Saturday 28 June 2008

Roman për kauzën artistike dhe edukimin estetik


Ndue Ukaj

Romani “Portreti i artistit në rini” është proza e parë e Xhems Xhojsit botuar më 1917. Romani që në titull sugjeron një sugjestion, mënyrë të leximit; ky roman nuk është histori e revolucionit, por prozë e gjatë e ndërtuar nga prirja dhe rebelim i djalit të ri, heroit të romanit, portreti i artistit të afishuar, në tundimet e brendshme drejtë sforcimit të diskursit letrar që mbron Kauzën Artistike, kundrejt “ofrimeve” tjera që sillen vërdallë jetës së tij. Është kjo intenca estetike e narracionit në roman dhe rrugë e kërkimeve të thella artistike, realizuar përmes kryeheroit letrar, personazhit emblematik Stiven Dadalusit. Mbase edhe alteregos së aturoit. Duke trajtuar një nga temat më specifike të artit, vet qenësinë e artit, apo “qenin letrare”- siç do të thoshte studiuesi i madh francez i letërsisë, Zherar Zhenet, Xhems Xhojsi e ngrit këtë roman në piedestalin e perlave më të mira të artit dhe për artin, në rrafsh universal letrar, duke u marr si tekst bazë edhe për shumë interpretime të fenomenit të artit.
Prej faqes së parë të romanit, lexuesi ndesh një thyerje zakonshmërisë narrative. Domethënë, teksti nuk ndërtohet sipas një traditë narrative të njohur, por autori bashkdyzon stile dhe krijon mozaikun narrativ specifik, që ecën në shtratin e logjikës së personazhit, motivohet prej tij dhe shkon në intencë të platformës së tij. Ky model i prozës narrative në kritikën letrare është cilësuar si Letërsi e Përroit të Ndërgjegjes. Në të vërtetë, ky kualifikim, përkon me esencat letrare të romanit. Gjithçka që thuhet, rrëfehet- ndodh brenda psikes së personazhit, ndërlidhet me të, dhe ec në drejtë përplotësimit të intencës që shpërfaq heroi (personazhi) letrar, herë në formë të heshtur, herë në formë kryengritëse.
Romani “Portreti i Artistit në rini”, karakterizohet nga stil metaforik i rrëfimit, në të cilin reflekset dhe imagjinacioni autoriale, ecin paralelisht, për të përplotësuar intencën e afishuar në titull; portretizimin e artisti në rini, përmes nuancave të larmishme poetike.
Xhems Xhojsi përmes këtij roman ngrit në piedestalin e lartë Kauzën e Artit Letrar. Madje sekuenca të tëra narrative që zhvillohen në tekst, ecin në përmbushje të kësaj logjike letrare. Janë këto efektet e kauzës që bëjnë personazhin Stiven Dadalusit të pathyeshëm përballë jetës dhe stuhinave të saj. Ngase, në botën e tij është ndrydhur pasioni për të bukurën dhe lirinë e pakufishme dhe artikulohet nëpërmjet interelacioneve dhe diskurseve, që konstruktojnë tipin të prozës, që ne, e cilësojmë si roman të edukimit estetik. Këtë dimension karakteristik letrar, por edhe narratologjik e përplotëson kuadri i rrëfimit që e zhvillon Xhojsi përmes mekanizmave funksional në procedimin letrar. Ndaj protagonistin e romanit, Dedalusin e përshkon një dimension i natyrës protestuese: ai nuk ndjenjë respekt për askënd, dhe në ndërdije të tij kultivohet fuqishëm kauza artistike, e cila bije ndesh me ambientin që e rrethon dhe dëshirat e familjes së tij dhe rrethit shoqëror të tij. Në këtë konfrontim letrar, Stefani vetëm kthehet në respektin e performansës së tij, që rrjedh nga rebelimi personal dhe i pavarur, që kërkon liri të pakufishme- thotë studiuesi i veprës së Xhojsit, Ben Foley. Dhe këtë e gjënë vetëm në botën e artit, ku noton shpirti i tij i pasionuar. Për të sforcuar këtë diskurs, autori edhe personazhit i jep mbiemër mitologjik, që ndërlidhet me figurën e Dedalusit mitologjik, i cili i jep të birit Ikarit një parë flatra për të fluturuar në qiell, derisa krahët e tij i shkrin flaka e diellit. Kjo shenjë letrare, koincidon me dëshirën e pakufishme për liri të mendjes, pa kufizime deri në vetësakrefikim.
Kritika letrare këtë roman, përpos cilësimit si pozë e rrjedhës së ndërdijes, ose letërsi e përroit të ndërgjegjes, e ka cilësuar edhe si prozë autobiografik, në të cilën shfaqen shenjat e autorit empirik, në rrugët e tij jetësore, sidomos në rrugët e formimit artistik. Më tej, Xhems Xhojsi, bashku me autorët Franc Kafka, Albert Kamy e Marsel Prusit, vlerësohet nga kritika letrare autori më fundamental i prozës moderne në letërsinë perëndimore, që ka një stil specifik letrar dhe një tekstualitet dinamik dhe kështu realizon në shkallë të lartë, një prozë veçantë letrare, substanca e së cilës formësohet përmes një laryshie stilistike, narratologjike dhe estetike. Nga kjo pikëpamje autori bëri thyerje estetike në shkrimin e romanit. Që këndej ky roman është vlerësuar i veçantë për shumë arsye, në kulturën letrare perëndimore.
Xhojsi në procesin e krijimit letrar, synoi një filozofi të të shkruarit me shumëllojshmëri stilesh, duke vënë theksin mbi teknikën semantike të paraqitjes, që shkon drejtë një gjuhë të figurshme, me përshkrime dhe krahasime të gjetura letrare, që kurdoherë korrespondojnë thellë me dimensionin psikologjik të personazhit hero, dhe korrelacionet intertekstuale që ruan teksti me krijimet e mëparshme letrare si pjesë e reminishencës letrare. Në fakt, sajesat intertesktuale përbëjnë një segment me rëndësi në konstruktimin e romanit në fjalë, nga fakti se autori ishte dijetar i pasionuar i letërsisë së përbotshme. Në të vërtetë, të dhënat biografike të tij tregojnë se Xhojsi për të lexuar autorin e dashur të tij norvegjez, Henrik Ibsenin, mësoj norvegjishten.

