Wednesday, 18 June 2008

Risi jete në vargun e Bashllarit




Fatmir Terziu


Shpeshherë është një ndjesi që të bën të mugëtohesh mes vargut. Një mugëtim tulatës, katalizues, strukturues dhe urëlidhës në tërë rrugëtimin tënd letërkëndjedhës. Simpatia dhe empatia në këtë rrugëtim ndërmjetësohen me një nyjë që fillon në fakt tek kompleksi i njeriut që siglon veten nën siglën autor. Këtë kompleks këtë rast e kryen modeli në përzgjedhje, Linda Bashllari, që hyn në portën krijuese me një modesti piloted he tepër frymëzuese. E gjen në faqen e mrekullueshme të “Seguraëeb” dhe e ndjen në tërë argumentin e saj krijues. Është sinqerisht një kompleks, një mrekulli që junktapozohet midis anatemës dhe mediumit letraro-poetik. Në këtë medium letraro-poetik është dhe mesazhi. Një mesazh që lind përpos një miti dhe një kodi sinjifikant, që nën siglën e teorisë së Stuart Hall, në mesin e poetikës shqiptare qëmton si një kod i mirëpritur në vetë mesazh vargut që sipas Barthez, kumton “mitin e fjalës”. Bashkë që të dy alternimet teorike të akademikëve Hall dhe Bartez, janë në fakt një pikëtakim në larminë krijuese të Bashllarit.
Duke lexuar prozën e saj ndjen një pikëtakim të tillë në fakt që sintetizon anën krijuese dhe tematikën poetike. Proza e Bashllarit është një poezi më vete dhe poezi një shtesë në lëminë shqiptare poetike. Unë e konsideroj këtë, përpos analizës që e ndërlidh atë, por edhe përpos ngjashmërisë në sitën teorike të analizës bashkëkohore. Në pamje të parë druajtja se në këtë pikëlidhje, sfumëzohet idealja dhe mbi idealen e sfuamuar nga drobitjet poetike në rrjetin ‘poezi e castit’, krijimtaria poetike e Bashllarit, është një risi më vete, një pasqyrë e detajit dhe monologut të ndjenjës në lidhjen mendje-autor. “Për gocën që lahet në det, lakuriq” një nënkapsulim tipik të tjerr kumtin e larmishëm që Bashllari e qëmton tek natyralja dhe pasuria e saj njohëse. Ajo shton se përkimi është natyral, i prekshëm dhe jetik: “Ryerson University Theatre (Lidës-alteregos sime)”. Duke parë dhe lexuar vargjet e mëposhtme një pikëlidhje e tillë duket më se reale, më se domethënëse:

“Fillon të bjerë dëborë dhe fjalët që thua,
më vijnë si nga korsia e një jete tjetër...
të jap një buzëqeshje, pa pasur mendjen tek ti,
sidoqoftë, mbetesh më i vërteti alterego...
të paktën ti s’e fsheh idiotizmin tënd,
që më argëton çdo ditë
më pak e më pak më mërzit se të gjithë librat
lexuar kohët e fundit… harta që ndjekim
ngatërrohet nëpër vija e qoshe,
na çon drejt teatrit, ku veshur me rroba firmato
sonte shqiptarët presin të hyjnë në koncert,
kanë ca shprehje të ngrira në fytyrë
dhe të sforcuar shpalosin sukseset që kanë arritur,
në kilet e tepërta kanë ndryrë kufomat e legjendave,
shëmbëllimet e së shkuarës, ndjekin me cep të syrit
fytyrat e reja që shfaqen në portën e madhe...
është prej dhjetorit kjo ngricë në përshëndetje,
ky dimër plot rrudha?

