Thursday, 4 July 2019

DETI I DASHURISË



Baki Ymeri
HYJNESHA E VETMISË

Ti je hyjnesha e vetmisë
Hëna ime e rrumbullaktë
Që zbret shkallëve me parmakë
Një jehonë që noton
Mbi sipërfaqen e ujërave…
Ti je melodia e një kënge
Drita hyjnore e qenies
Magjike, fisnike, besnike…
Me përkulshmëri të përshëndes
Duke e grishur takimin me ty
Në bibliotekën e ndjenjave
Ku fjala takohet me fjalë

E buzët me buzë…
Ti je drita magjike e vetmisë
Që i jep shije dashurisë…

Dy mijë vjet po të pres
Në Kështjellën e Bukurisë
Me tre milionë banorë
Ku fjalët bredhin të dehura

Dhe askush s’i pret...

 NEKTARI I BUZËVE TUA

Tejmatanë bjeshkëve të larta
Zëri yt vjen si një jehonë
Për shëndetin e shpirtit tim…
Tingujt e zërit tënd si rreze dielli
Trokasin në dritaren time
E më thonë, ja dimri po kalon
Eja ta shijojmë dashurinë
E një nate të shenjtë
Sepse lart në qiell
Himni i pavdekësisë

Për ne po këndon…
Përqafimet e panumërta
Trazojnë epshe të zjarrta
Nektari i buzëve tua
E ëmbëlson mahnitjen
E një padurimi të brishtë…
Fjalët i kaplonte gjumi
Tejmatanë dritareve
Shungullonte lumi
Fotografitë tona
Dremisin duke dremitur
Në albumin e kujtimeve
Që flatrojnë tejmatanë diellit
Për lumturimin e qiellit…



EPOKA E POETIT



Poeti duket si një fëmijë i degdisur

Nëpër etapat e epokës së tokës

Që fluturon në univers...

Shpirti i fjalës së tij e zbulon qiellin

Dhe ik edhe përtej diellit fjala e tij

Të zbulojë ndonjë univers të ri

Me ujëvarë fjalësh e rafte bibliotekash...

Shpirti i tij luan si loti në syrin e fëmijës

Aq plak duket poeti kur mbetet pa fjalë

Saqë asnjë vdekje s’mund ta prekë...

Thonë se janë të çmendur poetët

Por asnjë spital s’ia jep këtë diagnozë...

Gjaku i fjalëve të tij e skuq universin

Dhe vjen pajtimi me faljen e harresën

Fjala e poetit kurdis besimin e shpresën...



DUKE VAJTUR NGA DRITA NË DRITË



Sot dole në dritare ta shikosh pranverën

Është një stinë që ta përkujton dashurinë

Nëna jote duket si një ikonë e bekuar

Mezi arrin deri te porta e shtëpisë

Të të shohë duke ardhur nga mërgimi

Mezi arrin në pleqërinë e saj të bardhë

T’i hapë dritaret t’i kapë rrezet e diellit

Dikur të mësonte të numërosh

Që të bëhesh mbretëreshë e matematikës

T’i ledhatonte flokët e bishtalecat

Për ty mbëltonte lule në saksi

Dhe krijonte aq dritë përreth teje

Saqë kopshti i shtëpisë sate

Dukej si një parajsë me lule

Zogj kroje fontana e puse me ujë

Ku notonin gjestet fjalët e patat...

Kur i shtrije krahët ta përqafosh

Vërtitej bota përreth teje

I luteshe Zotit të jetojë edhe 100 vjet

Të arrish edhe ti në moshën e saj

Për lumturimin e botës me fjalë

E me një lutje të shenjtë:

Ndihmoje o Zot familjen time

Ndihmoji dashamirët e të varfrit

Dhe më ndihmo të ndihmoj të tjerët

Duke vajtur nga drita në dritë...!



