo uniformitetit. Edhe Skënderbeu, Nënë Tereza. Isa Boletini, Adem Jashari, apo Guillaume Tell i Zvicrës bëjnë pjesë në pasurinë e përbashkët të Europës. Njeriu me shtizë gjendet në legjendat nordike, ashtu siç rrëfehen historira për herojtë e Kombit tonë që u vunë gjoksin topave të armikut...
Nuk mund të lë pa përmendur përsëri, sidomos fjalët e ish Presidentes federale të Konfederatës Zvicerane, Ministre e Jashtme e Zvicrës, Michelinë Calmy-Rey, lidhur me angazhimin e Zvicrës në çështjet ndërkombëtare, por edhe për vendet e Ballkanit, në Europën Jugore, pra dhe Shqipërinë dhe Kosovën. Ja si shprehej ajo tek gazeta franceze « Le Monde » : « Si edhe Bashkimi Europian që ka përparuar në vlerat e pajtimit, të demokracisë, të lirisë individuale dhe të tolerancës, edhe Zvicra, është e vendosur të nxisë gjithçka që është thelbësore për paqen në Europë. Në fund të fundit, vetëm nëpërmjet solidaritetit, ne angazhohemi në favor të popullsive të lënduara të Ballkanit. Por ndërse ky angazhim është jetik për vendet që i përfitojnë, është edhe në interesin tonë, sepse kjo kontribuon në sigurinë dhe në mbarësinë tonë të ardhshme. Prandaj, Zvicra ngulmon në përpjekjet e saj për stabilitetin në rajon dhe për pavarësinë e Kosovës ».
Më lejoni të shtoj edhe disa fjalë të zonjës së nderuar dhe kurajoze, Michelinë Calmy- Rey , botuar tek gazeta zvicerane « Le Temps » (Koha), : « Me mondializimin, ndikimi i një vendi varet nga angazhimi dhe pjesëmarja etij në shkallë ndërkombëtare. Zvicra ndjek një politikë të jashtme, të bazuar në universalitetin. Ajo është një aktore e besueshme, e parashikueshme dhe jo ithtare. Konkretisht, kjo do të thotë një neutralitet në shërbim të paqes, me qëllim që të parandalohen konfliktet që mund të kenë pasoja negative mbi vendin tonë. Prandaj me një politikë të neutralitetit aktiv dhe solidar, ne mbrojmë më mirë interesat tona. Rasti i Ballkanit Perendimor është shembull. Mbi një dekadë pas marrëveshjes së Daytonit që i dhanë fund luftës në Bosnje dhe Herzegovinë dhe gjashtë vjet pas përfundimit të konfliktit të armatosur në Kosovë, në rajon ka një qetësi relative. Megjithatë, stabiliteti politik, ekonomik dhe social nuk është arritur në mënyrë të vazhdueshme Ndërkaq, ky rajon është nga ana gjeografike pranë Zvicrës. Bashkësia e shtetasve të huaj nga ish-Jugosllavia, i pranishëm në Zvicër- afro 400.000 vetë, nga të cilët 150 deri 200.000 nga Kosova- është më i madhi nga komunitetet e huaja tek ne. Këto lidhje të ngushta kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në fluksin migrator, të ligjshëm dhe të paligjshëm. Si rrjedhim, është në interesin tonë që të përkrahim paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Marrëdhëniet tona me Europën Juglindore dallohen nga një angazhim financiar të rëndësishëm të Zvicrës. Midis 1996 dhe 2004, ne kemi mbështetur këto vende me 1,5 miliard franga. Ndihma zvicerane ka marrë forma të ndryshme : kooperim teknik, prani ushtarake në Kosovë dhe Bosnje, mbështetje vullnetare e refugjatëve, ndihmë humanitare, kontribut për Paktin e Stabilitetit. Në Ballkan, veprimi ynë do të përqëndrohet këto vitet e ardhëshme në intensifikimin e marrëdhënieve politike, mbështetjen e reformave institucionale dhe ekonomike dhe promovimin e paqes. Është fjala që të mbështeten këto Shtete në përparimin e tyre drejt demokracisë, drejtësisë, prosperitetit. Në fund të fundit, këto vende do të integrohen në Bashkimin Europian, perspektivë që Brukseli ka hapur për të gjitha Shtetet e rajonit… »
A nuk na bëjnë të mendojmë mirë, këto fjalë të Ministres së nderuar të Jashtme zvicerane, një vendi të vogël, Zvicrës, si edhe Shqipëria, por që edhe pse nuk është në Bashkimi Europian, është si ne në ”Europën tjetër”, për arsye të zgjedhjes së përkohshme nga ana e vetë autoritetit të më lartë, popullit zviceran, thotë fjalën e vet hapur për përkatësinë europiane të vendeve të Ballkanit, apo edhe për interesin e këtyre vendeve për t’i parë një ditë të integruar edhe Shqipërinë, dhe vendet e tjera të Ballkanit ? A nuk duhet të mendohen mirë ata që akoma ngurojnë të afishojnë dëshirën e një populli të tërë shqiptar në Shqipëri dhe Diasporë, që i kanë zgjedhur me votën e tyre, se e mira e Shqipërisë dhe e bashkëbesëlidhësve është në Europën e Brukselit, si dhe në Aleancën e Atlantikut verior, apo me SHBA dhe vendet e tjera mike të Shqipërisë dhe Kosovës ? Nuk duhet t’i vihen më gurë udhës së nisur nga demokracia e tranzicionit të stërgjatur shqiptare, edhe për « inat të sime vjehrre ». Ky është shërbimi më i madh që i bëjmë Kombit në këto çaste, duke lënë mënjanë mërirat e kaluara, mllefet personale. Kështu e ngrehim më lart figurën e shqiptarit trim, me karakter, të çiltër, mirënjohës, mikpritës, qoftë ai malësor, fshatar, intelektual, por që ka një aspiratë të madhe…
Miqtë e shumtë të shqiptarëve, janë këtu në Zvicër, por edhe në Shqipëri, Amerikë, (Teksas, Nju Jork, Florida, Nju Xhersi etj), Kanada, Suedi, Greqi, Qipro, Turqi, Itali, Francë, Austri, Britani e Madhe e deri në Argjentinë. Me ata shkëmbejmë këtu në Diasporë mesazhe të rregullta, edhe për përkatësinë europiane të Shqipërisë apo edhe të vendeve të Ballkanit, që na ngrohin zemrën. Mund ta quajmë edhe ne tani një « lob » të fortë dhe të besës, siç janë edhe lobet greke, sllave, çifute e kombeve të tjera në botë.
Përsëris : hezitova në fillim të hidhja në letër këto radhë. Por duhet ditur se dikujt mund t’i kujtohet, si shumë bashkëbeslidhësve tanë, se edhe Atdheu ynë dhe i autorit të këtyre rreshtave, Shqipëria, është edhe një atdhe vlerash. Mbi varrin e tim ati të ndjerë, gazetar i thjeshtë i një reviste për fëmijë, por që kishte nxjerrë me Jakov Xoxën « Përpjekjen e rinisë » qysh më 1943, apo si kryeredaktor i parë i « Sportit », shokët e tij të mirë që më ndihmuan edhe mua në jetë, vunë këtë mbishkrim nga një poezi e tij : « E dini pse nëna folenë në zemër e ka, sepse bashkë me qumështin e saj, dashurinë për Atdhenë m’a dha ».
Prandaj në këto çaste, shpreh bindjen, si shumica e bashkëbesëlidhësave shqiptarë në Shqipëri dhe në Diasporë se 27 shefat e Shteteve dhe të qeverive, ministrat, komisarët europianë, kur të mblidhen në Bruksel në të ardhmen e afërt, do të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të zgjeruar Bashkimin Europian, jo si gjest për Shqipërinë, por për të mirën e tyre. Ashtu siç kanë vepruar vite më parë për Spanjën që shpëtoi nga frankizmi, për Portugalinë që u shkëput nga diktatura në 1964, për Greqinë që është rindërtuar edhe në sajë të ndihmave europiane, për Rumanië, Hungarinë, Bullgarinë etj. Edhe Shqipëria dhe vendet e Ballkanit mund të kontribuojnë në Bashkimin Europian qysh sot me përparimin e tyre kulturor, ekonomik dhe social. Përfaqësuesit e këtyre vendeve, si dhe media, kanë pohuar më se njëherë dëshirën e pohuar më se njëherë tek një numër burrash shteti, apo politikanësh, parlamentarë europianë. Afishimi i kësaj dëshire nga ana e klasës politike shqiptare, për të marrë pjesë aktivisht në Komunitetin Politik, Ekonomik Europian, është një shenjë e respektit të tyre për vendet europiane që e përbëjnë atë. Në të njëjtën kohë ajo është shenjë e kontributit që mund të japë Shqipëria me qënien « de jure » në gjirin e saj. Një bashkëpunim i tillë i ngushtë do të japë mundësi t’u sigurojë të gjithë qytetarëve në Europë, dhe jo vetëm disa të privilegjuarve, gëzimin e të gjitha të drejtave ekonomike, politike, sociale, kulturore, të njeriut, të daljes dhe hyrjes në Europë, dhe kthimit në vend pa kufizim. Kjo do t’i shërbejë tepër edhe Europës, edhe asaj të menduar nga Shumani, Denis de Rougemont dhe atyre që e aspironin atë. Më lejoni të përmend pak fjalët e Robert Shumanit të shprehura dekada më parë tek libri i tij, botuar edhe në shqip për Europën : « Kjo Europë nuk drejtohet kundër askujt ; ajo nuk ka asnjë synim agresioni, asnjë karakter egoist apo imperialist as përbrenda gjirit të vet dhe as ndaj vendeve të tjera. Ajo mbetet e hapur për këdo që dëshiron të antarësohet …Fryma e vërtetë europiane është ndërgjegjësimi për realitetet, mudnësitë dhe detyrat që na dalin të gjithëve, pavarësisht kufijve, përtej antagonizmave dhe mërive tona » (Robert Shuman, « Në emër të Europës »).
Rruga e demokracisë në Shqipëri, ashtu si dhe në vende të tjera që kanë kaluar stadin tonë, si fqinjët tanë italianë, apo ata grekë, spanjollët, austriakët, portugezët, gjermanët, francezët, australianët, britanikët, sllovenët, hungarezët, çekët etj., nuk është e lehtë. Është e vërtetë se shqiptarët e duan të renë, janë për Europën, por duket se është e vështirë që një pjesë e tyre, qoftë edhe e vogël, të shkëputen nga ato vite të diktaturës. Qeveritë që janë vendosur në këto dy dekada në Shqipëri kanë patur kohë pas kohe probleme, sidomos me nostalgjikët që nuk shohin më larg se drita e tyre e syrit. Harrojnë ata se u rropatën gjithë jetën për të patur një pension qesharak, ndërkohë që pinjollë të diktaturës shijnë me paratë e popullit dhe ndjellin armiqësi në shtypin shqiptar, gjë që ishte e pamundur në kohën e diktaturës, kur opozitarë të regjimit dhe demokratë, shkrimtarë, e pësuan thjesht për një fjalë të shprehur ashtu çiltër për ndryshime edhe në Shqipëri.
Më kujtohet si sot 17 shtatori 1991. Kisha shkuar në Bruksel, si i dërguar i Sekretariatit Ekzekutiv të Komisionit Ekonomik për Europën të OKB-së, së bashku me sekretarin e Komisionit, Brian Duke, një britanik me përvojë shumë vjeçare me organizatat ndërkombëtare. Do ndiqnim punimet e mbledhjes së vendeve të Bashkësisë Evropiane, si edhe të grupit të 24-shes për ristrukturimin e ekonomisë në Shqipëri. Nga delegacioni shqiptar kishin ardhur një zëvëndëskryeministër, Profesor Gramoz Pashko, disa ministra si Genc Ruli, dhe ambasadori shqiptar në Bruksel , Petraq Pojani sëbashku me Agron Agalliun, shokun tim të Fakultetit, njeri serioz dhe tepër i mprehtë, njohës i disa gjuhëve të huaja, por edhe i ndjekjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Ai ishte caktuar të punonte në ambasadën tonë në Bruksel, bashkë me bashkëshorten e tij, Ilirjanën, gazetare dhe njohëse e disa gjuhëve të huaja, përfshirë dhe portugalishten. U çmallën sëbashku. Mbledhja vazhdoi dy ditë dhe unë megjithëse isha në rolin e funksionarit ndërkombëtar, ndihmoja disi mbarëvajtjen e punës së delegacionit shqiptar. Mbledhja kaloi në përgjithësi mirë. Pjesëmarrësit vlerësuan disa hapa që janë bërë drejt demokracisë në Shqipëri, lidhur me pesë kërkesat politike dhe ekonomike kryesore: përparësia e së drejtës, respektimi i të drejtave të njeriut, futja e multipartitizmit, organizimi i zgjedhjeve të para të lira dhe evolucioni drejt një sistemi të ekonomisë së tregut. Në fjalimin e tij gjatë mbledhjes së Brukselit, zëvëndëspresidenti i Komisionit të Bashkësisë Europiane, Frans Andriessen theksoi se Shqipëria ka disa avantazhe: procesi i reformave në këtë vend është shfaqur më vonë ( në krahasim me vendet e tjera të Europës Lindore-shënimi im) dhe përvoja e këtyre viteve të fundit në vendet e tjera ka qënë fitimprurëse; në radhë të dytë, Shqipëria e braktisi KNER-in qysh prej mëse 30 vitesh: ajo nuk ka qënë e detyruar të çlirohet nga ndarja e sforcuar ndërkombëtare e punës; në radhë të tretë, Shqipëria ka patur një zhvillim shumë të ngadalshëm, kështu që ajo mund të fillojë të ndërtojë pa qënë nevoja që të shkatërrojë; dhe më në fund, Shqipëria, duke ndjekur në të ardhmen një politikë të drejtë ekonomike, me një mbështetje të përshtatshme nga jashtë, do të mundë shumë shpejt të arrijë rezultate për të rivendosur besimin. Kur u zhvillua konsulta e Brukselit u hodh mendimi i një marrëveshjeve bashkëpunimi dhe të tregtisë midis Bashkësisë Europiane dhe Shqipërisë.
Që nga ai shtator 1991 kanë kaluar 28 vjet. Gjithashtu po bëhen 28 vjet që më së fundi edhe Shqipëria u detyrua të nëshkruajë Kartën e Helsinkit. Të paktën në analet e historisë të mos mbetej prapa edhe ky vend dhe sidomos populli i tij që ka aspiruar prej kohësh, që nga Skënderbeu për Europën, duke qënë gjeografikisht në Europë, por jo „ de jure“. Të kësaj Europe, tanimë moderne që ka vazhduar trashëgiminë e Greqisë antike, të perandorisë romake dhe të kristianizmit. Studimi i çështjeve europiane më ka shtyrë të gërmoj më tepër për vlerat e individit, lirinë, pluralizmin, Shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe përparësinë e demokracisë. Nuk i kemi njohur më parë, apo më mirë të themi nuk na i kanë mësuar në shkollë figurat e atyre që shkrinë energjitë për Europën, si Denis De Rougemont, Alfred Borel, Jean Monnet, Robert Shuman.
Në shënimet e mia të viteve 90-të, gjej edhe këto fraza : Megjithatë, kapitali kombëtar është jo vetëm i pamjaftueshëm por edhe i ndarë keq. Në veçanti, një pjesë e rëndësishme ndodhet akoma në duart e ish nomenklaturës që përfitoi nga mungesa e legjislacionit përkatës, për të akaparuar pasuritë e popullit. Dhënia e pronësisë kësaj kategorie njerëzish nuk është e pranuar tanimë as nga populli, as nga qeveria e re demokratike. Duhet theksuar se një nga faktorët negativë që pengojnë fluksin e kapitaleve të huaja në Shqipëri është fakti se gjatë më tepër se 45 viteve, investimet e huaja nuk lejoheshin në vend. Domethënë ky është një faktor politik. Ka më tepër se një vit që tensionet shoqërore dhe pastabiliteti politik ishin gjithashtu në disfavor të investimeve të huaja. Tani nuk ka më tensione sociale të dukshme, por pranë kufijve të Shqipërisë, sidomos në Veri të saj, në Serbi ose ish-Jugosllavi, gjendja është e acaruar. Ushëtima e topave dhe vëllavrasjet e dikurshme, hapat luftënxitëse të qeveritarëve në Beograd, godasin akoma edhe projektet e investimit në vendet e Ballkanit, duke përfshirë edhe Shqipërinë.
Njeriu është i ndërgjegjëshëm për pavetëdijen e tij. A mund të pritet që fëmijët tanë të mendojnë një ditë se kanë ardhur në jetë në sajë tonë ? Natyrisht këtë duhet ta meritosh, duke gëzuar respektin e tyre, duke ju qëndruar afër atyre, duke i ndihmuar në rravat e tyre të jetës, pa u imponuar diçka, duke u treguar për paraardhësit, kombin, kulturën, me dëshirën që ata të gëzojnë një jetë më të mirë, në paqe, në harmoni me fqinjin, me shokun, me bashkëkombasin, në Europë… Në këto çaste mendoj: Shqipëria me kanalizimin e të hollave për investime në vend, do të mundë shumë shpejt të kthehet në një vend të begatë me standarte europiane dhe shumica e tyre që rropaten rrugëve të Europës do të kthehen një ditë në tokën amtare. Shqipëria ka një bregdet të bukur, tokën pjellore, minerale. I duhet vetëm të zhvillojë industrinë ushqimore, turizmin, shërbimet, dhe të krijojë lehtësira për investitorët e huaj seriozë, të krijojë infrastrukturën e përshtatshme në këtë drejtim. Mundësitë janë të shumta. Shumë shqiptarë shkojnë e studjojnë tani në universitetet më të mira të botës, për biznes, marketing apo probleme që kanë të bëjnë me ecurinë sociale, ekonomike të Shqipërisë. Por ata duhet të ofrohen që të japin ndihmesën e tyre për vendin. Vetëm kështu mund të ecet dhe t’i jepet rrugë përparimit të vendit. A nuk duhet marrë shembull nga një vend i vogël si Zvicra, gjë që e kanë ëndërruar të parët tanë, Rilindasit. Gjithçka që është realizuar dhe realizohet nga zviceranët vjen nga puna, mundi i tyre. Po të shkosh në muzeun “Alimentarium” në Vevei, merr vesh se zviceranët vite më parë hanin vetëm bukë të zezë, nuk kishin mundësi të hanin mish. Vetëm në sajë të progresit të vendit, të investimit nga ana e banorëve që e përbëjnë Zvicrën, në sajë të marrëdhënieve të shkëlqyera me fqinjët europianë por edhe me vende të tjera të botës, zviceranët kanë arritur një stad zhvillimi të përkryer. Një vend me katër gjuhë e kultura, me temperamente të ndryshme, por kur vjen puna për çështjen kombëtare, të gjithë janë në unison. Unë nuk jam dakord me ata nihilistë e keqdashës që thonë se Shqipëria nuk mund të përparojë, po nuk u bënë ndryshime në mentalitetin e njerëzve. Zvicrën unë e admiroj dhe çdo herë që shkoj tek miqtë e mij të shumtë zviceranë, si dhe bashkëkombas, apo udhëtoj diku nëpër territorin e saj, mrekullohem me ndryshimet galopante që shoh. Por në asnjë çast nuk mund ta harroj vendin nga kam ardhur, Shqipërinë. Nuk mund të harroj atë kafen e mëngjezit aty në restorantin e vogël pranë shtëpisë, ku shpesh bisedoja miqësisht dhe lirshëm me mikun e mirë të tim eti, Xhevat Beqaraj apo me profesorin e nderuar të Historisë së Francës në fakultet, Koli Xoxi, me babain e gazetarisë Prof. Hamit Boriçi, me profesorët e nderuar dhe miq të mij të mirë Ksenofon Krisafi dhe Shaban Murati, me miqtë profesorë që mblidheshim tek Colosseum çdo mëngjez. Nuk mund të harroj ato ditët e bukura, të kaluara buzë detit Adriatik dhe Jon, si dhe Semanit, Vjosës. Nuk mund të harroj udhëtimet në rivierën shqiptare, ditët e bukura të kaluara në Sarandë, në atë mrekullinë e kafes së “Gjuetisë”, në Lezhë, në Valbonën ku u mrekulluan miqtë e mij brazilianë, në Drilon, në Korçën me ato rrugët karakteristike, në Voskopojën e paraardhësve të mij, si dhe atje buzë Gjanicës, në Fierin prej nga e kam prejardhjen nga prindërit. Nuk mund të harroj Apolloninë, ku në fëmijërinë time shkoja shpesh tek të afërmit dhe takoja dhe bisedoja me xha Pilon e Muzeut, por edhe shkrimtarin Jakox Xoxa që shkruante “Lumin e Vdekur”. Nuk mund të harroj lagjen “Liri” dhe “Konferenca e Pezës”, po në Fier, ku jetonin gjyshërit e mij dhe ku kam kaluar çaste të këndshme dhe të lumtur.
Ashtu si dhe për europianët, gjenealogjia është kthyer në një nga argëtimet më të preferuara, edhe për mua është kthyer në një argëtim, për të plotësuar pemën gjenealogjike, të lënë me kujdes nga im atë i paharruar Tuni. Shpesh pyes edhe nënën si dhe motrën time, apo edhe të afërm për emra dhe ngjarje të ndryshme. I shënoj ato me kujdes, për kënaqësinë time. Të ndërtosh pemën tënde gjenealogjike, do të thotë të studjosh gjeografinë, historinë, demografinë, të gjesh kuptimin e fjalëve që janë përdorur nga paraardhësit. Gjenealogjia jep një ndihmesë të madhe edhe për gjenetikën. Mjekët kur duan të kuptojnë marrëdhëniet midis prindërve që janë të prekur nga e njëjta sëmundje e trashëguar, i drejtohen gjenealogjisë që dëshmon në shumë raste lidhjen midis grupeve të popullsisë.
Historia e Europës, e lidhur me atë të vendit tim, Shqipërisë, më tërheq së tepërmi. Kam edhe unë argumenta për t’i bindur bashkëbiseduesit për praninë e Shqipërisë edhe « de jure » në Europë. Me të drejtën e tyre të shkruar, romakët i dhanë Europës rregullat që drejtuan marrëdhëniet sociale. Misionarë të ardhur nga Roma, Irlanda dhe Kostandinopoli përhapën besimin kristian në Europë. Megjithëse kisha orientale u deklarua e vetmja kishë « orthodokse », duke u ndarë nga Roma, dhe megjithëse Reforma u imponua në shumicën e vendeve të Europës Veriore, parimet kryesore të kristianizmit janë të ngjashme për të gjithë kristianët e të gjitha besimeve dhe bazat e moralit kristian njihen kudo. Megjithë shumllojshmërinë e gjuhëve dhe të dialekteve rajonale, njohuritë e filozofëve dhe të shkencëtarëve u përhapën në gjithë territorin europian dhe ndikuan në mënyrë reciproke. Shkrimtarë dhe poetë europianë përdorin simbole që kanë të njëjtat burime: mitologjinë greke, legjendat skandinave, ungjillin që njihet prej shqiptarëve shumë përpara disa popujve dhe kombeve që tashmë janë në Europë. A nuk është e mjaftueshme ajo gjuhë nga më të vjetrat indoeuropiane, si shqipja, ajo kulturë, puna e qindra mijra shqiptarëve që kanë ndërtuar e ndërtojnë Europën prej dhjetra dekadash, a nuk është e mjaftueshme Nënë Tereza, ata guvernatorë e njerëz të shquar të kombit tonë që kanë dhënë për Europën, ato sakrifica të popullit të vuajtur shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo ndihmë që ju dha italianëve gjatë « kapitullimit » të Italisë që u strehuan tek vatrat e shqiptarëve të thjeshtë. E njëjta gjë u bë edhe me hebrejtë e shumtë që gjetën strehë në Shqipëri. Shqiptarët meritojnë shumë më tepër se Karaburuni ku humbën jetën dhjetra njerëz të pafajshëm, vetëm se donin të shihnin diçka tjetër në Europë. Europa është edhe Shqipëria, edhe vendet e Ballkanit, edhe ata popuj që ëndërrojnë të « kalojnë qoftë edhe njëherë kufirin për në Europë », në epokën kur muri famëkeq i Berlinit është rrënuar njëherë e përgjithmonë.
Gjenevë, 6 korrik 2019
No comments:
Post a Comment