Thursday, 10 May 2018

Poeti dhe Hëna

(Poemë) 
Nga  Flamur Dalipaj
-Oj ti Hënë që të shoh rrallë,
Po të lutem me kaq mall.
Në qofsh Hëna që kam parë,
Që atëherë kur isha djalë,
Dhe tani që jam moshuar, 
Prej vëndlindjes i mërguar,
Kam një mall, e kam një dert,
Njëmijë vjet dheu s’më tret,
Per atë Grykë në Këlcyrë,
Ku rrjedh Vjosa valëfryrë.
Ndaj dërgomë një rreze drite, 
Në ato vënde ku më rrite.
Në ato shpella, mbi atë lumë
Ku rrjedh Vjosa valëshkumë.
Ku jam kredhur, ku jam larë,
Ku mbi gurë këmbët kam vrarë.
Ku kam bredhur që femijë,
Ku kam lënë bir e bijë.
Moj e verdhë si trëndelinë,
Më dërgo mbi Trebeshinë,
Shi argjendi te kulluar,
Përmbi malin e uruar.
Zbukuroje atë vënd,
Me ngjyrën dhe arin tënd.
Se atje unë kam shtëpinë,
Në një fshat nën Trebeshinë.
Se atje kam nënën time,
Më ka mbetur si jetime,
Djem dhe vajza s’i ka parë,
Nëpër botë të shpërndarë.
Vajzë dhe djalë atje i kam,
Nuk i shoh këtu ku jam,
Ndaj i lutem syrit tënd,
Qe ta shohë atë vënd.
Vëllezrit e mij ku janë?!
Nëpër botë shkuan,vanë.
Përshëndeti ti nga unë,
Urohu shëndet dhe punë.
Ndriji udhën nënës sime,
Se është plakë me mundime,
Se ka mall per bir dhe bijë,
Se s’ka pranë asnjë fëmijë.
Ma ke parë të shtrenjtën nënë?
Më trego mua o Hënë!
A është rrudhur prej mundimit,
A është thinjur prej mendimit.
-E kam parë gati çdo natë,
Te muri përmbi mbi lofatë.
Ndreq shaminë e psherëtin,
E nga rruga sytë i ngrin.
Herë nga fusha, herë nga mali,
Pret e pret t’i kthehet djali.
-Cilin djalë, o Hënë më thua?
Ajo s’më ka vetëm mua.
-Nuk e di, por shpesh derdh lotë,
E me vehte diçka thotë.
Gurët puth, mallin dhe gjënë,
Dhe portretin që ke lënë.
-Hënë, të lutem ma ndihmo,
Jepi ti çfarë do ajo.
Se për të të jap çdo gjë,
Edhe jetën që s’vjen më.
Gruas sime thuaji një fjalë,
Te bajamja kur të dalë.
Lart te bregu sytë ngre,
Të të shohë nëpër re.
Ajo pret një lajm nga unë,
Siç pret ylli në furtunë.
Kur të dalësh ti e plotë,
Fshija sytë, se ka lotë.
Thuaji pra që më ke parë,
Dhe me mua, ti ke ndarë,
Shumë dhëmbje porsi nënë,
Ndaj të lutem ty, moj Hënë,
Nga unë jepi përqafime,
Shumë të shtrënjtës, gruas sime.
Kush më ndih, e kush më do,
Edhe zëmrën kush ma ngroh?
Ajo vajzë dhe ai djalë,
Dhe e imja grua e rrallë.
Se unë di mbrapa ç’kam lënë,
Dy fëmijë dhe nje nënë.
Dy fëmijë dhe gruan time,
Që më pret me mallëngjime.
Unë kam lënë një trim të rrallë,
Mban mburojë edhe pallë.
Shko moj Hënë në dritare,
Ku fle vajza si manare,
Flokëverdhë, fytyrëdëborë,
Zgjate, Hënë, tënden dorë,
Dhe ma merr siç është në gjumë,
E ma sill këtu tek unë,
Sa ta puth se m’u dogj zemra,
Shpjere prapë, se qan e ëma.
