Friday 5 July 2013

Berihaj




Tregim nga Fatmir Terziu

Qetësia e varrezave ishte prishur. Shkuleshin rrasa e gurë të vjetër dhe në vend të tyre sharroheshin pllaka mermeri të reja. Mbishkrimeve të vjetra u viheshin të rejat. Një turli gjuhësh kishte sjellë në atë kënd varresh një dyzinë përkthyesish. Një ushtri e tërë me uniforma të dallueshme ishte në shërbim të skalitësve të gurëve të sjellë nga disa shtete. E gjitha ishte një aksiomë e zhurmshme. Thyeshin krevatë princësh dhe perandorësh, mbretërish që ishin varosur me gjithë vaskat e shtrenjta, sundimtarë të ndryshëm që kishin urdhëruar në të gjallë të shoqëroheshin me tërë pasurinë dhe të dashurat e tyre përtej varrit. Kishte edhe të thjeshtë, që jo vetëm nuk kishte se çfarë tu thyhej, por edhe kockat e tyre ishin delikate. Të dobëta si në të gjallë e në të vdekur. Të tjerë të gjatë, si anormalë, madje dhe kockat u ishin bërë të çimentuara me gurët që u ishin mblatuar në trup, pos ndonjë shkundjeje të dheut gjatë viteve. Varrezat e lashta të atij vendi ishin bërë kryefjala e radhës. Thuhej se aty ndodhej edhe një shenjtë. Një njeri i shtrenjtë për tërë ata që besonin në mënyrën e tyre, që të ringrihej ai vend. Dhe lutjet ishin transferuar. Sa në disa kisha aty rrotull, aq edhe në disa xhami e kongregacione përreth. Çdo institucion i tillë kulti kërkonte me ngut të shpallte të gjeturin në fund të dheut, si shenjtin e tij. Dhe kjo bëhej në një kohë që njerëzit ishin hallakatur sa andej e këndej nëpër hapësira të ndryshme në kërkim të kotheres. Bëhej në një kohë kur sytë e njerëzve ishin të errësuar nga propaganda e bërë në vite. Nga ajo propagandë që u hapte dyer e kanate për jetë më të mirë, por që u mbyllte çdo gjë, deri sa më në fund bëheshin pronë e një grope të tillë, ose të ngjashme me njërën prej këtyre ku do të dalë ai ‘shenjti’, ai njeri i ikur kohë më parë, madje shumë e shumë kohë më parë, nga hapësira ku jetojnë të gjallët.
Zhurmat e thyerjes bëheshin përditë e më të padurueshme. Dëgjoheshin matanë e matanë asaj pllaje të gjerë e të gjatë. Dëgjoheshin edhe më tutje, ku malet qafonin me fushat e mëdha. Kishte ditë që gropat e kaminave ishin ashtu gojëhapura, dhe në rrëzë të tyre, si në ndonjë greminë, apo në buzë të saj, shtriheshin mushama të zeza e të najlonta që mbanin kocka të llojeve, sojeve dhe madhësive të ndryshme. Vetëm gurët e varreve dhe çdo gjetje tjetër mbahej nën mbykqyrjen më të rreptë. Mbaheshin nën përkujdesje dhe gjërat e tjera që gjendeshin ose shfaqeshin gjetiu mes dheut të gërmuar. Për disa varre zbritej deri në fund të luginës, ku mendohej se errozioni kishte marrë me vete edhe varre të tëra masive. Dhe ashtu bëhej me ata që nuk gjendeshin përpos hartës së dhënë nga autoritetet vendase. Ofshahej nga punëtorët e kontraktuar. Godiste qysqia fort, vareja oshëtinte. Në çast u dëgjua një goditje bosh. Vareja e një punëtori kishte dalë nga bishti dhe forca e muskujve të bëshëm të punëtorit kishte goditur me tërë fuqinë e bishtit që ishte thyer gati më dysh.
“Në p.... të s’ëmës ofshau, punëtori, një djalosh i bëshëm, muskuloz, por që dukej se lodhja e kishte mposhtur edhe atë si dhjetra të tjerë që prisnin orarin e ikjes nga ai vend, nga ato varre ku vetëm ajo zhurmë që trazohej nga heshtja e varreve, të bënte të mos duroje dot asgjë.  