Thamë se romani ''Portreti i një artisti të ri'' është vlerësuar si prozë autobiografike, ku kryepersonazhi Stefan Dedali, djalosh që mbart një vetëdije në zhvillim, paratregon artistin potencial të së ardhmes, që ndërtohet nëpër peripeci të shumta. Është kjo simbolika e thellë që ndërlidhet edhe me mbiemrin e kryeheroit të romanit, që na rikujton mitin grek, në rrugët për thellësitë e pakufishme të lirisë, në të cilat flijohet. Autorit i pëlqen depërtimi në psikologjinë e personazhit, prej ku zhvillohet narracioni. Kësofare, formëson personazhin letrar edhe si hero të narracionit, i cili ndërlidh marrëdhëniet mes narratorit dhe narracionit.

Stili dhe simbolika xhojsiane
Xhems Xhojsi pa dyshim mbetet një ndër autorët më të mëdhenj narrativ të shekullit të 20-të. I karakterizuar si shpirt antikonformist, me romanin “Portreti i artistit në rini” ndërtojë portretin e heroit letrar, në rrugët e sfilitjes së brendshëm, drejtë kërkimit të sublimes së bashkëdyzuar me të bukurën dhe të vërtetën, koncepcione këto që bëhen pjesë e narracionit letrar dhe formësojnë trajtat e stilit xhojsian. Është ky një roman që implikon shenjat autobiografike të rrugëtimeve autoriale, drejtë synimeve të gjetjeve sa më të thella të mistereve të artit, realizuar përmes koloritet të pasur poetik, me narracion dinamik e semantikë ambiguele, ku dramaciteti i gjuhës letrare përplotëson koncepcionet ideomatike.
Romani “Portreti i artsitit në rini” i Xhems Xhojsit, endet midis realizmit dhe simbolizmit letrar. Xhojsi funksionalizon figura kryetipre, të cilat sublimojnë në shkallë të lakmueshme parakonceptimet estetike të imazheve letrare, përmes sekuencave narrative që ndërlidhën me krijime të njohura letrare, antike e biblike. Mbase edhe krijimi të ndryshme poetike, me të cilat interkomunikon teksti letrar në gjitha nivelet e organizmit.
Në letërsinë botërore, roman “Portreti i artistit në rini” mbetet afreska më e arrirë në interpretimin e artit, përmes artit, zhanrit të prozës së gjatë narrative, romanit. E thamë më lartë, se nga kritika letrare ky roman më plotë të drejtë është karakterizuar si roman i përroit të ndërgjegjes, apo rrjedhës së ndërdijës. Alteregoja e autorit, Stiven Dedalus kryerpersonazhi e romanit, djalosh i ri dhe artist brilant, përshkojnë narracionin e romanit fund e krye, në shtratin narrativ të së cilit rrjedh ndërdija e tij, karshi gjitha episodeve dhe sekuencave narrative të prozës, në të cilin edhe pse ka shumë ngjarje të nivelit dytësor, gjithçka shkon drejtë një qëllimi: edukimit estetik të personazhit. Nisur nga ky mëndim, me të drejtë ky tekst letrar mund të cilësohet roman i edukimit estetik, sepse gjithçka ndodh, ngjarjet dhe situatat narrative si element funksionalizohen, dhe ecin në funksion të kësaj intence letrare, për të triumfuar fuqia e artit, efektet e së cilit reflektohen edhe brenda personazhit. Në roman gjithçka shkrihet, në përroin e narracionit dhe në përroin e ndërgjegjes së portretit të artistit, për të funksionalizuar rrëmbimet pasiononte të heroit letrar, Stiven Dadalusit, karshi ambientit, në të cilin ai është i thirrur për gjëra religjioze. Në fakt ndeshja e këtyre dy taborreve, krijon konfliktin letrar, që në fakt do e predominon ngjarjen që rrëfen narratori dhe njëherit përbën boshtin e fabulës letrare.
Romanin e me ligjërim dramatik konfrontim i dy dimensioneve: brenda heroit letrar dhe jashtë tij. Në këtë konflikt, duhet të triumfoj fuqia e artit, njëherë brendapërbrenda botës së tij delikate, pastaj kundruall asaj që e rrethon. Dhe në këto përplasje me përplot peripeci për heroin, aspak nuk venitet pasioni i thellë në shpirtin e tij, që ka burimin në prirjen për ritmet e muzikës, për teoritë e së bukurës dhe estetikës. Gjitha këto të kultivuara nëpërmjet leximit të poetëve dhe shkrimtarëve të mëdhenj, ekuivalencën e së cilës e ka referncë te tekstet e autorëve të mëdhj: Aristotelit, Platonit, Toma Akuinit e Shën Augustinit, me idetë e të cilëve personazhi interkomunikone me kompetencë dhe njohje të thellë, për të rikonfirmuar shpeshherë edhe shumë dilema letrare, që edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë preokupim i teoricienëve të ndryshëm të artit dhe estetikës. Në këtë dimension, romanin “Portreti i artistit në rini” mbetet prozën gjenial, ashtu sikur “Artit poetik” i Horacit, tekst ku teoritizohen shumë qështje që lidhen me artin, shtrohen mendime të rëndësishme për marrëdhëniet mes artit dhe gjenden përsiatje lidhur me fenomenin e qenies letrare, dimensionit estetik të shkrimit. Janë këto vlera tejëkohore që ngadhënjejnë kundrejt qëndrimit të tij në Kolegj, ku i sugjerohet të bëhet prift, ku ndjen ankthshëm përsiatjet për jetën tokësore, vdeshmërinë dhe jetën përtej tokësore. Autori këto sekuenca i konstrukton me një narracion dinamik, ku mbërthehet në dilema dramatike. Për të sforcuar diskursin letrar, autori e jep romani dimensione polisemantike, shpërfaqja e së cilit zhvillohet përmes relacioneve që ndërton teksti me tekstet pararendëse, që shfaqën në roman në formë të ndikimeve intertekstuale (Umberto Eco), ndikime këto që përplotësojnë domethënien e intencën letrare, çdo tekst është intertekst (Ronand Barti). Këtë teori letrare e sforcon autori edhe kur interkomunikon lidhur me perceptimet metafiksionale. Inkuadrimi i diskursit antik dhe religjioz e biblik në roman, bëhet me pikësynimin ideor; në drejtim të pikasjes së gjithanshme të karakterit të portretit të artistit në rini, në dramat shpirtërore, kur kërkon rrugëdalje. Në këtë kontekst, autori arrin të realizoj me mjeshtëri narrative, plasaritje e njëpasnjëshme në qenien e personazhit letrar. Sidomos dalin të fuqishme plasaritjet mes religjionit dhe letërsisë. Këto plasaritje ndodhin në rrugëtimet e heroit letrar qysh në fillimet e tij në Kolegj dhe ecin drejtë qëllimit final: që kur vendosët në Kolegj, i thyhen syzat dhe ndëshkohet nga mësuesi në mësimin e latinishtes, për të vazhduar me mëkatin e dashurisë, që e sfilit rëndë, edhe pasi që rrëfehet dhe pendohet në Kapelën e errësuar, në të cilën i lutet Jezu Krishtit, Shën Mërisë për t’i falur mëkatin, sipas sugjerimeve të bariut shpirtëror. Në gjitha këto trazime dramatike, ndodh e kundërta e narracionit të jashtëm të romanit, ec ndërdija dhe edukon botën e heroit letrar, në shpirtin e së cilit kultivohet pasioni dhe dashuria për të bukurën dhe artin, për të vërtetën dhe estetikën, për emocionet dhe ritmin