Më tutje është e prekshmja. Një e prekshme që vjen e qetë, e heshtur dhe e tepër kuptueshme. Vargjet janë shotuese, ndjenjësjellëse. Prurja është natyrale, fisnike dhe tepër poetike. Gjuha gjen motivin e krijuar dhe krijimi finalizon të tërën. E tëra është kompleks:
“…Të them në vesh pastaj, por je ti tani që s’më dëgjon.
Në skenë hyn artisti që derdh puthje në sallë,
mundohet të ngrohë muret, karriket,
moketin me tinguj xhixhileje e havaleje,
dhe ti prapë s’e ke mendjen se brezi i zi me xixa
në belin e valltares përdridhet si gjarpër,
askush nuk frikohet nga helmi dhe ngrihen
në një valle të madhe,
më në fund janë të lumtur shqiptarët e mi,
duket ashiqare se femrat e duan të gjitha këngëtarin,
që nuk harron të na kujtojë se vendi ynë është atje,
dhe me gisht shënon gabimisht Ëest-in
shqipet mbajnë frymën një çast, por vrikthi flakin mendimin
së do treten këtu, janë prapë në vallen e madhe
dhe besojnë se e kanë vrarë atë mit prej kohësh,
se kthimi akoma edhe më i keq
dhe më poshtërues se ikja është...
por shtëpia, shtëpia nuk i mbyll sytë atje...
nuk flenë shtëpitë, skifterët e mallit
që na shqyejnë përditë shpretkën e nxirë…”


Dhe vazhdimi i poezisë është më shumë se një filozofi poetike. Kjo filozofi është një gërshetim i poetes me ndjenjën, njohurinë dhe motivin, duke krijuar një argument tepër domethënës. Argumenti lidhet me tematikën dhe filozofia me stilin e rrokur:
“Për gocën që lahet në det, lakuriq
goca rrëshqet në ujin e ngrohtë, të gjelbër si vaj
ulliri... pertej bregut digjet divjaka,
luspa insektesh e peshqish kërcasin në ajrin e nxehtë
...dhe goca hyn thellë e më thellë... zbërthen rripat
pas qafës dhe shpinës, rripat e hollë të mbathjeve
...lëngu i trashë, i kripur i fërkohet kofshëve,
buzëve të fryra të seksit, gjoksit të vogël.
Mbështjell krejt kurmin e njomë, me pëshpërima
mirëseardhjeje... sheh rreth e qark me droje,
por njerëzit kanë mbetur larg, shullehen
në rërën e imët duke u shqetësuar
për artritet e vjetra, kolorin e barkut dhe shpinës...
ndërsa ajo si e çliruar nga të gjitha peshat,
derdhet e tëra në një përqafim lektisës
me detin... kjo duhet të jetë orgazma, thotë pas pak,
e habitur sesi njerëzit nganjëherë
e ndërlikojnë më shumë se ç'duhet jetën.”

Unë në fakt në këtë lexim-analizë gjeta tipiken që e bën këtë poete të vetëpërfshihet në mesin e poetëve me emër në sidën e re që ka shtuar brumin në poezinë Kombëtare Shqiptare. Më tutje kjo poezi ka edhe një meshë të qartë, që e shpie drejt dyerve të konkurrëncës ballëhapur. Kjo lloj poezie lexohet këndshëm në stilin e saj:


Goca bën pirueta dhe qesh,
ujërat i sillen rreth kurmit si krahët e djalit që i iku...
piruete... piruete... piruete... krahët lidhen e zgjidhen,
symbyllur ajo qesh, puthet me rrezen e pasdites,
është lëng e tëra - pjeshkë e pjekur kopshti...
është dritë e tëra - frymë lirie... lakuriq kërcen e zhytet
nën valë, si femër delfini, goca... shtrëngon fort
me një dorë kostumin e banjes, me rripat e hollë
ku pas pak shpirt do japë liria...


Diçka pa lidhje për gjërat e trishtuara

Nganjëherë, nëpër gjumë ti zgjat doren
të më prekesh diku nën sqetull...
të dy trishtohemi
Për arsye krejt të ndryshme
Ti për friken mos ka mbirë ndonjë flater
Unë me tmerrin mos ndonjë gjëndërr
shfaqet dhe ma kthen në hi, ngjitjen...
çdo gjë bëhet njësh atë çast,
udhët dhe parqet, kullat dhe ujërat,
bëhen fije dhe gjilpëra qepin grykën
e një thesi të zi.
Ty të dhemb dhembja jote dhe vazhdon
të trishtohesh, të më thuash
se në vend të zemrës kam një copë gur,
se nëpër gjumin dhe ëndrrat e mia,
përqesh trishtimin tënd.

Nuk di ç'të them asgjë për keto...
pa lidhje tani mendimi për gruan e çalë...
çala si ngjala, këndojnë ende
tek mejhanet e vjetra,
dhe zhduken fjalët, si hijet mëngjesit
Vrapojnë... fluturojnë... huh, jo.
...Ky s'është fluturim. Kjo orë mbi tryezë
tepër të shkurtër e ka njërën këmbë...


Vetëm era fishkëllin

...kur ajo m’i ngul kthetrat në tru, krejt e hazdisur
nga uljengritjet e pakontrollueshme të hormoneve,
un’ e di qysh më parë se të fillojë ulërimën
betejën e ka të humbur…
s’di si ndodh, por thonjtë një nga një i bien mbi parket.
Kurvë, i them nëpër dhëmbë dhe e lodhur i lëshohem gjumit
me dëshire, kujtohesh të vish pikërisht atëherë kur
thuajse të kam harruar.

Në rrugë kuisin frenat e forta të një makine
dhe ajrin befas e shpojnë tingujt e së bukurës More…
mesazh nga toka e shenjtë e qumshtit,
nga toka e gjakut… sytë ngrijnë në terr
ngrenë një nga një perdet e trasha të largësisë,
por ajo, dashuria më e paformë,
prapë s’arrin të më shohë…
vetëm era fishkëllin dhe papushim shfryn:
kuur(vv)... kuuur(vvv)...


Fusha vret

…fusha vret.
Gruaja dhe burri,
humbin harkun e shputës… tabani i sheshtë
vetëtima u shkrep në syrin e ballit…
Ç’hidhësirë prekja e tjetrit!

Picërrojnë sytë të rrokin krejt pamjen, por
duart këputen tek dëgjojnë melodinë e hallakatur
të zemrës.

E bash ky është momenti
kur horizonti si tel i skuqur, dridhet mes qerpikëve
kutërbimi i kopjeve të djegura më parë,
u ngjitet pas lëkure.

Fushës shkojnë mpakur e rrudhur në heshtje…

Hapësira mbushet me liliputë.


Sonte nuk vjen askush…

Sonte nuk vjen askush, …tryeza rri shtruar,
një pirg me rroba të palara dergjet më tutje… ka ditë.
Rrëmuja ime, kontribut modest
në kaosin e përbotshëm…mendoj
dhe tinëzisht ia kthej shpinën.
Siddharthën vështroj tani,
gozhduar në fletë standarde, brenda
një ndërtese standarde këtu në North America…
shkrep si e zeza mbi të bardhë,
pelin mbi plagët në kokën time…
flokë sensitivë, lëkurë nervoze,
ka muaj që ju pres të shëroheni,
gërricur, gjakosur, përtharë,
më ktheni në dashnore të vetvetes,
më mbani lidhur më të
si në zinxhir martesor,
falë saj, pak e kam vrarë mendjen
pse në mes të gjashtë miliardë të gjallëve,
Sizifi është çfarë dua,
Mos dil nga legjenda…, i lutem
dhe shkëmbi i mbetet në shpinë,
se dashuria… dashuria, jo se na mban në jetë,
por drejt vdekjes s’na hedh,
pikërisht në at’ majë mali
ku ti arrin çdo mbrëmje, me shkëmbin, që pastaj
vetë e rrëzon drejt zemrës…

No comments: