Thursday 28 December 2017

REFLEKTIME MBI DUKURITË SOCIAL-POLITIKE NË SHOQËRINË KOMUNISTE

Nga Qatip Mara
REFLEKTIME MBI DUKURITË SOCIAL-POLITIKE NË SHOQËRINË KOMUNISTE DHE POSTKOMUNISTE NË LIBRIN  ELEGJI” - PËRMBLEDHJE ME POEZI ,
TË AUTORIT     ABDYL ALI KOPRECKA
Para pak kohe kam shkruar shkrimin “SFIDAT E JETËS TË INTELEKTUALIT ATDHETARIT TË PËRKUSHTUAR SHQIPTARO-AMERIKAN  ABDYL ALI  KOPRENCKA”, në të cilin përshkruhet kalvari persekutues Koprencka nga diktatura komuniste.Kisha biseduar disa herë me intelektualin e talentuar shqiptaro-amerikan  Abdyl Koprecka për vuajtjet e tij,por nuk e dija se kishte  pasur në botim librin “Elegji”,përmbledhje me poezi. Në ditën e shenjtë të krishlindjeve më erdhi në shtëpinë e banimit dhe më solli librin e tij botuar nga shtëpia botuese  “PEGI”  Tiranë. U befasova kur më dhuroi librin me autografin: “ Me shumë respekt  z. Qatip Mara, ja dhuroj,që kur të ketë mundësi  ta lexojë e të kujtoj atdheun tonë të dashur nëpërmjet këtyre vargjeve.  Abdyl Ali Koprencka, dhjetor 25, 2017 ”.
Fjalë pak,racional në konsumimin e kohës, me thjeshtësi  e modesti më tregoi se në vitet e rinisë kishte pasur  prirje për letërsi,por  nuk mundi të shkruante se e dinte që lufta e klasave do ja pengonte lirinë e botimit. Në faqen e parë të librit është vendosur dedikimi librit ,në të cilën shkruhet :
“Këto vargje ja kushtoj  dy prindërrve të mij dhe tezes sime të shtrenjtë Rasika, e cila mendoi më tepër për mua se për fëmijët e saj. Këta të tre,në mënyrë të pavarur, më dhanë kurajo dhe forcë për të mbijetuar periudhën e diktaturës komuniste në atdheun tim-Shqipëri”
Në parathënjen e librit,autori  Abdyl Ali Koprencka shkruan : “- Poezitë e paraqitura në këtë përmbledhje përshkruajnë karakterin dhe fizionominë e një tipi të njeriut të sotëm. Ky profil real lindi u rrit dhe u zhvillua gjatë sundimit gjysmëshekullor të periudhës mbas Luftës të Dytë Botërore. Populli shqiptar  brenda kufijve politikë arriti të mbijetojë në këtë periudhë fatale: kriminale dhe tërësisht antishqiptare.
Në krye të kësaj periudhe vendoset një figurë demoniake dhe sadiste që nuk është parë ndonjëherë në historinë e këtij populli.Në analizë të kësaj periudhe ky Neron shkatërroi në themel gjithçka shqiptare. Shkatërroi njeriun,historinë shekullore shqiptare dhe tentoi ti japë drejtimin e tij paranojak,në shërbim të familjes së tij dhe të një gupi të vogël,besnik të interesave të tyre personale.
  Me botën ka lindur absurditeti. Absuditeti shqiptar është krejt  i veçantë, i pa krahasueshëm me ndonjë vend tjetër, përjashtuar atë të regjimit të Pol Potit dhe Jung Sarisit në Kamboxhia, me ndryshimin që ky regjim nuk vazhdoi gjatë. Kjo periudhë gjysmëshekullore e sundimit të kuq ishte një fatkeqësi kombëtare ,antishqiptare, e mbuluar nga një propangandë krejtësisht e rreme.
  Normalisht, para se të mbillet një bimë studjohet përmbajtja e tokës, kushtet klimaterike,etj, me qëllim që të merren prodhime optimale. Lind pyetja: mos qe fati këtij populli që ky absurditet gjeti të gjithë kushtet e zhvillimit pët ta zhvilluar këtë dukuri në mënyrë të tejskashme?   Mendoj që  disa faktorë  të cilët kanë ndikuar  në këtë drejtim kanë qenë:  a) reliefi,  b) mungesa e zhvillimit, që sjell padijen,  c) karakteri ashpër shqiptar,  d) mosmarrëveshjet me njeri –tjetrin ( e ka  bazën te varfëria shekullore),   e) prapambetja e seksit femër dhe mbi të gjitha  f ) fqinjësia  jonë në veri dhe në jugë me armiqtë shekullorë të kombit tonë.
Shqiptarët janë një nga popujt më të vjetër të Kontinentit,të Ballkanit po se po.Është e drejta e tyre e natyrshme  të jenë të bashkuar në një shtet.Por Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në botë që kufizohet me veten e vet  në të gjithë shtrirjen gjeografike të saj.Shqiptarët qysh në shekujt e kaluar janë të shpërndarë në të gjithë rruzullin tokësor. Ata kanë mundur të punojnë  dhe të begatojnë jetën e vet dhe atyre që kanë bashkjetuar me ta,pa mundur ta realizojnë  këtë normalisht në vendin e tyre, edhe sot e kësaj dite. Por kjo nuk duhet të jetë zgjidhja.
    Raportet  me fqinjët kanë sjellë fatkeqësitë më të mëdha  të shqiptarëve. Fqinjët tanë edhe sot  e kësaj dite  nuk e kanë ndryshuar në thelb qëndrimin ndaj nesh. Nga ana tjetër sundimi i gjatë turk  e la shumë mbrapa  zhvillimin e shqiptarëve në trojet e veta. Nryshimet gjuhësore,zakonore dhe fetare patën edhe ato ndikimin e vet negativ. Më në fund edhe Perandorisë turke i erdhi fundi dhe ajo nuk ishte në gjendje të mbronte kufijtë e saj,posaçërisht  kufijtë me Evropën. Ne u ndodhëm krejtësisht  të pambrojtur dhe të papërgatitur  për të përballuar orekset shoviniste  të fqinjëve grabitqarë  sllavo-grekë.
 Pa ndihmën  e Austro-Hungarisë , e më pas të SHBA, ne nuk do të ishim as kaq sa jemi sot.Kurrë nuk duhet harruar kontributi jetik i tyre. Pa ndihmën vendimtare të SHBA,këtij kampioni botëror të lirisë dhe demokracisë, Kosova dhe shqiptarët e Kosovës do të ishin edhe sot nën zgjedhën serbo-sllave.
        Serbo-sllavët organizuan dhe drejtuan një bandë kriminale dhe antishqiptare e cila u vu plotësisht në shërbim të interesave të tyre, nën flamurin e internacionalizmit proletar, duke e izoluar Shqipërinë  dhe shqiptarët  nga bota e qytetëruar me të cilën  ajo kishte  lidhjet natyrore  dhe shpirtërore. Asnjë pushtues  nuk i ka masakruar ,shpronësuar, dhe përçarë shqiptarët si regjimi  diktatorial komunist. Në këto kushte as që mund të bëhej fjalë pët të mbrojtur shqiptarët e Kosovës nga serbët, dhe shqiptarët e Çamërisë nga grekët. Madje edhe ata  çamë që për t’i shpëtuar gjenocidit  grek lanë vatrat e tyre  dhe kërkuan strehë në shtetin e tyre  amë, u trajtuan ashtu siç u interesonte atyre që  i masakruan dhe shpronësuan,dhe Qeveria Komuniste Shqiptare  kurrë nuk i denoncoi masakrat greke  ndaj tyre dhe kurrë nuk kërkoi  të drejtat pasurore të tyre. Këtyre masakrave dhe këtyre padrejtësive  kriminale iu vu një kapak  ari me veprën “ Dy popuj miq”
   Fati shqiptarëve në shtetin  amë nuk ishte më i mirë: nuk mjaftoi varfërimi ekonomik që ishte pasojë  e shpronësimit dhe kolektivizimit të skajshëm , por shqiptarët u  ndëshkuan rreptë  dhe u përçanë keqas  nga lufta e klasave që  ishte “ forcë lëvizëse” e shoqërisë  dhe që eliminoi  edhe në letër çdo të drejtë njerëzore , e cila nuk ekzistonte  as si koncept. Çdo ide perëndimore , jo vetëm për lirinë e demokracinë , por edhe për artin, kulturën, estetikën, dhe deri mënyrën individuale  të të jetuarit ishte një herezi që ndëshkonte  në mënyrë të skajshme mbartësin e ideve  ( pa le materializuesin e  tyre)  dhe njëherazi  edhe gjithë farefisin , madje edhe rrethin shoqëror të tij.
   Puna dhe mundi  ndër breza i jo pak shqiptarëve  më me fat dhe më të aftë, në mënyrë të pazakontë ishte akumuluar në qypa me florinj , të cilët nuk i shërbyen  as zhvillimit të vendit  dhe as pronarëve të tyre, madje  ata e paguan këtë mund dhe fat me jetën e tyre, apo me burgime dhe me persekutime  të përjetshme të të afërmve të tyre, nga kusarët komunistë, të cilët nuk i vunë ato në shërbim të vendit.
Të gjitha këto bëma të diktaturës komuniste , që maskohej nën emblemën  e diktaturës të proletariatit , prodhuan për pjesën më të madhe të shqiptarëve  varfëri, injorancë, dhunë fizike dhe psikologjike dhe patën si produkt  final  “krijimin e  njeriut të ri”, i cili vazhdon të jetojë  edhe një brez mbas përmbysjes  de juro (por jo de facto), të komunizmit në Shqipëri, duke mbartur veset më të ulta e më të dëmshme  njerëzore si : krimin, mashtrimin, vjedhjen, parazitizmin dhe imoralitetin në përgjithësi. Ky njeri është gjallë dhe aktiv, madje në sferat më të larta  (shikoni Kuvendin aktual të Shqipërisë) , prandaj  tranzicioni  shqiptar  nuk mbaron dhe nuk dihet  se kur do t’i vijë fundi.
Nuk mund të përfundojë  tranzicioni   pa një vlerësim të të shkuarës e cila të ndihmon  të kuptosh të tashmen dhe mbi të gjitha të projektosh të ardhmen Konkretisht mendoj se Shqipëria jonë e dashur  dhe e shumëvuajtur  nuk mund të hyjë në rrugën e duhur  të zhvillimit e  përparimit, duke  u bërë antare e denjë  e Bashkimit Evropian:
Pa u ndarë  nga diktatura komuniste  e ithëtarët e saj, duke e ndëshkuar atë
Pa kthimin  e drejtë të pronës
Pa dëmshpërblimin  moral dhe ekonomik të të persekutuarëve politikë.
Pa rishikimin e pronave dhe pasurive të vëna rishtas
Pa dekriminakizimin e politikës dhe administratës në përgjithësi.
Pa liritë ekonomike  dhe tregtare.
Dhe mbi të gjitha
Pa vendosjen e shtetit ligjor
                         Abdyl Ali Koprencka   
Redaktoria  letrare  Ardiana  Hysenbegasi , duke analizuar librin “Elegji” Përmbledhje me poezi të autorit Abdyl Ali Koprencka  shkruan:
“ Autori poezive reflekton ndaj dukurive  social-politike në shoqërinë komuniste  dhe postkomuniste, por në një terren të veçantë gjeopolitik siç është Amerika, simboli i demokracisë. Kjo është arsyeja  që e bënë autorin të jetë ironik e sarkastik ndaj pseudodemokracisë shqiptare, që në këndvështrimin  e tij është fallco dhe vetëm për të mbrojtur mbeturinat e komunizmit dhe pinjollët e tij. Autori ka vuajtur shumë, duke u persekutuar  gjatë gjithë kohës të diktaturës komuniste , prandaj urrejtjen dhe mallkimin ndaj kësaj së keqeje të njerëzimit e ka në shumë vargje si:
             “ Kur  na erdhi vërshimi kuq,
                Gjithë shekujt kanë shkue huq”
Komunizmi shkatërroi gjithçka të mirë, sidomos në moralin e vetëdijen e shqiptarëve.
                   “ Hipokrizi  dhe dashuri,
                     Janë plotësisht n’harmoni,
                      Harmoni e mjerimit,
                      I shërben vetëm shkatërrimit,”
Autori pavarësisht që nuk është nga  Shkodra, ka gjetur një farë strehe dhe është rritur në këtë qytet,djep i tolerancës, qytetarisë dhe kulturës. Qyteti i dhembej në kohën e diktaturës, kur shihej si simbol  i qëndresës antikomuniste, por edhe sot  që nuk ka marrë atë që meriton në zhvillimin e tij:
                    Shqipërinë mbrapa e kanë çue,
                      Njat  Shkodër  na e kanë shkatërrue..”
Në shumë poezi  si : “Dhanurët”,  “Motoçikleta” ,  “Azili”, autorin e vret shumë  shpirtërisht hipokriti, servili, imorali, spiuni,  i paafti,  që përbëjnë  “tipin”  e njeriut që krijoi diktatura. Këtë njeri autori , fatkeqësisht e takon shpesh  edhe në Amerikë si  “azilant politik”.
      Ky tip  del në shumë vargje si:
                  Jam i zoti,  trim i vjetër,
                  Medaljen e kthej  n’anën tjetër,”
    Ose
                   “Unë  kët punë  kam ba gjithmonë,                     Unë jam qenë që gëzon të zonë,”
Është  ky lloj karakteri që e vret shpirtin e sinqertë  të autorit. Këtë realitet të hidhur ai e ka ndjerë nga afër, mbasi ka kontaktuar  vazhdimisht    punën e tij me njerëz të tillë në Amerikë. Presioni i këtyre pseudo të persekutorëve e revolton  autorin :
                    “Miqt e mij ish sekretarë,
                        Azili bash me të parë.”
Autori rrjedh nga një familje patriotike – të parët e tij  kanë qenë nismëtarë  të nënshkrimit  në Dokumentin  e  Pavarësisë. Këtu e ka burimin edhe pathosi për dashurinë ndaj Shqipërisë, por jo të  përpjestuar, siç e thotë bukur  vetë autori , por me kufijtë natyrorë:
                       “Komunizëm dhe sllavizëm,
                        Jeni veç për terrorizëm,
                        Shqiptarët  i  shkatërruat,
                        Shqipërinë  e përpjestuat.”
Autori  nëpërmjet poezive  ka shprehur botën e tij të brendshme, duke reflektuar , medituar, për shumë dukuri të realitetit, prandaj tipari poezive të tij është sinqeriteti, thjeshtësia e të shprehurit. Nuk është përpjekur shumë  për një formë të ngritur artistike, por ka ruajtur me zotësi  në shkrim dialektin e Veriut ,kjo nga dashuria për qytetin e tij, Shkodrën. Në të gjithë krijimet e ka ruajtur strofën katërshe ,karakteristikë kjo për  poezinë e traditës.
Poezitë dallohen edhe për tonin polemizues  ironik  karakteristik për  autorët tanë të Veriut si Fishta, Mjeda, etj. Nën ndikimin  e poezisë popullore  shumë vargje kanë vlerën e  fjalëve të urta., si:
                               “ Sepse kështu  duhet me mësue,
                                  Lumin  në kambë  me e kalue.”
Gjithmonë nën ndikimin e poezisë popullore, nuk mungon humori  në poezitë për skuadrën e zemrës  Gjermaninë:
                                 “ Kur gjermanët lëshojnë kushtrimin.
                                     Braziljanët  ndjejnë  trishtimin,”
Autori  në këtë mënyrë  i qëndron besnik  realitetit njerëzor, që përmbledh bashkë : trishtimin, dhimbjen,  por edhe gëzimin. Autori  ka lëvruar  me sukses rimën e puthur që i jep vargjeve muzikalitet.
Poezitë lexohen me kënaqësi për sinqeritetin, thjeshtësinë e shprehjes dhe të ndjenjës. Shumë herë në letërsi mungesa e një figuracioni të ngritur , formë artistike  të ngarkuar ,luan rol pozitiv në forcimin e thjeshtësisë së shprehjes, gjë që është me shumicë në këto poezi.” (A.H)

 Libri “Elegji” ,përmbledhje më poezi i autorit Abdyl Ali Koprencka fillon me poezinë :

                        “Epitaf mbi varrin e nji plehu”
                         ( Duke qenë  në shtratin e vdekjes.përpara gjykimit final)

Autori kritikon,fshikullon  e denoncon ligësinë e njeriut mashtrues që me besnikëri i shërben diktaturës komuniste, por edhe  sot në periudhën e tranzicionit duke dhënë detaje të veprimeve  negative. Nëpërmjet vargjeve përcjell mesazhe filozofike për jetën e vështirë,të dyzimit të personalitetit të individit. Si:

                     ..............................................
                         “Ishit shum’i lumtëruar,
                           Me kriminilë i flirtëruar,
                          Poshtërsinë e përpunove,
                           Me gruan bashkë punove.

                            N’birë  t’gjilpanës ke kalu,
                            Begatinë tande ke plehnu,
                            Gruaja jote n’gadishmëni,
                            Me mbulu çdo poshtërsi.

                              ....................................

                              N’kry  t’pjacës  fillon mashtrimin,
                              Pa shku n’fund jep kushtrimin.
                              Asht kushtrim prej  faqeziu,
                              Nji çfit porsa  e  shkriu.
                                     .....................
                                Me vetmohim mbron mohimin,
                                Për me mbrojt me zor shkëlqimin,
                                Andron ditë  andron natë,
                                Kujton Shkodra han bar  t’thatë.
                               .......................................
                               Për njat be për njat djalë.
                               Mjer kush e ka në atë mëhallë
                               Por mëhalla asht  e  kuqe,
                               Lezetohet me kët  buzëburbuqe
                                  ......................
                               Familjes tande baltë i hodhe,
                               Makiavelit  ia kalove,
                               Kur balta  n’fytyrë  t’ra,
                                “Asht mjalt” the, “jo shaka”.
                                
                                Baltë,moj baltë!,
                                Shumë ftyra  ke mbulue,
                                Kët lloj insani,
                                Kurrë nuk ke harrue.”

             
Autori duke u  mbështetur tek fryma e poezisë popullore dhe forca e saj përgjithësuese, shprehet qartë ,  depërton në botën e individit me përsiatjet e tij subjektive, dhe zbulon botën e tij të brendshme. Disa motive të poezisë së tij pasqyrojnë tragjizimin e jetës njerëzore, bëjnë fjalë për një horizont të mjegullt, e herë –herë i zi brenda të cilit ndihen ankthe dhe pasiguri. Detajet e goditura u japin forcë shprehëse    50-të  poezive  të librit “Elegji”. Duke lexuar vargjet e poezive ndjen vetveten te ato dukuri social-politike  që brezi im i ka përjetuar me shumë trishtime e dhimbje.
Në poezinë “Elegji” që është edhe titulli librit,autori  Abdyl Ali Koprencka shpreh me dhimbje kujtimet e hidhura të fëminisë, të persekutimit të egër komunist. Ai bisedon në heshtje me shpirtin e babait të tij të shtrenjtë Ali Xhelal Koprencka që ishte ndarë në moshën 2 vjeçe, duke mbetur jetim. Në çdo varg të poezisë “Elegji” janë lotë dhimbje për ndarjen për së gjalli të babait me djalin dy veç, të cilët nuk u takuam fizikisht kurrë nga izolimi kuçedrës komuniste shqiptare. Ato janë lotë dhimbje me një revoltë antikomuniste  duke pasqyruar realitetin e hidhur të djeshëm,por edhe të sotëm trishtues.
Zemra e autorit Abdyl Ali Koprencka  ushqen dashuri të pakufishme për babanë e tij të dashur prej të cilit nuk pati fatin të merrte ledhatimet atërore. Megjithëse ishte i mitur , e kujton me shumë dashuri dhimbje.

                                    “ Edhe jam tuj shkue,
                                      Përsëri  tuj  t’kërkue,
                                     Tuj  t’kërkue ditë e natë,
                                      Vedi im nuk gjen rehat.

                                      Për ty jam përgjërue,
                                      Zemër, shpirt  janë lëndue
                                      Jam gadi me u ba  fli,
                                      Nji  minutë  me ndej  me Ty!

                                      Që kur ike je largu,
                                      Truni im  asht  përvlu.
                                     Ashtë  përvëlu, asht  përzhitë,
                                     Veçse  vorri  e gaditë.
                                     .............................
                                       Tuj shiqu  Yjet e Hanë,
                                       Tuj vrapu mbas çdo zanë,
                                       Dy fjalë për me ti  çu,
                                      Yt  bir  gjithmonë me ju!

                                        Ftyrën tande tuj imagjinue,
                                        Frymën tande kam dëshërue,
                                       Tuj kërku përkëdhelite,
                                        Zani yt  kurr’ nuk  m’asht shqitë!

        Autori Abdyl Ali Koprencka   i rritur jetim në rrebeshet e luftës së klasave ishte hidhëruar me helmin e përhershëm që nuk ishte pran babait të shtrenjtë doktor Ali Xhelal Koprencka , kur kishte mbyllur sytë përjetsisht  në 16 korrik 1983 ,jashtë atdheut që e kishte dashur më shumë se vetveten.
Në të gjitha poezitë e librit “Elegji” autori  shfaqet gjithmonë i dashuruar me Atdheun, me Shqipërinë e shqiptarët dhe ndjen dhimbje malli për zvillimin dramatik të ngjarjeve të kaluara e të ditëve të sotme, dukuri social-politike që janë bërë objekt frymëzimi dhë lëndë më të cilat brumosi poezitë që paraqet  para lexuesit. Autori ka pasqyruar  realisht ,pesëdhjetë vitet e sistemit totalitar,që  Shqipërinë e katandisën në një krizë të thellë ekonomike, morale e të besimit
Me ndryshimet e sistemit politik  nga totalitar në pluralizën politik autori shpresonte në ndërtimin e një shoqërie, ku njerëzit të jetonin në liri politike e liri prone dhe në barazi para ligjit, ku të mos kishte padrejtësi e gjymtime ndërgjegje; shpresonte në një shoqëri të mendimit të lirë dhe të individit të lirë dhe priste që ajo ditë të vinte, që plaga e sotme  të mos  bëhet gangrenë e së nesërmes.
Autori  është i zhgënyer nga periudha e zgjatur e tranzicionit shqiptar. Në poezinë “ Nën hijen e ministrit”  shkruan:
                                      “Po ta shohësh në miniaturë,
                                       Asht Enveri nën  lëkurë.
                                       Po ta shohësh drejpërdrejt,
                                        I ngre sytë  bash  pëpjet.

                                         Po  ta kthesh në anën tjetër,
                                         Ka ngjasim me një kuçedër.
                                         N’pranverë, n’kohë  t’trandafilit,
                                          Sytë  i  ka si  t’krokodilit.
                 
     Duke përfunduar së lexuari librin “Elegji”,përmbledhje me poezi të autorit Abdyl Ali Koprencka ndjen kënaqësi për ta rilexuar përsëri,sepse në çdo varg ka mendime  racionale sintetizuese për jetën,lirinë,demokracinë dhe shtetin ligjor..
    Qatip Mara

Nju Jork  27.12.2017