M’i thërmo yjet një natë,
Derdh mbi të pluhur të artë.
Lëshoji rreze djalit tim,
Kur të shkojë në burim,
Kur ta çojë gjyshi të marrë,
Një gjym ujë në “Gozhar”.
Sepse është i vogël shumë,
Shkoji pranë kur fle gjumë.
Sillma se kam mallëngjim,
Sa ta puth pak djalin tim.
Thirre qe të të ndihmojë,
Përdor shpatë edhe mburojë,
Dhe nga unë jepi bekim,
E ma rrit e ma bëj trim.
Ndaj dhe mësoje ti vetë,
Të çaj qiellin, të çaj retë.
Të bëhet i fortë e burrë,
Të mos ketë lodhje kurrë.
Hënë, moj, të lodha shumë.
Më ndihmo dhe për një punë.
Hidh ca rreze tek shtëpitë,
Ca te mëni, te ullinjtë.
Hidhi pra rrezet e gjata,
Nëpër vidha dhe lofata.
Hidhi rrezet në çdo mur,
Në çdo ledh e në çdo gur.
Ti që sheh çdo gjë në botë,
Pa shikoje timen portë.
Hidhi rrezet ku do ti,
Dhe më shkel përmbi avlli.
Një cop gur e një grusht dhé
Merr, shpërndami nëpër re.
Se i njoh unë pa mundime,
Gur e dhé nga toka ime.
Ti moj Hënë që çan retë,
Ngjitu pak në të përpjetë.
Lehtë, lehtë dhe me prek,
Fshatin Xhelaj në një breg.
Ku jeton familja ime,
Dhe prindërit e gruas sime.
Rri një natë se të presin,
Pyeti dhe do të të pyesin,
Edhe puthmi që të tërë,
Si vala bregun me rërë.
Pastaj eja këtu prapë,
Më trego, më jep xhuvap.
Si i gjete, si i le,
Hajde shpejt, mos rri mbi re!
Po erdhe pa dalë maji,
Më këput një degë çaji.,
Lart në mal, në Trebeshinë,
Moj e verdhë si trëndelinë.
Kur të shkosh Grykës pa feksur,
Nëpër stane zjarrendezur,
Më këput një degë bliri, 
Nga i “Hijes”, erëmiri.
Edhe hajde shpejt te unë,
Se të pres e nuk kam gjumë.
Obobo, Hënë, ç’më gjeti,
Unë kam varrin e tim eti .
Gjyshin, gjyshen kam atje,
Edhe prehen që të tre,
Te varrezat mbi përrua,
Aman, Hënë, bëje për mua.
Hidhu rrezet mbi çdo varr,
Dhe ndizu nga një cigar.
Flakëroji rrezet ti, 
Dhe ndizu nga një qiri.
Thuaju që i kanë nga unë, 
Aman, Hënë, të lutem shumë.
Atje kam dhe një vëlla,
Shumë shpejt nga ne u nda.
Jo pak, tridhjetë vjet më parë,
E la jetën një vjeçar.
Përkëdhele pra një herë,
Timin, vëllain e mjerë.
Është atje, ndoshta kërkon,
Gjinë e së ëmës që i mungon.
Vallë do ngriheni njëherë,
Që t’ju shoh, se jam i mjerë.
Se pa ju humb e vërteta,
Edhe sterrë më duket jeta.
Çfarë po them kështu dhe unë,
Jam në ëndërr, nëpër gjumë,
Se kështu e ka kjo botë,
Kush me dhëmbje, kush me lotë.
Kush me halle sa më s’ka,
Kush me plagë të mëdha.
Kush ka humbur, nuk ka zë.
Kush ka vdekur, s’kthehet më.
Veç në ëndërr, në kujtime,
Bashkë me ju është jeta ime.