poetik, për teoritë letrare e estetike. Xhojsi këto situata tekstuale i realizon përmes narratorit të gjithëdijshëm, që flet nga distanca, por që shpeshherë i lenë të flet edhe vetë personazhin dhe personazhet tjerë, duke sforcuar një diskurs dramatik dhe dinamik të ligjërimit letrar. Në këtë aks letrar, autori harmonizon dy elemente determinante të poetikës së tekstit: përshkrimet e jashtme dhe ndjesimet që ndodhin brenda heroit letrar dhe peripecitë e tij për të gjetur shteg në vorbullën e plasaritjeve në egon e tij. Duke ecur narracioni ndërdijshëm, e sforcon tekstualitetin e romanit drejtë statusit final që ka teksti, me mjeshtri artistike, shkathtësi gjeniale e imagjinatë të bujshme dhe përmes një gjuhë metaforike dhe poetike. Përmes një rrëfimi dramatik që ndodh në unin e personazhit, plotësohet kuadri i përgjithshëm i romanit, edhe në familjen e Stefanit, edhe në rrethin e tij më shok, në të cilin ai gjendet në epiqendër, edhe në kolegj, edhe në kapelë kur shkon për ushtrime shpirtërore, edhe kur Ati shpirtëror në kolegj interpreton për religjionin, për Krishtin dhe mëkatin, për ferrin dhe parajsën, për Shën Marinë dhe Adamin e Evën, për Luceferrin e Katërdhejtë ditët dhe netët e përmbysjeve. Janë këto sekuenca narrative që implikojnë rrjetin interteksutal të romanit, ku ndërfutën citate, asimilohen dhe shkrihen përsiatje biblike, trajtat stilistike dhe retorikë të njohura letrare, si model letrar dhe filozofik krijues. Për të sforcuar instancën letrare të edukimit estetik, autori fut citate të shumta, madje edhe sekuenca biblike. Me një narracion dramatik, autori inkorporon në roman pjesë të predikimit për mëkatin, ndëshkimin dhe ferrin; situatat e tundimit që sfilitin personazhin, sidomos pas predikimit për ferrin, ku ai ndjen fajin e dashurisë, pas ndjenjës që ushqej për Elenën, vajzën që nuk e puthi në tren, por që zemra ja donte, pastaj sharrimi në mëkat me Gruan e pa njohur, nën gjirin e së cilës u gjend pa vetëdije, personazhe këto episodike të romanit, të cilët funksionalizohen me synim letrar të plotësimin të kuadrit estetik të romanit. Pas këtyre “mëkateve” pason ankthi që ja shkakton interpretimi i ferrit, tamam ferrit Aligerian, ku shpirtrat mëkatar vuajnë dënimet nga më të ndryshmet. Në këtë gjendje psikologjike të trazuar, personazhi e ndejnë se devotshmëria e tij ka marr fund. Dhe kërkon rrugëdaljen. Predikimi thellon mjegullën e shpirtit të tij. Vendos të rrëfehet, dhe atë pas shumë dilemave dramatike. Por trazimet e tij nuk i qetëson as falja e mëkateve dhe predikimi i gjatë nga ana e priftit.
Stiven Dedalus, heroi i romanit “Portreti i artistit në rini” nuk është thjeshtë një personazh, por është gjithashtu një metaforë e madhe e artistit modern antikonformist e rebel. Autori kështu rrymon në ndërgjegjen letrar të heroit, përmes një analize psikologjike dhe gjen të zgjuar shkëndijën e fuqishme që do të shndrit, atë të potencës së krijuesit të madh. “Dukej se kishte ardhur koha që edhe ai të bënte hapat e parë në jetën e kësaj bote dhe në mënyre sekrete kishte filluar të përgatitej për këtë rol të rëndësishëm, për të cilin kishte hetuar se e priste, por natyrën e të cilit e dinte vetëm si mjegull”(fq. 67). Këto shkëndija nëpër mjegulla selitën e kalitën, për të triumfuar artisti i mirëfilltë që ruante zjarrin e fuqishëm artistik brenda heroit dhe triumfon sepse ai ndejn“kryengritje në unin e tij” (fq. 180).
Narracion i rrjedhës së ndërgjegjes-letërsi i përroit të ndërgjegjes
Romani “Portreti i artistit në rini” i Xhojsit u tha se i përket llojit të prozës së përroit të ndërgjegjes, apo ndërdijes. Ky formulim në esencë përkon me domethënien letrare të diskursit të tekstit letrar, përkon fuqishëm me shtratin e gjuhës (Logosit) që përdor autori për të konstruktuar narracionin e romanit. Dhe me përkon me Lexisin letrar, me mënyrën se si shtrihet narracioni në tekst.
Romani ka specifik të rëndësishme funksionin që luan rrjedha e ndërdijes së heroit letrar, Stiven Dadalusit. Është kjo alteregoja e autori empirik. Këto perceptime që kanë burim në unin e tij dhe ndërlidhen me botën filozofike e psikologjike, trandin thellësitë e psikes së tij dhe ndezin dëshira të pa përmbajtura për gjëra të larta, kundrejt atyre më të cilat “ushqehet” çdo ditë, që nga familja deri te qëndrimet nëpër vendet sakrale. Xhojsi din të rrymojë thellë ndërgjegjen e personazhit, në Universin në tij dhe të nxjerr ide brilante për magjinë e artit.
Me realizimin artistik dhe shkallën e literaritetit, romani ”Portreti i artistit në rini” mbetet një nga prelat me të lavdishme në fushën e letërsisë narrative. Është një rrymim i thellë i ndërgjegjes artistike universale në sublimimin e Kauzës së Artit, para së cilës fuqi dorëzohet çdo gjë. Xhojsi përmes këtij teksti letrar synon të sforcoj fuqinë e vlerave estetike, që shkallëzohet me atë Hyjnore. Edhe kryepersonazhi, në këtë bashkëdyzim, përcaktohet për atë që ndjen, në vend të asaj që i ofrohet nga mësimet religjioze, nga sugjerimet e familjes dhe priftërinjtë, edhe përkundër ankthit që i shkakton fakti i të qenit mëkatar i kësaj bote dhe predikimet e shumta që shkojnë në këtë drejtim. Përcaktohet për artin, në mënyrë që përmes tij, të arrij botës t’ia transmetoj bukurinë dhe magjinë e fjalës. Mbase edhe magjinë e religjionit, në të cilin ai edukohet si një irlandez katolik.
Narracioni dhe fabula
E thamë se Xhojsi ky roman është i ndërtuar sipas modelit psikologjik të rrjedhës së ndërdijës, që në fakt në tekst ka burimin qysh nga largimi i heroit prej familjes dhe vendosjes në Kolegj, ku sfidohet me rregulla rigoroze të Jezuitëve, deri te studimet e tij, kur përplasjet në qenien e tij, marrin trajta të tundimit. Ngase kjo është përplasje mes pasionit e dhuntisë, mes konkretes tokësore e dëshirave personale dhe interpretimeve që ndesh në mësimet teologjike.
