Thursday 30 October 2008

Fejesë në Hallouin

Albana Lifschin


tregim

Makina kishte një orë që kishte lënë qytetin. Në sedilien e pasme dy zonja të moshuara po bisedonin reth darkës së fejesës ku i kishin ftuar. Vajza që shpallte fejesën atë natë ishte mbesa e njërës prej tyre, zonjës Suzanë, apo Su-së, siç i thërrisnin shkurt.
- Su, -tha Allis, duke u vështruar në pasqyrën e vogël që nxorri nga çanta meshine, -djali që po fejohet me mbesën tënde, është ai që kam parë një herë tek ty? Ai që kishte një tatu në qafë?
- Jo, jo, ai ishte bojfrendi i vjetshëm i Llorës. Me të nuk ndenji shumë.
- Mama, nuk ishte bojfrendi i vjetshëm, por i tre vjetëve më parë, e nuk ndenji as një muaj me të, ndërhyri i biri, Stivi, që ngiste makinën,-Robit nuk i pëlqente ai djalë për të motrën.
- Po Llora, ç'tha ? - pyeti sërish Allis.
- Llora ndjenji ca kohë e zëmëruar me të vëllanë. Ishte akoma në shkollë të mesme atë kohë. Qe fëmijë. Me Semin u njoh në kolegj.
- Semi është i fejuari?
- Eshtë bojfrendi i fundit. Sot fejohen.
- Eh, atë e di, se prandaj po vemi, tha Allis me zë të ulët sikur po fliste me veten e saj
-Ç'kombësi kanë prindërit e Semit? pyeti përsëri pas pak ajo.
-Gjysmë Italian e gjysmë hebre, si ne,- u pergjigj Stivi duke vënë re në pasqyrën e makinës që të ëmën papritur e kishte zënë gjumi.
- Kush është italiane, e ëma?
……..
-Edhe gruaja e tët vëllai është italiane.
- Ish gruaja e tim vëllai, korigjoi Stivi, i cili ndërkohë pyeste veten se sa kohë kishte mamaja pa e informuar mikeshën e saj të vjetër për ndryshimet që kishin ndodhur në familjen e tyre. I vëllai kishte nja tetë vjet që qe divorcuar me italianen e kishte pesë vjet që qe martuar me bullgaren. Llora atë mbrëmje do kishte në fejesën e saj dy palë prindër.
Të dyja gratë sapo kishin kapërcyer të nëntëdhjetat. Mosha i kishte rënduar ca nga veshët edhe kujtesa u qe mjegulluar. E ëma i linte shpesh mesazhe në telefon që i drejtoheshin vëllait e Stivi bënte punën e sekretarisë telefonike për të.
Makina kishte hyrë tashmë në oborrin e hotelit Radison, ku organizohej mbrëmja. Zonjat e moshuara pasi u ndalën për nja 20 minuta në Ladies's room hynë në sallë. Salla e mbrëmjes ishte ne formë të rrumbullakët dhe në të qenë vendosur tryeza të rrumbullakta, me mbulesa ngjyrë kungulli dhe mbi to peceta te zeza . Në qëndër të tavolinave shportat në formën e kungullit ishin të mbushura me karamele e çokollata..
Llorës s'i pëlqyen pecetat e zeza, por pastaj i shpjeguan që kjo fejesë po bëhej për Hallouin,(A nuk qe kjo dëshira e saj?) kështu që ngjyrat ishin në atmosferën e festës. Madje në tavolinën e çiftit qenë vendosur dy kurora "mbretërore" dhe dy palë syze të stërmëdha me skelet të zi.
Robi, vëllai i Llorës, i ra gotës së kristaltë me pirun që të tërhiqte vëmendjen e të ftuarve. E kishte përsëritur nja tre herë rrugës "fjalën e rastit" për fejesën e motrës duke i thënë se shpresonte që kjo të qe fejesa e saj e parë dhe e fundit.
- Kur isha dhjetë vjeç prindërit më thanë që për ditëlindje do të më sillnin një dhuratë që do ta doja shumë e do të kujdesesha për të gjithë jetën time. Vrava mendjen se çfarë do ishte kjo dhuratë. Kur erdhi fundi i muajit, prindërit në një shportëz më sollën një bebe të vogël. "Dhurata " hoqi nga unë tërë vëmendjen e dashurinë që deri atëherë më ishte dhënë vetëm mua. U bëra xheloz për të. Natyrisht, për "dhuratën" kujdeseshin prindërit deri atë ditë që pashë se motra ime pesë vjeçe kishte lidhur reth qafës një rrip e qe ulur tek shkallët duke imituar konen e shtëpisë. Atëherë e kuptova që ajo kishte nevojë për kujdesin e mbrojtjen time. Motra ime u rrit. I kam njohur të gjithë bojfrendët e saj. Ime motër kurrë s'diti te zgjidhte një për të qënë. Kështu njëri përfundoi me shkelma nga dera e një tjetër nga dritarja. Më lodhi ca motërza, deri atë minutë që në shtëpinë tonë hyri Semi.
Pastaj Robi duke u kthyer nga i fejuari i të motrës përfundoi- Sem, të dua si vëlla, kujdesu për time motër- e me një buzëqeshje të këndshme që u duk sikur i takonte të gjithëve shtoi- Tani ajo është problemi yt, jo imi.
Të ftuarit duartrokitën.
-Sa djalë i mirë, Robi! Sa bukur foli. Pse s'e shoh të shoqen, Ketin? Pyeti Allis.
-Me Ketin ka kohë që është ndarë; tani jeton me një emigrante ruse, shpjegoi Su për të nipin.

Muzika filloi në mes të duartrokitjeve dhe gratë ishin të parat që u turrën në pistën e vallëzimit, ndërsa një pjesë e burrave shkuan nga bari.

* * *

-Për ç'rrip foli Robi pak më më parë? Kur paska dashur ime mbesë të varë veten? Apo e sajoi Robi për ta bërë të motrën më interesante…u dëgjua zëri zonjës Su në një moment, në mes heshtjes e fillimit të muzikës.
Në tavolinën e tyre Hemfri po i përgatiste një pije gruas së tij, Sanit, që kish në krah - gruaja e 60 vjetëve. Qenë martuar menjëherë pasi kishin mbaruar shkollën e mesme. Pati qenë një martesë e lumtur. Sani kishte veshur një bluzë të bardhë me tegela përpara e me një jakë të ngritur që i rrinte e ngrirë pas qafës. Bluza e mbërthyer në mes nga një tokan i madh i binte mbi një fund të gjatë e elegant deri tek thembrat e këmbëve. Me flokët e mbledhura qe i nxirrnin një profil të bukur dhe me pamjen e saj krenare, Sani të kujtonte Katherinë Hepburnin. Hemfri, i bërë në qejf, po tregonte histori nga rinia e tij, gjë që i ndodhte zakonisht në fejesa e martesa. Stivi i dëgjonte me kënaqesi të madhe e qeshte duke bërë komente mbi to.
-Stivi, a ke ndonjë girlfriend ? ndërpreu bisedën gazmore Allis.
-Ç'faaaaarë..? bënte Stivi duke zgjatur veshin në drejtim të Allis, e askush s'dinte të thosh nëse vërtet nuk dëgjonte, apo i pëlqente të mos përgjigjej. Allis u mërzit nga përsëritja e pyetjes e nuk e zgjati më.
Pista qe nxehur nga vallëzimi. Llora rrutullohej mbi takat e saj jashtëzakonisht të larta e qe çudi e madhe se si vajza nuk pengohej të binte.
Stivi u shkëput një çast për t'iu bërë partner vallëzimi një gruaje të përmasave të mëdha
- Sa vjeç u bë Stivi? pyeti Allis mikeshën e saj.
- 52 vjeç.
-Ehë… bëri ajo si të thosh, "kot që e pyeta"
- Nuk e nxis të martohet sepse e shoh që është i lumtur edhe kështu. Veç kësaj, Stivi ka parimet e tij. Ai mendon se gruaja në ditët e sotme e merr burrin për paratë që ka në bankë -tha Su duke iu përgjigjur hamendjes të shoqes së saj.
Gruas së shëndoshë të veshur me pantallona krem të zeza e shall të zi hedhur shpatullave të zhveshura, i kishte ardhur radha të rrutullohej pas Stivit. Çifti kishte ndërruar vendet.
- Kush është ajo grua që vallëzon me Stivin, Su?
- S'e mban mend? Është ish e kunata, domethënë ish gruaja e tim biri, Fredit, nëna e Llorës,
- Oh, po Fredi ku është?
- Ja në atë tavolinën matanë me të shoqen.
Allis u kujtua të verë syzet.
- Ajo biondja është? Pse nuk vallëzojnë?
-Sonja nuk ngrihet. Dhe im bir rri me të.
- Do vete t'i takoj, qenkërka vërtet e bukur.
Dhe Allis u ngrit.
-Fredi, urime për fejesën e vajzës!
Fredi lëvizi nga karrikja pë t'i dhënë dorën gjithë mirësjellje mikeshës së vjetër të mamasë. Dhe pastaj i prezantoi gruan e tij. Bullgares iu bënë dy brima në faqe.
-Paske grua shumë të ëmbël- tha Allis,-po pse s'dilni të vallzoni? -A vallëzohet në vendin tuaj? i u drejtua ajo gruas së re.
-Po, tha bullgarja, por mua shpesh herë më pëlqen të qëndroj spektatore. Edhe kështu më shijon.
-U vjen keq të ulem pak këtu me ju? Fredi i bëri vend.
Në mes të atyre që vallëzonin, binte në sy nje çift i pashëm. Gruaja qe një aziatike elegante.
-Ai është daja i vajzës sime, Llorës, - shpjegoi Fredi. Të kujtohet Alberto? Kurse ajo është gruaja e tij koreane. Nga martesa e parë me italianen, Alberto ka dy fëmijë.
- Po ish gruaja jote, që vallzon me tët vëlla, ku e ka burrin?
-Ai është këtu në tavolinën ngjitur me ne, u përgjegj Fredi duke i bërë një " haj ''me dorë atij që i kishte marrë gruan tetë vjet më parë.
Në kurriz të ish gruas së Fredit e cila po i nxirrte ujin e zi pistës, kërcente rrok nje grua e gjatë dhe e hollë. Edhe ajo kishte veshur pantallona krem të zeza.
-E di se kush është ajo? Ajo është nëna e dhëndrit tonë, Semit. Po kërcen me të birin, atë më të voglin.
- Po i shoqi cili është?
-Deri tani sikur s'ma kanë zënë sytë. Duhet të jetë në bar. Janë të divorcuar…
-Oh, sa interesant! Më duket sikur po jetoj në një shoqëri hallouine! ia bëri padashur Sonja dhe futi kokën nën tavolinë sikur i ra diçka. Qe penduar në çast për fjalët që tha.
- Shumë çifte të divorcuar ka në këtë sallë, ë? -foli Allis, duke nxjerrë jashtë mendimin që tradhtoi Sonjën.
-E dashur, në kohën tonë, kishte vetëm një martesë- nisi të tregojë ajo, si për të rregulluar tablonë në sytë e bukuroshes nga vendet e lindjes- Nuk di sa dashuri mund të bëhej jashtë shtëpie, por martesë kishte vetëm një dhe një palë fëmijë. Këtu, sonte, ata pak që kanë mbetur gjallë nga gjenerata jonë kanë sjellë gratë e tyre me vete, si Hemfri. Ndërsa shiko…nipërit tanë kanë nga dy palë prindër, në mos tre palë. Eh, edhe ime bijë, para se të merrja rrugën për Nju Jork, më njoftoi në telefon që kishte vendosur të ndahej me të shoqin. "Më sjell probleme, mama,- më tha- në vend që të më sjellë para", e mbylli Allis, duke bërë një shenjë si për t'u thënë që do të kthehej tek tavolina e saj. Karrigen e Allis e kishte zënë një grua flokëbardhë, që qe shtruar në bisedë me Suzanën.
-I bëri të 80-tat- Harri?
Qe fjala për kunatin e Su-s.
- Po, i kaloi.
-I ri është, më i ri se ne. Nuk është plak.
-Kam nëntëdhjetë vjet që pres të zëvendësohet kjo fjala "plak" në fjalor , po s'e kanë gjetur akoma, tha zonja Su me një pakënaqësi krejt të hapur. Javën që shkoi, mjeku im më quajti " plakë e vogël e simpatike". Kujtoi se më përkëdheli. I marri!
Në mes të pistës, gratë kishin rrethuar të porsafejuarit. Mbi tavolinën drejtkëndëshe të çiftit, kishin mbetur këpucët me taka të larta të Llorës dhe kurora e mbretit të Hallouin-nit!

Koka e Gruas

Tregim nga Ramiz GJINI


Unë nuk e kisha pas ditur, që doktor Ernest Martini kishte një dashuri kaq të madhe për artin.

Kur hyra në shtëpinë e tij u befasova me ambjentin e krijuar aty brenda, sepse pa zënë në gojë zbrazëtinë që krijohej nga mungesa e objekteve, - nuk kishte aty as bufe, as dhomë gjumi, madje as frigorifer - nuk pashë asgjë, që ka të bëjë me fushën e mjeksisë. Pashë vetëm piktura në akuarel, vizatime me laps, portrete skulpturash në allçi, gdhendje në mermer si dhe një mori rrangullinash të vogla interesante prej porcelani e bronzi, të shpërndara gjithandej nëpër shtëpi.

E para gjë që më vajti në mend, ishte që ky mjek fare pak i njohur, me një dashuri të madhe për artin, - që ç'është e vërteta i kish prishur fort punë në lidhje me profesionin e mjekut, - duhej të kishte një rreth të madh shoqëror artistësh të të gjithë llojeve të artit. Sepse nuk mund të kuptohej ndryshe fakti, që shumica prej punimeve, që ai mbante të vendosura me kujdes gjithandej nëpër ambjentet e shtëpisë së tij, qenë fort të veçanta, dhe për më tepër, nuk gjendeshin në treg. Por nuk qe ashtu, sepse më pas do të merrja vesh, që Ernest Martini, ishte një vetmitar që e kish pas braktisur shoqërinë që para pesëmbëdhjetë vjetësh, kur qe larguar nga bangat e shkollës e qe martuar me Agnesa Pogonin, një vajzë fshati, nga ata që u vjen bukuria vetëm ditën e nusërimit dhe nuk u mban më shumë se një muaji mjalti.

Sapo i rashë ziles, ndjeva nga brenda një zhurmim të lehtë hapash, dhe kur u hap dera, u shfaq para meje një grua e zakonshme, për të mos thënë e shëmtuar, që më ftoi të hyja brenda me një gjysëmbuzëqeshje të shtirur, ndërsa bëri me dorë duke më kujtuar, që para se të shkelja mbi një tapet ngjyrë bezhë dalëboje, të hiqja këpucët.

Ernest Martini më priti i ulur në një kanape të vjetër, ndërsa në dorë mbante një libër të një shkrimtari të madh rus të shekullit të tetëmbëdhjetë, që unë të them të drejtën, pa qenë nevoja të fryhem, e kisha kaluar nëpër duar gjatë moshës së adoleshencës.

- Ku humbe, miku im i mirë?! - pyeti ai, dhe, pa luajtur aspak nga vendi, - këtë unë e mora si shenjë afiniteti, - zgjati dorën drejt meje si të deshte të merrte mbi tavolinë një faturë të vonuar elektriku.

Pastaj bëri me dorë, që të ulesha përballë tij, dhe, pasi u rehatova disi, - aq sa ç'mund të rehatoheshe në një kanape si ajo, - që të dy, ndjemë si u bëmë qesharakë, sepse na iku goja. Nuk mundëm të çelnim bisedë me nga një fjalë të zgjedhur, nga ato që në shumicën e rasteve, si për dreq, ndodh të dalin budallallëqe me brirë.