Kur gjarpërin pëlciste vapa,
Unë delja përpjetë për shkarpa.
Bëja dru nga “Brezi i Stanit,”
Ku qante fyelli i çobanit.
Mbi saraje, nëpër ngrica,
Mblidhja dëngun me dunica,
Që të ndizje ti moj nënë,
Zjarr tek vatra që kam lënë.
Pastaj shkonim te xhamia,
Ku mblidhej gjithë djemuria.
Edhe luanim ato lodra,
Që lezet u kishte koha.
Ah, ç’na ikën ato vite,
Si kërpudha që shpejt rritet.
Ato kohëra djelmërie,
Porsi gjethja që shpejt bie.
Ah saraje, prapë ju dua,
S’jeni gërmadha për mua,
Por veç arti i vërtetë,
Frymëzim në ata vjet.
Ah, sa kohë atje i humba,
Nëpër mure për pëllumba,
Nëpër guva, nëpër rrëza,
Ku kërkonim ne thëllëza.
Në përrenj e nëpër luadhe,
Ruanim dhitë te “Pyllë e Madhe.”
Ruanim dhitë anës lumit,
Bënim rrathë tek fusha e kumit.
Në dimër kur binte bora,
Çfarë të hanin dhitë e gjora?
Fusnim sëpatën në brez,
Prisnim ilqe dhe mëllezë.
Bora binte, gjethet ngrinin,
Këmbë e duar na mbërdhinin.
Çlodheshim te rreze e murit,
Ku i thonë “Varri i Kaurit.”
Prandaj ikëm, morëm dhenë,
Si zogu që lë folenë.
Po ajo ne na thërret,
Pret me muaj, pret me vjet.
Lulet thahen, mbijnë prapë,
Ikën dimri bëhet vapë.
Pret foleja jonë e mjerë,
Ta ndërtojmë si njëherë.
Që prapë dielli i vendit tonë,
Ta ndriçojë përgjithmonë.
Ku fëmijët të mos dinë,
Tmerre, klithma, ulërimë.
Po të rriten anë e mbanë,
Si dikur të parët tanë.
Punëtorë e atdhetarë,
Të pa lodhur, të pa ndarë.
Për të bërë një komb të ndritur,
Që të ligjtë e kanë shitur.
Ti moj Hënë, e mira ime,
Ngjitu pak e bëj mundime.
Tek shtëpia ime e parë,
Në Xhanaj, në Dalipllarë.
Se atje unë kam kujtime,
Ku më lindi nëna ime.
Ku më ngrohu vatra e parë,
Dhe ku nxinin ata trarë.
Ndoshta gjej dhe një kujtim,
Varrin e stërgjyshit tim.
Përshëndes Dëshnicën time,
Se atje unë kam kujtime.
Kur të shkosh mbi ato ara,
Pemët që dalin përpara,
Burimet, lisat e gjatë,
Ti me rreze m’i spërkat.
Pastaj hajde ma rrefe,
Atë qiell, atë dhé ,
Se kam dhëmbje, se kam mall,
As i vdekur, as i gjallë,
Jam pa vëndin tim, o Hënë,
Si fëmija qe s’ka nënë.
Edhe shokët gjithashtu, 
Shpesh ndërmënd i sjell këtu.
Një cigar e një kafe,
Kur e pinim ne atje.
Për ata më ka marrë malli,
Por ç’te bësh, duron i gjalli.
Kërkoj shokët gjithandej,
I kërkoj e nuk i gjej.
Pyes vehten i vetmuar,
Zëmërplasur, shpirtcoptuar:
Do vijë koha more shok,
Që një ditë, kokë me kokë,
Ne të mblidhemi atje,
Ku i themi mëmëdhe.
Se tani unë s’di se ku,
Ku jam vetë, ku jeni ju.