Xhems Xhojsi, duke trajtuar portretin e një artisti të ri, djaloshit Stiven Dedalus inkuadron në narracionin e romanit situata dramatike të ecjeve të personazhit, ecje që zhvillohen në tehun e thepisur të dilemave që ndajnë pasionin dhe vullnetin, kushtimisht me të imponuarën nga rrethanat dhe personazhet që e rrethojnë. Edukimi estetik i të riut Stiven Dedalus, është e kundërta e asaj për të cilën rrugë ai nisët, në kolegj për t’u bërë shërbyes i Zotit. Në këtë aks romani është mbarështuar me vetë të dhëna interesante dhe të mahnitshme, qysh ky si fëmijë shkon së pari në kolegj dhe ndeshet me mjedisin e ri, me rregullat rigoroze që sfidojnë ndërgjegjen e djaloshit. Fillimi në këtë mes, lutjet e përditshme, në të cilat djaloshi merr pjesë pa vetëdijshëm, frika nga të këqijat dhe nga mëkatet, përveq se e fusin në labirinte të pa këndshme, nxjerrin në pah shpirtin e vërtetë të tij. Sidomos këto shkallëzohen kur në qeniet e tij fillon t’i ndjen trokitjet e para erotike. Kot se koti lutet, ngase shpirti i tij mbetet shpirt pasionant për gjëra tjera. U përsërit, se ngjarja në roman zhvillohet rreth trazimeve në unin e djaloshit dhe rrethit të tij. Dhe rrethi i tij janë djemtë e njëjtë që shkojnë në rrugën e priftërisë. Po ashtu në këtë linjë personazhet e rëndësishëm dalin drejtuesit e kishës dhe të kolegjit. Jashta këtyre situatave romaneske, një vëmendje të posaçme, autori i kushton edhe familjes së Stivenit. Në këtë rreth letrar marrin pjesë aktive në roman babai dhe nëna, daja Carli dhe malli për jetën e Dublinit dhe ritet e shumta fetare. Një vëmendje me rëndësi në roman paraqet edhe momenti i thyerjes së syzave dhe ndëshkimi që përjeton Stiveni pa faj. Rrahja nga Atë Arnalli, personazh episodik. Rrahja dhe detyrimi të qëndroj në gjunjë në orën e mësimit të latinishtes, mbetet kushtimisht, të themi, kthesa esenciale e djaloshit, për të ikur shablloneve dhe ndeshja rregullat rigoroze. Në këtë pjesë, dialogjet zhvillohen me një stil të lartë letrar.
Dilema narratologjike dhe zgjedhja letrare
“Ambicia që ndjente nganjëherë duke mos e lërë të qetë në terrin e shpirtit të tij, nuk gjente rrugëdalje”(fq. 69). Ambicia dhe jeta, dy gjëra që ndeshën ashpër, përplasën më tërë fuqinë e tyre. Dy gjëra që ecin në kaheje të kundërta: njëra drejtë lirisë së pakufishme, drejtë thellësive të zemrës, tjetra drejtë ligjeve të ngurrta të jetës në objekte e Jezuitëve. I vendosur në Kolegj ku edukohej për prift, Stiveni ditët i kalon duke lexuar shkrimtar të mëdhenj. Lexon Bajronin, Njumanin etj. Provon edhe vet magjinë e të shkruarit. Me vargjet e tij magjeps bashkmoshatarët. Dhe rruga e tij në çerdhen jezuite komplikohet në mënyrë dramatike kur ky rrëshqet në mëkat, kur gjendet nën gjoksin e një femre dhe bën mëkatin e fëlliqësisë, siç e cilësonin. Ndjenja e qenit mëkatar, vetëm e përforcon kauzën e tij artistike, edhe pse me me dilema të mëdha. Mëkati i tij bëhet pengesë e madhe në rrugën e padashjës që kishte nisur. Andaj, për atë s’ka kuptim fjala e stërpërfolur ushtrime shpirtërore në kolegj, ngase kishte bërë mëkatin e destinimit për në ferr. Dhe në këtë kontekst një vend me rëndësi parqet edhe dimensioni biblik-religjioz që i jep autori zhvillimeve të personazhit, kur fillon ligjërata e priftit, në të cilën interpretohet shkrimi i shenjtë dhe përmasat e tij, duke filluar me Adamin e Evën dhe duke ardhur deri te Jezu Krishti. Ai rrëfehet, lutet dhe synon një jetë të re, por pa mundur të shuan fuqinë e thellësisë së botës së tij, e cila gjakonte rrugën e artit.
Dhe pas kësaj vjen propozimi që Stiveni të bëhet prift. Pas këtij propozimi fillon aventurë e re në botën e tij të brendshme, një konflikt që le gjurmë të thella dhe përfundon me daljen e artistit të ri në skenë me gjykimet brilante që shfaq para miqve të tij. Nga refuzimi, fillon t’i jep liri mendimeve të tij, në universin e pakufishëm të artit. Zgjedhja e dilemave për artin dhe estetikën, dialogu me shokun e tij Lincin, personazhin letrar nga shumë studiues të letërsisë, janë marr edhe si referenca apo tekst bazik, për të diskutuar zhanret letrare. Në të vërtetë, këtë referencë e përmend edhe Zheneti në hyrje të kapitullit të tij për zhanret letrare, në librin Figura. Madje këtë referencë e diskuton edhe teoricieni amerikan Northrep Fraji.
Funksionet intertekstuale-loja me diskursin biblik në sipërfaqen e romanit
“Çdo tekst është intertekst”-shkruan teoricieni i madh Ronad Barti. Në fakt këtë mendim e mbështesin shumë dijetar të letërsisë. Edhe romani “Portreti i artistit në rini” i Xhojsit ka një rrjet tekstesh të inkorporuara në roman, të ripërpunuara e ridistribuara. Në fakt diskursi biblik dhe ai religjioz i krishterë e determinojnë në shumë plane narracionit e romanit dhe shpjegojnë domethëniet e përsiatjeve filozofike të personazhit Stiven. Trajtat e diskursit biblik i gjejmë edhe në shumë emra/ arketipa, mbase edhe si figura kryetipore letrare e kulturore të kulturës së shkrimit biblik. Përveq kësaj në sajimin e romanit, një rol me rëndësi paraqesin edhe figurat e njohura letrare e kulturore, nga Platoni te Shën Augustini dhe Bajroni e Njumani. Në këtë rrafsh, emocionet tragjike- formulim autorial për teoritë e estetikës, implikimet teorike metafiksionale janë ndër diskutimet më të arrira përmes artit, për fenomenin e artit. “Kur i lodhej mendja në kërkimin e esencës së bukurës në mesin e fjalive të ankthuara të Aristotelit e të Toma Akuinit, shpeshherë, në mënyrë që të pushonte, i kthehej vjershave të gëzueshme të kohës elizabetiane” fq. 198. Në të vërtetë, “ky është krijuesi antisocial, i strukturuar në vetvete” (fq. 199
Xhems Xhojsi me prozën e tij u bë një nga shkrimtarët më të studiuar në botë dhe sot është objekt i vështrimeve eseistike nga më të skajshmit, prej atyre letrare, deri te ato që marrin për bazë edhe meta/teoritë, mendimet-idetë që Xhojsi i zhvilloj nëpërmjet personazhit të romani për artin dhe fenomenet e ndryshme që ndërlidhen me artin. Përsiatjet e Stefan Dedalusit zënë një vend me rëndësi edhe në diskutimet që bëjnë dy teoricien të mëdhenj për letërsinë: në studimet e Zherar Zhenetit dhe në studimet e Northrep Frajit. Në fakt, për çështje të veprës letrare, të koherencës dhe zhanreve, rikonfirmon artistik që bën Xhojsi në njërën nga faqet e romanit, u së si paradigmë letrare e teorike në shumë diskutime letrare.
Stefani është irlandez, është katolik, i gjendur në universin e kondraditave të mëdha, vendos të jetë vetvetja. Dhe në këtë rrugëtim, sfidë e rëndë mbetet empiria, kisha, nëna, kërkesat që të mos jetë vetvetja. Heroi bën luftë që dromit dhe ngadhënjen arti, përmes harmonisë shpirtërore dhe imagjinacionit djaloshar, kur fillon të thur vargje, me rima e figura brilante. Muzika e dhomës, është një shenjë letrare që e udhëheq në magjinë e shkrimit. Kështu Xhojsi deheroizon heronjtë të fushave tjera dhe shpërfaq heroin letrar.
Në të vërtetë, kjo prozë brilante është shtytëse e edukimit të mirëfilltë estetik. Në fund të fundit, ky mbetet edhe mision i kritikës letrare.