“Bishti, u thye bishti...”, foli ai dhe ia bëri me shenjë të ngarkuarit me këtë mision. Ai ishte i huaj dhe pasi ia bëri me shenjë përkthyesit u afrua.
“Bishti, u thye. Ja shikoje...,” foli përsëri punëtori duke fshirë me dorën tjetër djersët që i vareshin tëposhtë ndarjes mes vetullave.
“Nuk të pyeta se çfarë ndodhi? Më mirë të mos ofshash në atë mënyrë. Askush nuk të kupton nëse e ke në drejtimin e duhur... Kujdes kur ofshan nga trishtimi dhe lodhja”, -foli ai dhe fjalët e përkthyesit ishin gati të menjëhershme.
Përqark u bë berihaj dhe po mblidheshin të shihnin se ç’kishte ngjarë. I ngarkuari me këtë mision i hodhi në fillim një sy bishtit të çarë më dysh, pastaj varesë që kishte përfunduar në fund të asaj grope të madhe, ku ishte ngatërruar me disa eshtra të shkëputura nga trupi skelet. Dhe pastaj pa folur bëri me shenjë të rrethohej ajo gropë. Shpejt sa të mbyllësh sytë varri u rrethua me tela.
“Ç’po ndodh kështu?”, pyesnin njëri-tjetrin. Por askush nuk guxonte t’i drejtohej atij. Frika se do ti largonte nga puna i bënte të mos guxonin, as edhe të pyesnin. Kjo nuk zgjati shumë. Ai vetë i mblodhi dhe u foli.
“Kohë më parë kam lexuar një libër të shenjtë. Në atë libër ishte edhe historia e një varri. Në atë varr thuhej se ishte jo vetëm trupi i një shenjti, por edhe gjarpëri nga i cili ai vdiq, teksa ishte nisur të fitonte zemrën e një Mbretëreshe mendjelehtë, që ishte gati të tradhëtonte çdo gjë për qejfet e saj...”
Punëtorët dhe tërë specialistët, përkthyesit dhe inxhinierët panë njëri-tjetrin përsëri me habi.
Ai nuk u prek nga habia e tyre, as edhe nga ndonjë kureshtje, por vazhdoi.
“Në fakt ishte diçka tjetër. Gjarpërit ia prenë bishtin kur ai tentoi ta pickonte...Dhe...”
Pasi mori paksa frymë thellë vazhdoi më tej duke parë se ata po e ndiqnin me vëmendje.
“Ju e dini se, në qoftë se një gjarpëri ia këpusni ​​ bishtin e tij, prej atij bishti do të rritet një gjarpër i ri? E pra ai jeton në dy forma”.
Ata filluan të shihnin përsëri me habi. E dinin se hardhucat, kishin një fat të tillë të dyfishtë, por me gjarpërinjtë nuk e kishin provuar. Ndaj habiteshin disi.
Ai pastaj buzëqeshi. Foli, dhe përkthyesi u bë i gatshëm ta përkthente.
“Jo, nuk është nevoja. Thuaj vetëm kaq, se diçka ka ndodhur aty në atë gropë. Diçka e paimagjinueshme për ju. Kot nuk u thye gjithë ai bisht me një rrasë të vogël varri. Nuk u thye kot. Aty nuk duhet gërmuar më.”
Prapë filloi zhurma dhe pëshpëritja po shtohej.
“Jo, natyrisht jo. Nëse një bisht ... Si mund të ndodhë kjo?”
“Pushoni dhe dëgjoni një minutë.” Foli ai dhe kur u sigurua se kishte vëmendjen e tyre të plotë, vazhdoi, “nga bishti i gjarpërit, në pesë ditë a më shumë se kaq, rritet një gjarpër tjetër. Pra, nga bishti i prerë rritet një gjarpër i ri”.
“E pra..., ky po na çudit...”
Pastaj zhurma filloi të vazhdonte përsëri si më parë në vare. Kërcisnin qysqitë, çukisnin fort e më fort tokmakët, varetë shtoheshin akoma më shumë. Një varezë kaq masive, e fryrë nga vitet e shumta, dukej e pamundur të shembej aq shpejt. Aq më keq që urdhëri ishte të mos përdoreshin makineri. Nuk duhej dëmtuar asgjë. Të dhënat ishin sekrete. Ende nuk dihej pse shteti i atij vendi kishte rënë dakord të shkatërroheshin varret, e sidomos këto varre ku shkruhej në disa gjuhë dhe që kishin fate dhe identitete të shumta të shkrira në të njëjtin dhe. Toka ishte ajo në fakt që dinte dhe mbante kushedi sa shpirtëra të fikur në gjirin e saj.
“Këtu është edhe...”, foli i ngarkuari. Ishte në kohëra të lashta. Ndodhi atëherë dhe tregohet edhe sot. Ai ishte thirrur në misionin e tij. Dhe duhej ta plotësonte atë. Duhej të kalonte një det të madh. Dhe me vete në varkë mori një qen dhe një mace. Në gjysëm të rrugës në det, diktoi se një gjarpër kishte hyrë pa dijeninë e tij. U zemërua me të dhe vendosi ta hidhte në det të hapur. Por sa u bë gati ta hidhte, varka u përplas me një shkëmb. Ajo mori një të çarë sa grushti i dorës. Ndërkohë gjarpëri pa pyetur e pa pritur u bë kulaç dhe e zuri vrimën. Kështu varka me të cilën udhëtonte Ai nuk u rrezikua. Menjëherë e falenderoi gjarpërin dhe e pyeti se çfarë dëshironte për këtë. Gjarpëri u mendua dhe i tha se donte gjak. Ai foli menjëherë. Po, qoftë  e bërë! Kur kaloi matanë detit, ai me të tre kafshët tashmë u gjend nën rrezet e ngrohta të diellit. U shtri të pushonte se ishte i lodhur. Kishte dhe shumë rrugë për të bërë. Misioni i tij ishte i shenjtë. Dhe atij i ishte dhënë Fuqia. Fuqia që të bënte të rrëndësishëm dhe të fuqishëm. Të transformonte gjërrat. Kështu ai ra në gjumë, pas asaj lodhjeje, ku edhe rrezet e diellit e ndihmuan qetësimin e tij. Por nuk bënë të njëjtën gjë tek kafshët e tjera. Macja përpëlitej, qeni ishte gjysëm i përfjetur. Gjarpëri u shtri se trupi iu ngroh dhe filloi të lëvizë. Pastaj iu afrua trupit të tij. U bë gati të plotësonte dëshirën e vet. Kërkonte tashmë gjak njeriu. Macja sa e pa, iu hodh menjëherë dhe ia ndau trupin nga bishti. Gjarpëri u tmerrua. Ai u zgjua dhe pyeti se çfarë ndodhi. Macja tregoi menjëherë. Dhe, Ai me autoritetin e fuqisë së tij e ledhatoi macen në kokë. Pesë vija iu formuan asaj menjëherë. Dhe i foli në vesh: “Nga nëntë kate në rrënçë, asnjëherë mos të paftë toka kurrizin. Gjithmonë rrënsh në këmbët e tua. Nëntë herë të biesh dhe nëntë herë të ngrihesh”. Atë nuk e zuri më gjumi. Vazhdoi rrugën. Gjarpëri ishte meskëputur. Pa bishtin e tij. Kur pas pak sytë i zunë një gjarpër tjetër të vogël. Fshiu sytë dhe pa vërtetë se nga bishti i gjarpërit të këputur ishte ngritur një gjarpër i ri. Por, rruga duhej vazhduar. Pas disa javësh mbëriti atje ku duhej të kërkonte dorën e Mbretëreshës bukuroshe. U ul në vendin e duhur. Atje pa se kishte për të mësuar mjaft. Dhe në fillim foli macja. Macja u mburr se kishte shpëtuar jetën e Tij, por u ankua se ishte pa ngrënë. Qeni e dëgjoi dhe foli më pas: “Ik moj i tha, mua më mjaftojnë vetëm thërrmijat që i bien nën sofër të Zotit dhe nuk dua më shumë...Hajde provoje jetën time... Dhe, Ai iu drejtua qenit duke i thënë, se ‘ishte besnik dhe besnik të mbetej në jetë të jetëve’. Por gjarpëri i dalë nga bishti, ishte akoma më i pakënaqur. Atij nuk kishte arsye ti përmendej emri, e jo më ti premtohej. Kështu ai në kthim e sipër gjeti rastin dhe e pickoi Atë. I mori gjak dhe i dha helm. Ata që u ndodhën atje, i varrosën të dy në një var. Dhe tek ai var askush nuk u afrua. Veç qenit dhe maces që bën vetë gropë e u zhytën atje, në atë varr të mistershëm. Ai vend mbeti vite e vite i harruar. Kujtohej vetëm si vend varresh...”
“Dhe ju mendoni se...?”, pyetën gati njëzëri punëtorët.
“Historia nuk mbaroi këtu. Njerëzit sa herë që kalonin andej nga ai varr dëgjonin një ulërimë. Zërri i mbytur vinte nga fundi i dheut. Atje diçka fliste dhe më pas ofshante me forcë. Dëgjohej vetëm kaq: “Vafsh në p..kë të s’ëmës!” E ndërsa njerëzit dëgjonin herë pas here këtë ofshamë, një ditë vendosën të gërmonin varrin. E ashtu ndodhi, por varri kurë nuk u hap dot. Nga varri dilnin e dilnin gjarpërrinj të shumtë, sa që njerëzit zunë lemerinë. Pas shumë ditësh vendi u pushtua nga ushtria e gjarpërrinjve. Dhe aty jeta u bë ferr.”
“Pra, ju mendoni, se ...”
“Mos u nxitoni, unë nuk mendoj asgjë, por lexojeni këtë rrasë guri...”
“Unë kurrë nuk dëgjoja zërin e vërtetë. Madje zëri më hynte në një vesh dhe në tjetërin më dilte. Unë kurrë nuk mbeta në jetën e njeriut. Ashtu si një gjarpër më kaloi vetë jeta. Nuk dita të jem i ngrohtë. Gjarpërosh në të gjitha. I ftohtë. Kallkan në gjithë arsyen time. Dhe në dashurinë e vetme..., në atë dashuri mbeta një spot i vaginës. Kurë nuk e dita dhe se kuptova, se pas një rrase varri do të mbetej arsyeja ime dhe ajo e vaginës. Këtu është ajo vetë. Është vagina e varrosur.”
“S’po kuptojmë asgjë?”,- folën gati njëzëri punëtorët. Pastaj të njëjtën gjë u duk se bënë edhe specialistët. Të tjerët me radhë, deri tek konopaxhinjtë, që mbanin të lidhur në kokë e në kraharor, konopa të gjatë e të hollë mëndafshi.
“Vërtet s’po kuptojmë asgjë!”, ishte një përsëritje e lehtë nën zë e grupit që ia behu në afërsi të asaj qetësie që kishte pllakosur rreth atij varri.
“Ja e shikoni atë lule mbi rrasë të varrit? Natyrisht që po. Ajo është një simbol i vjetër. Një lule e bukur shumë shpejt mund të thahet, por ajo me siguri mund të lërë një përshtypje të dhimbshme gjatë një kohe dhe tek mjaft njerëz. Në dhe ajo lë pezm shpirtin e saj. Edhe lulet janë me shpirt. Janë si njerëzit. Besojeni këtë. Arkeologët kanë zbuluar se çfarë mund të jetë një arsye e tillë e lules së dekoruar, në majë të një varri në një vendvarrim të lashtë në një shpellë në Izrael. Lulja që pushtonte varret e zbukuruara me të u vlerësua të jetë e ardhur mbi tokë rreth 13 mijë e 700 vjet më parë nga duar njeriu, të cilat e bënin në simbolikën e dashurisë dhe respektit. Fletët e lules, të gjetura në Shpellën Raqefet, u atribuohen Natufiansëve, një kulturë mesdhetare lindore e lidhur me mënyrat e organizuara të varrimit, që mendohet se mund të përfaqësojnë disa nga më të hershmet shërbesa në lidhje me varrimet dhe varrezat.”
“Kjo ndoshta është arsyeja pse po thyejmë tërë këta gurrë dhe rrasa varresh?”
“Jo, natyrisht që jo. Ne s’duam të bëjmë të njëjtin gabim që bënë të parët tuaj. Ata braktisën varret e tyre. Dhe i lanë gjarpërrinjtë të bëjnë vend nën e mbi dhe. Madje ikja pos një vagine u kushtoi shumë. U kushtoi se ata e dinin mirë çmimin e saj.”
“Vagine...?”
“Jo aq thjesht. Ishte kohë e moçme. Nën dëllinja këndonte bulkthi edhe në mes të dimrit. Stinët u shthurën. Vapa dhe thatësira pushtuan çdo gjë. Në këtë vend sundonte një Mbretëreshë. Ajo ishte mjaft e bukur. Kishte fuqi, pushtet, pasuri. Vendi ishte ndër më të pasurit e zonës. Dhe të gjithë ia kishin zilinë. Por ajo shpejt u vetëkënaq. Në kohën e pjekurrisë ndodhi e gjitha. Rra në dashuri me hasmin më të madh të atij vendi. Dhe kështu ajo e dehur nga dashuria lëshoi pe në ligje. U shthurr gati çdo gjë. Vendi u bë rrëmujë. Hahej, pihej e derdhej gjithandej. E bukura, e mençura dhe e pasura gati u kthye në shëmti, shtrigë. Kudo bëhej vetëm qejf. Nuk punohej. Hidhej një pare në një gropë dhe nesër merreshin shtatë. Kështu ishte dhe ndodhi për një kohë të shkurtër. Lojën e kishte kurdisur i dashuri i saj. Ai si një armik i betuar i atij populli dhe atij vendi lëshoi këtë zullum mbi fatin e atij vendi, atij populli. Dhe më pas u shua çdo gjë. Gati si me thikë u këput fati i atij vendi. U shtuan varret, lulet mbi to s’kishin të mbaruar. Dhe jeta thuajse po shuhej ngadalë e ngadalë. Kur një ditë u hap lajmi. Edhe ajo kishte dhënë shpirt. Por, vetëm shpirt ama. Njerëzit të mërzitur e varrosën së gjalli. E varrosën dhe më pas...”
“Çfarë më pas? Çfarë ndodhi?”- pyetën njëzëri.
“I dashuri i saj kishte marë vesh gjëmën dhe ai u vetëvra. Dashuria ia kishte errur sytë më shumë se urrejtja për atë vend. Varri i tij vetëm ulërrinte. Herë dëgjohej një mjaullimë, herë një e lehur e çjerrë dhe herë një piskamë e çuditshme. Buçiste dhe luante gati gjithë ai grumbull dheu që dridhej... Njerëzit nuk e duronin dot këtë dhe nxituan të kërkoni derman. Udhëtuan gjatë në vise të tjera. Atje gjetën fjalën e një të mençuri. Ai i pyeti se ç’dëgjonin, dhe ata i treguan. Pasi ai u mendua u tha: “Kush e bën jetën pas qejfit, jepjani me vete atë. Vetëm kështu qetësohet shpirti dhe paqtohen të tjerët. S’ka qetësi edhe nën dhe nëse nuk e ke plotësuar dëshirën e shpirtit në këtë jetë. Njeriu mëton, çfarë meriton. Edhe një gjë, për pak kohë duhet të kujdeseni që andej të mos duken as macet e qentë. Kujdes edhe gjarpërrinjtë.”  Ata u kthyen. Vendosën të bënin ashtu siç u tha i mençuri. Morën vaginën e saj e ia varrosën atje ku ndodhej kufoma e tij. Kështu vazhdoi dhe vazhdoi gjatë që ajo ulërimë të kthehej në mosdurim, derisa erdhëm ne dhe e gjetëm mënyrën të shuajmë këtë gjullurdi mbi këtë vend e mbi këta njerëz.”
Punëtorët shikonin njëri-tjetrin të habitur, ndërsa zhurma mbi varre sa vinte e ngadalësohej. Pas disa ditëve atje kishte rënë qetësi dhe lulet vërtet filluan të çelnin në stinën e tyre të preferuar. Ai vend edhe sot e kësaj dite quhet ‘Vagina e varrosur’. Ndoshta është siç thuhet, ndoshta edhe ndryshe, sidoqoftë atij vendi ky emër i mbeti që i mbeti.