Sepse, që të dy, në të njëjtën kohë i thamë njëri-tjetrit "Sa mirë, që u takuam", dhe sërish, që të dy, ia dhamë gazit për këtë përplasje mendimi prej koti, që i dha të kuptonte gruas së tij, Agnesa

Pogonit,(kishte mbajtur mbiemrin e saj të vajzërisë), se miqësinë tonë, nuk e mbante gjallë vetëm koha e lume e viteve të shkollës, por edhe budallallëku ynë i përbashkët.

Si hymë në bisedë nuk patëm të ndalur: u pyetëm për shëndetin, punët tona të përditëshme, të ftohtin e atij dimri, që nuk mbahej mend ndonjëherë; ai foli për hallet e tij, që s'kishin të sosur, unë për punën e biznesit tim të mbarë; pastaj të dy për jetën në përgjithësi, që nuk qe më ajo e viteve të shkollës, të cilat i kujtuam pastaj me shumë mall.

Gruaja e tij, Agnesa, para se të sillte atë kafenë e shpifur, që e kish pas bërë të shurdhër si lëng gështenjash, më qerasi me disa ëmbëlsira petashuqe, që tha se i kish pjekur vetë dhe që unë, pasi i hëngra me shumë zoritje, sepse nuk më pëlqyen fare, ia ktheva se qenë fort të mira. Dhe nuk bëra hiç mirë që ia futa kot, sepse ajo, si për bela, vajti andej nga kuzhina e solli edhe disa të tjera.

Pas kafes, Ernest Martini u ngrit, më tha ta ndiqja pas drejt studjos së tij të madhe, ku kalonte kohën e lirë duke u ushtruar në artin e skulpturës.

I pashë me vëmendje punimet e tij prej argjili e mermeri, dhe kur sytë më vajtën në disa fletë albumi të ngjitura nëpër mure, kuptova, që shumica prej tyre qenë imitime të skulptorve të njohur, kryesisht amerikanë. Mbi tryezën e madhe, qëndronte një imitim i keq i papërfunduar, i cili quhej "Shqiponja dhe gjarpëri" kopjuar nga William Skillin Shop; pastaj mbi syprinën e një komoje mezi njoha "Krishti i kryqëzuar" nga Jose Rafael Aragon dhe si bëra një rrotullim, diku pranë derës, sytë më zunë "Penelopa" e Franklin Simmons dhe krahas saj edhe "Skllavja greke" e cila, nëse nuk gaboj, i përkiste më duket një far skulptori të quajtur Hiram Poëers.

Ambjenti qe i pisët, si në të gjitha studjot e atyre skulptorëve të patalentuar, ku përpjekjet e dështuara, përftojnë gjithandej veç imitime bajate, pllanga balte e shtresë pluhuri mbi dysheme. Me këtë mendim do të kisha dalë nga studjo e tij, për të mos u kthyer sërish kurrë më aty sikur Ernest Martini të mos kish hapur derën e një musandre dhe të mos kish nxjerrë prej aty një kokë gruaje, e punuar në mermer, që më la pa mend!

Në herë të parë, më shkrepi në kokë mendimi, që miku im i vjetër, nuk qe veç një amator i artit të skulpturës, por qe edhe një koleksionist i thekur, të cilit, ndoshta fati i pat shtënë në dorë një vepër kaq të rrallë. Por kisha gabuar, sepse kur Ernesti çeli gojë, do të më habiste pa masë fakti, që ajo kokë gruaje, qe punuar pikërisht prej tij para pesëmbëdhjetë vjetësh, pa patur parasysh asnjë model të huaji. Qe një kryevepër e rrallë, e veçantë, që nuk ngjante me asnjë tjetër, madje edhe sot, ende nuk arrij të kuptoj si ka ndodhur, që një amator arti si Ernest Martini, madje, - kërkoj ndjesë, që detyrohem ta them hapur,- me një mungesë të theksuar talenti, të mund të realizonte një punim të tillë.

Megjithatë, i lëshova pe mendimit, që ndodh nganjëherë më të rrallë, kur njeriun e pushton për pak kohë një ndjenjë sublime, ndonjë frymëzim i madh, që e ngre atë gjer lart në fron të perendive. Ndryshe nuk ka si kuptohet, - po e them edhe një herë, - që një mjek i shkolluar, që e ka pas dashur shumë profesionin e tij, që nuk ka rënë kurrë në dashuri me ndonjë bukuroshe, dhe për arsye ende të panjohura, është shtrënguar të marrë për grua një vajzë firifiu fshati si kjo, që mban në dorë një pjatë me ëmbëlsira petashuqe e vjen vërdallë nëpër shtëpi si një shitamendëse, të mund të krijojë një vepër kaq të bukur.

E mora në duar atë kokë gruaje prej mermeri të bardhë dhe ia ngula vështrimin si i babëzitur, i bindur se qe një arritje e rrallë, dhe sa më gjatë e vështroja, aq më shumë bindesha për këtë.

Pata një dëshirë përvëluese, një dëshirë që ta kisha për vete atë kokë gruaje, por para se t'i bëja një propozim të tillë, duhej të sigurohesha nëse Ernest Martini, bashkë me gruan e tij, që vazhdonte të sillej nëpër shtëpi si një patë hutaqe, ta dinin vërtet vlerën e kësaj kryevepre. Sido që u befasova, m'u desh ta përmbaja veten: u hoqa kinse po e vështroja si të qe një kokë gruaje e zakonshme, madje më e zakonshme se koka me flokët e pakrehur të gruas së tij, Agnesa Pogonit, që jo vetëm s'të ngjallte dëshirë ta shikoje, por, - sërish jam i detyruar ta them drejt dhe hapur,- të fuste krupën kur e shikoje me atë trup të dobët si skelet, me rrobat, që i rrinin si të varura në një goxhdë të ngulur në mur.

I qofsha falë Ernest Martinit, por të ishte për mua, për njëmijë vjet nuk do të isha martuar me të.

Si ta kishte rrokur mendimin tim, Agnesa Pogoni e hodhi fjalën rreth gruas time, të cilën ajo, se kish parë e takuar kurrëndonjëherë. Duke u përtypur, pa i ngritur sytë asnjëherë nga pjata me ëmbëlsira petashuqe, ajo pyeti gjatë e gjatë për të, nëse kish kryer ndonjë shkollë dhe nëse punonte në ndonjë punë për të qenë.

Me mendjen gjithnjë të përqëndruar mbi atë kokë të bukur gruaje të punuar në mermer, i thashë shpejt e shpejt se gruaja ime quhej Malvina, se pat mbaruar universitetin si ekonomiste dhe se punonte në Kryeministri. Pastaj, keni parë ju?! Pa pik takti, gruaja e botës deshi të dinte sa vjeç ishte Malvina ime, dhe unë, i inatosur, që më doli në shteg në këtë far feje, i thashë jo pa mburrje, se në fakt, qe njëzetetetë vjeçe, por në të pamë, rreshtohej me ato lloji grashë, që duken shumë më të reja nga ç'janë në të vërtetë.

Pikërisht atë çast, ra një gong tri herë, gruaja e mikut tim u kujtua për byrekun, që afërmendsh tashmë duhej të qe pjekur, futi shpejt ëmbëlsirën e fundit petashuqe në gojë, dhe u nis të fikte sobën.

- Të pëlqen? - pyeti Ernesti, ndërsa bëri me kokë nga koka e gruas, që mbaja në duar.

- Po, - thash unë me një puqje të mekur buzësh.

- As vetë nuk arrij ta kuptoj si pat dalë kaq e bukur, - tha ai. Dhe si të kish kuptuar, që ndodhesha në prag të një kërkese të pakëndëshme, u ngut e shtoi:

- Jam i bindur, që nuk mund ta ribëj kurrë më.

- Jo, - kundërshtova unë, - Ju mund ta ribëni sërish, derisa e keni bërë njëherë.

Dhe duke e parë drejtë në sy e pyeta:

- A jemi miq ne të dy, Ernest?

- Përse ma bën këtë pyetje pa vend, - tha ai paksa i prekur. - Jemi dhe do të mbetemi dy miq të mirë.

- Atëherë, ma fal mua këtë kokë gruaje.

Ernest Martini u zu ngushtë. Rrotulloi sytë si të deshte të gjente fjalën më mohuese, bëri një gjest, si për të treguar, që sapo e kisha shkelur në kallo e tha:

- Kërko diçka tjetër, të lutem... Këtë s'ta jap dot, më beso.

- Përse? - ia bëra unë, dhe, pas kësaj pyetje, u ndjeva njeriu më leshko në botë.

- Kam arsye të forta, sentimentale, për të cilat, nuk e gjej me vend të shprehem.

- Edhe mund të paguaj diçka, nëse nuk... Le që nuk ke pse fyhesh. Ne jemi shokë të vjetër; mua më ka ecur biznesi këto kohët e fundit dhe ti ke nevojë për ca para. Kjo është e gjitha. Po të afroj dy milionë lekë për këtë punim në mermer të bardhë. - përfundova unë me sytë gjithnjë nga dera e kuzhinës, gjithë frikë se mos vinte e shoqja e tij shëmtaraqe.

Por ai, si ta kish kuptuar shqetësimin tim, i bëri zë së shoqes, që të vinte pranë nesh, dhe mua, sërish m'u pështiros kur e pashë atë grua të vinte duke tërhequr zvarrë ato shapkat e grisura, e duke përtypur mbi pjatën e rimbushur ëmbëlsira të tjera petashuqe. Ia pashë supet e ngushta si të një fëmije, sytë gjysëm të perenduar me një pamje të mjegullt, gjoksin e vdjerrur dhe shpinën paksa të kërrusur, që i jepte atë pamjen e një pate të plakur e të hutuar. Dhe sërish pyeta veten, se si kish qenë e mundur, që Ernest Martini, gjith ai far djali me shkollë të lartë, e kish dashur këtë grua e qe martuar me të. "Budallai, - thashë me vete kushedi për të satën herë, - vërtet, që është një budalla i shkundur ky Ernest Martini,- sepse unë, as sytë nuk do të kisha denjuar t'ia hidhja e jo më të martohesha me të.

Agnesa Pogoni erdhi aty me një buzëqeshje disi të fshehtë në buzë. Dukej se e kishte dëgjuar bisedën tonë, sepse u drejtua nga i shoqi e tha:

- Jepja, Ernest, mos e zgjat. S'ke ç'i bën. I ka rënë qejfi në të.

- Ti e di, Agnesa... Se si më vjen... E pata gdhendur në një kohë tjetër, që tashmë ka marrë arratinë, nuk kthehet kurrë...

- Mos u merakos shumë, shpirt... të blejmë diçka për të qenë me ato para dhe të mbushim shtëpinë.

Ernest Martini u kthye nga unë, deshi të thoshte, që ajo kok gruaje e punuar në mermer të bardhë, këtej e tutje do të ishte imja, por pashë t'i ikte goja nga një dhimbje e thellë, e fshehtë, që e bëri pastaj, të kthente shikimin e syve të përlotur në anën tjetër.

I plotësova aty për aty një çek prej dy milionësh, e futa me kujdes atë kokë të rrallë gruaje në një thes dhe pa ia varur gruas së tij, që më ftonte të rrija edhe ca për të ngrënë byrekun e sapodalë nga furra, i përshëndeta e dola. Por, në çast u kujtova, u ktheva në beft dhe sa për ta ditur, e pyeta Ernest Martinin, e kujt qe kjo kokë gruaje e punuar në mermer të bardhë.

- Është ime shoqe, Agnesa, para pesëmbëdhjetë vjetësh, - tha ai

Wednesday 29 October 2008

Kur skuqen sytë jeshile



Fatmir Terziu

Librin që kisha në duar e lashë mbi raft. I kisha lexuar 10 a 15 faqe të tij. E ndërsa lexoja sytë më kishin mbetur nga ora. Mezi prisja atë takim. Ishte një takim që kishte kohë që projektohej. Djem dhe vajza të panjohura do të bënin shoqëri mes tyre vetëm për disa orë. Lidhja ishte nga Faceboock. Ishte një lidhje që nisi krejt papritur. Krejt papandehur. Dhe kur ora bashkoi akrepat në një pikë unë kisha vetëm këpucët për të lidhur. Ime shoqe ishte në punë dhe unë seç ndjeva në çast. Në vend të puthjes së saj të zakonshme ndërsa hapja derën, një puhizë e lehtë më flashtoi fytyrën time të butë e të saporruar. Fytyrëbutë! Sa do ti pëlqente kjo butësi sime shoqeje, - thashë me vete, dhe bëra hapin e parë nga dera kryesore. Pas një orë udhëtimi isha thuajse në vendin e takimit… Pashë orën. Ishte në kohën e duhur. Kisha mbëritur tamam në kohë. Prita dhe pak dhe prapë instikti me orën. Sytë dhe ora ishin më të dashuruarit e atij çasti. Ai çast i shumëpritur, ah ai çast. Ç’po ndodhte?

***
“Është një emocion që e kanë provuar të gjithë: presioni i gjakut rritet, rahjet e zemrës shpejtohen, dhe adrenalina lëshohet në trup. Xhelozia, është emocioni njerëzor më i fuqishëm dhe më i dhimbshëm. Është edhe emocioni që është më i vështirë për tu kontrolluar. Më tej, është verifikuar që femrat e kanë më të vështirë për të kontrolluar ‘kafshën me sy jeshile’”,- kujtoja fjalët që kisha lexuar në atë libër. Aty fliste një personazh i çuditshëm, Sibri.
Sibri fliste e shpjegonte në të tijën. ‘Therapy Louge’, ka vështruar një rritje të pesëfishtë në vitin e fundit për numrin e femrave që kërkojnë ndihmë me gjëndje të lidhura me xhelozinë dhe urrejtjen. ‘Ato janë të frikësuara se partnerët e tyre do ti lënë’,-shpjegonte ai në atë libër. ‘Teknologjija po shkakton shumë probleme, sidomos faqet ‘çatrooms’ në internet, kanë bërë mjaft prapësi në këtë drejtim, - ishte fjala e autorit të librit në gojën e tij. Unë isha mbështetur në njërën dorë dhe tjetrën gati-gati e kisha zhytur thellë e thellë mes flokëve të mija të dendura e me të më dukej sikur po mbaja krejt peshën e kokës.
Më tej vazhdimi i leximit të mendimeve të Sibrit më bëri të pozicionohesha duarkryq. “Xheni, hyri me pasuordin e të dashurit të saj në Facebook, kur ajo nuk mund të mbante më xhelozinë. ‘Ai shkoi me disa shokë diku për një fundjavë, dhe kur u kthyen, njëri prej shokëve të tij tha se kur ata ishin larg, ato takuan një grup vajzash.’ ajo më shpjegoi mua, thoshte Sibri dhe më pas sillte fjalën e saj që është rregjistruar e tëra në veshët e mi. ‘Ai dukesh sikur po mbante diçka sekret, ndoshta sepse e dinte çfarë do të thoja po të më tregonte. Isha shumë e inatosur, dhe kur ai ishte duke gatuar, unë kontrollova kompjuterin e tij dhe gjeta thirrje nga këto vajza për ‘miqësi’ në Facebook në email-in e tij. Unë i fshiva email-at dhe nuk i lashë për thirjen të përgjigjet. Mendoj se ai kujton se ato u zhdukën, sepse kompjuteri kishte ndonjë problem. Ai nuk më pyeti mua se çfarë ndodhi me to, kurë.’

***

Isha përhumbur nga tregimi i Sibrit për Xhenin. Kisha takuar femra që shpesh kontrollojnë detajet e bankave të partnerëve të tyre për të parë nëse ata kanë blerë lule ose kanë ndenjur në ndonjë hotel, por këtë kurrë se kisha menduar. Por e shumta e këtyre femrave kanë probleme me vetëvlerësimin,- kisha lexuar diku. Me Rudin tim, s’besoj të ketë qenë ndonjë arsye. S’besoj ajo të ketë patur ndonjë hije xhelozie. Dhe ndërsa mendoja në këtë mënyrë, sillja nëpër mend ditët kur u njoha me të.
Rudi më tha ‘po’ para kinoklubit “Metalurgu”. Ishte e djelë pasdite dhe rrugën nga Parku “Rinia” deri tek Qëndra Biblike e bëmë gati me gishtat që vlonin nga shtrëngimet. Faqet na ishin bërë prush të dyve. Aq sa kur i dhashë të puthurën e parë mu duk sikur më përpiu flaka të tërin. Që nga ajo kohë ajo ishte përhumbur mbas syve të mi të jeshiltë, ndërsa unë nuk rrija dot edhe një sekondë pa të. Puna dhe orët e saj më dukeshin muaj ndonjëherë, aq sa edhe isha bërë bezdi kur e vizitoja në orar të punës. Të tjerët më quanin xheloz. Edhe Rudi madje kishte filluar të mendonte kështu më vonë. E ndërsa kaluan disa vite, e kundërta po ndodhte. Rudi diçka shfaqte. Shpeshherë bëhej e bezdishme në pyetjet e saj. Por unë kur nuk mendoja se ajo tashmë kishte ndonjë xhelozi në mendjen e saj. Qëkur ndodhi që unë të punoja në Universitet, teksa dëgjonte lajme të ndryshme në media, kjo gjë u bë më e ndjeshme tek ajo. Rrinte dhe shpikte ndonjë arsye. Edhe kur unë duhej të isha pasditeve në ndonjë konferencë, apo referencë ajo do të lutej që të mos merja pjesë, duke më detyruar të bëhesha edhe gënjeshtar.
Atë ditë ndodhi ndryshe. Kisha për të ndjekur një sesion shkencor, por me thënë të drejtën edhe doja të shkoja, edhe s’doja. Doja se ishte një sesion shkencor me vlerë për letërsinë, por s’doja se përkiste pikërisht me ditëlindjen e Rudit.
“Ik”,- më tha, “ik i dashur”.
“Po, ti ke ditëlindjen, dhe ne kemi vendosur të …”
Ajo zgjati duart drejt meje, më mori ndër duar dhe më ngjeshi aq shumë në gjoksin e saj, sa gati donte të më përpinte të tërin. Pastaj ndjeva buzët e saj të buta e të nxehta që më lanë ashtu për minuta të tëra nën pushtetin e saj.
Ashtu u bë. Lashë shtëpinë menjëherë dhe u gjenda në universitet. Ndoqa sesionin shkencor, mbajta shënime dhe u ktheva në shtëpi. Kur u ktheva time shoqe e gjeta pranë tryezës. Çdo gjë ishte gati për festë. Festuam gjatë. Aty nga ora dymbëdhjetë e natës i thashë të kontrolloja emailin, por ajo nuk më la. Dhe kështu unë nuk arrita ta kontrolloj atë.
Ditës tjetër sytë e mi shihnin kuqëremtë. Pija kishte kryer misionin e saj. Ndjehesha i lodhur. I dërmuar. Ecja për tek takimi me kokën turbull. Ajo që ndodhi më bëri të kuptoja se ç’është xhelozia. Kuptova që ime shoqe kishte arsye që s’më la të mos e shihja emailin. Ndoshta kishte të drejtë. Unë i kisha fshehur asaj këtë takim pa lidhje.

***

Kur u ktheva ajo sapo kishte lënë vaskën. Ende me flokët e lagura ishte në cepin e paradhomës dhe shihte nga pasqyra. Unë me majat e gishtave hyra në paradhomë dhe sa bëra më tutje drejt saj, ajo u kthye menjëherë dhe ashtu fytyrëqeshur më pa drejt e në sy.
“Sytë ende të janë skuqur, duhet të pushosh”,- më tha.
Ndërsa unë bëra një sy andej nga kompjuteri dhe pastaj nga libri, para se t’ia ngulja sytë asaj. Se ç’ndjeva në çast. Aspak nuk mendoja për atë takim. Ishte thjesht një ëndërr, që s’duhej kujtuar.

Vlerat që u ikin dhe u vijnë ngjyrave



Fatmir Terziu


Ndoshta s’do të ishte me vend të nisnim nga ngjyrat. Por ngjyrat janë ato që në heshtje flasin dhe tregojnë më shumë. Tregojnë për situatën. ‘Flasin’ për ngjarjen, ndodhinë dhe pretencën nga ku autori merr sinjalin e parë. Tek të tre tregimet e autorëve, Lifschin, Gjoza, Lekaj, përkatësisht “Megi”, “Falja” dhe “Një mbrëmje brilante”, ngjyrat janë një ndjesi e elementit përbërës, të përfshirë në detaje. Tek tregimi i Lifschin është “ngjyrë vishnje” (fustani i Megit), tek tregimi i Gjozajt është e zeza “një dem i zi” dhe tek tregimi i Lekajt shihet së pari “në blunë e syve të Silvës…”. Por të tre këto ngjyra urdhërojnë kuptimin e tyre në të tre tregimet në veçanti. Ata analizohen sipas vlerave që ata marrin nën këtë kompleks kuptimesh. Pa marr përsipër që të analizojë të tre në një kohë rekord në këtë koment unë mjaftohem vetëm me përcaktimin e tyre. Një analizë e detajuar kushton kohë gjithsesi. Si parantesë unë do të lehtësoja këtë duke lexuar Sacian Bercovitch në librin e tij “Historia e Kembrixhit për Letërsinë Amerikane: Vëllimin e tretë, shkrimi i prozës 1860-1920”.

***
Kësaj rradhe tregimi i Gjozajt vjen më ‘ngacmues’. I tillë që në titull. Që në titull me një nënkuptim tejet të qartë. “Falja” mbijeton me një lloj emocioni që në hyrje. “Falja” krijon atë harmoni detajesh që nën paralelizmin figurativ zbritës, ngjeshen ngadalë në mendjen e lexuesit si një ritëm poetik. Kjo është proza që lirshëm konfigurohet dhe rëshqet qetë e qetë për tu kuptuar e admiruar. Zbulimi mjeshtëror i protagonistit, përshkrimi i tij, situatimi i qenies, gjendjes, prezenca e një kufome që “mbante të varur në qafë një lahutë që pikonte gjak” dhe shkallëzimi ‘një dem i zi, një cjap, një lopë larushe dhe një grigjë rude” janë një arsye më tepër për të fuqizuar këtë ngacmim. Më tej është arma dhe e shtëna e saj, po aq edhe piskama e një tjetri. Në gjithë këtë ‘ngacmim’ figuracionesh të dendura prania e zërave tipike, zhurmave që shënojnë nëkuptime, bëhet ekuivalente me detajet që shoqërojnë në hyrje tregimin. Duke kuptuar se e shtëna e pushkës shënon një arsye për tu përqëndruar, që sipas zakonit të vjetër të zonës për të cilën shkruan autori, kryen lajmëtarin e zi dhe po aq edhe piskama është një lloj kuje për të vdekurin që ai ‘burrë shpatullan me mjekërr gjer në brez” e mban “të hedhur mbi kurriz”. Piskama nuk është i vetmi motiv që sjell ndriçimin e plotë të situatës, pasi atë autori e realizon me mjeshtëri që në hyrje, por kjo piskamë është një arsye më shumë për të siguruar identitetin e protagonistit, Cup Lin Delia dhe viktimës Kin Kro Karmen dhe po aq për të shënuar se falja vjen në lugje si një oshëtimë për ‘të nëntë bjeshkët e grykës së Mugut”. Dhe natyrshëm përcaktimi i së dielës dhe përkimit të saj me festën e ‘Shën Antonit” nuk përjashton atë që duhet sqaruar, por rishtaz intrigon më shumë ‘ngacmim’ për të mos u mjaftuar me aq sa di dhe kuptuar nga hyrja.
Dalëngadalë ky lloj ‘ngacmimi’ letraro-artistik vjen në tregim si një dramë, që në plot rrjedhën e saj trajton problemet e protagonistit, konfliktin e tij me situatën në të cilën gjendet, pa iu frikësuar elementëve përbërës të saj dhe pa kursyer këtë protagonist nga fshikullimet e rastit në emër të lidhjeve situatë-argument për të ndërtuar mesazhin. Pa zbuluar ngjarjen tragjike të ndodhisë, protagonisti i Gjozajt është në skenë dhe mbetet i tillë me gjithë eskorcionet e tij:
“Cup Lin Delia e la të vdekurin nën hijen e rrapit të Kryeziut dhe u fut në kafenë. Piu verë me poçe dhe hëngri mish shqerre. Nuk tha asnjë fjalë. Të gjithe sa ishin aty nuk e pyetën për të vdekurin. Cup Lin Delia ishte gjaksi, Kin Kron Karma ishte viktima. Po majëkrahu thoshte se Cup Lin Delia kishte falë gjakun. Jo, kjo s'ishte e vërtetë, ai e kishte vrarë Kin Kron Karmen. Po pse e kishte hedhur në kurriz dhe shtegtonte bashkë me të? Ku po shkonte? Majëkrahu thoshte se po e çonte ne varreze. Kjo as ishte parë, as ishte dëgjuar kurrkurrë më. Sipas zakonit ai duhet ta kthente mbarë kufomën, t'i vinte pushkën në brinjë me drejtim nga poshtë, të lëshonte dënamën me një zë gjëme; ehej, e vrava Kin Kron Karmen! Pastaj gjindja e kullës të shkonte e të merrte të vdekurin.Po s'ishte dëgjuar të shkrepte ndonjë pushkë. Viktima kishte patur me vete vetëm një lahutë.”

Duke udhëtuar mes ‘Faljes” jashtë kësaj situate bien në sy tre detaje kryesore. Detaji i parë që edhe autori e zbulon është ‘zakoni’, i dyti lidhet me vetë faljen dhe i treti është një detaj që lidhet e kryqëzohet artistikisht me lahutën e festën dhe prezencën e ndjekësve të protagonistit. Tek detaji i parë qartësohet arsyeja e asaj që ka ndodhur, tek i dyti falja që nënshkruan korektesën e një gjendjeje disi dramatike që fshikullohet nën grykë pushke dhe e fundit është ajo që zbulohet se protagonisti s’ka asgjë tjetër në këtë botë veç një miniushtrie frymorësh që e ndjekin dhe parathonë njësoj si fjalët e këngës nën ritmin e lahutës që nxirren nga goja e vrasësit dhe sqarohen vendet ku janë vrarë, emrat dhe sekset e tyre. Por mbi të gjitha këto detaje është arsyeja që lidhet me femrën dhe foshnjën, arsyeja që përjashtohet nga kanuni, arsyeja që plekset në një mori arsyesh të tjera që sjedhin fatin e tyre në tregim:
“…Me kanun gjakmarrja mund të merrej mbi cilindo mashkull, përveç gruas dhe priftit. Në këtë rast foshnja duhet të kishte moshën kur pushka e mbajtur në sup t'i prekte tokën. Kjo e drejtë e foshnjës nuk ishte respektuar kështu që gjaksi duhet të paguante borxh.”
Pas kësaj vjen pyetja e Gjozajt: “A do ta falte Cup Lin Delia?” Në këtë retorikë asgjë nuk paralajmërohet, asgjë nuk parashikohet, madje asgjë nuk paramendohet. Dhe këtë autori e di, ndaj mjeshtërisht dramën e konvergon në një ëndërr, duke lënë qëllimisht fuqinë e fjalës të ndjekë ritmin jetik, ritmin e një jetë që mer jetë njërëzish për fate që lahen me hesapin e shpagimit, marjes së gajkut. Arsyeja që lidhet me këtë fuqi fjale është se autori përveç mjeshtër i saj është edhe një njohës i mrekullueshëm i asaj jete që përfundon nën grykën e pushkës, të asaj pushke që metaforikisht lajmëroi nëntë grykat e cituara më lart. Themi se autori është një njohës i mirë i kësaj rrethnaje gjakësore se ai njeh dhe sjedh me artin dhe fuqinë e fjalës artistike të gjitha grimat e jetës, të gjitha shqetësimet, problemet, situatat, madje edhe minidetajet që lidhen me çdo pjesë apo send. A nuk ndodh kështu kur përshkruhet protagonisti, kur kërkohet falje me këngë, kur lahuta është me ‘dru panje të fërkuar me mjaltë bletësh trumzë’, kur pushka nxirret në frëngji, kur viktima bën kryqin, kur jepet druri i ngrënë i pragut, kur përshkruhet stina dhe situata e korrjes së misrit, dhe më tej kur vetë kënga sjedh këtë varg:

“…S'bluhet me mulli kafe
Merrma jetën me një plumb
Jetën falma me një fjalë”?

Në tërë këtë njohje është e domosdoshme të thuhet edhe më kryesorja. Gjoza vjen me këtë tregim si një mjeshtër i vërtetë ku fjala e tij dizenjon me dramacitet tendosës. Ky dramacitet tendosës të bën të lexosh e të rilexosh këtë tregim që të kuptosh mirë atë që autori ka synuar. Tek e qara e Cup Lin Delisë, tek e qara e tij me psheretima dhe klithma, dhe po aq tek mbështetja e kokës së tij mbi qytën e pushkës kur ai mbyll sytë kuptohet ai dramacitet që linçohet nën ajrinë që djeg e kundërmon gjak: “Kin Kron Karma e mbaroi këngën, ngriti pakëz kokën, po pushka nxinte në të njëjtin pozicion. Ia filloi sërish nga e para me një zë të lodhur, të zvargur, si psherëtimë.
Në gjunjë të kam ra
E kryq po baj pa pra
Mbi drunin ku shkel miku
Dru i ngranë prej pritjes.”

Trilli artistik i gjozajt është mjaft i arritur. Ai mjeshtërisht udhëton në imagjinatën e një shtyse zakonore. Në këtë shtysë zakonore ka edhe të pathëna, ka edhe shtysa metafizike, që shpesh herë e detyrojnë qenien njerëzore të shfytyrohet. Por më tej fakti i kryer nuk mposhtet nga fjalët në vazhdim, është ëndërr: “Kishin rene kaq here kambanat, ai kishte ndjere si neper jerm kundermimin e temjanit dhe dyllit te qirinjve. Me ne fund i plasi gjaku, qe i rrodhi mbi mjeker e gjoks, i sterpiku lahuten me pllanga te kuqe. Po i merreshin mendte, e kishin lene kret fuqite. Me gojen plot me gjak kendonte;
Merrma jeten me nje plumb
Jeten falma me nje fjale...
Dikush thirri;Vdiq!...
…Po pat qene enderr. Ai kishte nje kohe te gjate qe flinte me faqen e mbeshtetur mbi qyten e pushkes dhe me ne fund e kishte falur. Po ishte vone. Dyndeshin muzgjet.
Cup Lin Delia mberriti te kulla e Kin Kron Karmes. Prapa e ndiqnin nje dem i zi, nje cjap, nje lope larushe dhe nje grigje rude. Qendronte para saj me trupin e pa jete te viktimes mbi kurriz.”
Tregimi është tejet domethënës dhe emocionues. Një aritje tjetër e autorit Gjozaj.

Megi

Tregim


Albana Lifschin




Megi veshi fustanin e ri te porsa blerë, ngjyrë vishnje (Ah, sa i shkonte vishnja!)dhe u rrotullua para pasqyrës. Nuk kishte ndryshuar shumë në të parë. Edhe pse qe bërë nënë me dy fëmijë, trupi i kishte mbetur i hollë, si në vajzëri. Kjo e bënte të dukej elegante, natyrisht nëse nuk do të harronte ta mbante trupin drejt kur ecte.
–Dukem apo s’dukem si italiankë? Apo si franceskë? Hë me, cilat janë më elegante, -e kishte pyetur në telefon një patrioten e saj që kishte njohur në internet.
-Po ç’të bëhet kaq merak kjo punë? ia kishte kthyer ajo.
-Sigurisht, që më bëhet, sepse mua më duhet të shkoj shpesh nëpër takime, mbledhje, në aktivitete të ndryshme… Po aman, me, se na mbytën me ftesa! Diku jam në një komision, diku jam në juri, diku më kanë zgjedhur ... e që kur kam fituar çmimin poetik nuk më ndahen nga të katër anët... Eshtë vënë në pozitë edhe im shoq. "Këta njerës sikur nuk bëjnë dot pa ty, moj grua,"- më thotë. Kujt t’ja prishim e kujt t’ja ndreqim? Po nuk thua shyqyr, që na erdhi dita?-i them
Në fakt, Megi do të kishte dashur që mikesha t’i thoshte se në fotografinë e fundit që i kishte dërguar në email ajo dukej e bukur, sepse kishte shtuar pak në peshë.
- Kam merak të shtoj edhe nja dy kilogram, të shkretën. Jam bërë person publik, e s’bën të dukem e thatë, si kremastar. Sa të pagdhendur që janë meshkujt shqiptarë! Të bëjnë komplimenta e më në fund të thonë: Si t'ia bëjmë të të ndihmojmë të shtosh edhe nja dy-tre kile?- dhe t'i hedhin sytë tek gjoksi!
Gjithsesi, i duhej të nxitonte se në atë aktivitet kulturor . Kishte shumë mundësi që të takohej për herë të parë me atë: kritikun e njohur X.K. Do t’i jepte kartvizitën, (ku s’kishte harruar të vinte tërë titujt e nderet) bashkë me librin e saj fundit. E pastaj e dinte vetë ai. Do të shkruante për të! A nuk kishin bërë kështu edhe të tjerët? Librat e saj kishin fuqi magjike të çudiçme. I bënin të tërë të shkruanin. Po s'i mbushej syri, se deri atë kohë kishin qenë rrangu i saj e më poshtë. Kishte pritur një emër të dëgjuar. Dhe ai u shfaq si meteor. Vinte që nga Tirana. Ndoshta do të krijohej mundësia të pinte një kafe poetike me të. Ku i dihet, pse jo, mbase edhe një flërt të vogël. Ai gjyslykshi, rrumbullak, që i bënte korte në telefon, i qe mërzitur. Po të njëjtin muhabet. I thoshte të shtonte bukën në menu e të blinte një kandar. Ta dinte ai se sa feta bukë në ditë hante ajo! Bukë edhe bukë të zezë madje, të shëndetshme, si të fshatit të saj! Po nuk shtonte që nuk shtonte, as edhe një gram. Ndërsa kritiku ishte edhe poet dhe kishte shpirt artisti. I pat dërguar një kompliment që e kishte vënë në mendime. I fliste për lëndina të gjëra të shpirtit, ku vargu i saj e tërhiqte në mënyrë të pamëshirshme.
Doli në rrugë e hyri në makinë. Ia shkeli me 80 milje në orë. Sa
përshtypje i kishte bërë një djali të ri: kjo e thaka makinën Qënka kaubojse fare!-kishte thënë ai i impresionuar. Ah, sa të lezeçëm janë këta të rinjtë! Janë të sinqertë. Kishte bërë chat me një nga ata, vite të shkuara. I kishte folur për limontinë e jetës, i qe ankuar që nuk i dilte koha të shkruante poezi, poezi shpirtërore, të holla, ashtu siç do të dëshëronte ajo. I kishte qarë hallin që burri i saj qe shumë më i madh në moshë e nuk i përgjigjej. Por lezeti i bisedës kishte rënë papritur. Rioshi i tha që ishte i fejuar me një shoqe klase të gjimnazit e tani ndodhej me studime jashtë shtetit. I tha se qe njëzet vjeç. Kaq, dhe u zhduk për ca kohë, si zog i trembur. Nuk mundi ta zërë më në chat. Në vend të tij, i erdhi një e-mail nga zonja Arta, njëzet vjet më e madhe se ajo. Letra e këshillonte : “kujdes nga komunikimet me të rinjtë”.
Qe bërë bishë. Ai qurraveci i kishte nxjerrë bojën! Hajt, se ia regulloj unë atij dhe kësaj që më jep këshilla, sikur të jetë nëna ime!- kishte zjerë nga brenda. Dhe fët e fët kishte qëndisur një letër "vetëm për miqtë e saj", ku u kishte thënë se ky poetuc (qëllimisht nuk ia kishte përmendur moshën), i a tregon të gjitha zonjës Artë, dhe e kishte mbyllur letrën me pyetjen: Kujt mund t’i rrëfehet tjetri veç nënës, apo dashnores, hë?
Të vdekura për thashetheme, ato u kënaqën nga karremi i servirur dhe Megi ishte zbavitur me fitoren e saj.
Dhe ja, si vjen puna, tani është bërë vetë poete; fërkon brrylet me emra të njohur, të cilëve u kishte marrë autografe nëpër takime të ndryshme, në të cilat është shumë e kujdesëshme të mos mungojë. U shkruan letra, kujdeset shumë të fshehë dialektin provincial në to, dhe mesazhet mikluese që i vijnë në postë private, i bën publike në internet. Interneti paska qënë mrekullia më e madhe e botës! Brenda 24 orëve të bën të famshëm në të katër anët e globit. Nami i kishte dalë se kishte botuar nja dhjetë libra, po nga kjo i vinte mirë e nuk ndihej. E kujt i prishin punë gënjeshtrat e bardha? Kush shoqërohet me të mëdhenjtë-është automatikisht i madh. Ja, edhe në këtë aktivitetin e sotëm kishte në shënjestër një të madh.
U kujtua të ndalonte tek dyqani i luleve për të blerë një buqetë. Një tufë lulesh në këto raste është përkujdesje, feminitet. Buqetën e vendosi në sedilien e prapme të makinës, pastaj u kujtua të tërhiqte një bisk margerite të bardhë, me mendimin për ta vënë në flokë.
Fëmijët i kishte mbajtur burri atë ditë. Ai kishte nisur të tregonte vëmendje ndaj të shoqes që kishte filluar të bëhej "selebriti". Pastaj ka ca gjëra shumë të mira Amerika. Grave u jep fuqi të madhe. Asaj i kishte dhënë çfarë kishte dëshëruar! Që kur ishte e vogël, tek vështronte rrugën e fshatit, përtej kortinkave të dritares së saj, ëndërronte për një princ që vinte nga larg dhe e hidhte në vithe të kalit duke i lënë
fshatit pluhurin pas. E pse të mos qe edhe ajo me fat, si në përalla? Këmbën s’e kishte edhe aq të vogël, por do e shtrydhte në këpucën e artë… Dhe princi i erdhi vërtet, jo mbi kalë, por me një makinë të bardhë dhe punët i vajtën mbroth. Madje, shumë më mirë se mikeshës së saj, që hahej me të. Ja, ajo, Dhorka, do të vinte nga një shtet tjetër në këtë takim, vetëm e vetëm për të parë të njëjtin njeri, pa lëre se ç’thoshte se demek po merrte tërë atë rrugë për tu takuar me të. Harrronte tjetra se qe nja dhjetë vjet më e madhe dhe ecte si patë nga dhjami i tepërt. Pale, po i kishte thënë truri të shkurtonte flokët. Edhe i thotë vetes artiste! Flokët e gjatë janë femërorë... Asgjë s’i kishte mësuar Amerikës, e humbura! Edhe për pseudonim internetik kishte zgjedhur emrin e katundit të saj, se demek qe patriote. Po a thua të vinte vërtet në takim? Kjo pyetje kishte filluar ta shqetësonte. Mendo sikur ta dinte ajo që Megi i kishte bërë një telefon sekret atij mashkulli duke e lajmëruar që do të qëndronte tre ditë në qytet e ishte shumë “anxious” të shihej me të. Një librin të tijin e kishte me vete në çantë. Hera herës i hidhte një sy fotografisë. Goxha burrë i pashëm. Me siguri do të njiheshin me një të parë.
Rruga i mori rreth një orë e gjysmë deri sa mbërriti tek vendi ku do të zhvillohej aktiviteti. Makinën e parkoi pranë godinës së madhe dhe u çudit nga moria e madhe e automjeteve aty. Kjo do të thoshte se duhet të kishin ardhur mjaft njerës. Mos vallë kishte filluar aktiviteti? A mund të fillonte pa të, thua? Dikuj duhej t’i kishte shkuar mendja ta vinte në presidium. Por jo, nuk dukej se kishte filluar. Lart dëgjoheshin zëra në korridor. Nxorri pasqyrën edhe njëherë. Faqet iu dukën shumë të zbeta. Kishte nevojë për pak pudër rozë. Po margarita e bardhë që do të vinte tek flokët? Ah, e kishte harruar! Zbriti shkallët duke bërë kujdes se mos e shihte njeri.
Kur u kthye, qëndroi një copë here tek hyrja e sallës sa të pikaste ndonjë të njohur. Salla dukej në rrëmujë të plotë. Qe bërë vërtet e njohur në internet, por ky qytet qe mendjemadh.
-Oh, ju! -tha dikush, - sa lule të bukura! Për kë i keni? Sa keq që mbërritët kaq vonë! Ja, një nga protagonistet e takimit po firmos librat për pjesmarrësit. E shihni? Oh, nuk duket prej këtu, se e kanë rrethuar njerëzit. Eshtë ajo atje, pranë atij burrit të gjatë, flokëbardhë. Është i ati. Ka ardhur që nga Tirana për të marrë pjesë në gëzimin e të bijës.

Megi u zgjat mbi taka dhe dalloi zonjën e paharruar. Pse, paskësh baba, ajo? Një i kuq i menjëhershëm i mbuloi fytyrën. Gjithnjë i ecte ters me këtë grua. U kujtua që dikujt i pat thënë në një mënyrë dramatike që ajo zonjë “nuk e kishte njohur kurrë të jatin". Natyrisht, qe treguar e kujdesëshme të mos përdorte fjalën "dobiçe". Nuk qe poetike.

Megi ndjeu shqetësim. Fshehu buqetën e luleve pas kurrizit dhe shkau pas njerëzve, duke pyetur nëse e kishin parë z. Kritik.
-Oh, jo, por e shoqja e tij dhe dy vajzat janë këtu. Shiko sa vajza të bukura që i ka!
E panjohura i tregoi me gisht dy vajza që ishin pranë një gruaje tek të dyzetat.
-Kritiku doli me një mikun e tij, regjisor. Do kenë vajtur të kthejnë ndonjë gotë, - tha dikush që kishte dëgjuar bisedën e grave .
- Mos je gjë Me-Gi, ti, moj? U dëgjua një e folur dialektale. Një grua sykaltër po e vështronte me buzë në gaz.
- Nga e di ti, se kush jam unë?
-Po nga interneti, nga tjetër, de! Unë jam Gu-Gu-ja,- i zgjati dorën gruaja duke iu prezantuar me pseudonimin internetik, - edhe unë kritikun po kërkoja, por ai duket s’ua varka mbledhjeve. Më dërgonte aq fjalë të bukura për poezitë e mia në postë private dhe tani që unë vij të prezantohem me të, më la dopio gjashtën në dorë !
Megi lëshoi me ngadalë buqetën e luleve në një karrige, pas kurrizit.



FALJA

Roland Gjoza
( tregim )


Nje burrre shpatullan me mjeker gjer ne brez pershkoi fshatin me nje burre te vdekur hedhur mbi kurriz.I vdekuri mbante te varur ne qafe nje llahute qe pikonte gjak.Pas i ndiqte nje dem i zi,nje cjap,nje lope larushe dhe nje grigje rude.Dikush shtiu me arme,nje tjeter leshoi piskamen majekrahi;Ehej,Cup Lin Delia po con ne varreze Kin Kron Karmen.Ehej,Cup Lin Delia ka fale gjakun.Oshetine lugje me lugje te nente bjeshket e grykes se Mugut.Ishte e diel.Feste.Festa e Shen Antonit.
Cup Lin Delia e la te vdekurin nen hijen e rrapit te Kryeziut dhe u fut ne kafene.Piu vere me poce dhe hengri mish shqerre.Nuk tha asnje fjale.Te gjithe sa ishin aty nuk e pyeten per te vdekurin.Cup Lin Delia ishte gjaksi,Kin Kron Karma ishte viktima.Po majekrahu thoshte se Cup Lin Delia kishte fale gjakun.Jo,kjo s'ishte e vertete,ai e kishte vrare Kin Kron Karmen.Po pse e kishte hedhur ne kurriz dhe shtegtonte bashke me te?Ku po shkonte?Majekrahu thoshte se po e conte ne varreze.Kjo as ishte pare,as ishte degjuar kurrkurre me.Sipas zakonit ai duhet ta kthente mbare kufomen,t'i vinte pushken ne brinje me drejtim nga poshte ,te leshonte denamen me nje ze gjeme;ehej,e vrava Kin Kron Karmen!Pastaj gjindja e kulles te shkonte e te merrte te vdekurin.Po s'ishte degjuar te shkrepte ndonje pushke. Viktima kishte patur me vete vetem nje llahute.
Cup Lin Delia doli nga kafeneja,hodhi mbi kurriz Kin Kron Karmen bashke me llahuten e tij perplot gjak dhe vazhdoi udhen.Pas i ndiqte nje dem i zi,nje cjap,nje lope larushe dhe nje grigje rude.
Ate dite pa dale agsholi Kin Kron Karma u nis per te shtepia e gjaksit te vet qe t'i kerkonte falje.Ne dite feste mund te dilje nga ngujimi dhe te kerkoje falje me kenge llahute.Kin Kron Karma i kishte sajuar vete vargjet.Kishte nje ferishte ne djep dhe nje tjeter qe sillej neper oda.Ishte koha e korrjes se misrit.Korrte naten kur hena merrte kahun e perendimit dhe gjindja flinte tejpertej.Po nuk po i dilte koha,kishin per te vdekur per buke.Gruan nuk e nxirrte per te korrur e per te lidhur duaj se ne Kromarte,ne fshatin ngjitur nje grua me djep ishte qelluar nga gjaksi.Ferishtja ne djep ishte mbuluar nga gjaku.Ishte nje foshnje mashkull.U mblodh fshati ne kuvend dhe i dha te drejte gjaksit,nje te drejte pergjysme .Me kanun gjakmarrja mund te merrej mbi cilindo mashkull,pervec gruas dhe priftit.Ne kete rast foshnja duhet te kishte moshen kur pushka e mbajtur ne sup t'i prekte token.Kjo e drejte e foshnjes nuk ishte respektuar keshtu qe gjaksi duhet te paguante borxh.
A do ta falte Cup Lin Delia?
I lidhi neper drunj demin e zi,cjapin,lopen larushe,grigjen rude dhe iu afrua kulles.
Cup Lin Delia e pa nga frengjite,rrembeu pushken dhe u be gati te shtinte mbi te.Po ky budalla,mendoi, si vjen keshtu ne mes te dites, qenka marrose krejt, qyqari.Pastaj i pa llahuten e madhe dhe e kuptoi qe ai do te kerkonte falje me kenge.Le ta degjojme,peshperit,s'ka ku me shkon shkretani,aty e kam.
Kin Kron Karma vuri gjunjet mbi drurin e ngrene te pragut,beri kryq dhe filloje te kendoje.
Gjaksi kishte nxjerre pushken nga frengjia gati per te qelluar.Pushka lart me gryke te gjate te zeze,llahuta poshte me dru panje te ferkuar me mjalte bletesh trumze.Ja c'kendoi viktima me nje ze te pervajshem perplot nenshtrim fisnik;
O i zoti kulles,kerkoj falje
Shkova ma pare te krojet
Si duken vashat e Deliajve?
Krojet m'u nxine si pisha
Shkova te grigja ne bjeshke
Si duket nanlokja e Deliajve?
Grigjes i ra ruda ne boke
Shkova te kuajt ne rrah
Si asht bacaloku i Deliajve
Kambet iu prene katersh
I pyeta mica,gjela
Gjelit lafsha iu ba katran
Mica u ba hi te vatra
Si ta coj jeten qyqari
S'korret miser ne drite hane
S'bluhet me mulli kafe
Merrma jeten me nje plumb
Jeten falma me nje fjale