TI JE DRITA E SHPIRTIT TIM



Dita fillonte me këngën e gjelave

Rruga ishte e freskët si vesa e agimit

Ti ishe e ngrohtë si drita e dashurisë

Në kujtimet e fëmijërisë zbrisnin sorkadhet

Që i shpërlanin sytë e të përgjumurve

Përfytyrime senzacione formash perfekte

Kujtime intime impresione divine

Ti ishe drita e bekuar e shpirtit tim

Deti për poetin ishte shpirti i Shekspirit

Trëndafili për ty ishte shpirti i Rilkes

Bliri për mua ishte shpirti i Emineskut

Ti kishe në ecje ritmet e hijshme të detit

Fjalët tua i jepnin impulse poetit

Që gjatë mbrëmjeve degdisej

Duke të kërkuar në anijet e hënës

Treni për në hënë priste siluetën tënde

Për ta puthur ajrin që e thith duke më pritur

Atje larg në brigjet e stolisura me hijeshi

Ku blerimi buzëqeshte me shëndetshmëri



MOSHA E ARTË E DASHURISË



Ti vjen si një ylber në gjirin e vargut tim

Fjalët tua duken petale kurse ylberi dridhet

E lëshohet poshtë si një nënë e mallëngjyer

Që e merr fëmijën në kraharorë…

Fjalët tua duartrokasin me kënaqësi

Ndërtesat lëkunden si në kohë tërmeti

Gjethet e pemëve dridhen në kopsht

Së bashku ma fatamorganën në rrugë…

Ti vjen si një ikonë e buzëqeshur

E bukur e ëmbël e magjepsur

E freskët e butë si dielli i mëngjesit

Që i m’vesh fjalët me ngrohtësi…

Gjithnjë të dashuroja derisa  u zalise

M’u zbutën këmbët më thoshe dhe

U bë natë pastaj ditë e sërish natë

Dhe na u kujtua kur takoheshim

Në moshën e artë e dashurisë

Kur iluzionet dëshirat e shpresat

Vinin pranë nesh si një dritë…

Ti vije në mansardën e një vere

Porsi kënga e mullibardhës

Kur kultivonim gjeste lulesh e fjalë

Të huazuara nga trojet e Rumanisë

Për përlindjen e poetikës shqipe

Në trojet e bekuara të shqiptarisë…



FLATRAT E FRYMËZIMIT



Pastaj presim qiellin të zbresë

Mbi pullazin e shtëpisë...

Jo qiellin por anijen kozmike

Një pjatë fluturuese që vërtitet

Me vërtitje e drita multikolore

Që e shndrisin ambientin përreth...

Mendimet vinin me përfytyrime

Zanat të ngashënjenin me përqafime

Fjalët flatronin e nga gjumi të zgjonin

Kujtimin për dashnoren e parë

Në oborr të shkollës ta përkujtonin...

Por koha iku e u mplak

Duke na mplakur para kohe...

Ëndërrimet nusëroheshin

Me meditime e frymëzime...

Nga qielli binin fjolla dëbore

Pleqëria të kapte për dore

Duke e ndarë dritën nga drita

Anija ngjitej përsëri në qiell

E të jepte kuraje të rezistosh

Fjalët e florinjta t’i botosh

Dashurinë e jetën ta përjetosh

Që edhe njëmijë vjet të jetosh...



METAFIZIKA E PËRJETËSISË



Muza e ëndërrimeve tona

Duket si një liqen i thellë

Që shikon përmes pëlhurës së lotëve

Kandilin e dritës në pluhurin e yjeve

Ti je enigma ime zjarr i pashuar

Që digjet nga padurimi

Për ta deshifruar misterin...

Me muzat tona ndjehemi krenarë

Porsi mali përballë detit

Digjemi etapë pas etape

Për t’u shembur një ditë

Në kraharorin e dheut

Që na pret me padurim

Duke mbetur për kujtim

Një mbishkrim me titullin

Këtu prehet Bubullima e Bukureshtit

I lindur për fluturime të larta

Në qiellin e përjetësisë...