Nëpër botë të shpërndarë,
Ç’qe ky fat, kjo erë e marrë,
Që na hodhi pa mëshirë,
Në humnerë e në rrëpirë.
Era fryn e më kërcen,
Ku më lë, ajo s’më gjen.
Në çdo vënd e në çdo breg,
Era e fatit me përpjek.
Dhe tani në perëndim, 
Shumë larg atdheut tim,
Pres me ditë, e pres me muaj,
Që të vij te gjiri juaj.
Jam në Londër, ne Angli,
Fat i bardhë, a fat i zi,
Do më prijë në jetën time,
Plot me vuajtje dhe mundime.
Por ah, qenka e vertetë,
Jashtë atdheut je i shkretë.
Në paç çdo gjë që ka kjo botë,
Pa atdhe qënka e kot.
Kërkoj gurët, tokën time,
Pyjet, të ftohtat burime,
Atë diell rrezear,
Si në dimër dhe behar.
Po kërkoj çdo mal e kodër,
Nënë, baba, vëlla dhe motër.
Por veç nervat i tendos,
Dhe durimi nuk m’u sos.
Po duroj e po të pres,
Sa dhe vdekja, nuk më vdes.
-Mirëseerdhe, o moj Hënë,
Të kam babë e të kam nënë.
S’po duroja duke pritur,
Si fëmija i uritur.
Çfarë më sjell nga Shqipëria?
A u ndale te shtëpia?
M’i pe nënë, fëmijë e grua?,
Më trego, o Hënë mua!
-Prit të shlodhem, se u lodha,
Ku me the vajta qëndrova.
I përshkrova mal e lumë,
Dhe Grykën e bukur shumë.
Dhe shtëpite t’i përshëndeta,
Hodha rrezet dhe t’i gjeta.
Pemët tundën degë e fletë, 
Të uruan ty shëndet.
Edhe gruaja, vajza, djali,
Me mua sipër tek mali,
Mblodhëm çaj dhe trëndelinë,
Në çdo shesh, në Trebeshinë.
Lulet, dhurata nga mali,
T’i bën gruaja, vajza, djali.
Brënda tyre janë të tre, 
Ti i ndjen, por nuk i sheh.
Të puth gruaja, vajza, djali,
Për ty shumë i ka marrë malli.
Unë i putha që të tre,
I urova siç më the.
Kur u ndamë u mallëngjyen,
Që të tre u ngashëryen,
Puthjet, lotet m’i dhanë mua,
T’i derdh faqeve të tua.
Pra, të duan, siç i do,
Po të presin, mos vono,
Se pa ty qëndrojnë ata,
Porsi zogu me një krah.
Të kam sjellë një degë bliri,
Nga i “Hijes” erëmiri.
Një tufë çaj e trëndelinë,
Nga e bukura Trebeshinë.
Një imazh për fëmijërinë,
Gruan, fëmijët, shtëpinë.
-Rrofsh moj Hënë, qofsh e plotë,
Rrezeartë përmbi botë.
Më ke sjellë lajme e gëzime,
Nga e gjithë qënia ime.
Tani zëmrën do ta çaj.
Lëmë o Hënë pak të qaj.
Përmbi çaj e trëndelinë,
Sikur jam në Trebeshinë.
Do qaj për ata që dua,
Që janë melhem për mua.
-“Qajnë burrat” thua ti?!
-Qajnë, o Hënë, ti nuk e di?!
Malli i madh gryen dhe gurin,
Jo më prindin edhe burrin.
Për gjithçka që unë shkrova,
Gjeta forcë, u ngushëllova.
Pastaj mendjen e shpërndava,
Prapë e mblodha, qesha, qava.
Për atdheun tim të mjerë,
Për ato gjëra me vlerë,
Që u prishën përgjithmonë,
Nga të ligjtë e vëndit tonë.
Për ato shpella mbi lumë,
Qaj e qaj e nuk bëj gjumë.
Flamur Dalipaj,  Londër, Maj 2000