Friday 20 June 2008

The Wildest Province – SOE in the land of Eagle



Ruzhdi Jata


Dritare ne histori


1.Ndihma dhe veshtiresite


Deshiroj te nxis sadopak kureshtjen e lexuesit per librin e autorit Roderik Baliey, “ The Wildest Province” – SOE in the land of Eagle, botuar kohet e fundit, duke permenduar dy impresione qe ndieva pas perfundimit te leximit te tij. E para , ndihma dhe kontributi i misionit Anglez ne Shqiperine e pushtuar nga italianet dhe gjermanet ne kohen e Luftes se Dyte Boterore, (L2B)per te cilin edhe shkruar ne kete botim prej rreth 400 faqesh dhe, e dyta ,per sloganin ne formen e pyetjes:- A ishin gjermanet kalimtare ne Shqiperi?

Qe ne fillim, ravijezohet misioni i cili eshte i qarte: lufte pa kompromis kunder pushtuesve (jo pushuesve) , dhe bashkepunim me forcat perparimtare per te shmanguar ardhjen e komunisteve ne pushtet. Por edhe teper i veshtire ne teatrin e veprimeve luftarake.Kjo per shume e shume aresye qe pershkruhen me realizem dhe vertetohen me mjaft fakte. I veshtire,jo vetem per numerin e kufizuar te forcave, por edhe per teresine e ndihmave te tjera qe shpesh here nderronin kurs…Vetem Fronti Nacional Clirimtar beri te mundur qe shumica e ndihmave qe jane qarte te evidencuara ne fundin e librit, te shkojne ne favor te partizaneve. Si te mos mjaftonin keto, varferia e tejskajshme e popullit tone e komplikonte me teper misionin si dhe mjaft faktore te tjere objektive e subjektive, qe gjithsesi jane me interes per t’i njohur.Kuptohet se te gjitha keto paten fature te larte ne perfundim,perfshire ketu edhe fitoren e hidhur.

Libri lexohet me nje fryme, eshte teper interesant per menyren lakonike te rrefimit te ngjarjeve dhe te informacionit historik qe percjell.Ti sikur e ndien eren e forte te barutit dhe fishkellimen e plumbave ne aksione te ndryshme dhe ,sikur te shpaloset perpara e tere Shqiperia, nga Konispoli ne Vermosh. Ne kete kuptim ky liber eshte nje dritare e re ne historine e Shqiperise te periudhes se L2B dhe Mr Baliey duhet pergezuar per kete kontribut me cilesimin e merituar si qemtues i sakte i dokumentacionit historik te periudhes ne fjale.

E shkurter koha e lirise, e shkurter jeta e njerezve. Populli yne- nje nder popujt me pa fat ne Ballkan. Ikte nje pushtues e vinte nje tjeter me harbut e barbar se i pari. Lufte me krajla e me mbreter, lufte me ushtri te fuqishme, te armatosur gjer me dhembje. Lufta, si bashkeudhetare, e ndoqi si hija e vet shqiptarin, nder shekuj. Mesazhi eshte i qarte per cilindo. Interesi i studjuesve te huaj ne pergjithesi, per historine shqiptare sa vjen e rritet. Dhe jo vetem i tyre, por edhe i gjenerates se re, cka do te thote interesim me i madh per vendet e Ballkanit te njohura pak prej Anglise ne vecanti. Kombin tone ne kete treve e larteson jo vetem lavdia e kaluar,por edhe historia e sotme e re e Kosoves ,historia e zhvillimit, dhe e perparimit perkrah qyteterimit modern, pjese e te cilit jemi edhe ne, komuniteti shqiptar ne UK.




2. A ishte Gjermani kalimtar?

Normalisht per t’i dhene pergjigje kesaj pyetje gjykohet ne shume kendveshtrime. Njerez te ndryshem analizojne dhe vleresojne nje fakt me shume se tjetrin e, keshtu me rradhe.Por,e perbashketa eshte ,per mendimin tim, periudha historike,pra kushtet historike, forcat nderluftuese pjesemarrese,pasojat dhe perfundimi. Per informacionin qe kemi ne dore deri me tani, si dhe per vete faktin se ekziston kjo pyetje nder grupe te ndryshme shoqerore, njerezish, po them; themi pa frike se nuk mund te jepet nje pergjigje e prere si me thike.Dhe nuk eshte ky qellimi im ne keto pak rradhe, kjo eshte pune qe u takon historianeve. Me e rendesishme per mua, eshte ajo,cka do ta thoja,pa me te voglin dyshim,se na duhet me teper informacion, si ky me i fundit qe kemi ne dore dhe qe kemi mundesine per ta njohur. Pa permenduar dhjetera libra apo shkrime te tjere te historise sone,qe botohen madje edhe nga emigrantet,si nga i mirenjohuri Bejtulla Dostani e te tjere.

Nje pyetje tjeter qe, ndoshta, nuk duhet bere pikerisht fill pas kesaj,por qe gjithsesi ndihmon per t’i dhene pergjigje pyetjes kryesore,eshte: -A ishte gjermani i pa afte per ta fituar luften ne Shqiperi,kur ai tentonte te zaptonte Boten? Jo.Atehere?Faktore te tjere nga burime te ndryshme mund te na vijne per ndihme.

Lufterat, e portretizojne Gjermanine Naziste shume te avancuar ne fushen ushtarake ne te gjitha drejtimet e pikepamjet; jo meshires, jo te bute, gjithsesi te eger,brutal. Ende ruhen te fresketa ne kujtesen e brezit te luftes kujtimet e asaj kohe,pikerisht keshtu sic i pershkuruan autori i ketij libri, pas me shume se 60 vjet. Kudo ku ka shkelur kemba e gjermanit, akoma nuk ka mbaresi toka. Historia nuk ka njohur ndonjehere nje armik aq barbar edhe me racen e vet- ariane. As me pak dhe as me shume, si ne vende te tjera te Europes e,me tej.I pangopur per gjakderdhjen e Perbotshme!

Le te sjell para lexuesit disa pasoja te tij,pa kompletuar asnje prej faktoreve qe i permenda me siper.Gjermanet lane te vrare ne fushen e luftes 2400 ushtare dhe oficere si dhe humben me shume se 1000 te tjere. Dhe keto shifra vetem nga nje burim,pasi nje burim tjeter qe eshte me interes te dihet, thekson se ishin me shume se dy here,pra mbi 7000 te vrare. Jo pak apo jo?Diku nga faqja 200 pershkruhet aksioni i Kamit te Tropojes ku 150 gjermane jane asgjesuar tak- fak, menjehere. Nga mesi i vitit 1944 ne Diber u vrane rreth 400 gjermane… Diku tjeter…dhe, fundi pa lavdi.

Pra a mund te themi, sic kemi degjuar apo degjojme, natyrisht jo shpesh, se ai, gjermani, ishte ne rrugen e tij, ne ikje e siper?-vjen vetvetiu pyetja pas ketyre shifrave te medha te humbjes njerezore. Nuk mund te behet fjale,mendoj as per nenvleresime as per kompromise etj.Ndaj,perseri, nisur edhe nga keto qe thuhen,dua te nxis debatin e bere jo shpesh ne shtyp,asgje me shume se kaq, se kushdo qe mohon Luften Nacionale Clirimtare, ai sot nuk eshte as i djathte e as i majte. Ai qe mohon luften e Ballit apo te Legalitetit gjithashtu nuk eshte as i majft e as i djathte ,as Republikan dhe as Zogist.Pra, per mua, s’do te kishte emer dhe mbiemer tjeter.Kaq mund te them, kur ndonje tjeter ka thene dhe eshte shprehur per ta me etiketa te tilla si thjeshte- Fashist apo… Te me fale lexuesi per kete cilesim qe nuk eshte i imi dhe nuk eshte ne natyren time ta riperseris,pasi njerezit flasin nisur edhe nga pervoja extreme qe kane patur ne jete.

Eshte pikerisht Nacionalizmi qe, ndoshta ne, emigranteve, na frymezon me teper.Po, padyshim, 400 faqe libri,plot ngjarje dhe fakte, edhe te panjohura me pare,te pakten per mua, te bejne te reflektosh, te ngjallin interesin per debat dhe kureshtjen per te mesuar.
Ne librarine tuaj me te afert,mund ta gjeni “The Wildest Province” duke e kerkuar ne etazhierin e historise.

Ukaj dhe kompleksi krijues-kritik-poet

Ukaj dhe kompleksi krijues-kritik-poet

Fatmir Terziu

Prej kohësh në fushën krijuese shqiptare është edhe një emër. Një emër që vjen me plot timbrin letra dhe krijues. Është emri i Ndue Ukajt që risiglon këtë persuamble krijues në tërë këtë ndjesi tingëlluese. Është poet, kritik dhe një analist me një ndjenjë të mirë njohëse. E kam ndjekur në heshtje krijimtarinë e tij si në letrat shqipe ashtu edhe në cyberspace. Dhe në të dy rastet ai vjen i shëndoshë dhe me një synim të qartë. Këtë radhë flet me poezinë e tij në mjedisin e “Fjalës së Lirë”. Dhe poezia e tij është një grusht molekulash tërheqëse që të mbijnë në hapësirën njerëzore dhe fokusohen në tërë evenimentin lexues-krijues. Duke e parë krijimtarinë e Ukajt, ndjenja të shtohet në një shtysë-kërkesë shpirtërore që të njohësh këtë penë që siglon vetveten. Në poezinë “PËRLESHEM”, norma letrare ngjeshet me një dimension logjik dhe mbjedh emocionalen që të shtyn të rrekesh në brendësi të saj. Tipike me simbolikën njerëzore, ana dimensionale që shtjellon njerëzoren gjendet si një arenë e pluguar mirë për të mbjellur bereqetin e premtuar, kur autori thekson dhe gjen këto vargje:
“Nganjëherë i kafshoj dhëmbët,
I kafshoj sa fort gjuha më përleshet me dhëmbë,
Më mbetet gjuha në dhëmbë nganjëherë,
Me gjilpërë më duhet ta qep gjuhën,…”

Duke udhëtuar në muzën origjinale shqiptare dhe duke rrëmuar në krijimtarinë më të ndjeshme shqiptare, kartëmonedha e vlefshme poetike e Ukajt është një sintezë metaforike dhe një hapësirë shpirtërore në pritje:
“…Engjëlli im
Jo pse dua
Eh pra nganjëherë çuditem edhe me veten si i kafshoj
ëndrrat,
Hahem me to deri në përgjakje…”

Në këto vargje jetësorja dhe ndodhia e saj katapultohen me një imagjinatë intelektuale dhe ngjeshen në fushën e përballjes emocionale. Kushedi sa ndjesi ka prodhuar vetë autori teksa ka pasqyruar këtë model, që duhet vlerësuar dhe simpatizuar:
“I kafshoj dhe përleshëm me realitetin,
Nëpër net me ëndrra vjeshtore e pranvera me buzëqeshje
dashurore
Hamendja për fitore mbyt trishtimin
I kafshoj ditët, edhe netët i kafshoj,
Të zeza si futa, netët,
Krejt përgjakëm nganjëherë,
Me dhëmbët e mi të rëndë, oh sa të rëndë,
Sa shkëmbinjtë e Bjeshkëve të Nemuna,
Nganjëherë botën e zë gjumi 'mes të ditës, trulloset bota
krejt,
Harron përuljen e gjurit nganjëherë bota
E unë, nganjëherë i vetmuar përleshem me botën
Dhe përhumbem në lakuriqësinë e poezisë…”

Wednesday 18 June 2008

Risi jete në vargun e Bashllarit




Fatmir Terziu


Shpeshherë është një ndjesi që të bën të mugëtohesh mes vargut. Një mugëtim tulatës, katalizues, strukturues dhe urëlidhës në tërë rrugëtimin tënd letërkëndjedhës. Simpatia dhe empatia në këtë rrugëtim ndërmjetësohen me një nyjë që fillon në fakt tek kompleksi i njeriut që siglon veten nën siglën autor. Këtë kompleks këtë rast e kryen modeli në përzgjedhje, Linda Bashllari, që hyn në portën krijuese me një modesti piloted he tepër frymëzuese. E gjen në faqen e mrekullueshme të “Seguraëeb” dhe e ndjen në tërë argumentin e saj krijues. Është sinqerisht një kompleks, një mrekulli që junktapozohet midis anatemës dhe mediumit letraro-poetik. Në këtë medium letraro-poetik është dhe mesazhi. Një mesazh që lind përpos një miti dhe një kodi sinjifikant, që nën siglën e teorisë së Stuart Hall, në mesin e poetikës shqiptare qëmton si një kod i mirëpritur në vetë mesazh vargut që sipas Barthez, kumton “mitin e fjalës”. Bashkë që të dy alternimet teorike të akademikëve Hall dhe Bartez, janë në fakt një pikëtakim në larminë krijuese të Bashllarit.
Duke lexuar prozën e saj ndjen një pikëtakim të tillë në fakt që sintetizon anën krijuese dhe tematikën poetike. Proza e Bashllarit është një poezi më vete dhe poezi një shtesë në lëminë shqiptare poetike. Unë e konsideroj këtë, përpos analizës që e ndërlidh atë, por edhe përpos ngjashmërisë në sitën teorike të analizës bashkëkohore. Në pamje të parë druajtja se në këtë pikëlidhje, sfumëzohet idealja dhe mbi idealen e sfuamuar nga drobitjet poetike në rrjetin ‘poezi e castit’, krijimtaria poetike e Bashllarit, është një risi më vete, një pasqyrë e detajit dhe monologut të ndjenjës në lidhjen mendje-autor. “Për gocën që lahet në det, lakuriq” një nënkapsulim tipik të tjerr kumtin e larmishëm që Bashllari e qëmton tek natyralja dhe pasuria e saj njohëse. Ajo shton se përkimi është natyral, i prekshëm dhe jetik: “Ryerson University Theatre (Lidës-alteregos sime)”. Duke parë dhe lexuar vargjet e mëposhtme një pikëlidhje e tillë duket më se reale, më se domethënëse:

“Fillon të bjerë dëborë dhe fjalët që thua,
më vijnë si nga korsia e një jete tjetër...
të jap një buzëqeshje, pa pasur mendjen tek ti,
sidoqoftë, mbetesh më i vërteti alterego...
të paktën ti s’e fsheh idiotizmin tënd,
që më argëton çdo ditë
më pak e më pak më mërzit se të gjithë librat
lexuar kohët e fundit… harta që ndjekim
ngatërrohet nëpër vija e qoshe,
na çon drejt teatrit, ku veshur me rroba firmato
sonte shqiptarët presin të hyjnë në koncert,
kanë ca shprehje të ngrira në fytyrë
dhe të sforcuar shpalosin sukseset që kanë arritur,
në kilet e tepërta kanë ndryrë kufomat e legjendave,
shëmbëllimet e së shkuarës, ndjekin me cep të syrit
fytyrat e reja që shfaqen në portën e madhe...
është prej dhjetorit kjo ngricë në përshëndetje,
ky dimër plot rrudha?

Më tutje është e prekshmja. Një e prekshme që vjen e qetë, e heshtur dhe e tepër kuptueshme. Vargjet janë shotuese, ndjenjësjellëse. Prurja është natyrale, fisnike dhe tepër poetike. Gjuha gjen motivin e krijuar dhe krijimi finalizon të tërën. E tëra është kompleks:
“…Të them në vesh pastaj, por je ti tani që s’më dëgjon.
Në skenë hyn artisti që derdh puthje në sallë,
mundohet të ngrohë muret, karriket,
moketin me tinguj xhixhileje e havaleje,
dhe ti prapë s’e ke mendjen se brezi i zi me xixa
në belin e valltares përdridhet si gjarpër,
askush nuk frikohet nga helmi dhe ngrihen
në një valle të madhe,
më në fund janë të lumtur shqiptarët e mi,
duket ashiqare se femrat e duan të gjitha këngëtarin,
që nuk harron të na kujtojë se vendi ynë është atje,
dhe me gisht shënon gabimisht Ëest-in
shqipet mbajnë frymën një çast, por vrikthi flakin mendimin
së do treten këtu, janë prapë në vallen e madhe
dhe besojnë se e kanë vrarë atë mit prej kohësh,
se kthimi akoma edhe më i keq
dhe më poshtërues se ikja është...
por shtëpia, shtëpia nuk i mbyll sytë atje...
nuk flenë shtëpitë, skifterët e mallit
që na shqyejnë përditë shpretkën e nxirë…”


Dhe vazhdimi i poezisë është më shumë se një filozofi poetike. Kjo filozofi është një gërshetim i poetes me ndjenjën, njohurinë dhe motivin, duke krijuar një argument tepër domethënës. Argumenti lidhet me tematikën dhe filozofia me stilin e rrokur:
“Për gocën që lahet në det, lakuriq
goca rrëshqet në ujin e ngrohtë, të gjelbër si vaj
ulliri... pertej bregut digjet divjaka,
luspa insektesh e peshqish kërcasin në ajrin e nxehtë
...dhe goca hyn thellë e më thellë... zbërthen rripat
pas qafës dhe shpinës, rripat e hollë të mbathjeve
...lëngu i trashë, i kripur i fërkohet kofshëve,
buzëve të fryra të seksit, gjoksit të vogël.
Mbështjell krejt kurmin e njomë, me pëshpërima
mirëseardhjeje... sheh rreth e qark me droje,
por njerëzit kanë mbetur larg, shullehen
në rërën e imët duke u shqetësuar
për artritet e vjetra, kolorin e barkut dhe shpinës...
ndërsa ajo si e çliruar nga të gjitha peshat,
derdhet e tëra në një përqafim lektisës
me detin... kjo duhet të jetë orgazma, thotë pas pak,
e habitur sesi njerëzit nganjëherë
e ndërlikojnë më shumë se ç'duhet jetën.”

Unë në fakt në këtë lexim-analizë gjeta tipiken që e bën këtë poete të vetëpërfshihet në mesin e poetëve me emër në sidën e re që ka shtuar brumin në poezinë Kombëtare Shqiptare. Më tutje kjo poezi ka edhe një meshë të qartë, që e shpie drejt dyerve të konkurrëncës ballëhapur. Kjo lloj poezie lexohet këndshëm në stilin e saj:


Goca bën pirueta dhe qesh,
ujërat i sillen rreth kurmit si krahët e djalit që i iku...
piruete... piruete... piruete... krahët lidhen e zgjidhen,
symbyllur ajo qesh, puthet me rrezen e pasdites,
është lëng e tëra - pjeshkë e pjekur kopshti...
është dritë e tëra - frymë lirie... lakuriq kërcen e zhytet
nën valë, si femër delfini, goca... shtrëngon fort
me një dorë kostumin e banjes, me rripat e hollë
ku pas pak shpirt do japë liria...


Diçka pa lidhje për gjërat e trishtuara

Nganjëherë, nëpër gjumë ti zgjat doren
të më prekesh diku nën sqetull...
të dy trishtohemi
Për arsye krejt të ndryshme
Ti për friken mos ka mbirë ndonjë flater
Unë me tmerrin mos ndonjë gjëndërr
shfaqet dhe ma kthen në hi, ngjitjen...
çdo gjë bëhet njësh atë çast,
udhët dhe parqet, kullat dhe ujërat,
bëhen fije dhe gjilpëra qepin grykën
e një thesi të zi.
Ty të dhemb dhembja jote dhe vazhdon
të trishtohesh, të më thuash
se në vend të zemrës kam një copë gur,
se nëpër gjumin dhe ëndrrat e mia,
përqesh trishtimin tënd.

Nuk di ç'të them asgjë për keto...
pa lidhje tani mendimi për gruan e çalë...
çala si ngjala, këndojnë ende
tek mejhanet e vjetra,
dhe zhduken fjalët, si hijet mëngjesit
Vrapojnë... fluturojnë... huh, jo.
...Ky s'është fluturim. Kjo orë mbi tryezë
tepër të shkurtër e ka njërën këmbë...


Vetëm era fishkëllin

...kur ajo m’i ngul kthetrat në tru, krejt e hazdisur
nga uljengritjet e pakontrollueshme të hormoneve,
un’ e di qysh më parë se të fillojë ulërimën
betejën e ka të humbur…
s’di si ndodh, por thonjtë një nga një i bien mbi parket.
Kurvë, i them nëpër dhëmbë dhe e lodhur i lëshohem gjumit
me dëshire, kujtohesh të vish pikërisht atëherë kur
thuajse të kam harruar.

Në rrugë kuisin frenat e forta të një makine
dhe ajrin befas e shpojnë tingujt e së bukurës More…
mesazh nga toka e shenjtë e qumshtit,
nga toka e gjakut… sytë ngrijnë në terr
ngrenë një nga një perdet e trasha të largësisë,
por ajo, dashuria më e paformë,
prapë s’arrin të më shohë…
vetëm era fishkëllin dhe papushim shfryn:
kuur(vv)... kuuur(vvv)...


Fusha vret

…fusha vret.
Gruaja dhe burri,
humbin harkun e shputës… tabani i sheshtë
vetëtima u shkrep në syrin e ballit…
Ç’hidhësirë prekja e tjetrit!

Picërrojnë sytë të rrokin krejt pamjen, por
duart këputen tek dëgjojnë melodinë e hallakatur
të zemrës.

E bash ky është momenti
kur horizonti si tel i skuqur, dridhet mes qerpikëve
kutërbimi i kopjeve të djegura më parë,
u ngjitet pas lëkure.

Fushës shkojnë mpakur e rrudhur në heshtje…

Hapësira mbushet me liliputë.


Sonte nuk vjen askush…

Sonte nuk vjen askush, …tryeza rri shtruar,
një pirg me rroba të palara dergjet më tutje… ka ditë.
Rrëmuja ime, kontribut modest
në kaosin e përbotshëm…mendoj
dhe tinëzisht ia kthej shpinën.
Siddharthën vështroj tani,
gozhduar në fletë standarde, brenda
një ndërtese standarde këtu në North America…
shkrep si e zeza mbi të bardhë,
pelin mbi plagët në kokën time…
flokë sensitivë, lëkurë nervoze,
ka muaj që ju pres të shëroheni,
gërricur, gjakosur, përtharë,
më ktheni në dashnore të vetvetes,
më mbani lidhur më të
si në zinxhir martesor,
falë saj, pak e kam vrarë mendjen
pse në mes të gjashtë miliardë të gjallëve,
Sizifi është çfarë dua,
Mos dil nga legjenda…, i lutem
dhe shkëmbi i mbetet në shpinë,
se dashuria… dashuria, jo se na mban në jetë,
por drejt vdekjes s’na hedh,
pikërisht në at’ majë mali
ku ti arrin çdo mbrëmje, me shkëmbin, që pastaj
vetë e rrëzon drejt zemrës…