Pse më shikon e mahnitur moj zanë

Nuk e sheh se jam në gjumin e përjetshëm

Nuk e dije se të përjetshëm

Mbeten vetëm ata që dashurojnë

Që lexojnë që shkruajnë që botojnë

Që ndihmojnë e luten për të tjerët

Për të mbetur përjetësisht

Në metafizikën e përjetësisë...



ZJARRI I JETËS



Fuqia e mendimeve të shëndetshme

Kërkon moral ideal integritet e vertikalitet

Dhe krijon kushte për t’u bërë mbret...

Duke u ngjitur deri në katin e fundit

Të një ndërtese me dhjetë kate

E them një lutje hyjnore

Duke e lutur Zotin

Të ndihmojë familjen time e shëndetin tim

Dashamirët e mi dhe të varfëritë…

Dhe e lus Zotin të më mbrojë nga i ligu

E të ma japë shansin të fitoj para…

Qesharak duket vargu i fundit apo jo!



Parajsa është vendi më i përshtatshëm

Për shpërblimin e shpirtit në qiell

Ata që s’kanë mëkate Zoti i pranon

Në Lulishten e bekuar të Dashurisë

Mëkatarët i gllabëron zjarri i skëterrës…

Parajsa është një oazë e lumturisë

Me zogj e pemë të ngarkuara me fryte

Peizazhe idilike me përjetime romantike

Luani është rojtar i portës së lindjes

Shqiponja ju mbron nga zullumqarët

Atje në Parajsë ku të pavdekshmit

E përjetojnë lumturinë e përjetshme

Së bashku me ju që keni disponim

Për ta deshifruar misterin e shpirtit tim…



Dhe ja strofa e fundit që duhet të hiqet

Sepse mendimi i papjekur duhet të piqet:

Në zjarrin e jetës vjen drita e së vërtetës

Që na shpie në planete të tjera

Duke na bërë banorë të universit…

Qenka çmendur poeti në mesnatë

Mund të thotë dikush prej jush

Ndaj e ftojmë ta shijojmë

Nektarin e fjalëve që lind duke lindur

Nga rakia e manave apo vera me rrush…



EROTIKË PATRIOTIKE



E shpërlarë me lotët e detit të zi

Je drita ime e re që mbëlton mirësi

Të përkëdhela me fjalë e përkthime

Për afirmimin e shpirtit tënd

Ti ma shpërbleve mundin e ëmbël

Për ekzistencën e emrit tim...

Rezet e diellit trokasin në dritare

Pranvera vjen si një nuse magjike

Që të fton ta shijosh jetën...

Duke u hedhur në valët e trupit tënd

Shtegtoj duke i përpëlitur flatrat

Në qiellin e ëndrrave tua

Të praruara me harmoni stelare...

Në puhinë e butë të pranverës

Fëshfërima e pyllit përlindet

Porsi nusja në ditën e dasmës

Që sjell dashuri e etje për jetë...

Je zana ime me shtat të bilurtë

Notojmë nga drita në dritë

Nga dashuria në dashuri

Por vetëm një gjë ende s’e dimë:

Kush do t’i paguajë gabimet

E Konferencës Ambasadorëve

Duke kërkuar falje moj zanë

Në emër të stërgjyshërve tanë!



SHPELLA E NUSES



Zana më zalisi që në shikim të parë

Në trupin e saj turfullonin

Erëtimat më të ëmbla në botë...

Eja në një vend ku fshihet

Shija delikate e dashurisë

Më thoshte duke më joshur...

Pyetja që parashtrohej ishte

Ku gjendet ky vend i fshehtë

Në tokë nën tokë apo në qiell

Pyetje metafizike apo jo...

Toka ishte një fushë dredhëzash

Me nektarin e mjaltit të dashurisë

Qielli ishte për freskimin e gjinjve

Me rrumbullakësi të përsosur

Dhe vinte e shkonte e vinte

Nëntoka me tërmete të përsëritura

Për ta kërkuar fundin e detit

Me një gamë gjëmimesh të ëmbla

Në shpellën e hulumtimeve natore...