Cup Lin Delia qante ,qante me psheretima dhe klithma,mbeshteti koken mbi qyten e pushkes dhe mbylli syte.
Kin Kron Karma e mbaroi kengen,ngriti pakez koken,po pushka nxinte ne te njejtin pozicion.Ia filloi serish nga e para me nje ze te lodhur,te zvargur,si psheretime.
Ne gjunje te kam ra
E kryq po baj pa pra
Mbi drunin ku shkel miku
Dru i ngrane prej pritjes

Cup Lin Delia u ligeshtua aq shume sa u be gati te zbriste poshte,ta fuste brenda viktimen te pinte bashke me te gjersa te beheshin rrumbull te dy dhe me ne fund ta falte.Po kjo ishte shume e rende.Ai i gjunjezuari poshte te pragu i kulles i kishte vrare vallane.Jo,jo,s'duhet te harronte se eshtrat e vallait kalbeshin prej nje viti ne varr.Po zemra i kishte qelluar e dobet,i rrihte shpejt,edhe gruan keshtu e kishte marre, me zemer te dobet.Ajo djall me brina e kishte kuptuar dhe nganjehere ia kthente fjalen.Po i kullonte gjak zemra Kin Kron Karmes,ah,c'po i a gervishte dhe atij,Cup Lin Delise me nje sembim te dhembshur.Qante Cup Lin Delia dhe s'dinte c'te bente.
Kenga pushoi serish per nje grime dhe serish filloi me nje ze me te fashitur se me pare.Kin Kron Karma ngriti sapak koken lart,po pushka si gjithmone nuk kishe nderruar pozicion.Dielli po e digjte,djerset i pikonin mbi drurin e llahutes.Oret po kalonin me kenge poshte kulles se gjaksit qe nuk jepte shenje.Kur e kur njerezit kalonin andej pari,mbanin kembet ngjitur me viktimen dhe krejt ne heshtje shkonin e vinin perseri per te pare nese gjaksi kishte hapur deren e kulles.Po perendonte dielli.Kishin rene kaq here kambanat,ai kishte ndjere si neper jerm kundermimin e temjanit dhe dyllit te qirinjve.Me ne fund i plasi gjaku,qe i rrodhi mbi mjeker e gjoks,i sterpiku llahuten me pllanga te kuqe.Po i merreshin mendte,e kishin lene kret fuqite.Me gojen plot me gjak kendonte;
Merrma jeten me nje plumb
Jeten falma me nje fjale...
Dikush thirri;Vdiq!
E degjoi lart ne frengji Cup Lin Delia,qe u zgjua nga gjumi.Sapo kishin pire bashke dhe kishin ngrene mish dashi.Po pat qene enderr.Ai kishte nje kohe te gjate qe flinte me faqen e mbeshtetur mbi qyten e pushkes dhe me ne fund e kishte falur.Po ishte vone.Dyndeshin muzgjet.
Cup Lin Delia mberriti te kulla e Kin Kron Karmes.Prapa e ndiqnin nje dem i zi,nje cjap,nje lope larushe dhe nje grigje rude. Qendronte para saj me trupin e pa jete te viktimes mbi kurriz.

Tuesday 28 October 2008

“Wrong number”, … një 'çelës' për fjalën dhe gatesën e saj




Fatmir Terziu

Këtu ka shumë arsye që te kuptojmë se tregimi i Myrtajt, ka prekur atë që ne shpesh synojmë ta arrijmë, shtegtojmë ta gjejmë hypur penave dhe tastierave duke ngarkuar e shkarkuar tonelata mendimesh nën një ide, apo mbi disa gërma…
Kjo formë e tregimit të Myrtajt është një e vërtetë që duhet thënë qartë, një ëmbëlsirë e shtrenjtë për atë që e njeh botën vizuale, skriptin, dhe më tej synon të ndërtojë ‘storybordin’ që është një kompleks visual dhe ngashërim shpjegues fjalësh. Forma që sjell Myrtaj nuk është një natyrë e tregimit të pleksur me një fillim, mes dhe fund, por një strukturim që pasqyron në heshtje anë të ndryshme të realitetit. Trajta e shkurtër e tij dhe gjuha tregimtare, sidomos fjala e thellë filozofike bëjnë që “Wrong numbër” të jetë një pasaportë e tregimit shqiptar në botën e gjerë letrare-krijuese që me kohë pret tregime të këtij tipi, ndoshta pa ndonjë ekzagjerim me ‘tru’, filozofi, argument dhe vlera. Përmes tregimit të Myrtajt ndiqet dinamika e jetës, në strofkën e saj, edhe mes zbrazëtisë ‘tradicionale’ edhe mes dilemës moshore, edhe mes kompleksit vend-hapësirë-kohë. Aktualiteti dhe tema e ditës së një risie familiarenuk është shkak aspak pretekst, por një arsye më shumë për të lënë një mesazh të kthjellët.
Ngjarja zhvillohet brenda një kohe relativisht të shkurtër dhe ku mjeshtërisht Myrtaj gjen dhe përzgjedh detaje nga çasti kulmor i saj. Personazhi kryesor është dukës, dhe rrethrotullimi i tij është sa intim, familiar aq edhe bashkëshortor, por ai nuk është në një kornizë të prerë s ii tillë, ai lexohet në një hapësirë dhe nënkuptim më të gjerë.
Myrtaj nuk preferon të përshkruajë procesin e zhvillimit të karaktereve, as nuk synon që të japë hollësi për për psikologjinë e personazheve. Ai nxjerr në pah me fjalën e tij tipike, anët më të rëndësishme të tyre. Këtu fjalë-filozofia e Myrtajt është ajo që duhet admiruar. Ka subject të thjeshtë, por me konflikt të ngjeshur. Por edhe pse do të mundohesha të gjeja ngjasime apo paralelizma me tregime të të tjerëve, qoftë edhe me përmasa botërore, do të mjaftohesha me kaq për të thënë se ‘kostumi i Myrtajt’ në prozën e fundit, “Wrong number”, nuk ka nevojë as për firmën më të shtrenjtë. Ai është vetë i gatuar i tillë, pa patur nevojë të vishet me moda apo marka të dizenjuara, sa për të thënë se tani unë gjeta ‘fjalën që do tu pëlqejë atyre’.
Procesi i purifikimit të gjuhës ka tërhequr logjikën e fjalës shpeshherë jashtë kufijve të përdorimit të saj dhe ka eleminuar fjalët e krijuara enkas pa respekt për përdorimin e tyre të dobishëm si në pasurimin e gjuhës, po aq edhe në një rregullsi fjalëformuese të domosdoshme. Në tregimin e fundit të Myrtajt fjalët ‘shtizëthurjen’, ‘ngjyros-ç’ngjyrosja’, ‘divorcuar’, ‘boyfriendin’ etj nuk duhen parë si një eleminim apo shthurje gjuhësore, por si një domosdoshmëri efikase për jetën e vrullshme të tregimit, ku me anë të tyre përcaktohet qartë ai purifikim gjuhe, me pak fjalë përcakton dhe qartëson vendin, hapësirën dhe kohën. Dhe këtë e bën edhe letërsia e sotme amerikane, angleze duke përdorur fjalë me shumë kuptime apo me afërsi nga frëngjishtja apo gjermanishtja e spanjishtja. Në këtë rast asnjë fjalë e tillë nuk qëllon në ajër, por sjell në mesin letrar një domosdoshmëri për tu lexuar ashtu ‘i huaj’ në shqipen e bukur. Kështu “Wrong numbër”, mbetet një çelës për fjalën dhe gatesën e saj. Por kur them këtë mendoj se mirëkuptohemi, të paktën tek ‘fjala’. Meqenëse jemi këtu le të them edhe diçka që them se ka ardhur koha të sqarohet.
E kam thënë edhe herë të tjera, kësaj rradhe ndoshta duhet thënë pak më shqip, më hapur, më shqeto. Se fjala e thënë më parë, si ‘panoptikon’, që është një fjalë e thjeshtë akademike dhe jo internetike na e nduku dikë andej nga ka orrigjinën e letrave anonime, që ‘panoptikon’ është fjala më e gjetur për tregimin “Njerëz prej buke”, pasi lidhet me tërë fatin dhe kuptimin e saj në jetën e një të burgosuri nga diktatura (panoptikon është përdorur nga Stuart Hall, Barthes e Judith Butler në analizat e tyre mediatike) (The Panopticon is a type of prison building designed by English philosopher and social theorist Jeremy Bentham in 1785); apo më tej atë ‘anonimatin’ na e shqetësoi ‘plasticiteti poetik’ që është një nocion në shpjegimin e një poetike apo proze poetike dhe që me esenë e kushtuar këtij plasticiteti Jesika Smith fitoi çmimin që mund ta lexoni në anglisht (This essay won the 2005 Literature Compass Graduate Essay Prize, Twentieth Century Section). Kur shkruaj dhe analizoj një prozë apo një poezi, krijim apo gjithshka parimi im është që të shoh të veçantën, të dallueshmen, dhe të sjellë paksa nga ajo që na duhet të thyejmë rutinën e thënkave përkëdhelëse, apo asaj që na duket se jemi ne dhe ata s’janë si ne.


NJË MBRËMJE BRILANTE



Tregim

Leon Z. Lekaj

Atë pasdreke qershori, kur autobuzi i linjës udhëtonte drejt qendrës, Roland Kalaja do t’i kishte mbyllur sytë, ashtu siç bënte rëndom, në pritje të stacionit të tij, por befas shqisat e të parit i kumtuan me shpejtësinë e vetëtimës një të papritur. Ndjeu një pështjellim brenda gjoksit, i cili iu shdërrua në ankth gjatë kohës kur pamja doli prej kuadratit të qelqtë. U ngrit me vërtik. Dhe që të vërtetonte se ajo që kishte parë nuk qe pjellë e fantazisë së tij të përgjumur, zgjati kokën dhe nguli vështrimin mbi fytyrën e vajzës. O Zot, tha me vete, është ajo. E shkuara iu shfaq e përpiktë deri në mundim. Ditët e gjata të pritjeve kur Silva, dilte nga gjimnazi gjithmonë e shoqëruar prej dy shoqeve, veshja e tij plot gusto, fjalët e zgjedhura dhe gjithçka që kishte ndodhur në ato vite, kur ai nuk mund të imagjinonte kuptimin e fjalës emigrant, nuk e lanë të qetë deri në çastin e britmës:
-Silva!
Tjetra u kthye. Në blunë e syve të saj dukej qartë që ai shqiptim emri qe krejt i papritur. Atij, nga lëvizja e ngadaltë e kokës, iu krijua ideja se ajo po gërmonte thellë kujtesës për të shquar atë zë të harruar.
-Landi, -tha më në fund.
Atë e preku në sedër shqiptimi përkëdhelës i emrit të tij. I zgjati dorën dhe në çast e kuptoi se diçka iu trazua brenda qenies.
-Oh Zot! -mundi të thoshte, -kanë kaluar kaq shumë vite.
Silva donte të thoshte diçka, por ai nuk e la.
-Eja! -foli ngutshëm i ngarkuar prej një ideje të befasishme, -nuk do të më thuash jo. Të paktën sonte.
Ajo u mblodh, si të donte të mbrohej nga diçka jo e mirë, pastaj bëlbëzoi me një zë krejt të ulët.
-Nuk mundem, duhet të më kuptosh …
Taksia që ndali përpara këmbëve të tyre nuk i dha shumë mundësi vajzës që të kundërshtonte. Ai i hapi derën e pasme dhe çastin e mëdyshjes së saj e theu zëri i ashpër i taksistit. Silva nuk kuptoi as edhe një fjalë të njeriut tjetër. Kur hyri brenda mjetit dëgjoi të shqiptohej një adresë dhe në çast taksia mori udhë.
-Ku shkojmë? -pyeti ajo.
-Të hamë një darkë bashkë, -iu përgjigj ai.
-Po unë…
-Të lutem Silva vetëm sonte. Mu bënë kaq vite tek ky vend dhe si i tillë kam të drejtë që t’i ofroj një darkë…
Këtu Roland Kalaja mbeti. Iu desh t’i pohonte vetes se Silva e kishte refuzuar gjithmonë. Edhe atëherë kur vishej me rroba të ardhura nga jashtë. Dhe në të gjitha përpjekjet ai kishte marrë vetëm një përgjigje; më lër të qetë, as që mendoj të tilla gjëra.
Pas atij refreni të tmershëm, ajo i kthente shpinën dhe largohej. Ai e ndiqte për pak kohë me sy të skuqur prej dhimbjes, dhe kur atë e përpinte qoshja e pallatit, hynte në klub. I pëlqente të pinte vetëm dhe të imagjinonte ngjyrën blu të syve të saj. Derisa erdhi ajo ditë kur ai e kishte parë me atë violinistin. Që prej atij çasti Roland Kalaja kishte reshtur përpjekjet, qe mbledhur si një kërmill i lënduar në vetminë e tij të mbytur mes avujsh alkooli dhe një vorbulle gati të padepërtueshme tymi që mbushte lokalet e qytetit të tij.
Pak kohë më vonë kishte filluar aventura e kufirit. Ikjen e vet Roland Kalaja e cilësonte gjithmonë si “arratisje prej syve blu”. I pafuqishëm për të përballuar sfidën që i kishte servirur njeriu, që në qytet njihej si krijesa me kutinë e zezë nën sqetull, ai kishte ikur nga sytë këmbët. Por, kur largësia mes tij dhe saj qe bërë një hon i vërtetë, konstatoi me keqardhje se malli kishte bërë të kundërtën. Malli i syve blu gati sa nuk po e çmendte…
-Sa kohë t’u bënë këtu? -e solli në vete zëri i saj.
-Shumë, -iu përgjegj ai.
-Afërsisht…
-Afërsisht, -përsëriti ai, -ç’të të them, për një gjë jam i sigurtë. Ndodhem këtu që prej kohës kur ngjyra blu e syve të dikujt u dashurua me ca tinguj violine.
Ajo heshti për një çast. Çasti qe i rëndë, me peshë të plumbtë. Ndihej vetëm zhurma e motorit të taksisë.
-Jemi ndarë prej kohësh, -tha ajo.
-Vërtetë?!
Ai u çudit edhe vetë me fjalën që tha. Duhej ta pushtonte një ngazëllim i brendshëm, këtë e kuptoi menjëherë, por toni ironik që Roland Kalaja kishte përdorur krejt pa dashur, ia preu të gjitha shpresat.
Taksia ndali pothuajse buzë detit. Qe akoma ditë, një ditë e qetë me një diell të kuq gati pranë vijës së horizontit. Diku në mesin e tij një anije e vetmuar të jepte përshtypjen se gati qe fundosur. Silva mund t’i dallonte vetëm pjesën e sipërme, që si një ndërtesë gjigante, qëndronte përmbi vijën që ndante ujin dhe ajrin. Iu afrua detit. Ndjeu pllaquritjen e dallgëve buzë shkëmbinjve të vegjël dhe shijoi tërë pamjen e mrekullueshme me një lloj kënaqësie të veçantë.
-Në të vërtetë e kisha lënë të takohesha me një shoqen time, -tha kur Rolandi qe afruar aq sa t’i ndjente frymëmarrjen, -sidoqoftë them se ia vlen.
Ktheu kokën. Rolandi pa sytë e saj pastaj detin. Atij iu desh të mendonte sakaq se Silva, me sinqeritetin e saj, kishte ndrequr pagdhëndësinë ironike të fjalës së tij. E pushtoi një gëzim i brendshëm.
-Eja, -i tha krejt miqësisht, -shkojmë tek ajo taverna atje. Shërbehen vetëm prodhime deti.
Silva u ndje e përkëdhelur. Iu duk vetja mbretëresha e muzgut. Muzgu vazhdonte të konturohej gjithkund. Në fillim dielli qe zhytur gati menjëherë tej vijës së horizontit, si të kishte hyrë në thellësitë e detit për të shijuar freskinë blu. Më pas sendet filluan të zbehnin dukjet e tyre, të mjegulloheshin në tisin e një ndriçimi të dyshimtë dhe ato më të largëtat u zhdukën krejt, sikur t’i kishte përpirë ndonjë përbindësh, pjellë e mbrëmjes që pritej. Ajo e pranoi ftesën menjëherë dhe për t’i kumtuar aprovimin e saj, filloi të vrapojë në drejtim të tavernës. Ai nuk pat forcën e vajzës. Gjithë atë javë kishte mundur të gjente punë. Kishte punuar me orë të zgjatura, që të mund të fitonte diçka dhe tani që ajo vraponte, i vinte inat me veten që ndjehej i lodhur.
Taverna qe gjysmë e mbushur. Ose atij ashtu i pëlqente të thoshte. Ndoshta për t’i dhënë kurajo vetes e për të pohuar në heshtje se kishte kohë që i përkiste pjesës së optimistëve. Ose ndoshta ngaqë qe mbrëmje dhe taverna premtonte të mbushej.
-Vjen shpesh këtu? -pyeti ajo me zërin e një fëmije të përkëdhelur.
-Sigurisht, -iu përgjigj ai, -ndryshe nuk do të zgjidhja këtë vend.
Ajo e hetoi për një çast dhe ai ndjeu t’i skuqeshin veshët. Për të shmangur vështrimin e saj zhbirues e drejtoi vajzën drejt një tavoline, që ndodhej buzë detit.
Silva nuk e fshihte faktin që ndjehej e kënaqur. Ca drita të gjelbërta që thyheshin brenda në det i dhanë idenë se dallgët e vogla me një ndriçim reflektues qenë fosforishente. Lëvizja e plogët e ujit i ngjante një ofshame përsëritëse, sa herë që stërkalat e vogla përplaseshin tek shkëmbinjtë e murrmë. Silva nuk kishte shijuar kurrë një panoramë kaq të paqtë.
Roland Kalaja priste me ankth dukjen e kamarierit. Qe mbërthyer në një ngërç të pakuptimtë pa e kuptuar as vetë se si. Fjalët i qenë strukur thellë brenda qenies, si t’i trembeshin asaj ngjyre blu, që sytë e saj reflektonin papushim. Po filozofonte me vete diçka rreth mallit, kur njeriu i tij aq i dëshiruar mbërriti me një pecetë në dorë. Kamarieri iku dhe erdhi me një tabake të qelqtë të mbushur plot e përplot dhe ai u çudit kur e kuptoi se e gjithë ajo kohë e papërcaktuar kishte mbetur gati e shurdhët. Silva kishte hypur në majën e një shkëmbi të vogël vetëm pak metra larg tij dhe hera-herës hidhte që andej ca shikime të vjedhura. Ai mbushi gotat e verës dhe në çast vajza u afrua.
-Gëzuar! -tha.
Ajo përcolli tingëllimën e qelqit me shikimin e saj zhbirues. Piu me delikatesë vetëm një pikë vere ndërkohë që ju desh të përjetonte boshatisjen e gotës së njeriut që e kishte ftuar të kalonin atë mbrëmje së bashku.
-Kaq shpejt? -bëri sikur u habit ajo.
-Është një zakon i vjetër, -tha duke mbushur përsëri gotën, -që prej kohës kur …
-…sytë blu u dashuruan me ca tinguj violine, -plotësoi ajo, -sidoqoftë vura re se nuk të bëri përshtypje pohimi im.
Tjetri vuri sërish gotën në buzë. E ndjente se biseda kishte filluar të çelej dhe iu gëzua këtij fakti.
-Më thuaj diçka për veten, -tha ajo.
Ai piu përsëri pak verë.
-Të të them diçka për veten? -përsëriti i përkëdhelur prej pyetjes së saj, -e çfarë?
-Po ja, -tha ajo, -më thuaj se si i kalon ditët, a je i kënaqur këtu, …pastaj, nuk e di…
Ai fillimisht e mbërtheu me një shikim gati të pacipë, i cili i kishte transformuar krejt befas pamjen e tij, pastaj foli:
-E çfarë të them? Të të them se të qenurit materialisht mirë më bën të ndjehem si një derr në llucë? Ç’vlerë do të kishte nëse do të pohoja se paraja është gjëja e fundit që më intereson? Shikoje këtë darkë. Nuk mungon asgjë. Është një mbrëmje e bukur. Dhe unë jam i lumtur. Por nuk janë karkalecat e detit ata që më lumturojnë. Ata janë qenie, shpirti i të cilëve duhet të ketë sosur në çastin e mbetjes së tyre në rrjetat e peshkatarëve të pashpirt. Ajo ç’ka më bën të ndjehem mirë është prania e këtyre syve. Gjithmonë kam menduar se vetëm sytë janë ata që mund të lumturojnë një shpirt.
Roland Kalaja mori sërish gotën në dorë. Pas gjithë atyre fjalëve të zgjedhura me kujdes dhe asaj ngjyre të gjelbërt që i kishte rënë mbi fytyrë, Silvës ju duk më tepër se një romantik i dashuruar. Pastaj mjedisi. Ai kombinim i shkëlqyer i natyrës me dorën njerëzore. Edhe pse thellë brenda qenies së saj nuk qe tërësisht dakort me ato ç’ka kishte dëgjuar, nuk e pa të udhës t’i kundërshtonte.
-Sa pak ndryshoni ju meshkujt, -tha pastaj, në vend të atyre që ishte duke menduar.
Roland Kalaja qe bërë tashmë një viktimë e dëshirës për të llomotitur:
-Paraja është një hiç. Njeriu ka plot mënyra që ta bëjë atë të vetën. Kurse një zemër, ah një zemër është tepër e vështirë ta fitosh. Nuk më thua ç’vlerë ka paraja kur një palë sy, me të cilët mbetesh i dashuruar përjetë, s’mund t’i mbërrish dot kurrë? Kur në vetminë e ditëve të mërzitshme ato janë i vetmi ngushëllim. Eh! -psherëtiu pastaj, -sidoqoftë sonte le të mos flasim për këtë. Me të thënë të drejtën nuk më ka pëlqyer kurrë rastësia. Nuk më ka pëlqyer që të shfytëzoj një trokitje të fatit. Më shumë do të doja t’i bindesha një vetëdijeje. Qoftë kjo edhe e ftohtë. Qoftë kjo edhe e hidhur.
Roland Kalasë ju duk vetja pak teatral. Madje u nis të thoshte diçka rreth asaj teme por mbërritja e kamarierit e detyroi të heshtë. Silva, që deri ato çaste e kishte dëgjuar me njerën dorë poshtë mjekrës, filloi të çonte përherë e më shpesh shikimin tek ora e saj.
-Shkoi vonë? -pyeti ai pa i lënë asaj kohë të flasë.
-Si të them, -tha ajo si e zënë në faj, -deri tani munda të rri pa u shqetësuar. Shoqen e mora në telefon, sigurisht që unë i thashë se me cilin po kaloj sonte darkën dhe m’u duk se ajo ma dha lejen pa ngurrimin më të vogël. Por deri këtu. Ka disa gjëra që…
Silva heshti me shikimin e ngulur diku në mesin e syve të tij. Ai ndjeu turbullimin t’i çonte peshë tërë qënien dhe nuk i pëlqeu aspak veprimi i pavetëdijshëm i dorës, që krejt instiktivisht, si të donte të mbrohej prej diçkaje jo të mirë, preku gotën.
-Mirë, -tha pastaj, -nuk do të të vonoj më.
Po afrohej mesnata, kur taksia ndali pothuajse tek i njëjti vend, tek i cili orë më parë Roland Kajasë ia kishte larguar dremitjen shfaqja e beftë e qenies së saj. U gjendën të dy përballë me njëri tjetrin mes asaj zhurme marramendase, që mbushte qendrën në atë orë të vonë të natës.
Ai nuk e kuptoi as vetë se si hoqi dorë prej mendimit për t’i kërkuar një takim të dytë. Në çastin e fundit e pa më të udhës që të priste reagimin e saj:
-Të të përcjell? -pyeti me zë të ndrojtur
-Nuk është nevoja, -tha ajo.
-Si të duash.
Dialogun e shkurtër e pasoi një heshtje gati e padurueshme.
-Nuk e fsheh dot, -tha ajo, -ishte me të vërtetë një mbrëmje shumë e bukur …madje nëse do të më duhet të përdor një fjalë më të saktë, do ta quaja brilante.
Pas atyre fjalëve Silva i zgjati dorën. Edhe ai ngriti të vetën. Pesha e gjymtyrës së tij iu duk e rëndë, e pazakontë. Në përqafim ndjeu prekjen e lehtë të gjoksit të saj dhe më parë se të rrënqethej prej asaj cikjeje u shkëpur me vrull. Bëri hapa të paarsyeshëm, pa e kthyer asnjëherë kokën mbrapa, vetëm e vetëm që largësia ndërmjet saj dhe tij të qe aq e mjaftueshme sa të mos i dëgjonte zërin. Nuk e dinte se ku po shkonte. As nuk e dinte se çfarë duhej të bënte. Për një gjë bindej pas çdo hapi; e kishte humbur Silvën përgjithmonë. U end ca kohë i brejtur prej një tundimi për t’iu kthyer klubit pastaj u nis për në shtëpi.
Tek pallati i tij mbërriti me autobusin e fundit. Banonte në katin përdhes të asaj ngrehine të vjetër prej gati tre vjetësh. Mbrëmja qe po aq e bukur sa më parë me një erë të lehtë dhe me një kupolë të shndritshme yjesh të panumërt. Vuri çelsin në bravën e derës së jashtme dhe në çastin që e shtyu atë dëgjoi pas shpine një zë:
-Ja tek na qenka zotëria.
U kthye përtueshëm me një veprim ku, më shumë se lodhja i pasqyrohej pakënaqësia që i kishte shkaktuar zëri i njohur i tjetrit.
Jo sonte, tha me vete Roland Kalaja.
Burri që kishte folur ndodhej tashmë përballë tij. Ai i qe afruar krejt pranë fytyrës, gati sa t’i cikte fytyrën me hundën e tij të madhe.
-Nesër, -u nxitua të thoshte Roland Kalaja.
-As edhe një orë më shumë, -tha burri, -nëqoftëse tani nuk do të më japësh paratë, ja ku po të them se sonte nuk do flesh më atje. U bënë tre muaj.
-Këtë javë kam punuar, më beso, sapo të marr lekët do ta paguaj qeranë. Të lutem jo sonte. Jam shumë i lodhur.
Tjetri as që deshti t’ia dinte.
Roland Kalaja futi dorën në xhep. Dëgjoi tringëllimën e ca të hollave, pastaj nxori që andej një kartmonedhë të vogël. I mblodhi të gjitha në grusht. Bëheshin pak. Aq pak sa tjetri që ndiqte me nervozizëm veprimet e tij ulëriti:
-Tani po kërkon edhe të tallesh.
Njeriu me të hollat në dorë pa nga burri me hundën e madhe pastaj me një veprim dëshpërues hodhi çelësat diku pranë këmbëve të tij. Pa i kthyer shpinën tha:
-Mirë, po largohem.
U dëgjua zvarritja e këmbëve nëpër natë. Në atë zvarritje burri me hundën e madhe ndjeu dëshpërimin e tjetrit. Befas i erdhi keq. U mat t’i thoshte diçka, por në largimin e ngadaltë ndjeu vendosmërinë e tij. Nuk lëvizi nga vendi. I ngurosur prej një një ndjenje të çuditshme priti që ai të humbte pas qoshes së pallatit tjetër.
Roland Kalaja bëri sërish hapa të paarsyeshëm drejt të panjohurës. Rruga qe gati e shkretë, me ca fytyra indiferente kalimtarësh të rrallë. Në intervale të çrregullta kohore ajo qetësi prishej prej zhurmës së motorave të vegjël, që në atë ditë të shtunë dukej se qenë të ngarkuar më shumë se zakonisht. Në çastin që kërkoi të linte rrugicën e vet e pati të pamundur që të mos binte në grackën e pronarit të shtëpisë. Gracka qe ngrehur në formën e një shikimi pritës, të cilit iu shtua edhe lëvizja e dorës. Sidoqoftë ftesa e tij për tu kthyer nuk e lëkundi aspak vendimin e Roland Kalasë. Njëherë solli nder mend rrethin e njohur të shokëve të tij, por pa e kuptuar as vetë se si hoqi dorë menjëherë. Iu duk tepër vonë për të menduar për ta.
E kuptoi që këmbët po e çonin drejt qendrës. Ajo pjesëz e vogël kohe, gjatë së cilës kishte shqiptuar emrin e saj, po e çonte pikërisht atje. Në subkoshiencën e tij të munduar gjatë ditës së ngarkuar me lodhje fizike, dhe pjesës tjetër, kur fati e kish vënë ballëpërballë me njeriun e ëndrrave të dikurshme, çeli një shpresë e kotë telepatie. Iu drejtua vendit me një ngulm të marrë, me bindjen absurde se do ta gjente atje. Kur ngulmi dhe bindja nuk i prodhuan gjë tjetër veç zhgënjimit, u ul në një stol. Nuk e kishte idenë e orës. Në krah një çift përqafoheshin vrullshëm dhe ai u ndje i bezdisur prej britmave të vajzës, e cila në intervale gati-gati koresponduese i shoqëronte ato me një pasthithmë epshi. U ngrit. Iu duk sikur atë natë nuk do t’i shpëtonte ndëshkimeve të fatit. E nesërmja, e cila nuk mund të quhej më kështu thjesht për arsyen se kishte kohë që ora i kishte kaluar kufinjtë e ditës së re, i dukej e largët. Sigurisht që të nesërmen do të bënte diçka. Dhe ajo diçka do ta largonte prej atij mankthi mbytës që aq keq i kishte shtërguar fytin. Pranoj, tha me vete, se nuk ka ngjyrë më të përshtatshme për ankthin sesa ajo e blusë. U shty më tej, pranë një ndërtese të madhe. Qe një hotel luksoz, ballkonet e të cilit llamburisnin prej ca neonëve me një ngjyrë jeshile. Stoli që zgjodhi ishte pak i veçuar. Vuri vesh. Nata dukej e çliruar prej pasthirrmave dhe britmave të epshit. Kanë shkuar nëpër shtëpitë e tyre, bëlbëzoi në heshtje Roland Kalaja dhe u shtri mbi stolin e drunjtë. E dinte që nata qe e ftohtë, por duke qenë se ishte i lodhur dhe mëngjesi qe gati në të ardhur pati besim se gjumi do ta mposhtte. Por kryeneçësitë e fatit të asaj dite nuk kishin të sosur. Dukej që fati kishte vendosur që të mos e linte të qetë as aty, në terrin e asaj lulishteje të braktisur.
Në fillim kujtoi se i bënë sytë. Në njërin prej ballkoneve iu shfaqën ca flokë të verdhë, të cilët merrnin nuancën e së blertës prej ngjyrës së neonëve. Fërkoi shqisat e shikimit me shpresën se iluzioni i qe shkaktuar prej asaj këpujeje të gjatë. Më kot. Ishte ajo. Ishte padyshim Silva. Atij iu duk se ajo qe e ndjekur prej dikujt, si në një prej atyre lodrave që bëjnë dy të dashuruar. Dhe nuk u gabua. Pas pak në ballkon u duk silueta e një tjetri. Kur të dyja hijet u shkrinë në një të vetme Roland Kalaja mbylli fort sytë, si të donte të ishte sa më larg asaj skene. Pastaj u shtri sërish. Dhe ndërsa përpiqej të flinte iu kujtua shprehja e saj përpara se të ndaheshin.
Ishte një mbrëmje brilante.

Aleko Likaj per tregimin "Wrong number"




Gjithmone befasues Faruku. Serrish me nje tregim qe te rremben dhe te emocionon njekohesisht.Nje perzjerje pêrfekte te metafores se shtizave, me paralelizmin e zonjushes se telefonit , tentojne te rrahin e te nxjerrin "lakuriq" boten e tronditur te nje familje emigranti,qe ka mbritur ne pallatin buze pyllit te gjelbert, nga nje vend i konsideruar si humbetire, por edhe dramen e vertete te nje gruaje, e cila eshte teresisht e shperfytyruar dhe, e ...braktisur nga njerezit qe i ka sjelle ne jete.Ajo qe bie ne sy edhe kete here tek tregimet e Myrtajt, do te thosha se eshte e veçante, mbase shume e rralle ne letrat tona shqipe. Mund edhe te jem i gabuar ne vezhgimin dhe konstatimin tim, por une mendoj se vete profesioni i hershem i Mytrajt, ai i inxhinjerit te nentokes, ka bere qe tek Faruku te jete teje izhvilluar nje lloj zhbirimi i personazheve te tij, duke evidentuar pikerisht anen e padukshme te tyre. Ate qe ne nuk mund ta shohim. Psikologjine dhe dramen e heshtur, por edhe pozicionin e tyre ndaj saj, raportete...Dhe s'ka se si. Myrtaj di te zgjedhe e te gjeje pikerisht , ate, mademin, mineralin e rralle per te cilin shbirohet, gjithesesi. Di ta nxjerre me "ustallek" nga thellesit e shpirtit ku eshte futur, dhe fshehur, per te na e dhene nepermjet rreshtash, artistikisht.Qofte gruaja, per te cilin Vaiti, ka shume "rrezerva", sidomos kur autori u rrikthehet skenave te intimitetit, si ne rinine e dikurshme, qofte edhe duke i kaluar te pakten si nje visazh perpara syve, duke i enderuar, por edhe personazhia e telefonit, e cila per mendimin tim, nepermjet nje monologu rrefimtar, eshte e plotesuar artistikisht, jo vetem per te dhene kundrapeshen e penelopes-grua, qe thurr me shtizen e saj, antistres, por per te dhene edhe raportin qe gjejne vete emigrantet, ne mjediset e saposhkelura, teper larg. Faruk Myrtaj, shkrimtari emigrant me kete tregim, i eshte rrikthyer rrefimit per te dhene artistikisht kete bote qe here e shperfytyron, dhe here e godet per ta rrezuar poshte, ku nuk mungojne as edhe dhelet ne kete mes,te cilat te ofrojne nje lloj qetesie dhe lumturie, ku te duket vetja se, vjen dhe po jeton ne nje parajse qiellore te munguar, dhe perseri te ngreh... kurthe. Ky cikel fillon dhe mbaron per te rrinisur perseri. Kjo ne fund te fundit eshte dhe mbetet jeta e fshehte e nje qytetari apo familje emigranti, qe takon nje realitet krejt te ri, e dhene kjo, me ngjyra realiste e te vizatuar egzaktesisht, madje deri ne detaje... Si inxhinjer i vertete, larg pasionit te tij te hershem."letersise;" Faruk Myrtaj , e ka bere perseri mire punen e vet. Ne se do te masim me "kutin" e gjerave qe lame pas, do te thosha se, edhe kete here ka nxjerre nga nentoka mineral te rralle, safi diamant, duke i a rrembyer asaj me mjeshteri, pikerisht ne skutat e fshehura nen dhe. E ka realizuar planin.Natyrisht, qe tashme nuk mund qe ti japim me flete-lavderimi dhe nje veper te...xhaxhit Enver, por ta pergezojme se bashku, dhe ta urojme njekohesisht, jo vetem per tregimin ne fjale qe eshte shkruar mrekullisht, por per gjithe vepren e tij ne leter qe ka hedhur ne ato vise ku e ka "perplasur " jeta, ne Toronton e lerget, te Kanadase Faruk Myrtaj, para se gjithash, ka shkruajtur nje tregim per veten..., per ne te gjithe. Urime , Faruk!

Vaid Hyzoti: Per shkrimin "novele apo roman?!"

subject: novele apo roman?



message: E lexova me shume interes shkrimin tend,Fatmir,si nje shtyse te nje diskutimi te hapur pas shkrimeve te Farukut dhe N.Lazrit per romanin "Vdekja e Enver Hoxhes" se Pellumb Kulles.Edhe romanin e afrikanojugorit te bardhe Koetzee e kam kaluar para 2-3 vitesh.
Per mendimin tim,megjithe trajtesen e sakte qe beni,nisur dhe nga historia e emertimit te llojit letrar te romanit e te noveles,thelbi shkurtazi mbetet:emertimi "roman",apo "novele" eshte vetem nje konvencion.Sepse dhe " Turpi",persa i perket linjave qe shtron,ecjes lineare e rrefimit,me profesorin qe perdori nje studente dhe pasojat e mevonshme qe hasi,kur para syve te tij u perdhunua nga djemte me ngjyre e bija;apo 'dashuria" e mepasme e tij me kujdestaren apo vrastaren e qenve etj. sipas klasikes se formuluar eshte nje novele.Nderkohe qe Cehovi i madh nje tregim me njezet faqe e quan "Nje roman ivogel"
Po keshtu,ne letersine shqiptare dihet se "Prilli i thyer" u prezantua se pari si novele.Shembuj te tille mund te sillnim shume e shume.
Por per mendimin tim,nuk eshte emertimi,pagezimi i vepres shqetesimi kryesor i Farukut e me pas i Ndues.Syte hidhen nga realizimi i temes,nje lloj shperndarje ne dukje e palidhur mes personazheve krejt qe nuk bashkveprojne ne veper dhe bashkohen artificialisht dhe mbase dhe lenda duhej shkrire me mire...
Gjithsesi veprat qe ngjallin diversitet mendimi,do te thote qe jane me interes,por kurresesi nuk mund te quhet verejtje konvencioni(eshte roman apo novele) dhe nuk mund te jete i pranueshem dhe i diskutueshem opsioni se kete veper"shpresojme qe autori ta rishkruaj".
Vaid Hyzoti

Monday 27 October 2008

Dhe te mendosh se ndonjehere i kemi zili...


Suzana Kuqi

- Ka qenë aq e bukur gruaja ime, sa kur shkuam për muajin e mjaltit në udhëtim, marinarët e anijes , u vunë në rresht e thirrën tri herë hip-hip - urra për nder të saj .
Muhabete koti, mendova e më erdhi për të qeshur, por kur pashë se po fliste seriozisht e sytë e tij shndrisnin me krenari tek ecte përgjatë korridorit në krah të gruas ... Ishte vërtet e bukur gruaja e tij , edhe pse e moshuar, nuk kisha parë kurrë grua të moshuar aq të bukur. Koha sikur kish bërë dëm vetëm tek flokët e saj që i kish zbardhur, ndërsa tiparet nuk ishin deformuar, një tis fisnikërie ish stisur mbi ta e ajo dukej si ato mbretëreshat e filmave, të konservuara mire. Them të filmave sepse nuk kam parë asnjë portret mbretëreshe aq të bukur sa nëpër filma.
- Keni vërtet një grua te bukur - i them.
- Ka qenë edhe kurajoze - shtoi ai.
Pohova me kokë dhe u largova duke i lënë përpara derës së dhomës së gruas.
- Si t'u duk mysafirja e re ? - më pyeti një kolege.
- Nuk di ç'të të them, në fillim duken të gjithë të mirë, pastaj fillojnë, e din ti.
E në fakt funksionon kështu. Të moshuarit, kur hyjnë në një azil, në fillim janë të hutuar, duken sikur nuk duan t'a kuptojnë atë realitet tragjik . Plazhi i fundit i thonë këtu, stacioni i fundit them unë,në fakt është një zonë neutrale që i ndan nga jeta e mëparëshme e banesës së fundit. Pas pak kohe , hutimi kalon, zhyten në atë realitet aq thellë ,dhe e përjetojnë shumë keq.
- Janë nga më të pasurit e qytetit, vajza e tyre është nusja e pianistes.
Pianistja i ka kaluar me kohë të nëntëdhjetat , edhe ajo mbahet mirë ani se nuk është fare e bukur. Duket si burrë. Dikur ka qenë e famshme, jepte koncerte në teatrin e Genovës , edhe sot mënyra e veshjes ruan frymën e asaj kohe. Ndërsa duart i ka të shtrembëruara nga artriti. Duar që dikur mbi tastierën e pianos magjepsnin qindra vetë. Eh, jeta...
- Nuk din tjetrën, - vazhdoi kolegja ime ,- nesër vjen edhe e motra. Do të kemi një nga familjet më të pasura të qytetit këtu.






Dhe kështu kishim pjesën femërore të një nga familjeve më të pasura të qytetit. Gra të edukuara,por të ftohta. Helbete , kishin bërë jetë . Por nuk ishte kjo që krijoi ftohtësinë time për to.Në fillim, gjithshka shkoi mirë ,derisa një mëngjes e motra e gruas së bukur më pyeti se nga ç'vend vija dhe unë u përgjigja. Pashë vetëm një muskul që lëvizi jo hijshëm në fytyrën e saj, e që u pasua nga fjalët:
- Ballkani, asgjë të bukur e të mirë nuk ka.
Desha t'i përgjigjesha se Ballkani, e për më tepër atdheu im... atdheu im , ka aq gjëra të mira e të bukura sa mendja e saj nuk mund t'i rrokte sepse kurrë nuk e kish njohur ,e po t'a kishte njohur do të ishte më keq, nuk do t'a pranonte me ndërgjegje.
- Eshtë normale, gjithkujt i pëlqen vendi i tij,- ju përgjigja e ajo nuk më ngau më. Vendosa të isha sa më e sjellshme dhe e kujdesëshme me to, të shihnin ato se ç'do të thoshte të ishe nga Ballkani e nga vendi im.Nga ana tjetër ,kurioziteti për këtë familje erdhi duke u rritur.




Pa u lodhur shumë, gjërat duken shpejt kur nuk funksionojne siç duhet. Gruaja e bukur kish vetëm një vajzë. Ajo vinte ç'do ditë, nuk është më e re , ka edhe ajo një vajzë që i ka kaluar të tridhjetat. Autoritare, me një hap që bën të kërcasin më shumë se zakonisht takat mbi mermerin e dyshemesë, asnjë rrudhë në rroba dhe asnjë fije floku që të mos jetë në vendin e saj. Vizita e parë tek vjehrra.
- Si je mama ?- e përshëndet ndërsa i jep një të puthur në faqe.Pianistja shkëlqen nga kënaqësia. Nuse e vjehrrë, ndoshta shkojne mirë, fundja nuk është e detyruar t'a mbajë në shtëpi, paguan paratë aty e çfarë i kushton një e puthur në faqe.Rrin një copë herë me të. Pastaj shkon tek tezja. Eshtë më e dashur me të. Atje sikur i çelet pak ajo fytyrë e ngrirë, e nganjëherë sheh edhe ndonjë buzëqeshje. Ngrihet prej andej , e unë jam kurioze, mamanë e ka lënë për në fund, ëmbëlsira lihet për në fund, themi ne. I afrohet , ja tek është përpara saj ,edhe katër hapa, edhe tre edhe... jo mbetet aty. Asnjë muskul nuk i lëviz në fytyrë.
- Ciao mama - e pa pritur që tjetra t'i përgjigjet ka kthyer majat nga thembrat dhe është zhdukur.Babait i kalon pranë dhe as nuk ja hedh sytë, tek ai afrohet pranë gruas dhe ulet në një karrike pranë saj.
E bukur familje, mendoj, e të mendosh se nuk u pëlqen vendi im, le të vinë e të njohin familjet tona.
Megjithëse nuk më pëlqejnë thashethemet, nuk mund të bësh pa i dëgjuar. E në këtë rast , me kënaqësi , edhe gojët e liga. Burri , kish qenë nënadmiral i flotës ushtarake , të paktën kështu thanë. Shqetësimet që na solli në punë me vizitat e tij një orëshe nuk ishin të pakta. Nuk kish ditë që nuk shkonte tek drejtori e të ankohej për disiplinën tonë. Ne flisnim shumë , e me zë të lartë. Në anijen e tij nuk kish guxuar asnjë të fliste kështu. Po ec e pëshpëriti të moshuarve e foli me zë të ulët, veshët e tyre nuk janë ato të një kohe më parë, nuk të dëgjojnë dot me gjithë dëshirën e mirë që mund të kenë. Ec e bëj ndonjë shaka... Një kolegja ime ja bëri benë dhe ju përgjigj ashpër një ditë, si pasojë humbi vendin e punës ... E bija , përkëdhelte tezen që nuk kish fëmijë , me shpresë se do t'i linte asaj pasurinë, kështu thonin. Të ëmën nuk e shihte me sy. Tezja nga ana e saj bënte çmos të tërhiqte mbesën pas vetes, duke shpërfillur trishtimin në sytë e motrës. E mbesa u martua, gjyshe pjanistja krenohej me albumin e fotografive të dasmës, na e tregoi të gjithëve, veç të ëmës jo, ajo tashmë nuk fliste fare. E drejtë, ulur mbi një karrike, shikimi i saj ishte i humbur. Alzeimer, sëmundje që nuk fal njeri sado inteligjent qoftë. Ish vetëm një orë që sytë e saj merrnin shkëlqim, atë të vizitës të shoqit. Nuk ja shqiste sytë, si ato të një vajze të re të dashuruar. I trishtueshëm njëkohësisht , nuk i pëlqente që ai ikte në shtëpi dhe e linte atë aty gjithnjë në pritje. Mbrëmë ai e puthi në ballë, e pashë ndërkohë që sytë ju mbushën me lotë. Vuri re praninë time aty, e duke buzëqeshur si i zënë në faj tha :
- Ka qenë aq e bukur gruaja ime , sa kur kthehesha nga udhëtime të gjata ,befasohesha kur e shihja, edhe pse e dija që ishte e bukur.
- Ke vërtetë një grua të bukur- i them unë.
E ndoqa një copë here tek largohej e pastaj pashë gruan e tij. Për herë të parë nuk arrita t'i gjykoj keq. Të pasur vërtet, por jeta e tyre nuk kish qenë për t'u dëshëruar. Një burrë që edhe pse ishte i pasur ,kish preferuar karrierën dhe e kish lënë gruan vetëm në shtëpi. Nuk besova ato gojë të liga se ajo në një farë mënyre e kish mbushur mungesën e tij . Një vajzë që nuk ishte pajtuar me karakterin e të atit që në adoleshencën e saj e për këtë kish gjykuar të ëmën e ish larguar prej saj.Një motër që në vend që t'i lehtësonte dhimbjet ,ja kish shtuar. Ndërsa ajo ... një grua me zemër të përkushtuar vetëm dashurisë së saj që për fat të keq sa ishte e re nuk e kish gëzuar. Kish qenë thjesht një grua e bukur ose më mirë gruaja e tij e bukur ,ndërsa ai për atë kish qenë gjithshka. E ajo në pritje të tij gjithë jetën. Pritja kish bërë që stinët e vitet të kalonin pa lënë gjurmë në bukurinë e asaj gruaje...
Po mendoj gjëra koti , them me vete, e mundohem t'a heq nga mendja, fundja ç'më duhet mua me ta ? Në mendje nuk e di se si më erdhën fjalët që i kisha lexuar diku :

."Stinët pështeten mbi lëkurën time si një cohë e hollë dhe e lehtë pambuku duke ngulitur në flegrat e mia aromat e tyre të fuqishme, shijet e tyre mbi gjuhën time , ngjyrat e tyre në sytë e mij. E mijëra e akoma mijëra thesare që më zbulohen mua... në shtegun e jetës , në shtegun e dashurisë"




Imperia 2 Tetor 2008

Thursday 23 October 2008

Fëmijë prej letre

Tregim

Fatmir Terziu

Katër zarfat e fundit i la në tryezën e vogël tek e cila shpesh herë ajo mban atë çentron e saj të bardhë me zogj të punuar bukur me grep. Dhe sa herë që i afrohet asaj tryeze me dërrasë arre, është e pamundur të mos i pikojë ndonjë lot mbi të.
“Është bërë gjithë njolla. Dreqi ti hajë këto lotë!”, - tha Nina dhe filloi të fshinte me shaminë e dorës. Ndërsa dora e djathtë ngjeshej e ngjeshej mbi tryezë, shamia herë nga e majta e herë nga e djathta, kryente një gjysëmrrotullamë mbi tryezë, duke i rrethuar ata njolla gri e pastaj duke i larguar nga ajo tryezë me shkëlqim të dukshëm. Dhe pastaj Nina iu drejtua sërrish zarfave që la mbi tryezë, ndërsa nisi të fliste me tryezën, sikur të ishte një njeri. “Je me moshën time moj e uruar dhe mbahesh rëndë.
-Të laj e fshij përditë. Të mbaj si një fëmijë me kimet… Eh, kjo botë. E sheh sa fëmijë kam unë në letra? Ja kjo është Silva në Australi. Agimi është ky, në atë qytet gjerman. Edlira, ah strofka e shpirtit tim, është në Amerikë. Beta është në Irlandë. Genta në Angli. E unë jam këtu. Këtu pranë teje moj memece, moj që s’më theve njëherë këtë heshtje pesëvjeçare! Dhe lotët sërrish po e tradhtonin. Eh, po këto xhanëm nga dalin? Edhe krater mali të isha prapë do të ishin shteruar? Nejse janë lotë. Po ti mos u mërzit më, se nuk i lejoj të të njollosin trupin tënd...” Ndërsa ajo ishte gati të nxirte fjalët e rradhës në atë monolog të çuditshëm, andej nga dera e hyrjes u dëgjuan ca hapa. Ajo i dinte dhe i njihte mirë ato hapa. E ndjente atë ecje. I dinte edhe sa hapa duheshin deri tek trokitja në derë. Dhe në qetësi nisi të numëronte, teksa hapat kishin ardhur aty ku duhej, aty ku veshi i saj ishte mësuar të komandonte gojën në atë numërim të çuditshëm. Por, për çudi atë ditë numëroi tre hapa më pak. “Tre hapa më pak?”,- s’është e mundur tha Nina me vete. Pastaj kafshoi paksa buzën, si një arsye dënese për mosbesimin e saj. U ngrit. Eci drejt derës. Priti trokitjen e dytë. E hapi derën. Dhe menjëherë drejt saj ishte po ajo dorë, që thuajse i zgjatej në të gjitha ditët e javës. Ishte letra e radhës. E mori në duar dhe sytë ia kishte ngulur me kujdes asaj. E lexoi me nxitim. Pa emrin e Edlirës, pastaj adresën, pastaj…, ia nguli sytë postierit. Ai e shihte dhe nuk fliste. Edhe ai habitej me veprimin e Ninës. Ishte hera e parë që ajo nuk i afronte ndonjë buzëqeshje, ndonjë mollë, apo edhe ato papuçet e bukura që ajo i dhuronte atij çdo dimër. Dimri ishte në prag dhe një erë e fraqtë ndihej deri aty. Pastaj të dy u panë gati për dy-tre minuta sy më sy pa folur. Nina lëvizi dorën e majtë dhe me dorën e djathtë e ngjeshi letrën në gjoks. Pastaj iu drejtua postierit: “Sot ishe paksa me nxitim, apo e kam gabim unë?”
“Eh, si të thuash, nxitova pak, Nina”,- foli ai, por si ndonjë njeri i zënë në faj.
“Po, pse a ke ndonjë …”
“Jo, moj Nina, jo, por…”
“Çfarë, po?”
“Kjo letër duhet të kishte ardhur para tre ditësh, dhe na mbërriti sot. Është paguar që të vijë shpejt dhe e sigurtë. Unë nuk e di se pse është dërguar kështu, por…”
“Po mirë more bir, hape atëherë, hape ta shohim.”
Ai bëri menjëherë një hap para dhe plotësisht i gatshëm të hapte letrën. E hapi dhe nuk i besonte syve. Edlira kishte fituar letrat pas pesë vitesh dhe kishte prerë biletën që të vinte të shihte nënën e saj. I binte të ishte nisur. Ai e lexoi, por nuk u nxitua që ti tregonte plotësisht detajet e saj. I tha se ishte lajm i mirë…
Ajo menjëherë filloi si gjithmonë.
“Lajm i mirë. Oh të keqen nëna, moj bijë. Mu shtuan fëmijët në letra, mu shtuan… lum si unë sa fëmijë që kam tani.”
Ai e dëgjonte dhe shtrëngonte dhëmbët. Nuk guxonte të shprehej më saktë, se njëherë… Ah, atëherë të gjithë e fajësuan atë.

***
Ishte janar. Dëbora kishte mbuluar tërë grykat, rrugët e oborret. Malet ishin bërë njësh me fshatin. Një letër si kjo ishte bërë sebep që të alarmohej i gjithë fshati. Në spitalin e zonës, gati tre orë larg, ata e çuan me kuaj. Atje ishin bërë të gjithë një dorë. Dhe ndërsa dëgjonin si ndodhi i thoshin se ai nuk duhej ti kishte treguar. E ndërsa Nina jepte e merrte edhe doktori i pati thënë të njëjtën gjë. I kishte mbetur ashtu në dorë atij, jo vetëm ajo, por edhe infrakti i saj i përsëritshëm, teksa i kishte dhënë një lajm për djalin, Agimin që kishte fëmijën e parë.

***
Për çudi në atë fshat nuk ka asnjë telefon prej kohësh. Të gjitha telat e telefonave ishin prej bakri dhe ato i zhdukën disa pa llogaritur asgjë dhe i shitën për skrap, tek ajo skoda që vinte javë për javë nga qyteti. Është fshati kufitar me shtetin fqinj dhe as celularët nuk punojnë në dimër kur bie bora. Thonë se në shtetin fqinj, diku në malin përballë është një antenë, por kur bora e bllokon ajo nuk ka valë të gjata, aq sa të flasin edhe ata që janë abonuar me kompanitë celulare të atij shteti. Fshatit, në fakt i kanë mbetur gjysmat e shtëpive. Të tjerët ikën nëpër qytete, dhe disa emigruan. Shumica e të ngelurve janë hallexhinj dhe të moshuar. Kështu askush nuk mendon për ta, thuajse askush. Kryetari i Komunës, merr votat nga e njëjta parti për gati 18 vjet dhe shtëpitë, se ai ka dy një në Durrës e një në Tiranë, i ka vila e kaluar vilave. Ai e merr rrogën si kryetar i asaj komune, por punët i bën andej nga shtëpia. Duket një herë në dy javë dhe në ato dy javë dehet me raki dhe kjo është puna e tij. Rrugë nuk ka. Telefon jo e jo. Spitali tre orë larg, dhe ai është si një karakatinë me katër mure. Një doktor për gjithë ato fshatra. Disa furgonë çajnë nëpër rrugë dhish dhe sjedhin, shesin e katranosin në të tyren, me çmime sipas qejfit ndonjë mall që marin nga qyteti. Kështu atje vetëm postieri është njeriu më i afërt, më i lëvizshmi. Ai e merr postën përditë në komunën afër, pasi katër komuna furnizohen nga një Postë Telefonike…

***

E ndërsa i mendonte këto nëpër kokë, sillte e risillte ndërmend atë ditë. “Kësaj rradhe nuk gaboj. Jo, jo s’gaboj më.”- përfundoi ai.
Nina priste që ai të shprehej më shumë, por pastaj rrudhi buzët dhe disi u mjaftua me kaq. Ai e përshëndeti, i kujtoi si gjithmonë nëse kishte ndonjë nevojë ta thërriste dhe u largua.
Nina u kthye andej nga erdhi. Vuri letrën mbi tryezë. “U bënë pesë tani, sot qenka e premte”, - pastaj kujtoi ajo. Dhe bëri të ndizte qiriun. Si e ndezi u ul. U ul por menjëherë u ngrit në këmbë. Iu duk sikur një zë i vinte nga gryka matanë e drejt nga dritarja i oshëtiu në vesh. Asgjë, jo, jo asgjë. Asnjë zë. Asnjë zhurmë, veç erës që bënte detyrën dimërore.
Ajo ditë iku shpejt. Nata iu duk tepër e gjatë. E shtuna kaloi dhe e djela dukej sikur s’po largohej. Të dielave ajo dilte andej nga komshija e saj, aq sa për një kafe. Dhe ajo ia kthente vizitën të mërkurave. Kështu e kishte rradhën për ta vizituar. Sa bëri Nina, që të dilte në derë, kur fap, as syve nuk u besoi, pa komshijen e saj. Ajo e qeshur deri në grykë. Nina fshiu sytë. Shkundi kokën dhe ktheu sytë nga kalendari që kishte në mur. “Jo, s’jam e gabuar, s’është e mërkurë sot”,- foli me vete. Ajo ende dukej si e përhumbur, kur komshija s’duroi më dhe i foli:
“Sa e fshehtë qenke, moj Nina, sa e fshehtë! Kemi vite që jetojmë sikur të ishim motra e s’të paskam njohur…”
“Mirë se na erdhe moj mike, moj motër e kaluar motrës. Po, më fal të jem matufepsur thua?”,- u shfajësua Nina, por pa ditur se pse.
“Ç’matufepsje moj, Ninë, ç’matufepsje…Po shyqyr që na ardhka Edlira, pa të tjerat…”
“Si, si the, si theee…?”
“Edlira, moj, Edlira, strofka e shpirtit tënd, mos luaj role, mos luaj…” Nina kaq deshi. Sytë i mbetën andej nga dritarja dhe duart i kishin ngrirë. Në çast komshija bërtiti. “Nina, Nina… Ndihmë, ndihmë!?” Kur erdhën të tjerët ajo e kishte shtrirë gjerë e gjatë dhe e kishte mbuluar me atë jorganin e saj të preferuar me trëndafila që i shoqi e pati sjellë shumë vite më parë, para se të mbylleshin kufijtë nga Selaniku. Në tryezë ishin letrat…
Ai që ra në sy, i fundit ishte postieri. Të gjithë kthyen sytë nga ai. Ai ishte skuqur dhe kokën nuk e ngriti më. Pranë tij ishte tryeza e mbushur plot me letra, me letrat e fëmijëve, nipërve e mbesave të Ninës, që kishte vite që i dinte vetëm nga ato letra.
Ata pritën të vinte ditës tjetër Edlira dhe ta përcillnin Ninën me nderime dhe lotë.

Tuesday 21 October 2008

“Rrëmbyer” (Taken) sërrish ‘mbushje’ shqiptare



Fatmir Terziu

Një film tjetër me temë “bandat shqiptare”. Është filmi “E rrëmbyer” (Taken) që trajton këtë temë. Edhe pse nuk është një film që do të na pëlqejë si shqiptarë, ai është një realizim i sukseshëm i një skripti të shkruar nga Luc Besson dhe Robert Mark Kamen, që kanë bashkëpunuar më parë edhe në filmin “The Transporter” (Transportuesi). Aktori irlandez, Liam Neeson, luan rolin kryesor në këtë film me aksion të shpejtë që ndodh në Paris. I ndikuar nga disa rivalë shqiptarë të dënuar nga policia franzezë në trafikimin e femrave dhe krimeve të tjera, filmi “Taken” përcjell më shumë hamendësime, aksion, trille të shpejtësisë së jashtëzakonshme, duke e fiksuar Neeson që lufton për të shpëtuar vajzën e tij të grabitur nga kthetrat e trafikantëve të seksit. Ai lufton pa kursim kundër një ryme krimesh.




Bulevardet e Parisit janë mbushur me trupa të vdekur dhe pagjashmëri deri në kohën kur kreditet e filmit mbarojnë, duke lënë hapësirë që hero ii filmit të shfaqet në planin e tij, duke shfaqur në fillim shpatullat, pasi ati janë një simbolikë që depërton më pas frame pas frame në gjithë strukturën e tij.
Operativi qeveritar, Bryan Mills (Neeson) del në pension, dhe dëshiron të mjaftohet me aq para sa ka në qesen e tij të mbulojë shpenzimet e tij dhe të vajzës së tij 17 vjecare, Kim (Maggie Grace). Ai fiton dicka më tepër edhe duke luajtur rolin e një bodyguardi të personave publikë duke përfshirë edhe divën Sheerah (Holly Valance), që bëhet një njeri në qendër të një plani për ta ekzekutuar atë me thikë, ku familja e dikton dhe merr masat. Bryan aktualisht përpëlitet në veprimet e tij që të shpëtojë edhe nga presionet e ish gruas së tij Lenora (Famke Janssen) dhe i jep të drejtën vajzës së tij që të shkojë në Paris të vizitojë miken e saj të ngushtë Amanda (Katie Cassidy). Në film del në plan zëri i Kim kur thotë në adresë të asaj cka ka ndodhur: “Ju s’duhet të shqetësoheni”, - thotë ajo duke qeshur. “Ajo është të tregosh atë që uji nuk të lag, mjalti im,”- replikon një burrë i vjetër. Në rrugë të mesme një telefonatë i vjen Kim, që të shohë vajzat a kanë ardhur të sigurta, dhe këtu e gjithë frika e Bryan konfirmon.
Kriminelë dhe trafikantë shqiptarë u turren vajzave në apartamentin në qendër të Parisit dhe rrëmbejnë Amandën, dhe e ndjekin Kim, ndërsa Bryan e dëgjon qetësisht përreth Atlantikut. Pas zërit të telefonit është pastaj Kim. “Në se më lini vajzën time të ikë tani, do të jetë dhe fund ii kësaj pune,” Bryan i thotë njërit prej rrëmbyesve, që rrëmben telefonin e Kim të flasë me të atin. Kjo është skena më prekëse dhe shumë fjalë janë në film si të ishin shkruar nga ndonjë shkrimtar apo skenarist shqiptar. “Në se ju nuk e bëni këtë, unë do t’ju ndjek nga pas, dhe do t’ju qërroj juve”. “Paci fat!”- mbaron së foluri Bryan.
Duke kapur me shpejtësi rrufe aeroplanin e rradhës, Bryan kërkon me ngulm të kontaktoj mikun e tij të vjetër të profesionit, Jean Claude (Oliver Rabourdin) që ndërmerr misionin: “Ju keni vetëm 96 orë të ktheni pas vajzën, duke llogaritur minutën kur ju e prekët atë me dorë…”.
Dhe pastaj kryeqyteti francez bëhet një arenë e gjallë kërkimesh. Heroi ndjek në cdo skutë duke hyrë deri në skutat e Champs-Elysees dhe Seines, ku një klimatizer është shndëruar në surprizë mekanike dhe një shëtitje në kohë nate me varkë detajon më shumë për misionin e tij që vjen në skena me gjak.
Aksionet janë koregrafuar në mënyrë fantastike dhe paralajmërojnë aksioni-aksionin në një lojë moderne të Jason Bournes në rolin e editorit. Neeson ndërmer një rol të dyfishtë dhe cdokush e pëlqen lojën e tij. Kështu edhe pse ai është i pamëshirshëm me rrëmbyesit, ka një arsye më shumë të kuptosh lojën e tij. Por jashtë kësaj loje është sërrish shqetësimi i padalë në kapjen e skenave të tilla, ku ekrani dhe skenarët që e ushqejnë atë kapin figura shqiptarësh për të prodhuar historira kinematike, për të fituar para. Duke parë dhe analizuar këtë film të fundit shikon se si ende trafikantët, kriminelët, rrëmbyesit e ku di unë janë thjesht për ti përzgjedhur shqiptarë. A thua vetëm shqiptarë bëjnë gjëra të papëlqyera?


lexoni me shume tek FJALA E LIRE