Ishim të verbëruar nga lumturia jonë

Por koha iku papritmas dhe u mplak

Ikën ditët e netët, stinët dhe vitet

Mbetën vetëm kujtimet në kujtesë

Vetmia tashmë dremit gjatë natës

Në shtratin e fjalëve të thinjura

Kujtimet e prekin qiellin e përjetësisë

Porsi lulet e degëve të qershisë…



MËRGIMI I SHPIRTIT



Idetë tona me shpirtin e zmadhuar

Në qosh të botës kanë mërguar

Mendimet ndjenjat përjetimet

Fjalët presin një anije kozmike

Të fluturojë mbi Livadh të Madh

Drejt Staneve të Bjeshkës të arrijë

Në periferi të Parajsës

E shkëputa një orë nga koha jote

Dhe nisa t’i pres agimet

E fshehura pas horizontit...



Çka po dëgjohet në qiell

E pas perdeve çka po fshihet

Po ku je moj zanë trime

Që dritën e fjalëve si një flakadan

E përçon drejt zemrës sime

Idetë mendimet përjetimet

Lumturinë dhe dashurinë

E shpie tejmatanë yjeve

Ku ndoshta na pret Zoti...



PERANDORIA E FJALËVE



Mos jemi vallë do shpirtra të degdisur

Që duam të hyjmë në perandorinë e fjalëve

Dukemi si do fëmijë të lazdruar që kërkojnë

Prindërit, vëllain, motrën, një kafshë të dashur

Një lodër të bukur apo një objekt të humbur…

Ti je perandoria e pakufishme e shpirtit tim

E lindur për miqësi, dashuri e besnikëri

Zanë mali je, hyjneshë e livadheve me lule

Mos ke zbritur nga qielli për të na thënë

Se nga Universi bota duket e brishtë

E mrekullueshme, e bukur dhe e qetë…

Dukesh si një libër që bie nga qielli

E i afrohesh tokës si një vetëtimë

E portokalltë që fërkohet me ajrin…

Fërkimi i fjalëve krijon xixa vezulluese

Dhe vjen e shkon dhe shkon e vjen

Për të na e bërë të ditur të vërtetën

Se kur përplasen dy fjalë njëra me tjetrën

Papritmas e çajnë dheun, e ndriçojnë qiellin

E përlindin botën dhe e mahnisin diellin…

Mos jemi vallë do shpirtra të degdisur

Që i dëshmojmë botës se s’jemi të krisur!



ZËRI I DASHURISË



Zërin e ke sot shumë të bukur

Frymëzimi yt më lumturon

Aureolë drite që vezullon

Një thesar arti që më qetëson

Je një këngë kalimtare e dashurisë

Që e pret prehri i përjetësisë...



Jam varrosur në vetminë tënde

Si një konstruksion drite që shpërthen

Je kënga e parë e botës që shkon e vjen

Me durimin tënd sistemin solar e ndriçon

Fjolla fjalësh bien nga yjet

Për lumturinë tonë në tokë...



Bota është e stolisur me gra

Biblioteka e mbushur me rafte librash

Deri në tavan, madje dhe në tra...

Bari dridhet si shtati i femrës

Që i dëbon maskarenjtë

Në trojet e harresës...



ETJA PËR PËRJETËSI



Jetoj në tharkun e dritës

Me vitalitet artistik

Në muzgun e pleqërisë

Uji ajri e koha rrjedhin

Të të latojnë e zvogëlojnë

Porsi guralecët e lumit



Kështjella e fjalëve

Fsheh në gjirin e saj

Etjen për përjetësi

Fjalët vërtiten përreth meje

Me një buzëqeshje të levarashtë

Me zërin e zemrës që dëgjohet

Deri në trojet e përjetësisë



DETI I DASHURISË



Dëgjoj se si kalon koha

Rrugës së mendimeve të mia

Dhe çdo gjë shndërrohet

Në një çast të gëzuar

Kur të prek frymëzimi i bekuar



Bukuria e saj

No comments: